Hap ordinancën në Cyrih dhe bën projekte për mjekësinë në Kosovë

Pas disa vjetëve pune dhe studimi në Austri, dr. Qëndrim Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për mjekësi interne. Me 25 nëntor të këtij viti, dr. Qëndrimi ka hapur solemnisht ordinancën e tij private në Rüschlikon të Cyrihut, saktësisht në rrugën Bahnhofstrasse 78. Thotë se për pacientët e tij do të ofrojë një mjekësi kualitative dhe bashkëkohore. 

Në dhomën e ndejës në shtëpi, shpeshherë mbrëmjeve kishte njerëz që Qendrim Zahiri nuk i njihte. Megjithatë, kjo nuk e ndalonte të atin e tij që t´u ndihmonte atyre. Dekada më parë, kur Qëndrimi ishte fëmijë, babai i tij punonte si pediatër në spitalin e Ferizajt. Njerëzit që kishin nevojë të mjekoheshin, trokisnin ditë e natë në derën e shtëpisë së familjes Zahiri.  

Idhulli im“, thotë doktor Qëndrimi, sot mjek internist në Cyrih të Zvicrës, kur flet për të atin. Falë përkrahjes së pakursyer të familjes, e në veçanti të prindërve të tij, sot ai ka një karrierë të suksesshme dhe shikon drejt një të ardhmeje të ndritur.

Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier - Drejtor i Klinikes për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut
Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier – Drejtor i Klinikës për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut

 Rrugëtimi i Qëndrimit drejt karrierës si mjek 

Mjekësia ishte ngulitur në zemrën e Qëndrimit qysh kur ai ishte fëmijë. Kur flet për albinfo.ch, ai kujton babanë e tij që shpeshherë kryente shërbime mjekësore në shtëpinë e tij, madje kur nuk kishte as rrymë, duke punuar nën dritën e qiririt. Kjo vetëm sa ia shtonte atij dëshirën për t´u bërë mjek.  

Dr. Qëndrim Zahiri u lind në Komogllavë të Ferizajt, ndërsa shkollimin fillor e të mesëm e përfundoi në këtë qytet, për të vazhduar më pas me studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 2006, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

Gjatë studimeve në Prishtinë, dr. Qëndrimit iu dha mundësia të transferohej në Fakultetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë, ku diplomoi për Mjekësi Humane, në vitin 2014. Nga aty, ai u zhvendos në Vjenë, ku përfundoi specializimin për Mjekësi Familjare në vitin 2018.  

I gjithë ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë për mjekun kosovar. Ai tregon se gjatë studimeve, krahas ndihmës nga familja, i ishte dashur edhe të vetëfinancohej, çka e bënte të punojë punë të ndryshme, tejet të lodhshme. 

“Studimet në një universitet-qytet-shtet evropian për një kosovar që nuk kishte pasur mundësinë të dilte më larg se Tirana e Shkupi, patjetër se ishin sfidë e madhe dhe këtë mund ta përshkruajnë vetëm ata që e përjetuan! Me punë intensive dhe duke pasur ngarkesë edhe çështjen e financave – duke punuar herë si pjatalarës, herë si kamerier në lokale të gastronomisë në Graz, – mund të them lirshëm se jeta në Graz ishte një leksion për mua në kuptimin e plotë të fjalës”, shprehet Qëndrimi kur tregon për peripecitë e jetesës si student në Austri. 

Pas disa vjetëve pune dhe studimesh në Austri, dr. Qëndrimi Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për Mjekësi Interne. 

 

Arsyet e zhvendosjes nga Vjena në Cyrih 

Përveç ngritjes akademike-profesionale, për dr. Qëndrimin, primar ishte edhe krijimi i familjes. Vendimin për zhvendosjen në Zvicër ai e mori bashkë me bashkëshorten e tij.  

“Ndër arsyet kryesore të ardhjes këtu ishte sigurisht specializimi im, por edhe niveli i lartë i të jetuarit në shtetin helvetik. Po ashtu e kemi vlerësuar shumë edhe pjesëmarrjen e lartë të bashkëkombësve tanë në popullsinë e këtij shteti. Sigurisht që për zhvendosjen u menduam gjatë”, thotë ai.  

Me ardhjen në Cyrih, dr. Qëndrimi pati mundësinë të fitonte eksperiencë të madhe në disa spitale, si në Spitalin universitar të Cyrihut, në Klinikën e Kardiologjisë, Emergjencës dhe atë të Mjekësisë së Brendshme.  

Ai thotë se kjo i ka hapur dyert për ngritjen e tij në karrierë në shtetin zviceran. 

“Pas përfundimit të specializimit, pata mundësinë të punësohem si mjek udhëheqës në një ordinancë private në Bülach, një qytet në afërsi të Cyrihut, aty edhe ku u inspirova dhe vendosa që karrierën time ta vazhdoj në shëndetësinë primare”, thotë tutje Qëndrimi. 

Prof.dr. Christoph Meier në hapjen e ordinancës së Dr. Qendrim Zahirit, në Rüschlikon të Cyrihut
Prof.dr. Christoph Meier në hapjen e ordinancës së Dr. Qendrim Zahirit, në Rüschlikon të Cyrihut

Hapja e ordinancës për Mjekësi Interne dhe të Përgjithshme në Cyrih 

Qëndrimi, në nëntor të këtij viti, hapi ordinancën e tij private në Rüschlikon të Cyrihut, saktësisht në rrugën Bahnhofstrasse 78. Ai thotë se për pacientët e tij do të ofrojë aty një mjekësi kualitative dhe bashkëkohore. 

“Komunikimi dhe përballja e drejtpërdrejtë me hallet dhe ankesat e pacientëve, si dhe shmangia nga jeta stresuese spitalore, ishin faktorët kryesorë që më bënë të orientohem në mjekësinë primare. Ky vendim u jetësua me hapjen e ordinancës sime në nëntor”, thotë ai. 

Kur flet për pritshmërinë nga ky hap i tij, dr. Qëndrimi thotë se pret që nga shërbimet që ofrohen pacientët të gjejnë veten e tyre kur kanë nevojë.  

“Ne i posedojmë të gjitha mundësitë dhe mjetet teknike medicinale të serive më të reja të brendeve të njohura botërore në këtë drejtim, për t’u mundësuar pacientëve tanë shërbime kualitative. Ne mendojmë të identifikohemi si një ordinancë, ku pacientët mund ta gjejnë veten e tyre. Ne flasim gjuhën e njeriut, e ajo na bën të dallohemi. Bashkëpunimi me mjekë profesionistë të fushave të ndryshme na mundëson ta mbulojmë pothuajse në tërësi spektrin e mjekimit të sëmundjeve të ndryshme”, sqaron mjeku. 

Zvicra të ofron komoditet dhe siguri si askund tjetër. Ngjyrimet politike, ekonomike, racore a fetare janë pothuajse inekzistente. Është shtet i mundësive dhe ata që duan të zhvillohen, nuk duhet të hezitojnë të vijnë këtu. 

Box 1 

Planet për të ardhmen, projekte që pritet të jetësohen në Kosovë 

Dr. Qëndrimi nuk do të largohet krejtësisht nga Kosova. Planet e tij përfshijnë shumë projekte, për të cilat ai thotë se po punon që të jetësohen në shtetin ku u lind.  

“Krahas ushtrimit të profesionit tim në ordinancën time, vazhdojnë të rrjedhin lumenj mendimet për ta përmirësuar shëndetësinë në atdhe. E kam cekur gjithmonë se dua të kthehem e të kontribuoj në shëndetësinë kosovare. Tani me disa miq i kemi disa projekte në këtë drejtim. Varet edhe nga gjendja politike në vend, por shpresoj që ato do të jetësohen shumë shpejt”, thotë ai.  

Sipas dr. Qëndrimit, sistemi shëndetësor kosovar ka nevojë për “infuzion” ekonomik dhe akademik, për të cilin duhet unifikim mbarëkombëtar. Ai shpreson që udhëheqja kosovare të hapë dyert dhe mundësitë për ata që duan të ndihmojnë vendlindjen e tyre për ta ringjallur shëndetësinë.  

Mëmëdheu është identiteti ynë kombëtar. Malli për atdhe nuk largohet. Qytetin e lindjes dhe viset tona vazhdoj t´i vizitoj sa herë që më jepet mundësia. 

Box 2: 

Familja është qeliza e një shoqërie. Shkollimi dhe edukimi i fëmijëve ishin dëshira dhe sfida më e madhe e prindërve të mi. Babai si mjek e nëna si mësimdhënëse, me gjithë ato sfida, ia dolën shumë mirë qëllimit të tyre, ku si produkt u rafinuan katër djem, prej tyre tre mjekë dhe një ekonomist i suksesshëm, të gjithë të diplomuar nga universitetet më të njohura austriake. 

Për informata shtesë, klikoni në:  www.praxisdrzahiri.ch

Foto: (Albinfo.ch/Armend Berisha)

 

Aurora Dollenberg, doktoresha e tri specializimeve me rezultate të larta

Dr. med. Aurora Dollenberg ka lindur në qytetin e Fierit në ditën e pavarësisë, më 28.11.1985, ku dhe ka kryer ciklin parauniversitar me rezultate të shkëlqyera. Është diplomuar për mjekësi me rezultate shumë të larta në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, shkruan albinfo.ch.

Me meritokraci arrin të vijë në Gjermani në vitin 2010, ku pavarësisht barrierave të mëdha që kishte në fillim si emigrante në Gjermani, me vullnetin dhe dëshirën e madhe që qëllimet t’i çojë deri në fund arrin të kryejë 3 specializime deri më sot, 34 vjeç, që janë përkatësisht:

1.Specializim “Mjeke Familje”

 2. Specializim “Mjeke Urgjence”

3.Specializim “Psikoterapi”

Mjekja dhe shkencëtarja shqiptare ka gjithmonë një motiv që e ndjek: Me punë arrihet çdo gjë.

Paralelisht, Dr.med.  Aurora  Dollenberg  ka ndjekur  edhe karrierën akademike në universistetet më të njohura në Gjermani, ku dhe ka përfunduar 2 kërkime shkencore mbi:

“Çrregullimet e Ankthit-Depresionit” dhe “Kanceri te gratë”.

Dr. Aurora përkrah të gjitha këtyre angazhimeve, arriti të hapte në vitin 2018 dy klinikat e saj private në Wolfenbüttel afër Hanover që është kryeqyteti i Saksonisë së Ulët. Në klinikat e saj, përveç pacientëve gjermanë, trajtohen gjithashtu edhe shumë pacientë të trevave shqiptare.

Aurora është e lumtur që edhe pse në emigrim, vazhdon të ndihmojë, të shpëtojë jetë të shumë njerëzve, ku bëjnë pjesë dhe shumë shqiptarë.

Por Dr. Aurora nuk ndalet këtu pasi mendon që humanizmi nuk ndalet vetëm te profesioni i saj. Në vitin 2019 themelon të parën federatë të regjistruar në bazë të juridiksionit gjerman „Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë“, ku është dhe kryetare e saj, nëpërmjet së cilës ajo dëshiron që humanizmin e saj ta çojë përtej trojeve shqiptare deri në cepin tjetër të botës gjithmonë, duke i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve që ajo i do kaq shumë.

Federata ka ofruar gjatë gjithë pandemisë konsultimet falas online me pacientët e prekur nga COVID-19, gjithsej janë organizuar 8 konferenca mjekësore ndërkombëtare, të akredituara në Gjermani, ku janë vënë në dispozicion kolegëve tanë mjekë dhe qytetarit shqiptar protokollet më të fundit të trajtimit të COVID-19. Kjo ka përmirësuar ndjeshëm dijen e mjekëve, sidomos te rastet e shumta të pacientëve të trajtuar gabim apo thjesht me medikamente shumë të shtrenjta apo të panevojshme.

Ndër sukeseset më madhore të Federatës ishte kontributi në sigurimi e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse. Kemi kontribuar në ardhjen e 95,000. vaksinave për Kosovën përmes Bashkimit Evropian. Ky mundësim është një fitore e madhe për Federatën tonë mjekësore humanitare. Fokusin tashmë në si Federatë e kemi jo vetem në sigurimin  e donacionave  të vaksinave për vendet shqipfolëse, por edhe në zhvillimin dhe ndjekjen e kërkimeve shkencore në vendet europiane, ku punojmë si mjek, që edhe vendet shqipfolëse të përfitojnë nga tërheqjen e fondeve për medikamentin më të fundit, që e shëron COVID-19 brenda 5 ditëve.

Ne jemi të vetëdijshëm se për imunitetin e tufës nevojiten akoma më shumë vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian për mundësimin e dërgesës së radhës.

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë është struktura e vetme e regjistruar që operon në nivel evropian. Ne krenohemi me mjekët dhe bluzat e bardha të Federatës prej 21 vende europiane që punojnë vullnetarisht dhe me humanizëm kanë mbështetur si në rrugë monetare dhe me dije gjatë këtij viti pandemik. Terapia e duhur ndaj COVID- 19 dhe vaksinimi në kohë i popullatës shqiptare është motoja e Federatës.

Për. Dr. med. Aurora Dollenberg:  Humanizmi nuk ka ngjyrë e as kombësi.

Misioni im është të ndihmoj sa më shumë, edhe aty ku çdo gjë duket e pashpresë. T’i tejkalosh kufijtë, të lidhësh mjekët shqiptarë në mbarë Europën, është një vizion për të cilin do të punoj gjithmonë. Vendet shqipfolëse në sajë të punës sonë të përbashkët do jenë së shpejti EU.

 

Me Respekt / Best Regards / Mit freundlichen Grüßen,

Dr. med. Aurora Dollenberg

Presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë

Chair of AMFE (Albanian Medical Federation for Europe e.V.)

 

Aurora Dollenberg: Kosova, nëse e mban nën kontroll pandeminë, nuk do të ketë valë të tretë

Tashmë emri Aurora Meta- Dollenberg është i njohur për të gjithë, pasiqë gjatë gjithë kësaj kohe pandemie, të gjithë mjekët nga Diaspora kanë dhënë kontributin e tyre për vendlindje, qoftë përmes këshillave, platformave dhe protokolleve të ndryshme.

Ajo gjatë karrierës së saj ka kryer tri specializime në Gjermani si Specialiste e Mjekësisë së Familjes, pasaj edhe e Mjekësisë së Urgjencës dhe Psikoterapisë.

Mjekja Aurora Meta- Dollenberg në një intervistë për albinfo.ch, tregon për jetën e saj, sfidat, migrimin, përballjen me pandeminë dhe situatën aktuale në Gjermani, me theks të veçantë në Kosovë dhe Shqipëri. Po ashtu ajo tregon agjenden e Federatës së Mjekëve në Evropë, ndihmën, rrjetëzimi i mjekëve nga mbarë bota dhe se së fundmi edhe për emrin e saj si kryetare e kësaj Federate.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Aurora Meta- Dollenberg.

 

Albinfo.ch: Aurora, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur në Shqipëri, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë, jeta juaj?

Dr. Aurora Dollenberg: Unë kam lindur në qytetin e Fierit. Do thoja që fëmijëria ime ka qenë tipike shqiptare, pasi jam rritur më shumë nga gjyshërit në një familje të madhe. Tani që jam në Gjermani, e kujtoj me nostalgji, atë fëmijëri aq plot gjallëri dhe lojëra. Shkollimin e kam nisur në Patos dhe rezultatet e mira më pas me mundësuan një bursë në një shkollë private në Fier. Isha shumë e lumtur dhe krenare, që prindërit nuk duhet të shpenzonin për të ardhmen time. Pasi konkurrova me 18 vjeç për studimet e larta, fitova pranimin në 5 Fakultete të ndryshme, ku vendosa për mjekësi. Ishte ëndrra ime që fëmijë të bëhesha mjeke dhe të shpëtoja jetë njerëzore. Koha e studimeve në Tiranë ishte shumë e vështirë, pasi mungonin vazhdimisht praktika dhe mundësia për t’u bërë një mjeke e mirë. Na duhet të mundohesha shumëfish për ta asimiluar dijen si mjeke dhe vitet më të bukura të jetës i kam kaluar vetëm duke lexuar persëri. Këtë e bëj edhe sot e kësaj dite papushim. Pas mbylljes së studimeve me rezulatet më maximale të mundshme nuk mu u ofrua një vend pune apo perspektive për specializim në Shqipëri.

Albinfo.ch: Në çfarë moshe emigurat në Gjermani?

Dr. Aurora Dollenberg: Në moshën 24-vjecare kam emigruar drejt Gjermanisë, pasi ëndrra për t’i shërbyer si mjeke popullit tim, familjes sime m’u mohua.

Kam qenë që në atë moshë të re nismetare e nje projekti, qe ka sjell brezin e parë të mjekeve nga Shqiperia në Gjermani. Mos të harrojmë që para 10 vitesh gjermania ishte shumë selektive në punësim të mjekëve dhe trojeve shqiptare u mungonte informacioni bazë se si mund të punësoheshin në Gjermani dhe Evropë. Para 13 vitesh në Tiranë unë me ndihmen e disa studentëve të zellshëm të mjekësisë  themelova një shoqatë studentore të quajtur OMA (Organizata Mjeket e së Ardhmës), të cilës i dhashë për mision të krijonte mundësinë jo vetëm për mua por edhe për shumë mjekë të tjerë të rinjë të emigronim drejt Gjermanisë. Mund të them, që këtë mision fisnik e kryeva me sukses, pasi u ndihmova qidra mjekëve për të krijuar një të ardhme. Traditen për të ndihmuar, ashtu siç e kisha pasur deshirë që në fëmijëri, e kam vazhduar edhe këtu në Gjermani, ku me mbështetje të shumë kolegëve kam themeluar ´Federaten e Mjekeve shqiptare ne Europe´´. Federate është shoqata e vetme mjekësore e regjistruar në Gjermani dhe deri tani e vetmja stukturë që po punon fort per t’i lidhur mjekët shqiptarë nga gjitha anët e Evropës.

Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të ambientohesh në Gjermani me një shoqëri tjetër, kulturë tjetër…?

Dr. Aurora Dollenberg: Fillimi në Gjermani ishte shumë e dhimbëshme. Duhet të mësoja shumë gjëra nga e para, si një fëmijë që fillon të mësoj të flas një gjuhë tëpër të vështire dhe fillon të eci në një botë gjermane plot kalldrema. Shoqëria ishte shumë e ftohtë.

Gjëja e parë me të cilen mu desh të përballja ishte diskriminimi, që isha shqiptare. Mos zotërimi i mirë i gjuhës gjermane ta vështirëson mësimin e punës në spital dhe intergrimin në shoqëri.

I kujtoj me shumë trishtim ato vitet e para, ku askush nuk të mikëpriste, madje të pyesnin çdo ditë kur do kthesh në vendin tënd. Pra ishte historia klasike e shumë mjekëve të rinj shqiptarë, që atdheu i dëbon dhe vendi i huaj nuk i pranon.

Albinfo.ch: Na flisini pak për rrugëtimin profesional në Gjermani, integrimin, specializimet?

Dr. Aurora Dollenberg: Unë jam tepër krenare që me një punë të vashdueshme që në moshën  34 vjeçare, të arrij 3 specializime në Gjermani: Specialiste e Mjekësisë së Familjes, e  Mjekësisë së Urgjencës dhe Psikoterapisë.

Paralelisht kam vazhduar edhe karrierën akademike në kerkimet shkencore ne dias  universistetet të njohura në Gjermani, ku ka përfunduar 2 kërkime shkencore mbi çrregullimet e Ankthit-Depresionit dhe Kancerit tek Gratë.  Prej këtij viti pandemie vazhdojë të punojë intesivisht në nje studim mbi faktorët e rrezikut të COVID-19. Rezulatet do u’a ofroj së shpejti edhe pacietit shqiptarë.

Pavarësisht barriereva të mëdha që kishte në fillim si e emigruar në gjermani, kam arritur të hap në vitin 2018 dy klinikat e mia private në qytetin e Wolfenbüttel afër Hannoverit, ku trajtoj edhe shumë pacientë të trevave shqiptare. Jam shumë është elumtur që edhe pse në emigrim kam mundesi të ndihmojë dhe shpëtojë jetë të shqiptarëve.

Albinfo.ch: Aurora, na sqaro pak situatën në Gjermani, si po e menaxhon Gjermania pandeminë Covid, duke pasur parasysh që kohën e fundit numri i të prekurve atje është i madh?

Dr. Aurora Dollenberg: Në javën e kaluar, rastet e konfirmuara nga laboratori COVID-19 në Gjermani janë rritur ndjeshëm. Përhapjet e reja të lidhura me COVID-19 po ndodhin gjatë festimeve familjare dhe veçanërisht nga udhëtimet e pasagjerëve ne vendet turistike.

Sundon një situatë shumë e rëndë për të gjithë Gjermanin. Numri i rasteve të reja në Gjermani është përshpejtuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Intersante është që të rinjtë tani, në krahasim me fillimin e Pandemisë, janë më të infektuar sesa në grupmoshat më të vjetra. Kur nuk nuk mbahet maska dhe nuk ruahet distanca fizike, shkaktojme nje perhapje shume shpejt te Virusit me anë të arosolave ose pikave te pështymës . Prandaj vazhdojme te predikojme cdo dite paciente: Mbani maska dhe respektoni një distancë prej më shumë se 1.5 m.

Mbingarkesa e sistemit shëndetësor është ende e ulët në pjesë të mëdha të Gjermanisë, por mund të rritet shumë shpejt në nivel lokal dhe pastaj të vërë një barrë të rëndë në sistemin e shëndetit publik në veçanti, por edhe në lehtësirat për kujdesin mjekësor ambulant dhe spitalor.

Albinfo.ch: Angazhimi juaj në si mjeke në Gjermani, veçmas gjatë izolimit të Covid-19?

Dr. Aurora Dollenberg: Unë kam trajtuar më shumë kënaqësi gjatë pandemisë jo vetëm pacietet shqiptare që i kam në 2 klinikat e mia, por edhe shqiptarët që i kam këshilluar përmese telemedicineës.

Sapo kemi startuar edhe nje Projekt në ndihmë të fëmijeve në nevojë në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë iniciative kam pagëzuar „Nje dritëz për fëmijët“ dhe besoj se është një shembull i mirë i punës që po bëj unë dhe mjekë të tjerë nga diaspora!

 Albinfo.ch: Roli i Federatës së Mjekëve nga Diaspora gjatë kohës së pandemisë, në vendlindje, ndihma juaj, përkrahja, protokollet, etj?

Dr. Aurora Dollenberg:  Prej shtatorit 2020 jam emëruar drejtuese e Federatës së Mjekëve në Evropë dhe e mora kete detyrë përsiper, pasi ëndrra ime është rrjetëzimi i mjekëve shqiptarë në mbarë Evropën. Mos të harrojmë se janë mbi 3 mijë mjekë shqiptarë që punojnë në Evropë dhe shume prej tyre janë vetë-ofruar vullnetarisht për të ndihmuar me ekspertizë mjekësore në hartimin e protokolleve të sakta për të parandaluar përhapjen e virusit në vendin tonë.

Unë si kryetare e Federatës jam shumë e angazhuar që sa më shumë mjeke specialistë nga Evropa të japin përgjatë këasj pandemie konsulata falas permes faqes zyrtare të Federates. Me shumë dëshirë kemi ndihmuar deri tani me qindra pacientë shqiptarë në nevojë.

Së shpejti një delegacion mjekësh dhe profesionistësh të shëndetit nga Federata do të vizitojë Shqiperinë dhe Kosovën per të finalizuar ndihmën konkrete që mund t´i ofrojmë fëmijëve shqiptarë.

Albinfo.ch: Të flasim pak për Kosovën, pasi që për shumë ekspertë është e çuditshme, se si rastet janë ulur, për dallim nga disa muaj më parë që ishte mbi 250 të prekur, si e vlerëson situatën, shkaqet, a cilësohet pozitive?

Dr. Aurora Dollenberg: Sjellja e popullatës është gjithashtu vendimtare për përhapjen e virusit. Kërkesat siç janë distanca minimale ose kërkesa për maskë shpesh nuk u zbatuan ne muajt e veres, duke cuar ne rritje te shpejt të të infektuareve. Vizitat familjare edhe prej vendeve europiane pa masa mbrojtëse kontribuan shifrat e zeza ne muajt e fundit. Pushuesit me pashaporta europiane janë kthyer përsërii në vendet ku kanë migruar, duke e shëndruar tashmë Gjermaninë po vende të tjera me shumë emigratë shqiptarë, në zona rreziku. Pra permiresimi i numrit të të infektuareve është real dhe duke zbatuar masat mbrojtëse, duhet të mos kemi një valë të tretë në dimër.

Albinfo.ch: Shumë shtete të botës, siç është rasti i Zvicrës, tashmë e ka larguar Kosovën nga lista e shteteve me rrëzikshmëri, pritej që shpejt edhe Gjermania të largojë Kosovën nga lista. Sa përbën rrezik nga këndi juaj Kosova, a është arritur piku?

Dr. Aurora Dollenberg: Nëse Kosova dëshmon në vazhdim që pandemine e ka nën kontroll, edhe Gjermania së shpejti planifikon ta largojë Kosovën prej listës së zezë të vendeve me rrezik. Tani në vjeshtë më virozat e shtuara ishte parashikuar që edhe Kosova te arrinte Pikun. Pra ne vijim pandemia duhet të ketë shifra të pranueshme në Kosovë.

Albinfo.ch: Po me Shqipërinë? Si e komenton situatën atje, duke ditur që rastet atje vazhdojnë ende të jenë të larta dhe nuk ka ndonjë le të themi ulje nga infektimet? Çfarë po e shkakton këtë, çfarë politika shëndetësore duhet ndjekur?

Dr. Aurora Dollenberg: Te gjithë qytetarët në Shqipëri duhet të mbajnë maskë me detyrim maskat mbrojtëse koronavirusit edhe në rrugë dhe është rritur vigjilenca në këto muaj të vjeshtës nga autoritetet. Unë do rekomandoja, se duhet të jemi pak fleksibël në lidhje me masat e rrepta, pasi nëse qëndrojmë më shumë se 2 metra larg njëri-tjetrit, maska nuk duhet të jetë e detyrueshme ne ambjetet e hapura.

Albinfo.ch: Jeni njohëse e mirë e psikologjisë, si ka ndikuar në mënyrë të përgjithshme pandemia në psikikën e njerëzve? Ne flasim shumë për virusin, infektimet, viktimat, por shumë pak është trajtuar tema për rolin e psikologut te pacientët? Komenti juaj?

Dr. Aurora Dollenberg: Numri i pacietëve që kanë nevojë për mua si psikoterapiste është rritur shumë. Persëri vë re sidomos tek pacietët shqiptarë këtu në Gjermani që e kanë shumë më të veshtirë se pacienti gjermanë për ta adaptuar sjelljen ndaj pandemisë. Këto janë disa arsye si e shpejgoj këtë fenomen:

1-Humbja e lirisë përmes pandemisë. Kjo shkakton tek shqiptarët e Shqipërisë dhe sidomos Kosovës pakënaqësi dhe zhgënjim, pasi nga hitoria kanë pasur shumë privime të lirisë.

2-Frika nga ndryshimi: Ne nuk na pëlqen ndryshimi sepse shoqërohet me pasiguri. Shtrëngimi i duarve ose pirja e kafesë së bashku janë pjesë e pandashme e mirëqenies shpirtërore dhe sociale në shoqërinë shqiptare. Ndalimi i këtij stili jetese nënkupton për shumë individ një kolaps psikik, deri në shfaqje të depresionit apo ankthit.

3-Optimizëm i rremë: “Me siguri mua personalisht nuk do të më prekë Koronavirusi”.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Vaksina e prodhuar në Gjermani është me efikasitet të sigurt dhe tolerohet mirë nga popullata e testuar. Vaksinimi në trojet shqiptare parashikohet të jetë në vitin 2021, prandaj shoqëria shqiptare duhet të qëndrojë optimiste dhe t’i përshtatet jetës me kufizimet mbrojtëse. Kjo pandemi është një shans për ne si shqiptari që duke ndjekur të gjithë së bashku një njëjtën strategji mbrojtëse të behemi edhe si popull më i fortë dhe i bashkuar.

 

/Albinfo.ch

Gjermania, shembulli që duhet ndjekur për menaxhimin e pandemisë

Elona Meta-Haubrich është mjeke e specializuar në Gjermani dhe njëkohësisht kryetare e “Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë”. Ajo është me prejardhje nga Shqipëria, nga Fieri, një intelektuale me vizion dhe krenare për origjinën e saj. Elona tani është mjeke e specializuar, ushtron detyrën e saj si mjeke familjare në Gjermani dhe pa dyshim biografia e saj është njëra ndër historitë e suksesit të diasporës sonë në fushën e mjekësisë.

Duke qenë se jeton dhe punon në Gjermani, Elona Meta- Haubrich, në një intervistë për albinfo.ch, tregon përse Gjermania është një shembull i mirë i menaxhimit të situatës së virusit COVID-19.

Gjermania, sipas statistikave zyrtare, është pa dyshim shteti me më shumë të shëruar nga Covid 19 në Evropë. Sipas mjekes Meta, e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i menaxhimit të mirë mjekësor

Po ashtu, mjekja shqiptare thotë se nuk duhet të ketë vend për panik, por duhet të ketë ndërgjegjësim dhe zbatim të rregullave të shpallura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Albinfo.ch: Na tregoni me pak fjalë, kush është Elona Meta-Haubrich?

Kam lindur në qytetin Fier, në një ndër familjet më të vjetra fierake, ku stërsgjyshi ka qenë një drejtues me emër për zonën e Fierit. Në kohën e regjimit komunist edhe familja ime, sikundër edhe shumë familje të tjera që kishin pozicione drejtuese dhe prona u shpronësua dhe u internua me zhvendosje të vendbanimit në periferi. Kështu unë së bashku me familjen e gjyshit tim kalova një pjesë të mirë të fëmijërisë sime në qytetin e Patosit.

Albinfo.ch: Na tregoni rreth rrugëtimit tuaj, sa ishte e vështirë të ambientoheni dhe të punoni si mjeke në Gjermani?

Unë kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2012, pastaj në mungesë të ofrimit të punësimit, u detyrova të largohesha në tetor të vitit 2013 në Gjermani, me qëllim punësimi dhe zhvillimi profesional. Vitin e parë mësova gjuhën gjermane dhe arrita zyrtarisht të punësohesha në tetor të vitit 2014 si mjeke, ku ndërkohë diploma nuk më ishte njohur. Pas një viti e gjysmë punë arrita të jepja provimet e konvertimit të diplomës shqiptare në Universitetin e Göttigenit. Vazhdova specializimin për „Mjeke familjare“ dhe për momentin jam në klinikën time private, të cilën edhe e drejtoj, si mjeke familje.

Fillimi ishte shumë i vështirë derisa dukej i pamundur, por nëpërmjet këmbënguljes, si e vetmja mënyrë mbijetese, arrita të mbaroja specializimin me shumë sakrifica të mëdha. Njohja me bashkëshortin në vitin 2015 dhe fakti i të pasurit një pjesë të familjes në Gjermani, përkatësisht motrën, ndikuan në vitet në vazhdim pozitivisht në integrimin tim në Gjermani.

Albinfo.ch: A është një shembull i mirë Gjermania në trajtimin e situatës se COVID-19, si po menaxhohet atje kjo krizë?

Po, patjetër Gjermania është më e përgatitur për faktin se është një shtet i fuqishëm me kapacitete të mëdha mjekësore në krahasim me vendet të tjera të Bashkimit Evropian, ku zotëron dyfishin e shtretërve intensivë në kohë krize në krahasim me ato që kanë në kohë normale. Ndërkohë, edhe kultura nordike e përgjegjshme, shumë e informuar si dhe pak e ftohtë çojnë në mirëmenaxhim të krizës pandemike.

Albinfo.ch: Cilat janë masat që janë marrë në Gjermani dhe çfarë strategjie po ndiqet në fushën e mjekësisë?

Karantinimi si e vetmja rrugëzgjidhje si dhe mospërzierja e pacienteve të spitaleve akute me pacientët e dyshuar për Coronavirusin, siç ndodhi në Itali, ku u infektuan të sëmurët në spital, por edhe personeli mjekësor. Përveç kësaj, nxorën dy rregulla të forta për kriteret në lidhje me kryerjen e testit. Duhet të testohen vetëm:

  1. personat që kanë shqetësime akute të frymëmarrjes të çdo lloj shkalle ose shqetësime të përgjithshme specifike dhe që kanë qenë në kontakt me personat e infektuar të vërtetuar, dhe
  2. personat me shqetësimet akute të frymëmarrjes të çdo lloj shkalle dhe që në 14 ditëshin e fundit kanë qenë në zonat e rrezikut me pandeminë. Personat që nuk kanë shqetësime nuk duhet të bëjnë testin, pasi kjo ngarkon sistemin shëndetësor dhe ka edhe pasoja ekonomike të shmangshme, duke qenë se testi PCR është i kushtueshëm.
Keystone

Albinfo.ch: Sipas statistikave, ka një numër të madh të të shëruarve në Gjermani, por cilët janë hapat që duhet të ndjekë një i shëruar (a duhet prapë t’i nënshtrohet një testi të tretë)?

Që pacienti të quhet i shëruar, duhet të kaluar të paktën 10 ditë pas vendosjes së diagnozës dhe përveç kësaj, pacienti të ketë kaluar 48 orë pa ethe si dhe 24 orë pa shqetësime të tjera si, kollë apo simptoma të përgjithshme. Por, ajo që vendos është testi i dytë që përsëritet dy herë, me një diferencë kohe prej 24 orësh. Një test i passhërimit nuk është i rekomandueshëm. Personat që e kanë kaluar një herë infeksionin, janë imunë, por sa kohë zgjatë imuniteti, nuk dihet. Rasti aktual është në Korenë e Jugut, ku 51 persona janë përsëri të sëmurë me COVID 19 pozitiv, kjo për faktin se antitrupat që ishin formuar nuk kanë qenë të mjaftueshme. Gjithsesi „virologët“ do të diferencojnë nëse është riinfektim apo riaktivizim i virusit. Testi mund të dalë pozitiv edhe pse pacienti është i shëruar pasi PCR detekton gjenomen e virusit jo virusin infektoz, kështu që edhe pas shërimit mund të ndodhë që testi të dalë pozitiv, pasi gjenoma e virusit është akoma në trup, por jo virusi infektoz siç ka qenë rasti i Ebolës apo është në rastin e fruthit, ku gjenoma e virusit qëndron në trup mbi disa muaj pas shërimit, por jo virusi infektoz.

Albinfo.ch: A është më i madh paniku te njerëzit se sa vetë virusi?

Në fakt, nuk duhet të ketë panik, sepse ul imunitetin dhe ka efekte negative sesa pozitive. S‘duhet të ketë vend për panik, por ndërgjegjësim dhe zbatim të rregullave të shpallura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Albinfo.ch: Shumë pacientë të prekur me koronavirus që nuk kanë ankesa të mëdha, zgjedhin të vetëtrajtohën në shtëpi, pra në kushte izolimi, çfarë duhet të kenë kujdes këta persona dhe çfarë terapie u nevojitet atyre?

Trajtimi i personave të prekur me pak simptoma është simptomatik, do të thotë luftohen vetëm shenjat joshkaktare, pra rekomandohen medikamentet që ulin temperaturën dhe minimizojnë dhimbjen, siç është Paracetamoli, ushqimi i mirë proteinik, marrja e vitaminave dhe një mirëqenie emocionale dhe psikike janë të nevojshme.

Albinfo.ch: A janë masat e duhura dhe a jeni e kënaqur nga këndi i përgjithshëm i situatës së menaxhimit në Shqipëri dhe Kosovë?

Karantinimi ka sjellë efektet e veta pozitive, ishte e domosdoshme, pasi kapacitetet mjekësore të Shqipërisë dhe Kosovës janë tepër të vogla, kështu nuk mund të përballonin pacientët me probleme të frymëmarrjes. Ndërkohë, duke qenë se dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të papunë, kjo nuk ka ndikuar shumë në rënie të ekonomisë, siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës, ku shtetet evropiane po mbulojnë të ardhurat mujore të popullatës në karantim dhe pasojat e mbylljes së kompanive të mëdha.

 

Platforma Online e mjekëve nga diaspora

Ne si Federatë e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ndiejmë përgjegjësinë për t‘u qëndruar afër bashkëkombësve tanë shqiptarë kudo që janë, me informacione profesionale mjekësore nga specialistët më të mirë të mjekësisë në Evropë, por edhe një mbështetje psikologjike për t‘u treguar shqiptarëve të të gjitha trevave që nuk jeni vetëm.

 

Dy vëllezër kosovarë, dy doktorë për një ditë në Zvicër

Javën e kaluar, më 25 janar 2020, në Universitetin e Gjenevës, në Fakultetin e Mjekësisë, u mbajt ceremonia zyrtare e dhënies së diplomave të 120 mjekëve të sapodiplomuar në Zvicër.

Mes tyre ishin edhe dy vëllezër kosovarë, Gent Memaj, 27-vjeçar dhe Plator Memaj, 26-vjeçar, me origjinë nga Zhuri i Prizrenit, shkruan albinfo.ch.

E veçanta e kësaj ceremonie ishte se të dy vëllezërit mantelbardhë në të njëjtën ditë u bënë zyrtarisht me titujt “Doktorë” të shkencës së Mjekësisë.

Genti për vite me radhë kishte studiuar në Universitetin e Gjenevës për Mjekësi, në Departamentin e Stomatologjisë, duke treguar suksese të mëdha në fushën përkatëse si dentist. Ndërsa, Platori kishte zgjedhur të studionte në drejtimin e Mjekësisë së Përgjithshme, duke korrur suksese në arritjet e tij profesionale si mjek.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme gjatë studimeve, Genti dhe Platori, arritën t’i mbrojnë titujt zyrtarisht të diplomave që iu dorëzuan solemnisht nga personalitetet më të larta politike dhe të qarqeve akademike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Diplomimit të tyre iu gëzuan më së shumti prindërit, Agim Memaj, i cili është inxhinier (Master në Universitetin EPFL Lausanne) dhe Teuta Memaj, mjeke nutricioniste (e specializuar në Universitetin e Lausannës). Ata për albinfo.ch thanë se janë krenarë për djemtë e tyre dhe se kjo në një mënyrë është edhe krenari për gjithë Kosovën, e në veçanti edhe për Zvicrën.

Duhet theksuar se të dy vëllezërit shkollimin fillor dhe Kolegjin Saint Michel (i themeluar më 1582) e mbaruan në Friburg, dhe menjëherë pas përfundimit të tyre ata arritën të regjistrohen në Universitetin e Gjenevës për Mjekësi.

Por, jo vetëm kaq, sukseset e tyre nuk kanë të ndalur, pasi që tani Genti ka filluar punën në një kabinet me shumë reputacion në qendër të Gjenevës, si mjek dentist në kabinetin privat të Stomatologjisë së quajtur “Cabinet Dentaire des Frontenex”.

Nga anat jetër, Platori nga 1 shkurti filloi punën zyrtarisht si mjek në Spitalin Universitar të Gjenevës, në repartin e Kardiologjisë, shkruan albinfo.ch.

Duhet theksuar se objektivi i ardhshëm i Gentit dhe Platorit është doktoratura në një të ardhme të afërt, pasi të dy zotërojnë kapacitete dhe shprehen të gatshëm për titujt e radhës.

Po ashtu, Genti dhe Platori janë shumë të lidhur edhe me Kosovën. Të pyetur nga albinfo.ch se sa herë në vit e vizitojnë Kosovën, ata u shprehen “shumë shpesh, 5 deri 6 herë në vit”.

Gjithashtu vlen të theksohet se të dy vëllezërit kanë pasion historinë, sidomos të kombit shqiptar, dhe vizitojnë rregullisht vendet historike të Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi.  /Albinfo.ch.

 

Doktori shqiptar hap një Spitex të specializuar për emigrantët në Zvicrën Lindore

Rëndësia e përkujdesjes së të sëmurëve dhe të moshuarve në shtëpi është ende e madhe në Zvicër.

Sipas Zyrës Statistikore Federale, numri i pacientëve të organizatave Spitex u rrit me 15 për qind vitin e kaluar, në më shumë se 300 mijë persona.

Gjenerata e parë, ose prindërit tanë kanë ardhur në Zvicër qysh në vitet e 70-ta.

Shumica prej tyre tani po e kalojnë moshën e pleqërisë me fëmijët dhe nipërit e tyre në Zvicër, e shumë pak prej tyre kanë vendosur të kthehen në Kosovë, ndërsa janë raste të rralla kur ata u drejtohen shtëpive të pleqve.

Këta sot e kanë arritur një moshë të pleqërisë, janë pensionistë dhe shumica me shëndet jo aq të mirë nga shkaku i punëve të rënda fizike dhe kanë nevojë për kujdes të veçantë nga persona të kualifikuar shëndetësorë, të cilët komunikojnë në gjuhën e tyre dhe e njohin kulturën dhe traditën shqiptare.

Për këtë ka menduar doktori shqiptar me origjinë nga Grejkoci i Kosovës, Bujar Beqiraj, i cili ka hapur një Spitex që do t’u dedikohet të huajve, po edhe zviceranëve të moshuar në Zvicrën Lindore.

Doktori shqiptar (Assistenzarzt ne Kantonsspital St.Gallen) Beqiraj tha për albinfo.ch se ishte një nevojë, ngase deri tani i ka munguar kësaj pjese të Zvicrës një Spitex i këtillë, i specializuar për emigrantët.

Kjo mbase është mënyra më e mirë për të qenë afër pacientëve të moshuar mjeku shqiptar, i cili në të ardhmen planifikon ta përcjellë edhe në ordinancën e tij që do të bëhet shumë shpejt realitet në St.Gallen.

«Përveç që do të kujdesem për shëndetin e tyre në ordinancën time, këtë do ta bëj edhe në shtëpitë e tyre nëpërmjet ekipit profesional të Spitexit», thotë Beqiraj.

24 orë shërbim, për secilin dhe gjithkund në Zvicrën Lindore, është motoja e Spitexit, në të cilin punojnë 5 punëtorë shëndetësorë, në krye me mantelbardhin Beqiraj.

Tashmë është faktike gjendja në terren se shumica e shqiptarëve të gjeneratës së parë përfundimisht kanë vendosur të mbesin në Zvicër.

“Prindërit e mi shpesh kanë menduar të kthehen në Kosovë, por tani atje po shihet se nuk ka kushte të mira të jetesës. Përkundër dëshirës, unë nuk arrij të kujdesem për prindërit e mi”, e arsyeton hapjen e një Spitexi në Zvicrën Lindore doktori shqiptar.

Por, ai thotë se ende vlerësohet si turp t’i dërgojmë prindërit tanë në shtëpi pleqsh, për shkak mentalitetit dhe kulturës shqiptare.

«Spitexi privat, me seli në Staad në Kanton të St.Gallen, është i specializuar për emigrantë dhe kush ka nevojë, pa dallim etnie, mund të përfitojë nga shërbimet tona. Ne synojmë të arrijmë të kemi kualitet dhe në asnjë rast kuantitet», thotë Beqiraj, duke theksuar se emigrantët kanë më shumë kërkesa për shkak të punëve të rënda që kanë bërë kryesisht në Zvicër.

«Në kohën e “sezonjerëve” ata kanë bërë të pamundurën, duke bërë punë të rënda për të siguruar vazhdimin e qëndrimit në Zvicër, e tërë ajo tani ndjehet te emigrantët në pleqëri», thekson doktori, i ati i të cilit kishte ndjekur rrugën e njëjtë të mërgimit në Zvicër.
«Po, edhe të huajt pak merren me aktivitete fizike, ndërsa edhe më pak zgjedhin ushqimin e shëndetshëm, madje disa ende vuajnë nga përjetimet e luftës në Kosovë».

Në organizatën Spitex, e cila ka të punësuar infermierë/e me njohuri të mira të gjuhëve të huaja, synojmë që ata t’i përshtaten edhe kulturës dhe mentalitetit të pacientëve të huaj.

«Çfarëdo terapie që i ofrohet pacientit nuk është më e efektshme sesa lidhja që krijon me ta duke komunikuar në gjuhën e tyre», tregon Beqiraj, duke rrëfyer nga përvoja e tij të një pacienti shqiptar që kishte pasur problem me terapinë për të mbajtur në kontroll sheqerin, pasi nuk kishte kuptuar rekomandimet e mjekëve.

Gjenerata e parë nuk ka informacione të mjaftueshme rreth shërbimeve eksterne shëndetësore.

Të sëmurit dhe të moshuarit duhet të informohen se çfarë shërbimesh ofrohen nga një Spitex në Zvicër.

Spitexi nuk u dedikohet vetëm pacientëve të moshuar, por edhe të rinjve, të cilët duhet të trajtohen pas spitalit në shtëpi.
Të gjitha shërbimet që ofrohen në Spitexin e mjekut Bujar Beqiraj në tërë Zvicrën Lindore mbulohen nga sigurimet shëndetësore ose komuna.

Për informacione më të hollësishme mund të kontaktoni drejtpërdrejt Spitexin.

Albulena Keka – Administratë SPITEX

Bujar Beqiraj i lindur në fshatin Grejkoc, Komuna e Therandës, si një i ri i ardhur në moshën 15-vjeçare në Zvicër, kishte arritur të tejkalonte të gjitha pengesat, falë vendosmërisë dhe dëshirës së madhe për t’i shërbyer shoqërisë si mjek.

Ishte viti 2007, vit në të cilin Beqiraj kishte filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Fribourg të Zvicrës.

Vështirësitë për të nuk mbaronin, modulet në Universitetin e Frioburgut  zhvilloheshin në dy gjuhë, në atë gjermane dhe frënge.

Tre vjetët e studimeve në Fribourg ishin vite të suksesit, jo vetëm sa i përket studimeve, por edhe jetës sociale.

Ai kishte arritur që për këtë kohë të mësonte jo vetëm për profesionin, për të cilin ishte shumë i përkushtuar, por edhe sa i përket kulturës dhe traditës zvicerane, duke falënderuar familjen Fidanza, ku Bujari i kaloj tre vjet në banesën e tyre.

Pas përfundimit të tre vjetëve, ai vendosi për të rrugëtuar tutje me misionin e tij, duke ndjekur edhe për tre vjet të tjera studimet në fushën e mjekësisë, pranë Universitetit të Bazelit.

Pas mbarimit të studimeve, ai kthehet prapë në St.Gallen për të ushtruar profesionin e mjekut, ku aktualisht punon në Spitalin kantonal të St.Gallenit.

Rrugëtimi i tij është një tregim suksesi që do të kurorëzohet së shpejti edhe me një ordinancë private që do të flasë shqip.

/Publireportazh/

“Ambasadorja e Gjakovës”

Qyteti prej nga vjen Zajmi e ka nderuar me çmimin “Ambasadore e Gjakovës” për kontributin e dhënë që, përveç vetes, ta bëjë të njohur edhe Gjakovën.

Për të nderuar doktoreshën, për këtë çmim kishte menduar organizata e të rinjve “Variety”, e përkrahur edhe nga Ministria kosovare e Diasporës.

“Kjo dekoratë është një nder dhe një shpërblim për punën time të palodhshme në shërbim të njerëzimit dhe me siguri që dhe të pacientëve të mi, kur të dëgjojnë a të lexojnë do t’ iu vijë mirë dhe do të jenë të kënaqur”, tha për albinfo.ch Leonora Binishi-Zajmi.

Doktoresha gjakovare thotë se 90 për qind e pacientëve që e vizitojnë ordinancën privaten në Wil ku punon ajo janë shqiptarë dhe se është e vetmja psikiatre shqiptare në këtë regjion të Zvicrës. Specializimi i saj i ngushtë është në fushën e sëmundjeve psikike te migrantët. Në këtë lëmi ajo jep edhe kurse, ligjërata si për personalin mjekësor, por edhe për familjarët dhe opinionin e gjerë.

Ajo thotë se ka lënë Gjakovën më të gëzuar, me njerëz më të entuziazmuar, me shpresa për një të ardhme më të mirë për qytetin me ardhjen në krye të Komunës të Mimoza Kusarit.

Me çmimin “Ambasadorë të Gjakovës” ishin dekoruar edhe personalitete të tjera, të cilët edhe pse larg Gjakovës korrën suksese, e me këtë rast nderuan edhe qytetin e origjinës. Në mesin e tyre ishin kompozitori dhe këngëtari Avni Mula, fizikani Jahja Kokaj, këngëtari Florent Nushi, aktori Mirush Kabashi, violinisti Shkëlzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, arkitekti dhe restauratori Emin Riza, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi dhe futbollistët Ardian Kozniku, Besnik Hasi e Lorik Cana.

Psikitrja Leonora Binishi Zajmi ishte delegate e Kuvendit të Kosovës në vitet 90-a dhe nënshkruese e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Prej asaj kohe jeton dhe vepron në Zvicër.

Sevdail TAHIRI

10.01.2014