Vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore Mustafa Sheqeri, i njohur ndryshe si Muçi Shaljani pasi mori 10 plumba, 2 prej të cilëve në kokë, përcjell albinfo.ch.
40-vjeçari, i cili ndodhet i intubuar në reanimacion, mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur ditën e djeshme në zonën e Rinasit, ku humbi jetën 47-vjeçari Gilmando Dani.
Sipas burimeve spitalore, Sheqeri ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e mjekëve. Ai ka marrë 10 plumba, ndër to 2 në kokë dhe disa të tjera në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i shpëtuar jetën, ndërsa gjendja e tij mbetet kritike dhe e paqëndrueshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasi automjeti ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri u qëllua me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Të dy sapo ishin kthyer nga Barcelona.
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi, përcjell albinfo.ch.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.
“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.
Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.
“Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.
Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në
“Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.
Për herë të parë, “Swiss Medical School” u mbajt në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, duke shënuar një hap të ri në konsolidimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve universitare në Kosovë.
Më 8 dhe 9 nëntor 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, u zhvillua kjo ngjarje shkencore e rëndësishme, e organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ) në bashkëpunim me Organizatën e Studentëve të Mjekësisë të Kosovës (KOMS).
Ngjarja mblodhi disa prej mjekëve shqiptarë më të njohur që veprojnë në Zvicër, të cilët mbajtën ligjërata para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, duke ndarë përvojat e tyre profesionale dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë
Në hapje, fjalën e morën Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të diasporës dhe studentëve në Kosovë.
Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së
Dr. med. Mentor Bilali, Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër: “Swiss Medical School 2025 ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, frymëzuese dhe shumë profesionale. U ndje një energji e veçantë mes pjesëmarrësve – një kombinim i motivimit akademik dhe dashurisë për atdheun. Interesimi i madh i studentëve dhe bashkëpunimi i ngushtë me stafin akademik treguan se kjo nismë ka arritur të krijojë ura reale mes dijes, përvojës dhe identitetit tonë profesional. Këto momente na kujtojnë se sa shumë mund të arrihet kur bashkojmë dijen me përkushtimin dhe rrënjët tona.”
Sipas LMSHZ-së ”Kjo ngjarje shkencore u dedikua absolventëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, si dhe mjekëve të rinj, me qëllim që të mundësojë transferimin e dijes bashkëkohore dhe eksperiencave profesionale nga Zvicra në Kosovë. Bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës përbën një shtyllë themelore të këtij projekti; ai lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe krijon ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë e më gjerë.”
Pas përfundimit të ngjarjes, disa prej mjekëve ligjërues ndanë përshtypjet e tyre për Albinfo.ch, duke shprehur vlerësimet e tyre për takimin me studentët e Prishtinës dhe për nivelin e përgatitjes akademike të tyre.
Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër
Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.
LIgjerata: Principet e Parandalimit dhe Trajtimit të Kancerit të Qafës së Mitrës “Swiss Medical School 2025 jo vetëm që zgjoi interesimin e qindra studentëve dhe specializantëve, por për herë të parë u organizua në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë. Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të përparuar ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve akademike në Kosovë”.
Organizimit i kanë paraprirë disa takime të ndërsjella mes Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, Prodekanes për Mësim, Prof. Dr. Aurora Bakalli.
“Ngjarja u realizua në bashkëpunim të ngushtë me organizatën studentore KOMS dhe kryetaren e saj, Dr. Bardhë Agaj.
Swiss Medical School u akreditua për herë të parë nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Interesimi i studentëve dhe specializantëve ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa pjesëmarrja dhe diskutimet interaktive e bënë këtë ngjarje një shkëmbim të vërtetë akademik mes docentëve dhe pjesëmarrësve.Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të thellohet edhe në të ardhmen.”, tha doktor Neziri
Prof. Dr. Përparim Limani
Prof. Dr. Përparim Limani, kirurg, i cili prezantoi temën “Kirurgjia citoreduktive (CRS) dhe kimioterapia intraperitoneale me hipertermi (HIPEC) për malignitetet e sipërfaqes peritoneale (PSM)”, tha: “Ishte një kënaqësi e veçantë të ligjëroja para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të zhvillonim diskutime të thella rreth kësaj teme komplekse, por jashtëzakonisht të rëndësishme për trajtimin modern të pacientëve me tumore peritoneale. Më bëri shumë përshtypje interesimi i madh i studentëve dhe mënyra kritike me të cilën ata qasën pyetjeve dhe rasteve klinike. Kjo dëshmon se në Kosovë po rritet një brez i ri mjekësh të përgatitur dhe të motivuar.”
Dr. Durrësim Ramadani, urolog, shtoi:“Prezantimi im ishte për hiperplazinë beninje të prostatës, një problematikë shumë e shpeshtë te pacientët e moshuar. Ka pasur një prani të jashtëzakonshme të studentëve dhe mjekëve të rinj. Ishte kënaqësi të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë me ta.”
Dr. Naim Mehmeti
Dr. Naim Mehmeti, angiolog theksoi : “Qëllimi i ligjëratës time për ‘Trombozën e venave të thella dhe sipërfaqësore’ ishte të theksohej rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të komplikimeve. Pjesëmarrja e studentëve ishte mbresëlënëse. Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve kontribuon ndjeshëm në avancimin e mjekësisë dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.”
Prof. Dr. Florim Cuculi, kardiolog, u shpreh se ishte thellësisht i impresionuar nga gjenerata e re e studentëve të mjekësisë në Kosovë: “U mahnita nga përgatitja dhe entuziazmi i studentëve. Kosova ka shpresë. Politika duhet të kujdeset për të ardhmen e këtyre të rinjve, sepse mungesa e perspektivës për specializim i nxit ata drejt emigrimit.”
Msc. med. dent. Gazmend Haliti, stomatolog, e përshkroi këtë edicion si një ngjarje të jashtëzakonshme: “Swiss Medical School në Prishtinë dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi. Pjesëmarrja e mbi 250 studentëve të talentuar tregoi pasionin dhe përkushtimin për dije. E ardhmja e sistemit shëndetësor në Kosovë qëndron te kjo gjeneratë. Shpresojmë që këta të rinj ta ushtrojnë profesionin e tyre në vend dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarit.”
Dr. Bujar Sopi
Dr. Bujar Sopi, internist, në deklaratën e tij për Albinfo.ch, vuri në dukje rëndësinë e parandalimit të komplikimeve në praktikën klinike: “Insuficienca renale akute është një ndër komplikacionet më të shpeshta dhe më serioze në praktikën klinike. Qëllimi im ishte të theksoj rëndësinë e parandalimit përmes njohjes së pacientëve me rrezik të lartë dhe menaxhimit korrekt të rasteve. Insuficienca renale nuk është vetëm një problem laboratorik, por një alarm klinik që kërkon mendim të strukturuar dhe bashkëpunim ndërdisiplinar.”
Ngjarja u shoqërua me workshope praktike dhe sesione interaktive, ku studentët patën mundësi të përfshihen në demonstrime klinike, duke përjetuar nga afër përvojën profesionale të mjekëve nga Zvicra.
“Swiss Medical School” u vlerësua si një nga iniciativat më domethënëse që po forcon lidhjet midis diasporës profesionale shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional që tejkalojnë kufijtë dhe bashkojnë përvojën, dijen dhe misionin njerëzor të mjekut shqiptar.
Tre oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës – Nënkolonel Fatlum Demiri, Major Leutrim Hoti dhe Major Gurakuq Haradinaj, kanë diplomuar me sukses në Programin për Studime të Aplikuara të Sigurisë (Program on Applied Security Studies – PASS), që u zhvillua në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani, nën organizimin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall Center”, transmeton albinfo.ch.
Në këtë program prestigjioz morën pjesë 82 përfaqësues nga 51 shtete të ndryshme, që përfaqësonin pesë kontinente të botës.
Programi PASS është një platformë pasuniversitare në fushën e studimeve ndërkombëtare të sigurisë, e cila synon të rrisë aftësinë e profesionistëve civilë dhe ushtarakë për të analizuar, kuptuar dhe adresuar sfidat bashkëkohore të sigurisë. Përmes të mësuarit të aplikuar, dialogut strategjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ky program ndihmon në ndërtimin e rrjeteve profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve strategjike në përputhje me vlerat demokratike dhe normat ndërkombëtare.
Oficerët e FSK-së u dalluan gjatë gjithë programit për lidershipin dhe angazhimin e tyre profesional, duke shërbyer si udhëheqës grupesh dhe prezantues kryesorë në seminaret dhe modulet akademike të kursit.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në programe të tilla prestigjioze ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e FSK-së ndaj zhvillimit profesional dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ish-ylli i futbollit anglez, Wayne Rooney, ka vlerësuar lart paraqitjet e Granit Xhakës në këtë sezon të Premierligës, duke e cilësuar atë si “transferimin e vitit”, transmeton albinfo.ch.
“Është transferimi i sezonit në Premierligë, ai ka qenë fantastik,” ka deklaruar Rooney. “Xhaka shkoi te një skuadër për të cilën shumë menduan se do të luftonte për mbijetesë, por po bën një punë të jashtëzakonshme.”
Kujtojmë se gjatë fundjavës së kaluar, skuadra e Sunderlandit, ku luan Xhaka, arriti të barazojë në minutat e fundit ndaj Arsenalit, me rezultat 2–2, duke vazhduar serinë pozitive të rezultateve në elitën e futbollit anglez.
Shërbimet e kujdesit në shtëpi po përjetojnë një bum në Zvicër. Sipas Zyrës Federale të Statistikave (FSO), në vitin 2024 u ofruan 25.6 milionë orë kujdes, 10% më shumë se një vit më parë – rritja më e madhe që nga viti 2011.
Ky zhvillim lidhet kryesisht me zgjerimin e sektorit privat, ku gjatë vitit të kaluar u krijuan gati 130 kompani të reja fitimprurëse. Në total, tani numërohen 844 kompani private, krahas 605 organizatave publike dhe 1,783 infermierëve të pavarur. Kompanitë private kanë parë një rritje prej 20.5% të klientelës, ndërsa organizatat publike kanë pësuar një rënie prej 2.5%.
Në vitin 2024, sektori privat punësoi rreth 3,700 punonjës të rinj pa kualifikim të lartë, duke e çuar numrin total të tyre në 11,500 – një rritje prej 47%. Kjo rritje është veçanërisht e dukshme në kantonet gjermanofolëse si Cyrihu, Aargau, Thurgau dhe St. Gallen.
Ndërkohë, shtëpitë e pleqve në Zvicër kanë pasur shkallë zënies mbi 97%, me shumë pak shtretër të rinj të shtuar (+0.1%). Kostot totale të tyre arritën në 12.16 miliardë franga, ndërsa i gjithë sektori i kujdesit (në shtëpi dhe në institucione) kushtoi 15.82 miliardë franga – rreth 16% të shpenzimeve totale shëndetësore të Zvicrës.
Kantoni i Gjenevës planifikon të nisë një projekt pilot për ditë shkollore të vazhdueshme duke filluar nga viti i ardhshëm, pas shembullit të Neuchâtel-it. Disa shkolla fillore do të testojnë këtë model, ku mësimi zhvillohet në mëngjes dhe aktivitetet pasdite përfshijnë edhe pushimin e drekës. Qëllimi është të zgjerohet ky model në gjithë vendin deri në vitin 2028.
Ministrja e Arsimit, Anne Hiltpold, e ka quajtur projektin “projekti i shekullit” dhe argumenton se sistemi aktual i orarit shkollor është i vjetëruar. Sidoqoftë, disa përfaqësues komunalë dhe grupe për aktivitetet jashtëshkollore shprehin dyshime për gatishmërinë dhe infrastrukturën për të përballuar këtë ndryshim.
Modelet përfundimtare do të zhvillohen në konsultim me mësuesit, prindërit dhe komunat, ndërsa disa aktivitete pasdite mund të menaxhohen nga klubet sportive dhe shkollat e muzikës.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanoviç, Ballkani Perëndimor përballet me një rritje dramatike të rrezikut kibernetik, duke u shtuar me 200% kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale. Ndër sfidat më të mëdha për qytetarët mbeten krimi i organizuar, korrupsioni dhe kërcënimet dixhitale.
Kapetanoviç theksoi se që nga viti 2018 janë sekuestruar dhe shkatërruar rreth 70,000 armë zjarri me leje, ndërkohë që siguria kibernetike po merr një vëmendje të veçantë. Ai shtoi se rreth 1.2 milion të dhëna private dhe publike janë të rrezikuara, duke bërë të domosdoshme përforcimin e masave dhe koordinimin ndërkombëtar.
Në Maqedoninë e Veriut, zv. kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, theksoi se sfidat më urgjente lidhen me luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, sistemi gjyqësor është disfunksional dhe nuk siguron dënime të efektshme për korrupsionin e nivelit të lartë, ndërsa komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit përballet me mungesë kredibiliteti dhe presion për ndryshime në drejtim. Reforma në drejtësi mbetet gjithashtu një sfidë kryesore, raporton alsat përcjell albinfo.ch.
Konferenca rajonale për koordinimin e sigurisë, ku u diskutuan krimi, korrupsioni, siguria kufitare, migracioni dhe kërcënimet kibernetike, nënvizoi lidhjen e ngushtë midis sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe asaj të Bashkimit Evropian. Afrim Gashi, Kryetar i Parlamentit, deklaroi se “siguria nuk mund të ndahet; ajo e rajonit dhe e BE-së janë të lidhura ngushtë dhe ndikojnë njëra-tjetrën”.
Pjesëmarrësit e konferencës u dakorduan se të gjitha kërcënimet, si në nivel rajonal ashtu edhe në BE, duhet të adresohen me një përgjigje të koordinuar dhe të efektshme.
Kristiano Ronaldo ka treguar se planifikon të tërhiqet nga futbolli brenda një ose dy vitesh dhe ka nënvizuar se Kupa e Botës e vitit të ardhshëm do të jetë gara e fundit e karrierës së tij. Në një forum turistik të zhvilluar në Riad, ylli portugez tha se po e shijonte çdo moment të lojës.
“Siç e dini, në futboll, kur arrin një moshë të caktuar, koha kalon shumë shpejt,” tha fillimisht Ronaldo.
“Ndjej se jam ende në formë të mirë. Vazhdoj të shënoj gola, ndihem i shpejtë dhe i mprehtë. Po shijoj lojën me ekipin kombëtar. Kur them ‘së shpejti’, mendoj për një ose dy vite të ardhshme.”
Kur u pyet nëse Kupa e Botës 2026 do të ishte e fundit për të, fituesi pesë herë i Topit të Artë konfirmoi:
“Po, do të jetë e fundit. Do të jem 41 vjeç dhe mendoj se do të jetë koha e duhur për t’u tërhequr.”
Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, Ronaldo ka shënuar 953 gola dhe synon të arrij shifrën simbolike prej 1000 golash.
Shkolla “Sezai Surroi” në Bellobrad të Dragashit ka dërguar një kërkesë zyrtare drejtuar Policisë së Kosovës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme pas shfaqjes së arinjve në fshat. Këto kafshë të egra po paraqesin rrezik për nxënësit, stafin dhe banorët e zonës.
Në kërkesën e publikuar në faqen e shkollës në Facebook, theksohet se prania e arinjve është veçanërisht shqetësuese gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla.
“Kërkojmë masa të menjëhershme për largimin e arinjve nga territori i fshatit tonë. Kjo situatë paraqet rrezik serioz për nxënësit dhe komunitetin tonë,” thuhet në kërkesë.
Shkolla shprehu shpresën që Policia e Kosovës do të veprojë shpejt për të siguruar qetësinë dhe sigurinë e banorëve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot drejtuesit e organizatës zvicerane Helvetas Swiss Intercooperation, duke diskutuar bashkëpunimin e gjatë të kësaj organizate me Kosovën dhe mënyrat për të përfshirë më shumë diasporën shqiptare, në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti falënderoi Helvetas për mbështetjen e vazhdueshme që nga viti 2001, duke veçuar projekte si DEMOS, GPEK dhe RECONOMY, që fuqizojnë komunat, ekonominë e gjelbër, gratë dhe të rinjtë për mundësi të reja punësimi. Ai theksoi se përfshirja e diasporës mbetet një prioritet për qeverinë, duke kontribuar në investime, transferim të njohurive dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Drejtori Ekzekutiv i Helvetas, Melchior Lengsfeld, vlerësoi progresin e Kosovës në zhvillim demokratik dhe institucional dhe theksoi gatishmërinë e organizatës për të mbështetur partneritetet që fuqizojnë institucionet dhe qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetet jashtë vendit.
Palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin në projektet aktuale dhe të krijojnë mundësi të reja për diasporën, me qëllim që të rritet pjesëmarrja e saj në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Kosovë.
Me një zë që mbart ndjeshmëri dhe pjekuri artistike, Elion Krasniqi (LMN) prezanton projektin e tij më të ri muzikor “Shieza e Saj”, një këngë që prek shpirtin me emocion të thellë dhe ndjenjë autentike.
Kënga ndërthur melodinë e butë me tekstin poetik, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe introspektive. Bashkëpunimi me Bardh Ramadanin i jep veprës një karakter të veçantë artistik dhe modern, ku muzika shndërrohet në një gjuhë të përbashkët ndjesish dhe kujtimesh.
Elion Krasniqi ka trashëguar talentin muzikor nga prindërit e tij, dy muzikantë të dalluar të grupit “Hareja” në Gjenevë, Shpejtim dhe Aferdita Krasniqi, të cilët prej vitesh janë pjesë e skenës kulturore shqiptare në Zvicër. Kjo trashëgimi muzikore e ka formuar Elionin si artist që di të ruajë ndjeshmërinë e brezit të tij, duke e shprehur përmes një stili bashkëkohor dhe të ndjerë.
Elion Krasniqi për Albinfo.ch shprehet: “Kjo këngë është si një kujtim i ndjerë që nuk shuhet. E kam shkruar me ndjesi të sinqerta, me dëshirën që çdo njeri të gjejë një copëz të vetes në vargjet e saj.”
Ai shton: “Muzika për mua është energji, ndjenjë dhe identitet. Ajo më lejon të tregoj historitë e mia dhe të prek zemrat e të tjerëve. Çdo notë është si një rrugëtim mes ëndrrës dhe realitetit.”
Industria zvicerane po pret me shpresë, por edhe kujdes, zhvillimet rreth një marrëveshjeje të mundshme tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve të Bloomberg, Zvicra është afër arritjes së një marrëveshjeje për uljen e tarifave doganore nga 39% në 15%. Lajmi është pritur me entuziazëm nga komuniteti i biznesit, që e cilëson si “lajm të shkëlqyer” për eksportet zvicerane.
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se Shtëpia e Bardhë “po punon për një marrëveshje për uljen e tarifave”, duke theksuar se Zvicra është një “vend aleat dhe ekonomikisht shumë i fuqishëm”.
Nicolas Curty, president i Dhomës së Ekonomisë së Grand Chasseral, tha se ulja e tarifave do të ndihmonte ndjeshëm sektorët e makinerive, orëndreqësisë dhe instrumenteve precize – që përbëjnë rreth 25% të eksporteve zvicerane dhe sigurojnë qindra mijëra vende pune.
Megjithatë, ai apeloi për kujdes, pasi situata mund të ndryshojë shpejt.
Edhe ekonomisti François Savary e quajti këtë “lajm pozitiv”, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të kërkojë kompromise politike apo investime në SHBA, siç ndodhi me Japoninë dhe Bashkimin Evropian.
Nëse marrëveshja finalizohet, ajo do të përmirësonte ndjeshëm kushtet e tregtisë për Zvicrën dhe do të lehtësonte presionin mbi industrinë eksportuese.
Kosova ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Dardanët kanë zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orët e mesditës, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda. Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Elvis Rexhbeçaj dhe Muharrem Jashari kanë zhvilluar rigjenerim në palestër, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka kryer stërvitje intensive në fushë, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.
Atmosfera në kampin dardan është mjaft pozitive dhe përkushtimi i futbollistëve është maksimal, teksa ekipi po përgatitet me seriozitet të lartë për sfidat që do të vendosin fatin e këtij cikli kualifikues.
Në përfundim të stërvitjes, dy futbollistët Baton Zabërgja dhe Visar Bekaj kanë folur për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme, duke shprehur optimizmin e tyre për rezultate pozitive.
“Jam shumë i lumtur për rikthimin, duke pasur parasysh se kemi përpara dy ndeshje jetike për Kombëtaren. Shpresoj që me seriozitet maksimal dhe qasje të mirë t’i kalojmë këto sfida dhe të arrijmë qëllimin tonë si ekip kombëtar. Fillimisht përballemi me Slloveninë, ku synojmë të paktën një pikë, edhe pse me grupin e lojtarëve që kemi mund të shkojmë për fitore. Ekipi është paraqitur në nivel të jashtëzakonshëm, sidomos kundër Suedisë, ku të gjithë dhanë 100 për qind dhe u arritën rezultatet që dëshiruam. Me këtë grup lojtarësh, mundemi dhe meritojmë të jemi pjesë e Botërorit”, tha Baton Zabërgja i rikthyer në ekipin kombëtar pas lëndimit që e kishte lënë jashtë grumbullimit të tetorit.
“Të gjithë bashkëlojtarët janë në formë shumë të mirë dhe atmosfera është e shkëlqyer. Shpresoj të fokusohemi maksimalisht te ndeshja kundër Sllovenisë, sepse është shumë e rëndësishme të dalim me rezultat pozitiv. Pastaj, nëse kemi pak fat dhe Zvicra gabon në ndeshjen e parë, do të kishim mundësinë të luajmë një finale këtu në ‘Fadil Vokrri’. Mungesa e Aro Muriq? Kemi pasur situata të ngjashme edhe më herët, madje edhe kundër Zvicrës jashtë kemi luajtur pa 5-6 lojtarë kryesorë dhe kemi barazuar 1:1. Edhe kundër Suedisë kishim mungesa por ia dolëm. Tani jemi shumë më të kompletuar dhe besoj se do t’ia dalim. Më e rëndësishmja është që secili që hyn në fushë të japë maksimumin dhe jam i bindur se do të arrijmë rezultate pozitive në të dyja ndeshjet.”
Dardanët do të vazhdojnë me përgatitje edhe në ditët në vijim, me fokus të plotë drejt përballjes së parë ndaj Sllovenisë më 15 nëntor.
Në një atmosferë të ngrohtë pune dhe bashkëpunimi, më 9 nëntor 2025, në qytetin Buchs, u mbajt Kuvendi i Bashkimit i Shkollës Shqipe – L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për kantonin e St. Gallenit.
Në këtë kuvend morën pjesë mësues nga të gjitha pikat shkollore të kantonit, si dhe përfaqësues e kryetarë të Këshillave Prindërorë, duke e shndërruar këtë takim në një kuvend bashkimi ndërmjet mësuesve dhe prindërve shqiptarë, në shërbim të gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare. Në kuvend morën pjesë bashkëkryetari i LAPSh “Naim Frashëri” për Zvicrën, Dr. Vaxhid Sejdiu, anëtarë të kryesisë kantonale, mësues dhe shumë prindër të përkushtuar ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar.
Në fjalën e tij, Dr. Sejdiu prezantoi pikat e reja shkollore të hapura së fundmi në: Rebstein, Wittenbach, Gossau, Widnau, Heerbrugg, Abtwil, Grabs, Oberriet, Rorschach, Rappersewil-Jona e të tjera. Aktualisht, kantoni i St. Gallenit numëron 13 mësues/e dhe mbi 240 nxënës në 20 pika shkollore aktive, duke e bërë atë një ndër kantonet më të suksesshme në rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër.
Dr. Sejdiu theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve dhe prindërve shqiptarë në mërgatë. Ai falënderoi të gjithë veprimtarët që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare, shpesh përmes një pune vullnetare.
Raportet dhe zgjedhjet e reja
Kuvendi miratoi raportin financiar, të prezantuar nga z. Adnan Fazliu, dhe raportin e punës nga z. Mehmetali Sherifi.
Më pas u zhvilluan zgjedhjet për kryesinë e re kantonale, ku në frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi u zgjodhën:
Kryetar: z. Rexhep Rexhepi
Nënkryetar: z. Bleron Ademi
Sekretare: znj. Valbona Alili
Në ditët në vijim, Këshilli i Arsimtarëve do të zhvillojë një takim për të trajtuar tema pedagogjike dhe për të planifikuar mënyra konkrete për rritjen e numrit të nxënësve në bashkëpunim me prindërit shqiptarë të kantonit.
Kuvendi u karakterizua nga uniteti, respekti dhe përkushtimi i përbashkët për ta çuar përpara misionin fisnik të Shkollës Shqipe – LAPSh “Naim Frashëri” në Zvicër.
Në fund, kryetari i porsazgjedhur z. Rexhep Rexhepi falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe besimin e dhënë në misionin e përbashkët për ruajtjen, përkushtimin dhe dashurinë ndaj gjuhës shqipe – gjuhës së zemrës sonë!
Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet në Barcelonë në kuadër të dy ndeshjeve të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Në seancën e sotme stërvitore, trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik patën në dispozicion të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Lojtarët e Kombëtares u fokusuan në ushtrime në palestër dhe më tej zhvilluan skema taktike dhe goditje standarde, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.
Nesër Kombëtarja do të udhëtojë drejt Andorrës ku do të mbyllë përgatitjet për ndeshjen e parë me stërvitjen zyrtare të orës 18:00.
Të lësh vendin ku je shkolluar, familjen dhe miqtë, për të filluar nga e para në një shtet tjetër, nuk është asnjëherë e lehtë. Por për Dr. Leutrim Hajdarin, ky ishte një hap i domosdoshëm në rrugën e tij profesionale. Nga sallat e Qendrës Emergjente në Prishtinë deri te spitalet moderne të Zvicrës, ai ka kaluar një udhëtim të gjatë, me sfida të shumta dhe mundësi të reja.
Gjithçka nisi me gjuhën. Pas përfundimit të kursit të gjermanishtes dhe licencimit në nivelin B2, Leutrimi u regjistrua në Odën e Mjekëve të Zvicrës (MEBEKO), e më pas gjeti rrugën drejt një spitali zviceran. “Motivi im kryesor ka qenë cilësia e sistemit shëndetësor këtu, i cili të jep mundësi të rritesh profesionalisht”, tregon ai.
Para se të shkonte në Zvicër, Dr. Hajdari kishte punuar për tri vite e gjysmë si specializant në Qendrën Emergjente pranë QKUK-së. Ai ishte edhe mjek i ekipit të futbollit të Prishtinës dhe pjesë e stafit mjekësor gjatë ndeshjeve të ekipeve zinxhir të Kosovës. Përvoja e tij përfshin edhe punën në klinikën Echo-scan në Prishtinë, si dhe angazhimin në kontrollet mjekësore për refugjatët afganë të strehuar në Kosovë.
Sfidat në Zvicër
Sipas tij, përshtatja në sistemin shëndetësor zviceran nuk ishte e lehtë.
“Forma e punës dhe mënyra e dokumentimit ishin sfiduese, por me kohë vështirësitë u zvogëluan. Dallimi më i madh është dokumentimi i detajuar dhe zbatimi i guidelines më të fundit në trajtimin mjekësor. Në Kosovë, një sfidë e madhe mbetet mungesa e një sistemi elektronik për të dhënat e pacientëve, që do ta lehtësonte punën e mjekut”, thekson ai.
Përparësitë profesionale
Punësimi në Zvicër, sipas Dr. Hajdarit, i ofron mundësi unike: “Është privilegj të jesh pjesë e një sistemi shëndetësor të avancuar, ku ke qasje në zhvillimet më të fundit shkencore dhe mund t’i implementosh ato në praktikë”.
Lidhjet me mjekët shqiptarë
Për Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, Dr. Hajdari kishte dëgjuar vetëm pas disa muajve qëndrimi këtu. Procedurat e para i kishte kaluar individualisht, me ndihmën e shoqërisë.
“Mendoj se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër duhet të forcohet. Aktualisht, ai ekziston më shumë në baza individuale, ndërsa një kornizë zyrtare mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër do të ishte shumë e dobishme”, shpjegon ai.
Pritja dhe bashkëpunimi
Komuniteti i mjekëve shqiptarë e ka pritur ngrohtësisht Dr. Hajdarin. “Shumë prej tyre janë kolegë me të cilët kemi studiuar në Prishtinë, ndaj pritja ka qenë shumë miqësore”, tregon ai.
“Nga ajo që di unë, dhe nga kolegët me të cilët kam studiuar së bashku, mund të them se rreth 90% e tyre kanë ndjekur të njëjtën rrugë si unë”, thotë Dr. Hajdari.
“Rrugën që kam ndjekur unë e kanë ndjekur edhe mbi 50 mjekë nga Kosova, në periudhën nga viti 2018 e deri më sot. Duhet të theksoj se të gjithë ata që i njoh, kanë ardhur në mënyrë individuale, me të vetmen mbështetje nga kolegët që i kishin njohur paraprakisht gjatë studimeve.”
Ai shton se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër është i domosdoshëm:
“Do të duhej të kishte një lidhje më të fortë bashkëpunimi mes nesh. Personalisht mendoj se kjo është e nevojshme, por jam disi skeptik sa i përket mundësisë për ta realizuar plotësisht”.
Sa u përket marrëdhënieve me Kosovën, Dr. Hajdari thekson: “Sipas informacioneve që kam, bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë ekziston vetëm në baza individuale. Nuk jam i sigurt nëse ka një formë zyrtare bashkëpunimi mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër”.
Ai propozon që kongreset dhe workshop-et e përbashkëta në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup të organizohen të paktën dy herë në vit. “Kjo është mënyra më e mirë për të ndarë përvoja, për të krijuar kontakte të reja dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkolegial”.
Këshilla për të rinjtë
“Këshilla ime për mjekët e rinj është të mos dorëzohen. Rruga është e gjatë dhe me sfida të shumta, por nuk duhet të ndalen. Gjithashtu, duhet ta kemi gjithmonë në mendje vendin ku u shkolluam dhe të kontribuojmë për të”, thekson Dr. Hajdari.
Vizioni për të ardhmen
Ai planifikon të vazhdojë dhe të përfundojë specializimin në Bernë ose ndonjë qytet tjetër të Zvicrës, duke kërkuar gjithmonë mënyra për t’i ndihmuar Kosovës. “Gjatë këtij viti e gjysmë në Zvicër, kam takuar shumë të rinj shqiptarë të suksesshëm. Mesazhi im është i qartë: vetëm përmes shkollimit dhe përkushtimit mund të ecim përpara – si individë dhe si komb”.
Koop-Is përfaqëson, sipas shifrave të veta, midis 150 dhe 170 punonjës të degëve të Swatch-Shops dhe Omega, si dhe zyrave në Stamboll. Greva filloi të hënën në mëngjes. Një zëdhënës i Swatch, i kontaktuar nga agjencia financiare e lajmeve AWP, nuk pranoi të komentojë mbi pasojat, transmeton albinfo.ch.
Sipas sindikatave, Swatch ka propozuar rritje të pagave, disa prej të cilave janë shumë më poshtë inflacionit në Turqi, siç janë 25% për stafin e shitjeve dhe 5%-15% për punonjësit e zyrës.
Kompania i konsideron kërkesat “jorealiste dhe plotësisht të ekzagjeruara”. Grupi punon në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare dhe kombëtare dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, theksoi ajo.
Sindikata kërkon rritje retroaktive nga prilli 2024, më shumë siguri në punë dhe akses të drejtë në bonuse dhe përfitime sociale. “Lufta jonë do të vazhdojë derisa çdo punonjës të marrë respekt dhe trajtim të drejtë”, tha presidenti i Koop-Is, Eyüp Alemdar, sipas një deklarate qëndrimi të postuar në Instagram.
Një debat që ka në qendër Përparim Avdilin, kandidatin e FDP-së për postin e kreut të bashkisë së Cyrihut, ka gjetur vend në shumë media të Zvicrës, nga java që shkoi dhe vazhdon të jetë i pranishëm. Shkurt: Pas një sugjerimi kontrovers drejtuar Avdilit që ta ndryshojë emrin, gazetari i javores “Weltwoche” Peter Rothenbühler përballet me akuza për racizëm.
Gazeta Tages Anzeiger që u kushton një artikull këtij “sugjerimi”, veç tjerash shkruan: FDP-ja po përballet me një betejë të vështirë për të mbajtur një nga dy vendet e saj në zgjedhjet e këshillit bashkiak të Cyrihut më 8 mars, sipas një sondazhi të ri.
Për kolumnistin e “Weltwoche” Peter Rothenbühler, arsyeja është e qartë: gjithçka varet nga emri i kandidatit të FDP-së për kryetar bashkie: Përparim Avdili. Për Rothenbühler, ky emër (dhe mbiemër) tingëllon si “një specialitet i ri kebapi”.
Avdili, vazhdon Rothenbühler, mund të zgjidhet në qeverinë e qytetit – me kusht që politikani zviceran me rrënjë shqiptare nga Maqedonia të zgjedhë një emër që “pranohet mirë”, për shembull Ogi. “Gjëja më e mirë për të bërë është thjesht ta zviceranizosh atë”, këshillon Rothenbühler, përcjell albinfo.ch.
“A do të dështojë kandidati i FDP-së në Cyrih sepse emri i tij nuk është Meier ose Müller? Kushdo që e pretendon këtë nuk i kushton vëmendje realiteteve në qytetin me prirje të majta”, konstaton Tages Anzeiger.
Ndërsa portali Nau.ch ka komentuar debatin dhe ka marrë qëndrimet e të dy debatuesve: Perparim Avdili dhe Peter Rothenbühler,
“Kryetari i FDP-së së Cyrihut, Përparim Avdili, dhe gazetari i Weltwoche Peter Rothenbühler u përfshinë në një shkëmbim të nxehtë javën e kaluar. Shkaku i diskutimit që u zhvillua në programin “Talk Täglich” në TeleZüri ishte një artikull që Rothenbühler kishte shkruar për Weltwoche. Në të, ai parashikoi se FDP do të humbiste një vend nëse Avdili, i cili kandidon për kryetar bashkie, nuk do ta ndryshonte emrin e tij”.
Të theksojmë: Gazeta “Weltwoche” njihet për stilin e saj provokues dhe për orientimin politik të skajshëm djathtist, shkruan albinfo.ch
Duke u nisur nga fakti se Avdili ka rrënjë shqiptare të Maqedonisë, Rothenbühler dëshiron që ai t’i fshehë ato. “Gjëja më e mirë për të bërë është ta zviceranizojë atë (emrin)” ishte rekomandimi i fuqishëm i kolumnistit. Kushdo që dëshiron të zgjidhet ka nevojë për një emër “që njerëzit mund ta mbajnë mend”. Për shembull, Armin në vend të Përparim, “kjo do të ishte diçka”, kishte shkruar ai.
“Mos jeni ngatërruar duke bërë sugjerimin tuaj për të ndryshuar emrat në shekullin e 20-të?” e pyeti prezantuesi i TeleZüri, gazetarin Rothenbühler. Ky i fundit e mohoi: Në fund të fundit, ai njihte shumë njerëz që i kishin shkurtuar emrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Ai menjëherë i ofroi Avdilit një sugjerim: “Njerëzit tashmë të quajnë Pepe. Pse të mos përdoret emri Pepe?”
Është e qartë: Emrat që tingëllojnë të huaj kanë tendencë të kenë më shumë vështirësi në zgjedhjet zvicerane. Shkencëtarja politike Lea Portmann e konfirmoi këtë për Nau.ch: “Sidomos në listat e partive të qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë.”
Avdili e hedh poshtë propozimin e gazetarit Rothenbühler dhe e përball atë duke i thënë: “Artikulli juaj përjetëson stereotipet raciste.” Ai pretendon se Rothenbühler refuzon të pranojë se shoqëria zvicerane është multikulturore.
Presidenti i FDP-së së Zurich-ut thekson gjithashtu se Rothenbühler e ka shkruar gabim emrin e tij në artikull (Prëparim). Ai vë në dyshim nëse kjo ishte mungesë respekti apo thjesht veprim jokompetent.
I kontaktuar nga Nau.ch, Përparim Avdili thotë se është “shumë i pakënaqur” për mënyrën se si u zhvillua diskutimi. Megjithatë, ai shton, “Nuk mund t’i zgjedhësh gjithmonë gjërat në politikë”. Avdili thotë se ai u përfshi qëllimisht në diskutim. Ai nuk dëshiron që të rinjtë me sfond migrimi të marrin mesazhin: “Nëse doni të keni sukses këtu, duhet ta ndryshoni emrin tuaj”.
Në transmetim, anëtari i FDP-së thotë se nuk po përballet me Rothenbühler për hir të vetes. Përkundrazi, ai është i shqetësuar për të gjithë ata që kontribuojnë në suksesin e Zvicrës. Këtu përfshihen sipërmarrës, njerëz “që ndërtojnë rrugët tona dhe pastrojnë zyrat tona çdo ditë”, si dhe yje si Granit Xhaka dhe Mujinga Kambundji.
Megjithatë, Rothenbühler akuzon Avdilin në “Talk Täglich” se luan rolin e viktimës. Ai hedh poshtë akuzën për “stereotipe raciste”. Thotë po ashtu se ka këshilluar shumë politikanë të ndryshojnë diçka në mënyrë që të “lidhen më mirë me njerëzit”.
Nëse Avdili nuk ka nevojë ta bëjë këtë, duhet ta lërë mënjanë – “ishte vetëm një ide”. Por tani ai po e përsërit vazhdimisht.
I kontaktuar nga Nau.ch, Rothenbühler përsërit se ndryshimi i emrit ishte një “sugjerim me qëllim të mirë”.
“Nuk bëhet fjalë për të gjithë shqiptarët që ndryshojnë emrat e tyre tani”, thotë ai. “Bëhet fjalë për një fushatë zgjedhore ku të njëjtat konsiderata mund të hyjnë në lojë si në karrierën e një ylli filmi ose muzike”.
Hekurudhat Federale Zvicerane janë nën kritika gjithnjë e më të mëdha politike – dhe nga shtypi – pasi i dhanë një kontratë të madhe për materiale të reja lëvizëse një kompanie gjermane dhe jo një kompanie zvicerane, transmeton albinfo.ch.
SBB do të shpenzojë 2 miliardë CHF me Siemens dhe jo me Stadler Rail.
Parlamentarët po rreshtohen për të denoncuar vendimin – duke e quajtur atë budallaqe.
SBB thotë se zgjodhi firmën gjermane Siemens pasi kontrata ishte pak më e vogël se oferta zvicerane dhe mori një rezultat më të lartë në faktorët e qëndrueshmërisë.
Firma hekurudhore thotë se ndoqi ligjin që mori vendimin.
Por politikanët thonë se ligji lejon më shumë liri veprimi.
Departamenti Federal i Transportit thotë se ligji nuk lejon një preferencë për kompanitë zvicerane pasi Zvicra është nën angazhime të caktuara ndërkombëtare.
Por titulli i sotëm i Blick nënvizon zemërimin – ai pyet thjesht: “Sa budalla mund të jesh?”, duke cituar Këshilltarin Kombëtar Gerhard Pfister.
Mijëra qytetarë të BE-së që jetojnë në Zvicër mund të fitojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm sipas rregullave të reja.
Marrëveshja e re prej 1,800 faqesh me Bashkimin Evropian synon të forcojë aksesin zviceran në tregun e BE-së dhe të krijojë vende pune – por me koston e përafrimit më të ngushtë me rregullat evropiane, transmeton albinfo.ch.
Një ndryshim kyç do t’u jepte qytetarëve të BE-së një të drejtë të re qëndrimi të përhershëm pas pesë vitesh në Zvicër, edhe pa kërkesa gjuhësore ose integrimi.
Ekspertët vlerësojnë se gati 700,000 njerëz mund të bëhen të kualifikuar menjëherë, me dhjetëra mijëra të tjerë çdo vit.
Kritikët paralajmërojnë se kjo mund të tendosë shërbimet sociale, ndërsa mbështetësit thonë se është jetike për rritjen ekonomike dhe stabilitetin.