I hiqet pasaporta zvicerane pasi fshehu të kaluarën kriminale

Një burrë rreth të 40-ave ka humbur shtetësinë zvicerane pasi autoritetet zbuluan se ai kishte fshehur të kaluarën e tij kriminale gjatë procesit të natyralizimit, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve mediale të publikuara të martën, ai kishte mbërritur në Zvicra në vitin 2003 si azilkërkues. Në vitin 2009 kishte marrë lejeqëndrimin tip B, ndërsa në vitin 2014 kishte siguruar lejen e përhershme të qëndrimit, tip C.

Në vitin 2015 ai kishte aplikuar për natyralizim në kantonin e Neuchâtel, duke u bërë shtetas zviceran një vit më vonë.

Megjithatë, në vitin 2020 ai u dënua për disa vepra penale që lidhen me transfere të dyshimta parash midis Zvicrës dhe vendeve të huaja. Gjatë këtij procesi, autoritetet kantonale zbuluan se ai kishte pasur precedentë penalë edhe para se të aplikonte për shtetësi – informacion që nuk e kishte deklaruar.

Si pasojë, autoritetet e Neuchâtel-it vendosën t’ia revokojnë natyralizimin. Aktualisht, ai nuk gëzon më shtetësinë zvicerane dhe konsiderohet sërish shtetas i huaj. /Albinfo.ch

Osmani e pret Spiropalin në Presidencë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryediplomaten shqiptare, Elisa Spiropali. Takimi mes tyre po zhvillohet në ambientet e Presidencës, përcjell albinfo.ch.

Vizita e ministres së Jashtme të Shqipërisë në Kosovë po zhvillohet në kuadër të takimeve zyrtare me krerët institucionalë të vendit. Paraprakisht, Spiropali u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Po ashtu, ajo ka bërë homazhe edhe në Prekaz, në nderim të familjes Jashari dhe sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës.

Detaje të tjera nga takimi në Presidencë pritet të bëhen publike pas përfundimit të tij./Albinfo.ch

Spiropali: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE

Ministrja për Europën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se në vizitën e parë në Prishtinë në këtë pozitë, e kishte për privilegj që ta bënte menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në një konferencë për media, ministrja shqiptare tha se Kosova për Shqipërinë nuk është një zgjedhje protokolli, por një zgjedhje historike e politike.

“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, është vijmësi i një rrugëtimi të përbashkët të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar”, tha ajo para mediave.

Për luftën e Kosovës, Spiropali tha se bota e pa një popull që nuk rreshti së kërkuari lirinë, ndërsa për Ditën e Pavarësisë, ministrja tha se ishte dita kur Kosova fitoi vendin e saj në hartën e botës.

“Viti 2026 duhet të jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektiviteti të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie për vendin e saj në Evropë”, shtoi ministrja.

Pos tjerash, Spiropali tha se forcimi i Kosovës ndërkombëtarisht, është sukses edhe për Shqipërinë.

“Integrimi evropian i Kosovës është testi i koherencës së vetë Bashkimit Evropian me vlerat që ai përfaqëson, Kosova ka dëshmuar qartësi euroatlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional. Sigurisht heqja e masave shtrënguese ishte domosdoshmëri, dhe besoj që tani ka ardhur koha që ta themi me plot gojën që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat pa standarde të dyfishta”, tha ajo.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm të Kosovës Glauk Konjufca, Spiropali ka thënë se në këtë mbledhje do të diskutohen marrëveshjet e nënshkruara më herët, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja.

“Biseduam edhe për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të mbajmë një takim të përbashkët në Shqipëri ose Kosovë ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, fushat me interes të përbashkët, janë të gjithë sektorët aty, dhe të gjitha prioritetet tona mes dy qeverive që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, ka thënë ajo.

Konjufca: Një president nga familja Jashari do të ishte “konsensus automatik” në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri, përcjell albinfo.ch.

“Një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt.

I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.

“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

Deputetët e Kosovës kanë afat deri më 4 mars që të zgjedhin presidentin e ri, pasi presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill. Osmani ka shprehur synimin edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Berlin, filmi “Someday, a Child” triumfon me “Golden Bear”

Filmi “Someday, a Child”, me regji të libanezes Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie artistin shqiptar Sokol Keraj, ka fituar çmimin prestigjioz “Golden Bear” për film të shkurtër në Berlin International Film Festival, transmeton albinfo.ch.

Çmimi “Ariu i Artë” (Golden Bear) u nda në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit, duke vlerësuar filmin 27-minutësh si më të mirin në kategorinë e tij. “Someday, a Child” është një bashkëprodhim mes Francës, Rumanisë dhe Libanit dhe pati premierën botërore pikërisht në Berlin.

Në qendër të ngjarjes është një djalë 11-vjeçar me aftësi të pazakonta, i cili jeton me xhaxhain e tij në një fshat libanez, ku zhurma e avionëve luftarakë është pjesë e përditshmërisë. Ndërsa xhaxhai përpiqet ta bëjë të duket “normal”, djali në fshehtësi vë në provë një fuqi që vetë mezi e kupton. Kur ai aksidentalisht shkakton rrëzimin e dy avionëve luftarakë, aftësia e tij e fshehur bëhet e pamundur për t’u kontrolluar.

Sokol Keraj, i cili në këtë projekt mban rolin e drejtorit të fotografisë, ka studiuar për regji filmi në Rumani dhe aktualisht është pedagog në Politecnico Grancolombiano në Bogota, Kolumbi. Në krijimtarinë e tij përfshihen edhe filma si “Dita e fundit e Loro Shestanit” dhe “Gëzuar Vitin e Ri 1982”.

Ky sukses përbën një tjetër dëshmi të kontributit të artistëve shqiptarë në produksione ndërkombëtare dhe rritjes së prezencës së tyre në skenën globale të filmit./Albinfo.ch

Rita Ora rikthehet si Mbretëresha e Zemrave në filmin e ri të “Descendants”

Disney ka publikuar pamjet e para nga filmi i pestë i sagës së njohur Descendants, që mban titullin “Descendants: Wicked Wonderland”. Parapamja u prezantua para transmetimit të “Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special”, duke zbuluar detaje nga aventura e re, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Botën e Çudirave (Wonderland) të ditëve të sotme, pas ngjarjeve të filmit paraprak. Red dhe Chloe përpiqen të fshehin një orë magjike në Kasafortën Mbretërore (Royal Vault), pa e ditur se Maddox Hatter është në kërkim të saj, i vendosur të ndryshojë fatin e Botës së Çudirave sipas planeve të tij.

Në këtë kapitull rikthehet këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora në rolin e Mbretëreshës së Zemrave. Gjithashtu, Brandy interpreton Hirushen, ndërsa Melanie Paxson rikthehet si Kumbara Magjike dhe Paolo Montalban si Mbreti Sharmant. Kasti plotësohet edhe me personazhe të reja si Pink, Luis Madrigal, Max Hatter, Hazel Hook, Robbie Hood, Felix Facilier, si dhe Squirmy Smee e Squeaky Smee.

Regjinë e mban Kimmy Gatewood, ndërsa skenari është shkruar nga Tamara Chestna, Dan Frey dhe Ru Sommer. Koreografitë muzikore janë realizuar nga koreografi fitues i çmimit Emmy, Emilio Dosal.

“Descendants: Wicked Wonderland” pritet të shfaqet këtë verë në Disney+ dhe në Disney Channel.

Ndërkohë, Rita Ora është pjesë edhe e “Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special”, ku interpreton këngën “Love Ain’t It”. Në një postim në rrjetet sociale, ajo u shpreh: “Po marr kurorën. Gjithmonë më pëlqen t’i këndoj këto këngë, sidomos me ‘Red’-in tim të vogël. ‘Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special’, me ‘Love Ain’t It’, është tani i disponueshëm në Disney+.”/Albinfo.ch 

1 milion euro të kapura në Merdare

Është zbuluar identiteti i policit të cilit iu kapën rreth 1 milion euro në pikëkalimin kufitar në Merdare Border Crossing. Sipas raportimit të Top Channel, bëhet fjalë për Aurel Kazia, efektiv policie pranë Komisariatit nr. 5 në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Dogana e Kosovës njoftoi se shuma e konsiderueshme e parave u zbulua brenda një automjeti gjatë kontrollit në kufi.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas kësaj, Dogana ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.

“Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

Efektivi në fjalë është arrestuar, ndërsa rasti po trajtohet nga autoritetet kompetente për procedura të mëtejshme ligjore./Albinfo.ch

20-vjeçari shqiptar humb jetën, hidhet në det pasi rrahu nënën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Civitanova Marche në Itali, ku më 22 shkurt humbi jetën 20-vjeçari Rikardo Mërkuri, i cili u mbyt në det. Pas tragjedisë ka reaguar babai i tij, Mario, duke dhënë detaje për mediat italiane rreth asaj që parapriu ngjarjen, transmeton  albinfo.ch.

Sipas tij, i biri dyshohet se i dha fund jetës në ujërat e akullta pasi besonte se kishte shkaktuar vdekjen e nënës së tij. “Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, është shprehur ai.

Familjarët bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes kishin darkuar së bashku për të festuar ditëlindjen e Rikardos. Më pas, babai ishte larguar nga shtëpia dhe gjatë asaj kohe mes nënës dhe djalit kishte shpërthyer një debat i ashpër, i cili kishte përfunduar me agresion fizik nga ana e të riut.

Nëna e tij, Albana Kastrioti, ishte gjetur nga bashkëshorti e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë. Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Macerata dhe më pas u transferua në spitalin rajonal të Torrette në Ankona, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të kirurgjisë maksilofaciale.

Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanovës që prej së dielës.

Familja, me prejardhje shqiptare dhe prej shumë vitesh e vendosur në Pollenza, është e njohur në komunitet. Përveç prindërve, Rikardo lë pas vëllain e madh Alessio dhe gjyshen.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka prekur thellë komunitetin lokal./Albinfo.ch

Spiropali nis vizitën në Prekaz, bashkë me Konjufcën takojnë familjen Jashari

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali bashkë  me homologun e saj në Kosovë, Glauk Konjufca kanë qëndruar për vizitë në Prekaz gjatë ditës së sotme, përcjell albinfo.ch.

Ata kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe kullën e familjes Jashari.

Në Prekaz, Spiropali dhe Konjufca kanë takuar Rifat Jasharin dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Më pas janë kthyer në Prishtinë pë t’i zhvilluar takimet zyrtare.

Krimet e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë prezantohen në Parlamentin Evropian në Bruksel

Në ambientet e European Parliament në Bruksel u prezantua libri “Hallka më e Fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”, i autoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja. Aktiviteti u organizua nga Embassy of the Republic of Kosovo in Brussels, në bashkëpunim me Delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Kosovën, transmeton albinfo.ch.

Prezantimi u zhvillua në kuadër të takimit të rregullt të delegacionit, i cili nisi me një këmbim mendimesh mes eurodeputetëve dhe ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Në pjesën e parë të sesionit, nën kryesimin e eurodeputetit kroat Davor Ivo Stier, ambasadori Bajrami informoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë organizimin e zgjedhjeve, procesin e formimit të institucioneve, miratimin e marrëveshjeve me European Union, buxhetin dhe progresin në integrimin evropian.

Ai theksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt vlerave euroatlantike dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së institucioneve evropiane për aspiratat e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Në pjesën e dytë të takimit, kushtuar promovimit të librit, morën pjesë autorja Anna Di Lellio dhe znj. Kadire Tahiraj, kontribuuese në hulumtimin e rrëfimeve dhe drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Ato folën për historitë gojore të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nxjerrë në pah krimet e rënda të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare, veçanërisht ndaj grave.

Gjatë diskutimeve u theksua se drejtësia ende mungon për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës, ndërsa u nënvizua se askush nuk është dënuar për këto krime të rënda. Autorja Di Lellio theksoi se ndjekja e drejtësisë mbetet thelbësore, sidomos në një kohë kur përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte vazhdon të përsëritet edhe në konflikte të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë.

Aktiviteti në Parlamentin Evropian u vlerësua si një hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e kujtesës dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë./Albinfo.ch

Elmonda Bajraliu kandidate në zgjedhjet komunale të Winterthur-it

Një tjetër emër shqiptar po shënon sukses në politikën zvicerane. Elmonda Bajraliu, shtetase zvicerane me prejardhje nga Kosova, do të jetë kandidate në zgjedhjet komunale të 8 marsit 2026 për Parlamentin e qytetit të Winterthur-it, nën siglën e FDP.Die Liberalen, transmeton albinfo.ch.

Bajraliu sjell në skenën politike një zë të ri dhe energjik, me fokus të veçantë te çështjet që prekin të rinjtë, arsimin dhe barazinë e mundësive. Ajo është aktive prej vitesh në jetën publike të qytetit, ku ka dhënë kontribut të dukshëm, përfshirë edhe rolin e saj si bashkëthemeluese dhe ish-bashkëkryetare e Parlamentit të të Rinjve të Winterthur-it.

Aktualisht, Elmonda Bajraliu punon si konsulente bankare dhe njëkohësisht ndjek studimet në Drejtësi të Aplikuar në ZHAW (Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften), duke dëshmuar përkushtimin e saj ndaj zhvillimit profesional dhe shërbimit publik.

Kandidimi i saj konsiderohet një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Zvicër, duke dëshmuar se shqiptarët po përfaqësohen gjithnjë e më shumë edhe në nivelet vendimmarrëse të shoqërisë ku jetojnë.

Zgjedhjet e 8 marsit 2026 pritet të jenë një hap i rëndësishëm në rrugëtimin politik të Elmonda Bajraliut dhe një shembull frymëzues për brezin e ri./Albinfo.ch

Lexoni po ashtu:

Elmonda Bajraliu: “Dua t’i jap zë brezit të ri“

Lexoni po ashtu:

Komuniteti shqiptar si urë lidhëse në një Winterthur multikulturor

Regjisori shqiptar Renis Hyka triumfon në Berlinale me projektin fitues “The Dream Makers”

Kinemaja shqiptare ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në edicionin e 76-të të Berlin International Film Festival. Regjisori shqiptar Renis Hyka është shpallur fitues i programit “The Dream Makers”, duke ndarë çmimin me regjisorin britanik Alfie Baker, transmeton albinfo.ch.

Projekti i Hykës do të prodhohet nga Studio Babelsberg, një nga shtëpitë më të njohura të prodhimit filmik në Evropë. Ky bashkëpunim garanton standarde të larta realizimi dhe një prezencë të fortë në tregun ndërkombëtar të filmit.

Ky sukses konsiderohet një dëshmi e rritjes së ndikimit të kinemasë shqiptare në industrinë globale të filmit, duke hapur rrugë për projekte të reja me prestigj ndërkombëtar dhe duke forcuar më tej prezencën shqiptare në skenën botërore të artit kinematografik.

Një arritje që jo vetëm nderon autorin, por edhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të filmit./Albinfo.ch

Vdes tragjikisht në vendin e punës i riu kosovar në Slloveni

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në diasporë. Mërgimtari nga Kosova,L.B, me prejardhje nga fshati Shkozë i Malishevës, ka humbur jetën tragjikisht në vendin e tij të punës në Slloveni, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur gjatë orarit të punës, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura publikisht. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga Policia sllovene, si dhe nga organet shëndetësore përkatëse.

Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike./Albinfo.ch

Kryediplomatja austriake pas takimit me Konjufcën: Mund të llogarisni në mbështetje tonë për rrugën drejt BE-së

Ministrja Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me Kryediplomatin e Kosovës, Glauk Konjufcën.

Konjufca po qëndron për vizitë në Austri, një nga vizitat e para prej se u emërua në krye të MPJ-së, teksa në takimin me homologen e tij, ai kërkoi mbështetje për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Kryediplomatja austriake ka thënë se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e fortë të Austrisë për rrugën drejt BE-së.

“Faleminderit për vizitën tuaj në Vjenë sot, si një nga vizitat tuaja të para si Ministër i Jashtëm, Glauk Konjufca! Që kur Austria, si një nga shtetet e para anëtare të BE-së, njohu Kosovën, janë zhvilluar lidhje të forta dypalëshe, përfshirë ato ekonomike, midis vendeve tona. Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë ato. Mund të llogarisni në mbështetjen tonë të fortë për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ajo në “X”.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë si dhe bashkëpunimin në funksion të stabilitetit rajonal.

Shqipëri: Udhëtarët mund të sjellin mallra deri në 430 euro pa taksa

Udhëtarët që hyjnë në Shqipëri me avion mund të sjellin mallra deri në 430 euro pa paguar taksa, për sa i përket përdorimit personal ose dhuratave, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Sipas rregullave doganore, mallrat për përdorim personal nuk paguajnë taksa nëse nuk kanë destinacion tregtar. Për ata që hyjnë nëpër kufirin tokësor, kufiri i pa-taksuar është 300 euro për udhëtar, ndërsa për ata që vijnë me rrugë ajrore ose detare, vlera arrin 430 euro. Për fëmijët nën 15 vjeç, kjo shumë është 150 euro.

Në rast se mallrat tejkalojnë kufirin e pa-taksuar, udhëtarët duhet të deklarojnë mallrat përmes procedurës së “Deklarimit të thjeshtuar”, duke respektuar ligjin dhe rregullat e importit. Kjo procedurë synon të thjeshtojë kalimin e kufirit dhe të sigurojë kontroll të rregullt doganor, duke mbrojtur tregun vendas dhe duke parandaluar importin e paligjshëm.

Studim: Proteinat e gjakut reduktojnë stresin dhe mund të ngadalësojnë plakjen

Hulumtuesit nga Gjeneva dhe Lozanë kanë zbuluar se gjaku i qindra-vjeçarëve përmban 37 proteina që mund të ngadalësojnë procesin e plakjes. Ky zbulim mund të hapë rrugën për terapi të reja kundër dobësisë së lidhur me moshën, sipas Universitetit të Gjenevës (UNIGE).

Sipas UNIGE, pesë nga këto proteina lidhen me stresin oksidativ, i cili mendohet se përshpejton plakjen. “Stresi oksidativ ishte ndjeshëm më i ulët,” tha Flavien Delhaers, hulumtues në Institutin e Fiziologjisë së Qelizave dhe Metabolizmit pranë Fakultetit të Mjekësisë të UNIGE dhe autor i parë i studimit, i cili u publikua në revistën shkencore Aging Cell.

Proteinat tregojnë “rininë” e gjakut

Mes proteinave të gjetura janë ato që rregullojnë matricën jashtëqelizore, disa mund të luajnë rol në luftën kundër kancerit, ndërsa një tjetër sugjeron se qindra-vjeçarët ruajnë një ekuilibër të shëndetshëm karbohidratesh. UNIGE thekson se jetëgjatësia duket e lidhur ngushtë me një metabolizëm të mirë të rregulluar, ku shëndeti metabolic optimizohet në vend që të intensifikohet.

Nuk është vetëm gjenetika

Hulumtuesit theksuan se sekreti i një jete të gjatë nuk mbështetet vetëm te gjenetika. Faktorë si dieta, aktiviteti fizik dhe lidhjet sociale janë po aq të rëndësishëm, ndërsa shmangia e mbipeshës ndihmon në ruajtjen e një metabolizmi të shëndetshëm.

Ky studim është pjesë e projektit hulumtues zviceran Swiss100, që fokusohet te qindra-vjeçarët dhe mbledh të dhëna nga katër fusha: sociologji, psikologji, mjekësi dhe biologji. Në Zvicër, qindra-vjeçarët përbëjnë vetëm 0.02% të popullsisë.

Pritje festive nga Ambasada e Kosovës në Austri

Ambasada e Kosovës në Austri organizoi pritje solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton albinfo.at

Ngjarja festive u mbajt sonte ( e martë) në ambientet e „Haus der Industri“ në Vjenë.

Në këtë mbrëmje morën pjesë rreth 300 të ftuar, kryesisht pjesëtarë të komunitetit tonë në Austri, gjegjësisht përfaqësues shoqatash kulturore, afaristë shqiptar e pjesëtar tjerë nga fusha të ndryshme aktive brenda këtij komuniteti, diplomatët nga bota, të akredituar në Vjenë, përfaqësuesi të institucioneve austriake, përfshirë edhe politikanët shqiptarë në institucionet e Austrisë.

Hapjen e kësaj mbrëmje e bëri Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me himnin e Kosovës për të vazhduar me fjalën përshëndetëse nga

Albinot Bimbashi, i Ngarkuari me Punë në Ambasaden e Kosovës në Vjenë, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroj 18-vjetorin e Pavarësisë, ndër të tjera theksoi rolin e bashkëatdhetarëve tanë dhe kontributin e tyre që nga lufta e Kosovës e deri më sot në zhvillimim e ekonomisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Foto: Arben Llapashtica

I pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës z.Glauk Konjufca.

Në fjalimin e tij, ai theksoi raportet e mira mes Austrisë me Kosovën duke shprehur mirënjohje për politikanë, e aktivistë të njohur austriak të cilët historikisht kontribuan në mbrojtjen e sigurisë sonë, por edhe sa i perket ekonomisë e kulturës, për çka shteti i Kosovës është gjithmonë mirënjohës. Me këtë rast ai veçoi, Alos Mock, ish minister i Jashtëm i cili u bë zë i fuqishëm i vendit dhe popullit tonë në vitet e 90-ta, pastaj ish-kancelari Franz Vranicki, zevëndeskancelari i tij,Erhard Busek, për të vazhduar me diplomatin,Albert Rohan e deri tek parlamentarët evropianë si: Ulrike Lunaçek e Lukas Mandl.

Foto: Arben Llapashtica

Festën e Pavarësisë e përshëndeti edhe Elizabeth Kornfeind, drejtoreshë për pranë MPJ-së në Austri. Ajo vlerësoi lartë angazhimin e diasporës shqiptare për punën dhe integrimin në shoqërinë austriake .

Foto: Arben Llapashtica

Mbrëmja festive vazhdoi me koncertin e Filharmonisë, duke shënuar një moment historik – prezantimin e parë të Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak.

Programi i mbrëmjes përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, si dhe interpretimet mbresëlënëse të sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani.

Foto: Arben Llapashtica

Publiku e priti me entuziazëm këtë mbrëmje të veçantë, e cila u realizua në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës – një dëshmi e fuqisë së kulturës si urë lidhëse mes dy vendeve.

Në fund, për të pranishmit ishte organizuar një koktej rasti

Foto: Arben Llapashtica

 

Foto: Arben Llapashtica

Gabim në Thurgau: I jepet shtetësia zvicerane një personi të vdekur

Parlamenti i kantonit Thurgau i dha shtetësinë zvicerane 140 personave javën e kaluar, përfshirë një gjerman 77-vjeçar nga Aadorf, i cili kishte ndërruar jetë në fillim të vitit. Informacioni për vdekjen e tij nuk u reflektua në listën e natyralizimeve, për shkak të sistemeve të ndara të të dhënave midis zyrës së migracionit dhe regjistrit civil.

Kryebashkiaku i Aadorf, Matthias Küng, kritikoi procesin, duke pyetur nëse është e drejtë që parlamenti merr vendimin përfundimtar. Autoritetet e kantonit shpjegojnë se, për shkak të procedurave administrative komplekse, nuk ishte e mundur të reagoheshin në kohë, transmeton albinfo.ch.

Ligjërisht, personi i ndjerë nuk u bë qytetar zviceran; aplikimi për natyralizim përfundon me vdekjen e aplikantit. Thurgau natyralizon rreth 500 persona çdo vit, dhe raste të tilla, sipas autoriteteve, nuk mund të shmangen plotësisht.

Filharmonia e Kosovës prezantohet me sukses në Vjenë

Në Vjenën e njohur si qyteti i muzikës, është mbajtur një koncert i suksesshëm i Orkestrës Harkore të Filharmonia e Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Koncerti u organizua në bashkëpunim me Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri dhe u zhvillua në Haus der Industrie, duke shënuar një moment historik – prezantimin e parë të Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak.

Programi artistik përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri. Në këtë mbrëmje performuan edhe sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani, të cilat u mirëpritën nga publiku.

Mbrëmja u prit me entuziazëm nga të pranishmit dhe u realizua në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm të kulturës si urë lidhëse mes Kosovës dhe Austrisë.

Më shumë foto nga Arben Llapashtica:

Europianët synojnë të çlirohen nga dominimi i Visa dhe Mastercard

Europa po përpiqet të zvogëlojë varësinë nga gjigantët amerikanë të pagesave, Visa dhe Mastercard, një shqetësim që tani ndan edhe Mbretëria e Bashkuar. Të enjten, drejtuesit e disa bankave kryesore britanike u takuan për të diskutuar modernizimin e infrastrukturës financiare të vendit.

Për të fituar më shumë autonomi nga sistemet amerikane të pagesave, Bashkimi Evropian po zhvillon projektin e euros dixhitale. Ky iniciativë lind si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje të Bankës Qendrore Evropiane, e cila beson se mungesa e një infrastrukture të vërtetë evropiane të pagesave e ekspozon kontinentin ndaj vulnerabilitetit strategjik, veçanërisht në një kontekst të “militarizimit në rritje të mjeteve ekonomike”.

Aktualisht, shumica e kartave të përdorura në Evropë — dhe në Zvicër — lëshohen nga Visa dhe Mastercard, duke vendosur BE-në në varësi direkte nga Shtetet e Bashkuara.

Europa po rrit vetëdijen për kërcënimet gjeopolitike

“Eksperienca e Donald Trump ka treguar se Shtetet e Bashkuara mund ta përdorin këtë varësi si një instrument dominimi politik. Ata mund t’i ndalojnë çdo personi, organizate ose kompanie aksesin në mjetet amerikane të pagesave, gjë që vendos një shpatë të Damokleut mbi të gjitha politikat evropiane,” thotë Henry Sterdyniak, ekonomist dhe anëtar i Shoqatës së Ekonomistëve të Tronditur, të martën në programin La Matinale de la RTS, transmeton albinfo.ch.

Nëse Donald Trump vendos të bllokojë këto karta në Evropë, do të shkaktohej paralizimi i shumë shërbimeve dhe kaos i madh.

Për një kohë të gjatë, Europa nuk shqetësohej për këtë dominim amerikan. Sterdyniak flet për një “komoditet të butë.” Europa nuk e kishte imagjinuar që Shtetet e Bashkuara mund t’i përdornin këto karta si mjet shantazhi — një skenar që kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e bëri të mundur.

SVP, me 3700 nënshkrime kundër xhamisë së shqiptarëve në Schwyz

Dega Schübelbach e SVP ka nisur një peticion kundër xhamisë së planifikuar në Siebnen. Edhe pse nuk është ligjërisht i detyrueshëm, veprimi synon të ketë një efekt parandalues.

Shtëpia Läuffer në Glarnerstrasse në Siebnen, sipas shumë banorëve, duket në një pozicion tepër qendror për të vendosur në të qendrën kulturore islame të planifikuar, ose më saktë, xhaminë e shqiptarëve të këtij lokaliteti, transmeton albinfo.ch. Peticioni online i SVP po merr shumë vëmendje.

Raporti i fillimit të shkurtit në lidhje me një xhami të planifikuar në Siebnen ka ngjallur shumë polemika. Bashkësia Shqiptare-Islame e Altendorfit (AIG) kishte njoftuar qëllimin e saj për të blerë pronën e dyqanit Bébéhaus Läuffer në Glarnerstrasse në zemër të Siebnenit.

Ndërtesa do të mbetet aty ku është, por do të shndërrohet në një qendër kulturore islame, shkruan gazeta bote.ch. Një restorant është planifikuar për dyqanin aktual, dhe aneksi në pjesën e pasme do të përdoret si dhomë lutjesh. Prandaj, i gjithë projekti mund të përshkruhet si xhami.

Vetë termi “xhami” ndezi kambanat e alarmit në Siebnen dhe në komunën Schübelbach. Ndërsa qeveria kantonale e Schwyz-it nuk pa nevojë të rishikonte ndryshimin e pronësisë nga familja Läuffer te AIG, komuna e Schübelbach-ut paraqiti një ankesë në qeverinë kantonale.

Kryetari i Bshkësisë Shqiptare Islame kundërshton me forcë akuzën për “paratë e huaja”

Arsyeja e dhënë ishte dyshimi se individët dhe paratë e huaja mund të kenë shumë ndikim mbi Bashkësinë Shqiptare-Islame. Sinan Sadriu, presidenti i AIG, e mohoi me forcë këtë akuzë. Financimi sigurohet përmes anëtarëve të vetë klubit – dhe ndoshta përmes bankave.

Fakti që fokusi aktual është vetëm në blerjen e pronës duket se ka pak rëndësi në diskutimin publik. Në forume të ndryshme online, mund të lexohen disa nga tiradat më të ashpra lidhur me çështjen.

SVP Schübelbach dëshiron të adresojë shqetësimet e popullsisë lokale pas blerjes së shtëpisë Läuffer. Ekzistojnë frikëra për “rritje të problemeve me trafikun dhe parkimin; shqetësime të qetësisë në lagje; konflikte të mundshme në zonën e banimit dhe një ndryshim të qëndrueshëm në strukturën e lagjes”, përcjell albinfo.ch. Kështu përshkruhet në peticionin “Ndalo: Jo xhamisë në Siebnen!” me nëntitullin “Duam paqe në fshatin tonë!”

Peticioni është i disponueshëm vetëm online dhe mund të gjendet disi i fshehur në faqen e internetit të kantonit SVP.

Peticioni po merr një përgjigje të fortë. I postuar vetëm vonë të hënën pasdite (e javës së kaluar), ai kishte mbledhur tashmë afërsisht 1,500 nënshkrime brenda një dite. Në peticionin (i cili ndërkohë ka siguruar mbi 3700 nënshkrime), partia lokale përqendrohet në problemet logjistike. “Banorët kanë frikë nga rritja e trafikut dhe vështirësitë në parkim, si dhe nga shqetësimet nga zhurma në lagje, konfliktet e mundshme brenda zonës së banimit dhe një ndryshim i qëndrueshëm në karakterin e lagjes.

Deri të martën pasdite, mbi 3,700 përdorues e kishin nënshkruar peticionin.

Ligjërisht, peticioni nuk ka efekt, por Ueli Kälin, president i degës lokale Schübelbach të SVP-së, synon ta paraqesë atë në qeverinë kantonale për të mbështetur këshillin bashkiak.

A nuk po i bashkohet thjesht SVP Schübelbach “modës” së ndalimit? “Jo,” thotë Kälin – bëhet fjalë për t’i marrë seriozisht shqetësimet e popullsisë së shqetësuar, për t’iu drejtuar pasigurive dhe për t’i parë nga afër. Sigurisht, kur AIG (Shoqata e të Krishterëve në Altendorf) ende merrte me qira hapësirë ​​në restorantin e vjetër Löwen dhe më pas në Wägitalerstrasse në Siebnen, askush nuk dukej se kjo gjë do ta shqetësonte.

Megjithatë, vendndodhja në mes të fshatit, pranë dyqanit, është shumë më e spikatur. Për më tepër, ata kanë dëgjuar se ka pasur probleme të rregullta rreth dhomës ekzistuese të lutjeve në Talstrasse në Altendorf. Ueli Kälin: “Kjo është arsyeja pse duam të marrim masa parandaluese – nuk duam të përballemi papritur me një fakt të kryer.”

Gazet tjetër, Tages Anzeiger i ka kushtuar një artikull të zgjeruar temës së xhamisë në Siebnen. Ajo, përveç palës që po kundërshton xhaminë, ka konsultuar edhe palën që ka planifikuar ndertimin, pra bashkësinë Shqiptare Islame në Altensdorf si dhe një ekspert të njohur zviceran të islamit.

“Njerëzit që kanë frikë nga një xhami nuk janë marrë me Islamin”, thotë Sinan Sadriu, president i Bashkësisë Shqiptaro-Islame të Altendorfit (AIG). Ai thotë se rezervat në lidhje me xhaminë në Siebnen bazohen në paragjykime. Gjatë një vizite në zonën industriale në Altendorf, ku AIG ka drejtuar një dhomë lutjesh që nga viti 2011, ai përshëndet gazetarin me një shtrëngim të fortë duarsh. I pyetur nëse vizitorët femra duhet të mbajnë shami koke në dhomën e lutjeve, ai u përgjigj me jo.

Lidhur me kritikat, Sadriu thotë: “Ne i përmbahemi ligjit zviceran dhe ia kemi zbuluar të dhënat tona financiare kantonit”. Ai vetë ka vështirësi me njerëzit që nuk integrohen. Sadriu thekson se asnjë anëtar i AIG nuk mban pozicione drejtuese jashtë vendit, as qendra kulturore në Siebnen nuk financohet nga fonde të huaja.

“Shumica prej nesh kanë jetuar në Zvicër për tre breza: Si myslimanë, ne jemi pjesë e kësaj shoqërie”, thotë ai. Pyetjes për elementët radikalë brenda AIG-së (Bashkësisë Islame Shqiptare), ai i përgjigjet: “Dyert tona janë të hapura 24 orë në ditë. Nëse do të kishim diçka për të fshehur, nuk do t`i mbanim ato hapur.”

Eksperti i islamit, Hansjörg Schmid: “Xhamitë shqiptare në Zvicër nuk janë njohur për tendenca islamiste”

A pasqyron debati rreth vendndodhjes së xhamisë në Siebnen islamofobinë? Apo është i justifikuar shqetësimi se lëvizjet islamiste nga jashtë mund të ushtrojnë ndikim në qendrën në fjalë?

“Xhamitë shqiptare në Zvicër nuk janë njohur më parë për tendenca islamiste”, thekson Hansjörg Schmid, drejtor i Qendrës Zvicerane për Islamin dhe Shoqërinë në Universitetin e Fribourg-ut. “Edhe pse ka imamë individualë që i përkasin rrjeteve shumë konservatore”. Eksperti i Islamit nuk është i njohur drejtpërdrejt me komunitetin shqiptaro-islamik në Altendorf, por paralajmëron kundër nxjerrjes së përfundimeve të nxituara.

Ai di për raste kur xhamitë zvicerane janë sponsorizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe ose Arabia Saudite, shpjegon Schmid. “Por unë nuk jam në dijeni të ndonjë rasti të tillë që përfshin komunitetet fetare shqiptare në Zvicër.”

Ai i referohet një rasti që bëri bujë në kantonin e Glarusit rreth dhjetë vjet më parë. Në atë kohë, Kisha e Reformuar e Glarusit shprehu rezerva për një xhami të re në Netstal (Glarus). Akuza ishte se ajo po financohej nga Arabia Saudite. Schmid thekson se komuniteti fetar islamik shqiptar i bëri llogaritë e tij të disponueshme në atë kohë, dhe dyshimi nuk u mbështet.

“Në përgjithësi, Islami në Ballkan karakterizohet nga bashkëjetesa e shumë kulturave dhe është shumë i larmishëm,” thotë Schmid, transmeton albinfo.ch. Ai tregon për madhësinë e diasporave të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës në Zvicër: paratë kanë tendencë të rrjedhin nga Zvicra në vendet e origjinës dhe jo anasjelltas.

“Edhe nëse ka individë brenda Islamit shqiptar që shprehin pikëpamje problematike, është e rëndësishme të mos hedhim dyshime mbi të gjithë komunitetin shqiptar-islamik të Altendorf. “Ne dëshirojmë transparencë dhe integrim, por nëse përjashtojmë komunitetet islamike, mund të arrijmë pikërisht të kundërtën.”

Ankesa është aktualisht në pritje, siç konfirmohet nga një hetim me qeverinë kantonale të Schwyz. Dega ekzekutive pritet të marrë një vendim në tremujorin e parë të vitit 2026.

Megjithatë, mosmarrëveshja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme Federale.

Zvicra njofton programin e ri të bashkëpunimit me Shqipërinë për vitet 2026–2028

Zvicra ka prezantuar sot një fazë të re të bashkëpunimit me Shqipërinë për periudhën 2026–2028, me një buxhet prej 58 milionë frangash zvicerane. Ky program synon të forcojë qeverisjen demokratike, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën në vend.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut politik mes dy vendeve. “Prioritetet tona janë të qarta: do të vijojmë të fuqizojmë aksin e bashkëpunimit Bernë-Tiranë dhe të thellojmë partneritetet në fusha si inovacioni, siguria kibernetike, turizmi dhe arsimi profesional,” u shpreh Spiropali.

Didier Chassot, drejtor i Divizionit të Evropës dhe Lindjes së Mesme në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), vuri në dukje përkushtimin e Zvicrës për të mbështetur një demokraci gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë përtej vitit 2028.

Nga ana tjetër, Pietro Lazzeri, drejtor i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), nënvizoi se programi i ri synon të krijojë një ekonomi konkurruese dhe të orientuar nga inovacioni, duke mbështetur stabilitetin makroekonomik, klimën e biznesit dhe kapacitetin e eksportit në përputhje me standardet e BE-së. Programi përqendrohet në tre fusha kryesore: qeverisje gjithëpërfshirëse, zhvillim ekonomik dhe punësim, si dhe zhvillim urban dhe sfidat klimatike. Një veçori e rëndësishme është edhe krijimi i partneriteteve institucionale dhe marrëveshjeve të binjakëzimit midis institucioneve shqiptare dhe zvicerane.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, theksoi rëndësinë e lidhjeve direkte midis autoriteteve shqiptare dhe qendrave federale zvicerane në fusha si shkenca e ujit, energjia, statistikat, metrologjia dhe pronësia intelektuale.

Zvicra ka qenë një partner kryesor i Shqipërisë për mbi 30 vjet, duke kontribuar me më shumë se 500 milionë franga zvicerane në sektorë si qeverisja demokratike, arsimi profesional, mbështetja makroekonomike dhe shëndetësia. Bashkëpunimi realizohet përmes dy agjencive qeveritare zvicerane, SDC dhe SECO.