Kosova

Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, pësojnë studentët e Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, pasi pushteti nuk i ka numrat e opozita bojkoton votimin.

Njëra nga marrëveshjet që ka mbetur pezull është ajo për bashkëfinancimin e bursave për studentë të nivelin master mes Kosovës dhe Francës.

Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, është e papërgjegjshme sjellja e opozitës, që sipas tij është barrikaduar në kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

“Kjo është një humbje e mundësisë për të rinjtë, pra sipas kësaj marrëveshjeje, diku për momentin për të paktën 12 persona që t’i kryejnë studimet master në Francë. Mendoj që kjo i dëmton njerëzit e dëmton sistemin në përgjithësi sepse ne kemi pak njerëz të cilët i kanë të përfunduara studimet në Francë dhe kjo është një mundësi unike që të bëhet një gjë e tillë”, ka thënë Pupovci për koha.net.

Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, thotë se pasojat po i vuajnë qytetarët.

“Humbësit më të mëdhenj të kësaj qasjeje janë qytetarët e Kosovës dhe vetë projektet që duhej të fillonin pas votimit në Kuvend. Çdonjëra nga ato paraqet projekte të rëndësishme, ndërsa vonesat për trajtimin e tyre janë të papranueshme”, ka thënë Thaçi, përcjell albinfo.ch.