Kosova
Produktet organike të Kosovës, në tregjet evropiane
Rreth 95 për qind e produkteve organike, të cilat grumbullohen dhe kultivohen në Kosovë, gjejnë vend në tregun evropian.
Pronari i një kompanie në Istog thotë se kërkesat për to janë shumë më të mëdha në vendet evropiane sesa në Kosovë.
“Mesatarisht, në vit, në tregun evropian eksportojmë produkte organike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh, ndërkaq në tregun e brendshëm shitja nuk arrin vlerën e 150 mijë eurove”, thotë Halit Avdijaj për Radion Evropa e Lirë.
Avdijaj shton se vazhdimisht punojnë që produktet e tyre organike t’i fusin edhe në tregun vendës, që, siç thotë ai, edhe popullata e Kosovës të përfitojë nga dobitë e tyre, por, kërkesat, sipas tij, janë ende të ulëta.
Kompania e Avdijajt, që kultivon dhe grumbullon produkte organike, eksporton në Gjermani, Zvicër, Austri, Çeki, Bullgari, Francë dhe në Britaninë e Madhe.
Ndërkaq, dy vjet më parë, ajo ka filluar eksportin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, tregon Avdijaj.
Në kompaninë e Avdijajt kultivohen 32 produkte organike, si kamomili dhe menta, dhe grumbullohen 72 produkte të tjera, siç janë aguliçet, lulja e shtogut, frutat e boronicës e të kaçës.
Rritje e eksportit të bimëve aromatike dhe mjekësore
Në vitin 2022 Kosova eksportoi në tregun evropian produkte organike me vlerë prej 15 milionë eurosh, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.
Që një produkt nga Kosova të arrijë tregun ndërkombëtar, kompania duhet jetë e certifikuar si kompani organike. Certifikimet e produkteve organike në Kosovë bëhen nga organe certifikuese ndërkombëtare.
Avdijaj thotë se për të certifikuar një produkt organik kërkohen kritere të shumta.
“Për të filluar një kultivim organik, fillimisht toka duhet të jetë e patrajtuar së paku gjatë pesë vjetëve të fundit. Pastaj, nuk duhet të ketë në kufi ndonjë element ndotjeje. Janë shumë kritere dhe shumë vështirësi, dhe kërkohet punë mekanike”, tregon ai.
Rreth 50 kompani organike në Kosovë
Produktet organike prodhohen pa përdorimin e plehrave sintetike, hormoneve shtazore, aditivëve të dëmshëm dhe substancave toksike.
Këto prodhime nuk i ekspozohen rrezatimit dhe nuk përmbajnë mbetje të antibiotikëve dhe barërave veterinare.
Produktet organike identifikohen përmes logos, që e garanton integritetin e tyre organik.
Drejtori i shoqatës Organika, Fatmir Nagavci, thotë për REL-in se numri i kompanive të certifikuara si organike në Kosovë është rritur nga viti në vit, dhe se pothuajse të gjitha këto kompani i eksportojnë produktet e tyre në vendet evropiane.
“Në vitin 2016, në Kosovë kanë qenë vetëm dy kompani të certifikuara për produkte organike. Vitin e kaluar, numri i tyre ka arritur në afër 50 sosh”, tregon Nagavci.
Sipas inventarizimit të grumbullimit të produkteve pyjore jodrunore, të përpiluar nga Departamenti i Botanikës i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Kosova ka potencial për të grumbulluar së paku 29 mijë tonelata produkte të tilla.
Inventarizimi tregon se 85 produkte të tilla kanë potencial ekonomik, dhe kontribuojnë në gjenerimin e të ardhurave dhe mirëqenien ekonomike të familjeve që jetojnë në zonat rurale./rel
E-Diaspora
-
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë Këtë të diel, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me OJQ-në ABSM, organizoi... -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey -
Folklori shqiptar mahnit publikun në festivalin “Vallet bashkojnë” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Kërkohet rritja e taksave për alkoolin dhe duhanin Qeveria federale e Zvicrës po përballet me një sfidë të madhe financiare: nga njëra anë duhet... -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Presidenti i KNKK-së i kërkon Zvicrës të qëndrojë fort pranë ligjit ndërkombëtar -
Ja si do të jetë moti për Pashkë në Zvicër -
Një bandë hajdutësh vodhi makina dhe targa me vlerë 1.7 milion CHF në Zvicrën lindore












