Kosova

Lirohen nga paraburgimi tre të arrestuarit për aferën e rezervave shtetërore në Kosovë

Gjykata e Apelit në Kosovë ka marrë vendim për lirimin nga paraburgimi të dy zyrtarëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Haviz Gara, si dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, pasi më 18 gusht ishin arrestuar si të dyshuar për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.

Vendimi është marrë pasi që ka pranuar ankesat e mbrojtësve të të arrestuarve, shkruan albinfo.ch.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të pandehurve I.L., av. Durim Osmani dhe av. Feim Alaj, H. G., av. Bekim Kelani dhe R.M., av. Mahmut Halimi, NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PPPS.nr.35/2023 i datës 19.08.2023, ashtu që të pandehurve I.L., H.G .dhe R.M., u ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri, sot me datë 31.08.2023”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte caktuar atyre nga një muaj paraburgim, një ditë pasi ishin arrestuar teksa në lidhje me këtë çështje, ministrja Rozeta Hajdari kishte mbrojtur zyrtarët e arrestuar, teksa për biznesmenin Muharremi kishte thënë se nuk e di se si ndërlidhet me këtë rast.

Hajdari kishte pranuar se në qershor të këtij viti, MINT-i ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se “3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar”.