X

Na ndiqni:

Gjermania përballet me mungesë të madhe punëtorësh të kualifikuar

Gjermania po përjeton një mungesë serioze të punëtorëve të kualifikuar, që varion nga infermierët te specialistët e IT-së, ndërsa e ashtuquajtura gjeneratë “baby boomer” po del në pension dhe numri i lindjeve është i ulët. Instituti për Kërkime të Tregut të Punës në Nuremberg parashikon se vendi ka nevojë për rreth 300,000 punëtorë të kualifikuar çdo vit vetëm për të ruajtur nivelin aktual të shërbimeve dhe ekonomisë, transmeton albinfo.ch.

Për të përmbushur këtë nevojë, një klasë në Chennai të Indisë po përgatit infermierë që mësojnë gjermanisht brenda gjashtë muajve, me synimin për të punuar në Gjermani. Kursi financohet nga shteti indian i Tamil Nadu dhe ofron mundësi familjeve në disavantazh për të hyrë në tregun global të punës.

Megjithatë, të huajt që arrijnë në Gjermani përballen me burokraci të ngadaltë dhe pengesa administrative. Shumë aplikantë, si Zara nga Irani, presin muaj ose vite për leje pune, edhe pse kanë diplomuar dhe posedojnë përvojë profesionale. Avokati i migracionit Björn Maibaum shprehet se kjo është një problem i përhapur në të gjithë Gjermaninë.

Përveç burokracisë, qëndrimet ndaj të huajve paraqesin një sfidë tjetër. Shumë punëtorë të rinj shqetësohen nga incidentet raciste dhe klima politike, duke vënë në dyshim vendimin për të qëndruar në Gjermani. Klinika BDH në Valendar ka reaguar duke ofruar trajnime profesionale për infermierët e rinj indianë, për të përshpejtuar procesin e rekrutimit dhe për të lehtësuar integrimin.

“Gjermania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar, por ne ende jemi larg një kulture mikpritëse që tërheq talentet globale,” thotë Jörg Bibrak, kreu i stafit të infermierisë në klinikë./Albinfo.ch

Turistët nga Zvicra, Gjermania, Shqipëria e Turqia dominuan hotelet e Kosovës në dhjetor 2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi statistikat e hotelerisë për dhjetorin 2025, duke treguar rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, transmeton albinfo.ch.

Sipas ASK-së, në dhjetor 2025 hotelet e vendit pritën 68,293 vizitorë, prej të cilëve 27,776 ishin vendorë dhe 40,517 të huaj. Krahasuar me dhjetorin 2024, kur numri i vizitorëve ishte 64,380, kjo përbën një rritje prej 6,1 %.

Numri i net-qëndrimeve arriti në 132,148, ku 71,624 (54,2 %) i përkisnin vizitorëve të huaj dhe 60,524 (45,8 %) vizitorëve vendorë. Rajoni i Pejës kishte numrin më të madh të vizitorëve vendorë, me 9,655 vizitorë dhe 26,550 net-qëndrime.

Vizitorët e huaj shënuan një rritje prej 2,5 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Në dhjetor 2025, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vinte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia dhe vende të tjera.

Statistikat tregojnë një trend pozitiv të industrisë së hotelerisë, duke reflektuar rritje të interesit për Kosovën si destinacion turistik, si nga vizitorët vendorë ashtu edhe nga të huajt./Albinfo.ch

Shqipëria dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhime filmike

Shqipëria dhe Franca kanë miratuar një marrëveshje për bashkëprodhimin kinematografik, e cila synon të forcojë bashkëpunimin mes industrive filmike të dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se marrëveshja ka për qëllim nxitjen dhe lehtësimin e projekteve të përbashkëta kinematografike mes subjekteve prodhuese shqiptare dhe franceze.

Sipas tij, dokumenti përcakton kriteret për pranimin e projekteve në status bashkëprodhimi, përqindjen e kontributit financiar, si dhe kërkesat për përfshirjen e artistëve dhe stafit teknik nga të dy vendet.

“Veprat që do të pranohen si bashkëprodhime do të konsiderohen vepra kombëtare në të dy shtetet dhe do të përfitojnë të njëjtat lehtësira ligjore dhe financiare si prodhimet vendase”, theksoi Gonxhja.

Marrëveshja, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti, parasheh gjithashtu procedura të përbashkëta miratimi, lehtësi administrative, rregulla për prezantimin e projekteve si bashkëprodhime dhe krijimin e një komisioni të përbashkët që do të monitorojë zbatimin e saj./Albinfo.ch

Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit

Sopranoja kosovare Besa Llugiqi do të debutojë në Operën Shtetërore të Bukureshtit, ku do të interpretojë rolin e Mimisë në operën e famshme “La Bohème” të Giacomo Puccinit. Paraqitja e saj shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të artistes, transmeton albinfo.ch.

E njohur për zërin e kultivuar dhe interpretimet e roleve të mëdha operistike, Llugiqi e konsideron këtë rol si një nga më të dashurit për të. Sipas saj, Mimi i përshtatet natyrshëm vokalit dhe interpretimit të saj, ndërsa tematika emocionale e veprës e bën rolin edhe më të veçantë.

“Është një hap shumë i rëndësishëm për mua, një mundësi për të dëshmuar punën dhe për të hapur bashkëpunime të reja artistike”, ka thënë sopranoja.

Opera “La Bohème” do të shfaqet më 26 shkurt, nën drejtimin muzikor të dirigjentit Daniel Jinga dhe me regji të Ionel Pantea. Llugiqi do të interpretojë përkrah tenor it rumun Andrei Petre, ndërsa në role të tjera do të paraqiten artistë të njohur të operës rumune.

Roli i Mimisë është një nga figurat më ikonike të repertorit operistik botëror, që kërkon kombinim të ndjeshmërisë emocionale dhe teknikës vokale. Llugiqi e ka interpretuar këtë rol në skena të ndryshme ndërkombëtare që nga debutimi i saj pas fitimit të çmimit “Grand Prix” në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari.

Artistja kosovare njihet edhe për interpretimin e roleve të rëndësishme si Violetta në “La Traviata”, Donna Elvira në “Don Giovanni” dhe Lucia në “Lucia di Lammermoor”.

Debutimi në Operën Shtetërore të Bukureshtit konsiderohet jo vetëm sukses personal për Llugiqin, por edhe një promovim i artit operistik kosovar në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch 

Distria Krasniqi rikthehet në Paris, synon medaljen e dhjetë

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi do të rikthehet këtë të shtunë në një nga arenat më të njohura për të, kur të garojë në Grand Slamin e Parisit, një prej garave më prestigjioze të xhudos botërore, përcjell albinfo.ch.

Krasniqi ka një histori të jashtëzakonshme në kryeqytetin francez, ku deri më tani ka fituar nëntë medalje. Tetë prej tyre i ka siguruar pikërisht në Grand Slamin e Parisit, ndërsa medaljen e nëntë – të argjendtë – e fitoi në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Edhe pse gara olimpike u zhvillua në një arenë tjetër, atmosfera madhështore e publikut parisien mbeti e njëjtë.

Grand Slami i Parisit mbahet tradicionalisht në “Bercy Arena”, ku zakonisht mblidhen mbi 15 mijë shikues. Distria e përjetoi për herë të parë këtë atmosferë në vitin 2014, kur në debutim u rendit e pesta, rezultat që u konsiderua i jashtëzakonshëm për një xhudiste të re. Të njëjtin plasman e arriti edhe në vitin 2015, ndërsa në vitin 2016 nuk mori pjesë.

Medaljen e parë në këtë garë Krasniqi e fitoi në vitin 2017, kur u stolis me të bronztën. Ajo përsëriti suksesin edhe në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 arriti në finale dhe fitoi medaljen e argjendtë. Në vitin 2020, për herë të parë në Paris, ajo fitoi medaljen e artë.

Pas mungesës së ekipit kosovar në edicionin e vitit 2021, Distria u rikthye fuqishëm duke fituar medalje të argjendtë në vitin 2022 dhe të artë në vitet 2023 dhe 2024. Në edicionin e fundit, ajo fitoi medalje bronzi. Bilanci i saj në këtë garë prestigjioze përfshin tri medalje të arta (2020, 2023, 2024), dy të argjendta (2019, 2022) dhe tri të bronzta (2017, 2018, 2025).

Në edicionin e sivjetmë, Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo do ta nisë garën nga raundi i dytë, ku do të përballet me fituesen e duelit mes Alicia Marques nga Franca dhe Tereza Bodnarova nga Çekia. Sipas pritshmërive, ajo mbetet një nga pretendentet kryesore për medalje.

Në Grand Slamin e Parisit marrin pjesë gjithsej 488 xhudistë nga 78 shtete të botës. Kosovën, përveç Distrisë, e përfaqësojnë edhe Erza Muminoviq (deri 48 kg), Fationa Kasapi (52 kg), Flaka Loxha (57 kg), Laura Fazliu (63 kg) dhe Akil Gjakova (73 kg), të cilët do të garojnë po ashtu të shtunën.

Pretendentë seriozë për medalje konsiderohen edhe Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, ndërsa garuesit e tjerë synojnë paraqitje sa më të suksesshme.

Trajneri i ekipit të Kosovës, kryemjeshtri Driton Kuka, e ka vlerësuar Grand Slamin e Parisit si një nga garat më të forta në kalendarin e xhudos botërore.

“Është gara më e fortë e xhudos, pas Kampionatit Botëror. Marrim pjesë gjithmonë për shkak të rëndësisë që ka. Synojmë paraqitje të mira, siç kemi bërë vazhdimisht. Megjithatë, fokusi ynë këtë vit mbetet Kampionati Evropian, Botërori dhe fillimi i ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike 2028, i cili nis në qershor”, ka deklaruar Kuka.

Remitancat drejt Shqipërisë në rritje, pritet vit rekord me mbi 1 miliard euro

Paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë drejt familjeve të tyre po vijojnë të rriten me ritme të qëndrueshme, duke reflektuar valën e re të emigracionit dhe zgjerimin e destinacioneve të punësimit jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, remitancat arritën në 817 milionë euro gjatë periudhës janar–shtator 2025, duke shënuar një rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bazuar në këtë trend, pritet që viti 2025 të mbyllet me mbi 1 miliard euro remitanca, duke u renditur ndër vitet me nivelin më të lartë të prurjeve financiare nga diaspora.

Rritja është vërejtur veçanërisht gjatë tremujorit të tretë, kur tradicionalisht regjistrohen flukse më të larta për shkak të kthimit të emigrantëve gjatë sezonit veror. Vetëm në muajt korrik–shtator, në Shqipëri janë dërguar rreth 285 milionë euro, ose 8.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Trend rritës i remitancave është evident që nga viti 2013 dhe lidhet kryesisht me emigracionin e shtuar pas vitit 2015. Megjithëse gjatë vitit 2020 u regjistrua një rënie e përkohshme për shkak të pandemisë, prurjet financiare nga jashtë u rikthyen shpejt në rritje. Në nëntë muajt e parë të vitit 2024, për herë të parë u tejkalua shifra prej 800 milionë eurove, duke krijuar bazën për nivele edhe më të larta në vitet pasuese.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2022–2023 janë dhënë rreth 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, që nga viti 2008, afro 920 mijë shqiptarë kanë përfituar leje qëndrimi, duke rritur potencialin për dërgimin e remitancave drejt Shqipërisë.

Ekspertët e tregut vlerësojnë se Greqia dhe Italia vijojnë të mbeten burimet kryesore të remitancave, megjithatë vitet e fundit po rritet ndjeshëm pesha e vendeve si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ku është shtuar numri i emigrantëve shqiptarë.

Banka e Shqipërisë i përfshin remitancat në llogarinë korrente të bilancit të pagesave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar (BPM6). Llogaritjet bazohen në të dhënat e sistemit bankar, raportimet e institucioneve financiare dhe anketa periodike tek familjet përfituese, me qëllim pasqyrimin sa më të saktë të flukseve financiare nga diaspora.

Me ritmet aktuale të rritjes, remitancat pritet të konfirmojnë edhe këtë vit rolin e tyre si një nga burimet kryesore të mbështetjes ekonomike për familjet shqiptare dhe për ekonominë e vendit në tërësi. /Albinfo.ch

Vendoset pllaka përkujtimore për nder te Lasgush Poradecit në Graz të Austrisë

Poeti i njohur shqiptar, Lasgush Poradeci, kishte kaluar afër dhjetë vite në Graz të Austrisë. Ai konsiderohet si një nga lirikët më të shquar te letërsisë shqiptare, shkruan albinfo.at

Me zbulimin e pllakes përkujtimore, me 5 shkurt, në Klosterwiesgasse 74, në një ndërtesë në pronësi tashmë të kompanisë „Grawe“, qyteti i Graz-it nderon poetin shqiptar Lasgush Poradeci, i cili kaloi një pjesë formuese të jetës së tij në Graz. Poeti shqiptar jetoi dhe studioi në Graz për rreth dhjetë vjet (1927 deri më 1934) dhe mori doktoraturën nga Universiteti Karl-Franzens në vitin 1933. Veprat e Poradecit, karakterizohen nga bukuria gjuhësore, thellësia intelektuale dhe imazhet simbolike. Në Graz, Poradeci gjeti jo vetëm një vend për të studiuar, por edhe një mjedis intelektual që ndikoi thellësisht në veprën e tij letrare, njofton albinfo.at

Në zbulimin e pllakës përkujtimore, kryetarja e bashkisë, Elke Kahr, vlerësoi jetën dhe veprën e poetit, si dhe lidhjen e tij të ngushtë me Graz-in. Kahr dhe këshilltarja e qytetit Claudia Unger theksuan lidhjet e ngushta midis Shqipërisë dhe Grazit në fjalën e tyre: “Kjo pllakë është menduar gjithashtu si njohje për njerëzit nga Shqipëria që jetojnë këtu sot.” ka thënë, Elke Kahr. Drejtori Menaxhues i Grawe, Manfred Stranz, ishte i kënaqur që e bëri të mundur këtë vepër: “Jemi të kënaqur që pllaka tani varet në njërën nga ndërtesat tona“, ka thënë ai.

Vendosja e pllakave përkujtimore në vendet ku kanë jetuar ose punuar personalitete shqiptare në Austri, ka qenë një nga prioritetet kryesore në fushën e artit, kulturës dhe kujtesës shqiptare, të përcaktuara nga Ambasadori Velaj që në fillim të ushtrimit të kësaj detyre.

Ambasadori Fate Velaj: “Disa ngjarje në histori nuk vijnë nga rastësia. Historia i thërret vetë ato.

Unë jam mirënjohës qytetit të Graz-it që i hapi dyert djalit tonë, i cili u kthye në eksportin më të rëndësishëm të kohës në Austri, si dhe sot kryetares së Bashkisë së Graz-it që e mundësoi këtë përkujtim të tij….

Së fundmi më duhet të them se ky qytet ka qenë krahëhapur jo vetëm për Lasgush Poradecin, por edhe për një brez të tërë shqiptarësh që erdhën pas viteve 1991 dhe që sot janë pasqyra e ndriçuar e vlerave më të mira të vendit tim, vlera që, në thelb, Lasgushi i shpalosi i pari, ka thënë Ambasadori Velaj, raprton albinfo.at

Gjatë ceremonisë u lexuan gjithashtu poezi nga vepra e poetit të shquar, Llazar Sotir Gusho, i njohur si Lasgush Poradeci/Albinfo.at 

 

Aksident i rëndë në Prishtinë, një i lënduar dhe tetë automjete të dëmtuara

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pak para mesnatës në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Sipas saj, një automjet ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, përveç dëmtimeve në automjetin e përfshirë, janë dëmtuar edhe tetë vetura të tjera që ishin të parkuara pranë një qendre tregtare në lagjen Kalabria.

Policia ka bërë të ditur se njësitet përkatëse të trafikut rajonal janë duke u marrë me hetimin e rrethanave të aksidentit.

Ligji i ri në Kroaci hap më shumë mundësi për punëtorët nga Kosova

Politikania nga Kosova, Ermina Lekaj, ish-deputete e Kuvendit të Kroacisë, ka bërë të ditur se ndryshimet e reja në Ligjin për të Huajt në Kroaci për periudhën 2025–2026 pritet të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës dhe qëndrimit për punëtorët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, ndryshimet synojnë lehtësimin e procedurave administrative, rritjen e sigurisë ligjore për punëtorët e huaj dhe forcimin e kontrollit ndaj punëdhënësve.

Leje më afatgjata pune dhe qëndrimi

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kohëzgjatjen e lejes së punës dhe qëndrimit. Nëse më parë kjo leje jepej zakonisht për një vit, tashmë mund të lëshohet deri në tre vjet, në rastet kur kontrata e punës është afatgjatë.

Mundësi për ndërrim punëdhënësi

Ligji i ri parashikon që punëtorët e huaj, pas një periudhe pune në Kroaci, të kenë mundësinë të ndërrojnë punëdhënësin pa qenë të detyruar të largohen nga vendi, përderisa vazhdojnë të punojnë në të njëjtin profesion.

Lehtësime për profesionet deficitare

Për sektorë ku ka mungesë të fuqisë punëtore, si turizmi, ndërtimtaria, bujqësia dhe shërbimet e pastrimit, nuk do të kërkohet domosdoshmërisht përvojë pune apo kualifikim formal, duke synuar mbulimin e nevojave të tregut të punës.

Barazi në paga dhe kushte pune

Ndryshimet ligjore theksojnë se punëtorët e huaj duhet të kenë të njëjtën pagë si punëtorët kroatë për të njëjtën punë. Gjithashtu, në rast se punëdhënësi ofron strehim, ai duhet të plotësojë standardet e përcaktuara dhe të jetë i kontrollueshëm nga autoritetet.

Afat për gjetjen e punës së re

Në rast ndërprerjeje të kontratës së punës, punëtorët e huaj nuk do të jenë të detyruar të largohen menjëherë nga Kroacia. Ligji parashikon një periudhë tranzitore për të gjetur punë të re, e cila pritet të zbatohet më qartë nga viti 2026.

Zgjerimi i EU Blue Card

Ndryshimet përfshijnë edhe zgjerimin e vlefshmërisë së EU Blue Card deri në katër vjet. Ajo mund të merret jo vetëm me diplomë universitare, por edhe në bazë të përvojës profesionale, veçanërisht në sektorë si teknologjia e informacionit.

Kontroll më i rreptë ndaj punëdhënësve

Nga viti 2026, punëdhënësit do të jenë të obliguar të raportojnë menjëherë ndërprerjen e kontratës së punës. Gjithashtu, do të forcohen kontrollet ndaj shkeljeve ligjore, ndërsa punëdhënësit që abuzojnë me punëtorët e huaj mund të përballen me ndalime për punësimin e tyre në të ardhmen.

Ndryshimet e reja synojnë të krijojnë një sistem më transparent dhe më të sigurt për punëtorët e huaj, duke kontribuar njëkohësisht në plotësimin e nevojave të tregut të punës në Kroaci. /Albinfo.ch

Dy vajza shqiptare nga Kosova shpëtohen nga zjarri në Strasbourg

Një incident zjarri në një ndërtesë banimi në Strasbourg të Francës rrezikoi jetën e disa banorëve, ndërsa dy vajza të reja arritën të shpëtohen nga banesa e përfshirë nga tymi dhe flakët, transmeton albinfo.ch.

Referuae autoriteteve franceze, zjarri ka shpërthyer në një apartament në katin e poshtëm të ndërtesës, ndërsa dyshohet se është shkaktuar qëllimisht nga banorja e asaj banese, e cila më pas është larguar nga vendngjarja. Hetimet paraprake kanë çuar në arrestimin e saj.

Si pasojë e përhapjes së shpejtë të tymit dhe flakëve, rreziku u shtri edhe në apartamentin e një familjeje me origjinë nga Gjilani, ku në momentin e incidentit ndodheshin dy vajza, të moshës 13 dhe 21 vjeç, transmeton tutje albinfo.ch.

Prindërit e tyre nuk ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit të zjarrit. Pas njoftimit për incidentin, babai i vajzave është kthyer në ndërtesë dhe ka arritur t’i nxjerrë ato nga banesa para se situata të përkeqësohej.

Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, policia dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilat kanë ofruar ndihmë mjekësore për familjarët, pasi kishin vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Sipas informacioneve zyrtare, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar se e dyshuara për zjarrvënie është ndaluar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim. Gjatë kontrollit në banesën e saj, raportohet se janë gjetur edhe shtatë mace të ngordhura nga zjarri, një detaj tronditës që ka thelluar dyshimet e policisë dhe prokurorisë franceze. /Albinfo.ch

Babai i viktimës së Crans-Montana kërkon përjashtimin e prokurorëve

Në procedurat penale në lidhje me katastrofën e zjarrit në Crans-Montana, një palë civile ka paraqitur një mocion për të përjashtuar të pesë prokurorët e përfshirë në çështje. Mocioni thuhet se është paraqitur nga një avokat që përfaqëson babanë e njërës prej viktimave.

Mocioni argumenton se prokurorët kanë bërë lëshime dhe gabime serioze në kryerjen e procedurave, transmeton albinfo.ch. Paditësi pretendon se kjo ngre dyshime në lidhje me qëllimet e prokurorëve për të kryer siç duhet hetimin penal, raporton RTS (Radiotelevizioni i Zvicrës Franceze).

Kritikat ndaj gjyqësorit u ngritën që në javën e parë pas katastrofës së Vitit të Ri. Një avokat kërkoi emërimin e një hetuesi të posaçëm.

Megjithatë, zyra e prokurorit publik të Valisit e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Në parakalimin e Zvicrës mungon ekipi i hokejit në akull për femra

Flamuri i madh zviceran mbahet nga Nino Niederreiter në stadiumin San Siro. Atletët e tjerë mbajnë gjithashtu flamuj më të vegjël.

Pajisjet janë nga Ochsner Sport dhe janë projektuar nga projektuesja zvicerane Madeleine Albrigh. Eksperti Jeroen van Rooijen e konsideron dizajnin mesatar. “Sigurisht që nuk është i keq, por nuk është një dizajn inovativ.”

Ekipi Zviceran i Hokejit në Akull për Femra nuk mori pjesë në ceremoninë e hapjes

Megjithatë, ekipi i hokejit në akull për femra nuk do të marrë pjesë, siç njoftoi federata mes festimeve në Milano. “Një anëtare e ekipit kombëtar zviceran të hokejit në akull për femra rezultoi pozitive për norovirus mbrëmë,” shkroi federata në një deklaratë.

“Rezultati pozitiv i testit të atletes u kthye vetëm pas fitores së sotme hapëse kundër Republikës Çeke dhe pak para ceremonisë së hapjes. Atletja e prekur është vendosur në një dhomë të vetme që kur mbërriti në Fshatin Olimpik të hënën, 2 shkurt 2026, dhe është izoluar nga ekipi që nga fillimi i simptomave.”

Atletja e prekur tani është pa simptoma, vazhdoi federata. “Si masë paraprake, ekipi u izolua pas ndeshjes në konsultim të ngushtë me ekipin mjekësor në vend dhe pas konsultimit me ekspertë. Deri më tani, asnjë lojtar tjetër zviceran nuk po shfaq simptoma.”

Pas rastit Ameti: Liberalët e Rinj të Gjelbër kërkojnë heqjen e ligjit për blasfeminë

Pas dënimit të aktivistes Sanija Ameti për të shtënën në një imazh të Virgjëreshës Mari, Liberalët e Rinj të Gjelbër po bëjnë thirrje për heqjen e ligjit për blasfeminë. Kritikimi dhe tallja e feve duhet të jetë e mundur në një demokraci liberale, kanë shkruar në një deklaratë të premten Liberalët e Rinj të Gjelbër (JGLP), transmeton albinfo.ch.

Një demokraci e fortë duhet të tolerojë provokime të tilla si të shtënat në imazhet e Virgjëreshës Mari, djegia e Kuranit ose shfaqja e karikaturave të Muhamedit pa i kriminalizuar ato, shkruan sda.ch.

Ish-politikania e GLP-së, Ameti, qëlloi në një imazh të Virgjëreshës Mari rreth një vit e gjysmë më parë. Gjykata e Qarkut e Cyrihut e dënoi atë me një gjobë me kusht në fund të janarit.

Klauzola e parë e nenit 261 të Kodit Penal Zviceran ndalon denigrimin, talljen ose fyerjen e një feje, përcjell albinfo.ch. JGLP po bën thirrje që ky nen të shfuqizohet.

Organizatat fetare dhe figurat autoritare janë përmbajtur nga përdorimi i këtij instrumenti ligjor. Megjithatë, gjyqi tregon se ndalimi i ekstremistëve po keqpërdoret për qëllime politike.

Partia thekson se sulmet personale, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes kundër grupeve fetare duhet të mbeten vepra penale. Akte të tilla mbulohen nga vepra të tjera penale dhe nuk nënvlerësohen në asnjë mënyrë.

Parakalon ekipi olimpik i Shqipërisë në Milano-Cortina 2026

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka publikuar videon nga momenti i parakalimit të ekipit shqiptar në ceremoninë e hapjesë së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 dhe ka uruar 4 skiatorët përfaqësues të vendit tonë.

“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026. Suksese Lara, Denni, Lisa dhe Semire, TeamAlbania”, shkruan Rama.

Për Shqipërinë, emocionet janë të veçanta pasi vendi ynë përfaqësohet nga 4 skiatorë, Lara Colturi, Deni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

RTSH transmeton ekskluzivisht ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, duke sjellë për publikun shqiptar çdo emocion të spektaklit olimpik.

Ekipi i Kosovës parakaloi në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026

Ekipi përfaqësues i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 të premtën në mbrëmje. Në këtë edicion, Kosova përfaqësohet nga dy skitarë alpikë: Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, të cilët e kanë bartur edhe flamurin e Kosovës.

Kryeziu dhe Kokaj kanë marrë pjesë në paradën e sportistëve gjatë ceremonisë hapëse, ku ishte i pranishëm edhe ekipi i Shqipërisë, i përbërë nga katër skitarë të disiplinave alpike: Lara Colturi, Deni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të debutojë në disiplinën e sllallomit.

Në mbështetje të sportistëve kosovarë kanë qenë përzgjedhësi Agim Pupovci, trajneri i Kianës Visar Kryeziu, si dhe shefi i misionit Jeton Rudari, të cilët do t’i shoqërojnë gjatë gjithë garave.

Ceremonia hapëse, e cila është transmetuar drejtpërdrejt në RTK, është zhvilluar në stadiumin “San Siro” në Milano dhe ishte e ndërtuar rreth temës “Armonia”, duke bashkuar muzikën, artin dhe kulturën italiane. Në skenë kanë performuar artistë të njohur botërorë si Mariah Carey, Andrea Bocelli, Laura Pausini dhe pianisti Lang Lang.

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 marrin pjesë rreth 2.800 sportistë nga 92 shtete, të cilët garojnë në 116 evente, në kuadër të 8 sporteve dhe 16 disiplinave. Garat zhvillohen në disa lokacione, përfshirë Milano, Cortina, Livigno, Bormio dhe Val di Fiemme.

Radio Televizioni i Kosovës do ta transmetojë ekskluzivisht këtë ngjarje për territorin e Kosovës, me mbi 125 orë program olimpik, nga data 6 deri më 22 shkurt, duke sjellë drejtpërdrejt çdo emocion nga Lojërat Olimpike Dimërore.

Procesi gjyqësor për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 16 shkurt 2026 për seancën e radhës në gjykimin për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Këtë e ka konfirmuar për “RTKLive” zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

Për këtë sulm akuzohen vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke çuar në ndërprerjen e seancës.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 ndaj tre të akuzuarve për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Albakult feston Pavarësinë e Kosovës ne Ostermundigen

Shoqnia Kulturore Albakult organizon një mbrëmje festive për të shënuar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke bashkuar komunitetin shqiptar në Zvicër rreth kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar.

 

E njohur për përkushtimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare në diasporë, Albakult vazhdon të jetë një urë lidhëse mes brezave, duke mbajtur gjallë këngën, vallen dhe shpirtin atdhetar edhe larg vendlindjes.

 

Mbrëmja do të pasurohet me një program artistik të veçantë, ku marrin pjesë:

Shoqata Atdheu – Thun, mysafirë të ftuar me paraqitje artistike

Adnan Daci, i ftuar special i mbrëmjes

Përfaqësues të shoqatave dhe grupeve aktive të komunitetit shqiptar në Zvicër

Vendi: Kulturzentrum Tell, Bernstrasse 101, 3072 Ostermundigen

Data: 14 shkurt 2026

Ora: 18:00 – 00:00

Hyrja: 20 CHF

Kontakt: 076 214 18 32

Një mbrëmje nën shenjën e bashkimit, krenarisë dhe festës, ku flamuri kuqezi dhe ai i Kosovës valëviten për të kujtuar rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.

Albakult fton të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e kësaj feste të përbashkët.

Kushtrim Gashi sjell muzikën klasike shqiptare në Emmendingen

Shoqata kulturore Die Sterne Kosovas (Yjet e Kosovës) fton në një koncert me muzikë shqiptare të dielën, më 8 shkurt, në ZfP Festhalle në Emmendingen. Kushtrim Gashi do të prezantojë Ansamblin Kamertal.

Shoqata e përmendur është themeluat në vitin 2008 në Emmendingen, ndërsa në vitin 2009 festoi për herë të parë përvjetorin e saj në Festhalle të Qendrës për Psikiatri (ZfP). Për kryetarin Tahir Shabani, fakti që koncerti i ansamblit të ri zhvillohet pikërisht në këtë vend, 17 vjet pas festës së parë të shoqatës, ka edhe një domethënie nostalgjike, transmeton albinfo.ch gazetën gjermane Badische Zeitung.

Kjo erdhi si rezultat i një zhvillimi të natyrshëm: dy vite më parë, Sonja Schieting, përgjegjëse për integrim në ZfP, kishte kontaktuar Shabanin – i cili gjithashtu punon aty – për një program kulturor për punonjësit. Planifikimet kishin nisur. Më pas erdhi kërkesa nga ansambli i ri. Për Tahir Shabanin, kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të sjellë një ansambël profesionist, i cili do të interpretojë muzikë klasike shqiptare, siç tregon ai me entuziazëm.

Ansambli është themeluar tre muaj më parë nga kompozitori dhe dirigjenti Kushtrim Gashi. Ai nuk është i panjohur në Emmendingen: së fundmi, në nëntor 2024, ai ishte mysafir në Steinhalle me Orkestrën Rinore Simfonike të Kosovës, me rreth 40 anëtarë.

Për Ansamblin Kamertal, Gashi ka bashkuar muzikante dhe muzikantë shqiptarë; disa prej tyre i njeh nga studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Shumica jetojnë sot në rajonin e Darmstadt-it, ndërsa Artida Bakija vjen nga Zvicra.

Vetë Gashi jeton që nga viti 2011 në Darmstadt, ku ka studiuar edhe për kompozim. Sipas Gashit, muzika dhe arti krijojnë ura lidhëse – dhe pikërisht kjo e lidh atë me Tahir Shabanin. Që nga viti 2010, Shabani ka organizuar për Die Sterne Kosovas ekspozita të artistëve figurativë; e para u mbajt në Fondacionin Metzger-Gutjahr.

Artistët pjesëmarrës fillimisht ishin pak të njohur – kjo ka ndryshuar me kalimin e kohës: u zhvilluan ekspozita të tjera, edhe në bashkëpunim me artistë vendas.

Një efekt të ngjashëm, Shabani e dëshiron edhe për muzikantet dhe muzikantët shqiptarë.

Ata që kanë ndjekur koncertin e Orkestrës Rinore mund të gëzohen për një rikthim të veprave të kompozitorëve shqiptarë; atëherë programi përbëhej rreth 60 për qind nga muzikë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër ishte muzikë gjermane dhe ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch. Publiku, megjithatë, kërkoi më shumë muzikë klasike shqiptare, siç tregon Shabani.

Kësaj dëshire tani i përgjigjet Ansambli Kamertal. Megjithatë, në program është përfshirë edhe një kompozitor gjerman, Johannes Brahms – Vallja Hungareze nr. 5, plot energji, përshtatet në mënyrë të përkryer me veprat e dhjetë kompozitorëve shqiptarë të shekullit XX.

Ansambli përbëhet nga: Delina Hajra Gashi, soprano Kelvina Karaj, violinë Fidan Osmani, klarinetë Endrit Berisha, violonçel Artida Bakija, flaut dhe okarinë Kushtrim Gashi, drejtues i ansamblit dhe piano. Koncerti do të mbahet të dielën, më 8 shkurt, duke filluar nga ora 13:00, në Festhalle të Qendrës Psikiatrike në Emmendingen.

Kjo orë është zgjedhur enkas për t’u dhënë mundësi pjesëmarrjeje edhe familjeve me fëmijë të vegjël. Pas një pauze të shkurtër, në ora 14:30 do të performojë grupi i vallëzimit për fëmijë i shoqatës Die Sterne Kosovas.

Individët dhe përfaqësuesit e mëposhtëm kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në eventin në ZfP Festhalle më 8 shkurt 2026: Z. Joachim Saar, Zëvendëskryetar Bashkie; Z. Martin Horn, Kryetar Bashkie i Freiburgut; Znj. Donika Gërvalla-Schwarz, Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës; Stefanie Wernet, kandidate e CDU-së për parlamentin e shtetit – zona zgjedhore Emmendingen; dhe Ardian Krasniqi, boksier profesionist gjerman i peshave të lehta, kampion në fuqi i WBO-së në kategorinë ndërkontinentale, aktualisht i renditur i 11-ti në renditjen botërore të WBO-së.

Më pas do të ketë edhe shërbim ushqimi dhe pije. Hyrja është falas, ndërsa donacionet janë të mirëpritura. Nëse ka ende vende të lira, edhe mysafirët pa paralajmërim janë të mirseardhur

18 vjeçari ngjitet mbi tren, vdes nga goditja elektrike

Një “surfer” 18-vjeçar u godit nga rryma elektrike dhe u plagos për vdekje të enjten në mbrëmje në Beinwil am See, Aargau. Shoku i tij 17-vjeçar, i cili ishte ngjitur gjithashtu në çatinë e trenit Seetalbahn, shpëtoi pa lëndime.

Policia kantonale e Aargaut u njoftua në orën 7:30 të mbrëmjes se dy surferë treni ishin ngjitur në çatinë e një treni në linjën hekurudhore SBB midis Beinwil am See dhe Mosen, Lucernë, transmeton albinfo.ch. Sipas gjetjeve fillestare, dy të rinjtë kishin hipëur në tren në stacionin e Lenzburgut, njoftoi policia kantonale të premten.

18-vjeçari iu ishte afruar shumë komponentëve elektrikë të trenit dhe për pasojë pësoi një goditje elektrike fatale. Kjo goditje e fuqishme e hodhi atë nga çatia e trenit në lëvizje.

Shoku i tij 17-vjeçar nuk u lëndua në incident. Një ekip kujdesi i ofroi mbështetje në vendngjarje, shkruam sda.ch.

Policia kantonale ka nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit. Zyra e prokurorit publik ka hapur një hetim.

Për operacionin e rikuperimit, si linja hekurudhore ashtu edhe rruga kryesore midis Beinwil am See dhe Mosen u mbyllën për disa orë. Përveç policisë kantonale të Aargau-t, zyrtarë nga policia rajonale e Aargau-t Jugor dhe policia e Lucernit u përfshinë në operacion. Një ambulancë dhe personel nga brigada e zjarrfikësve të Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB) ishin gjithashtu në vendngjarje.

Ekziston rreziku i vdekjes. Një incident i ngjashëm ndodhi më 24 janar në stacionin Zofingen në kantonin e Aargau-t. Një 17-vjeçar u ngjit në një vagon mallrash gjatë natës. Një goditje elektrike e goditi për vdekje adoleshentin.

Policia kantonale thekson se ekziston një rrezik ekstrem për jetën në afërsi të binarëve dhe linjave ajrore. Në asnjë rrethanë nuk duhet të hyni në zonat e binarëve ose të hipni në vagonët e trenave, përcjell albinfo.ch. Rreziku nga afrimi i trenave ose goditjet elektrike është gjithmonë i pranishëm.

Vetëm pak javë më parë një i ri në Kntonin e Solothurnit, me prejardhje nga Kosova kishte pësuar vdekje nga goditja elektrike gjatë ngjitjes në çati të trenit.

 

 

Çfarë dihet për përkatësinë kombëtare të banorëve të huaj të Cyrihut në vitin 2026

Popullsia e Cyrihut ka arritur një nivel të ri, por të dhënat zbulojnë gjithashtu informacione interesante rreth të huajve që e quajnë qytetin më të madh të Zvicrës “shtëpi”.

Pavarësisht më pak fëmijëve të lindur në qytet vitet e fundit (trendi i vërejtur edhe në vende të tjera të Zvicrës), më shumë njerëz se kurrë më parë – 452,421 – jetonin në qytetin e Cyrihut deri në fund të vitit 2025.

Gati 34 përqind (33.9, për të qenë të saktë) janë shtetas të huaj, nga 32.3 përqind pesë vjet më parë.

Kjo është ajo që del nga një analizë e re e publikuar nga zyra e statistikave të qytetit më 6 shkurt.

Çfarë tjetër zbulojnë këto të dhëna rreth banorëve të huaj të Cyrihut?

Ato renditin 10 kombësitë kryesore të përfaqësuara në qytet.

Nuk është çudi që, duke pasur parasysh si gjuhën ashtu edhe afërsinë gjeografike, gjermanët përbëjnë numrin më të lartë (32,600) të popullsisë së huaj të Cyrihut.

Ata pasohen nga njerëz nga Italia (18,106), Spanja (8,734), Portugalia (6,907), Franca (5,985), Austria (5,141), Greqia (3,804), Turqia (3,535), Polonia (3,419) dhe Eritrea (3,411).

Të gjithë jetojnë në Cyrih me një leje B ose C.

Ne gjithashtu e dimë se sa njerëz nga këto 10 vendet kryesore morën shtetësinë zvicerane në vitin 2024 – viti i fundit për të cilin këto statistika janë të disponueshme.

Edhe këtu, njerëzit nga Gjermania kryesojnë tabelën (1,385).

Shtetasit e Italisë vijnë më pas, me 258 qytetarë që morën pasaporta zvicerane, të ndjekur nga Spanja (171); Franca (154); Mbretëria e Bashkuar (96); Greqia (87); Hungaria, Rusia dhe Eritrea (81); dhe Polonia (78), shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Vini re se këta njerëz nuk shfaqen më në statistikat e Cyrihut për vitin 2025 nën kategorinë e “të huajve”, por llogariten me pjesën tjetër të popullsisë zvicerane.

Dhe duke folur për natyralizimin…

Shifrat nga dhjetori 2025 tregojnë se komunat në Cyrih po mbështeten gjithnjë e më pak në intervistat personale me aplikantët si pjesë e procedurës së shtetësisë zvicerane, duke preferuar në vend të kësaj të vlerësojnë integrimin e kandidatit nga letrat e tyre të motivimit.

Është një deklaratë personale që shoqëron aplikimin për natyralizim.

E shkruar në gjuhën zyrtare të kantonit ku jeton kandidati, ajo duhet të shpjegojë pse dëshiron të bëhet zviceran.

Për shembull, një letër e suksesshme detajon vlerësimin e kandidatit për vlerat zvicerane, mënyrën e jetesës dhe shoqërinë në përgjithësi.

Ajo gjithashtu duhet të përmendë përfshirjen ose aktivitetet e tyre vullnetare në punët e komunitetit tuaj – qoftë nëpërmjet një kori lokal, shkolle apo brigade zjarrfikëse.

Dhe ka më shumë lajme që lidhen me natyralizimin

Cyrihu ka shkallën e dytë më të lartë të natyralizimit në Zvicër pas Gjenevës, por ekzistojnë dallime në numra midis komuniteteve më të pasura dhe më pak të pasura.

Në fakt, ekzistojnë dallime të konsiderueshme bazuar në pasuri.

Komunat e pasura përreth Liqenit të Cyrihut – i ashtuquajturi “Bregu i Artë” – regjistrojnë më shumë aplikime, pavarësisht një përqindjeje të ulët të banorëve të huaj të kualifikuar.

Çfarë tregojnë studime të tjera rreth banorëve të huaj të Cyrihut?

Sipas një analize të re të publikuar nga qyteti në janar, çdo vit, rreth 40,000 njerëz largohen nga Cyrihu, dhe 55 përqind (22,000) janë shtetas të huaj.

Megjithatë, studimi nuk tregoi arsyet e zhvendosjeve.

Prandaj, nuk dihet nëse të huajt janë kthyer në vendet e tyre të origjinës apo thjesht janë zhvendosur diku tjetër brenda Zvicrës.

Gjykata e Apelit anulon paraburgimin për të dyshuarit për manipulime me vota në Prizren

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të paraburgimit ndaj D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.H., dhe G.P., të dyshuar për manipulim me vota në Prizren.

Përmes vendimit të marrë më 4 shkurt 2026 Apeli ka aprovuar pjesërisht si të bazuara ankesat e mbrojtjes së të pandehurve: D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., F.L., M.J., dhe G.P., avokatëve: Rinard Pulaj, Blerim Mazreku, Muhamet Shalaj, Hysen Gashi, Kushtrim Muqaj, Bekim Parallangaj, Xhelil Elshani dhe Valon Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kësaj gjykate, të pandehurit mbeten nën masën e paraburgimit deri në marrjen e një vendimi të ri.

Në vendimin e Apelit thuhet se Themelorja më 24 janar ua caktoi paraburgimin të pandehurve: D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.J., dhe G.P.

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishin paraqitur avokatët: Rinard Pulaj, Blerim Mazreku, Muhamet Shalaj, Hysen Gashi, Kushtrim Muqaj, Bekim Parallangaj, Xhelil Elshani dhe Valon Kabashi, transmeton albinfo.ch.

Avokati i D.Sh., Rinard Pulaj kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së të drejtës për liri dhe siguri të garantuar me Kushtetutë, shkeljes së dispozitave procedurale që garantojnë respektimin e të drejtës dhe gabimeve në fakte, të cilat kanë rezultuar me gjetje të gabuara nga ana e gjykatës lidhur me pretendimet për plotësim të kushteve për caktimin e paraburgimit.

Mbrojtja kishte propozuar që të ndryshohet aktvendimi i ankimuar dhe që masa e paraburgimit të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Mbrojtësi i J.H., avokati Blerim Mazreku kishte paraqitur ankesë për shkak të të gjitha bazave ankimore, duke i propozuar Apelit që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri, ose t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Mbrojtësi i A.L., avokati Hysen Gashi kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore të KPPK-së, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë më e butë sikurse është paraqitja në stacion policor.

Mbojtësi i S.B., avokati Muhamet Shalaj kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave të Kodit Penal, me propozim që t’i ndërpritet paraburgimi S.B.

Edhe avokati i F.Ll., Bekim Parallangaj kishte ushtruar ankesë për shkak të së drejtës për liri dhe siguri të garantuar me Kushtetutë, shkeljes së dispozitave procedurale që garantojnë respektimin e të drejtës dhe gabimeve në fakte, të cilat kanë rezultuar me gjetje të gabuara nga ana e gjykatës lidhur me pretendimet për plotësimin e kushteve për caktim të paraburgimit. Propozoi që të anulohet aktvendimi i ankimuar ose të zëvendësohet paraburgimi me ndonjë masë alternative.

Mbrojtësi i Q.K., avokati Kushtrim Muqaj kishte ushtruar ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave të KPPRK-së, duke propozuar ndryshimin e aktvendimit të ankimuar, t’i ndërpritet paraburgimi ose t’i zëvendësohet me ndnjë masë alternative sikurse është paraqitja në stacion policor.

Edhe mbrojtësi i G.P., avokati Valon Kabashi kishte ushtruar ankesë për shkak të shkelejeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.

Dhe mbrojtësi i M.J., avokati Xhemil Elshani kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që të ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet aktvendimi i ankimuar.

Gjetjet e Apelit:

Gjykata e Apelit gjen se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, lidhur me dyshimin e bazuar, në cilat prova mbështetet dyshmi i bazuar dhe arsyetimin e caktimit të kësaj mase.

Sipas Apelit, gjyqtarja e procedurës paraprake në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar nuk ka dhënë arsyet të qarta dhe konkrete mbi bazën e të cilave do të vërtetohej dyshimi i bazuar se nëntë të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat dyshohen, e që do të ishte edhe bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Rënia e udhëtimeve të zviceranëve drejt SHBA-së pritet të vazhdojë

Më pak turistë zviceranë po udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht kushteve optimale financiare, me dollarin në nivelin më të ulët kundrejt frangës që nga viti 2015, mbërritjet në Shtetet e Bashkuara nga Zvicra pritet të bien përsëri.

“Ne presim që mbërritjet nga Zvicra të bien me rreth 20-25% në vitin 2026, nën nivelin 300,000”, ankohet Heinz Zimmermann, kryetar i komitetit Visit USA (Vusa), i cili promovon Shtetet e Bashkuara si një destinacion turistik.

Vitin e kaluar, numri i udhëtarëve ra me 10.6% në 361,000. Për krahasim, para pandemisë, 474,550 njerëz vizituan Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.

“Faktorët racionalë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara – dollarë të ulët, bileta avioni tërheqëse – dhe faktorët emocionalë janë aktualisht në konflikt”, shpjegon ai. Kryesisht janë vizitorët e parë që hezitojnë, shumë prej tyre shtyjnë planet e tyre për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa të ashtuquajturit vizitorë “të përsëritur” vazhdojnë të kalojnë Atlantikun.

Të enjten, rreth njëqind agjenci udhëtimesh u mblodhën në Cyrih për të zbuluar destinacione dhe atraksione të ndryshme amerikane. I organizuar nga Visit USA, eventi u mundëson agjentëve të udhëtimit të mësojnë më shumë rreth klientëve të tyre dhe të përcjellin lajmet e fundit.

“Ne duam të qëndrojmë të pranishëm, pasi tregu zviceran është i rëndësishëm pavarësisht madhësisë së tij të vogël”, thotë Zimmermann, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch. Në situatën aktuale, ky është një investim afatgjatë.

Midis ekspozuesve, një hidhërim i caktuar është i dukshëm. “Imazhi i Shteteve të Bashkuara është përkeqësuar në mënyrë dramatike dhe politikat e Trump po kanë një efekt shkatërrues në turizmin ndërkombëtar”, tha David O’Donnell, nënkryetar i komunikimit në Meet Boston, zyra e turizmit për rajonin.

Situata bëhet edhe më frustruese nga fakti se qytetet kryesore në Bregun Lindor, përfshirë Bostonin, janë në tërësi më progresive dhe kundërshtojnë politikat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump. “Rajoni ynë është shtëpia e disa prej institucioneve kryesore arsimore dhe kërkimore në botë, dhe është një pjesë kyçe e identitetit tonë”.

Bostoni mirëpret rreth 25,000 vizitorë zviceranë çdo vit, shumica (75%) për qëllime argëtimi. Fuqia blerëse e këtyre udhëtarëve i bën ata një klientelë të njohur.

“Vizitorët zviceranë shpenzojnë rreth 295 dollarë (230 CHF) për person në ditë, pa përfshirë hotelin dhe biletat e avionit”, tha O’Donnell.

Qyteti do të përfitojë nga statusi i tij si qytet pritës për Kupën e Botës në futboll këtë verë. “Ne ende kemi disa vende të lira për verën, për ata që duan të ndiejnë emocionet e qytetit”, tha O’Donnell. Megjithatë, Bostoni dëshiron të pozicionohet si një destinacion për katër stinët, dhe në veçanti ka zgjeruar aktivitetet e tij gjatë sezonit të dimrit.

Është e vështirë të marrësh përgjigje të sakta nga linjat ajrore mbi gjendjen e rezervimeve të verës. Edelweiss pranon, megjithatë, se “rezervimet për Shtetet e Bashkuara aktualisht po dëshmohen më të vështira”, thotë një zëdhënës. “Duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, po shohim një rënie të përgjithshme të rezervimeve, veçanërisht midis udhëtarëve zviceranë. Meqenëse shumica e destinacioneve tona në Shtetet e Bashkuara shërbehen vetëm nga pranvera ose vera e tutje, shifrat aktuale të rezervimeve janë ende relativisht të ulëta. Prandaj, në këtë kohë nuk është e mundur të jepet një vlerësim përfundimtar për sezonin e verës”, shtoi ai.

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë