Lorik Cana: Ndeshja me Turqinë, ndër ditët më të rëndësishme për Kosovën pas Pavarësisë

Kapiteni legjendar i Shqipërisë vlerëson rritjen e Kosovës në fushë, duke e cilësuar plejofin për Botërorin 2026 si një moment historik për afirmimin e shtetit dhe rinisë kosovare, përcjell albinfo.ch.

Kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka deklaruar se përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një progres të madh në periudhën e fundit, duke u shndërruar në një ekip më të fortë dhe më të organizuar.

Në një prononcim për “Euronews”, Cana ka theksuar se ndeshja e Kosovës ndaj Turqisë në plejofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin pas shpalljes së Pavarësisë.

Sipas tij, kjo përballje mund të jetë një moment kyç në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në promovimin e vlerave të rinisë kosovare.

“Pas shpalljes së pavarësisë, kjo mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe të vlerave që ka rinia aty. Turqia mbetet favoritja e madhe, është e sigurt dhe e mirë nga ana teknike”, ka deklaruar Cana.

Megjithatë, ai vlerëson se Kosova ka ndryshuar dukshëm, sidomos pas përballjes me Zvicrën, duke fituar vetëbesim dhe një frymë të re brenda grupit.

Cana ka nënvizuar se transformimi i Kosovës nuk ka qenë vetëm në aspektin taktik, por edhe në forcën mendore dhe shpirtin luftarak të ekipit, duke ia atribuar një meritë të veçantë edhe trajnerit.

“Ka ndodhur diçka brenda ekipit, kanë gjetur një forcë, vetëbesim dhe shpirt luftarak. Kanë bërë një fazë kualifikuese të mirë dhe kanë eliminuar një skuadër si Sllovakia, që është ekip i fortë. Tani mbetet sfida më e madhe”, është shprehur ai.

Në fund, Cana ka theksuar se përgjegjësia për të përfaqësuar shtetin është shumë më e madhe se çdo angazhim në nivel klubesh, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe përkushtimin e futbollistëve të Kosovës.

“Ajo që i bën të luajnë mirë është të kuptojnë se çfarë fati dhe përgjegjësie kanë të përfaqësojnë vendin e vet. Kur përfaqëson shtetin tënd, nuk krahasohet me klubet. Këta djem kanë bërë diçka të jashtëzakonshme me punën e tyre, por merita kryesore është e atyre që luajnë në fushë”, përfundoi Cana.

Kosova tashmë ndodhet para sfidës më të madhe të saj, ku një rezultat pozitiv ndaj Turqisë do të ishte një hap historik drejt ëndrrës së Botërorit 2026 dhe një moment i rëndësishëm për sportin dhe shtetin e Kosovës./Albinfo.ch 

Mediat botërore shkruajnë për Kosovën në prag të finales për Botëror

Kombëtarja e Kosovës sot luan ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, me synimin për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Të gjithë sytë janë të drejtuar nga Prishtina, ku zhvillohet përballja vendimtare ndaj Turqisë në orën 20:45, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndeshje është cilësuar si një moment historik, që mund të përcaktojë fatin e një vendi në garën më të madhe të futbollit botëror.

Interesi ndërkombëtar për Kosovën është i jashtëzakonshëm, me media të njohura botërore që i kanë kushtuar hapësirë të gjerë këtij rrugëtimi.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters e ka përshkruar Kosovën si një ekip që po kërkon historinë e Kupës së Botës në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë, duke theksuar rrugëtimin e saj deri në finalet e plejofit. Ky artikull është postuar edhe nga shumë media të tjera ndërkombëtare.

Edhe mediume të njohura si BBC dhe The Guardian kanë shkruar për momentin historik të Kosovës dhe mundësinë e saj për të arritur në Botëror.

Një artikull i veçantë i është kushtuar Kosovës edhe nga gazeta italiane “Corriere dello Sport”, e cila e ka përshkruar kombëtaren si një ekip të ndërtuar mbi dy realitete: lojtarë nga vendi dhe lojtarë të diasporës, të lidhur nga një fanellë e vetme dhe një identitet i përbashkët.

Sipas medias italiane, Kosova është një skuadër që përfaqëson një “hartë emocionale të Evropës”, me shumë prej lojtarëve të lindur e rritur jashtë vendit, por të bashkuar nga ëndrra për të shkruar histori me vendin e tyre.

“Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”,shkruhet në artikull.

Po ashtu, për Kosovën kanë shkruar edhe media të tjera ndërkombëtare si AS në Spanjë, Kicker në Gjermani dhe media në Hungari, duke e vendosur ekipin në qendër të vëmendjes së futbollit evropian.

U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër

Të dielën, më 29 mars 2026, në Suhr, në ambientet e Zyrës së LAPSH-it, u mbajt me sukses Kuvendi i radhës i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, një moment i rëndësishëm për reflektim, organizim dhe orientim të mëtejshëm të veprimtarisë së shkollës shqipe në këtë kanton.

Takimi kishte dy pika kryesore të rendit të ditës: zgjedhjen e Kryesisë së re dhe organizimin e manifestimit shkollor me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/26.

Pas miratimit të rendit të ditës dhe përcaktimit të organeve të punës, pjesëmarrësit vijuan me shqyrtimin e çështjeve kryesore. Kuvendi u hap nga kryetari, z. Riza Demaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e unitetit, bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të arsimit shqip në diasporë. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për të gjithë mësuesit, të cilët ndër vite punojnë me përkushtim të lartë, falë të cilëve Kantoni i Argaut renditet ndër më të suksesshmit në Zvicër sa i përket organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Në këtë Kuvend ishte e pranishme edhe Znj. Besarta Balaj, Zyrtare e Lartë për Mësimin Plotësues në Mërgatë, e cila përgëzoi punën e suksesshme të mësueseve të shkollave shqipe në këtë kanton duke i motivuar dhe duke shpreh gatishmërinë për një bashkëpunim sa më funksional në shërbim të organizimit të mësimit në gjuhën shqipe.

Në kuadër të punimeve u prezantua raporti i punës për vitin 2025 dhe fillimin e vitit 2026, ku u evidentuan aktivitetet në pikat shkollore, bashkëpunimi me prindër dhe institucione, si dhe sfidat me të cilat përballet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, përfshirë çështjen e teksteve dhe komunikimit institucional. Me këtë rast u shpreh falënderim për institucionet mbështetëse, si Ambasada e Republikës së Shqipërisë, e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në mënyrë të veçantë për Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, e cila vazhdimisht ka kontribuar me tekste shkollore dhe përfaqësim në aktivitetet shkollore.

Një nga pikat kryesore të Kuvendit ishte zgjedhja e Kryesisë së re, ku me besimin e mësuesve dhe pjesëmarrësve u zgjodhën: Kryetar: Riza Demaj dhe Sekretar: Rexhep Neziri, si dhe anëtarët e Kryesisë: Elfete Gashi, Qefsere Sejdiu, Eshtrefe Nuhiu, Nuraj Iljasi, Zyrafete Muqolli, Halime Vishi, Sadete Musliu, Vjolla Kapsolli, Safete Budeci dhe Vaxhid Sejdiu.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe organizimit të Manifestimit të përfundimit të vitit shkollor 2025/26. Festa e fundvitit është një nga ngjarjet kryesore të LAPSH “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut dhe tashmë ka marrë përmasa të një feste mbarëkantonale. Në këtë aktivitet, nxënësit e shkollave shqipe prezantojnë programe kulturore e artistike, duke dëshmuar aftësitë e tyre gjuhësore dhe kulturore para prindërve dhe të ftuarve.

Në javët në vijim do të zhvillohen përgatitje intensive për realizimin sa më dinjitoz të këtij manifestimi. Mësuesit, në bashkëpunim me veprimtarë të arsimit shqip dhe me mbështetjen e prindërve vullnetarë, tashmë kanë nisur organizimin e detajuar të programit, ndarjen e përgjegjësive dhe përgatitjen e skenarit.

U bë e ditur se në Kantonin e Argaut veprojnë dhjetë mësues/e, të cilët gjatë gjithë vitit punojnë me përkushtim në shërbim të mësimit plotësues në gjuhën amtare. Ato/ata në fjalën e tyre radhitën një mori kërkesash të cilat mendohet se në të ardhmen do të gjejnë përgjigje veçanërisht ato të cilët kishin të bënin me organizimin e manifestimit.

Sipas vendimit të Kuvendit, Manifestimi tradicional i fundvitit shkollor do të mbahet më: 31 maj 2026, ora 14:00, në Küttigen të Kantonit të Argaut.

Ky manifestim përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të vitit, ku pasqyrohet puna dhe përkushtimi i mësuesve dhe nxënësve, si dhe mbështetja e vazhdueshme e prindërve.

Kuvendi përfundoi me mesazhin e përbashkët se vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithëve mund të ruhet dhe të forcohet gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar në mërgatë.

Së bashku mundemi më shumë.
Së bashku e mbajmë gjallë gjuhën shqipe!

Finalja sonte, Kosova synon kualifikimin historik

Kosova dhe Turqia do të përballen sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, në një duel që pritet të vendosë historinë për “Dardanët”, përcjell albinfo.ch.

Kosova do të luajë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa pret Turqinë në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme me përkrahje masive të tifozëve vendas. Për Kombëtaren e Kosovës, kjo sfidë përfaqëson një mundësi historike për të siguruar kualifikimin e parë ndonjëherë në një Kampionat Botëror.

“Dardanët” vijnë në këtë përballje me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, ku treguan karakter dhe vendosmëri në një ndeshje vendimtare. Forma e mirë dhe rezultatet pozitive në shtëpi nën drejtimin e trajnerit Franco Foda kanë rritur besimin se Kosova mund ta arrijë objektivin e madh.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet si një kundërshtar i fortë, me një skuadër cilësore dhe përvojë ndërkombëtare, ku shumë nga lojtarët e saj aktivizohen në ligat më të forta evropiane.

Përballja pritet të jetë e tensionuar dhe me intensitet të lartë, ndërsa Kosova do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e publikut për të shkruar një kapitull historik në futbollin kosovar./Albinfo.ch

Aksident tragjik në Austri, ndërron jetë 18-vjeçari shqiptar nga Kosova

Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar sot në Austri, ku ka ndërruar jetë një 18-vjeçar shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z..

Sipas burimeve brenda redaksisë së Albinfo.at, viktima ishte i lindur në Linz të Austrisë, ndërsa rrjedh nga një familje shqiptare me origjinë nga Opoja, konkretisht nga fshati Kuk.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, ku rreth mesditës në rrugën B126, një veturë është përplasur me një kamion në një kthesë të djathtë.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesi i veturës, 18-vjeçari shqiptar, ka mbetur i vdekur në vend, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta rikthyer në jetë.

Nga ky aksident ka mbetur i lënduar edhe shoku i tij, i cili sipas informatave është shtetas rumun.

Rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar nga autoritetet austriake, ndërsa lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe tek familjarët dhe komuniteti shqiptar në Austri./Albinfo.at

Dua Lipa emërohet kuratore e “London Literature Festival 2026” në Southbank Centre

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të marrë një rol të ri të rëndësishëm në botën e kulturës, pasi është emëruar kuratore e Festivalit të Literaturës “London Literature Festival” 2026, i cili organizohet në Southbank Centre në Londër, përcjell albinfo.ch.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, festivali do të mbahet nga 21 tetori deri më 1 nëntor 2026, dhe do të jetë pjesë e aktiviteteve që shënojnë 75-vjetorin e Southbank Centre, një nga institucionet më të njohura kulturore në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë rol, Dua Lipa do të ketë mundësinë të zgjedhë shkrimtarët e preferuar, temat që e interesojnë dhe mënyrën se si do të prezantohen aktivitetet, duke i dhënë festivalit një frymë dhe stil personal.

Mediumi britanik London Evening Standard ka raportuar se Lipa do të organizojë një seri aktivitetesh gjatë fundjavës së hapjes, më 24-25 tetor, si dhe përgjatë gjithë festivalit, përmes klubit të saj të leximit “Service95 Book Club”.

Duke folur për këtë angazhim, këngëtarja është shprehur se leximi ka qenë një mbështetje e vazhdueshme në jetën e saj:

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime, nga momenti kur isha nxënësja e re në një vend të ri, deri te gjetja e qetësisë gjatë turneve. Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë e emocionuar të thellohem në librat dhe mendjet brilante të autorëve të mi të preferuar”.

Klubi i saj i leximit, i themeluar në vitin 2023, është shndërruar në një platformë kulturore me ndikim, ku çdo muaj ajo rekomandon një libër dhe zhvillon biseda me autorët në formë podcasti. Dua Lipa njihet gjithashtu si një zë i fuqishëm në promovimin e leximit, veçanërisht për grupet që kanë më pak qasje në libra.

Ndër librat e fundit të rekomanduar nga “Service95 Book Club” është romani “She Who Remains” i autores bullgare Rene Karabash, i cili është përfshirë në listën e gjatë të çmimit prestigjioz International Booker Prize për këtë vit.

Ky roman zhvillohet në Bjeshkët e Nemuna, në një fshat ku jeta udhëhiqet nga rregullat e vjetra të Kanunit. Historia ndjek Bekijen, një vajzë e cila, për t’i shpëtuar një martese të detyruar, merr një vendim drastik duke u bërë burrneshë, duke hequr dorë nga identiteti i saj si grua dhe duke jetuar si burrë. Një zgjedhje që sjell pasoja të rënda për jetën dhe familjen e saj.

Në këtë kontekst, romani trajton edhe fenomenin real historik të burrneshave në shoqërinë shqiptare, gra që betoheshin të jetonin si burra dhe fitonin liri e të drejta të veçanta, por me kushtin e jetës në beqari.

Autorja është frymëzuar nga fotografitë e Pepa Hristova, e cila ka dokumentuar jetën e këtyre grave. Ajo ka theksuar se vendimi i tyre kërkonte forcë të jashtëzakonshme:

“E gjithë prania dhe sjellja e tyre ndryshon… dhe sa të forta dhe të sigurta në vetvete duhet të jenë këto gra për të marrë një vendim që ndryshon jetën kaq shumë”.

Ndërkohë, drejtori artistik i Southbank Centre, Mark Ball, e ka quajtur Dua Lipën një “forcë globale kulturore”, duke vlerësuar ndikimin e saj në promovimin e leximit tek të rinjtë:

“Dua Lipa është një forcë globale kulturore dhe pasioni i saj për librat ka frymëzuar një brez të ri lexuesish. Jemi shumë të lumtur që ajo do të udhëheqë festivalin tonë më të rëndësishëm letrar”.

Ky edicion do të jetë i 19-ti i festivalit, dhe përkon edhe me një vit të dedikuar leximit në Britani. Organizatorët synojnë të afrojnë më shumë të rinj me librin përmes aktiviteteve kreative, bashkëpunimeve me industrinë e lojërave dhe organizimit të ngjarjeve falas.

Sipas statistikave të National Literacy Trust, vetëm 1 në 3 fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexojnë në kohën e lirë, duke shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.

Për këtë arsye, “London Literature Festival 2026” pritet të fokusohet fuqishëm në rikthimin e dashurisë për librin dhe tregimin, duke synuar një ndikim të gjerë kulturor dhe edukativ./Albinfo.ch

Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix”

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova është nderuar me çmimin më të lartë “Grand Prix” në kuadër të festivalit prestigjioz ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026, i cili u mbajt në Spanjë, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Orkestra “Amadeus” përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku është theksuar se ky vlerësim vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në një konkurrencë të fortë me dhjetëra orkestra nga vende të ndryshme.

Në këtë skenë ndërkombëtare, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, të rinjtë kosovarë përfaqësuan denjësisht vendin, duke dëshmuar edhe njëherë talentin, përkushtimin dhe pasionin e tyre të veçantë për muzikën.

Sipas orkestrës, ky sukses nuk përfaqëson vetëm një çmim, por është një dëshmi e qartë e punës së palodhshme dhe sakrificës së vazhdueshme të gjithë ekipës. Një rol të rëndësishëm në këtë arritje është theksuar se ka edhe drejtuesja e orkestrës, Hana Petrovci, e cila me vizion dhe përkushtim po vazhdon të udhëheqë orkestrën drejt rezultateve të mëdha.

Orkestra “Amadeus” ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme, duke e konsideruar këtë fitore një moment krenarie për gjithë Kosovën.

Ky triumf në Spanjë konfirmon edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve kosovarë dhe rëndësinë e investimit në kulturë e art./Albinfo.ch 

Dizajni kosovar prezantohet me sukses në skenën e modës në Stokholm

Në edicionin jubilar të 10-të të Stockholm International Fashion Fair (STOIFF), Kosova u prezantua me sukses përmes dizajnit autentik dhe kreativitetit bashkëkohor, duke dëshmuar potencialin e saj në industrinë globale të modës, transmeton albinfo.ch.

Kosova ka shënuar një paraqitje të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të modës në kuadër të edicionit të 10-të jubilar të Stockholm International Fashion Fair – STOIFF, i cili u mbajt në ambientet prestigjioze të Hallwylska Museet në Stokholm.

STOIFF njihet si një ngjarje unike që bashkon kultura të ndryshme përmes modës, duke krijuar një platformë ndërkombëtare ku promovohen kreativiteti, qëndrueshmëria, fuqizimi i grave dhe vizioni global i industrisë së modës.

Në këtë event, Kosova u përfaqësua nga dy emra të njohur të dizajnit kosovar, Labentinë dhe Diba Celina, të cilat sollën koleksione të veçanta që ndërthurin elemente të identitetit kulturor me linja moderne dhe stil bashkëkohor. Paraqitja e tyre u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit dhe promovimit të modës kosovare në arenën ndërkombëtare, transmeton tutje albinfo.ch.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair u bë e mundur falë iniciativës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm, me mbështetjen e projektit GrowSwisscontact, i financuar nga SIDA, në kuadër të përkrahjes për zhvillimin e industrive kreative.

Çdo vit, STOIFF bashkon profesionistë dhe entuziastë të modës nga e gjithë bota, duke u shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm për trendet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti solli gjithashtu pjesëmarrjen e dizajnerëve të njohur nga vende si Japonia, Maroku dhe Suedia, duke e bërë panairin edhe më të pasur dhe më përfaqësues.

Kjo paraqitje e Kosovës në STOIFF konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit në rritje të industrisë kreative kosovare dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt prezantimit të saj në tregjet globale./Albinfo.ch

Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester

Në Manchester, më 29 mars, u shënua hapja e shkollës së dytë shqipe, një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në këtë qytet dhe për përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare në diasporë, transmeton albinfo.ch.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Zëvendës Konsulli i Ambasadës së Kosovës në Londër, Ilir Bytyqi, i cili përgëzoi organizatorët dhe komunitetin për këtë iniciativë të qëlluar.

Gjatë fjalës së tij, Bytyqi shprehu mirënjohje të veçantë për prindërit që po angazhohen në edukimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe, duke theksuar se ky angazhim është kyç për ruajtjen e identitetit kulturor të brezave të rinj. Ai njëkohësisht inkurajoi komunitetin që të jetë edhe më aktiv në mbështetjen e nismave të tilla.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë së Manchester-it, përfshirë këshilltarët lokalë Jawad Amin, Fiaz Riasat, Nasrin Ali, Naeem ul Hassan, Shazia Butt dhe Shaukat Ali, të cilët shprehën mbështetje për iniciativën dhe vlerësuan angazhimin e komunitetit shqiptar në fushën e edukimit, transmeton tutje albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Londër bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë projekte që promovojnë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, si përmes pjesëmarrjes institucionale, ashtu edhe përmes kontributit me tekste dhe materiale mësimore.

Ndërkohë, organizatorja e eventit, Erisa Isufaj, falënderoi prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj nisme, e cila synon të zgjerojë mundësitë për mësimin e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar në Manchester.

Hapja e kësaj shkolle shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e edukimit në gjuhën amtare dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë./Albinfo.ch

Erjon Krasniqi doktoron në Inxhinieri Ndërtimore në Japoni

Erjon Krasniqi nga Vushtrria ka shënuar një sukses të madh në fushën akademike, duke fituar titullin Doktor Shkence (PhD)Inxhinieri Ndërtimore në Japoni, një nga vendet më të avancuara në botë për zhvillim teknologjik dhe arsimor, transmeton albinfo.ch.

Ky rezultat është vlerësuar me nderime të larta nga institucionet akademike japoneze, duke dëshmuar nivelin e lartë profesional dhe përkushtimin e tij në studime.

Arritja e Krasniqit po konsiderohet si një moment krenarie jo vetëm për familjen e tij, por edhe për qytetin e Vushtrrisë dhe gjithë shqiptarët, duke treguar se të rinjtë nga Kosova mund të konkurrojnë dhe të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare.

Me këtë sukses, Erjon Krasniqi bëhet shembull motivues për gjeneratat e reja, duke dëshmuar se puna, përkushtimi dhe ambicia mund të çojnë drejt rezultateve të mëdha, edhe larg vendlindjes, transmeton tutje albinfo.ch.

Lidhur me këtë arritje, babai i tij, Sadik Krasniqi, ka shprehur emocionet dhe krenarinë përmes një mesazhi urimi:

“Sot djali Erjon Krasniqi na bëri të ndihemi krenar ne familja dhe mbar shqiptarët! Shumë urime mbrojtja e Doktoratës në shtetin e Japonisë! Faleminderit Japoni!”

Ky sukses i Erjon Krasniqit vlerësohet si një dëshmi e fuqishme e potencialit që kanë të rinjtë kosovarë për të ndërtuar karrierë dhe për të arritur rezultate të mëdha në botë./Albinfo.ch

 

Itali: Arrestohet 17-vjeçari që dyshohet se po planifikonte një sulm në shkollë

Njësia speciale e policisë italiane, ROS, ka arrestuar një adoleshent 17-vjeçar nga Peruxhia, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm të dhunshëm në një shkollë.

Hetuesit thanë se i riu ishte duke u përpjekur të prodhonte armë dhe pajisje kimike për të realizuar sulmin e dyshuar.

Gjithashtu, ai ndiqte një grup në Telegram që promovonte ide mbi “superioritetin” e supozuar të racës ariane.

I arrestuari përballet me akuza për posedim të materialeve për qëllime terroriste, si dhe për propagandë dhe nxitje të veprave kriminale bazuar në racë, etni dhe fe.

Rasti vjen në një kohë kur dhuna midis të rinjve në Itali po shkakton shqetësim të madh. Javën e kaluar, një 13-vjeçar në qytetin Treskore Balneario të provincës Bergamo sulmoi me thikë një mësuese 57-vjeçare të gjuhës frënge, duke e plagosur rëndë. Ai mbante një bluzë me shkronjën “V” që simbolizonte “hakmarrjen” dhe thuhet se e filmoi sulmin duke e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, në Kino Ciné Club u shfaq dokumentari i metrazhit të gjatë “La Beauté de l’Âne”, vepër e regjisores shqiptare-zvicerane Dea Gjinovci.

Mbrëmja nisi me një pritje të organizuar në formën e një apéroje, ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë verërat e Kosovës, duke e shndërruar hapjen e aktivitetit në një prezantim të përzgjedhur të kulturës dhe prodhimit vendor.

Në vijim, të pranishmëve iu drejtua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Sh.T. Mentor Latifi, i cili vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë platformë kulturore ndërkombëtare. “Mirë se vini në shfaqjen e filmit “La Beauté de l’Âne” ( ‘Bukuria e Gomarit’), e cila zhvillohet sot në kuadër të Javës së Gjuhës Franceze dhe të Frankofonisë në Bernë. Jemi të lumtur që për herë të parë marrim pjesë në këtë Javë me një film zvicerano-kosovar. Dëshiroj të falënderoj zonjën Isabelle Biedermann për mbështetjen, si dhe regjisoren Dea Gjinovci dhe distributorin ‘Firsthand Films’ që mundësuan këtë shfaqje edhe para premierës së saj në Bernë.”

Ai rikujtoi gjithashtu edhe pozicionimin e Kosovës në hapësirën frankofone:

“Vendi ynë është bërë anëtar vëzhgues i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në vitin 2014 dhe në vitin 2018 fitoi statusin e anëtarit të asociuar. Përmes projekteve kulturore dhe mediale, si reportazhi ‘Destination Francophonie’ i realizuar nga TV5MONDE, publiku ka mundësi të njohë më nga afër Kosovën. Është një vend që ia vlen të vizitohet dhe, sipas Gallup Global Safety Report 2025, renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë.”

Dokumentari “La Beauté de l’Âne” trajton realitetin e Kosovës së pasluftës përmes një rrëfimi personal dhe hulumtues. Regjisorja dhe babai i saj rikthehen në fshatin e tij të lindjes, Makermal, një hapësirë e shkatërruar nga lufta, ku kujtesa e banorëve mbetet burimi kryesor i historisë.

Filmi ndjek këtë kthim si një proces kërkimi, duke rikthyer kujtimet e viteve ’50 dhe duke sjellë në vëmendje histori të pathëna, përfshirë edhe zhdukjen e gjyshes së regjisores. Përmes këtij rrugëtimi, ndërthuren dimensioni personal dhe ai kolektiv, duke ofruar një pasqyrë të qëndrueshmërisë së komunitetit përballë traumës.

Me këtë realizim, Dea Gjinovci sjell një qasje të ndjeshme dhe reflektuese ndaj historisë dhe kujtesës, duke e trajtuar të kaluarën si një proces që kërkon rikthim dhe rishqyrtim të vazhdueshëm.

 

Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde

Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur më 7 prill 2016, po konsiderohet si një ndër talentët më premtues në taekwondon zviceran, duke treguar rezultate të jashtëzakonshme për moshën e tij.

Në Open-in ndërkombëtar të Strasburgut, të mbajtur fundjavën e kaluar, ai dëshmoi sërish nivel të lartë. Ajani fitoi dy ndeshje radhazi me rezultat të pastër 2:0, duke dominuar me teknikë dhe taktikë ndaj kundërshtarëve.

Momenti më i rëndësishëm ishte finalja kundër kampionit të Francës, ku Krasniqi u tregua i sigurt dhe i qetë, duke e kontrolluar plotësisht përballjen dhe duke dalë fitues.

Me këtë triumf, ai ka arritur në 54 medalje në karrierë. Deri më tani është shpallur tri herë kampion i Zvicrës dhe është vlerësuar si luftëtari më i mirë, ndërsa në arenën ndërkombëtare ka fituar dy tituj kampioni evropian.

Me përkushtim dhe pasion të madh për sportin, Ajan Krasniqi po dëshmon se ka një të ardhme shumë të ndritur, dhe pritet që emri i tij të dëgjohet gjithnjë e më shumë në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në luftën kundër Iranit

Spanja ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në operacionet ushtarake kundër Iranit, njoftoi të hënën ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.

Sipas saj, qeveria spanjolle, e cila udhëhiqet nga e majta dhe është “plotësisht kundër” sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit, nuk ka autorizuar përdorimin e bazave amerikane në territorin spanjoll për këtë konflikt.

“Përdorimi i bazave (amerikane) në Spanjë nuk është i autorizuar dhe, natyrisht, as përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle për veprime që lidhen me luftën në Iran”, deklaroi Robles, duke konfirmuar raportimet e gazetës El País.

Sipas këtij mediumi, refuzimi i Spanjës për të bashkëpunuar ka komplikuar operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Disa bombardues amerikanë janë detyruar të shmangin Gadishullin Iberik dhe të hyjnë përmes Ngushticës së Gjibraltarit, duke ndryshuar kështu itineraret dhe logjistikën e tyre.

Megjithatë, ekziston një përjashtim: në raste emergjente, lejohet tranziti ose ulja e avionëve në fjalë, megjithëse kjo nuk u specifikua drejtpërdrejt nga ministrja Robles.

Kundërshtimi i fortë i Pedro Sánchez
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tij të fortë ndaj luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke e cilësuar atë si “të paligjshme” dhe një “gabim të jashtëzakonshëm”.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dypalëshe, pasi Madridi refuzoi të lejojë përdorimin e dy bazave ushtarake amerikane në Spanjë për operacionet kundër Iranit.

Megjithatë, El País sqaron se të gjitha misionet e parashikuara në marrëveshjen dypalëshe me Uashingtonin mbeten në fuqi për këto baza, që ndodhen në Andaluzinë jugore. Baza detare në Rota dhe baza ajrore në Morón janë pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 1953 gjatë regjimit të Franco-s.

Tensionet brenda NATO-s

Përtej konfliktit në Lindjen e Mesme, Donald Trump prej muajsh ka kritikuar Spanjën për mosrritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një objektiv i ri i NATO-s i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë.
Vendimi i Spanjës thekson ndarjet brenda aleatëve perëndimorë lidhur me operacionet ushtarake në Iran, duke reflektuar një përçarje më të gjerë në Evropë për këtë çështje.

Ulja e çmimeve të ushqimit ndërpritet nga konflikti në Lindjen e Mesme  

Prodhuesit e produkteve ushqimore përgatiten për një valë të re inflacioni, vetëm pak vite pasi industrinë e goditi cikli i fundit i rritjes së çmimeve. Por tani, rritja e kostove nuk do të mund të transmetohet lehtësisht tek konsumatorët.

Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit – rruga kryesore për transportin e rreth një të pesti të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm global – ka çuar në rritje të forta të çmimeve të energjisë dhe plastikës së përdorur për paketim. Kufizimi i kalimit për shkak të tensioneve ushtarake ka ngritur edhe çmimin e plehrave kimike mbi 40%.

Para shpërthimit të konfliktit, kompani si PepsiCo dhe Kraft Heinz kishin planifikuar ulje çmimesh për disa produkte, për të rikthyer shitjet që ishin ulur. Megjithatë, situata aktuale ngjan me vitin 2022, kur pandemia dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia shkaktuan rritje të madhe të çmimeve të energjisë dhe mallrave, duke detyruar kompanitë të rrisin çmimet.

Analistët vlerësojnë se konsumatorët në Perëndim do të jenë më të rezervuar ndaj rritjes së çmimeve ushqimore, pasi buxhetet e familjeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare janë tashmë të ngarkuara. PepsiCo planifikoi ulje çmimesh deri në 15% për disa produkte, ndërsa Kraft Heinz po ndjek të njëjtën strategji për të lehtësuar konsumatorët.

Sipas analistëve, kompanitë do të kenë më shumë vështirësi për të rritur çmimet në 2026, pasi rritjet e mëparshme ishin të konsiderueshme. Që nga fillimi i konfliktit, çmimi i naftës ka kaluar nga 72 në 116 dollarë për fuçi, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe paketimit, dhe duke ulur të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve.

Transporti përbën rreth 7-8% të kostove të kompanive ushqimore, ndërsa çmimi i naftës dizel në SHBA ka kaluar 5 dollarë për gallon, mbi 40% më shumë që nga fundi i shkurtit. Çmimi i polietilenit, i përdorur për qese dhe shishe, është rritur mbi 50% për shkak të kufizimeve në furnizimin me kimikate.

Kompani si Colgate-Palmolive dhe Clorox po shqyrtojnë ndryshime çmimesh dhe paketimi për të përballuar presionin e kostove, ndërsa analistët paralajmërojnë se efektet e dyta të inflacionit do të reflektohen me vonesë, duke ndikuar fillimisht tek produktet e freskëta, pastaj tek pijet dhe ushqimet e ftohta që kërkojnë energji të lartë për ruajtje.

Prodhuesit më të ngarkuar me borxhe mund të jenë të detyruar të rrisin çmimet sa më shpejt për të ruajtur marzhet e fitimit, edhe nëse kjo vonon rikuperimin e shitjeve, paralajmërojnë ekspertët.

 

“Oda e Grave Shqiptare”, një hap i ri për fuqizimin e grave shqiptare në Zvicër

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, më 28 mars, u mbajt punëtoria e parë e Odës së Grave Shqiptare në Zvicër (ODGSH), një organizim që bashkoi gra të angazhuara rreth temave të integrimit, punës dhe zhvillimit profesional.

E themeluar në dhjetor 2025, ODGSH është një organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse, e ndërtuar mbi besimin në fuqinë, potencialin dhe zërin e çdo gruaje. Vizioni i saj synon të promovojë pjesëmarrjen sociale, arsimore, profesionale dhe politike të grave shqiptare në Zvicër, duke forcuar rolin e tyre në familje, në shoqëri dhe në proceset vendimmarrëse, si dhe duke ruajtur identitetin kulturor.

Në Zvicër jetojnë shumë gra dhe burra shqiptarë të suksesshëm, profesionistë, sipërmarrës dhe ekspertë në fusha të ndryshme. Ky potencial përbën një pasuri të çmuar për komunitetin. ODGSH synon të ndërtojë ura lidhëse mes këtij potenciali dhe atyre që kanë nevojë për mbështetje, këshillim apo bashkëpunim profesional, duke zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm.

Programi i aktivitetit përfshiu një panel diskutimi dhe një punëtori interaktive. Në panel morën pjesë Dhurata (Lurata) Reçi, Florije Rexhepi, Valbona Koca, Violeta Salihu dhe Mirela Mezani. Diskutimet u përqendruan në rrugëtimin personal, sfidat e integrimit, motivimin dhe balancën mes jetës familjare dhe angazhimit profesional.

Punëtoria krijoi një hapësirë të hapur ku pjesëmarrëset ndanë përvoja konkrete profesionale, shpesh të shoqëruara edhe me dimension emocional. Ky shkëmbim i drejtpërdrejtë dëshmoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të tilla për mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë.

Kryetarja e Odës së Grave Shqiptare në Zvicër, Dhurata (Lurata) Reçi, e cilësoi këtë nismë si një proces që ndërtohet mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë: “Ne nuk kemi synuar të krijojmë një strukturë formale pa përmbajtje, por një hapësirë që u përgjigjet nevojave reale të grave në komunitet.

Ky takim e bëri të qartë se ekziston një potencial i madh, por edhe një nevojë e dukshme për lidhje, orientim dhe mbështetje të ndërsjellë.

Shumë gra kanë ndërtuar rrugën e tyre me përkushtim, shpesh në heshtje, ndërsa të tjera janë ende në kërkim të mundësive dhe drejtimit. Oda synon pikërisht të krijojë këtë urë, një hapësirë ku përvoja nuk mbetet individuale, por ndahet dhe kthehet në forcë kolektive. Ne besojmë se rrjetëzimi nuk është vetëm njohje, por përgjegjësi ndaj njëra-tjetrës. Kur krijohet besimi, lind edhe gatishmëria për të mbështetur, për të këshilluar dhe për të hapur rrugë. Kjo është ajo që duam të ndërtojmë: një komunitet ku gratë nuk ndihen të vetmuara në sfidat e tyre, por të mbështetura dhe të përfshira në një proces të përbashkët zhvillimi.

Përmes bashkëpunimit mund të ndërtohen modele të qëndrueshme që i shërbejnë jo vetëm grave, por gjithë komunitetit. Synimi ynë është që kjo nismë të mos mbetet në nivel diskutimi, por të përkthehet në mundësi konkrete, në projekte dhe në mbështetje reale për çdo grua që kërkon të ecë përpara.”

Zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Shukrije Ramadani, theksoi rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në jetën e komunitetit dhe vazhdimësinë ndërmjet gjeneratave: “Për mua është thelbësore të shoh gjeneratat e reja aktive dhe të angazhuara. Brezat e mëparshëm kanë hapur rrugën me shumë sakrifica dhe sfida, prandaj është e rëndësishme që kjo trashëgimi të vazhdohet. Nëse të rinjtë nuk janë të pranishëm dhe nuk marrin rol në përfaqësim, atëherë përpjekjet e deritanishme do të humbnin kuptimin e tyre. Më gëzon veçanërisht prania e vajzave dhe nënave të reja, dhe shpresoj që ky angazhim të rritet edhe më tej në të ardhmen”.

Punëtoritë u udhëhoqën nga Flora Rexhepi dhe Kadire Idrizi, të cilat orientuan diskutimin dhe krijuan një hapësirë të strukturuar për shkëmbim dhe reflektim të përbashkët.

Ky takim shënon një fillim të përbashkët, i cili synon të vazhdojë me hapa të qëndrueshëm në ndërtimin e një rrjeti funksional dhe mbështetës për gratë shqiptare në Zvicër. Takimi u përmbyll me një apero me ushqime tradicionale shqiptare.

Eventet e ardhshme janë paraparë të mbahen më 14 qershor 2026 në Spreitenbach dhe më 22 nëntor 2026 në St. Gallen, në kuadër të konferencës vjetore.

 

 

Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati

Gazetari veteran shumë aktiv edhe në moshë të shtyrë në diasporë, Rexhep Rifati ka marrë së fundi një mirënjohje të rëndësishme për punën  etij shumëvjeçare në gazetari. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë atij një dekoratë dhe mirënjohje për merita në fushën e gazetarisë, shkruan albinfo.ch.

Me këtë rast Shoqata “Hora e Skënderbeut”, me seli në Zvicër i shpreh urimet z. Rifati për dekoratën dhe mirënjohjen e ndarë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Jemi krenarë që z. Rexhep Rifati, njëherësh nënkryetar i shoqatës sonë, vlerësohet për kontributin e tij të çmuar dhe shumëvjeçar në gazetari. Për dekada me radhë, ai ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në informimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.

Z. Rifati njihet në mënyrë të veçantë edhe për lidhjet e tij të ngushta me arbëreshët, të cilët i ka vizituar me përkushtim në çdo vendbanim të tyre, duke forcuar urat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare mes nesh.

Në emër të Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, urojmë nga zemra z. Rexhep Rifati për këtë nderim të merituar. Njëkohësisht, këtë gëzim e ndajmë me të gjithë anëtarët e shoqatës sonë, me familjarët dhe me miqtë e shumtë të z. Rifati”, thuhet në  fund të letrës së shoqatës së përmendur.

Kombëtarja U21 fitoi miqësoren me Uzbekistanin

Kombëtarja shqiptare e U21 ka shënuar fitore me rezultat 3 me 2 në ndeshjen miqësore me Uzbekistanin të zhvilluar në Antalia të Turqisë.

Skuada e Alban Bushit iu imponua kundërshtarëve të saj me një fitore që u vendos nga Ermir Rashica dhe Etnik Brruti, raporton tch, përcjell Albinfo.ch.

Vetëm 17 minuta pritën 21 vjeçarët kuqezinj që morën avantazhin në 1-0 me golin e Ermir Rashicës. Reagimi i Uzbekistanit ishte i menjëhershëm teksa në minutën e 22 barazoi me golin e Fayzullaev.

Kundërpërgjigjja e të besuarve të Alban Bushit ishte shumë e shpejtë teksa në harkun e 2 minutave respektivisht në të 30 dhe të 32, Etnik Brruti ndëshkoi uzbekët me dygolëshin e tij duke e çuar rezultatin në 3-1 për Kombëtaren U21.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja U21 pati shansin të shënojë golin e katërt me Arlind Kurtin me penallti, por ky i fundit gaboi nga pika e bardhë. Vetëm 1 minutë më vonë Uzbekistani ngushtoi shifrat në 3-2 me golin e Abdurakhmonov Firdavs.

Pavarësisht presionit të minutave të fundit, Kombëtarja shqiptare U21 arriti të administrojë rezultatin dhe të sigurojë fitoren e kësaj ndeshje miqësore./Albinfo.ch/

5% e tifozëve të Premier League kundërshtojnë VAR-in

Sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata e Tifozëve të Futbollit (FSA), tre të katërtat e mbështetësve të klubeve të Premier League nuk e mbështesin përdorimin e VAR-it. Anketa përfshiu rreth 8,000 tifozë nga 20 skuadra, të cilëve iu kërkua të shpreheshin mbi ndikimin e teknologjisë në ndeshje.

Rezultatet tregojnë se 90% e të pyeturve mendojnë se VAR-i nuk ka përmirësuar përvojën e ndeshjes, ndërsa 91% besojnë se ka cenuar spontanitetin e festimeve pas golave. Gjithashtu, 94% e tifozëve nuk pajtohen se VAR-i e bën shikimin e ndeshjeve në televizion më të këndshëm.

Nga të dhënat e tjera të sondazhit:

72% mendojnë se VAR-i nuk ka bërë arbitrimin më të saktë.

74% besojnë se shpjegimi i vendimeve të VAR-it nuk është i qartë.

86% shqetësohen për zgjerimin e fushëveprimit të VAR-it.

72% kundërshtojnë përdorimin e tij për të kontrolluar goditjet nga këndi.
52% janë kundër përdorimit për të verifikuar kartonat e dytë të verdhë.

Anketa përfshiu kryesisht tifozë që ndjekin rregullisht ndeshjet, me më shumë se gjysmën që marrin pjesë në të paktën 15 ndeshje në sezon. Të dhënat e fundit tregojnë se gabimet e gjyqtarëve dhe VAR-it po rriten në Premier League./Albinfo.ch/

Lufta në Lindjen e Mesme rrit interesimin për turizmin në Shqipëri

Një nënë dhe vajza nga Danimarka vendosën të vizitojnë Shqipërinë pasi planet e tyre për të udhëtuar në Jordaninë u ndërprenë për shkak të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

“Jemi në Durrës për ditën e katërt, dhe gjithsej do të qëndrojmë 12 ditë. Kemi rezervuar ture të ndryshme në minutën e fundit, pasi fillimisht planifikonim të shkonim në Jordaninë,” shprehet May Brit Vinther.

Ndërkohë, turizmi në Shqipëri nisi dobët këtë janar, me hyrje më të ulëta të turistëve të huaj që nga koha e pandemisë. Megjithatë, konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë një “shpëtim të papritur”, duke shtyrë turistët europianë të ndryshojnë destinacionet drejt vendeve më të sigurta dhe më të qeta, si Shqipëria.

Çifti polak, Tomasz Mayka dhe partnerja Klaudia, kishin planifikuar pushimet e marsit në Iran, por një ditë para nisjes shpërtheu konflikti. Ata zgjedhën Shqipërinë si alternativë, edhe për shkak të çmimeve më të lira të biletave të minutës së fundit.

“Jemi të lumtur që gjetëm bileta në minutën e fundit për Shqipërinë. Nuk e kishim vizituar më parë dhe tani po eksplorojmë edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria deri tani është destinacioni ynë i preferuar,” thotë çifti.

Një tjetër turist, Joane Mellis nga Mbretëria e Bashkuar, kishte planifikuar të vizitonte Dubain, por fluturimet u anuluan për shkak të luftës. “Biletat për Shqipërinë nga Londra ishin shumë të lira. Nuk është Dubai, por këtu po gjejmë mikpritje, çmime të ulëta dhe kompensim nga siguracioni i udhëtimit. Po bëjmë një udhëtim pothuajse falas,” thotë ajo.

Në janar, hyrjet e turistëve të huaj në Shqipëri ranë në 552 mijë, me një ulje prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shënon rënien e parë që nga pandemia. Për krahasim, në janar 2025 kishte rritje prej 14.5%, ndërsa në 2024 rritja ishte afër 30%.

Operatorët turistikë presin që gjatë 2026 numri i vizitorëve të rritet, edhe pse fillimi i vitit ishte i dobët për shkak të motit të keq. Parashikimet flasin për një rritje modeste prej 5-10%, një shifër optimiste, por e pasigurt, për shkak të mundësisë që pritshmëritë e turistëve të mos realizohen.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka pasqyruar menjëherë në tregun global të turizmit, duke shkaktuar anulime dhe ndryshime të itinerareve. Shumë udhëtarë po shmangin zonat e konfliktit, ndërsa linjat ajrore po devijojnë fluturimet, duke rritur kostot dhe çmimet e biletave.

Rezervimet për Lindjen e Mesme dhe disa destinacione aziatike po bien, ndërsa turistët po preferojnë alternativa më të sigurta në Europë dhe rajone të tjera. Pasiguria gjeopolitike dhe rritja e çmimeve të karburanteve po e bëjnë turizmin më të shtrenjtë dhe të paparashikueshëm, duke ndikuar në tregun global./Albinfo.ch/

Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë

Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Liqenit të Gjenevës (CIPEL) ka paraqitur një vlerësim të përzier për cilësinë e ujit në vitin 2025. Sipas raportit, ujërat e liqenit po vazhdojnë të ngrohen dhe nuk janë përzier plotësisht për të katërmbëdhjetin dimër radhazi. Megjithatë, janë shënuar edhe disa përmirësime, përfshirë një rënie historike të nivelit të fosforit.

Përzierja dimërore e ujërave arriti vetëm rreth 140 metra, nga thellësia maksimale prej 309 metrash e liqenit. Sipas CIPEL-it, përzierja e plotë kërkon dimra të ftohtë dhe erëra të forta—kushte që po bëhen gjithnjë e më të rralla për shkak të ndryshimeve klimatike.

Kjo situatë po çon në një mungesë të vazhdueshme oksigjeni në shtresat e thella të ujit, si dhe në një ulje graduale të lëndëve ushqyese në sipërfaqe, të cilat janë thelbësore për fitoplanktonin dhe gjithë zinxhirin ushqimor.

Një tjetër gjetje shqetësuese është rritja e temperaturës së ujërave sipërfaqësore me 1.7 gradë Celsius krahasuar me periudhën referuese 1991–2020—një rekord që nga viti 1991. Temperaturat mesatare sezonale kanë qenë vazhdimisht mbi normat mujore. Ndërkohë, temperatura në fund të liqenit ka arritur në 6.5 gradë Celsius, gjithashtu rekord historik, si rezultat i një rritjeje të vazhdueshme prej 0.1 gradë në vit që nga 2012.

Sipas CIPEL-it, këto të dhëna konfirmojnë se funksionimi ekologjik i liqenit po pëson transformime të thella për shkak të ndryshimeve klimatike.

Më pak fosfor, një hap i madh përpara

Megjithatë, raporti për vitin 2025 sjell edhe lajme pozitive. Komisioni thekson se janë arritur disa objektiva të rëndësishëm, veçanërisht ulja e përqendrimit të fosforit në nivele që para 20 vitesh konsideroheshin të pamundura.

Kjo përbën një hap të madh drejt rikuperimit të liqenit. Ulja e fosforit—një element kyç për rritjen e algave—ka ndikuar ndjeshëm në reduktimin e lulëzimit të algave dhe në përmirësimin e cilësisë së ujit.

Rënia e fosforit lidhet me ndërtimin dhe përmirësimin e impianteve të trajtimit të ujërave, ndalimin e fosfateve në detergjentë dhe reduktimin e ndotjes nga bujqësia. Niveli i fosforit ka rënë nga rreth 100 μg/L në vitin 1978 në 15.6 μg/L në vitin 2024—niveli më i ulët që nga viti 1970.

Megjithatë, pavarësisht kësaj “uljeje historike”, organizata franko-zvicerane paralajmëron se kërkohet vigjilencë e vazhdueshme për shkak të presioneve si ndryshimet klimatike, speciet invazive dhe ndotjet e padukshme si mikrondotësit dhe mikroplastikat.

Mikrondotësit dhe rreziku nga midhja quagga

Sa i përket mikrondotësve, në liqen janë identifikuar 256 substanca, përfshirë pesticide, mbetje ilaçesh dhe komponime të tjera kimike si PFAS. Në përgjithësi, situata konsiderohet e qëndrueshme dhe brenda standardeve të cilësisë, por disa substanca, si 1,2,4-triazoli, kërkojnë monitorim të shtuar.

Një tjetër shqetësim i madh mbetet përhapja e midhjes quagga, e cila po ndryshon ndjeshëm ekosistemin e liqenit. Kjo specie ka kolonizuar zona deri në 250 metra thellësi dhe mbulon pothuajse plotësisht sipërfaqet deri në 30 metra.

Edhe pse dendësia e saj ka mbetur relativisht e qëndrueshme vitet e fundit, rritja e madhësisë mesatare të guaskave tregon për një biomasa shumë të lartë, e vlerësuar në rreth 800 mijë tonë.

Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës

Banorët e sëmurë terminalisht në kantonin zviceran të Lucernës nuk duhet të jenë më të detyruar të dalin nga spitali për eutanazi të asistuar. Të hënën, parlamenti kantonal votoi në favor të rregullimit të vdekjes së asistuar me ligj si në azilet e pleqve ashtu edhe në spitale.

Të hënën, parlamenti miratoi një mocion nga Sara Muff nga Partia Social Demokrate e qendrës së majtë me 81 vota pro dhe 27 kundër. Çështja nëse – siç propozohet nga qeveria kantonale – spitalet duhet të përjashtohen nga vdekja e asistuar ishte veçanërisht e diskutueshme midis grupeve të qendrës së djathtë dhe konservatore.

Në mocionin e saj, Muff bëri thirrje për një kornizë ligjore për vetëvrasjen e asistuar nga jashtë në të gjitha institucionet publike të shëndetit dhe kujdesit social.

Sot, shumë azile kujdesi kanë udhëzimet e tyre për vdekjen e asistuar. Banorët e azileve të pleqve ose të institucioneve të kujdesit social nuk kanë të njëjtin akses në këtë kudo si njerëzit që jetojnë në shtëpi, tha Drejtoresha e Shëndetësisë Michaela Tschuor (Partia e Qendrës) në parlamentin kantonal.

Prandaj, Tschuor mbështeti që qasja e barabartë në mbështetjen e jashtme për vdekjen e asistuar në institucionet e kujdesit dhe mbështetjes të rregullohet me ligj.

Ajo donte të përjashtonte spitalet nga kjo. Ajo tha se kompetenca e tyre qëndron në shërimin, kujdesin dhe lehtësimin e vuajtjeve.

Muff nuk u pajtua me këtë. Spitalet janë gjithashtu vende ku njerëzit vdesin, tha Muff. Kjo është arsyeja pse vetëvendosja në fund të jetës duhet të zbatohet edhe atje.

Nuk duhet të jetë rasti që dikush që është në fund të jetës së tij duhet të largohet nga spitali për të vdekur.

Thomas Gfeller nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë u pajtua me Muff. Rruga e përshkruar nga qeveria nuk ishte një kompromis, por përkundrazi e përforcoi problemin, tha ai.

Mario Cozzio nga Partia e Gjelbër Liberale e qendrës gjithashtu foli në favor të referimit të të gjithë mocionit. Megjithatë, liria duhet të zbatohet për të dyja palët, tha ai. Njerëzit në fund të jetës duhet të jenë në gjendje të vendosin vetë, por e njëjta gjë duhet të zbatohet edhe për stafin në institucione, transmeton albinfo.ch.

Për Karin Andrea Stadelmann (Partia e Qendrës), vdekja e asistuar në spital gjithashtu ka vendin e vet, raporton swissinfo. Në kujdesin paliativ, tha ajo, fokusi nuk është më te shërimi, por te kujdesi.

Lisa Zanolla (Partia Popullore) dhe Hannes Koch nga Partia e Gjelbër e krahut të majtë deklaruan gjithashtu se ka situata në spitale ku vdekja e asistuar duhet të jetë e mundur në vend. Priska Fleischlin (Partia Socialdemokrate) tha se për njerëzit që vuajnë, vdekja është një lehtësim dhe një gjë e bukur.

Fleischlin shpjegoi se “dëshira për të vdekur” është tashmë e mundur në spitalet e sotme, për shembull duke hequr dorë nga masat që zgjasin jetën. Megjithatë, në spitale, ndryshe nga vdekja e asistuar, fokusi është te lehtësimi i vuajtjeve, jo te shkurtimi i jetës.

Stephan Schärli (Partia e Qendrës) dhe Sibylle Boos-Braun (Partia Radikale Liberale e qendrës së djathtë) mbështetën qëndrimin e qeverisë. Schärli tha se spitalet nuk duhet të detyrohen të ofrojnë diçka që bie ndesh me misionin e tyre themelor. Boos kishte frikë se vdekja e asistuar mund të krijonte edhe situata të vështira për stafin e spitalit. Gerda Jung (Partia e Qendrës) dhe Jasmin Ursprung (Partia Popullore) argumentuan në favor të refuzimit të plotë të mocionit. Ursprung tha se shtëpitë e kujdesit duhet të jenë në gjendje të vendosin vetë për çështjen e vdekjes së asistuar. Një rregullore uniforme kantonale nuk do të shtonte asnjë vlerë.