Komisioni miraton pjesëmarrjen e FSK-së në mision ndërkombëtar në Gaza

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, me misione humanitare dhe të sigurisë, përcjell albinfo.ch.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka vlerësuar këtë vendim si dëshmi të pjekurisë institucionale të Kosovës dhe të profesionalizmit të FSK-së. Sipas saj, pjesëmarrja në misione ndërkombëtare tregon besimin që është ndërtuar në kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe gatishmërinë e FSK-së për të marrë përgjegjësi jashtë kufijve shtetërorë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, theksoi se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në misione paqeruajtëse së bashku me aleatët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë mbështetjen ligjore, financiare dhe logjistike për forcat e saj të sigurisë.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm pozitiv për Kosovën dhe për FSK-në, duke kërkuar që pjesëtarëve të saj në mision t’u sigurohet mbështetje e plotë në aspektin e pajisjeve dhe logjistikës.

Pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt angazhimit më të madh të Kosovës në operacione ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë./Albinfo.ch

Të huajt rezidentë po shndërrojnë zonat e Cyrihut në lagje luksoze

Disa nga zonat përreth Liqeni i Cyrihut po përjetojnë një transformim të shpejtë, duke u kthyer në lagje gjithnjë e më luksoze të dominuara nga blerës të huaj rezidentë, përcjell albinfo.ch.

E ashtuquajtura “Gold Coast”, e vendosur në bregun lindor të Cyrih, ka qenë prej vitesh një destinacion i preferuar për të pasurit e huaj. Megjithatë, tani ajo po përballet me konkurrencë të fortë nga “Platinum Coast”, e cila shtrihet në anën perëndimore të liqenit.

Ndërsa më parë konsiderohej më pak e zhvilluar, “Platinum Coast” ka arritur ta tejkalojë “Gold Coast” në tregun e pasurive të paluajtshme. Në komunat si Kilchberg dhe Horgen, çmimet për metër katror kanë arritur deri në 35,000 franga, ndërsa në “Gold Coast” ato qëndrojnë rreth 30,000 franga.

Sipas të dhënave, kjo zonë e re luksoze po tërheq gjithnjë e më shumë ekspatë, të cilët në disa pjesë tashmë janë më të shumtë në numër se banorët vendas zviceranë./Albinfo.ch

22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Në Tiranë ka nisur Samiti i IV-të i Diasporës, i cili po zhvillohet nga data 13 deri më 15 prill, nën logon “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, shkruan albinfo.at.

Samiti ka bërë bashkë institucione shtetërore, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë këtyre ditëve janë paraparë të zhvillohen gjithsej 18 panele diskutimi, të cilat do të trajtojnë tema të rëndësishme si bashkëpunimi ekonomik, investimet e diasporës, turizmi, arsimi, inovacioni, digjitalizimi, si dhe ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor.

Në ceremoninë e hapjes që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi disa personalitete të diasporës shqiptare për kontributin e tyre.

Pjesë e këtij samiti janë edhe 22 afaristë të suksesshëm shqiptarë nga Austria, të udhëhequr nga kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj.

Në delegacionin nga Austria bëjnë pjesë edhe emra të njohur të komunitetit të biznesit si Hamdi Krasniqi, Arben Myftari, Avdi Rugova, Ardit Zendeli, Shiqeri Emrllahu, si dhe shumë afaristë të tjerë që po përfaqësojnë potencialin ekonomik të diasporës shqiptare në Austri.

Pjesëmarrja e tyre në Samitin e Diasporës shihet si një mundësi e rëndësishme për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri dhe rajon./Albinfo.at

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Turqi, plagosen 16 persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Turqi, ku të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar brenda një shkolle fillore në qytetin e Şanlıurfa, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave turke, një person i ri është futur në ambientet e shkollës dhe ka hapur zjarr me armë zjarri, duke shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës. I dyshuari raportohet të jetë rreth 17–18 vjeç, ndërsa nga të shtënat janë plagosur rreth 16 persona.

Të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve për trajtim mjekësor. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet speciale të policisë turke si dhe ekipet e ambulancës, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë për të lënduarit.

Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë momente paniku, ku nxënësit shihen duke vrapuar jashtë objektit të shkollës për t’u larguar nga rreziku.

Sipas raportimeve fillestare, i dyshuari pas kryerjes së sulmit dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ferit Hoxha: Marrëdhënia me diasporën tani është një “rrugë me dy kahje”

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi nga Samiti i Diasporës, që po mbahet në Tiranë, se diaspora ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ai theksoi se marrëdhënia me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim, por tani është një “rrugë me dy kahje”.

Ai theksoi se përgjegjësia është e jona nëse gjuha shqipe dobësohet, ndërkohë që më përpara ajo ka arritur t’i rezistojë shekujve, transmeton albinfo.ch.

Këtu ai përmendi edhe protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, teksa tha se ata kërkuan një të drejtë legjitime për gjuhën amtare.

“Nëse gjuha jonë i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e të lidhur, atëherë përgjegjësia është vetëm jona. Kjo është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve të RMV për të ushtruar të drejtën e tyre në gjuhën amtare.

Këtë duhet të keni parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët e organizatorët. Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje dhe shumë mbështetje konkrete. Forca jonë ka qenë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën, të ndërtojmë ura me të tjerët por pa shembur themelet tona dhe gjuhën shqipe, ta çojmë në vendin që meriton në familjen e madhe evropiane. Suksesi juaj nuk është vetëm personal por kombëtar. Edhe nga larg, ju keni qene gjithmonë afër”, tha ai.

Fjala e plotë e Ministrit në Samitin e Diasporës:

Sot nuk mblidhemi thjesht për një takim të radhës.

Si çdo herë kur bëhemi bashkë, përfaqësues të një kombi të shtrirë në rajon dhe një shoqërie që jeton në shumë vende, sot në këtë sallë të madhe e të mbushur plot rreh një zemër e madhe.

Një zemër që e bën këtë qytet – sot e përditë – më shumë se kryeqytetin e Shqipërisë: e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne.

Samiti i IV-të i Diasporës vjen në një moment kyç, siç e theksoi dhe Presidenti dje.

Ndërsa bota përreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes. Këtë mund të them me bindje dhe për Kosovën.

Dhe shqiptaria, kudo që ndodhet, është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë.

Ky realitet na kujton një të vërtetë thelbësore: diaspora nuk është thjesht “jashtë”.

Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë.

Jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.

Për shumë vite, marrëdhënia jonë me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim. Sot e dimë: është një rrugë me dy kahje.

Historia jonë e përbashkët na ka mësuar se largësia nuk e dobëson lidhjen. Përkundrazi, e forcon atë.

Por kjo lidhje kërkon kujdes, kërkon vëmendje dhe, mbi të gjitha, kërkon dëgjim.

Kemi shumë për të thënë për kulturën, identitetin, inovacionin, turizmin, zhvillimin lokal, talentet dhe të rinjtë, për shërbimet në linjë, përfshirë shërbimin tonë konsullor. Nuk do të ndalem këtu sepse për të gjitha këto e shumë të tjera do të diskutojmë ne detaje gjatë këtyre ditëve.

Por në këto minuta hyrëse, më lejoni të them dy fjalë mbi një aspekt të veçantë e themelor: gjuha shqipe.

Sepse ajo është ADN-ja jonë.

Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi — është kujtesë, identitet, është vazhdimësi.

Pa gjuhën, do të na mbetej vetëm trupi; dhe një trup pa shpirt varfërohet e tkurret.

Prandaj, përpjekjet për gjuhën – në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë – janë përpjekje për të qenë vetvetja.

Gabimi më i madh do të ishte të ngatërronim të përkohshmen me të përhershmen.

Të sakrifikonim thelbin me lehtësinë e momentit.

Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot – kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë – atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.

Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.

Këtë duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën tonë çdo fundjavë, në çdo klasë, në çdo aktivitet.

Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë më shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jemi të angazhuar me gjithë ekipin në Ministrinë e Jashtme.

Forca jonë ka qenë gjithmonë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën.

Të hapemi ndaj botës, pa humbur veten.

Të ndërtojmë ura me të tjerët, pa shembur themelet tona.

Dhe ne kemi marrë angazhimin që gjuhën shqipe, pjesë e familjes së madhe indo-evropiane, ta çojnë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Por çdo ditë e më shumë, ajo është edhe histori suksesi.

Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë por me shumë kurajë, tek profesionistët e sotëm që udhëheqin në shkencë, teknologji, biznes e kulturë — ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale.

Suksesi juaj nuk është vetëm personal — është edhe kombëtar. Sepse çdo arritje e juaja është një dritare më shumë për Shqipërinë në botë.

Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje.

Dhe kjo medalje ka një emër: shqiptaria në zhvillim dhe forcim.

Edhe nga larg, ju keni qenë gjithmonë afër.

Në kohë të vështira, keni qenë mbështetje.

Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë.

Ky samit nuk është një ceremoni.

Është një hapësirë pune. Një laborator idesh.

Një pikë takimi në mënyrë që vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.

Përgjatë këtyre ditëve, do të diskutojmë për sfida dhe mundësi konkrete: për mundësi e oportunitete, projekte e aktivitete, për shkëmbim dijesh dhe për ruajtjen e identitetit.

Do të dëgjojmë edhe kritikat, por edhe propozime e rekomandime.

Nuk do të kemi monolog – sepse duam dialog.

Nuk do të flasim për ju – sepse duam te flasim me ju.

Nuk do të jeni dëgjues apo spektatorë — sepse ju duam aktorë;

Jo me ndjenjën e fajit por me peshën e përgjegjësisë dhe energjinë e mundësisë;

Pikërisht për këtë kemi ndërtuar plot 19 panele bashkëbisedimi, si asnjëherë më parë, me tematika shumë të larmishme, si dhe plot aktivitete anësore specifike që prekin drejtpërdrejt jetën tuaj dhe ndikojnë në të ardhmen tonë të përbashkët.

Sepse kemi shumë për të thënë e për të ndarë, por dhe më shumë për të bërë.

Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe ambicioz njëkohësisht: të mësojmë nga njëri-tjetri, të ndërtojmë ura më të forta dhe të krijojmë mekanizma konkretë që e bëjnë këtë lidhje të qëndrueshme, funksionale, efektive.

Sepse Atdheu është kudo ku ka shqiptarë.

Sepse, siç e kemi thënë, përmes rrënjëve lartësohemi dhe përmes dijes forcohemi.

Faleminderit të gjithëve që jeni këtu — si pjesëmarrës, moderatorë, panelistë, kontribuues dhe bashkudhëtare në këtë rrugëtim.

Një gjë është e qartë: e ardhmja e sigurtë dhe e begatë ndërtohet më mirë dhe më shpejt së bashku.

Më këto fjalë, më lejoni tani të ftoj Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama — njeriun që e ideoi dhe i dha jetë samitit dhe partneritetit me diasporën.

Afrim Gashi ngrit shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i është bashkuar Samitit të IV të Diasporës.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se është shumë rëndësishme që shteti të krijojë kushte të mira që qytetarët të jetojnë dinjitetshëm.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve, duke nënvizuar se duhen marrë masa për të parandaluar ikjen e të rinjve, transmeton albinfo.ch.

“Arsyet që kanë sjellë deri te mërgimi kanë qenë të ndryshme dhe pa i kuptuar mirë arsyet nuk mund të arrijmë të konkluzioni se si mund ta bëjmë rilidhjen dhe rikthimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Atdheut. Shpërngulja në Shqipëri nis në vitet ’90 për arsye ekonomike, në Kosovë për arsye politike dhe në Maqedoninë e Veriut për arsye ekonomike dhe politike. Kjo gjakderdhje demografike që po na ndodh gjatë viteve të fundit, duhet të marrë një zgjidhje. Pra duhet të ndërtojmë politika që ndalojnë largimin e të rinjve”, tha ai.

Gjithashtu Gashi bëri edhe një apel për politikën, që të bashkëpunojnë për të krijuar më shumë mundësi ekonomike, dhe të punojnë për një të ardhme të sigurt për qytetarët.

“Shqipëria ofron mundësi për të investuar”

Samiti i Diasporës filloi punimet treditore në Tiranë, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare, institucioneve shtetërore dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës.

Në kuadër të tij, Forumi Ekonomik, i bashkëorganizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, synon krijimin e urave konkrete të bashkëpunimit dhe nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri.

Anëtari i kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës, Erjon Begaj, në një prononcim për mediat, theksoi rolin thelbësor që luan Dhoma në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Shqipëria sot në disa sektorë ofron oportunitete në energji, turizëm, ndërtim dhe teknologji. Ka zhvilluar kapacitete dhe tërheq investitorë të huaj. Edhe nga ana e kapitalit human ka zhvillim të lartë, ashtu edhe për shkak të kostos dhe sistemit fiskal që avantazhon. Ajo që kërkohet nga qeveria është stabiliteti. Kjo është gjëja kryesore që kërkon investitori, një stabilitet më i qëndrueshëm i Shqipërisë. Hyrja e Shqipërisë në BE, në strukturat e Bashkimit Evropian, do të rriste stabilitetin dhe seriozitetin dhe do të nxiste më shumë investitorë të huaj apo të diasporës të vijnë të investojnë në Shqipëri”, shprehet Begaj.

Ky objektiv, sipas tij, duhet të realizohet përtej bindjeve politike që kemi, sepse këtu flitet për Shqipërinë, për interesin e Shqipërisë dhe për brezat e ardhshëm, jo për bindje politike apo parti.

Dhoma e Biznesit të Diasporës është bashkëorganizatore e Forumit Ekonomik, një nga shtyllat kryesore të samitit, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Investoni në Shqipëri”

Gjatë Samitit të IV të Diasporës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, u ndal te roli i investimeve në zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rëndësinë e veçantë që kanë investimet që vijnë nga diaspora shqiptare.

Ajo u shpreh se investimet kanë qenë në rritje dhe kanë nxitur më tej zhvillimin ekonomik, ndërsa theksoi se ky trend ka edhe më shumë vlerë kur vjen nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe zgjedhin të investojnë në Shqipëri, duke sjellë njëkohësisht edhe eksperiencën e tyre të fituar në vende të tjera.

Ibrahimaj vuri në dukje se ekonomia shqiptare është në rritje, me rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë, ndërsa sektorë kyç si turizmi dhe energjia po zhvillohen me ritme të qëndrueshme. Sipas saj, Shqipëria po përmirësohet edhe në ofrimin e shërbimeve publike dhe renditet ndër vendet më të avancuara në këtë drejtim në Evropë.

“Investimet janë ato që kanë ardhur në rritje dhe kanë nxitur akoma më shumë investime dhe do nxisin më shumë zhvillim ekonomik. Investimet kanë gjithmonë më shumë vlerë nëse janë nga diaspora, nëse janë nga shqiptarë që duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, të vijnë dhe të japin eksperiencën e tyre që kanë marrë jashtë. Vetëm duke pasur një plan pune të dedikuar bashkërisht, në Samitin e V do të kemi më shumë rezultate konkrete. Sot mund të jetë një ditë e shënuar drejt zhvillimit të një marrëdhënieje më të fortë. Shqipëria është në rritje, ekonomia është në rritje, punësimi në rritje, papunësia është në rënie.

Ato sektorët të cilët ne kemi etiketuar si sektorë kyç janë duke u zhvilluar. Tani është momenti që Shqipëria të ketë zhvillim më të gjerë në turizëm. Një sektor tjetër shumë i rëndësishëm është energjia. Energjia është një sektor i cili gjithmonë e më shumë ka tërhequr vëmendjen. Jemi ndër vendet më të avancuar në Evropë për shërbimet publike. Të 8-ët në Evropë për shërbimet publike. Shqipëria evropiane mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet rritjes së investimeve dhe eksporteve dhe padyshim rritjes së produktivitetit”, u shpreh ajo.

Peleshi: Diaspora, burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, foli në Samitin e Diasporës për rolin që kanë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Ai u ndal te fakti se diaspora sot është e pranishme dhe aktive në shoqëritë ku jeton, duke u bërë pjesë e jetës ekonomike, kulturore dhe politike në shumë vende.

Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit nuk janë vetëm mbështetje financiare për familjet e tyre, por edhe një burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.

Ai përmendi edhe ndikimin e remitancave dhe kontributin në fusha si arsimi, kultura dhe jeta publike, transmeton albinfo.ch.

Peleshi foli edhe për praninë e shqiptarëve në nivele të larta në vende si Evropa, Kanadaja dhe SHBA, duke i cilësuar si pjesë e elitave në fusha të ndryshme.

Në fund, ai u ndal te nevoja që institucionet dhe shoqëria të bashkëpunojnë më shumë për të përfituar nga ky potencial dhe për ta lidhur më fort diasporën me zhvillimin e vendit.

youtube.com/watch?v=6EgCgeY7cqc&source_ve_path=MjM4NTE&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.oranews.tv%2F

Rama në Samitin e Diasporës: Shqipëria nuk kërkon më ndihmë, por partneritet nga diaspora

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar sot shqiptarëve nga mbarë bota gjatë punimeve të Samiti i Katërt i Diasporës, i mbajtur në Tiranë, duke theksuar se Shqipëria nuk është më një vend që kërkon mbështetje financiare nga diaspora, por një vend që e fton atë të marrë pjesë aktive në zhvillimin dhe transformimin e saj, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria sot është një “kantier i madh transformimesh”, që synon realizimin e ëndrrës për anëtarësim në Bashkimi Europian deri në vitin 2030. Ai pranoi se, ashtu si çdo kantier, edhe ky proces shoqërohet me vështirësi dhe sfida.

“Ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, por një deklaratë e përbashkët qëllimesh. Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare, por e fton atë të marrë pjesë në investime, në inovacion, në jetën akademike dhe në ndërtimin e së ardhmes së vendit”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se transformimi i Shqipërisë është i dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme, duke kujtuar se dikur vendi ishte kritikuar nga Bashkimi Europian si një shtet ku mbizotëronte pandëshkueshmëria.

Sipas tij, sot situata ka ndryshuar ndjeshëm, duke shtuar se pandëshkueshmëria është tashmë një fenomen i së kaluarës dhe se askush nuk është mbi ligjin. Rama theksoi gjithashtu se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është bërë më i pavarur se kurrë më parë, duke garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët.

Në përfundim, ai theksoi se rruga drejt integrimit europian kërkon punë të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë me diasporën, duke e cilësuar atë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe akademik të vendit. /Albinfo.ch

 

Aksident i rëndë në A3 pranë Urdorfit, disa të plagosur dhe autostrada e bllokuar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën në mëngjes në Autostrada A3, në segmentin mes Urdorf Nord dhe Urdorf Süd, ku një veturë është përplasur me një kamion, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve fillestare, në aksident janë përfshirë disa automjete, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur. Në vendngjarje është angazhuar edhe një helikopter i shpëtimit për transportimin e të lënduarve në spital.

Autoritetet kanë konfirmuar se në aksident është përfshirë të paktën një kamion dhe një veturë, ndërsa ende nuk dihet saktësisht numri i plotë i automjeteve të përfshira.

Për shkak të incidentit, Autostrada A3 në drejtim të Basel është mbyllur për qarkullim, duke shkaktuar kolona të gjata dhe vonesa të konsiderueshme. Autoritetet kanë kërkuar nga shoferët që të shmangin zonën dhe të përdorin rrugë alternative, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar./Albinfo.ch

 

https://x.com/KapoZuerich/status/2043967835534229729/photo/1

 

 

Trumpi thotë se ushtria amerikane ka bllokuar portet iraniane për t’i bërë presion Teheranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se ushtria amerikane ka nisur një bllokadë të porteve iraniane, si pjesë e përpjekjeve për ta detyruar Teheranin të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për më shumë se gjashtë javëc, përcjell albinfo.ch.

Në reagim, Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me masa ndaj të gjitha porteve në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, duke kërcënuar edhe vendet aleate të SHBA-së në rajon.

Sipas gjurmuesit të anijeve MarineTraffic, të paktën dy cisterna që po i afroheshin ngushticës janë kthyer mbrapsht menjëherë pasi bllokada amerikane ka hyrë në fuqi. Ndërkohë, Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare ka raportuar se bllokada po kufizon “tërë vijën bregdetare të Iranit, përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike”.

Në njoftimin e saj për detarët, agjencia theksoi se kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit drejt ose nga vende jo-iraniane nuk raportohej të ishte penguar, por paralajmëroi se anijet mund të hasin “prani ushtarake” në zonë.

Bllokada amerikane dhe kërcënimet iraniane kanë krijuar një përballje të rrezikshme, e cila mund të ketë pasoja serioze për ekonominë globale, duke pasur parasysh se Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më strategjike për furnizimin botëror me naftë.

Situata po rrit shqetësimet se armëpushimi mund të prishet dhe luftimet të rifillojnë, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, nuk arritën marrëveshje gjatë fundjavës së kaluar.

Trump: “Bllokada ka nisur”

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi se bllokada ka filluar dhe deklaroi se SHBA-ja nuk mund të lejojë që Irani të përdorë Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj botës.

“Nuk mund të lejojmë që një vend të shantazhojë ose të zhvatë botën, sepse kjo është ajo që po bëjnë”, tha Trump.

Ai la të kuptohet se Uashingtoni mbetet i gatshëm për negociata, duke deklaruar se pala iraniane ka kontaktuar.

“Mund t’ju them se pala tjetër na ka kontaktuar. Ata duhet të bëjnë një marrëveshje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një burimi tjetër me njohuri mbi zhvillimet, po zhvillohen diskutime për një raund të dytë negociatash ballë për ballë mes SHBA-së dhe Iranit. Një diplomat nga një prej vendeve ndërmjetësuese ka konfirmuar se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për vazhdimin e bisedimeve./Albinfo.ch

Kurti me lëvdata për filmin “Dua” me premierë botërore në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se filmi i metrazhit të gjatë “Dua” është përzgjedhur në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique” në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë, ku do të ketë edhe premierën e tij botërore, transmeton albinfo.ch.

Filmi “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është përfshirë në një nga seksionet më konkurruese të festivalit, duke shënuar një tjetër moment historik për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kurti ka vlerësuar se Basholli, pas suksesit të madh me filmin “Zgjoi”, po vazhdon të përfaqësojë denjësisht Kosovën në botën e filmit, duke sjellë projekte të fuqishme artistike që po marrin vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kjo përzgjedhje konsiderohet edhe më e rëndësishme pasi është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në “Semaine de la Critique”, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Në reagimin e tij, Kurti ka theksuar edhe mbështetjen institucionale dhe ndërkombëtare që ka marrë filmi, duke përmendur se ai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, si dhe Cineforom.

Filmi “Dua” pritet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të këtij edicioni në Cannes, duke sjellë edhe një herë në fokus potencialin dhe zhvillimin e kinemasë kosovare./Albinfo.ch

Kaos në aeroportet evropiane nga sistemi i ri kufitar, radhë të gjata dhe vonesa për mijëra udhëtarë

Mijëra udhëtarë jashtë Bashkimit Evropian po përballen me radhë të gjata, vonesa të mëdha dhe në disa raste edhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane, si pasojë e zbatimit të sistemit të ri kufitar Entry/Exit System (EES) të Bashkimit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Sistemi i ri parasheh që udhëtarët nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, të regjistrohen përmes të dhënave biometrike gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i BE-së. Kjo përfshin gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës, procedurë që po zgjat kohën e kontrollit në pikat kufitare.

Gjatë fundjavës janë raportuar radhë të gjata dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore evropiane, përfshirë Gjenevën, Lisbonën dhe Maltën, ndërsa probleme janë shënuar edhe në Bruksel dhe në disa aeroporte të Holandës.

Sipas raportimeve, situata ka vazhduar edhe në ditët në vijim, me udhëtarë në aeroportin e Brukselitdhe në Schiphol të Amsterdamit që kanë raportuar pritje deri në dy orë vetëm në kontrollin e pasaportave.

Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar sigurinë dhe për të kontrolluar më saktë hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet e treta, por në ditët e para të implementimit, ai po krijon ngarkesë të konsiderueshme dhe shqetësime për udhëtarët në të gjithë Evropën./Albinfo.ch

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te memoriali Heroinat

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ata u shoqëruan nga dy prej të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Ramadan Nishori, si dhe nga aktivistja për të drejtat e të mbijetuarve Feride Rushiti, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe respekti për sakrificën dhe dinjitetin e viktimave.

14 prilli është shpallur zyrtarisht si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një vendim që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të nxisë ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë plagë të rëndë të luftës.

Gjatë homazheve, Haxhiu theksoi rëndësinë e drejtësisë për të mbijetuarit, duke bërë të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Kemi tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Ajo shtoi se vajzat dhe gratë, djemtë dhe burrat që kanë mbijetuar këtë dhunë, janë dëshmi se institucionet e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë, sidomos në adresimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale.

“Kemi shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Kosovës, sidomos në adresimin e drejtësisë”, theksoi Haxhiu.

Memoriali “Heroinat” në Prishtinë është një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe dinjitetit të të mbijetuarve, duke kujtuar vuajtjet e tyre dhe duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës./Albinfo.ch

Miss Amerika 2025 merr pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Shqiptarja Samantha Shkreli Sarelli, e njohur për sukseset e saj në skenën e bukurisë dhe humanizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar nga Amerika në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur praninë e saj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Mirënjohëse që ndodhem këtu në Tiranë për ditën 1 të Samitit të Diasporës Shqiptare të ftuar nga Kryeministri Edi Rama! Faleminderit shumë për ftesën, jam e nderuar që jam këtu!”, ka shkruar Sarelli.

Samantha Shkreli Sarelli është shpallur Miss Amerika 2025 vitin e kaluar, duke fituar titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, një arritje që e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes në botën e modës dhe bukurisë.

Ajo është gjithashtu e njohur edhe për titullin që mbante në vitin 2020, “Former Miss Connecticut Teen USA”, duke dëshmuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe ambicioz në karrierën e saj.

Me pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës, Samantha Shkreli Sarelli i bashkohet figurave të tjera të suksesshme të diasporës shqiptare, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Samantha Shkreli Sarelli (Facebook)

Blerta Basholli i sfidoi 1050 filma nga 106 vende të botës

Regjisorja kosovare Blerta Basholli ka shënuar një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, pasi filmi i saj më i ri, “Dua”, është përzgjedhur për të pasur premierën botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, transmeton albinfo.ch.

Filmi do të shfaqet në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique”, ku do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Ky sukses merr edhe më shumë peshë duke ditur se për këtë seksion kanë aplikuar gjithsej 1050 filma nga 106 vende të botës, ndërsa përzgjedhja e “Dua” dëshmon për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik të projektit të Bashollit.

Përfshirja në “Semaine de la Critique” konsiderohet një nga arritjet më të rëndësishme për një film të metrazhit të gjatë, pasi ky seksion i Cannes promovon zëra të rinj dhe projekte të veçanta me potencial të madh ndërkombëtar.

Me këtë përzgjedhje, Blerta Basholli konfirmon edhe një herë pozitën e saj si një nga emrat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së skenës botërore të filmit./Albinfo.ch

Edhe Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë

Raporti i ISTAT tregon rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë që nga viti 1990, ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë në nivele historike, përcjell albinfo.ch.

Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83,4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.

Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetëgjatësisë gjatë dekadave të fundit. Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6,5 vite për gratë, duke arritur respektivisht në 81,5 vite për burrat dhe 85,6 vite për gratë në vitin 2024.

Raporti me titull “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të jetëgjatësisë në Itali, duke theksuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë progres. Ndër më të rëndësishmit, sipas ISTAT, mbetet ulja drastike e vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2023, norma e vdekshmërisë foshnjore zbriti në vetëm 2,7 për 1000 lindje, një nga nivelet më të ulëta në botë. Ndërkohë, në shekullin XIX kjo shifër ishte rreth 230 për 1000 lindje, duke reflektuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në standardet e jetesës dhe kujdesin shëndetësor.

Sipas analizës, ky përmirësim është rezultat i një procesi afatgjatë, ku kanë ndikuar faktorë si përmirësimi i kushteve të jetesës, ushqyerja më e mirë, higjiena, përparimet në mjekësi dhe përhapja e vaksinimit.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, i cili garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore dhe ndihmoi në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhen marrë si të mirëqena. Sfidat e reja, si plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor, kërkojnë politika të qëndrueshme për të ruajtur dhe përmirësuar më tej jetëgjatësinë në vend./Albinfo.ch

Futbollisti rikthen mbiemrin shqiptar dhe zgjedh të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e muajit mars, ku bie në sy përfshirja e mbrojtësit të AEK-së, Stavros Pelios, i cili pritet të debutojë me fanellën kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës, përcjell albinfo.ch.

 

Bëhet fjalë për një futbollist 24-vjeçar që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes dhe këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më aktivë të skuadrës së tij. Ai ka zhvilluar 33 ndeshje, duke kontribuar edhe me katër asistime, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, futbollisti kishte marrë më herët shtetësinë greke dhe kishte ndryshuar mbiemrin nga “Pilo” në “Pelios”, megjithatë së fundmi ka vendosur të rikthejë mbiemrin origjinal shqiptar, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt identitetit të tij.

Nën emrin Stavro Pilo, ai tashmë është përfshirë në thirrjet e Kombëtares shqiptare. Lojtari është me origjinë nga fshati Finiq në Delvinë dhe ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, duke mbajtur mbiemrin e lindjes në fanellë.

Ky vendim shihet si një kapitull i ri në karrierën e tij ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë përfaqëson një fitore të rëndësishme, pasi Kombëtarja siguron një mbrojtës modern, dinamik dhe me eksperiencë në kampionatin grek.

Zgjedhja e tij për të rikthyer mbiemrin shqiptar dhe për të veshur fanellën kuqezi konsiderohet një hap domethënës, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë identitar, duke forcuar më tej lidhjen e futbollistëve me origjinën e tyre./Albinfo.ch

Shqipe Sylejmani me lexim letrar në Bernë

Autorja shqiptare Shqipe Sylejmani do të mbajë ndalesën e fundit të turit të saj letrar në qytetin e Bernës, ku do të prezantojë librin e saj të tretë me titull “Stolz und Widerstand” (Krenari dhe Rezistencë), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 prill, duke filluar nga ora 20:00, në ambientet e librarisë së njohur Orell Füssli në Spitalgasse, Bernë.

Sipas njoftimit, romani “Krenari dhe Rezistencë” sjell një rrëfim të ndjerë që shpalos tema të fuqishme si forca e brendshme, dinjiteti njerëzor dhe format e ndryshme të rezistencës, duke prekur emocionalisht lexuesin dhe duke reflektuar realitete të thella jetësore.

Ky takim letrar konsiderohet një mundësi e veçantë për komunitetin shqiptar dhe dashamirët e letërsisë në Zvicër, për të dëgjuar nga afër autoren dhe për të bashkëbiseduar rreth veprës së saj.

Moderimi i mbrëmjes do të bëhet nga Lirija Sejdi, ndërsa biletat mund të sigurohen online ose në arkën e ngjarjes./Albinfo.ch

Instagram profil Shqipe Sylejmani

Hoxha takon në Tiranë deputetin shqiptar në Suedi, Arbër Gashin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Tiranëme deputetin shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës, transmeton albinfo.ch.

Lajmin e bëri të ditur vetë ministri Hoxha përmes një postimi në platformën X, ku shprehu kënaqësinë për takimin me deputetin shqiptar, duke e cilësuar atë si një histori suksesi dhe shembull krenarie për diasporën shqiptare.

“Kënaqësi të takoja sot, në Tiranë, deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës,” shkroi Hoxha.

Ministri e vlerësoi Arbër Gashin, të cilin e përshkroi si “bir i Drenicës”, duke theksuar se rrugëtimi dhe arritjet e tij janë dëshmi se identiteti shqiptar nuk humbet, por përkundrazi forcohet dhe pasurohet edhe jashtë kufijve.

Sipas Hoxhës, shembujt e diasporës shqiptare që janë të mirëintegruar dhe aktivë në jetën politike e institucionale të vendeve ku jetojnë, janë një frymëzim i drejtpërdrejtë për shoqërinë shqiptare.

Ai theksoi se raste të tilla janë të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo në botë, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe për promovimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarisë në arenën ndërkombëtare.

“Rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë shqiptarët,” përfundoi ministri në postimin e tij./Albinfo.ch.

Ligji për arsimin e lartë në Maqedoni: BDI e refuzon, VLEN në pritje

BDI ka njoftuar se nuk do ta mbështesë projektligjin e ri për arsimin e lartë, duke vlerësuar se ai cenon autonominë universitare në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, ligji i jep Ministrit të Arsimit dhe Qeverisë kompetenca të gjera për të ndërhyrë në vendimmarrjen akademike, në menaxhimin financiar dhe në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Nga kjo parti theksohet se propozimi i ri e dobëson demokracinë e brendshme universitare dhe e përqendron vendimmarrjen në pak duar. Ata konsiderojnë se liria akademike duhet të mbrohet dhe universitetet duhet të ruajnë pavarësinë e tyre në punë dhe organizim. Për këtë arsye, BDI e ka quajtur projektligjin të papranueshëm dhe ka bërë të ditur se nuk do ta votojë.

Në anën tjetër, koalicioni VLEN ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar. Ata po presin versionin e fundit të projektligjit për të parë nëse janë marrë parasysh vërejtjet dhe propozimet e tyre.

VLEN thekson se gjatë procesit të konsultimeve ka dhënë sugjerime dhe se tani është në pritje të draftit final. Sipas tyre, çdo reformë në arsim të lartë duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus të gjerë, duke përfshirë edhe komunitetin akademik, për të siguruar cilësi dhe stabilitet afatgjatë.