Fron Shala certifikohet nga HarvardX në shkencat e astronomisë

Shkolla Fillore “Asdreni” në Pejë ka bërë të ditur një tjetër arritje të rëndësishme të njërit prej nxënësve të saj. Nxënësi Fron Shala është certifikuar me sukses nga platforma prestigjioze HarvardX, pjesë e Universitetit të Harvardit, duke shënuar një sukses të veçantë në fushën e shkencave të astronomisë, transmeton albinfo.ch.

Fron Shala ka përfunduar kursin shkencor “SPU30x: Super-Earths and Life”, ku ka ndjekur ligjërata dhe module të avancuara rreth kërkimit të planetëve jashtë sistemit diellor dhe mundësive të ekzistimit të jetës në gjithësi. Kursi është zhvilluar nën udhëheqjen e profesorëve të njohur të astronomisë, përfshirë Dimitar Sasselov.

Sipas njoftimit të shkollës, certifikata e verifikuar e marrë nga Shala dëshmon përkushtimin dhe disiplinën e tij, si dhe vullnetin për të ndjekur standarde të larta akademike që në moshë të hershme.

Përfaqësuesit e Shkollës Fillore “Asdreni” janë shprehur krenarë për këtë sukses, duke theksuar se arritja e Fron Shalës është një shembull motivues për bashkëmoshatarët e tij dhe dëshmi se me punë dhe ambicie mund të arrihen rezultate edhe në nivele ndërkombëtare./Albinfo.ch

Nestlé do të mbajë prodhimin e kapsulave Nespresso në Zvicër pavarësisht tarifave amerikane

Kompania zvicerane e ushqimit Nestlé nuk ka plane të zhvendosë prodhimin e kapsulave Nespresso jashtë Zvicrës, edhe pse ekzistojnë tarifat doganore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Kështu deklaroi CEO i kompanisë, Philipp Navratil, në një intervistë për CH Media të mërkurën.

Sipas tij, grupi me seli në Vevey po shqyrton mundësinë që qeveria amerikane të rimbursojë tarifat doganore, ndaj për momentin nuk po merret në konsideratë zhvendosja e prodhimit.

“Ne mund të kemi një mendim për aspektet politike, por Nestlé është e fokusuar në mënyrën më të mirë për të menaxhuar situatën. Ne vazhdojmë të investojmë, pavarësisht tarifave. Kemi një vizion afatgjatë dhe po përshtatemi me ndryshimet e tregut,” tha Navratil.

Ndërkohë, Nestlé po vazhdon programin global të uljes së kostove. Midis viteve 2026 dhe fundit të vitit 2027, kompania planifikon të shkurtojë 16,000 vende pune, prej të cilave rreth 12,000 janë pozita administrative.

Sipas CEO-së, këto masa janë pjesë e një strategjie efikasiteti që synon të financojë investime në sektorët me rritje. Ai theksoi se Zvicra nuk do të preket në mënyrë disproporcionale.

Në të ardhmen, grupi me bazë në Vevey do të përqendrohet në katër fusha kryesore: kafeja, ushqimi për kafshë, ushqimi dhe shëndeti, si dhe ushqimet e lehta dhe snack-et.

Navratil shtoi se rritja mbetet objektivi kryesor i kompanisë. Pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive ekonomike, ai u shpreh i bindur se Nestlé do të mbetet e qëndrueshme falë pranisë së saj globale.

Qeveria federale zvicerane kërkon dënime më të rënda për vjedhjen e biçikletave

Qeveria federale e Zvicrës ka mbështetur një propozim për ashpërsimin e dënimeve ndaj vjedhjes së biçikletave dhe e-bikave. Masa lidhet me rastet e ashtuquajtura “vjedhje për përdorim”, kur mjeti merret vetëm për t’u përdorur përkohësisht pa qëllim mbajtjeje.

Sipas propozimit të deputetit Lukas Reimann (SVP/SG), vjedhjet e biçikletave me vlerë të konsiderueshme nuk duhet të trajtohen më si vepra të lehta penale, pasi aktualisht shpesh ndëshkohen vetëm me gjoba të vogla, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër raportohen mbi 50,000 vjedhje biçikletash çdo vit. Autoritetet theksojnë se lehtësime në ndëshkim mund të aplikohen vetëm në raste të veçanta, si marrëdhënie familjare ose kur ekziston leje për përdorimin e mjetit që është abuzuar. Në të gjitha rastet e tjera kërkohen sanksione më të ashpra penale.

Kosovari shpëton 71-vjeçarin nga lumi Aare në Zvicër në momentin kritik

Një shtetas me origjinë nga Kosova, Rrustem Hysenaj (38), ka shpëtuar një 71-vjeçar nga lumi Aare pranë Aaraut në Zvicër, duke parandaluar një tragjedi të mundshme.

Ngjarja ndodhi herët të hënën në mëngjes, kur Hysenaj po shkonte në vendin e punës. Një kalimtar i panjohur e ndaloi dhe i kërkoi ndihmë urgjente, duke i treguar se një i moshuar ndodhej në brigjet e lumit dhe nuk mund të dilte vetë nga uji.

Ndërhyrje vendimtare

Fillimisht i pasigurt për situatën, Hysenaj vendosi ta ndiqte personin deri te lumi, ku pa 71-vjeçarin në ujë të ftohtë, duke u mbajtur me vështirësi. Temperatura e ujit ishte rreth 15°C.

Së bashku me një ndihmës tjetër, ai arriti ta nxjerrë të moshuarin dhe ta transportojë në një vend të sigurt.

“Ishte i lagur krejtësisht dhe dridhej pa pushim,” tha Hysenaj, duke shtuar se i moshuari ishte në gjendje hipotermie dhe shumë i lodhur, transmeton albinfo.ch.

Kujdesi deri në ardhjen e emergjencës

Dy shpëtimtarët i dhanë ndihmën e parë dhe e mbajtën nën kujdes për rreth 20 minuta deri në ardhjen e shërbimeve emergjente. I moshuari mësohet se kishte qëndruar rreth 45 minuta në ujë para se të shpëtohej dhe më pas u dërgua në spital.
Rrethanat ende të paqarta

Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar incidentin, por ende nuk dihet saktësisht se si 71-vjeçari përfundoi në lumë.

Hysenaj thotë se kolegët e tij e kanë pritur me humor pas ngjarjes.
“Në punë më thonë me shaka ‘Superman’, por unë thjesht bëra atë që duhej,” u shpreh ai.

Mamitë në Gjenevë kërkojnë rritje page dhe njohje më të madhe të profesionit

Në Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG), mamitë kanë dalë në protestë duke kërkuar rritje page dhe njohje më të madhe për profesionin e tyre, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mamisë.

Të martën, ato u mblodhën para maternitetit të HUG-ut në Gjenevë, duke denoncuar mungesën e vlerësimit për aftësitë e tyre profesionale dhe duke kërkuar një rritje page që, sipas tyre, është vonuar prej gati 20 vitesh.

“Durimi ka kufijtë e tij”, theksuan disa nga mamitë, duke kujtuar se, pavarësisht diplomës Bachelor nga shkollat e larta të specializuara (HES), ato vazhdojnë të klasifikohen në shkallën e pagës 15, me një pagë fillestare nën 5.500 franga zvicerane në muaj.

Sipas tyre, roli i mamisë shkon shumë përtej asistencës në lindje. Ato theksuan se përfshihen në ndjekje komplekse mjekësore, menaxhim të emergjencave dhe ofrojnë mbështetje të vazhdueshme psikologjike për pacientet, duke mbajtur përgjegjësi të lartë profesionale.

“Gjithnjë e më autonome”

Julie, një mami në HUG, thekson se çështja nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por edhe me tërheqjen e profesionit dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

“Prej tre vitesh po kërkojmë këtë rritje page. Profesioni ynë ka evoluar gjatë 25 viteve të fundit. Po bëhemi gjithnjë e më autonome dhe po kërkohet gjithnjë e më shumë autonomi prej nesh, por pa një rritje të përshtatshme page. Nëse duam të ruajmë cilësinë e kujdesit, duhet të paguhemi sipas vlerës që kemi. Gjeneratat e reja po vijnë dhe nuk mund t’u shesim një ëndërr pa pagë të denjë”, deklaroi ajo për RTS, transmeton albinfo.ch.

Peticion me mijëra nënshkrime

Paralelisht me protestën, një grup mamish ka nisur një peticion që ka mbledhur rreth 3.000 nënshkrime në mbështetje të kërkesave të tyre.

Nga ana e saj, drejtoria e Spitaleve Universitare të Gjenevës (HUG) ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime në paga për sa kohë që është në zhvillim procesi “G’Evolue”, një projekt i madh që synon rishikimin dhe harmonizimin e pagave në sektorin publik të Gjenevës.

Zvicër: Mbetjet ushqimore ende shumë të larta

Mbetjet e ushqimit mbeten një problem i rëndësishëm në Zvicër. Katër vjet pas zbatimit të një plani veprimi për të përgjysmuar humbjet ushqimore deri në vitin 2030, Këshilli Federal ka publikuar një vlerësim me rezultate të përziera. Sipas tij, familjet private duhet të përmirësohen më shumë.

Sipas një raporti të ndërmjetëm të publikuar të mërkurën, humbjet ushqimore janë ulur vetëm me rreth 5% midis viteve 2017 dhe 2024. Objektivi i vendosur për vitin 2025 ishte një ulje prej 25%.

Në vitin 2022, Këshilli Federal nisi një seri masash nxitëse për të përgjysmuar mbetjet ushqimore deri në vitin 2030. Këto masa kanë pasur efekt në sektorin e shitjes me pakicë, ku është shënuar një ulje prej 20%.
Edhe sektori i restoranteve ka regjistruar një rënie “të qartë” të mbetjeve ushqimore.

Megjithatë, këto të dhëna bazohen në raportimet e bizneseve dhe organizatave që matin vetë humbjet e tyre. Në planin e veprimit të qeverisë marrin pjesë 37 aktorë.
Pothuajse një e treta e mbetjeve vjen nga familjet

Raporti thekson se problemi kryesor qëndron te familjet. Ato përbëjnë rreth 28% të humbjeve totale ushqimore dhe ndikojnë ndjeshëm në gjurmën mjedisore të sistemit ushqimor.

Megjithëse mbetjet ushqimore në familje janë ulur me 13% që nga viti 2017, kjo nuk është e mjaftueshme për të arritur objektivin e vitit 2030. Pa këtë përmirësim, përgjysmimi i humbjeve do të ishte i pamundur, thekson Konfederata Zvicerane. Sipas saj, masat aktuale ende nuk e kanë arritur mjaftueshëm këtë grup.

Këshilli Federal ka miratuar masa të reja, të fokusuara kryesisht në rritjen e ndërgjegjësimit publik. Një vlerësim i ri i ndërmjetëm pritet të bëhet në vitin 2028.
Megjithatë, për momentin nuk parashikohet vendosja e taksave mbi mallrat e pashitura. Këshilli Federal kishte deklaruar në vitin 2024 se kjo masë mund të shqyrtohej nëse situata nuk përmirësohej deri në vitin 2025.

Trump kërcënon Iranin me bombardime “me intensitet shumë më të lartë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm presionin ndaj Iranit, duke kërcënuar se do ta bombardojë vendin “me një intensitet shumë më të madh se më parë” nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump deklaroi se nëse Irani nuk pranon kushtet e propozuara nga SHBA, bombardimet do të rifillojnë “në një nivel dhe me një intensitet të paparë”.

Kosova përfaqësohet në “St. Gallen Symposium 2026”, fokus sfidat globale dhe roli i politikës

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, po merr pjesë në edicionin e 55-të të “St. Gallen Symposium 2026“, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbahet në St. Gallen, Zvicra.

Ky forum mbledh liderë nga politika, ekonomia dhe akademia, duke i bashkuar ata me gjeneratën e re të vendimmarrësve për të diskutuar zhvillimet kryesore globale. Tema e sivjetme, “Disrupted Age”, trajton transformimet e mëdha në nivel botëror, përfshirë sfidat gjeopolitike, zhvillimin teknologjik dhe ndryshimet demografike që po ndikojnë shoqëritë dhe ekonomitë.

Në këtë kontekst, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në këtë forum, duke e konsideruar atë si një mundësi për të sjellë perspektivën e vendit dhe për të qenë pjesë aktive e diskutimeve ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, ajo vizitoi edhe Abbey Library of St. Gallen, një nga bibliotekat më të vjetra në botë, e njohur për trashëgiminë e saj kulturore dhe historike.

VIDEO:                                                     

Në kuadër të forumit, Kusari-Lila pritet të marrë pjesë në panelin “The Power of Politics vs. Power Politics – Strategic Interests in a New World – Safeguarding”, ku do të diskutojë së bashku me Kęstutis Budrys, Emma Theofelus dhe Kelly Craft mbi interesat strategjike dhe rolin e politikës në një rend të ri global.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pranisë ndërkombëtare dhe përfshirjes në debatet që përcaktojnë të ardhmen globale.

A duhet të ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla? Debati në Zvicrën gjermanishtfolëse

Debati për mbajtjen e shamisë në shkolla është rikthyer fuqishëm në Zvicrën gjermanishtfolëse. Teksa parlamenti i Cyrihut po përgatitet të shqyrtojë një mocion të Partisë Popullore Zvicerane (UDC), që synon ndalimin e saj si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit, ndarjet janë të thella si në politikë, ashtu edhe në sistemin arsimor.

Rasti që riktheu polemikat daton nga vera e kaluar. Në kantonin e St. Gallenit, punësimi i një mësueseje të re që mbante shami në një shkollë fillore shkaktoi kundërshtime nga prindërit. Nën presion, drejtoria e shkollës e tërhoqi vendimin.

Tashmë në Cyrih, UDC synon të shkojë edhe më tej. Mocioni i saj propozon një ndalim të përgjithshëm të shamisë në shkolla, një hap i paprecedentë në Zvicër. Qëllimi është që kjo nismë të shërbejë si model edhe për kantonet e tjera, duke qenë se vendimet në kantonin më të madh të vendit shpesh kanë efekt zinxhir.

Ndër mësuesit mbizotëron kujdesi. Shoqata e Mësuesve të Zvicrës gjermanishtfolëse rekomandon shmangien e simboleve fetare të dukshme, duke iu referuar parimit të neutralitetit të shtetit. Megjithatë, kjo mbetet vetëm një rekomandim. Në Zvicrën frankofone, sindikata e mësuesve nuk e sheh të nevojshme të mbajë qëndrim.

Një debat përtej shkollës

Komiteti i Egerkingenit, i lidhur me UDC-në, ka nisur së fundmi një peticion kundër shamisë në shkolla, duke mbledhur 12 mijë nënshkrime. Ndërkohë, në Parlamentin Federal, UDC ka paraqitur disa mocione, përfshirë edhe ndalimin e shamisë për personat nën 16 vjeç.

Debati shkon përtej mjedisit shkollor. Në thelb qëndron çështja e vendit të Islamit në Zvicër. Paralelisht, po shfaqen iniciativa për kufizimin e ndërtimit të xhamive, veçanërisht në St. Gallen, ku një projekt prej 15 milionë frangash ka nxitur kundërshtime të forta.

E majta e ndarë

Edhe në planin politik, ndarjet janë të dukshme. Partia Socialiste tashmë kundërshton ndalimin e shamisë në institucionet publike, një ndryshim që ka hasur kritika brenda saj. Një deputet nga St. Gallen është larguar nga partia për t’iu bashkuar Liberalëve të Gjelbër, duke argumentuar se kursi i ri largohet nga një vizion laik.

Publicisti Yves Petignat kritikoi gjithashtu të majtën, duke theksuar se historikisht Partia Socialiste ka qenë mbrojtëse e sekularizmit dhe duke ngritur pikëpyetje mbi ruajtjen e këtyre vlerave.

Ai shtoi se neutraliteti në arsim nënkupton që mësuesit të mos mbajnë simbole dalluese dhe se heqja dorë nga shenjat fetare nuk është masë e tepruar në raport me objektivat.

Liritë individuale

Nga ana tjetër, Inès El Shikh, bashkëthemeluese e kolektivit “Les foulards violets”, thekson nevojën për të dalluar situatat: shamia e mësueses, që përfaqëson shtetin, dhe ajo e nxënëses, që është përdoruese e shërbimit publik.

Ajo paralajmëron për pasojat e një ndalimi të përgjithshëm, duke iu referuar përvojës së Francës, ku sipas studimeve, ndalimi i simboleve fetare në shkolla ka ndikuar negativisht në integrimin arsimor dhe ekonomik të vajzave myslimane.

Në fund, ajo ngre një pyetje thelbësore: “A duam një shoqëri ku të gjithë janë të njëjtë, apo një shoqëri në paqe me diversitetin e saj?”

Paqartësi ligjore

Një nga çështjet kryesore mbetet ligjshmëria e një ndalimi të tillë. Rregullat ndryshojnë nga një kanton në tjetrin. Në Gjenevë, mësueset nuk lejohen të mbajnë simbole fetare të dukshme, një ndalim i konfirmuar nga gjykatat.

Për nxënësit, Gjykata Federale ka vendosur në vitin 2015 se një ndalim i përgjithshëm i shamisë cenon lirinë fetare, një qëndrim i mbështetur edhe nga Këshilli Federal.

Në këtë kontekst, mocioni i Cyrihut mund të përballet me pengesa ligjore, edhe nëse miratohet nga një parlament me shumicë të djathtë.

Italia kërkon 300 mijë euro dëmshpërblim për tragjedinë në Crans-Montana

Italia ka njoftuar se synon të kërkojë të paktën 300 mijë euro dëmshpërblim për dëmet e pësuara nga zjarri tragjik i 1 janarit në Crans-Montana, në Zvicër.

Republika Italiane ka paraqitur kërkesë për t’u bërë palë paditëse në procedurat penale lidhur me këtë ngjarje. Kjo kërkesë i është drejtuar Prokurorisë së Kantonit Valais dhe është bërë publike nga njësia hetimore e RTS.

Kërkesa për dëmshpërblim

Në këtë fazë, Italia vlerëson dëmet e saj në të paktën 300 mijë euro. Sipas kërkesës së datës 29 prill, kjo shumë mund të kërkohet nga personat që eventualisht shpallen fajtorë në këtë rast.

Megjithatë, ekziston një nuancë ligjore: nëse të pandehurit janë punonjës shtetërorë, përgjegjësia financiare bie mbi shtetin përkatës. Në këtë rast, nëse dënohen zyrtarë apo përfaqësues të komunës së Crans-Montana, atëherë komuna mund të detyrohet të paguajë dëmshpërblimin.

Statusi i palës paditëse ende i paqartë

Për të paraqitur kërkesa civile, Italia duhet fillimisht të fitojë statusin e palës paditëse. Kjo argumentohet në një letër shtatëfaqëshe të hartuar nga avokati nga Gjeneva, Romain Jordan, i cili përfaqëson edhe shumë familje viktimash.

Viktima dhe të plagosur

Në zjarr humbën jetën gjashtë shtetas italianë, ndërsa 14 të tjerë u plagosën rëndë.

Pas tragjedisë, autoritetet italiane ndërmorën një sërë masash për të mbështetur autoritetet zvicerane, përfshirë:

dërgimin e një helikopteri të mbrojtjes civile me personel mjekësor dhe teknik

organizimin e evakuimeve emergjente të të plagosurve

ofrimin e mbështetjes psikologjike për familjarët

dërgimin e ekipeve për vlerësim dhe koordinim

ndihmë në identifikimin e viktimave

riatdhesimin e trupave me avion

Dëmi financiar

Sipas avokatit Jordan, dëmi përfaqëson “dëmtim të drejtpërdrejtë të pasurisë së shtetit italian”, pasi përfshin shpenzimet e kryera gjatë ndërhyrjes.

Ai detajon disa nga kostot:

45 mijë euro për mbështetje psikologjike dhe operacionale

70 mijë euro për transportin e të plagosurve në Itali

120 mijë euro për kthimin e arkivoleve dhe familjarëve

Sipas tij, këto janë vetëm vlerësime fillestare dhe shuma përfundimtare pritet të jetë më e lartë, pasi do të përfshijë edhe shpenzime të tjera nga institucione dhe rajone të ndryshme, sidomos kostot shëndetësore për trajtimin e të plagosurve.

Vendimi në duart e prokurorisë

Tani i takon prokuroreve që po hetojnë rastin të vendosin nëse Italia do të pranohet si palë paditëse.

Kujtojmë se më herët, kërkesa për të njëjtin status nga komuna e Crans-Montana është refuzuar, vendim që është konfirmuar edhe nga gjykata kantonale.

Çfarë përfiton një palë paditëse?

Statusi i palës paditëse i jep të drejtë:

akses në dosjen penale

pjesëmarrje në seanca dëgjimore

mundësi për të bërë pyetje dëshmitarëve dhe të pandehurve

kërkesë për veprime hetimore shtesë

të drejtë ankese ndaj vendimeve

Ky status i jep gjithashtu ndikim në rrjedhën e procedurës dhe mundësi për ta orientuar atë.

Autoritetet zvicerane: Nuk kemi prova nëse Epstein kishte prona në Zvicër

Këshilli Federal i Zvicrës nuk është në gjendje të konfirmojë nëse Jeffrey Epstein ka pasur prona të paluajtshme në Zvicër. Kjo përgjigje u dha të mërkurën pas një pyetjeje parlamentare, në një kohë kur lidhjet e tij me këtë vend janë vënë në qendër të vëmendjes muajt e fundit.

Sipas qeverisë zvicerane, “nuk ka dijeni për blerje pronash nga Jeffrey Epstein në Zvicër. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia që transaksione të tilla të kenë ndodhur”. Kjo deklaratë erdhi si përgjigje ndaj interpelancës së deputetit Benoît Gaillard.

Këshilli Federal thekson gjithashtu se jo të gjitha blerjet e pasurive të paluajtshme nga shtetas të huaj kërkojnë autorizim nga autoritetet kantonale, duke ia kaluar kështu përgjegjësinë kantoneve përkatëse.

Lidhjet me Zvicrën në qendër të hetimeve

Autoritetet zvicerane shmangën gjithashtu përgjigje të drejtpërdrejta për disa pyetje të tjera të ngritura nga deputeti. Interpelanca ishte paraqitur në muajin mars, pas publikimit të ashtuquajturave “dosjet Epstein”, të cilat zbuluan degë të rrjetit të tij edhe në Zvicër.

Autoritetet amerikane kanë publikuar rreth 3.5 milionë faqe dokumentesh të deklasifikuara lidhur me këtë rast. Sipas disa mediave, përfshirë RTS, biznesmeni i pasur dyshohet se kishte financuar studimet e disa të rejave në Zvicër dhe kishte kontakte me figura të rëndësishme të sektorit financiar.

Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa ishte në pritje të gjykimit për akuza të rënda.

Hetimet vazhdojnë

Zbulimi i dokumenteve të reja ka nxitur një valë hetimesh në disa vende. Media zvicerane dhe ndërkombëtare kanë raportuar për lidhje të reja dhe përfshirje të mundshme të figurave të njohura në këtë çështje.

5 skenarë për Zvicrën në vitin 2100

Studiuesit zviceranë kanë hartuar pesë skenarë të mundshëm për mënyrën se si mund të duket Zvicra deri në fund të këtij shekulli, duke analizuar ndikimin që zhvillimet sociale, ekonomike dhe politike mund të kenë në klimë dhe jetën e përditshme.

Studimi është zhvilluar nga Instituti Federal Zviceran për Pyjet, Borën dhe Peizazhin (WSL), në bashkëpunim me rreth 60 shkencëtarë nga 20 institucione kërkimore. Qëllimi nuk është të parashikohet e ardhmja me saktësi, por të kuptohen rrugët e mundshme të zhvillimit të shoqërisë zvicerane deri në vitin 2100, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Tre nga pesë skenarët bazohen në modelet globale të përdorura nga IPCC, paneli ndërkombëtar për ndryshimet klimatike. Ato përfshijnë:

një Zvicër shumë të teknologjizuar që mbështetet tek energjitë e rinovueshme dhe inovacioni,

një shoqëri me zhvillim të ngadaltë dhe më shumë fokus në konsum lokal dhe mirëqenie,

si dhe një skenar të errët me përçarje të thellë sociale, dobësim të institucioneve dhe pabarazi ekstreme mes elitës dhe shumicës së varfëruar.

Dy skenarë të tjerë janë zhvilluar posaçërisht për Zvicrën. Njëri përshkruan një vend që vazhdon të mbështetet gjatë në lëndët fosile dhe përballet vonë me pasojat e rënda mjedisore, ndërsa tjetri paraqet një model ku prioritet bëhen kohezioni social dhe cilësia e jetës, më shumë sesa rritja ekonomike.

Sipas studiuesve, mënyra se si do të zhvillohet shoqëria do të ndikojë drejtpërdrejt në emetimet e gazeve serrë, konsumin e burimeve, transportin, urbanizimin dhe nevojat infrastrukturore.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se Zvicra është veçanërisht e prekur nga ndryshimet klimatike, me temperatura që po rriten më shpejt se mesatarja globale, verëra më të thata, reshje më intensive dhe më pak borë në Alpe.

Autorët e studimit theksojnë se këto skenarë nuk janë parashikime, por mjete për të ndihmuar politikëbërësit dhe shoqërinë të kuptojnë më mirë pasojat afatgjata të vendimeve të sotme.

Çmimet e pronave luksoze në Zvicër vazhdojnë të rriten

Tregu i pasurive të paluajtshme luksoze në Zvicër ka vazhduar rritjen edhe gjatë vitit 2025, megjithëse ritmi i rritjes po ngadalësohet krahasuar me vitet e fundit.

Sipas raportit “UBS Luxury Property Focus 2026”, çmimet e pronave luksoze janë rritur mesatarisht me rreth 3% në nivel kombëtar.

Rritja më e fortë është regjistruar në rajonet alpine, ku pronat luksoze janë shtrenjtuar mesatarisht me rreth 6% gjatë vitit të kaluar. Sipas ekspertëve të UBS, kërkesa po nxitet kryesisht nga blerës të pasur ndërkombëtarë që vazhdojnë ta shohin Zvicrën si një destinacion të sigurt për investime, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në krye të listës së lokacioneve më të shtrenjta mbetet St. Moritz, ku çmimi mesatar për metër katror arrin rreth 52 mijë franga zvicerane. Pas tij renditen Gstaad dhe Verbier me rreth 45 mijë franga për metër katror.

Jashtë zonave alpine, lokacioni më i shtrenjtë është Cologny pranë liqenit të Gjenevës, me çmime mesatare rreth 43 mijë franga për metër katror, ndërsa në rajonin e Cyrihut kryeson Kusnacht me rreth 37 mijë franga për metër katror.

Sipas UBS, një apartament luksoz prej 150 metrash katrorë në një lokacion premium në Zvicër kushton mesatarisht 4 deri në 5 milionë franga, ndërsa vilat me parcela të mëdha shpesh kalojnë vlerën prej 10 milionë frangash.

Ekspertët paralajmërojnë se tregu mund të hyjë gradualisht në fazë stabilizimi. Në disa zona rreth liqeneve të Gjenevës dhe Cyrihut, çmimet kanë filluar të arrijnë një “plateau”, ndërsa kushtet ekonomike dhe përballueshmëria më e ulët pritet të ngadalësojnë ritmin e rritjes gjatë vitit 2026.

Pse shumë amerikanë në Zvicër po heqin dorë nga pasaporta amerikane

Numri i amerikanëve që jetojnë në Zvicër dhe po heqin dorë nga shtetësia amerikane po vazhdon të rritet, por këtë herë arsyet nuk lidhen vetëm me taksat dhe rregullat financiare.

Sipas raportimeve të fundit, gjithnjë e më shumë shtetas amerikanë në Zvicër po marrin këtë vendim për shkak të klimës politike në SHBA dhe rikthimit të Donald Trump në skenën politike.

Fenomeni nuk është i ri. Amerikanët që jetojnë jashtë vendit, përfshirë në Zvicër, prej vitesh ankohen për barrën e rëndë administrative dhe fiskale që SHBA u imponon qytetarëve të saj, edhe kur jetojnë jashtë territorit amerikan, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Një nga problemet kryesore mbetet sistemi amerikan i taksimit mbi bazën e shtetësisë, që detyron qytetarët amerikanë të deklarojnë dhe në disa raste të paguajnë taksa në SHBA edhe nëse jetojnë përgjithmonë jashtë vendit. Kjo ka krijuar vështirësi të mëdha edhe me bankat zvicerane, të cilat shpesh shmangin klientët amerikanë për shkak të rregullave të komplikuara të FATCA.

Sipas mediave zvicerane, ambasada amerikane në Bern po përballet me rritje të kërkesave për heqje dorë nga shtetësia, ndërsa terminet për këtë procedurë janë shtuar ndjeshëm.

Një faktor tjetër që ka nxitur interesimin është edhe ulja drastike e tarifës për heqjen dorë nga shtetësia amerikane. SHBA ka reduktuar së fundmi tarifën prej 2,350 dollarësh me rreth 80%, duke e bërë procesin shumë më të përballueshëm për qytetarët jashtë vendit.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 30 mijë amerikanë kanë hequr dorë nga shtetësia amerikane në dekadën e fundit në nivel global.

SHBA kërcënon BE-në

Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj Bashkimit Evropian për të lejuar qasje në databaza të ndjeshme policore dhe biometrike, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të pezullohet udhëtimi pa vizë për qytetarët evropianë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të re të quajtur “Enhanced Border Security Partnership” (EBSP), përmes së cilës Washingtoni kërkon qasje në të dhëna si:

gjurmë gishtash

fotografi biometrike

informacione policore dhe të emigracionit.

Administrata amerikane ka vendosur si afat fundin e vitit 2026 për arritjen e marrëveshjes, duke paralajmëruar se vendet që nuk pranojnë kushtet mund të humbin aksesin në programin ESTA, që aktualisht u lejon qytetarëve të BE-së të udhëtojnë në SHBA pa vizë për deri në 90 ditë.

Propozimi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Disa eurodeputetë e kanë quajtur kërkesën amerikane “shantazh”, ndërsa organizatat për mbrojtjen e privatësisë paralajmërojnë për rrezik të madh ndaj të drejtave të qytetarëve evropianë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas kritikëve, marrëveshja do t’i lejonte autoritetet amerikane të përdorin të dhënat për kontroll kufitar, profilizim dhe madje për ndalim hyrjeje ndaj personave që kanë shprehur publikisht kundërshtim ndaj politikave amerikane.

Ekspertët e privatësisë paralajmërojnë gjithashtu se kjo do të ishte hera e parë që Bashkimi Evropian do të pranonte ndarje masive të të dhënave personale me një shtet jo-anëtar për qëllime kufitare dhe emigracioni.

Debati po zhvillohet në një moment tensioni në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa BE-ja përballet me dilemë mes ruajtjes së udhëtimit pa vizë dhe mbrojtjes së standardeve të privatësisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Çka është Hantavirusi dhe sa është i rrezikshëm

Ditët e fundit termi hantavirus është përhapur gjerësisht në media dhe rrjete sociale duke zgjuar interes dhe shqetësim te shumë njerëz.

Megjithatë kjo sëmundje nuk është e re por njihet prej kohësh nga shkenca si një infeksion që transmetohet kryesisht nga brejtësit.

Hantavirusi i përket një familjeje virusesh që përhapen nga minjtë dhe brejtës të tjerë përmes urinës jashtëqitjeve apo pështymës së tyre.

Njerëzit mund të infektohen kryesisht kur qëndrojnë apo pastrojnë ambiente të mbyllura të ndotura ku këto kafshë kanë qenë të pranishme, transmeton albinfo.ch.

Sëmundja mund të shfaqet në forma të ndryshme. Në disa raste prek mushkëritë duke shkaktuar vështirësi të rënda në frymëmarrje ndërsa në raste të tjera ndikon në funksionin e veshkave sidomos në Evropë dhe Azi. Simptomat fillestare janë të ngjashme me gripin si temperaturë dhimbje koke lodhje dhe dhimbje muskujsh çka e bën të vështirë dallimin në fazat e para.

Edhe pse në raste të rralla mund të jetë serioze dhe potencialisht fatale ekspertët theksojnë se hantavirusi nuk përhapet lehtësisht nga njeriu te njeriu dhe rastet mbeten të kufizuara. Kjo e bën rrezikun për popullatën e gjerë relativisht të ulët.

Specialistët këshillojnë që masat kryesore të parandalimit të përqendrohen te higjiena dhe shmangia e kontaktit me brejtësit duke mbajtur ambientet të pastra të ajrosura dhe duke përdorur masa mbrojtëse gjatë pastrimit të hapësirave të ndotura.

Rritja e vëmendjes ndaj kësaj sëmundjeje lidhet me raportime të fundit për raste të izoluara të cilat kanë shtuar interesin publik por autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka vend për panik por për informim dhe kujdes.

Pse gjithnjë e më shumë zviceranë po punojnë me orar të reduktuar?

Puna me kohë të pjesshme po vazhdon të rritet në Zvicër, ndërsa gjithnjë e më shumë punonjës po zgjedhin të reduktojnë orarin e punës për arsye personale, familjare dhe të mirëqenies.

Sipas analizave të fundit mbi tregun e punës, rreth 4 në 10 persona të punësuar në Zvicër punojnë më pak se 37 orë në javë, duke e bërë vendin një nga shtetet me përhapjen më të madhe të punës part-time në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga perceptimi se të rinjtë janë grupi që preferon më shumë punën me orar të reduktuar, një analizë e Shoqatës Zvicerane të Punëdhënësve tregon se pikërisht personat mbi 50 vjeç janë ata që më shpesh zgjedhin të mos punojnë me orar të plotë.

Sipas ekonomistit Patrick Chuard-Keller, arsyeja kryesore është financiare: personat më të moshuar kanë të ardhura dhe kursime më të larta, prandaj mund ta përballojnë më lehtë reduktimin e orarit të punës.

Tek grupmoshat e reja, arsyeja kryesore mbetet arsimimi dhe studimet, ndërsa në moshën 30-44 vjeç një rol të madh luan kujdesi për fëmijët. Gratë vazhdojnë ta përmendin shumë më shpesh përgjegjësinë familjare si arsye për të punuar part-time.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se puna me kohë të pjesshme nuk është gjithmonë zgjedhje e lirë. Në disa sektorë, sidomos pastrimi dhe kujdesi për të moshuarit apo fëmijët, shumë punonjës marrin vetëm orë të pjesshme pune dhe nuk arrijnë të sigurojnë një punë me orar të plotë.

Një faktor tjetër është edhe stresi në rritje në vendin e punës. Sipas debatit të fundit në Zvicër, intensiteti dhe ngarkesa e lartë e punës po shtyjnë shumë njerëz të ulin përqindjen e punës për të ruajtur balancën mes jetës private dhe asaj profesionale.

Megjithatë, fenomeni po shkakton debat politik dhe ekonomik. Disa qarqe ekonomike paralajmërojnë se rritja e punës part-time po zvogëlon potencialin e fuqisë punëtore në një kohë kur vendi përballet me mungesë punonjësish në disa sektorë.

 

 

Zvicra nuk do të ndryshojë kufijtë e shpejtësisë në rrugë

Qeveria zvicerane nuk planifikon të bëjë ndryshime të përgjithshme në kufijtë aktualë të shpejtësisë në rrugë, pavarësisht debateve dhe kërkesave për ulje ose rritje të tyre.

Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, autoritetet federale kanë konfirmuar se nuk do të ketë “retushime” apo ndryshime të përgjithshme të limiteve ekzistuese në nivel kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Kjo do të thotë se kufijtë standard mbeten:

50 km/h në zonat urbane

80 km/h jashtë zonave të banuara

120 km/h në autostrada.

Debati për shpejtësinë në Zvicër është intensifikuar vitet e fundit, sidomos rreth zonave 30 km/h në qytete dhe kufizimeve të përkohshme në autostrada për të reduktuar kolonat dhe ndotjen.

Megjithatë, autoritetet kanë zgjedhur të ruajnë sistemin aktual, duke u fokusuar më shumë tek menaxhimi fleksibil i trafikut dhe kontrollet rrugore sesa tek ndryshimet e përgjithshme të limiteve. Në disa autostrada vazhdojnë të përdoren kufizime dinamike të përkohshme, ku shpejtësia mund të ulet në 100 ose 80 km/h gjatë trafikut të rënduar.

Ndërkohë, policia në kantone të ndryshme po vazhdon kontrollet intensive të shpejtësisë për të rritur sigurinë në komunikacion, sidomos në zonat urbane dhe pranë kufijve.

Shumica e vjedhjeve të makinave luksoze ndodhin në Gjenevë dhe Vaud

Sipas kompanisë së sigurimeve AXA, në vitin 2025 është regjistruar një rritje e ndjeshme e vjedhjeve të automjeteve, ku shumica e rasteve janë raportuar në kantonet Gjenevë dhe Vaud, përcjell albinfo.ch.

Kostoja totale e dëmeve të lidhura me këto vjedhje vlerësohet rreth 5 milionë franga zvicerane, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas të dhënave, arsyeja kryesore pse Gjeneva dhe Vaud janë më të prekura lidhet me afërsinë e tyre me kufirin francez, gjë që lehtëson kalimin e automjeteve të vjedhura jashtë vendit.

“Po vërehet një rritje e grupeve të organizuara kriminale që vjedhin automjete dhe i nxjerrin jashtë vendit,” ka deklaruar Samuel Gétaz, drejtues i sektorit të dëmeve në AXA.

Edhe Policia Federale e Zvicrës (Federal Office of Police Switzerland) thekson se Zvicra frëngjishtfolëse është më e prekur nga krimi i organizuar që vjen nga Franca.

Sipas autoriteteve, shumica e autorëve të këtyre vjedhjeve vijnë nga periferitë e qyteteve franceze pranë kufirit, përfshirë Annemasse, Lyon, Grenoble, Montbéliard dhe Saint-Étienne./Albinfo.ch

6 Maji, ditëlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe e një epoke të historisë shqiptare

6 maji shënon ditëlindjen e epokës e Skënderbeut dhe të figurës që mbetet në qendër të kujtesës historike shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

I lindur më 6 maj 1405 në familjen fisnike të Gjon Kastriotit, Skënderbeu u shndërrua në simbolin e qëndresës shqiptare dhe në një nga figurat më të njohura ushtarake e politike të Evropës së shekullit XV.

Në historiografinë shqiptare, emri i tij lidhet me organizimin e rezistencës kundër Perandorisë Osmane dhe me përpjekjen për ruajtjen e autonomisë së principatave shqiptare. Pas kthimit në Krujë në vitin 1443, ai arriti të bashkojë princërit shqiptarë në Lidhja e Lezhës, duke krijuar një front të përbashkët ushtarak që do të shënonte një nga periudhat më të rëndësishme të historisë mesjetare shqiptare.

Nën udhëheqjen e tij, ushtria shqiptare zhvilloi një seri betejash kundër forcave osmane, ndërsa Kruja u kthye në qendrën simbolike të rezistencës shqiptare. Figura e Skënderbeut fitoi jehonë edhe në oborret evropiane të kohës, ku ai u konsiderua aleat strategjik në mbrojtjen e Evropës Perëndimore nga zgjerimi osman.

Veprimtaria politike dhe ushtarake e Skënderbeut tejkaloi kufijtë shqiptarë. Ai mbështeti Mbretërinë e Napolit gjatë viteve 1460–1461 dhe më 1463 u emërua komandant i forcave të kryqëzatës së shpallur nga Papa Piu II. Për dekada me radhë, ai mbeti një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës antiosmane në Ballkan.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468 në moshën 63-vjeçare, por figura e tij vazhdon të mbetet pjesë e identitetit historik dhe kulturor shqiptar. Emri i tij lidhet me idenë e bashkimit, të rezistencës dhe të ruajtjes së vetëdijes kombëtare, duke mbetur një nga personalitetet më përfaqësuese të historisë shqiptare në kujtesën evropiane.

 

Stacioni i trenit në Cyrih ofron “përvojën më të mirë premium” për udhëtarët

Stacioni qendror i trenit në Cyrih është renditur si më i miri në botë për “përvojë premium” për udhëtarët, sipas një vlerësimi të ri që ka përfshirë 40 stacione hekurudhore në nivel global, përcjell albinfo.ch.

Renditja është realizuar nga një kompani britanike e sigurimeve të udhëtimeve, e cila ka vlerësuar stacionet bazuar në disa kritere, përfshirë qasjen në lounge, ofertën e ushqimit, mundësitë e blerjeve dhe afërsinë me hotele luksoze.

Sipas raportit, Zürich Hauptbahnhof ka marrë pikët më të larta, duke u veçuar si një stacion që nuk shërben vetëm për transport, por edhe për një përvojë të plotë dhe cilësore për udhëtarët.

“Ka ndërtuar një reputacion jo vetëm për madhësinë dhe efikasitetin, por edhe për cilësinë e përvojës që u ofron pasagjerëve që kalojnë përmes tij,” thuhet në vlerësim.

Stacioni qendror i Cyrihut mbetet një nga nyjet më të rëndësishme hekurudhore në Evropë, duke kombinuar funksionalitetin me shërbime të nivelit të lartë. /Albinfo.ch

Alarm në Zvicër, paraqitet rasti i parë me Hantavirus

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast të Hantavirusit të zbuluar te një pasagjer në anijen turistike MV Hondius.

Pasagjeri i ishte përgjigjur një e-mail nga kompania që menaxhonte anijen, e cila i informonte pasagjerët për incidentin shëndetësor, dhe ishte paraqitur në një spital në Cyrih të Zvicrës, ku po merr trajtim mjekësor.

Ndërkohë edhe autoritetet franceze njoftuan se u identifikua një pacient i cili nuk ishte në anijen MV Hondius, e cila është në karantinë, por ishte në të njëjtin fluturim me një nga pasagjerët, transmeton albinfo.ch.

Në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (RND), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po punon me vendet përkatëse për të mbështetur gjurmimin ndërkombëtar të kontakteve për të siguruar që ata që mund të jenë ekspozuar të monitorohen dhe për të kufizuar çdo përhapje të mëtejshme të sëmundjes.

Në përputhje me rregulloret ndërkombëtare shëndetësore, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur bashkëpunimin me vendet e përfshira për të gjurmuar kontaktet e mundshme dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Analizat laboratorike kanë konfirmuar se bëhet fjalë për hantavirus të tipit Ande, një variant më agresiv i njohur për raste të rënda të sëmundjes.

Konfirmimi është bërë nga institucione si Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive në Afrikën e Jugut dhe Spitalet Universitare të Gjenevës në Zvicër, me mbështetjen e laboratorëve ndërkombëtarë në Senegal dhe Argjentinë. Deri më 6 maj janë raportuar gjithsej 8 raste të dyshuara, nga të cilat 3 janë konfirmuar me analiza laboratorike.

OBSH thekson se do të vijojë monitorimin e situatës dhe bashkëpunimin me autoritetet përkatëse, për të garantuar informimin dhe sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe kontakteve të mundshme, si dhe për të kufizuar çdo rrezik të përhapjes së mëtejshme të virusit.