Nesër i jepet lamtumira e fundit 25-vjeçarit shqiptar, që vdiq pas një aksidenti në Gjermani

Një i ri nga Kosova ka humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti në Gjermani. Viktima është 25-vjeçari me inicialet S.P., me origjinë nga fshati Dumosh i Podujevës, i cili jetonte pranë qytetit të Frankfurtit, transmeton albinfo.ch.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga policia gjermane dhe organet shëndetësore në Gjermani.

Ngjarja tragjike ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në ora 16:00, në varrezat e fshatit Dumosh në Podujevë./Albinfo.ch

Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori i kaluar situata në Kosovë është e qetë

Në një deklaratë, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është shprehur se situata e sigurisë në Kosovë që nga tetori i vitit 2025 është përgjithësisht e qetë, megjithëse mbetet e brishtë dhe me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë informimit të ambasadorëve të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s në Bruksel të mërkurën, Ulutash theksoi se NATO-ja vazhdon të mbështesë përpjekjet e përditshme të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.

Ulutash deklaroi se nuk është vërejtur rifshfaqje e dhunës në veri, ashtu siç ndodhi në vitin 2023.

“Që nga tetori 2025, kemi vërejtur se situata është përgjithësisht e qetë. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri”, theksoi ai, duke shtuar se prioritet kryesor mbetet ruajtja e stabilitetit për të gjitha komunitetet.

Ulutash nënvizoi se KFOR-i mban një prani të dukshme, të shkathët dhe fleksibile në terren, për të reaguar ndaj çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të ulur tensionet në rast të shenjave për përshkallëzim.

Ai shprehu mirënjohje për aleatët dhe partnerët e NATO-s për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se KFOR-i mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Në të njëjtën kohë, komandanti i KFOR-it bëri të ditur se misioni vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë akterët relevantë, ndërsa mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si rrugëzgjidhja e vetme.

Gjermani: Qeveria miraton reformën e sistemit shëndetësor

Qeveria e Gjermanisë ka miratuar një paketë të re reformash në sistemin shëndetësor, me vlerë kursimesh në miliarda euro, që synon të ndihmojë fondet e sigurimeve shëndetësore dhe të mbyllë deficitin e parashikuar prej rreth 15 miliardë eurosh vitin e ardhshëm, përcjell albinfo.ch. 

Ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken, ka bërë të ditur se objektivi i reformës do të arrihet përmes shkurtimeve në industrinë farmaceutike, te mjekët dhe fondet e sigurimeve shëndetësore, si dhe përmes pagesave të reja për të siguruarit.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka cilësuar këtë si reformën më të madhe në sektorin e shëndetësisë në 20 vitet e fundit, duke theksuar se ndryshimet e propozuara janë “historike”.

Megjithatë, pavarësisht deklarimeve të qeverisë se barra e reformës do të shpërndahet në mënyrë të barabartë, kritikët vlerësojnë se ajo do të rëndojë kryesisht mbi kontributpaguesit dhe qytetarët e zakonshëm. Sipas tyre, lehtësime mund të ketë për fondet e sigurimeve, por jo domosdoshmërisht për qytetarët.

Reforma ende duhet të miratohet në Bundestag dhe Bundesrat për të hyrë në fuqi./Albinfo.ch 

Ekstradohet nga Norvegjia në Kosovë i kërkuari me letër-rreshtim ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot ekstradimin e shtetasit kosovar F.B. nga Norvegjia në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet norvegjeze pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se i ishte shmangur organeve të drejtësisë.

“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre norvegjeze”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse policore nga rajoni i Pejës, për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore./Albinfo.ch

Kosova ngjitet për 15 pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, duke u renditur në vendin e 84-të, apo 15 pozita më lart krahasuar me vitin paraprak, përcjell albinfo.ch.

“Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar regresin më të madh në këtë indeks, duke rënë në vendin e 99-të nga 180 shtete, çka u konsiderua rënia më e madhe në 15 vjet në raportin vjetor të lirisë së shtypit.

Në pjesën e raportit që i dedikohet Kosovës, Reporterët pa Kufij kanë përmendur edhe çështjen e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), duke theksuar se rregullatori i mediave ishte subjekt i një reforme legjislative që më pas u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

“Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media [KPM], ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në raport.

Organizata vlerëson se, edhe pse mediat në Kosovë kanë arritur të mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike.

Gjendja e lirisë së medias në Ballkanin Perëndimor

Pavarësisht përparimit të shënuar, Kosova vazhdon të mos renditet më së miri në rajon sa i përket lirisë së shtypit.

Sipas indeksit të këtij viti, Mali i Zi renditet në vendin e 41-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 45-të, ndërsa Shqipëria është një pozitë më lart se Kosova, në vendin e 83-të.

Bosnjë dhe Hercegovina renditet në vendin e 90-të, ndërsa Serbia renditet më së keqi në rajon, në vendin e 104-të.

“Edhe pse Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, që të tri shtetet janë armiqësore ndaj gazetarisë dhe të cenueshme ndaj propagandës”, thuhet në raport.

Sipas Reporterëve pa Kufij, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në indeksin e këtij viti, ndërsa zona e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit renditet e para, pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.

Organizata thekson se ky rajon po i ngjan gjithnjë e më shumë një “eksperimenti të gjerë”, ku vlerat përmbysen dhe legjislacioni përdoret për t’u shërbyer atyre që janë në pushtet, në dëm të së drejtës për informim, raporton REL.

Në indeksin e këtij viti, vendi i parë për lirinë e shtypit i takon Norvegjisë, ndërsa vendi i fundit, i 180-ti, Eritresë./Albinfo.ch

Data e zgjedhjeve: Haxhiu takon sot partitë politike

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

Takimi pritet të mbahet sot në ora 15:00.

Një ditë më parë, Haxhiu ka zhvilluar takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin, me të cilin kanë diskutuar për procesin zgjedhor që, sipas afateve kushtetuese, duhet të organizohet brenda 45 ditësh.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e partive politike.

Konsultimet vijnë pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë presidentin brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, ku dita e fundit ishte 28 prilli.

Sipas vendimit të Kushtetueses, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërbërja e Parlamentit./Albinfo.ch

Afro 8 milionë euro fatura e zgjedhjeve të reja

Pas një cikli të përsëritur zgjedhjesh brenda vetëm 16 muajve, Kosova pritet të përballet edhe me një proces të ri elektoral, i cili do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 8 milionë euro. Zgjedhjet e reja vijnë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes automatike të Kuvendit, duke krijuar edhe një barrë të re financiare për taksapaguesit, përcjell albinfo.ch.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të ketë një kosto të konsiderueshme, në një kohë kur vendi tashmë ka kaluar disa procese zgjedhore në një periudhë të shkurtër.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth 7.1 milionë euro, ndërsa ato të 28 dhjetorit rreth 7.4 milionë euro, duke e shndërruar procesin zgjedhor në një faturë të përsëritur miliona euroshe.

Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe 8.8 milionë euro të shpenzuara për dy raundet e zgjedhjeve lokale, të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thonë se pas caktimit të datës së zgjedhjeve, do të miratohet edhe planifikimi i buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre.

“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor dhe kjo do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së të ndarë me ligjin e buxhetit, nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në rrethana të tilla, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, shpenzimet reale në zgjedhjet e fundit kanë qenë më të ulëta sesa planifikimet fillestare. Për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte paraparë buxheti prej 8.7 milionë euro, por sipas raporteve financiare janë shpenzuar 7.1 milionë euro. Ndërsa për zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte planifikuar shuma prej 11.5 milionë euro, por shpenzimet reale, sipas raporteve jopërfundimtare, kanë qenë rreth 7.4 milionë euro.

Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve të reja vetëm disa muaj pas atyre të fundit është shpenzim i panevojshëm.

“Ka raste kur zgjedhjet e jashtëzakonshme shërbejnë për t’u dhënë epilog disa proceseve, që i bën ato të kuptimta dhe në funksion të demokracisë. Por këto të ardhshmet, që po mbahen veç 3-4 muaj pasi i përfunduam një palë të tilla, nuk i shërbejnë asgjëje përmbajtjesore, e paratë e përdorura për mbajtjen e tyre janë para të çuara dëm. Para publike që po paguajnë për egon, pamaturinë e mungesën e lidershipit të liderëve politikë”, ka theksuar Hasaj.

Ai ka përmendur edhe alternativa se ku mund të investoheshin këto mjete nëse nuk do të shpenzoheshin për zgjedhje, duke përfshirë projekte për rritjen e efiçiencës së energjisë, ndërtimin e mbi 20 çerdheve brenda një viti, riciklimin, si dhe investime në inteligjencë artificiale.

Me dështimin e zgjedhjes së presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë automatikisht, duke hapur rrugë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme./Albinfo.ch

Prezentohen zyrtarisht skena dhe risitë e Eurovision 2026 në Vjenë

Është prezantuar zyrtarisht skena e edicionit të 70-të të Festivalit Evropian të Këngës Eurovision, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Wiener Stadthalle në Vjenë, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia u hap nga presidenti federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili e cilësoi Eurovision-in si një festë të diversitetit dhe bashkimit kulturor në Evropë.

Skena e këtij viti është ndërtuar nga transmetuesi publik austriak ORF në bashkëpunim me ekipet organizative, duke u cilësuar si një nga projektet më të mëdha teknike në historinë e festivalit. Ajo shtrihet në rreth 2.000 metra katrorë dhe peshon rreth 210 tonë, ndërsa për realizimin e saj janë angazhuar rreth 300 persona në punë intensive disaditore, raporton Zeri.info.

Organizatorët kanë bërë të ditur se gjatë ndërtimit janë përdorur mbi 5.000 metra katrorë materiale të riciklueshme, si dhe një sistem i avancuar ndriçimi që përfshin 2.135 pajisje dhe mbi 8.500 LED të kontrollueshme individualisht.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është përdorimi i kamerave kinematografike “ARRI Alexa 35”, të cilat synojnë të sjellin një pamje më filmike dhe më të avancuar vizualisht të performancave live.

Sipas producentëve, skena e dizajnuar nga Florian Wieder dhe Tim Routledge do t’u ofrojë artistëve nga 35 shtete pjesëmarrëse mundësi të reja kreative për performanca më dinamike.

Provat zyrtare me artistët do të fillojnë në fillim të muajit maj, në prag të netëve live që do të mbahen më 12, 14 dhe 16 maj./Albinfo.ch

Neuchâtel bëhet kantoni i parë në Zvicër që ndalon lëshimin e balonave në ajër

Kantoni i Neuchâtel është bërë i pari në Zvicër që ka vendosur të ndalojë lëshimin e balonave në ajër, një praktikë e zakonshme në festa dhe aktivitete publike, përcjell albinfo.ch.

Ndalimi përfshin si balonat klasike, ashtu edhe balonat prej letre me ajër të nxehtë, të njohura ndryshe si “sky lanterns” ose fenerë fluturues.

Autoritetet kantonale e kanë arsyetuar këtë vendim me shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit dhe rrezikun e zjarreve.

Deputetja e Partisë së Gjelbër, Cloé Dutoit, e cila është iniciatorja kryesore e propozimit ligjor, theksoi se edhe pse ndalimi mund të duket i vogël, ndikimi i tij në mjedis është i rëndësishëm.

“Sado i parëndësishëm mund të duket ky ndalim, lëshimi i balonave në atmosferë në fakt nënkupton shpërndarjen e mbetjeve plastike në mjedis,” deklaroi ajo.

Sa i përket fenerëve fluturues, Dutoit paralajmëroi se ato përbëjnë edhe rrezik serioz për zjarr, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur temperaturat janë më të larta dhe rreziku për përhapjen e zjarreve rritet./Albinfo.ch

Profesori shqiptar fiton bursën prestigjioze SHER Fellowships në Austri

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB) ka bërë të ditur se Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkini është përfitues i bursës prestigjioze SHER Fellowships Post-Doc Grant, e ndarë nga OeAD – Agjencia Austriake për Arsim dhe Internacionalizim, transmeton albinfo.ch. 

Ai do të zhvillojë kërkimet e tij shkencore në Universitetin e Graz-it në Austri, në periudhën 20 qershor deri më 19 korrik 2026.

Sipas njoftimit, projekti i tij mban titullin “The Constitutional Position of EU Law in Kosovo: A Multilevel Constitutionalism Analysis” dhe trajton procesin e integrimit evropian si dhe marrëdhënien e së drejtës së BE-së me sistemin kushtetues të Kosovës.

Ky angazhim vlerësohet si një arritje e rëndësishme akademike dhe shkencore në fushën e së drejtës kushtetuese dhe integrimeve evropiane./Albinfo.ch

 

Alesia, shqiptarja nga Firence që spikat në fushën e inxhinierisë biomjekësore dhe inteligjencës artificiale

Alesia Tahsinit,  24-vjeçare shqiptare e lindur dhe rritur në Firence, po ndërton një karrierë premtuese në inxhinierinë biomjekësore, transmeton albinfo.ch.

Alesia tregon se e ruan me krenari identitetin shqiptar, duke theksuar se gjithmonë prezantohet si shqiptare nga Vlora. Prindërit e saj emigruan në fund të viteve ’90, duke nisur gjithçka nga e para në Itali, sakrificë që ajo e konsideron bazën e suksesit të saj.

Aktualisht, ajo ndjek studimet master dhe po specializohet në mjekësinë e personalizuar dhe inxhinierinë rigjeneruese, duke punuar në projekte që përfshijnë analiza 3D të organeve për të ndihmuar kirurgët në identifikimin e tumoreve.

Përveç studimeve, Alesia punon edhe si mësuese në fushat STEM dhe inteligjencë artificiale, duke theksuar se teknologjia është një ndihmë e madhe, por nuk duhet të zëvendësojë mendimin kritik.

Edhe pse jeton në Itali, ajo kthehet shpesh në Shqipëri dhe shpreh shqetësim për ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj të diasporës. Në të ardhmen, synon të bëhet pedagoge universitare dhe të krijojë një startup në fushën e teknologjisë dhe mjekësisë./Albinfo.ch

Moutier: Afati i fundit për ndërrimin falas të targave të Bernës me ato të Jura-s

Në Moutier kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për të bërë falas ndërrimin e targave të automjeteve nga kantoni i Bernës në ato të Jura-s. Ky operacion i pazakontë lidhet me kalimin e komunës nga kantoni i Bernës në kantonin e Jura-s dhe po i afrohet fundit.
Sipas të dhënave të siguruara nga RTS, deri tani janë shpërndarë më shumë se 4,260 targa të reja të Jura-s. Më pak se 500 mbeten ende për t’u zëvendësuar. Sipas shifrave zyrtare të publikuara në janar, rreth 4,730 automjete duhej të kalonin këtë proces, që do të thotë se afërsisht 90% e tyre tashmë e kanë përfunduar ndërrimin.

Shërbim i posaçëm për qytetarët

Në Zyrën e Regjistrimit të Automjeteve në Delémont, e cila menaxhon terminet për marrjen e targave, agjenda është e mbushur deri të enjten, dita e fundit kur ofrohet shërbimi falas. Ndërrimi mund të bëhet edhe në Moutier, në sportelin e vendosur nga kantoni i Jura-s.

Drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Automjeteve, Karine Marti, e vlerëson pozitivisht këtë proces. “Ndryshimet kanë shkuar mirë. Ka pasur shumë pyetje, jo vetëm për tarifat e targave, por edhe për shërbime të tjera. Por në përgjithësi mund të themi se është një operacion shumë pozitiv,” deklaroi ajo për RTS.

Nga 1 maji – ndryshojnë kushtet

Nga e premtja, 1 maj, kushtet ndryshojnë për ata që nuk e kanë kryer ende ndërrimin. Kantoni i Bernës do të marrë përsipër trajtimin e rasteve, ndërsa shërbimi falas i Jura-s përfundon.

“Procesi vazhdon, por tashmë sipas rregullave të zakonshme: paguhet tarifa për targat e reja dhe për lejen e qarkullimit. Nga maji, kantoni i Bernës do t’u dërgojë letra atyre që nuk e kanë bërë ende ndërrimin,” shpjegon Marti.

Masa ndaj vonesave

Disa nga targat që ende nuk janë ndërruar mund t’u përkasin automjeteve të shitura ose personave që janë larguar nga Moutier pa njoftuar autoritetet. Ata që vazhdojnë të mos e kryejnë ndërrimin rrezikojnë të marrin paralajmërim zyrtar nga autoritetet e Bernës, apo edhe konfiskim të targave.
Në raste të tilla, policia e Jura-s mund të ndërhyjë për të rikuperuar targat e mbetura të Bernës që ende qarkullojnë.

Zvicra nga viti 2028 me platformë digjitale për AVS dhe AI

Qytetarët në Zvicër pritet që nga viti 2028 të kenë qasje online në të dhënat e tyre të sigurimeve shoqërore për pensionin (AVS) dhe sigurimin e invaliditetit (AI), përmes një platforme të re digjitale.

Këshilli Kombëtar ka miratuar bazën ligjore për digjitalizimin e plotë të këtyre sistemeve, duke synuar modernizimin e shkëmbimit të të dhënave dhe reduktimin e procedurave me dokumente fizike.

Përmes platformës, qytetarët do të mund të kontrollojnë kontributet e tyre pensionale, të identifikojnë boshllëqet eventuale dhe të marrin një pasqyrë vjetore të llogarisë së tyre. Gjithashtu, do të mund të bëhet edhe një llogaritje paraprake e pensionit të ardhshëm, ndërsa dokumentet zyrtare do të dërgohen në mënyrë elektronike.

Përdorimi i platformës do të jetë vullnetar për qytetarët, por institucionet e sigurimeve do të jenë të detyruara të komunikojnë në mënyrë digjitale. Qeveria thekson se sistemi do të rrisë efikasitetin dhe transparencën, duke kursyer deri në 35 milionë franga në vit.

Kostoja e projektit vlerësohet rreth 15 milionë franga dhe platforma do të menaxhohet nga Qendra e Kompensimit. Projekti është miratuar me shumicë në Këshillin Kombëtar dhe tani kalon në Këshillin e Shteteve.

Çfarë është kadmiumi, elementi toksik që mund të kontaminojë ushqimin tonë?

Kadmiumi, një metal i rëndë i pranishëm në mjedis, mund të përfundojë në zinxhirin ushqimor dhe të kontaminojë ushqimin që konsumojmë. Pas disa alarmeve shëndetësore në Francë, lind pyetja: a duhet të shqetësohemi edhe në Zvicër? Emisioni Le Point J e analizon këtë çështje me David Vernez, drejtues i Departamentit të Shëndetit, Punës dhe Mjedisit në Unisanté në Lozanë.

Sipas David Vernez, “kadmiumi është një toksinë e njohur prej kohësh”. Ky metal i rëndë u klasifikua në vitin 2012 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin si substancë kancerogjene e njohur. Ai hyn në organizmin e njeriut përmes dy rrugëve kryesore: inhalimit dhe gëlltitjes, transmeton albinfo.ch.

Inhalimi lidhet kryesisht me ekspozimin në vendin e punës dhe me tymin e cigareve. Ndërsa gëlltitja, përmes ushqimit, përbën më shumë se 90% të marrjes së kadmiumit tek personat jo-duhanpirës.

“Është një bombë me sahat”

Në Francë, disa mjekë në verën e vitit 2025 folën për një “bombë shëndetësore me sahat” në gazetën Le Monde. David Vernez e përshkruan situatën në mënyrë të ngjashme: “Nëse është një bombë, është një bombë me sahat.” Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një fenomen akut, por për një proces të ngadalshëm që lidhet me rritjen graduale të përqendrimeve dhe me uljen e vlerave referuese.

Si përfundon kadmiumi në mjedis?

Kadmiumi çlirohet në mjedis përmes aktiviteteve industriale dhe mund të përhapet në tokë dhe ujë, duke hyrë më pas në zinxhirin ushqimor përmes bimëve dhe kafshëve.

Po ashtu, lindin pyetje të tjera të rëndësishme: pse gratë mund të jenë më të ekspozuara se burrat? dhe a duhet të shqetësohemi edhe në Zvicër?

Si të kufizohet ekspozimi ditor

Ky raport gjithashtu përfshin këshilla praktike për të reduktuar ekspozimin ndaj kadmiumit në jetën e përditshme, kryesisht përmes kujdesit në ushqyerje dhe shmangies së burimeve kryesore të ndotjes.

Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se gjatë muajit maj 2026 nuk do të ofrojë shërbime konsullore në disa data, për shkak të festave zyrtare në Kosovë dhe në shtetin pritës, Austri.

Sipas njoftimit, shërbimet konsullore do të jenë të pezulluara në këto data:

1 maj (e premte) – Dita Ndërkombëtare e Punës

11 maj (e hënë) – Dita e Evropës (9 maj)

14 maj (e enjte) – Christi Himmelfahrt (festë zyrtare në Austri)

25 maj (e hënë) – Pfingstmontag (festë zyrtare në Austri)

27 maj (e mërkurë) – Bajrami i Vogël (dita e parë)

Ambasada thekson se gjatë këtyre ditëve, si dhe gjatë fundjavave, numri i zakonshëm i telefonit nuk do të jetë aktiv.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë përmes email-it zyrtar [email protected] ose në numrin emergjent +43 (0) 676 646 81903.

Në fund, Ambasada ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin.

Fund i një epoke: SWISS ndalon shitjet “duty-free” në avionë

Kompania ajrore zvicerane SWISS International Air Lines ka vendosur të ndërpresë përfundimisht shitjet “duty-free” në bord të avionëve, duke filluar nga fundi i shtatorit 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja kryesore është rënia e kërkesës nga pasagjerët, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po blejnë produkte online ose në aeroporte para nisjes së udhëtimit, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

“Gjithnjë e më pak pasagjerë po blejnë në bord… blerjet spontane janë bërë përjashtim dhe jo më rregull”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Ky vendim reflekton ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, ku krahasimi i çmimeve në internet dhe blerjet paraprake kanë zëvendësuar praktikën tradicionale të blerjeve gjatë fluturimit.

SWISS, që është pjesë e grupit Lufthansa, po përshtat strategjinë e saj ndaj këtij realiteti të ri, duke hequr një shërbim që për dekada ka qenë standard në aviacion.

Megjithatë, shitjet “duty-free” do të vazhdojnë të jenë të disponueshme në aeroporte, ndërsa pasagjerët do të kenë më pak mundësi për blerje gjatë fluturimit.

Ky ndryshim shënon një tjetër hap drejt dixhitalizimit dhe transformimit të industrisë ajrore, ku komoditeti dhe planifikimi paraprak po zëvendësojnë blerjet spontane në bord.

Zvicra synon lehtësimin e aksesit në pilulën e emergjencës

Parlamenti zviceran po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e shpërndarjes së kontraceptivëve emergjentë, si pilula e njohur “e ditës pas”. Këshilli Kombëtar ka miratuar një mocion që kërkon që këto barna të jenë më lehtë të arritshme për gratë, duke u mundësuar shitjen e tyre pa kufizime të mëtejshme administrative.

Sipas propozuesve, aktualisht pilula mund të blihet vetëm pas një konsulte të detyrueshme në farmaci, një praktikë që ata e konsiderojnë pengesë për vendimmarrjen e shpejtë dhe autonome të grave në raste emergjente. Nismëtarja e mocionit, Corina Gredig (Partia Liberale e Gjelbër), theksoi se gratë duhet të kenë më shumë vetëvendosje dhe qasje të thjeshtuar, pa procedura që vonojnë përdorimin e trajtimit.

Mocioni u miratua në Këshillin Kombëtar me 113 vota pro dhe 73 kundër dhe tani i kalon për shqyrtim Këshillit të Shteteve.

Qeveria federale është shprehur kundër ndryshimit, duke argumentuar se kontraceptivët emergjentë mund të shkaktojnë efekte anësore dhe se këshillimi nga profesionistët shëndetësorë është i rëndësishëm për të garantuar përdorimin e sigurt dhe të informuar.

Nëse miratohet edhe nga dhoma tjetër e parlamentit, Zvicra mund të kalojë drejt një modeli më liberal të aksesit në pilulën e emergjencës, duke e bërë atë më të lehtë për t’u marrë në farmaci pa konsultim të detyrueshëm paraprak.

BE mbështet reformën për përfitimet e papunësisë për punëtorët ndërkufitarë, kosto shtesë të mundshme për Zvicrën

Këshilli i ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka mbështetur një reformë të skemës së sigurimit të papunësisë për punëtorët ndërkufitarë. Sipas ndryshimeve të propozuara, këta punëtorë do të përfitojnë kompensimet e papunësisë në vendin ku kanë punuar, dhe jo më në vendin e tyre të banimit. Ky ndryshim pritet të sjellë kosto shtesë për Zvicrën.

Sistemi aktual, që daton nga viti 2004, parashikon që punëtorët të kontribuojnë në sigurimin e papunësisë në vendin ku punojnë, edhe nëse jetojnë në një shtet tjetër. Megjithatë, në rast papunësie, përfitimet u paguhen nga vendi i banimit. Ky mekanizëm shpesh ka shkaktuar vonesa në pagesa dhe mospërputhje mes kontributeve të paguara dhe përfitimeve të marra, për shkak të vështirësive në koordinimin mes sistemeve kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Sipas reformës së re, përfitimet do të jepen nga shteti ku punëtori ka qenë i punësuar për herë të fundit. Një diplomat evropian në Bruksel bëri të ditur se 21 shtete anëtare e mbështesin këtë ndryshim.

Lëvizja e lirë e personave

Sipas Presidencës qipriote të Këshillit të BE-së, personat që humbasin vendin e punës mund të marrin përfitime nga shteti ku kanë punuar për herë të fundit për një periudhë deri në gjashtë muaj.

Kjo rregullore lidhet me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, miratimi i saj mund të ndodhë vetëm “me pëlqimin e qartë të Zvicrës”, theksoi Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike.

Presidenti zviceran takohet me kryeministrin maqedonas, bisedojnë për marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot pasdite u takua edhe me kryeministrin e vendit, Hristijan Mickoski.

Pas takimit, Mickoski theksoi se pret që bashkëpunimi në planin ekonomik të thellohet dhe të forcohet shkëmbimi tregtar.

“Biseduam për të gjitha mundësitë, për sfidat, por edhe për gjithçka që na lidh dhe si t’i rrisim dhe forcojmë ato në periudhën që vjen. Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të arrijnë nivelin që presim, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar”, tha Mickoski.

Kryeministri shprehu mirënjohje të madhe ndaj Parmelit për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që Zvicra i jep Maqedonisë së Veriut, transmeton albinfo.ch.

Goditje për qeverinë zvicerane: Parlamenti dobëson reformën për infermierët

Parlamenti zviceran i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë, duke dobësuar ndjeshëm projektligjin që synonte përmirësimin e kushteve të punës për personelin shëndetësor.

Sipas SRF, një shumicë e djathtë në Këshillin Kombëtar (Nationalrat) ka hequr elementët kryesorë të reformës së propozuar nga qeveria, duke e lënë projektin shumë më të kufizuar në ndikim, transmeton albinfo.ch.

Ligji kishte për qëllim zbatimin e “Iniciativës për kujdesin shëndetësor” të miratuar nga qytetarët në vitin 2021, me masa konkrete për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të frenuar mungesën e infermierëve.

Megjithatë, deputetët hoqën disa nga propozimet kryesore, përfshirë:

mos uljen e orarit maksimal të punës javore,

kompensime më të ulëta për punën gjatë fundjavës dhe festave,

rregulla më të buta për oraret dhe orët shtesë.

Shumica parlamentare argumentoi se masat e propozuara nga qeveria do të sillnin kosto shumë të larta dhe rritje të mundshme të primeve të sigurimeve shëndetësore, duke kërkuar një qasje më fleksibile dhe më pak të rregulluar.

Shumica e zviceranëve mbështesin iniciativën “Jo për 10 milionë banorë”

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Zvicër po mbështesin iniciativën e diskutueshme që synon kufizimin e popullsisë së vendit në maksimum 10 milionë banorë.

Sipas raportimeve të fundit nga Swissinfo, iniciativa “No to ten million Switzerland” do të dalë në votim më 14 qershor 2026, duke u bërë një nga temat më të rëndësishme politike të vitit në ven, transmeton albinfo.ch.

Propozimi, i shtyrë nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), parasheh që popullsia e përhershme të mos kalojë 10 milionë deri në vitin 2050. Nëse shifra arrin mbi 9.5 milionë, autoritetet do të detyrohen të ndërmarrin masa për ta ndalur rritjen, kryesisht përmes kufizimit të imigracionit.

Sondazhet e fundit tregojnë se një shumicë e lehtë e qytetarëve është në favor të iniciativës, e nxitur nga shqetësimet për rritjen e shpejtë të popullsisë, presionin mbi banesat, transportin dhe shërbimet publike.

Megjithatë, qeveria zvicerane dhe shumica e partive politike janë kundër këtij propozimi, duke paralajmëruar se ai mund të dëmtojë ekonominë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, sidomos nëse prek marrëveshjen për lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Debati mbetet i fortë në vend, pasi përkrahësit e iniciativës e shohin atë si një mënyrë për të mbrojtur cilësinë e jetës dhe infrastrukturën, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë pasoja serioze për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.

Rriten shpërblimet në Kupën e Botës, kombëtaret e nisin me fitim 10 milionë dollarë

Shpërblimi për 48 skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e këtij viti rritet.

Ky është vendimi i marrë nga Këshilli i FIFA në mbledhjen e zhvilluar në Vancouver në prag të Kongresit të këtij institucioni që do të mbahet këtë të enjte, transmeton albinfo.ch.

Rritja e shpërblimit është me 15% dhe lidhet me të ardhurat më të mëdha komerciale që kanë derivuar nga edicioni i Kupës së Botës së këtij viti.

Shpërblimi total është rritur nga 727 milionë dollarë në 871 milionë dollarë. Çdo skuadër do të ketë një kontribut minimal prej 2.5 milionë për përgatitjen dhe prej 10 milionë dollarësh vetëm për pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Pjesa tjetër e shpërblimit do të jepet në varësi të ecurisë së skuadrave gjatë kampionatit botëror të futbollit. Skuadra që do të fitojë titullin botëror do të përfitojë 50 milionë dollarë.

Ndërkaq, Këshilli i FIFA ratifikoi edhe normën që ndëshkon me karton të kuq lojtarët që mbyllin gojën gjatë një debati me kundërshtarin duke marrë shkas edhe në rasti Prestianni. Po kështu do të ndëshkohet me karton të kuq që lë fushën e lojës në shenjë proteste kundër një vendimi arbitrar, një masë kjo që u mor pas rastit të Senegal në finalen me Marokun në Kupën e Afrikës.

Po kështu do të zerohen kartonët e verdhë të lojtarëve pas fazës së grupeve dhe pas çerekfinaleve

Ndërkaq, zgjedhja e presidentit të FIFA për periudhën 2027-2031, ku presidenti aktual Gianni Infantino ka vendosur kandidaturën do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Kongresin e 77 të FIFA, ndërsa fushata elektorale do të nisë që këtë të enjte.

Ndërkaq, FIFA ka nisur konsultmet për të bërë të detyrueshme për klubet që të kenë në fushë të paktën një futbollist që vjen nga ekipet U20 apo U21.