Kosova

Escobar: Deri nesër kohë për zgjidhjen e situatës në veri

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të arrihet më se largu deri të mërkurën, shkruan Zëri i Amerikës.

Këto komente emisari amerikan i bëri pas takimeve që pati me presidenten e Kosovës dhe partitë opozitare në Kosovë, takime në të cilat ishte pjesëmarrës edhe i dërguari i posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Escobar afatin kohor e dha pasi që tha se të premten ai dhe Lajçak duhet t’u raportojnë udhëheqësve të tyre nëse ishin të suksesshëm apo jo, ndërsa paralajmëroi pasoja në rast dështimi.

“Për Kosovën do të dërgojë një sinjal të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne dhe mendoj se kjo do të ishte për keqardhje. Meqë ra fjala, jo Kosova, por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk e shohim këtë si një ndikim afatgjatë në marrëdhënien tonë, por veprimet e ndërmarra ose jo mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë një pjesë të marrëdhënies”, tha Escobar, përcjell albinfo.ch.

Ai shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën janë në një tjetër nivel.

“Ne nuk i kemi të njëjtat marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk është kandidate për anëtarësim në NATO, ajo po kalon një kohë sfiduese në integrimin e vet evropian dhe ne prisnim që Kosova të jetë shumë më larg. Shuma e parave që ne i përdorim për të mbështetur institucionet tuaja, duke përfshirë sigurinë tuaj përmes KFOR-it, nënkupton që kemi një marrëdhënie tjetër. Kjo nuk do thotë që nuk e mbajmë Serbinë përgjegjëse për disa gjëra që po ndodhin dhe ua kemi bërë shumë të qartë se sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme”, u shpreh Escobar.

Emisari i SHBA-së po ashtu u shpreh se palët duhet të zbatojnë marrëveshjen e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, derisa bëri thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Zëri i Amerikës.

“Ne e dimë se si duhet të duket Asociacioni dhe e dimë si nuk duhet të jetë. Kemi nevojë të fillojmë tani. Mund ta kemi statutin në një ditë nëse duam. Nuk e kuptoj vonesën. Për mua, Kosova duhet ta përcaktojë veten jo nga Serbia, por nga vlerat e saj, nga marrëdhëniet e saj jo me 6 milionë banorë të Serbisë, por 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Dhe, ende sa herë flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, e tëra për çfarë duan të flasin është Serbia”, tha Escobar, përcjell albinfo.ch.