Vendet më të mira në Zvicër për të parë fishekzjarrët e Vitit të Ri

Një gjë që duhet të dini është se – varësisht nga vendi ku jetoni në Zvicër – mund të mos shihni fare fishekzjarrë komunalë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Kjo për shkak se shumë komunitete heqin dorë nga kjo ekstravagancë, duke reflektuar shqetësimet e tyre për mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve.

Për shembull, fishekzjarrët nuk janë më pjesë e festimeve të Vitit të Ri në Lozanë, Bazel, Bernë dhe St. Gallen. Në Zvicrën qendrore, vetëm Lucerni ende organizon një shfaqje fishekzjarrësh.

Nga ana tjetër, Gjeneva dhe Cyrihu ende e ruajnë këtë traditë.

Cyrih

Shfaqja e fishekzjarrëve në qytet fillon 20 minuta pas mesnatës në bregun e liqenit, në një ngjarje të quajtur Silvesterzauber.

Gjenevë

Shëtitorja du Lac ofron pamje mahnitëse të fishekzjarrëve mbi Liqenin e Gjenevës, megjithëse mund t’i shihni ato edhe nga pika të tjera të afërta në qytet.

Dhe, rastësisht, në këtë ditë, qyteti dhe kantoni festojnë gjithashtu një ngjarje që ka formësuar historinë e tyre: rivendosjen e Republikës.

Pas disfatave të ushtrisë së Napoleonit, ushtarët francezë u tërhoqën nga qyteti në mëngjesin e 30 dhjetorit 1813.

Trupat austriake mbërritën në Gjenevë atë pasdite, duke njoftuar rivendosjen e rendit të vjetër më 31 dhjetor.

U përgatit një shpallje pavarësie, u formua një qeveri e përkohshme dhe Gjeneva rimori statusin e saj si republikë e pavarur.

Luzern

Shëtitorja buzë liqenit (shëtitorja Seeufer) ofron pamjen më të mirë të shfaqjes së fishekzjarrëve mbi Liqenin e Luzernit, por mund ta shihni atë nga pothuajse kudo në Qytetin e Vjetër.

Për më tepër, shumë qytete të tjera kanë fishekzjarrë të vetët, prandaj kontrolloni faqen e internetit të komunitetit tuaj për të zbuluar nëse dhe ku po zhvillohen ato.

A mund të ndizni fishekzjarrë në kopshtin tuaj?

Nuk është çudi që, duke pasur parasysh prirjen e Zvicrës për rregulla dhe siguri, ky aktivitet i nënshtrohet gjithashtu rregulloreve – edhe pse shumë njerëz nuk i përmbahen atyre në mënyrë strikte – nëse jo të gjithave.

Këto rregulla u krijuan nga Zyra Federale e Policisë (FedPol) dhe Zyra Federale e Doganave dhe Sigurisë Kufitare (BAZG):

Fishekzjarrët mund të ndizen vetëm sa më larg ndërtesave, fushave bujqësore dhe pyjeve të jetë e mundur – idealisht, të paktën 200 metra larg.

Në të njëjtën mënyrë, mos ndizni kurrë fishekzjarrë brenda.

Fishekzjarrët duhet të ndizen vetëm në një distancë të sigurt nga turmat.

Mos u përpiqni të ndizni përsëri fishekzjarrët e përdorur.

Mbani gjithmonë ujë në dorë në rast se një fishekzjarr prishet.

Mungesa e strehimit është shqetësimi më i madh për banorët e Cyrihut

Çdo dy vjet, qyteti anketon banorët e tij në lidhje me jetën e tyre në Cyrih.

Për herë të parë në historinë e anketës së popullsisë, mungesa kronike e strehimit përmendet nga shumica e banorëve si problemi numër një, transmeton albinfo.ch.

Trafiku, si dhe kostoja e lartë e jetesës në qytet, janë çështjet e tjera urgjente për banorët e Cyrihut, tregon anketa.

Një vit mes librash

Jo çdo vit mbahet mend për atë që ndodh. Ka vite që kalojnë të mbushura me ngjarje, me lëvizje, me lista për t’u përfunduar, dhe megjithatë mbeten të turbullta në kujtesë. Dhe ka vite që nuk kërkojnë shumë vëmendje, por që mbeten me ne për arsye më të vogla e më të qëndrueshme, sikurse ky i imi që do të mbahet mend për librat e mirë që kam lexuar. Nga letërsia koreane dhe japoneze deri tek shkrimtarët gjermanë, amerikanë e shqiptarë, të gjithë këta libra më kanë dhënë shpresë, kënaqësi dhe ndonjëherë edhe arratisjeje nga përditshmëria. Ndërkaq në raste të tjera, më kanë nxitur të mendoj më thellë dhe të flasë pa u ndalur për tema si inteligjenca artificiale dhe roli i saj në jetën tonë profesionale dhe personale.

Në listën e librave që lexova përfshihen 33 tituj, të cilët, ashtu siç mu rekomanduan mua, do të doja t’ua rekomandoja edhe ju. Narracione personale, poezi, memoare dhe vepra klasike e bashkëkohore, më shoqëruan gjatë udhëtimeve të mia të përditshme me tren, ku shpesh jam zhytur në rreshta të thurur me mjeshtëri dhe kam pasur ndjesinë se po bisedoja me një mike shumë të dashur.

Isha në Japoni në fillim të janarit kur përfundova librin e parë të vitit: More Days at the Morisaki Bookshop nga Satoshi Yagisawa. Ngjarja e romanit zhvillohet në një librari të vogël, por jashtëzakonisht të lezetshme në Tokio, një hapësirë që ia shtoi udhëtimit tim dëshirën për ta njohur më thellë këtë vend dhe këtë kulturë. Japonezët përdorin shprehjen “iyashikei”, që do të thotë “letërsi shëruese”, për të përshkruar përjetimin që kjo lloj letërsie përcjell; dhe pikërisht kështu e përjetova edhe unë këtë libër: si diçka që thekson lidhjen me komunitetin dhe të përqafon pa zhurmë.

Teksa shëtisja rrugëve të Shinjukut dhe Ginzës, leximi më çoi te një tjetër autore japoneze, Mieko Kawakami, dhe romani Breasts and Eggs. Në kontrast me qetësinë e librit të mëparshëm, ky është një tekst më i drejtpërdrejtë dhe shumë më i guximshëm, që shqyrton temat tabu të trupit femëror, presionit shoqëror dhe zgjedhjes personale, me theks të veçantë te dëshira për të qenë nënë në një shoqëri që rrallë e lejon këtë dëshirë të jetë e thjeshtë.

Pa u larguar ende nga Japonia, leximi më hapi një derë drejt Koresë së Jugut me romanin Pachinko nga Min Jin Lee. Kemi të bëjmë me një rrëfim të fuqishëm për Luftën e Dytë Botërore, mbijetesën dhe dinjitetin njerëzor. Romani ndjek jetën e katër brezave të një familjeje koreane në Japoni dhe tregon sesi mërgimi dhe diskriminimi i vazhdueshëm i japin formë jetës së emigrantëve. Rrëfimi ndalet te gjendja e përhershme e të qenit i huaj, një përvojë që nuk shuhet as kur përpiqesh ta quash shtëpi një tokë që nuk të përket plotësisht.

Nga luftërat me armë te luftërat kibernetike, një libër që nuk mund ta lija mënjanë, dhe kapitujt e të cilit i kam lexuar disa here, është libri i Yuval Noah Harari-t Nexus: A Brief History of Information Networks from the Stone Age to AI. Ai flet me përpikëri për përhapjen e informacioneve dhe ndërlidhja e saj me zbulimet inovative që e ka shoqëruar njerëzimin ndër shekuj. Harari, përmes librave të tij, më ndihmon t’i jap kuptim botës që po jetojmë sot, një botë e mbushur me algoritme, të dhëna digjitale dhe inteligjencë artificiale. Stili i tij i të shkruarit zhvillohet si një bashkëbisedim i vazhdueshëm me lexuesin, që të fton të reflektosh jo vetëm mbi arritjet tona, por edhe mbi rreziqet që njerëzimi i ka krijuar vetes.

Përballë këtyre rreziqeve, shpesh abstrakte dhe jashtë kontrollit individual, vëmendja zhvendoset te vetë trupi dhe mendja jonë, aty ku përpiqemi të ushtrojmë disiplinë, kontroll dhe përmirësim. Pikërisht në këtë hapësirë, në palestër, ku pritshmëritë shoqërore bëhen të dukshme pa shumë ndërmjetësim, zhvillohet pjesa më e madhe e romanit Gym të shkrimtares gjermane Verona Kessler. Gjuha e romanit, ku fjalitë gjermane dhe frazat angleze bashkëjetojnë në mënyrë organike, krijon një rrjedhë të lehtë që më bëri të qesh dhe të kënaqem me mënyrën se si çdo fjali është ndërtuar, në një stil modern urban, pothuajse të huazuar nga gjuha e mediave sociale.

Stay True nga Hua Hsu është një memoar për humbjen, miqësinë dhe pikëllimin që nuk kalon shpejt, por të ndjek ndër vite. Përmes këtij rrëfimi personal, Hsu na ofron një perspektivë tjetër mbi përvojat e komunitetit aziatiko-amerikan në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht ato të brezit të dytë të emigrantëve nga Tajvani, të rritur në familje punëtore me prindër të shkolluar; fëmijë që arrijnë të hyjnë në universitete prestigjioze si UC Berkeley. Megjithatë, fokusi i librit nuk është suksesi apo integrimi si narrativë lineare, por mënyra se si identiteti formësohet përmes miqësisë, humbjes dhe kujtimeve që mbajmë për të dashurit tonë. Ky rrëfim më riktheu te kujtimet e miqve me të cilët kam studiuar, kam ndarë jetë, kam dashur dhe, në disa raste, kam humbur.

Një tjetër libër që më preku këtë vit dhe më bëri të mendoj për rrënjët e mia ishte Free nga Lea Ypi. Gjatë leximit, zbulova se sa ndryshe ka qenë fëmijëria ime në Kosovë, në shkolla ku kam mësuar dhe kam ëndërruar për Shqipërinë, nga bota e Leas, e cila rritet duke folur frëngjisht dhe për të cilën Kosova nuk është as pjesë e përditshmërisë, as e fjalorit të saj. Megjithatë, libri mbetet i jashtëzakonshëm. Përshkrimet janë të pasura dhe të mbështetura në histori dhe përvojë personale.

Por Kosova shfaqet në romanin Misinterpretation të Ledia Xhoga-s, një libër që rrëfen historinë e një të mbijetuari të luftës nga Kosova, për të cilin autorja përkthen në Nju Jork. Është një rrëfim që të prek thellë dhe që ngjall pyetje mbi empatinë, gjuhën dhe kufijtë moralë të të ndihmuarit të tjerët.

E kur ndihma që u ofrojmë të tjerëve bëhet barrë për ne, e edhe mikromenaxhim për të tjerët, i rikujtoj vetes këshillat e Mel Robbins në The Let Them Theory: jeta bëhet më e lehtë kur u lejon të tjerëve të jetojnë me zgjedhjet e tyre. Sidomos për ne gratë, e unë do të thoja veçanërisht për gratë shqiptare. Kjo do të thotë të mos jemi gjithmonë në shërbim të të tjerëve, por të ruajmë kohë dhe energji edhe për veten.

Në disa periudha të vitit, kur gjithçka duket se ecën shumë shpejt dhe jeta mbushet me një agjendë të ngjeshur, iu ktheva klasikëve: Emma nga Jane Austen dhe Mrs Dalloway nga Virginia Woolf. Këto libra më dhanë qetësi. U zhyta në botën e privilegjuar të Emmës, e cila ka kohë të mjaftueshme për muzikë dhe art, madje edhe për ta luajtur rrolin e ‘mësitit’ e për të ndërhyre në jetën e të tjerëve, diçka që jo gjithmonë i shkon për dore. Njëkohësisht, u gjenda në reflektimet e thella psikologjike të Mrs Dalloway-t, një figurë femërore që sfidon pritshmëritë letrare dhe shoqërore të kohës së saj

Nga letërsia klasike te zërat bashkëkohorë, u ndala edhe te Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera i Vlora Konushevcit. Tregimet e librit lëvizin mes përditshmërisë dhe peshave të padukshme që gratë mbajnë mbi vete, duke kaluar nga perspektiva e një vajze të vogël te ajo e një gruaje që e njeh mirë barrën e jetës. Është një botë ku ngjarjet e mëdha historike rrinë në sfond, ndërsa në plan të parë dalin detajet që zakonisht nuk konsiderohen “ngjarje” dhe pikërisht për këtë mbeten më gjatë.

Dhe tani, vitin po e përmbyll në Davy Byrne’s në Dublin, një vend ku ka kaluar kohë edhe James Joyce dhe ku, si një irlandez i denjë, ka pirë Jameson dhe Guinness. Në të njëjtin ambient, me shumë kënaqësi, po lexoj dhe po përpiqem t’i përfytyroj tregimet e Dubliners. Një mënyrë e bukur për të mbyllur një vit leximesh dhe ndoshta, mënyra më e mirë për të kujtuar se librat na çojnë gjithmonë diku, edhe kur duket se kemi mbërritur.

Për ata që dëshirojnë një pasqyrë të plotë të leximeve të përmendura, më poshtë gjendet lista e librave të këtij viti.

  1. Dubliners — James Joyce
  2. Nexus: A Brief History of Information Networks from the Stone Age to AI — Yuval Noah Harari
  3. The Year of Magical Thinking — Joan Didion
  4. Technofeudalism — Yanis Varoufakis
  5. Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera — Vlora Konushevci
  6. The Courage to Be Disliked — Ichiro Kishimi & Fumitake Koga
  7. Misinterpretation — Ledia Xhoga
  8. Katabasis — R. F. Kuang
  9. Gym — Verona Kessler
  10. Stay True — Hua Hsu
  11. Emma — Jane Austen
  12. Mrs Dalloway — Virginia Woolf
  13. A New New Me — Helen Oyeyemi
  14. Free — Lea Ypi
  15. Things in Nature Merely Grow — Yiyun Li
  16. The Liar’s Club — Mary Karr
  17. Time Is a Mother — Ocean Vuong
  18. Greek Lessons — Han Kang
  19. To Kill a Mockingbird — Harper Lee
  20. Koha e Lules — Martin Camaj
  21. E Premtja — Klenti Hodo
  22. The Let Them Theory — Mel Robbins
  23. You Like It Darker — Stephen King
  24. The Remains of the Day — Kazuo Ishiguro
  25. On Writing — Stephen King
  26. How to Tell a Story — The Moth
  27. Women Who Love Too Much — Robin Norwood
  28. Lincoln in the Bardo — George Saunders
  29. Men Without Women — Ernest Hemingway
  30. The Art of Memoir — Mary Karr
  31. Pachinko — Min Jin Lee
  32. Breasts and Eggs — Mieko Kawakami
  33. More Days at the Morisaki Bookshop — Satoshi Yagisawa

Shpërthim i dytë zjarri në të njëjtin vend: Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Zjarrfikësit shuan një tjetër zjarr në papafingo të një ndërtese tregtare të zbrazët në Langendorf SO të hënën në mbrëmje. Policia e Solothurnit dyshon për zjarrvënie të qëllimshme, siç njoftoi të martën, transmeton albinfo.ch.

Ky është zjarri i dytë në vendin e njëjtë në pak më shumë se dy muaj.

Zjarri u raportua në polici para orës 22:30 dhe shërbimet e emergjencës arritën ta vinin shpejt nën kontroll, raporton sda.ch. Askush nuk u lëndua.

Një zjarr kishte ndodhur tashmë në të njëjtin vend më 23 tetor dhe policia gjithashtu dyshon për zjarrvënie të qëllimshme në atë incident. Ata kanë nisur një hetim gjithëpërfshirës për zjarret në Langendorf dhe zonën përreth.

Foto: Kapo Solothurn

Zvicerani pranon sulmin ndaj një afgani në Muotathal, Schwyz

Pas sulmit ndaj një burri afgan në Muotathal, Schwyz, policia kantonale e Schwyzit ka identifikuar një të dyshuar. Adoleshenti ka pranuar krimin.

Sipas policisë kantonale të Schwyzit, i dyshuari është një shtetas zviceran 17-vjeçar nga kantoni, transmeton albinfo.ch. Ai u mor në pyetje, pranoi krimin dhe do të raportohet në departamentin e të miturve të prokurorisë publike të Schwyzit për sulm, u njoftua të hënën, shkruan sda.ch.

Më 16 nëntor, 29-vjeçari afgan u sulmua pa paralajmërim në Wilstrasse në Muotathal. Ai pësoi lëndime në kokë që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale në spital.

Në cilat vende të Zvicrës ndalohen fishekzjarrët

Edhe tani, fishekzjarrët nuk lejohen kudo në Zvicër.

Për shembull, në kantonin Graubünden, disa komuna kanë ndaluar plotësisht përdorimin e fishekzjarrëve të zhurmshme, duke përfshirë destinacione turistike të njohura si Flims, Davos dhe St. Moritz, transmeton albinfo.ch.

Disa qytete dhe fshatra në rajonin e Zurich Oberland kanë zbatuar gjithashtu një ndalim të tillë ose janë në proces ta bëjnë këtë për vitin e ri, shkruan srf.ch.

Në komunat Rüti dhe Bauma, kjo do të jetë nata e fundit e Vitit të Ri me fishekzjarrë.

Për më tepër, qytetet më të mëdha në Ticino, Lugano dhe Bellinzona kanë ndaluar fishekzjarrët. Kryeqyteti i Basel-Landschaft, Liestal, dhe qyteti i Bernës lejojnë fishekzjarrët vetëm jashtë qytetit të vjetër.

Zvicra bën thirrje për më shumë dhurime gjaku në prag të fundvitit

Autoritetet shëndetësore në Zvicër kanë intensifikuar thirrjet për dhurim gjaku, pasi rezervat kanë rënë gjatë periudhës së festave të fundvitit. Mungesa e dhuruesve në këtë periudhë përkon me nevoja të pandërprera të spitaleve për trajtime dhe ndërhyrje mjekësore.

Sipas njoftimit të Swiss Red Cross, disa qendra të transfuzionit raportojnë nivele nën mesatare të stoqeve, veçanërisht për grupet më të zakonshme të gjakut. Qytetarët e shëndetshëm inkurajohen të dhurojnë për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore.

Institucionet theksojnë se dhurimi i gjakut është një proces i sigurt dhe jetik, ndërsa procedurat respektojnë standardet më të larta të sigurisë. Çdo dhurim kontribuon drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë mundësi, të planifikojnë një dhurim gjatë ditëve në vijim, duke ndihmuar në stabilizimin e rezervave në nivel kombëtar.

Dhurimi i gjakut mbetet një akt solidariteti dhe përgjegjësie qytetare, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, përcjell albinfo.ch.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës: lindjet bien, migrimi rritet dhe popullsia po plaket!

Kosova po vazhdon të përballet me ndryshime të rëndësishme demografike, të reflektuara në lindje, vdekje dhe migrim. Të dhënat më të fundit ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi trendet aktuale, si dhe krahasime me vitin paraprak.

 

Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit të fundit janë regjistruar rreth 21 mijë lindje, që përbëjnë një rënie prej afërsisht 5 për qind krahasuar me vitin paraprak, kur ishin mbi 22 mijë lindje. Ky trend dëshmon vazhdimin e uljes graduale të natalitetit në vend.

 

Në të njëjtën periudhë, numri i vdekjeve ka arritur mbi 10 mijë, një shifër pothuajse e ngjashme me vitin e kaluar, duke bërë që shtesa natyrore të mbetet pozitive, por më e ulët se më parë. Për krahasim, një vit më herët shtesa natyrore ishte më e lartë për shkak të numrit më të madh të lindjeve.

 

Sa i përket migrimit, të dhënat tregojnë se bilanci migrator vazhdon të jetë negativ, me mijëra qytetarë që largohen nga vendi çdo vit. Krahasuar me vitin paraprak, niveli i emigrimit ka mbetur i ngjashëm, ndërsa migrimi i brendshëm ka shfaqur rritje të lehtë drejt qendrave urbane më të mëdha.

 

ASK vëren se disa komuna, kryesisht urbane, kanë shënuar rritje të lehtë të popullsisë për shkak të zhvendosjeve të brendshme, ndërsa zonat rurale vazhdojnë të përballen me rënie të numrit të banorëve. Ky trend është i krahasueshëm me vitet e kaluara dhe mbetet një sfidë për zhvillimin e balancuar rajonal.

 

Institucioni thekson se këto zhvillime demografike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin afatgjatë të politikave publike, veçanërisht në arsim, shëndetësi, tregun e punës dhe infrastrukturë, përcjell albinfo.ch

Linku: https://ask.rks-gov.net

 

Zvicra në prag të Vitit të Ri, ngrica dhe mjegull!

Zvicra po përballet me kushte tipike dimërore në ditën e fundit të vitit, me temperatura të ulëta dhe prani të ngricave në shumë rajone të vendit. Moti parashikohet kryesisht i qëndrueshëm, por me mjegull të dendur në ultësira, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.

 

Sipas parashikimit të publikuar nga MeteoSwiss, temperaturat maksimale gjatë ditës pritet të luhaten rreth zeros në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore temperaturat mbeten dukshëm më të ulëta. Gjatë natës, në disa rajone, temperaturat mund të zbresin deri në –8 gradë Celsius.

 

Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë për rrezik të shtuar të ngricave në rrugë dhe trotuare, duke u bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve të tregojnë kujdes të veçantë. Mjegulla mund të kufizojë dukshmërinë, sidomos në ultësira dhe lugina.

 

Në zonat alpine, moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët mbi shtresën e mjegullës, me kushte të përshtatshme për aktivitetet dimërore, por temperaturat e ulëta kërkojnë veshje të ngrohta dhe kujdes gjatë lëvizjes.

 

MeteoSwiss bën të ditur se situata meteorologjike do të vazhdojë të monitorohet dhe se përditësimet lokale për rajone të caktuara janë të disponueshme përmes kanaleve zyrtare, përcjell albinfo.ch

Linku: .meteoswiss.admin.ch

 

Takimi Trump – Zelensky në Florida

Takimi i zhvilluar mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i mbajtur në Florida, është vlerësuar si një hap pozitiv në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për paqen në Ukrainë. Deklaratat e udhëheqësve dhe analizat pas takimit kanë reflektuar pritshmëri për avancim të dialogut diplomatik.

Sipas raportimit të Deutsche Welle , Presidenti Zelensky ka falënderuar Trumpin për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se bisedimet kanë qenë të hapura dhe konstruktive. Ai ka nënvizuar se takimi ka shërbyer për të qartësuar qëndrimet dhe për të diskutuar hapa konkretë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit.

Nga ana e tij, Presidenti Trump e ka cilësuar takimin si të frytshëm, duke theksuar se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën në bashkëpunim me aleatët evropianë dhe Kanadanë. Ai ka vënë në dukje rëndësinë e unitetit ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë.

Diskutimet kanë përfshirë edhe çështje të sigurisë, ndihmës ushtarake dhe perspektivën e rindërtimit të Ukrainës. Sipas analistëve, takimi krijon një bazë të re për koordinim më të ngushtë politik dhe diplomatik në muajt e ardhshëm.

Takimi Trump–Zelensky shihet si një sinjal i qartë i angazhimit të vazhdueshëm të partnerëve perëndimorë për të mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj për paqe dhe stabilitet, përcjell albinfo.ch.

Bëhet publike agjenda e “House of Kosova 2026” , vetëm 25 shtete kanë “shtëpitë” e tyre në Davos

Kosova do të jetë sërish për herë të dytë pjesë e Forumin Ekonomik Botëror në Davos (WEF) përmes iniciativës “House of Kosova”, duke u rreshtuar në mesin e vetëm 25 shteteve në botë që arrijnë të kenë përfaqësim të dedikuar me “shtëpinë” e tyre gjatë këtij forumi global, shkruan albinfo.ch.

House of Kosova do të jetë e hapur nga 19 deri më 23 janar 2026, çdo ditë nga ora 10:00, në adresën:
Grüenistr. 18, 7270 Davos Platz, duke shërbyer si pikë takimi për liderë politikë, sipërmarrës, investitorë dhe përfaqësues të diasporës.

Agjenda zyrtare e publikuar:

Sipas agjendës së publikuar, programi përfshin panele të nivelit të lartë, evente kulturore dhe aktivitete rrjetëzimi:

 E martë, 20 janar

16:00 – 17:00 | Panel Diskutimi
“Democracy, Security, and Governance in a New Era”
Me pjesëmarrjen e Albin Kurtit, Kryeministër i Republikës së Kosovës.

 E mërkurë, 21 janar

15:00 – 16:00 | Panel Diskutimi
“Europe’s Execution Engine: Winning the AI Race Through Specialization”

16:30 – 17:30 | Panel Diskutimi
“Powering Growth Responsibly: Energy Security and Transition Pathways”

20:00 | KoncertAsgjë Sikur Dielli, grupi i njohur alternativ rock nga Prishtina.

21:00 – 00:00 | Event
“Kosova Night – Where Heritage Meets the Future” – mbrëmje kulturore me dialog dhe kuzhinë tradicionale.

 E enjte, 22 janar

16:00 – 17:00 | Panel Diskutimi
“Construction meets AI: Affordable, Climate-Ready Housing at Scale”

19:00 | Koncert – Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

19:30 – 22:30 | Event
“Diaspora goes Davos” – lidhja e sipërmarrësve dhe liderëve kosovarë nga e gjithë bota.

Një sukses diplomatik dhe ekonomik për Kosovën

Pjesëmarrja e Kosovës me House of Kosova në Davos përfaqëson jo vetëm një sukses diplomatik, por edhe një platformë strategjike për promovimin e vendit si destinacion për investime, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Në një forum ku vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë hapësira të dedikuara për prezantim, prania e Kosovës dëshmon për rritjen e rolit të saj në skenën globale dhe përkushtimin për të qenë pjesë aktive e diskutimeve mbi demokracinë, sigurinë, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Lexoni po ashtu:

Kosova rikthehet në Davos në Zvicër me “House of Kosova” 2026

Agjenda e e “House of Kosova 2026”:

Zvicra riafirmon mbështetjen për Maqedoninë e Veriut

Ambasadori i Zvicrës në Shkup, Christoph Sommer, është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve si dhe procesin e reformave në vend.

Gjatë takimit, ambasadori Sommer ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës, duke theksuar se ajo mbetet një nga partnerët më të mëdhenj bilateralë të bashkëpunimit për Maqedoninë e Veriut. Ai nënvizoi angazhimin e fortë zviceran për agjendën e reformave, integrimin evropian dhe dialogun e hapur të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë.

Nga ana e tij, kryeministri Mickoski vlerësoi rolin e Zvicrës si një partner i rëndësishëm strategjik dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në proceset reformuese dhe zhvillimore.

Të dyja palët theksuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut në fusha me interes të përbashkët.

 

Euro në rënie historike ndaj lekut shqiptar

Euro po vijon rënien edhe gjatë kësaj jave, duke shënuar nivelin më të ulët historik në raport me lekun shqiptar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane aktualisht këmbehet me rreth 95.6 lekë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, kjo rënie lidhet kryesisht me ofertën e shtuar të valutës në treg – një dukuri tipike për periudhën e fundvitit, e nxitur nga kthimi i emigrantëve dhe flukset e shtuara të euros në ekonomi.

“Zhvlerësimi i euros lidhet me flukset hyrëse nga turistët dhe emigrantët, të cilët sjellin para në vend. Një pjesë e këtyre flukseve nuk kalon përmes kanaleve zyrtare”, shprehet ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Megjithatë, ajo vëren se ndryshe nga vitet e mëparshme, rënia vjetore e kursit ka qenë më e moderuar.

“Kjo situatë është e favorshme për ekonominë, sepse ndihmon në mbajtjen e ulët të inflacionit”, thekson Radonshiqi.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë vitit 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, në përpjekje për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut. Sipas ekspertëve, shpenzimet e fundvitit mund të sjellin vetëm luhatje të përkohshme të kursit në ditët në vijim.

Kërcënim i shtuar për sigurinë në Davos, edhe për shkak të vizitës së Trump

Edhe pse Forumi Ekonomik Botëror (WEF) nis vetëm pas tre javësh, përgatitjet në prapaskenë, sidomos në fushën e sigurisë, kanë kohë që janë në fazë intensive. Arsyeja kryesore për rritjen e masave është pjesëmarrja e konfirmuar e presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të marrë pjesë për herë të tretë në këtë forum.

Shefi i sigurisë së WEF-it dhe komandanti i Policisë Kantonale të Graubündenit, Walter Schlegel, ka bërë të ditur për Blick se vizita e Trump rrit ndjeshëm nevojat për personel dhe koordinim ndërkombëtar. Sipas tij, rreth 800 persona nga pala amerikane janë të përfshirë në përgatitjet, ndërsa karburanti për helikopterët amerikanë transportohet drejtpërdrejt nga baza ajrore Ramstein në Gjermani.

Armët dhe kompetencat nën kontroll zviceran

Një nga çështjet më delikate mbetet përdorimi i armëve nga truprojat e huaja. Autoritetet zvicerane vendosin saktësisht kush dhe ku mund të mbajë armë, në mënyrë që në rast emergjence të shmanget kaosi operativ.

Schlegel thekson se që nga viti 2015 kërcënimi terrorist për WEF konsiderohet i lartë, pavarësisht pranisë ose jo të presidentëve të mëdhenj.

Rreziku nga dronët dhe sulmet individuale

Në fokus të veçantë janë edhe dronët, të cilët tashmë përbëjnë rrezik real për sigurinë. Në zona të ndryshme të Davosit janë instaluar sisteme të posaçme për zbulimin dhe neutralizimin e tyre. Po ashtu, autoritetet janë në gatishmëri për sulme nga individë të vetëm ose grupe të vogla, përfshirë edhe atentate vetëvrasëse.

Protestatm të lejuara, por problematike

Protestat janë pjesë e përhershme e WEF-it dhe lejohen për sa kohë janë paqësore. Megjithatë, veprime të paplanifikuara si aksioni i Greenpeace në vitin 2025, shpesh u marrin policisë burime të vlefshme.

9 milionë franga për siguri

Këtë vit, shpenzimet për sigurinë arrijnë në rreth 9 milionë franga zvicerane. Qëllimi i këtij aparati gjigant sigurie nuk është vetëm mbrojtja, por edhe efekti parandalues ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.

Detajet e fundit mbi situatën e sigurisë do të prezantohen më 16 janar, tri ditë para fillimit zyrtar të WEF-it, në një konferencë për media në Davos.

 

Kosovë: Hodhi mbeturina nga vetura, policia dënon ngasësin e makinës

Një person është gjobitur me 50 euro nga Policia e Kosovës pasi u kap duke hedhur mbeturina nga vetura në rrugë.

Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ndërmori masat e nevojshme pas identifikimit të tij, në përputhje me ligjin në fuqi.

Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, të ruajnë pastërtinë dhe të mbrojnë mjedisin duke shmangur veprime të tilla.

Ilaçi Wegovy pritet të vijë në formë tablete, tregu i humbjes së peshës në rritje

Wegovy, një nga ilaçet më të përdorura kundër obezitetit, është miratuar në Shtetet e Bashkuara edhe në formë tablete. Deri tani, medikamenti ishte i disponueshëm vetëm si injeksion. Versioni oral pritet të dalë në tregun amerikan vitin e ardhshëm, ndërsa në Zvicër dhe Evropë mund të jetë i disponueshëm në muajt ose vitet në vijim, pasi aplikimi është në shqyrtim nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertëve, tableta mund të jetë një alternativë më e përshtatshme për pacientët që shmangin injeksionet, me një efikasitet të krahasueshëm. Megjithatë, marrja e saj kërkon respektimin e rregullave strikte, si përdorimi në mëngjes esëll dhe pa kombinim me medikamente të tjera.

Në Zvicër, Wegovy aktualisht është i disponueshëm vetëm në formë injeksioni dhe rimbursohet nga sigurimi bazë shëndetësor, por vetëm në kushte të rrepta mjekësore. Në vitin 2024, kostot e këtij trajtimi arritën rreth 43 milionë franga zvicerane, ndërsa rreth 40 mijë persona përfituan nga rimbursimi.

Ekspertët paralajmërojnë se shpenzimet mund të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme, duke arritur deri në 300 milionë franga. Ndërkohë, tregu i ilaçeve për humbje peshe po zgjerohet, me produkte të reja si Munjaro që pritet të hyjnë në treg, duke e bërë këtë sektor gjithnjë e më fitimprurës.

Kostot administrative të shëndetësisë zvicerane janë jashtë kontrollit, sipas ekspertëve

Arnaud Perrier, president i Akademisë Zvicerane të Shkencave Mjekësore (SAMS), paralajmëron se kostot administrative të sistemit shëndetësor po rriten në mënyrë të pakontrolluar. Ai sugjeron që kursime të mëdha mund të arrihen duke përmirësuar dokumentacionin e pacientëve dhe duke përdorur dosje elektronike dhe inteligjencë artificiale.

Perrier vë në dukje se rreth një e katërta e popullsisë heq dorë nga trajtimi mjekësor për arsye ekonomike. Ai gjithashtu sugjeron zgjerimin e orarit të punës së mjekëve dhe aksesin më të lehtë të kujdesit parësor për të lehtësuar presionin mbi urgjencat.

Shqipëri: Ngjarje e rëndë, 12-vjeçarja mbeti shtatzënë pas abuzimit seksual nga një 70-vjeçar

Një ngjarje e rëndë është bërë publike këtë të martë në fshatin Piskupat të Pogradecit, ku një vajzë 12-vjeçare ka rezultuar shtatzënë pas një kontrolli mjekësor në spitalin e Korçës.

Sipas informacioneve paraprake, e mitura dyshohet se është abuzuar seksualisht me forcë nga një burrë rreth 70 vjeç, person i njohur për familjen e saj. Rasti është zbuluar pasi prindërit kanë vënë re ndryshime fizike te vajza dhe e kanë dërguar për ekzaminim mjekësor, ku u konfirmua se ajo ishte rreth 22 javëshe shtatzënë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se i dyshuari e kishte kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen. Pas denoncimit, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar 70-vjeçarin.

Aktualisht, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore, ndërsa familjarët janë marrë në pyetje. E mitura ka dhënë dëshminë e saj në prani të një psikologu. Sipas të dhënave, abuzimi dyshohet të ketë ndodhur në banesën e të arrestuarit.

Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

 

 

Sezoni i hershëm i gripit ngarkon spitalet

Sezoni i gripit e goditi Zvicrën dukshëm më herët se zakonisht këtë vit. Kjo tregohet nga shifrat e Zyrës Federale të Shëndetit Publik, si dhe nga situata në spitale, transmeton albinfo.ch.

Për shkak se shumë zyra mjekësore janë të mbyllura gjatë festave, më shumë njerëz po drejtohen në dhomat e urgjencës, shkruan srf.ch.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, më shumë se dyfishi i njerëzve vizituan një zyrë mjekësore javën e kaluar me simptoma të gripit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në Spitalin Universitar të Bazelit, numri i pranimeve është rritur ndjeshëm. Pati dukshëm më shumë shtrime në spital, veçanërisht rreth dhe pas Krishtlindjeve.

Për shkak të numrit të lartë të rasteve të gripit, spitali ka futur një politikë të detyrueshme të maskave.

Rrezik i shtuar i zjarreve në pyje në lartësi të mëdha për shkak të thatësirës

Thatësira po rrit rrezikun e zjarreve në pyje në disa rajone malore të Zvicrës. Kantonit të Bernës, për shembull, u ka bërë thirrje autoriteteve dhe qytetarëve për vigjilencë të shtuar në përdorimin e zjarrit dhe fishekzjarrëve në zonat me diell dhe pa mbulesë bore.

Zonat e prekura ndodhen mbi rreth 1.000 metra mbi nivelin e detit, kryesisht në Oberland-in e Bernës dhe në Jura-n bernese, bëri të ditur të martën Zyra Kantonale për Pyje dhe Rreziqe Natyrore. Sipas kësaj zyre, niveli i rrezikut nga zjarret në pyje aktualisht është 2 nga 5, që përkufizohet si “rrezik i moderuar”.

Si pasojë, kantoni rekomandon që zjarret të lihen vetëm pasi të jenë shuar plotësisht dhe të jenë ftohur. Në kushte me erë, këshillohet që të mos ndizet asnjë zjarr. Ndërkohë, në zonat më të ulëta, ku ditët e fundit ka pasur shpesh mjegull ose ngrica, rreziku i zjarreve të pakontrolluara në pyje apo në hapësira të hapura mbetet i ulët.

Niveli i rrezikut 2 vlen gjithashtu për shumë zona të kantonit Graubünden (Grisons), Ticino, si dhe për Lihtenshtajnin, sipas hartës së rreziqeve të publikuar të martën nga Zyra Federale për Mjedisin.

Zjarri në Valais-in e Epërm

Për shkak të thatësirës, disa komuna në Valais-in e Epërm kanë vendosur ndalim të plotë të zjarreve. Ky vendim erdhi pas një zjarri që shpërtheu nën një teleferik për ski në vendpushimin turistik të komunës Bellwald. Dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një cigare e hedhur, deklaroi kryetarja e komunës, Jeannine Burgener, për gazetën rajonale Berne Fribourg Valais në radion SRF.

Ndalimi i zjarreve dhe fishekzjarrëve zbatohet veçanërisht në komunat Fiesch dhe Riederalp. Ndërsa në Brig-Glis dhe Naters, rekomandimi i mëparshëm për të shmangur fishekzjarrët dhe zjarret malore është shndërruar tashmë në ndalim zyrtar.

A do të vazhdojë të forcohet frangu zviceran në vitin 2026?

Zvicra ka një nga monedhat më të forta në botë.

Sipas Bankës Kombëtare Zvicerane (SNB), “asnjë monedhë tjetër nuk e ka ruajtur vlerën e saj kaq mirë që nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore”.

Ky është një rekord i vërtetë, por pse frangu është vlerësuar kaq shumë gjatë viteve, ndërsa kaq shumë monedha të tjera janë dobësuar?

Ka dy arsye kryesore për këtë, thotë SNB, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

E para është fakti se normat e interesit në Zvicër shpesh kanë tendencë të jenë më të ulëta se gjetkë.

“Kjo për shkak, ndër faktorë të tjerë, të inflacionit tradicionalisht të ulët të Zvicrës, si dhe të stabilitetit të saj politik dhe ekonomik.”

Arsyeja e dytë është reputacioni i frangës si një strehë e sigurt, veçanërisht në kohë pasigurie të lartë në mbarë botën, kur monedha zvicerane zakonisht fiton ndjeshëm në vlerë.

Si do të ecë frangu në vitin 2026?

Nuk është çudi që, duke pasur parasysh forcën e saj të kaluar, frangu pritet të ruajë trendin e tij rritës edhe në vitin 2026.

UBS parashikon që kursi i këmbimit EUR/CHF do të rritet në 0.94, ndërsa USD/CHF duhet të stabilizohet rreth 0.78.

Kjo për shkak të stabilitetit të vazhdueshëm politik të Zvicrës, borxhit të ulët, normës shumë të ulët të inflacionit, si dhe një ekonomie të fortë dhe shumë inovative, tha UBS. Dhe, në një kthesë të çuditshme, franga bëhet edhe më e fortë gjatë trazirave ekonomike që ndodhin përtej kufijve të Zvicrës.

“Rreziqet për perspektivën ekonomike globale anojnë më shumë drejt rënies sesa drejt rritjes, dhe surprizat politike ose tensionet gjeopolitike mund të shkaktojnë vlerësim të mëtejshëm të frangës në çdo kohë”, raportoi banka.

Prandaj, ne duhet të jemi të përgatitur për një forcim të mundshëm të mëtejshëm të frangës edhe në vitin e ardhshëm, vunë në dukje analistët e bankës.

Kush do të përfitojë më shumë nga raporti frangë e fortë-euro e dobët?

Në vitin 2026, ashtu si në vitet e kaluara, fituesit e qartë janë banorët e Zvicrës.

Për shembull, importet nga BE-ja bëhen më pak të kushtueshme për konsumatorët zviceranë.

Por ka edhe më shumë përparësi – veçanërisht në aspektin e turizmit të blerjeve: blerja e produkteve në vendet e eurozonës do të mbetet e favorshme, pasi franga do të shkojë shumë më tej atje sesa në vend – edhe pse grupi i konsumatorëve të Zvicrës pretendon se kursimet reale janë minimale:

Në të njëjtën mënyrë, zviceranët do të paguajnë më pak për pushime në vendet e huaja.

Me frangun më të fortë se euro dhe dollari amerikan, ju patjetër që mund të përfitoni nga udhëtimet jashtë vendit – të paktën në aspektin e akomodimit dhe ushqimit ndërsa jeni atje.

Dhe ekziston një grup tjetër që do të përfitojë gjithashtu nga këmbimi valutor: punëtorët ndërkufitarë.

Më shumë se 400,000 njerëz nga shtetet fqinje të eurozonës vijnë për të punuar në Zvicër çdo ditë, duke u kthyer në vendet e tyre të origjinës natën dhe në fundjavë.

Meqenëse pagat e tyre paguhen në franga dhe shpenzimet e tyre janë në euro, ata me siguri do të përfitojnë nga kursi i këmbimit frangë-euro.

Mirë për konsumatorët zviceranë, por për industritë e eksportit – jo aq shumë

Eksportet zvicerane janë në disavantazh kur frangu është më i fortë se euro. Një frang i fortë i bën produktet zvicerane më të shtrenjta jashtë vendit, gjë që penalizon eksportuesit dhe zvogëlon konkurrueshmërinë e tyre, veçanërisht në sektorë kyç si prodhimi i orëve, inxhinieria precize dhe farmaceutika.

Shaqiri lejohet të ndërtojë vilën në Rheinfelden, me kushte

Ylli i futbollit Xherdan Shaqiri lejohet të ndërtojë një vilë të planifikuar në Rheinfelden, Aargau, në varësi të kushteve të caktuara. Një vendim përkatës nga Gjykata Administrative e Aargaut është bërë ligjërisht i detyrueshëm, transmeton albinfo.ch. Vendimi pasoi një beteje të gjatë ligjore mbi projektin e ndërtimit.

Ndërtesa e re, e cila do të përfshijë një apartament, garazh, pishinë të jashtme dhe hidromasazh, tani mund të ndërtohet, shkruan sda.ch. Megjithatë, duhet të instalohen perde në dritare, duke përfshirë edhe xhamat e shkallëve, siç deklaroi gjykata në vendimin e saj të 20 tetorit.

Roger Erdin, sekretar i qytetit të Rheinfeldenit, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA se vendimi anonim i Gjykatës Administrative ka të bëjë me projektin e ndërtimit të Shaqirit.

Beteja ligjore deri në Gjykatën Supreme Federale

Kundër ndërtimit, të cilin qyteti e kishte miratuar që në vitin 2022, ishin paraqitur kundërshtime. Në janar 2024, Gjykata Administrative e kishte revokuar lejen e ndërtimit sepse kishte zbuluar se zona e lejuar e zhvillimit të pronës ishte tejkaluar me 13 për qind.

Në mars të këtij viti, Gjykata Supreme Federale vendosi ndryshe për ankesën e Shaqirit kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Ajo vendosi që niveli i apartamentit në katin e parë nuk mund të përfshihej në llogaritjen e zonës së zhvillimit.

Kështu, çështja iu kthye Gjykatës Administrative të Aargaut për sqarim të çështjeve të mëtejshme.