Kosova

Presidentja Osmani nuk do të mund ta dekretojë Ligjin për pagën minimale

Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Ligji nr 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të shkallës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale do të mund të dekretohet vetëm pas vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë për RTKlive se ligji në fjalë është dërguar dhe kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndaras nga kontestimi që i është bërë vendimit për thirrjen e seancës së datës 13 korrik, përcjell Albinfo.ch.

Kupina ka thënë se pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit.

“Ligji nr 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të shkallës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore është dërguar dhe kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndaras nga kontestimi që i është bërë vendimit për thirrjen e seancës së datës 13 korrik. Pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit. Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar Presidenten se ky ligj, mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasiqë Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, ka theksuar Bekim Kupina, këshilltar për media./Albinfo.ch/