Ambasada Austriake në Prishtinë ngushëllon familjet e viktimave kosovare në aksidentin e Vjenës

Ambasada Austriake në Prishtinë shprehu pikëllimin e thellë për vdekjen e shtetasve të Kosovës që humbën jetën dje në një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë, transmeton albinfo.ch.

Në një deklaratë zyrtare, Ambasada theksoi:

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet dhe të dashurit e tyre. Urojmë që të gjejnë forcë në këtë kohë të vështirë. Në kujtim të heshtur.”

Deklarata pasqyron solidaritetin dhe shqetësimin e Austrisë për humbjen e jetëve të qytetarëve kosovarë jashtë vendit./Albinfo.ch

Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjet e tre bashkatdhetarëve të humbur në Austri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen tragjike të jetëve të tre bashkatdhetarëve tanë në Vjenë, Austri. Viktimat janë identifikuar si P.B, A.M dhe I.Z, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi, transmeton albinfo.ch.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për këtë humbje tragjike. Kjo ngjarje e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për të siguruar jetesën, ka lënë dhimbje jo vetëm tek familjet e tyre, por tek gjithë ne,” ka thënë Osmani.

Presidentja ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, duke ndarë dhimbjen dhe lutur që ata të gjejnë forcë për të përballuar këtë humbje të madhe.

“I përhershëm qoftë kujtimi për P.B, A.M dhe I.Z”, përfundon njoftimi i Presidentes./Albinfo.ch

Tragjedia në Austri, Ministria e Diasporës: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se një aksident i rëndë ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në Vjenë të Austria, ku si pasojë kanë humbur jetën disa persona, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Bazuar në të dhënat e deritanishme dhe në komunikimin me familjarët, është konfirmuar se në mesin e viktimave janë tre shtetas të Kosovës: P.B, A.M dhe I.Z.

Që nga momenti i marrjes së informacionit, institucionet e Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë në koordinim të vazhdueshëm me familjarët e viktimave, me qëllim ofrimin e mbështetjes së nevojshme dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupave në Kosovë.

Në fund, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi e rëndë./Albinfo.ch

Albinfo.ch
Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, me njoftim të rëndësishëm

Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka dal me një njoftim të ri për qytetarët e Kosovës që ndodhen atje, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, nga kjo Ambasadë ka thënë se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.

“Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë:

*gjoba të larta financiare,

*dënime me burg,

*konfiskim të pajisjeve elektronike,

*si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.

Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë./Albinfo.ch

I akuzuari për Banjskën: Uniformën e kisha dhuratë, për gjueti

Në Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të ndodhur më 24 shtator 2023, përcjell albinfo.ch.

Njëri nga të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, është pyetur lidhur me një fotografi ku ai shfaqet me uniformë. Para trupit gjykues, ai ka deklaruar se bëhet fjalë për një uniformë gjuetie dhe jo për pajisje të përdorura në sulm.

Sipas tij, fotografia është realizuar më 13 dhjetor 2022, rreth 250 ditë para ngjarjes në Banjskë. “Kam dashur vetëm ta provoj uniformën, siç provohen të gjitha gjërat që i blejmë. Nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur”, është shprehur ai, duke shtuar se uniformën e kishte marrë dhuratë nga një mik që merret me paintball.

Në këtë proces gjyqësor, përveç Maksimoviqit, të akuzuar janë edhe Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, ndërsa në total për rastin akuzohen 45 persona.

Sipas Prokuroria Speciale e Kosovës, të pandehurit ngarkohen me vepra terroriste dhe cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit. Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka theksuar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme, duke përfshirë organizimin, financimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale.

Në aktakuzë përmendet si lider i grupit Millan Radoiçiq, i cili sipas autoriteteve ka pasur rol kyç në organizimin e sulmit. Ai ndodhet në listën e zezë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist, ku gjatë përleshjeve u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa nga pala tjetër u vranë edhe tre sulmues. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./Albinfo.ch

Tragjedia në Vjenë, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri shpreh dhimbje dhe solidaritet

ALKIG – Albanische Kultusgemeinde ka reaguar me pikëllim të thellë pas aksidentit tragjik që ndodhi në Vjenë, ku si pasojë e shembjes së një strukture gjatë punimeve humbën jetën katër persona, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar, transmeton albinfo.at.

Në reagimin e tyre zyrtar, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, të afërmve dhe gjithë bashkëkombësve të prekur nga kjo ngjarje e rëndë.

“Lusim Allahun e Madhëruar që viktimat t’i mëshirojë dhe t’i shpërblejë me Xhenet, ndërsa familjarëve t’u japë sabër dhe forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, thuhet në reagim.

Po ashtu, ALKIG – Albanische Kultusgemeinde ka bërë të ditur se qëndron pranë familjeve të prekura, duke ofruar mbështetje në aspektin fetar dhe njerëzor për çdo nevojë që mund të paraqitet në këto momente të vështira.

Në fund të reagimit, është shprehur lutja që viktimat të mëshirohen, të lënduarit të shërohen dhe punëtorët të jenë të mbrojtur kudo që ndodhen./Albinfo.at

Facebook - ALKIG – Albanische Kultusgemeinde
Facebook – ALKIG – Albanische Kultusgemeinde

Kurti: Të tronditur nga tragjedia në Austri, tre viktima janë shtetas të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për aksidentin tragjik në Austri, ku disa persona humbën jetën, transmeton albinfo.ch.

Ai ka bërë të ditur se, sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada e Kosovës në Austri, tre nga viktimat janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës.

“Nga kjo tragjedi jemi thellësisht të tronditur. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me Ambasada e Kosovës në Austri, me qëllim të ofrimit të gjithë mbështetjes së nevojshme për familjet dhe menaxhimin e situatës./Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës në Austri: Viktima e tretë nga aksidenti në Vjenë është shtetas i Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e aksidentit tragjik të ndodhur në Vjenë është shtetas i Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për qytetarin I.Z. 

Ambasada ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave përkatëse.

Në këtë njoftim, ambasada ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke theksuar se do të vazhdojë të informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast tragjik./Albinfo.ch 

Tri vajzat e Kosovës shkëlqyen në Oscars

Kosova ishte e përfaqësuar në mënyrë mbresëlënëse në edicionin e fundit të Oscars, ku tri artistet shqiptare të famshme shkëlqyen në skenën më prestigjioze të filmit, transmeton albinfo.ch.

Luana Bajrami, pjesë e një filmi që mori vlerësimin e kritikëve, fitoi një çmim Oscars, duke vendosur emrin e saj dhe të Kosovës në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Ndërkohë, Dua Lipa dhe Rita Ora tërheqën sytë e publikut dhe mediave me pamjen dhe stilin e tyre të veçantë të veshjes, duke bërë që yjet e muzikës shqiptare të shkëlqejnë po ashtu në tapetin e kuq.

Ky moment i veçantë është një arritje e madhe për Kosovën, duke treguar talentin dhe ndikimin e artistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Tenori shqiptar Granit Musliu debuton në skenën prestigjioze të Berlinit

Tenori shqiptar Granit Musliu pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në karrierën e tij artistike, duke debutuar në një nga skenat më të njohura operistike në botë, Staatsoper Unter den Linden në Berlin, transmeton albinfo.ch.

Teatri prestigjioz ka publikuar së fundmi programin për sezonin 2026/27, ku emri i Musliut është përfshirë në kastin e operës së njohur “La Traviata” të Giuseppe Verdi. Ai do të interpretojë rolin e Alfredo Germont, një nga rolet kryesore të kësaj vepre klasike.

Vetë artisti e ka cilësuar këtë arritje si një moment të veçantë në rrugëtimin e tij:
“Është një nder i veçantë që emri im të jetë pjesë e këtij teatri historik dhe mezi pres ta sjell këtë rol në një nga skenat më të rëndësishme të botës”, është shprehur Musliu.

Debutimi në këtë skenë konsiderohet një sukses i madh për çdo artist, ndërsa përfaqëson gjithashtu një arritje të rëndësishme edhe për artistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh prestigjin dhe rëndësinë që gëzon ky institucion në botën e operës./Albinfo.ch

“Dëgjova britmat e punëtorëve dhe pastaj sirenat”, si ndodhi aksidenti fatal në Vjenë

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Vjenë të martën pasdite, ku katër punëtorë ndërtimi humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen Alsergrund, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 14:00, në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse, në distriktin e 9-të. Sipas informacioneve, gjatë punimeve për betonimin në kuadër të zgjerimit të papafingos, një konstruksion u shemb papritur, duke rrëzuar të gjithë skelën bashkë me pesë punëtorët që ndodheshin mbi të, shkruan Kronen Zeitung.

Shembja fatale, punëtorët ranë nga lartësia dhe u mbuluan nga betoni

Sipas zjarrfikësve, struktura e sapo betonuar u rrëzua në mënyrë të menjëhershme, duke tërhequr me vete punëtorët drejt tokës. Tonelata betoni dhe materiale ndërtimi i zunë poshtë, duke i lënë të bllokuar nën rrënoja.

“Punëtorët që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar ranë bashkë me skelën,” deklaroi zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer.

Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, përshkroi momentet dramatike:
“Ishte një zhurmë shumë e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Menjëherë pas kësaj u dëgjuan sirenat,” tha ai.

Operacion i vështirë shpëtimi mes rrënojave

Menjëherë pas shembjes, në vendngjarje mbërritën forca të shumta të emergjencës. Mbi 100 pjesëtarë të zjarrfikësve, policisë dhe ndihmës së shpejtë u angazhuan në një operacion të vështirë shpëtimi.

Terreni i rrezikshëm, me struktura të paqëndrueshme, pluhur dhe beton, e bëri ndërhyrjen shumë të vështirë. Në disa raste, ekipet e shpëtimit u detyruan të gërmonin edhe me duar për të arritur tek të bllokuarit.

Fillimisht pati shpresë për mbijetesë: një 45-vjeçar u nxor i gjallë pas rreth 90 minutash, por me lëndime të rënda në kokë, krahë dhe shtyllë kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në spital në gjendje kritike.

Katër viktima dhe hetime në vazhdim

Fatkeqësisht, për katër punëtorët e tjerë çdo ndihmë erdhi vonë. Ata humbën jetën në vendngjarje, të mbuluar nga masat e betonit.

Ngjarjen e pa nga afër edhe një operator vinçi, i cili mbeti i bllokuar në kabinën e tij dhe u bë dëshmitar i gjithë tragjedisë nga lart.

Shkaqet e sakta të shembjes së konstruksionit ende nuk janë të qarta. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa policia dhe inspektorati i punës po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. /Albinfo.ch

Detaje të reja tronditëse: Betoni i lëngshëm i zuri poshtë punëtorët

Detaje të reja dramatike kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen Alsergrund në Vjenë, ku katër punëtorë humbën jetën pasi u mbuluan nga betoni dhe rrënojat, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të Heute, ngjarja ndodhi të martën pasdite në rrugën Porzellangasse, gjatë punimeve të betonimit. Një pjesë e skelës dhe kallëpeve u shemb papritur, duke zënë poshtë disa punëtorë.

Katër prej tyre u gjetën pa shenja jete, ndërsa një tjetër u nxor i plagosur rëndë dhe po trajtohet në një spital në Vjenë.

Operacion i vështirë, betoni u hoq me duar

Zjarrfikësit kanë zbuluar se operacioni i shpëtimit ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të hapësirës së ngushtë në oborr dhe rrezikut nga strukturat e paqëndrueshme.

Për të arritur tek të bllokuarit, ekipet u detyruan fillimisht të krijonin hyrje të reja duke hequr gardhe dhe dyer. Paralelisht, ata nisën largimin e pjesëve të shembura të skelës, hekurave dhe kallëpeve, duke përdorur edhe mjete si vinça dhe pajisje tërheqëse.

Sfida më e madhe ishte largimi i betonit ende të lëngshëm, i cili mund të hiqej vetëm me punë të mundimshme manuale.

Qentë e shpëtimit kërkuan në rrënoja

Gjatë operacionit, në vendngjarje u angazhuan edhe njësi speciale, përfshirë grupin për lokalizim me zë dhe njësinë e qenve të shpëtimit.

Fillimisht u nxorën dy punëtorë, por fatkeqësisht edhe për ta ndihma erdhi vonë. Për nxjerrjen e dy viktimave të tjera, ekipet u detyruan të largonin pjesë të bllokuara të rrënojave dhe betonit që po ngurtësohej.

Pas rreth dy orë e gjysmë operacion intensiv, u konfirmua se edhe dy personat e fundit të zhdukur kishin humbur jetën.

Hetimet në vazhdim

Për shkak të paqartësisë fillestare mbi numrin e punëtorëve në kantier, kërkimet vazhduan edhe pas përfundimit të operacionit, për të siguruar që nuk kishte persona të tjerë të bllokuar.

Rruga Porzellangasse u bllokua plotësisht për qarkullim, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim nga autoritetet në Vjenë.

Në operacion u angazhuan rreth 120 pjesëtarë të emergjencës dhe dhjetëra mjete, ndërsa ndërhyrja zgjati rreth tre orë. /Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës në Austri konfirmon dy viktima nga Kosova në tragjedinë në Vjenë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se në aksidentin e rëndë të ndodhur sot në Vjenë, në një kantier ndërtimi në distriktin Alsergrund, kanë humbur jetën disa persona, transmeton albinfo.at.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur papritur, duke lënë disa punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Autoritetet austriake kanë konfirmuar se mes viktimave janë edhe dy shtetas të Republikës së Kosovës:

P. B (1990)

A, M (1977)

Ambasada ka shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi, transmeton tutje albinfo.ch.

Po ashtu, bëhet e ditur se përfaqësuesit diplomatikë janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekin nga afër zhvillimet lidhur me rastin, ndërsa janë të angazhuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave.

Ambasada ka theksuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të ri në lidhje me këtë ngjarje tragjike. /Albinfo.ch

AMC bashkon komunitetin në Cyrih për të ndihmuar familjet në Kosovë

Fondet e mbledhura këtë vit do të ndihmojë “Klasat për Nëna” të AMC-së, të cilat ofrojnë edukim dhe këshillim falas për gratë shtatzëna dhe prindërit e rinj në të gjithë Kosovën. Duke mbuluar tema nga shtatzënia dhe lindja deri te shëndeti mendor, ushqyerja me gji dhe kujdesi për foshnjat, këto klasa i ndihmojnë familjet të navigojnë sistemin shëndetësor dhe të ndërtojnë një të ardhme më të shëndetshme. 5,167 pjesëmarrës në 17 komuna kanë përfituar nga ky program, gjatë vitit 2025.

“Mbështetja nga diaspora nuk është vetëm e rëndësishme, ajo është transformuese për shëndetësinë në Kosovë,” tha Drejtorja Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.

“Çdo kontribut ndihmon në zgjerimin e qasjes në shërbime esenciale, fuqizon programet tona dhe siguron që më shumë fëmijë të kenë mundësinë të rriten të shëndetshëm dhe suksesshëm.”

Edicioni i vitit të kaluar të “Save a Life” dhe të fondet tjera të mbledhura i mundësuan AMC-së të sigurojë pompa të insulinës, monitorues të vazhdueshëm të glukozës (CGM) dhe pajisje përcjellëse për 10 fëmijë që jetojnë me Diabet Tip 1 – një sëmundje kronike autoimune që kërkon kujdes të vazhdueshëm. Këto pajisje stabilizojnë nivelet e sheqerit në gjak, reduktojnë numrin e shpuarjeve dhe u mundësojnë fëmijëve të kenë një fëmijëri më normale, duke u dhënë prindërve qetësi dhe siguri.

Siari, djali i Emi Ukës mori një pompë insuline përmes donacionit të AMC-së: “Para se të merrnim pompën – të cilën Siari e ka tani falë AMC-së dhe donatorëve – e kishim shumë të vështirë të dilnim nga shtëpia. Sot, Siari mund të dalë vetë… Uroj që çdo fëmijë me diabet të ketë një pompë, sepse pompa nuk është luks, është nevojë,” tha ajo.

Lumnije Sylejmani Hasolli, nëna e Jarës që po ashtu pranoi një pompë, u shpreh: “Pompa ia ka lehtësuar jetën Jarës dhe ka hequr një barrë të madhe nga ne si familje.”

AMC fton mbështetësit në Cyrih që t’i bashkohen mbrëmjes humanitare të këtij viti dhe të vazhdojnë të dërgojnë shërbime shëndetësore jetë shpëtuese, edukim dhe shpresë për familjet në Kosovë.

Regjistrohuni deri më 13 prill përmes këtij linku: https://forms.gle/RVDWbVyfysn12XFo7

Action for Mothers and Children (AMC) është një organizatë jofitimprurëse që punon për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. AMC avokon për kujdes shëndetësor më të mirë përmes edukimit, mbledhjes së fondeve dhe hulumtimit.

Për më shumë informata, vizitoni www.amchealth.org.

lexoni po ashtu;

Mbrëmja Filantropike “Save a Life” rikthehet me edicionin e 7-të në Cyrih

Aksidenti tragjik në Austri: I lënduari në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në kryeqytetin austriak ka përfunduar tragjikisht, ku katër punëtorë kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në distriktin e nëntë të Vjenës, në rrugën Porzellangasse, kur skelat janë shembur papritur gjatë punimeve në oborrin e një ndërtese banimi. Si pasojë, punëtorët që ndodheshin në vendin e punës janë zënë poshtë nga strukturat e rrëzuara.

Pavarësisht reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, për katër prej tyre nuk ka pasur mundësi shpëtimi dhe janë shpallur të vdekur në vendngjarje, transmeton albinfo.at.

Ndërkohë, një punëtor rreth 45 vjeç është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas një operacioni të vështirë shpëtimi. Ai ishte i bllokuar nën strukturat e shembura dhe ka pësuar lëndime të rënda. I njëjti është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet nga ekipet mjekësore.

Punëtori i cili u dërgua menjëherë në spital ka lëndime në kokë, shtyllën kurrizore dhe në krah, dhe është vendosur në dhomën e shokut.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit dhe policia, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e të bllokuarve dhe sigurimin e zonës.

 

Maqedoni: Nafta në rritje dhe inflacioni në shqetësim: A priten shtrenjtime të reja?

Në fillim të këtij viti, inflacioni vjetor në Maqedoni ka treguar shenja ngadalësimi. Megjithatë, rritja e ndjeshme e çmimeve ndërkombëtare të naftës bruto mund të ndikojë direkt në çmimet e derivateve të naftës në tregun vendas, duke ngritur pyetjen nëse mund të shmangen rritje të reja të çmimeve.

Ekspertët paralajmërojnë se një “shok nafte” mund të shkaktojë presion inflacionar. Nafta e papërpunuar Brent arriti të kapë çmimin prej gati 105 dollarësh për fuçi më 16 mars, një rritje mbi 40% që nga fillimi i konfliktit me Iranin. Vetëm një muaj më parë, çmimi ishte rreth 70 dollarë, ndërsa tani ka kaluar 100 dollarë.

Sipas ekonomistëve, këto tronditje mund të reflektohen menjëherë në transport, mallra dhe ekonominë e përgjithshme. Bllokada e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore, përbën një rrezik serioz. Nëse tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë, furnizimi me naftë mund të kërcënohet, duke ndikuar energjinë globalisht.

Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, paralajmëron se konflikti ka potencialin të ndikojë në klimën e tregut, rritjen ekonomike dhe inflacionin, duke krijuar sfida të reja për vendimmarrësit. FMN-ja rekomandon që vendet të qëndrojnë fleksibël përballë pasigurive.

Rajoni tashmë ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve. Serbia, për shembull, uli akcizat mbi karburantet për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve globale të naftës. Në Maqedoni, përveç një uljeje simbolike prej dy denarësh, nuk ka pasur masa konkrete nga qeveria për të stabilizuar tregun.

Nga sot, çmimi i eurodizelit është rritur me 6.5 denarë, ndërsa i benzinës me 7 denarë. Aktualisht, eurodizeli shitet për 92 denarë, ndërsa benzina për 86.5 deri 88.5 denarë. Ky rritje pasqyron ndikimin e tensioneve gjeopolitike në çmimet globale të naftës.

Analistët parashikojnë se çmimet mund të vazhdojnë të luhaten për shkak të krizave në Lindjen e Mesme. Për rafineritë dhe shpërndarësit, çdo rritje e çmimit të naftës rrit automatikisht kostot e karburantit për konsumatorin. Maqedonia, si vend që importon pjesën më të madhe të karburantit, ndien më së shumti pasojat e këtyre ndryshimeve, shkruan alsat transmeton albinfo.ch.

Nëse tensionet gjeopolitike vazhdojnë, inflacioni dhe kostot e jetesës mund të rihapen si sfidë për ekonominë vendase.

Prekazi, dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare në manifestimin “Kurora e Lirisë” në Bernë

Më 14 mars, në Kursaal Arena në Bernë u mbajt manifestimi përkujtimor me program artistik “Kurora e Lirisë”, i cili bashkoi mërgatën shqiptare në një ngjarje kushtuar kujtesës historike dhe vlerave të lirisë.

 

Në kuadër të manifestimit u hap edhe ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”, vepër e autorit Sefer Aliçkaj, e cila përmes imazheve rikthen në kujtesë sakrificën e Familjes Jashari dhe rezistencën e Prekazit.

 

FOTO GALERI

 

Programi ishte i pasur me këngë dhe valle nga shoqata kulturore-artistike dhe ansamble që veprojnë në Zvicër, si dhe me performime artistike me motive patriotike.

 

Një peshë të veçantë manifestimit i dha edhe prania dhe fjala e Lulzim Jasharit, djalit të figurës legjendare Adem Jashari, i cili përcolli një mesazh domethënës për kujtesën dhe vlerat e sakrificës për liri.

VIDEO: Genti Mersinaj

Shqiptari i mbijetuar rrëfen për Blick tmerrin në autobusin e djegur në Kerzers të Zvicrës

Faton Morina, 32 vjeç, turist nga Kosova, ishte në autobusin postar kur ndodhi tragjedia që la pas 6 viktima, përfshirë autorin e ngjarjes.

“U hodha jashtë menjëherë, pa këpucë,” tregon Morina për Blick, ende i tronditur nga përvoja. Ai ishte ulur përballë autorit Roger K. (†65), kur ky i fundit hodhi mbi vete benzinë dhe u vetëdogj.

“Kur ai u vetëdogj, fytyra e tij ishte e qetë, pa asnjë emocion,” shton Morina. Ngjarja ndodhi një javë më parë në Kerzers, Fribourg, dhe shkaktoi plagosjen e pesë pasagjerëve të tjerë, përfshirë edhe Morinën, i cili po trajtohet në Spitalin Universitar të Lozanës, transmeton albinfo.ch.

Në rrëfimin e tij, Morina përshkruan sekondat e tmerrit: “Pashë se ai ishte ngritur dhe ishte spërkatur me benzine nga një kanister që llogarita rreth 3 litra. U përpoqa t’i bëj thirrje: ‘Jo! Ndal!’ Por flaka përfshiu gjithçka shumë shpejt.”

Ai përshkruan përpjekjet për t’u shpëtuar: “Fillimisht u përpoqa të dal nga dera e mesme, por nuk hapej. Shumë shpejt u mbusha me tym dhe nuk po shihja më asgjë. U ndjeva i pafuqishëm.” Sidoqoftë, në një moment shpëtoi duke dalë jashtë në mënyrë të papritur, duke mbijetuar përmes flakëve dhe tymit.

Edhe pas një jave, kujtimet e tmerrshme e ndjekin Morinën. Ai kujton veçanërisht shikimin e shoferit, autorin dhe një pasagjere të re, Lara Baumgartner (†26), e cila humbi jetën.

Morina tregon: “Kjo ngjarje më ka bërë të kuptoj se çfarë ka vërtet rëndësi: familja dhe jeta ime. Dua t’i shijoj ato dhe të udhëtoj më shumë.”

Ai planifikon të shikojë një ndeshje të Real Madridit dhe të vizitojë përsëri Zvicrën, pavarësisht tmerrit që ka përjetuar.
Para se të ndahej me Blick, Morina dërgoi mesazhin e tij: “Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta të gjithë viktimave dhe familjeve të tyre. Më vjen keq që nuk mund të ndihmoja askënd.”

Sindikatat kërkojnë që 1 Maji të shpallet ditë pushimi kombëtare në Zvicër

Sindikatat zvicerane po kërkojnë që 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, të shpallet një ditë pushimi kombëtare për të gjithë punonjësit. Lidhja e përbashkët sindikalë Travail Suisse propozon këtë masë për të garantuar barazi dhe qartësi ligjore.

Këshilltarja kombëtare e Partisë së Gjelbër, Léonore Porchet, nënkryetare e Travail Suisse, ka paraqitur një mocion për shpalljen e 1 Majit si ditë pushimi për të gjithë punonjësit në Zvicër. Por shoqata e punëdhënësve është kundër, duke argumentuar se kjo do të shkaktojë kosto të larta për ekonominë.

Aktualisht, 1 Maji është ditë pushimi në kantonet: Zyrih, Basel-Stadt, Basel-Landschaft, Jura, Neuchâtel, Schaffhausen, Thurgau dhe Ticino. Në disa kantone të tjera, punonjësit kanë të paktën pjesën e pasdites pushim. Në pjesën tjetër të vendit, është ditë pune normale.

Porchet thekson se trajtimi i pabarabartë i punonjësve në kantone të ndryshme shkel parimin e solidaritetit. 1 Maji është gjithashtu një ditë me rëndësi socio-politike, duke u shërbyer platformë për çështje si paga të drejta, kushte pune të sigurta dhe balanca punë-familje.

Nga ana e punëdhënësve, shtimi i një dite pushimi kombëtare mund të kushtojë rreth 2.5 deri 3.5 miliardë franga zvicerane në vit, për shkak të humbjes së kohës së punës.

Hapi tjetër është që Këshilli Federal të bëjë një rekomandim për mocionin e Porchet, ndërsa Këshilli Kombëtar do të vendosë për të. Nëse miratohet, çështja shkon në Këshillin e Shteteve, por pritet të ketë rezistencë në parlamentin e dominuar nga qendra-djathta.

3 nga 4 viktimat në aksidentin e Vjenës janë shqiptarë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Vjenë, Austri, ku një skelë ndërtimi u shemb. Katër persona kanë humbur jetën. Nga informacionet e konfirmuara të albinfo.at rezulton si në vijim:

Tre prej viktimave janë shqiptarë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.

 

FOTO: APA/MAX SLOVENCIK

Viktima e katërt është nga Bosnja.Një person tjetër mbeti i lënduar, derisa mësohet se me prejardhje është nga Maqedonia e Veriut, shkruan albinfo.at.Autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e plotë të viktimave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Informacionet mund të ndryshojnë gjatë orëve të ardhshme.

E rëndë: Mërgimtari nga Skenderaj humb jetën tragjikisht në vendin e punës në Austri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Vjenë të Austrisë, ku një mërgimtar nga Kosova ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë punës.

Bëhet fjalë për Pajtim Bajramin, nga fshati Klinë e Poshtme e Skenderajt, i cili ndërroi jetë në vendin e tij të punës.

Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët e tij përmes një njoftimi, ndërsa nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të djalit të mixhës sonë, Pajtim Bajrami, i cili tragjikisht humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Lexoni po ashtu:

3 nga 4 viktimat në aksidentin e Vjenës janë shqiptarë