Koronavirusi: çast pas çasti

Hapen baret dhe restorantet në Greqi

Pas më shumë se dy muajve izolim, Greqia ka rihapur baret dhe restorantet, si edhe ka lejuar sërish udhëtimet me traget për turistët e brendshëm.

Të hënën, qeveria greke njoftoi hyrjen në etapën e katërt të luftës kundër pandemisë, me lehtësime të reja që synohet të shpëtojnë sezonin turistik të vendit.

Baret dhe restorantet rivunë në funksion ambientet e jashtme, duke respektuar rregullat e distancimit nga 70 centimetra deri 1,7 metra midis karrigeve, dhe një maksimum prej 6 klientësh për tavolinë. Rikthimi i një normaliteti të pjesshëm u mirëprit nga qytetarët dhe pronarët e restoranteve.

Me hapjen e bareve dhe restoranteve, Greqia ka rikthyer në punë 45 për qind të forcës së vet punëtore të goditur fort prej disa muajsh nga pandemia.

Megjithatë, jo të gjitha bizneset e tilla u rihapën këtë javë, pasi nuk e zotërojnë licensën për të ushtruar aktivitetin në ambientet e jashtme.

Hotelet sezonale pritet që të hapen nga e hëna që vjen për të vijuar më 15 qershor me fluturimet ndërkombëtare në aeroportin e Athinës dhe nga 1 korriku në aeroportet e gjithë vendit. Greqia numëron 2 mijë e 900 të infektuar dhe 172 viktima nga koronavirusi.