Kosova

Opozita kosovare e shqetësuar për mosblerjen e teksteve shkollore nga MASHTI

Partitë opozitare kanë reaguar pas lajmit për mos-blerje e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti, duhet që t’i blejnë edhe librat për fëmijët e tyre, raporton rtk, përcjell Albinfo.ch.

“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar pos tjerash Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.

Kurse deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka shkruar se këtë dështim nuk e kanë borxh fëmijët dhe se kjo nuk duhet të ndodhë tani kur ka mbetur një javë para nisjes së procesit mësimor.

“Nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollor vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e gabuar, e vonuar që do të ketë pasoja për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre. Shteti nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë shantazhi dhe as kushtëzimeve eventuale nga ndonjë shtëpi botuese, por vendimet për gjëra kaq të rëndësishme për procesin mësimor duhet të merren shumë kohë më parë, të bëhen përgatitje dhe të mos pësojë gjithë shoqëria”, shkruan Bajrami.

Sipas saj, ka një dështim të MASHT-it meqë krejt në fund “paskan marrë çmimet e larta nga shtëpitë botuese dhe tash i ngarkojnë familjet dhe prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat”.

Edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se kjo që po ndodh me arsimin në Kosovë, nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë pas luftës, kjo si pasojë e njerëzve të paaftë në qeverisje.

Dreshaj ka thënë se qeveria po bënë lojë me emocionet e fëmijëve dhe me skamjen e familjarëve e gatishmërinë e mësimdhënësve.

“Dështimi i radhës i qeverisë, lajm i hidhur për nxënës, prindër e mësimdhënës. A thua pse edhe sivjet lojë me emocionet e fëmijëve, me skamjen e familjarëve dhe me gatishmërinë e mësimdhënësve, përkundër shumë pakënaqësive, që ky vit të fillojë me kohë. Cilat qenkan prioritetet menaxhuese të këtij vendi: shkollat e parinovuara, tekstet mësimore te pakontraktuara, mësues e nxënës në shtëpi. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas lufte e madje as gjatë viteve të okupimit, viteve të 90-ta. Krejt kjo si pasojë e paaftësisë së njerëzve që sot qeverisin me vendin”, ka shkruar pos tjerash Dreshaj.

Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) po e shqyrton mundësinë që këtë vit librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, ndërsa mjetet për librat ministra t’ua transferojë nëpër llogari prindërve. Kështu deklaroi të hënën në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci./Albinfo.ch/