Hungaria paralajmëron kthesë: Gruevski mund të përballet me deportim

Mandatari i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar se ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, mund të mos qëndrojë më gjatë në vend dhe se ekziston mundësia e deportimit të tij.

Në një konferencë për media, Magyar u pyet për dy ish-ministra polakë të akuzuar për korrupsion, të cilët kanë gjetur strehim në Hungari. Ai theksoi se vendi i tij nuk do të shërbejë si strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht.

“Hungaria nuk do të bëhet vend për të kërkuarit për krime. Kjo vlen jo vetëm për ish-ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Ai është ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe person i kërkuar për krime,” tha Magyar.

Gruevski është në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vjet burg në rastin “Tank”. Ai u largua nga Maqedonia e Veriut dhe mori azil në Hungari, duke pretenduar se ishte i përndjekur politikisht nga qeveria e atëhershme e Zoran Zaevit. Në vitin 2019, Hungaria refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij.

Operacion i madh kundër mashtrimeve online në Tiranë, goditen disa call center-a

Në Tiranë po zhvillohet mbrëmjen e së hënës një operacion i gjerë kundër mashtrimeve në internet, ku janë goditur disa qendra telefonike të dyshuara për mashtrim të qytetarëve europianë.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë aksionit janë bërë disa arrestime dhe janë sekuestruar dhjetëra pajisje elektronike të përdorura për aktivitetin e dyshuar.

Operacioni po shtrihet në disa zona të kryeqytetit dhe ende është në zhvillim. Autoritetet pritet të japin detaje më të plota në vijim.

Kaos në aeroportet evropiane pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri kufitar të BE-së

Sistemi i ri i kontrollit kufitar të Bashkimit Evropian, Entry/Exit System (EES), ka shkaktuar probleme të mëdha në disa aeroporte evropiane, duke sjellë vonesa, radhë të gjata dhe anulime fluturimesh për mijëra udhëtarë nga vendet jashtë BE-së.

Sistemi kërkon regjistrim biometrik për të gjithë pasagjerët që hyjnë ose dalin nga zona Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, ku merren shenjat e gishtërinjve dhe fotografia e fytyrës.

Probleme janë raportuar në aeroporte të ndryshme si Gjeneva, Lisbona dhe Malta, ndërsa situata e vështirë është shënuar edhe në Bruksel dhe Amsterdam. Në disa raste, pritjet në kontrollin e pasaportave kanë zgjatur deri në dy orë.

Në disa aeroporte janë krijuar skena të mbipopulluara, ku familje me fëmijë dhe persona të moshuar kanë pritur me orë të tëra, ndërsa disa sisteme automatike nuk kanë funksionuar siç duhet.

Situata është përkeqësuar edhe në Milano, ku disa pasagjerë kanë raportuar se nga pritjet e gjata disa persona janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat pas orësh në radhë.

Po ashtu, rreth 100 pasagjerë të kompanisë easyJet kanë mbetur në aeroportin e Milanos Linate pasi nuk arritën të kalonin në kohë kontrollin kufitar, duke bërë që fluturimi drejt Mançesterit të nisej pa ta.

Kompania ajrore e ka cilësuar situatën si jashtë kontrollit të saj, ndërsa drejtuesi i Ryanair e ka quajtur zbatimin e sistemit “kaos” dhe “çrregullim”, duke akuzuar Bashkimin Evropian për krijimin e vështirësive për udhëtarët britanikë pas Brexit-it.

EES, që zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave, mbledh të dhëna biometrike për qytetarët jashtë BE-së dhe ka nisur të zbatohet gradualisht nga tetori 2025, me plan për zbatim të plotë në prill 2026.

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të paraqiten më herët në aeroporte, për shkak të pritjeve të gjata që po shkakton sistemi i ri.

Samiti i Diasporës: Begaj nderon figurat shqiptare, Lorik Cana merr “Urdhrin e Skënderbeut”

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua Samiti i katërt i Diasporës, ku Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vlerësoi disa personalitete të shquara të diasporës shqiptare për kontributin e tyre në fusha të ndryshme.

Një nga momentet kryesore të ceremonisë ishte dekorimi i ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana, i cili u nderua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Në fjalën e tij, Cana theksoi se gjithmonë ka synuar të përfaqësojë me krenari shqiptarët dhe se ky vlerësim është një emocion i veçantë jo vetëm për të, por edhe për familjen dhe njerëzit që e kanë frymëzuar gjatë jetës.

Gjatë ceremonisë u vlerësuan edhe figura të tjera të diasporës. Gentian Toshkëzi mori titullin “Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, ndërsa Klarita Gërxhani dhe Shqiponjë Telhaj u dekoruan me “Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik”. Po ashtu, Markus Schuhmann dhe Andres Lindberg u nderuan me “Oficer i Urdhrit të Skënderbeut”.

Fribourgu prezanton plan veprimi për mbështetjen e sektorit të qumështit

Kantoni i Fribourgut ka prezantuar një plan veprimi që synon përmirësimin e kushteve në sektorin e qumështit. Të hënën, autoritetet prezantuan një sërë masash që synojnë sigurimin e një prodhimi të qëndrueshëm nga pikëpamja ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Në Fribourg, ashtu si në pjesën tjetër të Zvicrës, prodhimi i qumështit mund të pësojë një rënie të ndjeshme gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Përballë sfidave aktuale dhe atyre të së ardhmes, në vitin 2023 u realizua një studim mbi të ardhmen e prodhimit të qumështit, në bashkëpunim mes qendrës së kompetencës Grangeneuve dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bernës (HAFL).

Ky proces, i cili kishte për qëllim të kuptonte më mirë pritjet dhe nevojat e prodhuesve dhe aktorëve të tjerë të sektorit në kanton, ndihmoi në identifikimin e prioriteteve dhe shërbeu si bazë për hartimin e planit të veprimit, thuhet në një deklaratë zyrtare të kantonit.

Katër tema kryesore janë në qendër të këtij plani: investimet dhe infrastruktura, burimet natyrore dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, trashëgimia dhe marrja në dorëzim e fermave, si dhe cilësia e jetës së prodhuesve.

Më shumë transparencë dhe koordinim

Plani synon gjithashtu forcimin e komunikimit dhe rritjen e transparencës brenda sektorit, me qëllim përmirësimin e koordinimit ndërmjet aktorëve. Një tjetër objektiv është rritja e atraktivitetit të profesioneve në prodhimin dhe teknologjinë e qumështit.

Disa nga masat dhe shërbimet e përfshira në plan tashmë ekzistojnë në kanton dhe do të forcohen më tej, ndërsa të tjera do të zbatohen për herë të parë. Qendra e kompetencës Grangeneuve do të zhvillojë gjithashtu shërbime të reja për të konsoliduar sektorin dhe për të rritur vlerësimin e profesionit të fermerit të qumështit.

Plani mbetet fleksibël dhe mund të përshtatet në të ardhmen, duke përfshirë masa të reja në përputhje me nevojat e sektorit dhe burimet në dispozicion.

Mbështetje për fermerët

Në një intervistë për edicionin informativ të mesditës, këshilltari shtetëror i Fribourgut përgjegjës për bujqësinë, Didier Castella, theksoi rëndësinë e mbështetjes për fermerët.

“Ne kemi shkollën tonë në Grangeneuve, e cila jo vetëm ofron trajnim, por edhe këshillim. Në këto kohë të vështira, fermerët përballen me shumë pikëpyetje dhe ne po përpiqemi t’i mbështesim,” tha ai.

Ai nënvizoi gjithashtu se shumë vendime merren në nivel federal në Bernë, veçanërisht në lidhje me subvencionet dhe politikat bujqësore.

“Këto çështje nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ndjekur, prandaj duam t’i ndihmojmë fermerët që t’i kuptojnë më mirë dhe të zgjedhin opsionet më të mira për të ardhmen e tyre,” shtoi Castella.

Xhamia e madhe në St. Gallen: Skepticizëm, por edhe shpresë për dialog

Edhe para dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimi, projekti për ndërtimin e një xhamie të madhe në St. Gallen ka nxitur debat dhe shqetësime. Përfaqësues të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) kanë ngritur pikëpyetje, veçanërisht lidhur me financimin e saj.

Një projekt i madh për komunitetin

Komuniteti shqiptaro-islam në St. Gallen planifikon ndërtimin e një xhamie me kapacitet deri në 400 persona në pjesën perëndimore të qytetit. Nëse realizohet, ajo do të jetë ndër xhamitë më të mëdha në Zvicrën gjermanishtfolëse, shkruan mediumi zvicrran srf transmeton albinfo.ch.

Vlera e tokës parashikohet rreth 5 milionë franga zvicerane, ndërsa ndërtimi pritet të kushtojë rreth 10 milionë franga. Kërkesat fillestare janë dorëzuar që në vitin 2024, por në atë kohë projekti u konsiderua i paqartë. Që atëherë, ka pasur pak zhvillime publike lidhur me të.

Pse nevojitet një xhami e re?

Sipas imam Mehas Alija, xhamia aktuale në St. Gallen është shumë e vogël për nevojat e komunitetit.

“Madje detyrohemi të përdorim edhe mensën për faljen e xhumasë,” shprehet ai.

Komuniteti “El-Hidaje”, i themeluar në vitin 1992, përfshin edhe anëtarë të gjeneratës së tretë dhe të katërt që jetojnë në Zvicër.

Dyshime për financimin

Përfaqësuesit kantonalë të SVP-së, të informuar për projektin përmes gazetës “Sonntagsblick”, shprehin shqetësime për krijimin e shoqërive paralele.

Ata kërkojnë sqarime nga qeveria e St. Gallen-it se si do të financohet projekti prej rreth 15 milionë frangash. Frika e tyre lidhet me mundësinë e financimit nga shtete apo organizata të huaja, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e xhamisë.

Reagimi i komunitetit

Komuniteti i hedh poshtë këto pretendime. Sipas tyre, projekti do të financohet përmes kredive bankare, mjeteve vetanake, donacioneve të komunitetit dhe fushatave online.

Në një deklaratë, ata theksojnë: “Pretendimet për financim të huaj duhet të bazohen në fakte. Çdo gjë tjetër është një insinuatë e pabazë dhe jo produktive.”

Sa të besueshme janë këto pretendime?

Sipas Nicole Freudiger, redaktore për çështje fetare në SRF, është e zakonshme që projekte të tilla të mbështeten kryesisht nga vetë komuniteti.

“Ajo është pjesë e traditës islame që financimi për objekte të tilla të vijë nga vetë besimtarët,” shpjegon ajo. Përveç kontributeve financiare, shumë anëtarë ndihmojnë edhe me punë vullnetare.

Megjithatë, ajo shton se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e donacioneve nga jashtë.

Përvoja të mëparshme dhe shembuj të dialogut

Në raste të tjera në Zvicër, projekte të ngjashme janë përballur me kundërshtim të fortë. Në Siebnen, në kantonin Schwyz, komuniteti shqiptar u detyrua të tërhiqej nga planet për ndërtimin e një xhamie për shkak të rezistencës së banorëve.

Nga ana tjetër, Freudiger thekson se projekte të mëdha shpesh synojnë të nxisin dialogun ndërkulturor. Si shembull përmendet xhamia në Wil, e cila organizon vizita për shkolla dhe institucione, duke shërbyer si model bashkëjetese dhe komunikimi.

Shenja pozitive për bashkëpunim

Së fundmi, peshkopi i St. Gallen-it ka vizituar xhaminë ekzistuese gjatë iftarit, ndërsa imami ka ndjekur trajnime të vlerësuara pozitivisht. Këto zhvillime shihen si sinjale inkurajuese për dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në të ardhmen.

Diaspora hap kapitull të ri bashkëpunimi për “Shqipërinë 2030”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në vigjilje të Samitit të Katërt të Diasporës, duke sinjalizuar fillimin e një faze të re bashkëpunimi me diasporën shqiptare.

Gjatë bisedës, Hoxha vlerësoi angazhimin e anëtarëve të Këshillit dhe theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të veçantë, e cila bazohet në një vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit. Ai bëri të ditur se palët janë dakorduar për riorganizimin e këtij mekanizmi, me synim rritjen e koordinimit të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende konkrete vjetore në funksion të prioriteteve kryesore.

Në qendër të diskutimeve ishte nisma “Shqipëria 2030” dhe roli i diasporës si partner i rëndësishëm në promovimin e gjuhës shqipe, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, forcimin e bashkëpunimit me biznesin si dhe përhapjen e vlerave kulturore shqiptare në botë.

Sipas ministrit, përfaqësuesit e diasporës nga fusha dhe vende të ndryshme përbëjnë një potencial të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve me atdheun dhe shndërrimin e këtij potenciali në vlera konkrete për vendin.

“Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore. Në fokus: Shqipëria 2030 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.

Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për të forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë.

Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme. “Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar, Forcohemi”, shkruan ministri Hoxha.

Iniciativë për ngritjen e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë

Një iniciativë qytetare e iniciuar nga Mirishahe Limani Hiler, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Dora d’Istria”, synon krijimin e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë.

E hapur për gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo nismë ka për qëllim krijimin e një hapësire të qëndrueshme për edukim, kulturë dhe integrim, në një kohë kur mungesa e një qendre shqiptare ndihet gjithnjë e më shumë.

Projekti parashikon aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin kulturor dhe edukimin e brezave të rinj, duke forcuar njëkohësisht lidhjet ndërkulturore.

Në këtë kuadër, është lansuar edhe një peticion publik në Change.org për të mobilizuar mbështetje qytetare dhe për të rritur ndërgjegjësimin institucional.

Peticioni:

https://c.org/GLFKKRq2hb

Ju lutemi nënshkruajeni dhe shpërndajeni

Qendër Edukative dhe Kulturore Shqiptare në Gjenevë

Pouvons-nous compter sur votre signature ? ✍️
https://c.org/QQmwtWMZ6D

Për fëmijët tanë 🇦🇱
Kontakt për media:

Mirishahe Limani Hiler

Begaj në Samitin e Diasporës: Diaspora, faktor kyç në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në Samitin e IV të Diasporës, Presidenti Bajram Begaj e vlerësoi diasporën shqiptare si një element thelbësor dhe të pazëvendësueshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit u shpreh se marrëdhënia mes shtetit dhe diasporës për një kohë të gjatë ka qenë e bazuar kryesisht në lidhje emocionale, por sipas tij kjo qasje ka ndryshuar dhe sot ajo po merr një karakter më strategjik dhe më të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, raporton rtsh transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën drejt BE-së dhe se diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm në këtë proces, duke e cilësuar atë si një forcë që ndikon në shtrirjen dhe suksesin e një kombi.

Sipas Begajt, shqiptarët në diasporë janë të pranishëm në fusha të ndryshme si teknologjia, akademia, biznesi, sporti dhe arti, duke u shndërruar në përfaqësues të rëndësishëm të vendit në arenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi se ky potencial duhet të shfrytëzohet më shumë dhe në mënyrë më të organizuar.

Presidenti shtoi se modeli i mëparshëm i marrëdhënies vetëm emocionale ka përfunduar dhe se tani po ndërtohet një qasje e re ku diaspora shihet si partner i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Ai e përshkroi diasporën si një mbështetje të rëndësishme ekonomike për dekada, por theksoi se tashmë duhet kaluar në një fazë ku ajo kontribuon si investitor dhe partner aktiv në zhvillimin e vendit.

Në fjalën e tij, Begaj bëri thirrje që investimet dhe njohuritë e diasporës të kthehen në projekte konkrete zhvillimi në Shqipëri, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendase.

Duke folur për procesin e integrimit, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar edhe në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke përmendur nevojën për më shumë investime në gjuhën shqipe, arsimin dhe qendrat kulturore në diasporë.

Në përfundim, Presidenti deklaroi se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi lidhje më të forta me diasporën, duke e parë atë si pjesë të pandashme të zhvillimit të vendit dhe si urë lidhëse me botën.

Tirana bëhet kryeqendra e diasporës shqiptare, nis Samiti i 4-t me pjesëmarrje të gjerë

Tirana është kthyer në zemrën e shqiptarëve nga e gjithë bota. Me pjesëmarrjen e figurave më të larta të shtetit dhe përfaqësuesve të diasporës, ka nisur Samiti i 4-t i Diasporës, një ngjarje që synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, kjo ngjarje e rëndësishme ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.

Ceremonia e hapjes u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të komuniteteve fetare, ministra, deputetë dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Samiti zhvillon punimet sot më 14 dhe të martën 15 prill ku përfshihen panele të shumta diskutimi mbi tema si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, kultura dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

Gjatë aktivitetit trajtohen çështje si roli i diasporës në biznes dhe zhvillim lokal, integrimi evropian, arsimi dhe gjuha shqipe, kërkimi shkencor, si dhe bashkëpunimi kulturor e politik.

Në kuadër të samitit janë parashikuar edhe aktivitete të ndryshme si takime biznesi, ekspozita, prezantime të produkteve shqiptare, hapësira për startup-e dhe iniciativa që synojnë forcimin e lidhjes mes diasporës dhe Shqipërisë.

Në përgjithësi, Samiti i Diasporës synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojë rolin e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin e vendit.

Pse Zvicra po ngrohet më shpejt se shumica e vendeve në botë?

Kriza klimatike po e godet veçanërisht rëndë Zvicrën, jo vetëm përmes shkrirjes së shpejtë të akullnajave të saj. Pse vendi po ngrohet më shpejt se shumica e vendeve të tjera në tokë?

Një raport nga Akademia Zvicerane e Shkencave, i botuar në mars 2026, konfirmon atë që dihet prej kohësh – se Zvicra po ngrohet më shpejt se shumë pjesë të tjera të botës.

Raporti, i shkruar nga 60 ekspertë të klimës, vuri në dukje se që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1864, temperatura mesatare në Zvicër u rrit me 1.8 gradë Celsius – më shumë se dyfishi i mesatares globale.

Dhe lajmi i keq, theksoi raporti, është se procesi i ngrohjes ende nuk ka arritur kulmin e tij, duke vazhduar të përshpejtohet.

Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSchweiz), tashmë vuri re në vitin 2025 se ngrohja e klimës në Zvicër po ecën me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë gjithashtu se Zvicra është ndër vendet me ngrohjen më të shpejtë në botë.

Arsyeja është se Zvicra është e rrethuar nga toka, kështu që nuk përfiton nga efekti tampon i oqeaneve, të cilët janë në gjendje të thithin sasi të mëdha nxehtësie.

Për më tepër, lartësia dhe morfologjia e Alpeve luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e ngrohjes globale.

Bora dhe akulli po shkrihen gjithnjë e më shpejt, duke zvogëluar aftësinë e tokës për të reflektuar rrezet e diellit përsëri në hapësirë ​​(i quajtur “efekti albedo”).

“Përqindja e madhe e rajoneve malore është ndër faktorët kryesorë që shpjegojnë pse Zvicra po ngrohet më shpejt [se vendet e tjera]”, tha për Swissinfo Aude Untersee, një meteorologe në MeteoSwiss, transmeton albinfo.ch.

Ku po rriten temperaturat më shpejt?

Ana veriore e Alpeve Zvicerane është ngrohur më shumë se zonat jugore.

Këto rajone, të cilat fillimisht kishin një klimë më të ftohtë, përfundimisht “kapën” jugun, duke çuar në temperatura më të larta atje (+3C) sesa në jug (+2.7C) gjatë 150 viteve të fundit.

Zvicra ka ulur emetimet e gazrave serrë me 27% që nga viti 1990

Në pak më shumë se 30 vjet, nga viti 1990 deri në vitin 2024, Zvicra ka ulur emetimet e gazrave serrë me 27.3%, sipas Zyrës Federale për Mjedisin (FOEV). Sektori i ndërtimit regjistroi uljen më të madhe krahasuar me sektorët e tjerë.

Në total, Zvicra emetoi 40.1 milion ton ekuivalentë CO2 në vitin 2024, rreth 0.5 milion më pak se në vitin 2023, sipas inventarit zviceran të gazrave serrë të publikuar të hënën nga FOEV. Inventari do t’i dorëzohet Sekretariatit të OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

Emetimet që lidhen me sektorin e ndërtimit u ulën më shumë, me 47% krahasuar me vitin 1990. Në diskutim është “rritja e fortë e numrit të pompave të nxehtësisë të instaluara në vitet e fundit”, sipas FOEF.

Emetimet e industrisë në vitin 2024 arritën në 8.9 milion ton ekuivalentë CO2. Kjo është rreth 33% më pak se në vitin 1990.

Për herë të parë, inventari merr në konsideratë emetimet negative të prodhuara nga industria. Bëhet fjalë për 705 ton CO2.

Si pjesë e një projekti kërkimor nga ETH Zurich me Neustark, disa ton CO2 u kapën për herë të parë në një impiant biogazi dhe u ruajtën përgjithmonë në beton të ricikluar, shpjegoi një zëdhënës i FOEF. Kompania i siguroi FOEV-së të dhënat e nevojshme për deklarimin në inventar, raporton RTS.

Shqyrtimi i emetimeve negative parashikohet në raportet klimatike të vendit sipas Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) dhe është i hapur për të gjitha vendet, thotë FOEV. Deri më sot dhe “me sa dimë ne, asnjë vend tjetër nuk ka deklaruar emetime negative në inventarin e tij të gazrave serrë sipas Marrëveshjes së Parisit”, thotë zëdhënësi, transmeton albinfo.ch.

Transporti dhe bujqësia

Emetimet e gjeneruara nga sektori i transportit arritën në 13.4 milion ton ekuivalent CO2 në vitin 2024. Ato ishin pothuajse 10% më të ulëta se në vitin 1990, pjesërisht për shkak të përdorimit në rritje të biokarburanteve.

Së fundmi, emetimet e shkaktuara nga bujqësia nuk kanë ndryshuar në vitin 2024. Ato janë 6.6 milion ton ekuivalent CO2. “Emetimet sintetike të gazrave serrë, siç janë ftohësit, dhe emetimet nga menaxhimi i mbetjeve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara krahasuar me ato të vitit 2023”, vëren FOEF. Emetimet e tjera janë 8.9 milion ton ekuivalent CO2, 13% më pak se në vitin 1990.

Në total, sektori i transportit është përgjegjës për shumicën e emetimeve të gazrave serrë zvicerane, pra 33.5% të totalit të emetimeve. Pas tij vjen sektori i industrisë (22.3%) dhe ndërtesat (22%).

Vini re se emetimet e transportit ajror dhe detar paraqiten veçmas, në përputhje me direktivat e OKB-së. Në vitin 2024, këto arritën në 5.5 milionë ton ekuivalent të CO2.

Si do të ndikonte vota anti-imigracion e Zvicrës në Gjenevë?

Më 14 qershor, votuesit do të shprehin mendimin e tyre mbi propozimin e të djathtës ekstreme për të kufizuar numrin e të huajve që lejohen të vendosen në Zvicër, me qëllim parandalimin e rritjes së mëtejshme të popullsisë. Miratimi i kësaj iniciative do të paraqiste sfida jo vetëm për vendin në tërësi, por veçanërisht për kantonin e Gjenevës.

Iniciativa, e quajtur “Jo 10 milionëve”, u nxit nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila pretendon se imigracioni në Zvicër duhet të reduktohet në mënyrë drastike, në mënyrë që popullsia e vendit të mos kalojë shifrën prej 10 milionësh.

Kjo bëhet për të parandaluar një barrë shtesë në infrastrukturën kyçe, siç janë strehimi, transporti publik, sistemi shëndetësor dhe shkollat.

Këto argumente janë hedhur poshtë vazhdimisht nga qeveria, shumica e partive politike, ekonomistët, si dhe shoqatat e punëdhënësve, të cilat paralajmërojnë se mosmundësia për të punësuar punëtorë nga Bashkimi Evropian do të përkeqësonte mungesën e fuqisë punëtore dhe do të ishte e dëmshme për ekonominë, prosperitetin dhe marrëdhëniet e Zvicrës me BE-në.

Propozimi i SVP-së, nëse pranohet, do të ketë pasoja të gjera edhe në kantonin e Gjenevës, i cili ndan një kufi 103 km të gjatë me Francën.

Më pak banorë të huaj, më shumë udhëtarë ndërkufitarë

Sipas deputetit të Gjenevës, Mauro Poggia nga partia e Lëvizjes Qytetare të Gjenevës, propozimi “Jo 10 milionëve” synon shtetasit e huaj që vendosen në Zvicër, por nuk adreson çështjen e udhëtarëve ndërkufitarë.

Iniciativa duhet gjithashtu “të përfshijë çështjen e punëtorëve ndërkufitarë”, theksoi ai në një intervistë me Tribune de Genève.

Kjo është një pikë e rëndësishme, tha Poggia, sepse nëse shtytja e SVP-së miratohet në një referendum dhe numri i banorëve të rinj të huaj do të zvogëlohet, “kompanitë pothuajse me siguri do të punësojnë më shumë udhëtarë ndërkufitarë që do të mbërrijnë në mëngjes dhe do të largohen në mbrëmje” – domethënë, pa jetuar në të vërtetë në Zvicër.

Pse do të ishte kjo një problem?

Aktualisht, 114,000 njerëz nga Franca vijnë për të punuar në Gjenevë çdo ditë, duke mbushur boshllëqet në tregun e punës, veçanërisht në sektorët e kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve.

Megjithatë, ndërsa ata janë qartësisht të dobishëm për ekonominë e kantonit, “prania e tyre tashmë po vendos një barrë të rëndë mbi lëvizshmërinë”, sipas Cenni Najy, kreut të Departamentit të Lëvizshmërisë, Energjisë dhe Mjedisit.

Që tani, bllokimet janë një dukuri e shpeshtë në Gjenevë, me shoferët që kalojnë, mesatarisht, 141 orë ulur në trafik gjatë orëve të pikut, sipas renditjes së Indeksit të Trafikut 2025 nga kompania e navigimit GPS, TomTom.

Një rritje e mëtejshme e numrit të udhëtarëve ndërkufitarë të nevojshëm për të kompensuar humbjen e të huajve rezidentë do të krijonte një dhimbje koke të re për rrjedhat e trafikut.

“Kulmi i absurditetit”

Kundërshtarët e propozimit theksojnë se SVP nuk e kishte menduar mirë iniciativën, duke i përqendruar përpjekjet e saj në shqetësimet kombëtare dhe duke injoruar plotësisht ato kantonale, raporton thelocal, transmeton albinfo.ch.

“Është vërtet kulmi i absurditetit”, tha Vincent Subilia, drejtor i Dhomës së Tregtisë së Gjenevës.

“Jo vetëm që sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor rrezikojnë t’u mohohen lejet e nevojshme për të punësuar staf, por iniciativa krijon edhe kaos në nivel lokal”, shtoi ai. “Duket vërtet sikur është hartuar në një pecetë.”

Bizneset kineze në Kosovë: Prani në letra, mungesë në terren

Në një treg të vogël si Kosova, me rreth 1.5 milion banorë dhe pa marrëdhënie diplomatike me Kinën, prania e bizneseve me kapital kinez duket paradoksale: qindra të regjistruara në letra, por vetëm disa që funksionojnë realisht.

Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tregojnë se nga viti 2000 deri në vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 448 biznese me origjinë kineze në Kosovë.

Megjithatë, vetëm 13 prej tyre rezultojnë aktive, ndërsa 396 janë pasive dhe 39 janë shuar.

Kjo tablo ngre pikëpyetje jo vetëm për efektivitetin e këtyre investimeve, por edhe për cilësinë e mbikëqyrjes institucionale në vend.

Shifra të larta, aktivitet i ulët

Bizneset me kapital kinez janë përqendruar kryesisht në sektorë si tregtia me shumicë dhe pakicë, gastronomia, akomodimi, industria nxjerrëse (xehetaria dhe gurthyesit), si dhe fusha e informimit dhe komunikimit.

Por, pjesa dërrmuese e tyre mbeten vetëm në regjistra.

Bizneset e kategorizuara si pasive nuk kanë përditësuar të dhënat dhe nuk kanë tërhequr certifikatën me numër unik identifikues – një tregues që, sipas njohësve të ekonomisë, ngre dyshime për funksionimin real të tyre.

Numri më i madh i regjistrimeve është shënuar në periudhën 2004-2009.

Pas kësaj kohe, interesi ka rënë ndjeshëm, ndërsa nga viti 2011 e këndej janë regjistruar mesatarisht vetëm deri në tri biznese kineze në vit.

Biznese “aktive” që mezi gjenden

Një verifikim i Radios Evropa e Lirë në terren nxjerr në pah një realitet edhe më të zbehtë.

Nga 13 bizneset e deklaruara si aktive, dhjetë rezultuan të paqasshme në telefon.

Vetëm tri prej tyre konfirmuan se operojnë: një restorant në Prishtinë, një biznes për shitjen e pajisjeve teknologjike dhe një kompani në sektorin e gurthyesit.

Vetë përfaqësuesit e këtyre bizneseve, duke folur në kushte anonimiteti, theksojnë se bashkëpunimi me aksionarë kinezë nuk është pjesë e ndonjë strategjie të gjerë investimi, por se lidhet me iniciativa individuale.

Një bashkëpronar restoranti thotë se ideja për biznesin erdhi pas njohjes me një aksionar kinez në Norvegji, me synimin për të sjellë kuzhinën aziatike në Kosovë.

Një aksionar në sektorin e teknologjisë tregon se kishte bindur një investitor kinez të bëhej ortak pas vizitave në Kinë.

Në Rahovec, ndërkaq, pritet të nisë operimin një kompani për nxjerrjen e gurit si lëndë e parë për mermer, me destinacion eksporti drejt Kinës – një nga rastet e rralla me orientim të qartë tregtar.

Mes interesit ekonomik dhe ndikimit strategjik

Pavarësisht aktivitetit të kufizuar, ekspertët paralajmërojnë se prania kineze nuk duhet parë vetëm përmes shifrave aktuale.

Në nivel global, Kina ka ndërtuar një strategji të zgjerimit ekonomik përmes investimeve në infrastrukturë, energji dhe tregje të reja, veçanërisht përmes nismave si “Brezi dhe Rruga”.

Sipas ekspertëve, Kina, përmes investimeve të këtij lloji, synon jo vetëm përfitime tregtare, por edhe shtrirjen e ndikimit të saj politik dhe strategjik.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, vlerëson se diferenca e madhe mes bizneseve të regjistruara kineze në Kosovë dhe atyre aktive, ngre shqetësime.

“Do të ishte e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të kryejnë analiza më të thelluara, jo vetëm për transparencë, por edhe për të kuptuar nëse kemi investime reale apo vetëm prezencë statistikore”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, e sheh interesin e Kinës në rajon si pjesë të një strategjie më të gjerë.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor shihet si një hapësirë e rëndësishme për zgjerim ekonomik drejt Evropës, ku investimet në energji dhe infrastrukturë shoqërohen me diplomaci ekonomike.

“Kina po investon në rajon në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës dhe këto aktivitete tregojnë se bëhet fjalë për një qasje të koordinuar, që kombinon biznesin me diplomacinë ekonomike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë kontekst, Serbia përbën shembullin më të qartë të thellimit të ndikimit kinez, jo vetëm në ekonomi, por edhe në fusha si kultura, media dhe arsimi.

Ndryshe nga Serbia, Kosova mbetet jashtë këtyre zhvillimeve, kryesisht për shkak të pozicionit të saj politik properëndimor.

Megjithatë, Mulaj vëren se edhe në Kosovë ka sinjale të një qasjeje të tillë, duke përmendur lehtësimin e procedurave për pajisje me viza për në Kinë përmes Zyrës ndërlidhëse kineze në Prishtinë.

Pa marrëdhënie diplomatike

Kosova dhe Kina nuk kanë marrëdhënie diplomatike, pasi Pekini nuk e njeh pavarësinë e saj dhe mbështet, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë.

Kina operon në Kosovë përmes një zyre ndërlidhëse që funksionon nën Ambasadën e saj në Beograd.

As Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës dhe as Zyra ndërlidhëse kineze nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me verifikimin dhe kontrollimin e bizneseve kineze, apo numrin e aplikimeve për viza kineze, që dorëzohen nga qytetarët e Kosovës për udhëtime në Kinë, dhe numrin e qytetarëve kinezë që vizitojnë Kosovën.

Orientimi perëndimor dhe dilemat strategjike

Kosova mbetet e orientuar qartë drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky orientim është i lidhur ngushtë me aspiratat për integrim euroatlantik dhe me mbështetjen politike dhe të sigurisë që vendi ka marrë nga Perëndimi që nga paslufta.

Sipas Mulajt, orientimi i tillë duhet të reflektohet edhe në përzgjedhjen e partnerëve ekonomikë, veçanërisht në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura dhe telekomunikacioni.

“Në këta sektorë, zgjedhja e partnerëve duhet të bëhet me analizë afatgjatë, duke balancuar përfitimet ekonomike me sigurinë kombëtare dhe orientimin strategjik të shtetit”, vlerëson ai.

Edhe Mehmeti thekson nevojën për forcimin e diplomacisë ekonomike, duke argumentuar se Kosova nuk po arrin të tërheqë investime cilësore dhe afatgjata nga partnerët perëndimorë.

“Në praktikë, diplomacia ekonomike ose mungon, ose nuk funksionon në mënyrë efektive”, vlerëson ai.

Një raport i pabalancuar tregtar

Përtej investimeve direkte, marrëdhënia ekonomike Kosovë-Kinë dominohet nga një debalancë e theksuar tregtare.

Kosova shpenzon mbi dy milionë euro në ditë për import nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektroshtëpiake deri te produktet ushqimore.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në rreth 920 milionë euro në vitin 2024.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten minimale – më pak se një milion euro në vit – duke e thelluar ndjeshëm deficitin tregtar dhe duke reflektuar një marrëdhënie ekonomike të pabarabartë./REL

In Memoriam: Përkujtohet jeta dhe vepra e Nasuf Naski Abdixhikut

Më 11 prill në Corpataux-Magneden, Kantoni Freiburg u mbajt një mbrëmje përkujtimore në nderim të Nasuf Naski Abdixhiku, një personalitet artistik që la gjurmë të thella në jetën kulturore dhe në kujtesën kolektive të komunitetit.

Mbrëmjes i dha një dimension të veçantë emocional interpretimi i poezisë “Ti dua të gjitha” nga regjisori Bekim Guri, duke rikthyer përmes fjalës ndjeshmërinë dhe universin krijues të artistit.

Video: Interpretimi i poezisë “Ti dua të gjitha” nga regjisori Bekim Guri

Gjatë aktivitetit, Abdixhiku u vlerësua si një artist i gjithanshëm, i cili përmes pikturës, aktrimit dhe poezisë ndërtoi jo vetëm vepra artistike, por edhe një botë emocionesh dhe kujtimesh që mbeten të gjalla ndër vite. Ai u përshkrua si një krijues që nuk jepte vetëm kohë, por vetveten, duke e shndërruar artin në një urë të fuqishme komunikimi mes njerëzve.

I lindur në Tërnoc të Madh, në komunën e Bujanocit, ai mbeti i lidhur ngushtë me rrënjët dhe komunitetin e tij. Krahas dimensionit artistik, ai u kujtua edhe për angazhimin e tij human gjatë viteve 1997–1999, kur kontribuoi në organizimin e ndihmave për Kosovën, në një nga periudhat më të vështira për popullin shqiptar.

Në këtë mbrëmje morën pjesë familja më e ngushtë e tij, miq të shumtë, si dhe përfaqësues institucionalë, ndër ta edhe konsulli i Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.

Trashëgimia e tij artistike dhe njerëzore vijon të jetojë përmes ndikimit të thellë që la pas, si një burim frymëzimi për brezat që vijnë. Nasuf Naski Abdixhiku ndërroi jetë më 9 mars 2024, në moshën 65-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, duke lënë pas bashkëshorten dhe katër vajzat e tij.

Nasuf Naski Abdixhiku do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje dhe respekt.

📸 Foto: RRIM Photo

 

 

Gjermania ul taksat e derivateve, planifikohet ulje e çmimit

Qeveria e koalicionit të Gjermanisë ka marrë vendim për lehtësim të çmimit të karburantit për konsumatorët dhe bizneset me vlerë 1.6 miliardë euro, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje mbi mënyrën e reagimit ndaj rritjes së çmimit të naftës të shkaktuar nga lufta në Iran.

Taksa e energjisë për naftën dhe benzinën do të ulet për rreth 0.17 euro për litër, për dy muaj.

Turniri “Gjergji i Pamposhtur” në Bülach

Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër organizon më 31 maj 2026 turnirin amator të mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”, në kuadër të 621-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Aktiviteti synon të bashkojë komunitetin në një organizim sportiv e kulturor me karakter përkujtimor.

Aktiviteti mbahet në adresën Grampenweg 5, 8180 Bülach ZH. Pritja e pjesëmarrësve fillon në orën 11:30, programi në orën 12:00, ndërsa turniri nis në orën 13:00.

Hyrja është e hapur sipas dëshirës. Regjistrimi për pjesëmarrje në turnir bëhet në vend, nga ora 11:00 deri në 13:00, ndërsa tarifa për pjesëmarrje është 10 CHF për kategoritë e femrave dhe meshkujve.

Për fituesit janë paraparë çmime: vendi i parë 100 CHF, vendi i dytë 70 CHF dhe vendi i tretë 50 CHF.

Në kuadër të aktivitetit do të organizohet edhe një punëtori arti për fëmijë, duke e bërë këtë ngjarje të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.

Organizatorët bëjnë të ditur se aktiviteti është i hapur për publikun.

Kosova në Cannes: “DUA” i Blerta Bashollit në elitën e filmit botëror, mbështetur edhe nga SRF

Kosova shënon një moment historik në kinematografinë ndërkombëtare, ndërsa filmi “DUA” përzgjidhet në Semaine de la Critique, me mbështetje edhe nga SRF – Schweizer Radio und Fernsehen.

Filmi artistik me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në një nga seksionet më prestigjioze të festivalit të Cannes – Semaine de la Critique, ku përzgjidhen vetëm një numër i kufizuar produksionesh nga e gjithë bota.

Berta Basholli

Ky përfaqësim shënon një arritje të paprecedentë për Kosovën, pasi është hera e parë që një film kosovar përfshihet në këtë program elitë, i njohur për zbulimin e autorëve që më pas shënojnë kinemanë botërore. “DUA” është përzgjedhur në mesin e vetëm 11 filmave të gjatë dhe do të garojë për katër çmimet kryesore të këtij seksioni.

Filmi sjell një dramë të tipit coming-of-age, të vendosur në Kosovën e viteve ’90, duke ndjekur historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit, në një kohë të trazuar politikisht. I frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, rrëfimi ndërthur dimensionin intim me kontekstin historik.

Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio), ndërsa bashkëprodhimi ndërkombëtar përfshin Alva Film nga Zvicra dhe Kazak Productions nga Franca.

Një element kyç që e fuqizon projektin është mbështetja e gjerë ndërkombëtare, ku përveç institucioneve si CNC, Eurimages dhe Office Fédéral de la Culture, spikat edhe përfshirja e SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, duke dëshmuar interesimin në rritje të industrisë evropiane për tregimet që vijnë nga Kosova.

Me këtë përzgjedhje në Cannes, “DUA” jo vetëm që konsolidon profilin ndërkombëtar të Blerta Bashollit, por e vendos kinemanë kosovare në një tjetër nivel, aty ku rrëfimet lokale marrin jehonë globale.

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Afër 5,000 të huaj me vendim per dëbim, vazhdojnë të jetojnë në Zvicër

Sekretariati Shtetëror për Migracionin thekson se Zvicra ndjek një politikë të qëndrueshme kthimi, edhe pse rreth 5,000 njerëz me vendim kthimi, vzhdojnë të jenë në Zvicër.

Një rst ilustrues: Një burrë irakian me aftësi të kufizuara mendore, i cili hyri në Zvicër në vitin 2016 dhe urdhri i deportimit të të cilit u mbështet nga Gjykata Federale Administrative në janar 2019, është ende këtu sot – pothuajse dhjetë vjet pasi kërkesa e tij për azil u refuzua, shkruan blick.ch.

Kujdesi për personin në fjalë, i cili është i prirur ndaj sjelljes agresive dhe kështu rrezikon pacientët dhe kujdestarët e tij, u kushton taksapaguesve 1,000 franga në ditë.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) refuzoi të komentojë pse deportimi në vendin e origjinës nuk ka qenë ende i mundur në këtë rast, trnsmeton albinfo.ch. Ata deklaruan se nuk komentojnë për raste individuale për shkak të shqetësimeve për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë.

Në përgjithësi, sipas SEM, procedurat ligjore në vazhdim, sqarimet administrative dhe rrethanat individuale mund të çojnë në vonesa në zbatimin e urdhrave të deportimit. Situata aktuale në Lindjen e Mesme i ndërlikon më tej gjërat.

Sipas SEM, kjo situatë e bën gjithashtu zbatimin e urdhrave të deportimit, për shembull për në Irak, më të vështirë logjistikisht, sepse opsionet e fluturimit nuk janë më të disponueshme.

Sipas të dhënave aktuale, 4,902 persona jetojnë aktualisht në Zvicër edhe pse ndaj tyre është lëshuar një urdhër deportimi. Ky numër është në rritje – është rritur me 7.6 për qind brenda vitit të kaluar.

Gjithsej 264 persona nga Iraku janë aktualisht ende në Zvicër, edhe pse duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Megjithatë, azilkërkuesit e refuzuar nga Magrebi mbajnë vendin e parë në këtë renditje: Algjeria kryeson me 780 persona, e ndjekur nga Maroku me 285 dhe Tunizia me 139.

Zëdhënësi i SEM, Nicolas Cerclé, thotë: “Zvicra ndjek një politikë të qëndrueshme kthimi dhe është ndër vendet më rigoroze në Evropë për sa i përket zbatimit.” Për shembull, shkalla e zbatimit të urdhrave të zbatueshëm të dëbimit për vitin 2024 është 69 për qind, transmeton albinfo.ch. Kjo shifër është me të vërtetë më e lartë se në shumicën e vendeve të BE-së, ku shkalla e kthimit është midis 20 dhe 30 për qind.

Për më tepër, sipas Cerclé, Zvicra ndjek një “politikë të jashtme aktive për migracionin”. Ajo tashmë ka marrëveshje në fuqi me një total prej 70 vendesh në këtë fushë.

Kthimet e detyruara janë të mundshme vetëm nëse vendi në të cilin do të dërgohet personi i deportuar bashkëpunon. Cerclé shpjegoi se ka shkallë të ndryshme pengesash. Tre vende, Eritrea, Irani dhe Kuba, mbajnë një qëndrim thelbësisht negativ, përcjell albinfo.ch. Sipas shifrave të fundit, këto vende përbëjnë afërsisht një të dhjetën e 4,902 personave që mbeten në Zvicër pavarësisht se u është urdhëruar të largohen.

Në këto raste, deportimi ndodh vetëm nëse individët zgjedhin ta bëjnë këtë vullnetarisht.

Tirron Mamusha, i 22-ti mes mbi 10 mijë vrapuesve në Maratonën e Cyrihut

Në mesin e mijëra vrapuesve që pushtuan rrugët e Zurichut në kuadër të Zürich Marathon, një paraqitje e veçantë erdhi nga maratonisti nga Kosova, Tirron Mamusha.

Ai përfundoi gjysmëmaratonën me kohën 1:12, duke u renditur në vendin e 22-të në një konkurrencë me mbi 10,000 pjesëmarrës, një rezultat që e vendos atë në mesin e performuesve më të mirë të këtij edicioni.

Gara u zhvillua në një ritëm të lartë dhe me rivalitet të fortë ndërkombëtar, ndërsa Mamusha hyri me synimin për të arritur rekord personal. Megjithatë, lodhja e akumuluar nga garat e fundit ndikoi në ritmin e tij gjatë distancës, duke e detyruar të përshtatë strategjinë në funksion të përfundimit sa më të qëndrueshëm.

“Sporti nuk është gjithmonë matematikë. Ka momente kur trupi kërkon një ritëm tjetër, por sfida është të menaxhosh veten deri në finish,” është shprehur ai pas garës.

Atmosfera përgjatë rrugëve të Cyrihut, e shoqëruar me mbështetjen e vazhdueshme të publikut, krijoi një energji të veçantë për atletët, duke ndihmuar në përballimin e momenteve më të vështira fizike.

Megjithëse rekordi personal mbeti jashtë këtij edicioni, renditja në vendin e 22-të në një garë kaq masive përbën një arritje të rëndësishme sportive. Mamusha e përmbyll këtë sfidë me një medalje më shumë, një përvojë të vlefshme dhe fokus të qartë drejt objektivave të ardhshme.

 

 

 

Ngjarje kulturore në Bernë: “Kostumet Popullore, Identitet Kombëtar”

Më 25 prill 2026, nga ora 18:00, në Kongresszentrum Allresto në Bern do të mbahet premiera e eventit kulturor “Kostumet Popullore, Identitet Kombëtar”, organizuar nga Flora Style.

Në këtë mbrëmje do të prezantohen kostume popullore shqiptare nga treva të ndryshme, si dhe dokumentari “Sfilatë e Kostumeve Shqiptare në Zvicër”.

Programi përfshin gjithashtu prezantimin e dizajneve të reja nga Flora Balaj, komente nga Prof. Zymer Neziri dhe promovimin e dokumentarit nga Llesh Nikolla, si dhe program artistik nga shoqëri kulturore.

Ngjarja do të zhvillohet në adresën: Effingerstrasse 20, 3008 Bern.

Sa viza Shengen jep Zvicra dhe kujt i jep?

Në vitin 2025, ambasadat zvicerane kanë lëshuar mbi gjysmë milioni të ashtuquajtura viza Shengen për njerëz nga jashtë BE-së, zbulon një studim i ri. Kush i merr shumicën e tyre?

Por së pari: Çfarë është një vizë Shengen në të vërtetë?

Ndërsa vizitorët nga disa vende të treta nuk kanë nevojë për vizë nëse qëndrojnë në Zvicër deri në 90 ditë, një numër i të tjerëve kanë nevojë.

Shtetasit e mbi 60 vendeve janë të përjashtuar nga kërkesa për vizë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë dhe Japoninë, së bashku me një numër vendesh të Amerikës Latine.

Megjithatë, shumë të tjerë kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zvicër dhe në zonën Shengen në përgjithësi.

Kjo vizë mund të merret jo vetëm nga një ambasadë zvicerane, por edhe nga ambasadat e 28 vendeve të tjera që janë anëtare të zonës Shengen, e cila përbëhet nga vendet e Bashkimit Evropian, si dhe shtetet e EFTA-s – Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Avantazhi i qartë i këtij sistemi është se një vizë Shengen u jep akses në 29 vende (në mënyrë kumulative, jo për secilin vend) për 90 ditë.

Megjithatë, as në Zvicër dhe as në shtetet e tjera të Shengenit nuk lejohen turistët të qëndrojnë përtej asaj periudhe tremujore.

Çfarë është studimi i ri dhe çfarë na tregon ai?

Ai u krye nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) dhe mbulon shifra nga viti 2025.

Ja çfarë zbulon ai:

Mbi gjysmë milioni viza u dhanë

Në vitin 2025, Zvicra lëshoi ​​542,968 viza Shengen.

Shumica u dhanë në pranverë dhe verë – domethënë, midis prillit dhe korrikut – dhe më pak gjatë muajve të dimrit.

Numri më i lartë – 69,179 – u lëshua në maj.

Arsyet kryesore për kërkesat për vizë

Turizmi, biznesi dhe vizita te miqtë dhe familja u përmendën si arsyet kryesore për kërkesat për vizë.

Cilat kombësi morën më shumë viza?

Deri tani, numri më i madh i vizave – 221,629 – iu lëshuan qytetarëve nga India.

Tjetra në listë, megjithëse shumë poshtë Indisë, ishte Kina.

Dhe vende të tjera që u paraqitën në raport ishin Tailanda, Turqia, Filipinet, Indonezia, Rusia, Egjipti dhe Afrika e Jugut.

SEM jep shifra se cilat kombësi marrin më shumë viza Shengen të lëshuara nga Zvicra, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Pse kaq shumë indianë vizitojnë Zvicrën?

SEM nuk e jep këtë përgjigje.

Megjithatë, sipas House of Switzerland, një faqe interneti e menaxhuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, “Zvicra dhe peizazhet e saj malore janë jashtëzakonisht të njohura në Indi, kryesisht për shkak të filmave të mëdhenj të Bollywood-it të filmuar atje. Pasioni i regjisorëve indianë për Zvicrën e ka ndihmuar atë të bëhet një nga destinacionet më të njohura për turistët indianë.”