Mali i Zi: Një ushtar humb jetën, tjetri plagoset gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret

Në një aksident të ndodhur pranë Podgoricës, një ushtar nga Mali i Zi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, pasi një autocisternë e përdorur për shuarjen e flakëve u përmbys. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit, në bashkëpunim me ushtrinë dhe institucionet e tjera.

Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në rajonin e Kuçës dhe zonat përreth Podgoricës, si dhe mes Budvës dhe Tivarit, po vazhdojnë për ditën e dytë me radhë. Në këto zona, përveç dëmeve nga flakët, është shënuar edhe djegia e një shtëpie dhe e disa pronave të tjera. Për shkak të rrezikut, disa banorë janë evakuuar.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviç, deklaroi: “Situata është pak më e qëndrueshme, por nuk mund të parashikojmë zhvillimet e mëtejshme. Me përkushtimin e ekipeve tona dhe mbështetjen nga partnerët, presim të marrim kontrollin mbi zjarret.”

Për shkak të tymit dhe ajrit të ndotur, Instituti i Shëndetit Publik ka këshilluar qytetarët të shmangin qëndrimin jashtë dhe të tregojnë kujdes maksimal.

Në Mal të Zi është shpallur alarm i kuq, ndërsa era e fortë po e vështirëson më tej luftën kundër zjarreve.

Për herë të parë, AfD kryeson sondazhet në Gjermani

Në një sondazh të fundit të kryer nga instituti Forsa, partia gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) është renditur si partia më e mbështetur në vend për herë të parë.

Sipas rezultateve, AfD ka fituar përkrahje nga 26% e qytetarëve gjermanë, duke tejkaluar Unionin Kristian Demokrat (CDU), që ka rënë në 24%.

Ky zhvillim shënon një pikë kthese në politikën gjermane, pasi AfD, një forcë politike e djathtë populiste dhe shpesh kritikuar për qëndrimet e saj kundër emigracionit dhe euroskepticizmit, nuk ishte parë më parë si lider në sondazhe të tilla.

Në të njëjtën kohë, partitë tradicionale që kanë dominuar politikën gjermane që pas Luftës së Dytë Botërore po përjetojnë një rënie të dukshme në mbështetje.

Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbrit qëndrojnë në vendin e tretë, secila me nga 13% të votave.

Ky sondazh reflekton një ndryshim të thellë në skenën politike të Gjermanisë dhe tregon rritjen e mbështetjes për partitë që sfidojnë status quo-në.

Nëse kjo tendencë vazhdon, zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin një peizazh politik krejtësisht të ri për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi.

 

Mbyllen mbi 350 shkolla në 10 vitet e fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

Në dekadën e fundit, më shumë se 350 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar një krizë të thellë demografike dhe probleme serioze në sistemet arsimore të rajonit.

Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri janë mbyllur 295 shkolla publike gjatë periudhës 2012-2022. Në Kosovë, numri i shkollave të mbyllura për periudhën 2013-2023 është rreth 40, ndërsa në Maqedoninë e Veriut varion nga 30 deri në 44 shkolla të mbyllura. Këto shifra tregojnë më shumë se thjesht ndryshime statistikore; ato janë një paralajmërim serioz për të ardhmen, shkruan alsat përcjell albinfo.ch.

Shkalla e ulët e lindshmërisë, emigracioni i madh drejt vendeve perëndimore dhe zbrazja e zonave rurale janë faktorët kryesorë që kanë çuar në mbylljen e shumë institucioneve arsimore.

Në Shqipëri, kjo situatë ka shkaktuar një raport jo të zakonshëm mes mësuesve dhe nxënësve, ku në disa shkolla ka nga 7 mësues për vetëm 3 nxënës. Problemi është më i theksuar në zonat rurale, ku shumë familje largohen drejt qyteteve në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Në Kosovë, ka shkolla që funksionojnë me vetëm 5 deri në 10 nxënës, e ndonjëherë edhe më pak. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2024/2025 ishte 63,551, duke shënuar një rënie prej më shumë se 2,000 nxënësve krahasuar me vitin paraprak (65,757).

Në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka propozuar transformimin e objekteve shkollore të mbyllura në qendra për të moshuarit, një masë që thekson zhvendosjen demografike ku ka më pak të rinj dhe më shumë të moshuar në komunitete.

E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi duket gjithnjë e më e pasigurt

Pas refuzimit të ofertave nga Real Betis dhe Sassuolo, një tjetër klub i Serie A ka shfaqur interes për mesfushorin shqiptar: Torino. Sipas mediave italiane, klubi “granata” ka kontaktuar së fundmi për të marrë informacion mbi situatjen e tij. Klubi kërkon të forcojë mesfushën dhe e sheh Asllanin si profil të përshtatshëm për projektin e trajnerit Baroni.

23-vjeçari iu bashkua Interit në verën e vitit 2022, por ka pasur hapësira të kufizuara në formacion, si nën drejtimin e Simone Inzaghit, ashtu edhe tani me Chivu në stol. Sipas raporteve, Interi nuk e ka më në planet e tij.

Torino ende nuk ka paraqitur një ofertë zyrtare, por sinjalet nga “Olimpico Grande Torino” tregojnë se interesimi është serioz. Afati i merkatos mbyllet më 31 gusht, prandaj ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e Asllanit.

 

Avion i vogël bie në Liqenin e Gjenevës pranë Vevey, dy persona shpëtojnë pa lëndime

Një avion turistik dyvendësh u rrëzua pasditen e së martës në ujërat e Liqenit të Gjenevës, pranë brigjeve të Vevey-t (kantoni Vaud, Zvicër). Të dy personat që ndodheshin në bord arritën të dilnin vetë nga avioni dhe u shpëtuan nga një varkë private. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar. Avioni u fundos shpejt në fund të liqenit.

Zëdhënësi i policisë kantonale të Vaudit bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 16:00, përballë plazhit “Pichette” në Corseaux. Sipas tij, mendohet se avioni ka bërë një ulje emergjente në ujë, por shkaqet e ngjarjes mbeten ende për t’u përcaktuar.

Në një video të publikuar nga mediat, shihet avioni teksa përpiqet të ulet mbi ujë, por më pas përmbyset sapo prek sipërfaqen. Një dëshmitare që ndodhej në plazhin “Poisson Rouge” tha se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë motori, sikur ai të ishte fikur ose t’i kishte mbaruar karburanti, transmeton albinfo.ch.

Policia konfirmoi se bëhet fjalë për një avion dyvendësh. Të dy pasagjerët arritën të shpëtojnë vetë dhe u morën nga një varkë që ndodhej pranë. Avioni do të nxirret nga fundi i liqenit në ditët në vijim, ndërsa janë marrë masa për të parandaluar ndotjen e mundshme.

Hetimet do të drejtohen nga Prokuroria Publike, pasi ngjarja klasifikohet si aksident i aviacionit civil. Detaje të tjera, përfshirë identitetin e pasagjerëve dhe origjinën e avionit, pritet të bëhen publike të mërkurën.

Afërdita Gashi, gruaja e parë shqiptare nga Zvicra që ngjit Majën Mont Blanc

Maja e Mont Blanc-ut, me një lartësi prej 4.808 metrash mbi nivelin e detit, është pika më e lartë e Alpeve dhe e Evropës Perëndimore, një simbol i guximit, këmbënguljes dhe ëndrrave që shikojnë drejt qiellit. Në këtë sfidë madhështore, Afërdita Gashi ka hyrë në histori si gruaja e parë shqiptare nga Zvicra që arriti ta pushtojë majën e këtij gjiganti malor, shkruan albinfo.ch.

Afërdita Gashi, e cila jeton në Zvicër, është e njohur si maratoniste dhe alpiniste me përvojë, duke u ngjitur rregullisht në majat më sfiduese të vendit. Për të, sporti dhe aktivitetet në natyrë nuk janë vetëm pasion, por mënyrë jetese, një disiplinë që ndërthur përgatitjen fizike, forcën mendore dhe dashurinë për lirinë që ofron mali.

Ngjitja në Mont Blanc kërkon një nivel të lartë stërvitjeje dhe qëndrueshmërie, përballim të kushteve atmosferike të ashpra dhe aftësinë për të marrë vendime të shpejta në terren ekstrem. Për Afërditën, kjo arritje ishte kulmi i një rruge të gjatë përgatitjeje dhe përkushtimi.

“Në zemrën e stuhisë dhe mbi heshtjen e akullt, çdo hap dhe çdo frymëmarrje ia kushtova familjes sime. Ishte forca e dashurisë që më ngriti deri në qiell.”, shprehet Afërdita Gashi për Albinfo.ch.

Me këtë ngjitje, Afërdita Gashi jo vetëm që vendosi një rekord personal dhe kombëtar, por dha edhe një mesazh frymëzues për të gjitha gratë shqiptare, në vend dhe në diasporë  se majat më të larta arrihen me guxim, këmbëngulje dhe dashuri të thellë për atë që bën.

Ekspedita u realizua për të katërtën herë nga Klubi Alpin Prishtina (KAP), nën udhëheqjen e guidës malore Kristian Gashi dhe me koordinimin e kryetrajnerit të KAP-it, Nazmi Hasnaramaj, një figurë e respektuar në komunitetin e alpinistëve shqiptarë. Në këtë sfidë drejt majës, krah alpinistëve të tjerë, mori pjesë edhe Ramush Haradinaj, duke e ndarë me grupin përvojën, vendosmërinë dhe emocionin e arritjes në kulmin e alpeve.

BE dhe 24 shtete, përfshirë Zvicrën, denoncojnë “urinë” në Gaza

Bashkimi Evropian dhe 24 vende të tjera, mes tyre edhe Zvicra, denoncuan të martën situatën e “urisë” në Gaza, duke bërë thirrje për veprime të menjëhershme për ta ndalur atë.

“Gjendja humanitare në Gaza ka arritur nivele të paimagjinueshme. Një uri po shpaloset para syve tanë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të BE-së dhe shteteve të tjera. Ato i bënë thirrje Izraelit të “lejojë të gjitha karvanet e ndihmave humanitare nga OJQ-të ndërkombëtare dhe të heqë pengesat që parandalojnë punonjësit humanitarë të ndërhyjnë”.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (EDA) shkroi në platformën X se vendi është bashkuar me shtete të tjera në një deklaratë që shpreh “shqetësim të thellë” për kufizimet e reja të regjistrimit të OJQ-ve, të cilat mund t’i detyrojnë aktorët humanitarë thelbësorë të largohen nga Territoret Palestinaze të Okupuara, duke e përkeqësuar edhe më tej krizën në Gaza.

Deklarata kërkon qasje të sigurt dhe të gjerë humanitare, mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve të ndihmës, një armëpushim të qëndrueshëm dhe lirimin e të gjithë pengjeve.

Deklarata është nënshkruar nga Ministrja e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, dhe ministrat e jashtëm të Australisë, Belgjikës, Kanadasë, Qipros, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Greqisë, Islandës, Irlandës, Japonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Maltës, Holandës, Norvegjisë, Portugalisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Gjermania nuk e nënshkruan

Mes nënshkruesve janë 17 shtete anëtare të BE-së, përfshirë Francën, por jo Gjermaninë. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza kundër Hamasit, më 7 tetor 2023, vendet e BE-së kanë qenë të ndara për mënyrën e reagimit ndaj Tel Avivit.

Disa vende, si Gjermania, kanë theksuar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa të tjera, si Spanja, e akuzojnë për “gjenocid” ndaj palestinezëve në Gaza. Megjithatë, Berlini bëri një ndryshim të madh kursi të premten, duke njoftuar pezullimin e eksporteve të armëve që Izraeli mund t’i përdorë në Gaza.

Edhe brenda Komisionit Evropian po shihen ndryshime. Nënkryetarja Teresa Ribera deklaroi për Politico se situata në Gaza “i ngjan shumë” një “gjenocidi”.

 

Humbet 10 ditë pa gjurmë i riu nga Kosova, familjarët thonë se ai ishte nisur nga Anglia për në Kosovë

Familjarët e Veton Canollit nga Kosova po kërkojnë ndihmën e qytetarëve për ta gjetur atë, pasi prej 10 ditësh nuk kanë asnjë kontakt me të.

Veton Canolli, i lindur më 28 tetor 2000, me shtetësi kosovare, është nisur nga Anglia për në Kosovë, por nuk ka arritur të kontaktojë me familjen që prej nisjes. Ai është me gjatësi 177 cm dhe mbahet mend si person i qetë dhe i komunikueshëm.

Familja bën apel që kushdo që ka informacion mbi vendndodhjen e tij të kontaktojë menjëherë organet kompetente ose familjarët.

Të dhëna identifikuese sipas pasaportës:

• Emri dhe mbiemri: Veton Canolli

• Datëlindja: 28.10.2000

• Shtetësia: Kosovare

• Gjatësia: 177 cm

Ju lutemi shpërndajeni këtë njoftim për ta ndihmuar familjen të marrë lajme sa më shpejt.

Aargau ndalon telefonat celularë deri në klasën e nëntë

Që nga 11 gushti 2025, telefonat celularë janë të ndaluar për nxënësit deri në klasën e nëntë në të gjitha shkollat e kantonit Aargau. Ndalimi vlen gjatë orëve të mësimit, pushimeve, në ambientet e shkollës dhe gjatë aktiviteteve shkollore, duke e bërë Aargau kantonin e parë në Zvicrën gjermanishtfolëse që zbaton një masë të tillë, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Sipas udhëzimeve të prezantuara në maj nga Drejtoresha e Arsimit, Martina Bircher (SVP), qëllimi është unifikimi i rregullave për të gjitha shkollat dhe nxitja e ndërveprimit shoqëror mes nxënësve. “Fëmijët duhet të luajnë, të diskutojnë dhe të ndërveprojnë, sidomos gjatë pushimeve, e jo të jenë në telefonat e tyre,” deklaroi Bircher. Departamenti i Arsimit po mbështet zbatimin e ndalimit dhe po ofron materiale parandaluese.

Reagimet në shkolla janë të përziera. Në Shkollën e Distriktit Rohrdorferberg AG, me rreth 400 nxënës, disa e përshëndesin ndalimin si një mënyrë për të shmangur shpërqendrimin, ndërsa të tjerë ankohen se kjo pengon komunikimin në raste urgjente. Drejtori Adrian Rüegger mbështet masën, por thekson se ajo duhet të shoqërohet me edukim mbi përdorimin e mediave dhe rrjeteve sociale.

Ndalimi ka sjellë edhe pasoja praktike: nxënësit e vitit të fundit në Seetaler Kreisschule Seengen AG duhet të paguajnë sërish me para në dorë në kioskat e shkollës, pasi pagesat me Twint nuk lejohen më.

Shkollat fillore kanë liri të vendosin mënyrën e zbatimit të ndalimit  nga mbajtja e telefonave në xhep deri te konfiskimi i tyre. Në Rohrdorferberg, gjatë javës së parë zbatohet vetëm paralajmërimi, ndërsa nga java e dytë, pajisjet konfiskohen për kohëzgjatjen e orës së mësimit në rast shkeljeje. Masa pritet të mbetet në fuqi të paktën deri në pushimet e vjeshtës dhe prek rreth 84 mijë nxënës të kantonit, transmeton albinfo.ch.

Qeveria zvicerane do pranonte ndërhyrjen e Roger Federer dhe Gianni Infantinos për uljen e tarifave amerikane

Qeveria e Zvicrës nuk do të kundërshtonte nëse legjenda e tenisit Roger Federer ose shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, do të ndërhynin për të ndihmuar në reduktimin e tarifave prej 39% që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur ndaj produkteve zvicerane, shkruan Reuters, transmeton albinfo.ch.

Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter, tha se nuk ka një strategji të caktuar për këtë çështje, por nuk e përjashton mundësinë që personalitete të njohura që kanë akses te presidenti amerikan, Donald Trump, të bisedojnë me të në mënyrë jozyrtare.

Disa politikanë zviceranë kanë propozuar që Infantino të veprojë si ndërmjetës në negociata me Shtëpinë e Bardhë. Trump, i cili mori pjesë në finalen e Botërorit të Klubeve në korrik, në New Jersey, njihet për admirim ndaj figurave të njohura botërore, përfshirë Federer.

Presidentja Keller-Sutter shprehu shpresën se çështja e tarifave do të zgjidhet deri në tetor, por paralajmëroi se Zvicra nuk do të pranojë të paguajë çdo çmim për këtë, transmeton albinfo.ch.

Qeveria zvicerane nis fushatë mbështetjeje për ID-në elektronike

Qeveria e Zvicrës ka nisur fushatën e saj për të bindur qytetarët të votojnë “pro” në referendumin e 28 shtatorit për Aktin e ID-së elektronike. Sipas autoriteteve, e-ID-ja është e sigurt, e lehtë për t’u përdorur, ofrohet falas dhe përdorimi i saj mbetet vullnetar, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (FDJP) theksoi të martën se nevoja për një provë të sigurt elektronike të identitetit po rritet, veçanërisht për veprime si porositjet online. ID-ja elektronike, e ofruar nga shteti, synon të forcojë sovranitetin digjital dhe të promovojë Zvicrën si një qendër inovacioni.

E-ID-ja funksionon si një kartë identiteti digjitale, ndërsa infrastruktura teknike ofrohet nga shteti. Sipas FDJP-së, kjo garanton mbrojtjen e privatësisë dhe kontrollin individual mbi të dhënat personale.

Megjithatë, kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë për rreziqe. Javën e kaluar, ata nisën fushatën e tyre duke e quajtur projektin një dhuratë për kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe një hap drejt një ekonomie mbikëqyrëse. Ata theksojnë se një e-ID nuk është e domosdoshme për procedurat administrative, duke përmendur si shembull platformën AGOV, e cila funksionon pa identitet digjital.

Sipas tyre, ligji do të krijojë bazën për përdorim komercial të identitetit elektronik, duke u mundësuar grupeve të mëdha teknologjike të ofrojnë shërbime vetëm në këmbim të një e-ID-je, transmeton albinfo.ch.

“600 franga për mjete shkollore”, prindërit përballen me kosto të larta

Me fillimin e vitit të ri shkollor këtë javë, mijëra fëmijë në Zvicër po nisen drejt bankave të shkollës me çanta të mbushura dhe emocion të madh. Megjithatë, për shumë prindër, përgatitjet për këtë ditë përfaqësojnë një barrë të ndjeshme financiare, transmeton albinfo.ch.

Sipas një analize të Digitec Galaxus, e publikuar nga 20 Minuten, gjatë muajit korrik është shënuar një rritje e ndjeshme e shitjeve të produkteve të lidhura me shkollën: 70% më shumë stilolapsa, 36% më shumë kuti lapsash dhe 20% më shumë çanta shkolle krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimi i çantave të shpinës së shkollës arrin mesatarisht rreth 150 franga zvicerane, ndërsa një set i plotë me çantë shpine, kuti lapsash dhe çantë palestre mund të kushtojë nga 200 deri në 500 franga. Sipas Dagmar Rösler, presidente e shoqatës ombrellë të mësuesve, kjo është pasojë e marketingut të orientuar drejt emocioneve të ditës së parë të shkollës.

Rösler vëren se për fillimin e vitit mjaftojnë një çantë shpine, një kuti lapsash bosh dhe një çantë palestre e thjeshtë, pasi fletoret dhe materialet e tjera sigurohen nga shkolla. Megjithatë, shumë prindër ndihen të detyruar të blejnë modele më të shtrenjta për shkak të presionit të fëmijëve ose ndikimit të bashkëmoshatarëve.

Disa familje raportojnë shpenzime të larta. Një nënë nga kantoni Basel-Landschaft pagoi 530 franga për të bijën, duke përfshirë 300 franga për çantën e shkollës. Një tjetër familje nga Schaffhausen shpenzoi 80 franga, pas një episodi, ku vajza u tall për çantën e përdorur të vëllait, transmeton albinfo.ch.

Gjermani: Temperaturat e larta, rritet importi dhe prodhimi i kondicionerëve

Gjermania po shënon një rritje të ndjeshme në prodhimin dhe importin e njësive të kondicionerëve, ndërsa valët e të nxehtit në vend po shtohen në frekuencë dhe intensitet, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, prodhimi vendas u rrit me 92% në vitin 2024, duke shkuar nga 164.000 njësi në vitin 2023 në 317.000 njësi në vitin 2024. Në përgjithësi, prodhimi është rritur me 75% gjatë pesë viteve të fundit.

Importet mbeten gjithashtu në nivele të larta, me Gjermaninë që bleu kondicionerë ajri në vlerë prej 949 milionë eurosh në vitin 2024, një shifër pak më e ulët se rekordi i vitit 2023 prej 957 milionë eurosh.

Nga njësitë e importuara, një në katër janë prodhuar në Itali, ndërsa Kina dhe Suedia janë gjithashtu furnizues të mëdhenj për tregun gjerman, transmeton albinfo.ch.

Hagen, Gjermani: Grabitet kosovari ndërsa flinte në stacionin e trenit

Një personi ju vodh telefoni inteligjent derisa po flinte, në Stacionin Qendror hekurudhor të Hagenit, në mëngjesin e hershëm të 11 gushtit. Falë një kërkimi të shpejtë, Policia Federale arriti të arrestonte autorin e dyshuar dhe të sekuestronte mallrat e vjedhura, transmeton albinfo.ch.

Shtetasi 56-vjeçar kosovar u paraqit në Policinë Federale rreth orës 2:40 të mëngjesit dhe deklaroi se telefoni i tij inteligjent ishte vjedhur ndërsa flinte në një stol në hollin kryesor.

Sipas rrëfimit të tij, ai më parë kishte vënë re një burrë që po i kërkonte një cigare dhe e kishte vëzhguar me dyshim. Bazuar në këtë përshkrim, policët menjëherë më pas hasën një shtetas gjerman 53-vjeçar që jeton në Kierspe, shkruan news.de. Gjatë një kontrolli, ata gjetën telefonin celular të vjedhur dhe ia kthyen pronarit.

I dyshuari fillimisht nuk dha deklarata dhe, pasi u udhëzua, refuzoi të dëshmonte. Policia Federale nisi një hetim kundër tij, për vjedhje të rëndë.

Zvicër: Covid-19 nuk ndikoi në shanset e mbijetesës së pacientëve të prekur nga kanceri

Pandemia Covid-19 nuk pati ndikim të madh në fazën e diagnostikimit të kancerit dhe as në shanset e mbijetesës gjatë vitit të parë pas diagnozës. Kështu ka njoftuar të martën Regjistri Kombëtar i Kancerit, duke theksuar se ndryshe nga vendet e tjera, situata në Zvicër ka qenë më e qëndrueshme, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Studimi, i botuar në revistën Swiss Medical Weekly, analizoi të dhënat e mbi 200 mijë rasteve të kancerit nga viti 2017 deri në vitin 2021. Gjatë valës së parë të pandemisë dhe masave të izolimit, numri i diagnozave ra ndjeshëm. Në prill 2020 u regjistruan 19.9% më pak raste se mesatarja normale për atë muaj. Rënia më e madhe u vu re tek kanceri i gjirit (-39.9%) dhe kanceri kolorektal (-28.7%), ndërsa tek kanceri i mushkërive ndryshimi ishte minimal.

Megjithatë, deri në fund të vitit 2020 kjo rënie u kompensua, duke shënuar një rritje të përgjithshme prej 2.1% krahasuar me periudhën 2017-2021. Në vitin 2021, numri i diagnozave u rrit edhe më shumë me 7.3%, me një kulm në mars (+18.8%), veçanërisht për kancerin e prostatës dhe melanomën. Studiuesit ende po hetojnë nëse kjo lidhet me efektin kapës apo faktorë të tjerë.

Shkalla e mbijetesës një vit pas diagnozës mbeti e qëndrueshme në vitin 2020 dhe madje u rrit pak në vitin 2021 krahasuar me periudhën 2017-2019, transmeton albinfo.ch.

Vazhdon rritja e çmimeve të shtëpive dhe apartamenteve në Zvicër

Çmimet e shtëpive dhe apartamenteve në Zvicër kanë shënuar një rritje të re gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, e nxitur nga kërkesa e lartë dhe normat e ulëta të interesit, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga ndërmjetësi i hipotekave Moneypark dhe start-up-i Pricehubble, me bazë në Cyrih, çmimet e shtëpive u rritën mesatarisht me 3.4%, ndërsa ato të apartamenteve me 2.4% krahasuar me gjashtëmujorin paraprak. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë rritur përkatësisht me 7.4% dhe 4.2%.

Raporti thekson se blerësit po preferojnë gjithnjë e më shumë periudhat afatmesme të financimit, nga pesë deri në nëntë vjet, në vend të hipotekave afatgjata. Për shkak të pasigurisë mbi ecurinë e normave të interesit, është rritur edhe përdorimi i hipotekave me interes të ndryshueshëm, të cilat shpesh kombinohen me hipotekat me normë fikse.

Bankat kanë përfituar ndjeshëm nga ky trend, duke rritur pjesën e tyre të tregut të hipotekave në 67%, një rritje prej 12% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Tahiri: Pesë vrasje në 48 orë, pasqyra më e qartë e dështimit të shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar të martën se pesë vrasjet e rënda të ndodhura brenda 48 orëve të fundit tregojnë, sipas tij, “dështimin e plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, raporton albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Tahiri e akuzoi pushtetin në largim për krijimin e një gjendjeje alarmante të sigurisë, ku, siç tha ai, “po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe të mbrojtura nga vetë pushteti”.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke krijuar një zinxhir të rrezikshëm mes krimit, politikës dhe institucioneve ligjzbatuese. PDK u shpreh ngushëllime të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit nga këto vrasje dhe shpreh shqetësimin e madh për dështimin e organeve të rendit për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Tahiri.

Ai përmendi rastin e prezencës së Mefail Shkodrës, për të cilin tha se “nuk është i ftuar nga opozita, por nga pushteti”, duke akuzuar se ky person ka “terrorizuar një qytet të tërë” me mbështetjen e strukturave qeveritare.

“Përgjegjës direkt për humbjen e këtyre jetëve është Qeveria”, tha ai, duke e cilësuar situatën si një “thirrje alarmi për të gjithë”.

Tahiri theksoi se PDK do ta ketë prioritet “çkapjen e shtetit nga bandat kriminale” dhe paralajmëroi nisma ligjore për ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.

“Sot kemi rreth 250 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve. Në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve, do të iniciojmë ndryshime në Kodin Penal për të siguruar që kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, të përballet me burgim, pa përjashtim. Kjo nuk është vetëm betejë politike, është betejë për jetën, paqen, fëmijët dhe të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Falimenton kompania 107-vjeçare e sigurimeve shëndetësore Klug, ndikohen mbi 9000 qytetarë

Kompania e sigurimeve shëndetësore Klug, me seli në Zug, ka shpallur falimentimin dhe do të ndërpresë aktivitetet e saj në fund të vitit. Lajmi u konfirmua të martën nga kompania, e cila ka një histori 107-vjeçare dhe numëron rreth 9,300 anëtarë të siguruar, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Klug kishte paraqitur në fund të korrikut një kërkesë në Zyrën Federale të Shëndetit Publik për shpalljen e falimentimit dhe revokimin e licencës së saj, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Më 6 gusht, Gjykata Federale e Punës e konfirmoi vendimin, duke i hapur rrugën kompanisë për të hyrë në asetet e saj.

Kompania, e cila punëson 19 persona, tha se problemet financiare u shkaktuan kryesisht nga një rritje e fortë e numrit të anëtarëve të siguruar, si edhe nga mospërputhje në informacionin financiar të rëndësishëm. Për pasojë, drejtoresha menaxhuese është larguar nga menaxhimi operativ, transmeton albinfo.ch.

Policia kërkon ndihmë për kapjen e personit të dyshuar për vrasje në Hajvali

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe lokalizuar personin e dyshuar për një vrasje që ndodhi mbrëmë në Hajvali, raporton albinfo.ch.

Personi i dyshuar është Xhemail (Bajram) Nuhiu, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Policia u bën apel qytetarëve që të ofrojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij.

Informacionet mund t’u komunikohet autoriteteve nëpërmjet e-mailit: [email protected], përmes aplikacionit Android “Lajmero Policinë” ose në numrin e telefonit 192, raporton albinfo.ch.

 

Aksident tragjik në St. Gallen, humb jetën një fëmijë shqiptar 4-vjeçar

Një aksident trafiku me pasoja tragjike ndodhi pak para orës 19:00 të së hënës në rrugën Stahlstrasse, në St. Gallen. Një 44-vjeçar gjerman, duke drejtuar furgonin e tij të bardhë Mercedes drejt Zürcher Strasse, në zonën e Feldbachstrasse, përplasi një djalë 4-vjeçar, shtetas austriak, në një zonë banimi me kufizim shpejtësie prej 30 km/orë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Fëmija, i identifikuar si Dardan*, pësoi lëndime të rënda. Policia dhe kalimtarët i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje deri në mbërritjen e ambulancës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë dy orë më vonë në Spitalin e Fëmijëve.

Dëshmitarët përshkruajnë skena dramatike. Një banore e zonës tha për mediat: “Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e plagosur rëndë, ndërsa e ëma bërtiste me dëshpërim. Ishte një tragjedi e vërtetë.”

Një tjetër banor, Xhevdet V.**, tregoi se kishte ndihmuar në ringjalljen e fëmijës: “Babai e mbante në krahë. E shtriva përtokë, i vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë reanimacionin, por fatkeqësisht gjithçka ishte e kotë.”

Blendi V.** (22) konfirmoi se shoferi reagoi menjëherë, duke telefonuar shërbimet e emergjencës dhe duke ofruar ndihmë. “Shoferi dhe gruaja e tij ishin në shok të plotë”, tha ai.

Policia e St. Gallenit ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë që mund të kenë parë momentin e përplasjes. Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal, ku banorët shprehin shqetësime për sigurinë e rrugës dhe kërkojnë ulje të kufirit të shpejtësisë, transmeton albinfo.ch.

stsg_stadtpolizei

Shqipëri: Humb jetën një person nga zjarret në Gramsh, vijon evakuimi

Në fshatin Kullollas, një i moshuar rreth 80 vjeç ka humbur jetën, pasi u asfiksua nga zjarri që nisi në kopshtin e tij dhe përfshiu një zonë të gjerë, shkruan Top Channel, transmeton albinfo.ch.

Disa fshatra në rajonin e Gramshit janë përfshirë nga zjarret që kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha dhe kanë shkaktuar evakuimin e banorëve.

Ministria e Mbrojtjes po vijon evakuimin e banorëve nga fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve me autoritetet.

Fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër janë djegur dhe banorët janë evakuuar më herët.

Po ashtu, është djegur teqeja e Shemberdhenjes, ndërsa fati i një personi të bllokuar brenda nuk dihet ende.

Në fshatin Bulçar, raportohet se një grua është bllokuar në fermë me dy fëmijë dhe kërkon ndihmë nga autoritetet.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe ambulancave është e vështirë për shkak të terrenit dhe flakëve të mëdha që rrezikojnë jetën e personelit në vendngjarje, transmeton albinfo.ch.

 

 

Ukrainasit shprehen skeptikë para takimit Trump-Putin

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të takohen këtë javë në Alaskë për të negociuar dhënien fund të luftës në Ukrainë, të shumtë janë ata që presin pakt. Ukrainasit nuk janë në mesin e tyre.

Pas më shumë se tre vjetësh luftë dhe bisedimeve për paqe që përfundonin ende pa nisur mirë, më pas ultimatumeve të papërfillshme, dhe mijëra të vdekurve, Ukraina tenton t’iu bëjë ballë trupave ushtarake ruse.

Optimizmi se do të ketë përparim në bisedimet në Alaskë, më 15 gusht, është shumë i zbehtë në Ukrainë,  të paktën deri më tani.

“Nuk ka shumë për të shpresuar për ndonjë zhvillim pozitiv”, ka thënë një burrë në Kiev për televizionin Current Time.

“Mendoj se është fazë e re në zinxhirin e afateve kohore. Frikësohem se situata do të zvarritet kështu deri në fund të mandatit të presidentit aktual amerikan”.

Përpara takimit, Uashintoni duket se ka nisur t’i përgatisë Kievin dhe Moskën për kompromise të mëdha, në mënyrë që të përfundojë lufta, pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar se ka mundësi që të dyja palët do të mbesin të pakënaqura nga marrëveshja përfundimtare.

Rusia e ka injoruar vazhdimisht idenë e takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensly, duke thënë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi palët të jenë gati për të nënshkruar marrëveshjen për paqe, dhe jo për një marrëveshje armëpushimi.

Por, ai moment duket shumë larg, për shkak të dallimeve të thella në qëndrime mes rusëve dhe ukrainasve në shumë aspekte, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tri rundeve të bisedimeve direkte në Turqi prej mesit të majit.

Putin e ka refuzuar propozimin e Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë, kur dy shtetet kanë zhvilluar rundin e parë të negociatave në Stamboll.

Ai ka thënë javën e kaluar se sërish e ka bindjen e njëjtë, dhe që nuk ka asgjë kundër takimit me Zelenskyn, por që fillimisht duhet të “krijohen disa kushte”, dhe që ato momentalisht janë “shumë larg”.

“Nuk pres asgjë nga takimi. Pres vetëm prej ushtrisë ukrainase”, ka thënë një grua në Kiev.

Bisedimet zhvillohen në një moment të rëndësishëm, pasi Trumpi duket se është shumë i zemëruar me Putinin. Presidenti rus, në anën tjetër, nuk duket se ka disponim që të heqë dorë prej synimeve fillestare.

Trump dhe Putin i kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka urdhëtuar në Moskë të paktën tri herë.

Vendimi për ta takuar Putinin ballë për ballë  diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, e ka refuzuar me çdo kusht pas nisjes së luftës  reflekton bindjen e presidentit amerikan që marrëdhënia e tij me liderin rus do të rezultojë me marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

Për Putinin, takimi me Trumpin  pa prezencën e Zelenskyt apo ndonjë zyrtari tjetër ukrainas  është fitore e vogël, dhe reflekton pozicionin e Putinit se Zelensky është lider jolegjitim dhe që marrëveshja për përfundim të luftës mund të arrihet vetëm me Shtetet e Bashkuara.

Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara përbën një tjetër fitore për Putinin, ndaj të cilit ekziston fletarrestim i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Vetëm vendet anëtare të gjykatës janë të obliguara që ta ndalojnë atë, ndërsa administrata Trump ka qasje armiqësore ndaj tribunalit të Hagës.

Megjithatë, një grua ukrainase i ka thënë televizionit Current Time se ndonëse nuk pret përparim si rezultat i takimit, ndoshta Trump do të mund ta shtyjë Putinin në rrugën e paqes.

“Nuk pres më asgjë”, ka thënë ajo. “Por, në fakt shpresoj për diçka, edhe miqtë e mi njëjtë, që Trumpi do të bëjë diçka”.