Kinema

Kosova, me dy filma në Festivalin e Stokholmit

Mësohet se në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Stokholm, që do të mbahet nga 10-21 nëntor, do të shfaqen 100 filma, nga 48 vende të ndryshme në kinema si dhe në mënyrë digjitale nëpërmjet Festival on Demand, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se në këtë festival të mirënjohur kësaj here merr pjesë edhe Kosova me dy filma: Perla filmike ”Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami dhe filmi ”Zgjoi” i Blerta Bashollit.

Vlen të theksohet se filmi ”Luaneshat e Kodrës” është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën. Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luana Bajrami. Ky film bën fjalë për rebelimin e tri vajzave të reja, të cilat po mendonin se ëndërrat dhe ambiciet e tyre po mbyteshin. Në këtë synim s’arrin kush t’i ndalojë, prandaj mendojnë se ka ardhur koha për ta ngritur zërin. Filmi është një debytim i guximshëm dhe plot kolorit i aktores Luana Bajrami, filmi i së cilës ishte nominuar për një Palm Queer në Festivalin e Filmit në Kanë në fillim të këtj viti.

Nga ana tjetër, filmi “Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet, por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngrisë lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.

Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i suksesshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.

Në një festival ndërkombëtar të filmit në Spanjë që u bë gjatë tetorit, filmi “Zgjoi” u nderua me dy çmime të rëndësishme.

Siç dihet filmi ”Zgjoi” është po ashtu kandidat i Kosovës për çmimin Oscars 2022.

Festivali i sivjetmë ndërkombëtar i filmit në Stokholm dallohet për numrin e madh të regjisoreve, gjithsej 43% janë regjisore.

Ky festival është edhe një rast i mirë për filmdashësit shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Stokholm me rrethinë, për të parë dy filma shqiptarë, gjë që shumë rrallë u bie të ndjekin ndonjë film shqiptar në kinematë e Stokholmit.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI