Shqipëria

Shqipëria, korridor i emigrantëve drejt Evropës

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve është rritur përsëri në mënyrë të vazhdueshme

Në numrin e pestë të “Buletinit të rreziqeve”, të publikuar nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore (OEPEJ), një nga pikat më të rëndësishme të riskut në Ballkanin Perëndimor mbetet kontrabanda e emigrantëve përmes Adriatikut.

Më 9 janar të vitit 2021, OEPEJ-ja shkruan se u shpëtuan në një det të trazuar pranë brigjeve të Shqipërisë 55 emigrantë nga Siria, Irani dhe Egjipti, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Skafi me të cilën kishin udhëtuar, i cili ishte nisur nga Vlora, ishte prishur rrugës për në Itali. Skafistët ishin larguar dhe skafin po e merrnin rrymat.

Ky operacion shpëtimi ndodhi pas dy incidenteve në tetor dhe dhjetor të vitit 2020, ku autoritetet malazeze kapën dy varka me vela që po përpiqeshin të kontrabandonin kurdë nga Turqia përmes Ballkanit Perëndimor në Itali.

Rrugë alternative

“Këto ndodhi tregojnë se zbatimi më efektiv i ligjit dhe kufizimet e lidhura me COVID-19 përgjatë itinerarit tradicional të Ballkanit kanë bërë që kontrabandistët të zgjedhin rrugë alternative, duke përfshirë itinerarin detar të Adriatikut”, nënvizon më tej buletini.

Sipas raporteve, mbyllja e itinerarit të Ballkanit, në mars të vitit 2016, çoi në një rënie të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve dhe emigrantëve që lëviznin përmes Ballkanit Perëndimor.

Por që nga viti 2019, cilëson OEPEJ-ja numri i refugjatëve dhe emigrantëve është rritur përsëri në mënyrë të vazhdueshme.

Buletini thekson se për shkak të përmirësimit të kontrolleve të kufirit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, një numër në rritje njerëzish në lëvizje po udhëtojnë përmes Shqipërisë.

Në muajt e fundit – referuar tremujorit të parë të vitit 2021 – ka pasur shenja të përpjekjeve në rritje për të kontrabanduar njerëz përmes detit Adriatik në Itali.

Të 55 emigrantët, që u shpëtuan më 9 janar, thuhet se u kishin paguar kontrabandistëve nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë secili për transport të sigurt me jaht në Itali.

Ndërkaq, OEPEJ-ja sqaron se në fillim të janarit, policia në Vlorë ndaloi 21 emigrantë të tjerë që po planifikonin të kalonin në mënyrë të paligjshme Adriatikun.

Itineraret

Itineraret e kontrabandës janë të përcaktuara prej kohësh, që nga fillimi i viteve ’90, kur dhjetëra-mijëra shqiptarë u përpoqën të emigronin në Itali.

Në të kaluarën, të njëjtat itinerare përdoreshin për të kontrabanduar drogë, veçanërisht kanabis, duke përdorur skafet.

Problemi ishte aq i rëndë, saqë skafet u sekuestruan dhe u dogjën nga qeveria shqiptare, në vitin 2004.

Në vitin 2006 u vendos një moratorium i skafeve në ujërat territoriale shqiptare, i cili më në fund u hoq në vitin 2013, për të lehtësuar industrinë e turizmit.

Itinerari i kontrabandës nga vija bregdetare përreth Fierit dhe Vlorës, përmes ngushticës së Otrantos për në Itali, u soll sërish në vëmendje në vitin 2016, kur kishte prodhime të mëdha të kanabisit në Shqipëri, shkruan OEPEJ-ja.

Shqipëria, e cila për tri dekada ka qenë vendburimi për emigracionin, tani është gjithashtu edhe vend tranziti.

Raporti analizon më tej se, përveç përpjekjeve për të arritur Bashkimin Evropian përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugë tokësore, disa emigrantë po përpiqen të hyjnë në Itali me skaf.

Historitë e përfshira në këtë artikull tregojnë se ka kontrabandistë që janë të gatshëm të ofrojnë udhëtime të tilla me fitim të konsiderueshëm.

Këto incidente, sipas OEPEJ-së, nxjerrin në pah cenueshmerinë e moleve dhe zonave informale të ankorimit në bregdetin e Adriatikut si parajsa të kontrabandës.

Ky është një rrezik që meriton më shumë vëmendje, sidomos nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.