Kosova

Kosovë: Publikohen përgjime që pretendojnë se Mimoza Kusari ka folur me Radojçiqin, ajo e mohon

Portali i Kosovës Nacionale ka publikuar sot pjesën e parë të një përgjimi të bisedave të shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq. Në këto përgjime Nacionale pretendon se bëhet fjalë edhe për një bisedë mes Kusarit me Milan Radojiçiqin.

PJESË NGA BISEDA:

Slavko: “Ti e di që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje”

Mimoza: “Dy tre minuta”

Slavko: “Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energjinë në veri, a e mban mend”

Slavko: “Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe çfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë… disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.”

Mimoza: “E kush është kryesori, Rakiq apo?”

Slavko: “Milani bre është kryesori, po çfarë Rakiqi, i cili është veç kryetar i Listës Serbe dhe anëtar i Qeverisë, ama kur të vjen puna për me marrë vendime, për këtë sene nuk ka nevojë as me më pyet sepse t’i kam shpejgu kur kemi bisedu… Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit”

Mimoza: “Pse po më thua mua?”

Slavko: “Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin edhe që kryeministri ka me shiku se për çka bëhet fjalë, që ka me folë edhe me ministren e Drejtësisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, a është qishtu? Pastaj kur e kemi pasë situatën me zgjedhjet, vetëm po të kthej pak në retrospektivë… edhe ti e ki pamjen e gjanë, asnjë palë zgjedhje nuk kishin me u ba në veri të vendit, mos t’ish kanë Millani edhe heqja e barrikadave, ai nuk është aspak person destruktiv për Kosovën…”

Slavko: “Ti e din që prej fillimit që e kemi pasë një raport partnerësh…, e tash ti mu po më pyet për këtë ligj kur na kena probleme më të mëdhaja.”

Mimoza: “E di Slavko, e di, ama tash krejt këto pika që janë në agjendë e ato nuk mund të hjekën nëse ne nuk votojmë ashtu siç kemi folë ose nëse qeveria nuk tërhiqet…”

Publikimi i këtij përgjimi dhe paralajmërimi i pjesëve të tjera ka shkaktuar reagim të opozitës.

Ndërsa protagonistja Mimoza Kusari Lila në një deklaratë për mediat ka mohuar të ketë folur me Radojçiqin derisa konfirmon bisedën me Simiqin.

Kusari ka deklaruar se në atë diskutim me Sllavko Simiqin e Listës Serbe kanë folur për tri projekt-ligje që pritej të silleshin në Kuvendin e Kosovës.

“Ka 15 muaj që Lista serbe nuk është pjesë e Kuvendit, nëse atyre po ju mungon e dinë ku i kanë adresat, në kohën kur kanë qenë pjesë e Kuvendit, komunikimi ka qenë tërësisht në bazë të komunikimit brenda Kuvendit, brenda seancës për agjenda…” – është shprehur ajo për Ekonomia Online.

“Pra krejt ka qenë në këtë kuptim, përderisa për aludimin e komunikimit të personit në fjalë për mua kontakt në Kuvendin e Kosovës kanë qenë dy përfaqësues, shefi i deputetëve Igor Simiq dhe Slavko Simiq, që tash e kanë treguar që përkundër përpjekjeve për çfarëdo normaliteti në kuptimin e përfaqësimit të interesave, ata kanë komunikim dhe sjellje abnormale, edhe këto supozime të një portali në veçanti, e tregojnë përpjekjen e dëshpëruar të tyre për të treguar një pamje tjetër për asaj se çfarë po ndodh në terren,” – u shpreh tutje shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Kusari deklaroi se nuk ka komunikuar asnjëherë me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiqin, përkundër që një gjë të tillë e pranon vetë në bisedën e përgjuar me Simiqin.

“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues institucionalë këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre. Ata e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin kur ai do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person,” vazhdoi tutje ajo.

Ajo publikimin e përgjimeve i quajti “përpjekje të dëshpëruara” për ta njollosur Qeverinë dhe pozitën.