Kosova

Ushtarit të KFOR-it hungarez i amputohet këmba për shkak të lëndimeve që mori në Zveçan

Mediat në Hungari kanë raportuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.

Telex bën të ditur se disa prej ushtarëve të KFOR-it hungarez të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë të nesërmen, ku pastaj ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, raportoi për gjithsej 27 ushtarë të plagosur, përcjell albinfo.ch.

Gjendja shëndetësore e dy ushtarëve është e rëndë, njoftoi ministria hungareze. 

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.