Vjena konfirmon datën e shortit dhe ceremonisë së dorëzimit për Eurovision 2026

 

Vjena ka konfirmuar zyrtarisht se shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve dhe ceremonia e dorëzimit të qytetit pritës për Festivalin e Këngës “Eurovision 2026” do të mbahet më 12 janar. Kjo datë shënon edhe fillimin zyrtar të periudhës së Vjenës si qyteti organizator i edicionit të ardhshëm të Eurovisionit, përcjell albinfo.ch.

Ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet me një akt simbolik, ku Bazeli do t’i dorëzojë Vjenës “Dhuratën e Miqësisë”, duke zëvendësuar Emblemën tradicionale të qytetit pritës, e cila ishte përdorur në edicionet e konkursit ndërmjet viteve 2007 dhe 2024.

Shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve do të zhvillohet në dy pjesë. Në pjesën e parë do të përcaktohet se në cilën gjysmëfinale do të transmetohen, votojnë dhe performojnë pesë vendet e parakualifikuara: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, si vendi pritës i këtij edicioni.

Në pjesën e dytë të shortit do të vendoset se në cilën gjysmëfinale dhe në cilën gjysmë të saj do të performojnë vendet e tjera pjesëmarrëse. Ashtu siç ndodh që nga viti 2013, rendi i saktë i performancave do të përcaktohet më vonë nga producentët e spektaklit, pasi të jenë përzgjedhur të gjitha këngët pjesëmarrëse.

Siç u bë e ditur nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) në muajin gusht, “Eurovision 2026” do të mbahet në Vjenë, pas fitores së Austrisë në edicionin e vitit 2025 në Bazel, ku këngëtari JJ triumfoi me këngën “Wasted Love”.

Sipas kalendarit zyrtar, dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa Finalja e Madhe është planifikuar për 16 maj 2026. Konkursi do të mbahet në Wiener Stadthalle, arenë e njohur që ka pritur edhe Eurovisionin në vitin 2015 dhe që ka kapacitet për deri në 16 mijë spektatorë.

Organizatorët pritet të publikojnë detaje të tjera organizative dhe artistike në muajt në vijim, ndërsa interesi për edicionin 2026 tashmë ka nisur të rritet në mbarë Evropën.

Cilat janë shqetësimet kryesore të zviceranëve

Zviceranët shqetësohen kryesisht për shëndetin dhe primeve të sigurimeve shëndetësore, sipas Barometrit të Shqetësimeve 2025 të UBS. Pothuaj gjysma e të pyeturve raportojnë stres të vazhdueshëm për këtë çështje, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, politika ndërkombëtare dhe presidenca e Donald Trump po rritin shqetësimet: 19% e të pyeturve e përmendin Trump si një prej shqetësimeve kryesore. Edhe konfliktet ndërkombëtare si Ukraina dhe Lindja e Mesme perceptohen si kërcënime serioze.

Çështjet e energjetikës, inflacionit dhe sigurisë personale shqetësojnë më pak sesa vitin e kaluar. Po ashtu, papunësia është shqetësim i vogël, me vetëm 6% të të pyeturve që e përmendin – një nivel historikisht i ulët.

Lahuta shqiptare njihet nga UNESCO si trashëgimi kulturore

Instrumenti tradicional shqiptar lahuta është futur zyrtarisht në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s për mbrojtje urgjente, duke përfaqësuar Shqipërinë në këtë njohje ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Sipas UNESCO-s, lahuta është një instrument druri me një tel, me trup të mbuluar me lëkurë dhe qafë të gdhendur, zakonisht nga druri i panjës ose arrës. Dikur teli bëhej nga bishti i kalit, ndërsa sot përdoret shpesh najloni. Instrumenti luhet kryesisht në veriun dhe verilindjen e Shqipërisë, gjatë tubimeve familjare, festave dhe ngjarjeve komunitare.

“Lahutari këndon duke shoqëruar veten me instrument, duke rrëfyer legjenda, ngjarje historike apo përvoja personale. Edhe pse tradicionalisht përdorej nga burrat, sot lahutën interpretojnë gjithnjë e më shumë edhe gratë,” shkruhet në përshkrimin e UNESCO-s.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi lajmin përmes një videoje në Facebook.

Lahuta është e përhapur në zonën e Alpeve Dinarike – nga Sllovenia deri në Shqipëri – si dhe në Rumani, Bullgari, Maqedoni, Kroaci, Bosnje e Mal të Zi. Në Serbi dhe Mal të Zi, rapsodët quhen “guslarë”, ndërsa në Kroaci instrumenti përdorej nga hajdukët. Vegla ka versione të ngjashme edhe në Rusi, Çeki dhe disa kultura arabe, ndërsa në Rumani quhet “lauta”, një emërtim i afërt me atë shqip.

SBB heq linjën e natës drejt Malmös, parlamenti refuzon financimin

Që nga pranvera e vitit 2026 pritej të hapej një linjë e re e trenit të natës nga Zvicra drejt Malmö. Por projekti nuk do të realizohet. Kjo pasi Këshilli Kombëtar ka hequr nga buxheti 10 milionë frangat e parashikuara për subvencionimin e linjës, duke ndjekur kështu vendimin e mëparshëm të Këshillit të Shteteve, përcjell albinfo.ch.

Sipas SBB-së, pa këtë mbështetje financiare federale, operimi i linjës së natës për në Kopenhagen dhe Malmö është ekonomikisht i paqëndrueshëm. Kompania kishte theksuar që në fillim se fondet shtetërore ishin të domosdoshme për realizimin e projektit.

SBB njofton gjithashtu se të gjithë pasagjerët që kanë blerë tashmë bileta do të marrin rimbursim të plotë.

Deputetët ndajnë mbi 100 milionë franga për Gjenevën ndërkombëtare

Parlamenti zviceran ka miratuar një paketë financimi prej më shumë se 100 milionë frangash për katër vitet e ardhshme, me qëllim mbështetjen e organizatave të OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare të vendosura në Gjenevë. Këto organizata janë goditur rëndë nga shkurtimet buxhetore të SHBA-së, duke rrezikuar funksionimin dhe prezencën e tyre në qytet, përcjell albinfo.ch.

“Është e rëndësishme të kuptohet se këto fonde nuk janë të destinuara për jashtë vendit apo për OJQ që veprojnë jashtë kufijve kombëtarë, por synojnë forcimin e pozicionit të Zvicrës si qendër ndërkombëtare,” deklaroi deputeti i Gjenevës, Carlo Sommaruga.

Krizat financiare tashmë kanë lënë pasoja: deri tani, mbi 3,000 vende pune janë zhdukur në Gjenevën ndërkombëtare.

Peticioni #Zexit kërkon ndarjen e Cyrihut nga kantoni

Një peticion i ri me emrin #Zexit po kërkon që qyteti i Cyrihut të ndahet nga kantoni. Arsyeja kryesore që përmendet është “mospajtueshmëria e thellë” në referendume kantonale, përcjell albinfo.ch.

Sipas iniciatorëve urbanë, ndarja do të ulte tensionet mes qytetit liberal dhe zonave rurale më konservatore përreth. Ata argumentojnë se diferencat e vazhdueshme politike po e bëjnë bashkëjetesën institucionale të vështirë.

Por ekspertët nuk pajtohen. Daniel Kübler, profesor në Institutin e Shkencave Politike të Universitetit të Cyrihut, e quan idenë “plotësisht utopike”, si nga ana ligjore, ashtu edhe kushtetuese.

“Sikur ajo energji të përdorej për të përmirësuar marrëdhëniet mes qytetit dhe kantonit, rezultati do të ishte shumë më i dobishëm,” u shpreh ai.

Pse BE-ja synon zgjerim të madh të rrjetit hekurudhor, por pa Zvicrën

Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të gjerë transporti që parashikon ndërtimin e linjave të reja hekurudhore me shpejtësi të lartë dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. Plani i Komisionit Evropian synon të krijojë një rrjet shumë më të dendur deri në vitin 2040, përcjell albinfo.ch.

Sipas projektit, pritet të ndërtohen linja të reja nga Varshava drejt shteteve baltike, si edhe një korridor i ri hekurudhor nga Parisi, përmes Madridit, deri në Lisbonë.

Por të gjitha këto linja e anashkalojnë plotësisht Zvicrën.

Kjo vjen pavarësisht faktit se, gjatë 30 viteve të fundit, Zvicra ka investuar mbi 1 miliard franga për të ndërtuar lidhje dhe infrastrukturë që e bashkojnë vendin me rrjetin evropian të trenave me shpejtësi të lartë. Megjithatë, sipas Zyrës Federale të Transportit, Zvicra nuk është përfshirë në planet e reja të zgjerimit të BE-së.

Berna miraton strategjinë e parë kombëtare kundër racizmit

Një në gjashtë persona në Zvicër deklaron se ka përjetuar diskriminim racor gjatë pesë viteve të fundit, sipas të dhënave zyrtare. Për të adresuar këtë problem në rritje, Këshilli Federal ka miratuar strategjinë e parë kombëtare kundër racizmit dhe antisemitizmit, përcjell albinfo.ch.

Strategjia e re, e njohur si modeli 4×4, do të zbatohet në periudhën 2026–2031 dhe parasheh katër fusha kryesore veprimi:

Përmirësimi i regjistrimit dhe dokumentimit të incidenteve raciste dhe antisemitike, në mënyrë që institucionet të kenë të dhëna më të sakta dhe të plota.

Mbrojtja më e mirë e viktimave, duke forcuar shërbimet mbështetëse dhe qasjen në ndihmë juridike.

Forcimi i masave parandaluese në nivel institucional, përfshirë administratën, arsimin dhe sektorin publik.

Nxitja e angazhimit shoqëror, me fushata sensibilizuese dhe përfshirjen aktive të komuniteteve në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit.

Me këtë strategji, autoritetet zvicerane synojnë të krijojnë një qasje më të koordinuar, më të dukshme dhe më efikase kundër formave të racizmit dhe antisemitizmit në vend. /Albinfo.ch

Rrëfehet ambasadori Christopher Hill: Pse vendosa të dëshmoj për Thaçin në Hagë

Ambasadori Christopher Hill, një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane në Ballkan dhe negociator kyç i çështjes së Kosovës, gjatë një interviste në Euronews Albania, foli dhe për vendimin e tij për të dëshmuar në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, përcjell albinfo.ch.

Hill ndau refleksione personale dhe u shpreh mbi arsyet që e shtynë të merrte pjesë në këtë gjyq, duke theksuar rolin e përgjegjësisë morale dhe faktit që nuk kishte prova për përfshirjen e Thaçit në krime lufte.

Ai tha se vendimi për të dëshmuar nuk ishte nën presion politik apo profesional, por një përgjegjësi morale ndërsa theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe vizitave në fshatra ku ndodhën krime lufte, nuk pa asnjë provë që Thaçi të kishte urdhëruar apo kryer krime.
“Ai nuk më kërkoi për mbështetje, unë fola me disa njerëz sepse mendoja se ishte një përgjegjësi morale dhe vërtet mendoj se është një përgjegjësi morale. Isha aty, në vende të ndryshme në Kosovë, nuk qëndrova vetëm në Prishtinë, kam qenë në gjithë këto fshatra ku ka pasur krime lufte. Padyshim që ishin krime lufte, ka pasur krime ku autorë kanë qenë serbët kundrejt shqiptarëve, por më falni, ka pasur edhe krime të tjera. Unë ama në atë kohë nuk di asnjë lloj krimi për të cilin mund të thosha se u shkaktua nga z. Thaçi dhe ai tani ka diku tek 5 vite që është në burg, në paraburgim, dhe unë ndjeva se ishte përgjegjësi morale që të shkoja në Hagë, siç bëra, dhe kalova 3 ditë duke dëshmuar dhe ndonjëherë është e vështirë sepse prokurori ishte mjaft i ashpër për këtë çështje, por unë ndjeja se ishte diçka e padrejtë për ta mbajtur atë aty. Shqetësimi im ishte se aty gjatë luftës, unë pashë shumë gjëra gjatë luftës, por asnjëherë nuk pash Hashim Thaçin të vriste njerëz apo të jepte urdhra që të vriteshin njerëz, nuk pash diçka të tillë. Dhe kur mu kërkua që të dëshmoja, pranova”, tha ai.

Ambasadori shprehu gjithashtu rëndësinë e sqarimit të rolit të UÇK-së, duke theksuar se nuk ishte një njësi plotësisht e komanduar nga Thaçi, por me aktorë të pavarur.

“Mendoj se pjesë e kësaj ideje është se ajo që po përpiqeshin të thoshin prokurorët është se UÇK-ja ishte një njësi shumë e organizuar dhe se urdhri jepej nga kreu dhe ekzekutohej nga personi që ishte në fund. Kjo ishte një ekzagjerim i shkallës së organizimit vertikal të UÇK-së. Pra unë nuk mendoj se ka prova nga ajo kohë, ka pasur edhe aktorë të pavarur dhe e kam përmendur edhe tek libri im diçka të tillë. Ndonjëherë kur z. Thaçi binte dakord për diçka në Rambuje dhe më pas shkonte në shtëpi dhe kërkohej një leje, unë u habita që ishte përgjegjës, por ndjeja se ishte e rëndësishme për prokurorin dhe tre gjyqtarët në Hagë që të kuptonin këndvështrimin tim. Unë asnjëherë nuk e pranova idenë se kishte një UÇK që kishte një person në krye, Thaçin, që ishte duke dhënë këta urdhra. Jo, ajo që doja të thoja është që nuk pashë prova për diçka të tillë. Dhe duhet të jetë një gjykim që duhet të mbështetet mbi prova, pra ndjeva përgjegjësi morale që ta tregoja historinë siç e ndjeva unë. Unë nuk pretendoj t’i di të gjitha por kur më pyetën, unë ose do thoja “nuk e di” ose do thoja atë që unë dija.”

Pyetje: Si mendoni se do përfundojë ky gjyq?

Hill: “Uroj ta dija, uroj që të kisha një makineri që të më tregonte të ardhmen, dhe uroj që të kisha një makineri të kohës ku do shkoja pas në të kaluarën…”

BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re, përmend dialogun me Serbinë

Një numër shtetesh anëtare të BE-së, përfshirë edhe Francën e Italinë, kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës, thonë burime në Bruksel. Por një pjesë e shteteve të tjera anëtare të BE-së janë shprehur për heqjen e masave. Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve komunale dhe transferit paqësor të pushtetit në veri, mendohej se Kosova ka arritur në pikën kur duhej të hiqeshin ato, megjithëse BE-ja nuk e ka bërë të qartë një gjë të tillë. Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i BE-së tha se Bruskeli mirëpret dorëzimin e rregullt të qeverisjes lokale nëpër komunat e veriut.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për heqjen graduale të masave që kanë qenë në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më parë, ne synojmë t’i zbusim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e rregullt të qeverisjes lokale në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve”.

Bashkimi Evropian përmendi edhe zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor dhe tha se pret një proces zgjedhor gjithëpërfshirës.

“Ne gjithashtu e marrim shënim shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare më vonë gjatë dhjetorit dhe theksojmë rëndësinë e një procesi zgjedhor mirë të administruar dhe konkurrues — përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet. BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ne presim me padurim që Kosova të rikthehet në binarët e reformave të nevojshme për BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Megjithëse mendohej se BE mund të heq masat ndaj Kosovës së paku deri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, hulumtuesi i Grupit për studime juridike dhe politike, Besar Gërgi thotë se një varg veprimesh përfshirë edhe ato të anëtarëve të KQZ-së kundrejt Listës Serbe, e kanë shtyrë këtë vendim.

“Kemi edhe vendimin e anëtarëve të KQZ-së për mos certifikimin e Listës serbe gjë që mund të ketë ndikuar…”, ka thënë Gërgi. 

Masat ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023, ndërkohë Bashkimi Evropian vitin e kaluar kishte vendosur që masat ndaj Kosovës të hiqen në mënyrë graduale, që ndërlidhej me deeskalim të situatës në veri. Masat e BE-së e dëmtuan Kosovën me rreth 600 milionë euro fonde të pezulluara të cilat, thonë organizatat joqeveritare, rrezikojnë të humbasin përfundimisht. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini thotë se humbjet janë shumë më të mëdha.

“Humbjet nga masat prekin miliarda, tregojnë se Kosova po mbetët e izoluar qoftë nga faktori ndërkombëtare qoftë nga masat e BE-së qoftë edhe nga SHBA së fundmi kur ndali dialogun strategjik…”, tha Shahini për rtv21

Megjithatë, njohësi i rrethanave politike, Arton Muhaxheri, u shpreh skeptik se Kosovës do t’i hiqen masat pas 28 dhjetorit. Sipas tij, autoritetet në Kosovë nuk kontribuuan në përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët.

“Masat nuk hiqen deri sa të është Albin Kurti këtu nuk hiqen pavarësisht tranzicionit paqësor sepse nuk është determinuese sa po i dëgjon bashkësinë ndërkmbëtare në këtë moment…”, deklaroi Muhaxheri. 

Përveç dëmeve financiare, masat ndëshkuese të BE-së dëmtuan edhe imazhin e Kosovës, meqë, ato futën Kosovën në një listë me shtete problematike siç është Rusia.

Rolfes zbulon arsyet e largimit të Xhakës nga Leverkuseni: Ishte koha për diçka të re

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, ka folur hapur në emisionin televiziv “Sky90” për largimin e Granit Xhakës nga klubi gjerman, përcjell albinfo.ch.

“Graniti është në formë të shkëlqyer, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai kishte edhe tre vjet kontratë me ne dhe kjo nuk ishte kontratë e keqe. Por ne kemi disa parime mbi të cilat mbështetemi”, deklaroi Rolfes.

Sipas tij, kërkesat financiare të Xhakës kanë qenë më të larta sesa ajo që klubi ishte i gatshëm të ofronte.

“Në një moment e bëmë të qartë: kjo nuk po funksionon. Ne kemi kufizime financiare dhe kontrata që duhen respektuar. Edhe lojtari duhet t’u përmbahet tyre, përndryshe do të vijnë dhjetë lojtarë të tjerë me të njëjtat kërkesa”, shtoi ai.

Në fund, të dyja palët vendosën se ndarja ishte zgjidhja më e mirë, pavarësisht trofeve të fituara: titullit kampion, Kupës dhe Superkupës, ku Xhaka pati rol vendimtar.

Kapiteni i Zvicrës iu bashkua ekipit të rikthyer në Premier League, Sunderland, për rreth 15 milionë euro, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2028.

Ndikimi i tij në klubin anglez ka qenë i menjëhershëm. Sunderlandi aktualisht renditet në pozitën e tetë, ndërsa Xhaka ka luajtur pothuajse çdo minutë, duke u zëvendësuar vetëm pas minutës së 75-të në humbjen 3:0 ndaj Manchester Cityt fundjavën e kaluar. Ai tashmë ka shënuar një gol dhe ka dhënë katër asistime.

Leverkuseni ka ndier mungesën e tij në aspektin sportiv, por Rolfes thekson se vendimi ishte i domosdoshëm:

“Ishte momenti i duhur për t’u përqendruar në diçka të re”.

Ndërkohë, me ardhjen e Alex Garcia, Leverkuseni beson se ka gjetur pasardhësin ideal të Xhakës.

Ambasada e Kosovës në Paris njofton pezullim të përkohshëm të shërbimeve konsullore

Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris ka njoftuar bashkatdhetarët se, për shkak të përmbylljes së vitit fiskal dhe festave të fundvitit, shërbimet konsullore do të ofrohen deri më 19 dhjetor 2025, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet konsullore nuk do të ndërpriten plotësisht, pasi Ambasada do të mbetet në dispozicion të qytetarëve për çdo nevojë urgjente edhe pas kësaj date.

Ambasada ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e bashkatdhetarëve, duke iu uruar atyre gëzuar festat e fundvitit.

Asllani nominohet për mesfushoren më të mirë në Suedi

Federata Suedeze e Futbollit ka publikuar listën e të nominuarve për çmimet e më të mirëve të vitit 2025 në futbollin suedez, ku pjesë e listës është edhe futbollistja me origjinë shqiptare Kosovare Asllani, përcjell albinfo.ch.

Asllani është nominuar në kategorinë mesfushorja më e mirë, duke konfirmuar edhe një herë formën e saj të lartë në arenën ndërkombëtare.

Ylli i futbollit suedez mban rolin e kapitenes së Suedisë, ndërsa është një nga figurat kryesore edhe te skuadra angleze London City Lionesses, ku ka dhënë kontribut të rëndësishëm gjatë sezonit.

Fituesit e çmimeve pritet të shpallen më vonë gjatë këtij muaji.

Fatjona Matraku, zë i kulturës shqiptare në Francë

Pianistja dhe mësuesja shqiptare Fatjona Matraku, e vendosur prej vitesh në Francë, është pritur në takim zyrtar nga Ambasadori Halimi, në një aktivitet kushtuar vlerësimit të kontributit të saj në fushën e artit dhe diplomacisë kulturore, transmeton albinfo.ch.

E njohur për projektet e saj artistike që ndërthurin muzikën klasike me identitetin kulturor shqiptar, Matraku është vlerësuar për rolin e saj në promovimin e trashëgimisë sonë në skenat evropiane dhe mesdhetare.

Gjatë takimit, ambasadori theksoi se, ndonëse vjen nga Tirana, veprimtaria e saj e shtrin përfaqësimin kulturor përtej kufijve, duke u bërë zë i të gjitha komuniteteve shqiptare në diasporë.

Po ashtu, palët diskutuan mundësitë për bashkëpunime të reja kulturore, si dhe mënyrat konkrete për promovimin e artit dhe trashëgimisë shqiptare në Francë dhe në rajon.

Ambasada shprehu vlerësim të posaçëm për angazhimin e vazhdueshëm të Fatjona Matrakut, duke garantuar mbështetje për iniciativat që kontribuojnë në forcimin e pranisë së kulturës shqiptare jashtë vendit./Albinfo.ch

Oficer i FSK-së diplomon në SHBA

Kapiten Ymërdin Hasani, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Podujeva, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina Veriore, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është shpërblyer me Medaljen për Arritje Ushtarake, e cila u ndahet pjesëtarëve me performancë të lartë dhe rezultate të veçanta gjatë procesit mësimor.

Ky trajnim i specializuar është fokusuar në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitetet lokale, vlerësimin e nevojave civile dhe koordinimin e projekteve që mbështesin stabilitetin dhe zhvillimin në zona operacionale.

Përmes këtij kursi, ai ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkërendim me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullatës civile.

Kapiten Hasani pritet t’i vërë në shërbim të Kosovës njohuritë e fituara, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të Çështjeve Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ngjarje e rëndë në Zakynthos, qeni i familjes i merr jetën 2 vjeçarit shqiptar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Agios Leontas në ishullin Zakynthos, ku një fëmijë shqiptar 2-vjeçar ka humbur jetën pasi është sulmuar nga qeni i familjes, i racës pit bull, teksa po luante në oborrin e shtëpisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave greke, përfshirë rrjetin publik ERT, vogëlushi ndodhej vetëm për pak çaste, kur iu afrua vendit ku ishte lidhur qeni, i cili e sulmoi duke i shkaktuar plagë të rënda.

Prindërit e fëmijës, babai me origjinë shqiptare dhe nëna nga Anglia, e dërguan menjëherë në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë, por për fat të keq ndërroi jetë si pasojë e plagëve.

Babai i viktimës, në një deklaratë për mediat vendase, shprehu dhimbjen e tij të thellë:

“Vajza ime e vogël më thirri dhe unë vrapova. Kaq mbaj mend… Djali im i vogël iku.”

Ai shtoi se qeni ishte endacak dhe ishte marrë në shtëpi për ta mbrojtur nga banorët e zonës.

Policia greke ka ndaluar për marrje në pyetje prindërit, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Komuniteti lokal në Zakynthos është shprehur i tronditur nga kjo tragjedi./Albinfo.ch

Vendi që synon të rrisë përdorimin publik të inteligjencës artificiale deri në 80%

Qeveria japoneze ka përgatitur një draft–plan të ri për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), ku parashikohet që fillimisht teknologjia të adoptohet nga gjysma e popullsisë dhe më pas të arrihet një përfshirje prej 80%.

Sipas informacioneve të siguruara nga Jiji Press, dokumenti nënvizon se rritja e përdorimit të IA-së është thelbësore për forcimin e kapaciteteve teknologjike të vendit. Plani përfshin gjithashtu objektivin për të tërhequr rreth 1 trilion jen nga sektori privat për të mbështetur kërkimin dhe zhvillimin. Qeveria pritet ta miratojë këtë program deri në fund të vitit.

Aktualisht, SHBA-ja dhe Kina kryesojnë globalisht në përdorimin e IA-së gjenerative, me norma përkatësisht 68,8% dhe 81,2%, shumë më të larta se përdorimi në Japoni, i cili qëndron në vetëm 26,7%.

Drafti thekson se inteligjenca artificiale duhet të shtrihet në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe të funksionojë si një infrastrukturë thelbësore, e konsideruar si “bazë intelektuale dhe platformë ekzekutimi” për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

 

Punëdhënësit që ofrojnë paga më të larta për aftësi specifike në vitin 2026

Tregu i punës është bërë më konkurrent se kurrë, dhe rritjet e pagave mbeten të kufizuara — përveç në rastet kur kandidatët zotërojnë aftësi të specializuara. Sipas Udhëzuesit të Pagave 2026 nga Robert Half, 84% e punëdhënësve në SHBA synojnë të paguajnë më shumë ata që kanë aftësi të rralla dhe shumë të kërkuara.

Aftësitë që sjellin rritjen më të madhe të pagës:

Inteligjenca Artificiale & Mësimi Automatik: +4.1%

Kontabilitet publik, taksa, auditim: +3.7%

Strategji përmbajtjeje dhe marketing digjital: +3.3%

Shërbime dhe administrim në kujdesin shëndetësor: +3.0%

Menaxhim kontratash ligjore: +2.7%

Kompensim & përfitime punësimi: +2.4%

Sipas Michelle Reisdorf nga Robert Half, kërkesa më e madhe është për ekspertët e inteligjencës artificiale, të cilët punësohen menjëherë sapo diplomohen. Ajo këshillon punonjësit të zhvillojnë këto aftësi përmes trajnimeve, kurseve universitare apo kampeve teknologjike.

 

Donald Trump mund të shtojë 11 vende të tjera në listën e ndalimit për udhëtim para Botërorit

Sipas raportimeve, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të përfshijë 11 shtete të tjera në listën e vendeve që kanë ndalim udhëtimi amerikan, vetëm pak muaj para Kupës së Botës 2026.

Kupa e Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, po afrohet me shpejtësi. Shorti i fazës së grupeve u zhvillua më 5 dhjetor në Kennedy Center në Washington D.C.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm emra të njohur si Robbie Williams, Kevin Hart, Heidi Klum, Nicole Scherzinger, Shaquille O’Neal, Tom Brady, Wayne Gretzky dhe Village People, si dhe Donald Trump, i cili mori Çmimin Inaugurues të Paqes nga FIFA, nga duart e Gianni Infantinos.

FIFA e vlerësoi Trump, 79 vjeç, për “përpjekjet e tij të vazhdueshme për promovimin e paqes”, duke përmendur rolin e tij në ndërmjetësimin për armëpushim dhe përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Trump ka pasur ndikim edhe para fillimit të turneut, duke shkaktuar vështirësi për tifozët e disa shteteve për shkak të kufizimeve të udhëtimit. Në qershor 2025, ai njoftoi masa për “mbrojtjen e amerikanëve nga aktorët e huaj të rrezikshëm”.

Shtetasit e 19 vendeve, përfshirë Haiti dhe Iranin, nuk lejohen të hyjnë më në SHBA, edhe pse këto vende janë kualifikuar për Kupën e Botës 2026. Kufizimet tashmë prekin shtetasit e Afganistanit, Burmasë, Burundit, Çadit, Kubës, Guineas Ekuatoriale, Eritresë, Laos, Libisë, Republikës së Kongos, Sierra Leones, Somalisë, Sudanit, Togos, Turkmenistanit, Venezuelës dhe Jemenit.

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Kristi Noem, tha se lista e ndalimeve do të zgjerohet në 30 shtete, duke përfshirë edhe 11 shtete të tjera.

“Noem tha më 4 dhjetor në FOX News: ‘Nuk do të jap emra specifikë, por numri do të shkojë mbi 30. Presidenti po vlerëson vendet. Nëse një shtet nuk ka qeveri stabile dhe nuk mund të na ndihmojë në kontrollin e udhëtarëve, pse të lejojmë njerëz nga ai vend të hyjnë në SHBA?’”

Nuk dihet ende se cilat vende do të shtohen, por disa përjashtime do të jenë të vlefshme për lojtarët, stafin dhe familjet pjesëmarrëse në Botëror. Sipas POLITICO, tifozët haitianë nuk do të përfitojnë përjashtime për shkak të krizës politike dhe situatës humanitare në vend, që ka bërë që ekipi kombëtar të luajë ndeshjet në Curacao, 500 milje larg shtëpisë.

Ky njoftim vjen pas vendimit të 2 dhjetorit, kur Trump njoftoi ndalimin e përkohshëm të aplikimeve për imigracion nga 19 vendet që ishin përfshirë më parë.

BE planifikon rrjet hekurudhor rreth Zvicrës, SBB zgjeron lidhjet direkte me Europën

Hekurudhat Federale Zvicrane (SBB) po zgjerohen për të ofruar më shumë lidhje direkte me qytetet europiane, ndërsa Bashkimi Evropian ka prezantuar planet për një rrjet të ri hekurudhor me shpejtësi të lartë, që përfshin linja të reja, por jashtë territorit zviceran.

Sipas SBB, fokusi është kryesisht te lidhjet gjatë ditës për pasagjerët ndërkombëtarë. Zyra Federale e Transportit synon që trenat me shpejtësi të lartë të lidhin Zvicrën me Londrën brenda gjashtë orësh pa ndërrime trenash.

Ndërkohë, BE planifikon të ndërtojë dy linja të reja deri në vitin 2040: një nga Varshava për vendet e Baltikut dhe një tjetër nga Parisi përmes Madridit deri në Lisbonë, duke ulur ndjeshëm kohët e udhëtimit. Planet e BE-së përshpejtojnë rrugët rreth Zvicrës, duke e lënë vendin jashtë linjave kryesore të rrjetit.

Zviceranët kanë investuar prej vitesh në infrastrukturën e tyre hekurudhore, përfshirë tunelat e Gotthardit, Cenerit dhe Lötschberg, si pjesë e lidhjeve me rrjetin europian me shpejtësi të lartë. Sipas Zyrës Federale të Transportit, gjatë 30 viteve të fundit janë shpenzuar mbi një miliard franga zvicerane për këtë qëllim.

Véronique Stephan nga SBB nënvizon se Zvicra do të vazhdojë të punojë për të mos ngecur pas zhvillimeve europiane, ndërsa investimet e BE-së në hekurudhat europiane mirëpriten si mundësi për përmirësim të infrastrukturës.

 

 

Vaud: Rruga hekurudhore Montreux-Aigle e mbyllur, qindra persona bllokuar

Linja hekurudhore e Zvicrës (SBB/CFF) midis Montreux dhe Aigle është e mbyllur, duke lënë qindra persona të bllokuar.

Për shkak të një incidenti ku një person u godit nga treni, nuk ka trenë në linjën Lausanne-Brig midis Montreux dhe Aigle. Shumë udhëtarë, veçanërisht në Montreux, janë bllokuar në mes të tregut të Krishtlindjeve, transmeton albinfo.ch.

Sipas SBB, trafiku hekurudhor është ndërprerë midis Veytaux dhe Roche në linjën Montreux-Aigle. Kufizimi pritet të zgjasë deri rreth orës 22:00. Linjat EC, IR, IR90, IR95, RE, RE33, R3 dhe R4 janë të prekura dhe të gjitha trenat janë anuluar.

Autobusë zëvendësues janë vendosur, por po hasin vështirësi për të akomoduar udhëtarët, veçanërisht në Montreux, ku prania e vizitorëve është e madhe për shkak të tregut të Krishtlindjeve. Për këtë arsye, SBB paralajmëron se “priten vonesa të mëtejshme në rrugën e prekur”.

 

Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së për qendrat e votimit jashtë Kosovës

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që ndalon votimin në qendrat e votimit jashtë Kosovës, të identifikuara përmes përfaqësive diplomatike.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, vendimi i PZAP-së i datës 30 nëntor 2025 është i drejtë dhe i ligjshëm. Paneli kishte vendosur që për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, qendrat e votimit jashtë vendit të jenë përfaqësitë diplomatike ose hapësirat e tyre.

“Lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda përfaqësive diplomatike është një masë mbrojtëse për të garantuar integritetin e votës dhe nuk pengon të drejtën e votës së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit,” thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Gjykata gjithashtu thekson se Republika e Kosovës ka garantuar të drejtën e votës për qytetarët jashtë vendit, duke vendosur edhe kushtet ligjore për ushtrimin e saj. LVV kishte dorëzuar ankesën më 3 dhjetor 2025, duke kundërshtuar vendimin e PZAP-së.