Presidentja Osmani pritet sot nga Papa Leoni XIV në Vatikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë këtë të shtunë, më 13 dhjetor, një vizitë zyrtare në Vatikan, ku në orën 10:00 pritet të takohet me Papa Leonin XIV në Pallatin Apostolik. Të paktën kështu ka njoftuar Presidenca, përcjell albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, presidentja Osmani do të mbajë gjithashtu një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Sipas njoftimit zyrtar, presidentja do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

Po ashtu, në selinë e Misionit të Posaçëm të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, presidentja Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, trupa diplomatike dhe personalitete të tjera.

Presidenca bën të ditur se gjatë kësaj vizite do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera, me qëllim forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.

 

Nis protesta në Shkup, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Protestues të shumtë janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për tubimin që po mbahet në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë mbledhur në Shkup për të mbështetur ish-krerët e UCK-së, të cilët po përballen më një gjykim në Hagë, njofton albinfo.ch

Protestues me qindra flamuj shqiptarë, qindra flamuj të UÇK-së dhe të shteteve aleate të Kosovës po valojnë sot në Shkup. Në ballë të protestuesve janë veteranë të UÇK-së, të mbështetur nga mijëra qytetarë nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova, Shqipëria e viset tjera shqiptare.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njofton se protesta e paralajmëruar më 13 dhjetor në Shkup është protestë paqësore, qytetare dhe gjithëpërfshirëse. Kjo protestë mbahet pas asaj në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.

Kurti sot, Abdixhiku nesër: takime në Zvicër për të kërkuar votat e mërgatës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë takime elektorale me mërgatën shqiptare në Zvicër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet  e parakohshme parlamentare, shkruan albinfo.ch.

Albin Kurti do të takohet sot, më 13 dhjetor 2025, me bashkatdhetarët në Cyrih. Sipas njoftimit, takimi do të mbahet në objektin Halle 622, në adresën Therese-Giehse-Strasse 10, CH-8050 Zürich, duke filluar nga ora 18:30. Në këtë tubim, Kurti pritet t’u drejtohet qytetarëve shqiptarë në Zvicër me thirrje për mbështetje elektorale.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku do të zhvillojë nesër, më 14 dhjetor 2025, një takim me mërgatën në Grenchen. Takimi është paralajmëruar të mbahet në Lindenstrasse 41, 2540 Grenchen, me fillim nga ora 15:30, nën sloganin “Takim me bashkatdhetarë – Zvicër”. Aktiviteti organizohet nga LDK-ja dhe synon mobilizimin e votës së diasporës.

Takimet në Zvicër zhvillohen në një kohë kur vota e mërgatës konsiderohet vendimtare në zgjedhjet në Kosovë. Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë rikujtuar më herët se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin e Gjermanisë nuk lejohet më pak se tre muaj para zgjedhjeve, çka ka bërë që aktivitetet elektorale të partive kosovare të fokusohen në vende të tjera evropiane, përfshirë Zvicrën.

.

Nderohet Festivali Sunny Hill për ndikimin ekonomik në Kosovë

Festivali Sunny Hill, një nga festivalet më të mëdha në rajon, është shpërblyer nga Oda Ekonomike e Kosovës me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025, në kuadër të gala-mbrëmjes “THE BEST OF KOSOVA 2025”. Festivali është vlerësuar për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në forcimin e imazhit pozitiv të Kosovës në nivel ndërkombëtar, përmes muzikës dhe industrisë kreative, transmeton albinfo.ch.

Si festival muzikor, Sunny Hill ka krijuar një platformë ku muzika, kultura dhe kreativiteti bashkohen, duke promovuar talentet dhe duke forcuar lidhjen e Kosovës me skenën globale të industrisë muzikore. Përveç vlerës artistike dhe kulturore, Sunny Hill Festival ka pasur edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Organizimi i festivalit ka gjeneruar përfitime të konsiderueshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, hotelerinë, gastronominë, transportin dhe shërbimet mbështetëse.

Impakti ekonomik është vlerësuar të jetë rreth 22 milionë euro, ndërsa ndikimi në media vlerësohet në qindra miliona euro, me mbi 150 media të akredituara nga e mbarë bota.

Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 100 mijë vizitorë gjatë tri ditëve të festivalit, nga afro 60 vende të ndryshme të botës. Hotelet në Prishtinë dhe në qytetet përreth kanë qenë 99% të rezervuara. Organizatorët këtë vit po ashtu kanë lansuar edhe platformën “Sunny Hill Travel”, e cila promovon turizmin dhe qëndrimin në Kosovë, ndërsa gjatë festivalit përdoruesit e saj kanë mundur të përfitojnë nga pakot e akomodimit, të cilat përfshijnë edhe biletat dhe transportin.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës theksuan se Festivali Sunny Hill përfaqëson një model të suksesshëm të mënyrës se si ngjarjet kulturore dhe muzikore mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit ekonomik dhe të diplomacisë kulturore.

Këtë vit në Festival performuan emra me nam si Dua Lipa, e cila u paraqit në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”, njëherësh turneu më i madh dhe më i suksesshëm i karrierës së saj deri më sot. Suksese të mëdha ajo ka shënuar edhe në platformën Spotify, ku numëron rreth 40 miliardë dëgjime totale. Albumet “Future Nostalgia” dhe “Radical Optimism” kryesojnë këto shifra, ndërsa hitet si “Don’t Start Noë” dhe “Levitating” kanë secila mbi një miliard dëgjime, duke dëshmuar se ajo është një nga artistet më të mëdha globale, me miliona dëgjues aktivë çdo ditë.

Po ashtu performoi edhe Shaën Mendes, një nga emrat më të mëdhenj të pop-muzikës globale, i cili u rikthye fuqishëm sivjet me turneun e tij “On The Road Again”; Peggy Gou, një nga figurat më të respektuara dhe me ndikim në skenën globale të muzikës elektronike; Anyma, i njohur ndërkombëtarisht për përfshirjen inovative të elementeve vizuale dhe teknologjike në performancat e tij si DJ; si dhe Fatboy Slim, i njohur për hitet e tij klasike dhe karrierën e gjatë shumëdekadëshe.

Në skenat e festivalit janë ngjitur edhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, si: Calvin Harris, J Balvin, Martin Garrix, Action Bronson, Skepta, Burna Boy, Miley Cyrus, Bebe Rexha, Stormzy, Black Coffee, The Martinez Brothers, dhe shumë të tjerë.

Festivali këtë vit po ashtu është nominuar për t’u zgjedhur si më i miri në Evropë, në kategorinë e Festivaleve të Mesme, nga “European Festival Aëards”. Vitin e kaluar, në të njëjtën kategori, arriti të renditet në mesin e pesë festivaleve më të mira

Kosova nis ndihmë humanitare për Gazën

Ndihma humanitare e ndarë nga Kosova për popullin e Gazës është nisur të shtunën me një anije nga porti i Mersinit në Turqi. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Kurtit, vendimi për ndarjen e kësaj ndihme ishte marrë nga Qeveria e Kosovës në muajin janar, por realizimi i saj u bë i mundur vetëm pas arritjes së marrëveshjes së fundit të paqes, e cila u ndërmjetësua nën udhëheqjen e presidentit amerikan.

Dërgesa humanitare, në vlerë prej 500 mijë eurosh, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije, si dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë, të destinuara për popullatën civile në Gaza.

“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza”, ka shkruar Kurti, duke falënderuar njëkohësisht Turqinë për mbështetjen në realizimin e këtij operacioni humanitar.

MY LASER VISION, adresa e duhur për ata që duan t`i heqin syzet

Në një kohë kur korrigjimi i shikimit është bërë më i sigurt se kurrë dhe teknologjitë e avancuara ofrojnë rezultate të menjëhershme, klinika MY LASER VISION në Wallisellen po tërheq gjithnjë e më shumë pacientë, sidomos nga komuniteti shqiptar në Zvicër.

Me konsultim falas, dy mjekë okulistë me mbi 20 vite përvojë, si edhe një optometrist me mbi 27 vite eksperiencë, kjo klinikë është shndërruar në një adresë referimi për ata që duan t’i heqin syzet përgjithmonë.

Ekip ekspertësh me mbi 25 vite përvojë pune

Dr. Med. Univ. Arno B. Sailer, është mjek kirurg i syve me mbi 20 vite përvojë në operime me laser dhe lente intraokulare. Bedri Sadiku, themelues i klinikës, është optometrist dhe augenoptiker (optik) me 27 vite eksperiencë, që prej vitit 1998. Ky ekip është shndërruar në një kombinim ideal të teknologjisë, përvojës dhe profesionalizmit.

Konsultimi falas, vendimi i parë drejt një jetë pa syze.

Këtu pacienti merr: Matje precize të syrit me pajisjet më moderne; Analizë të thelluar nga optometristi me 27 vjet eksperiencë; Opinion të dy mjekëve okulistë me përvojë të gjatë kirurgjikale; Sqarim të plotë të çdo metode trajtimi: Femto-LASIK, Trans-PRK, ICL, PRK, RLE/MIOL; Këshillim personal të përshtatur sipas stilit të jetës së pacientit

“Trajtimi i parë është falas dhe ne kemi top-referenca në Google”, thekson drejtuesi i klinikës, Bedri Sadiku.

Një vit rekord, mbi 700 trajtime të kryera

Vetëm këtë vit klinika ka arritur deri më tani një shifër mbresëlënëse: Mbi 700 trajtime të kryera me sukses. Kjo rritje lidhet edhe me besimin e madh të komunitetit shqiptar në Zvicër, si edhe pacientëve që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për t’u trajtuar këtu.

“Çmimi nuk është më i lirë se në vendet tona, ndaj shumë pacientë vendosin ta kryejnë ndërhyrjen këtu, me standard zviceran, siguri dhe kontroll mjekësor afatgjatë”, thotë Sadiku.

Pse pacientët zgjedhin operimin: jo sepse duhet, por sepse duan t’i heqin syzet

Korrigjimi me laser është një ndërhyrje elektive, nuk është i detyrueshëm mjekësisht. “Poenta është e qartë: njerëzit nuk e bëjnë këtë sepse duhet. E bëjnë sepse duan të heqin syzet dhe lentet”, shpjegon Sadiku.

Disa sigurime shtesë mbulojnë një pjesë të kostos së trajtimit, veçanërisht në rastet me indikacion të fortë mjekësor.

Teknologjia më moderne dhe rrezik minimal

Klinika operon në një hapësirë moderne prej 280 m² dhe është e pajisur me aparaturat më të fundit. Sipas mjekëve: Rreziku i komplikimeve serioze është më pak se 0.02%,. Komplikimet minimale janë të menaxhueshme dhe trajtohen lehtësisht. Rezultatet janë të qëndrueshme dhe zakonisht nuk ka nevojë për trajtim të dytë, përveç rasteve shumë të veçanta ose pacientëve shumë të rinj.

Historia e Bedri Sadikut – një karrierë prej 27 vitesh

Bedriu, sot 44 vjeç, e ka filluar karrierën në vitin 1998 si augenoptiker në Zvicër.

Ai ka punuar në optika të ndryshme, në pozita menaxheriale,në qendra refraktive si FokusLaser, ku fitoi shumë klientë shqiptarë.

“Falë klientëve shqiptarë, unë kam pasur guximin ta hap këtë ordinancë dhe falë tyre unë punoj sot në këtë klinikë që po shihni”, thotë ai për Albinfo.ch.

Klinika është e njohur nga sigurimet shëndetësore dhe funksionon sipas standardeve zvicerane të sigurisë dhe dokumentimit.

Estetikë, komoditet dhe filozofi e qartë

Bedriu ka shije të jashtëzakonshme për dizajnin e brendshëm, dhe kjo ndjehet në çdo detaj. Ambienti ngjanë më shumë në një galeri arti që të jep ndjesi e ngritësi se sa në një klinikë ku ju do të merrni një trajtim mjekësorë.

Ajo çfarë bie në sy në këtë klinikë, janë syzet e diellit gjenden dhe jo syze optike. Kur e pyesim Bedriun pse nuk ofron syze optike, ai përgjigjet: “Filozofia jonë është me ua heq syzet njerëzve, jo me ua shitur ato”. Shqiptarët në Zvicër e Kosovë e Maqedoni vijnë posaçërisht për trajtime me laser, dhe shpesh i referojnë miqtë dhe familjarët e tyre për shkak të përvojës së gjatë dhe standardit të lartë të zviceran të punës.

Adresa & Kontakt

MY LASER VISION

Richtiarkade 1, 8304 Wallisellen (ZH)

www.mylaservision.ch

 

 

 

Sa do t’u kushtojë realisht Botërori 2026 tifozëve të Zvicrës?

Të ndjekësh Kombëtaren e Zvicrës (Nati) nga afër në Botërorin 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të jetë një aventurë e kushtueshme. Sipas një analize të gazetës zviceraneBlick, çmimet e biletave, udhëtimeve dhe akomodimit pritet të kërkojnë një buxhet serioz për tifozët.

Vetëm për tre ndeshjet e fazës së grupeve, tifozët duhet të llogarisin një minimum prej rreth 3600 frangash zvicerane, pa përfshirë ushqimin dhe shpenzimet e tjera gjatë qëndrimit.

Biletat

Sipas Blick, biletat në kategorinë më të lirë për të tri ndeshjet e Zvicrës kushtojnë rreth 565 dollarë (rreth 450 franga). Ndeshja kundër Kanadasë, mikpritëses së turneut, është ndër më të shtrenjtat në fazën e grupeve. Nëse Zvicra kalon më tej, çmimet për fazat finale ngrihen ndjeshëm dhe mund të arrijnë në disa mijëra franga, ndërsa biletat ndahen me short nga FIFA.

Udhëtimet

Fluturimet nga Zvicra drejt qyteteve pritëse – San Francisko e Los Angeles deri në Vancouver – aktualisht kushtojnë rreth 1100–1200 franga. Blick vëren se këto çmime pritet të rriten sa më afër të jetë sezoni veror.

Akomodimi

Analiza e Blick tregon se çmimet e hoteleve në qytetet pritëse janë deri 342% më të larta gjatë turneut sesa në periudha normale. Për disa netë qëndrimi, tifozët duhet të llogarisin rreth 2000 franga për akomodim.

Përfundimi

Botërori 2026 do të jetë një përvojë e paharrueshme, por edhe një sfidë financiare për tifozët zviceranë. Analiza e Blick sugjeron që rezervimet të bëhen sa më herët, ndërsa ata që duan lehtësim nga stresi i organizimit mund të konsiderojnë paketat e udhëtimeve, edhe pse kushtet e tyre ende nuk janë publikuar.

 

Pse në Zvicër po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndërroni banesë?

Në Zvicër, gjithnjë e më pak njerëz po ndërrojnë vendbanim. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave (BFS), gjatë vitit të kaluar janë zhvendosur rreth 697 mijë persona, që përbën vetëm 9.3 për qind të popullsisë, një shifër që mbetet në nivelin më të ulët historik, njësoj si një vit më parë.

Sipas ekspertëve, nuk ka vetëm një arsye për këtë rënie të lëvizshmërisë. Çmimet e larta të qirave, mungesa e banesave të lira dhe mundësia e punës nga shtëpia (homeoffice) konsiderohen faktorë kyç. Megjithatë, paradoksalisht, pikërisht në zonat urbane  ku tregu i banesave është më i shtrenjtë dhe më i ngarkuar  njerëzit zhvendosen më shpesh sesa në zonat rurale.

Të dhënat tregojnë se kantoni Basel-Stadt ka shkallën më të lartë të zhvendosjeve, me 11.3 për qind të popullsisë që ka ndërruar banesë gjatë vitit 2024. Në anën tjetër, kantonet Obwalden dhe Nidwalden shënojnë shkallën më të ulët, me vetëm 7.4 për qind. Në përgjithësi, në qytete zhvendosja është rreth 10 për qind, ndërsa në komunat rurale mund të bjerë nën 3 për qind.

Sipas BFS-së, kjo lidhet edhe me strukturën e popullsisë: në qytete jetojnë më shumë të rinj, persona beqarë ose çifte pa familje të mëdha, të cilët janë më fleksibël për të ndërruar banesë. Grupmosha më aktive në zhvendosje janë të rinjtë mes 20 dhe 36 vjeç, ndërsa te 25-vjeçarët gati çdo i katërti ka ndërruar vendbanim.

Ekspertët paralajmërojnë se një shkallë shumë e ulët e zhvendosjes mund të ndikojë negativisht në dinamizmin e qyteteve. Sipas autoriteteve lokale, qytetet kanë nevojë për lëvizshmëri dhe banorë të rinj – studentë, punëtorë dhe emigrantë – për të ruajtur zhvillimin dhe inovacionin.

Sa i përket zgjidhjeve, qarqet politike borgjeze kërkojnë ndërtimin e më shumë banesave dhe thjeshtimin e procedurave administrative. Ndërkohë, Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve thekson se nuk mjafton vetëm ndërtimi i banesave të reja, por kërkon më shumë banesa me qira të përballueshme dhe mbrojtje më të fortë ndaj qirave abuzive.

 

Kalimi nëpër Serbi, gjashtë arrestime dhe një rrëmbim gjatë vitit 2025

Gjatë vitit 2025, autoritetet serbe kanë arrestuar gjashtë shtetas të Kosovës dhe dyshohet edhe për një rast rrëmbimi, kryesisht gjatë udhëtimeve transit përmes territorit të Serbisë. Shumica e të ndaluarve janë akuzuar për “krime lufte” ose “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”, akuza që familjarët dhe avokatët i konsiderojnë të pabazuara dhe politikisht të motivuara, shkruan albinfo.ch.

Një nga rastet më të përfolura është ai i Tefik Mustafës, i cili u ndalua në qershor 2024 në pikëkalimin kufitar të Merdarës dhe kaloi 13 muaj në paraburgim në Serbi, për t’u liruar më pas si i pafajshëm. Familja e tij thotë se ai ka pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikologjike nga kushtet e burgimit dhe aktualisht po trajtohet mjekësisht në Zvicër.

Vëzhguesit dhe ekspertët e lidhin valën e arrestimeve me ndërprerjen e dialogut Kosovë–Serbi dhe mungesën e bashkëpunimit mes sistemeve të drejtësisë. Sipas tyre, qytetarët po kthehen në “kolateral politik” të tensioneve mes dy vendeve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka përsëritur thirrjet që qytetarët të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, duke vlerësuar se ky territor nuk ofron siguri minimale juridike dhe fizike për shtetasit kosovarë.

Një artikull më i zgjeruar mbi këtë temë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.

Thirrje për drejtësi: Shkupi i bashkohet protestave për ish-krerët e UÇK-së

Sot në Shkup do të organizohet një tubim protestues në shenjë solidariteti me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë në proces gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, paqësore dhe qytetare.

Tubimi pritet të nisë në orën 13:00, në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët paralajmërojnë pjesëmarrje të qytetarëve jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga rajonet përreth. Protesta ka gjetur mbështetje edhe nga figura të njohura politike shqiptare në rajon, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar qytetarët t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se protesta synon kërkimin e drejtësisë dhe kundërshtimin e akuzave që, sipas tij, janë të motivuara politikisht. Ai ka deklaruar se këto akuza mbështeten në narrativa të fabrikuara nga Serbia, me ndikim rus, dhe ka theksuar se pjesëmarrja në protestë është një akt i ndërgjegjes kolektive për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe nderimin e sakrificës së luftës çlirimtare.

Mbështetje publike ka shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se pas tubimeve të mbajtura në Prishtinë dhe Tiranë, edhe Shkupi po i bashkohet thirrjes për drejtësi. Ai ka vënë theksin te uniteti kombëtar dhe ruajtja e vlerave themelore, duke bërë apel për një protestë paqësore dhe dinjitoze.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje që ish-luftëtarët të mos marrin pjesë në tubim, për shkak të rrezikut të mundshëm të ndalimit nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, ekziston mundësia e arrestimeve, si pasojë e listave të Europolit që, sipas tyre, janë përcjellë nga Serbia

 

Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në Gjermani

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur për albinfo.at, familjarët e tij. 56 vjeçari shqiptar nga fshati Rainc nga komuna e Preshevës por me banim prej shumë vitesh në Austri, u gjet i vdekur sot(12 dhjetor 2025) rreth orës 12:40 nga një këmbësor në një pellg të vogël në Hundsdorf, në rrethinën e Passaut të Gjermanisë.

Kalimtari i rastit me të parë trupin e pajetë menjëherë thirri shërbimet e emergjencës. Zjarrfikësit arritën të nxirrnin trupin e pajetë. Sipas raportit të policisë gjermane, nuk ka shenja të ndonjë akti të paligjshëm apo dhune, megjithatë policia është duke u marr me rastin.

Si ndodhi zhdukja e Agim N.?

Sipas deklarimit të vajzës së Agim N. në policinë austriake, babai i saj, 56 vjeç, është larguar nga banesa e tij që nga mesdita e së shtunë të datës 29 nëntor. Nga banesa është larguar me veturën e tij, Opel Mokka të zezë kurse pa telefonon celuar.

Policia gjermane njoftoi ditë më parë se vetura është gjetur në një fushë në komunën e Hauzenberg, në rrethinën e Passaut. U raportua se vetura është gjetur e mbyllur, megjithatë nuk kishte asnjë shenjë të shoferit.

Familjarët e Agimit, kanë deklaruar për albinfo.at se, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërkohë nuk dihet se kur do të bëhet varrimi i të ndjerit.

Zvicër: Hyn në fuqi marrëveshja e re kolektive kombëtare e ndërtimit

Partnerët socialë në sektorin e ndërtimit kanë arritur një ujdi mbi arritjen e një marrëveshjeje të re kombëtare kolektive. Kjo u njoftua bashkërisht nga kompanitë e ndërtimit dhe sindikatat Unia dhe Syna pas raundit të dhjetë të negociatave, transmeton albinfo.ch.

Marrëveshja e re është e vlefshme për gjashtë vjet dhe, ndër të tjera, rregullon orarin e punës dhe kohën e udhëtimit të punëtorëve në vendin e punës. Ndryshime të mëtejshme përfshijnë rregullime të pagave për inflacionin dhe shtesa më të larta për punonjësit në minierat nëntokësore, raporton srf.ch.

Negociatat kanë zgjatur disa muaj dhe u shënuan nga greva të përsëritura nga punëtorët e ndërtimit. Marrëveshja aktuale, ende në fuqi, skadon në fund të vitit. Ajo rregullon kushtet e punës të afërsisht 80,000 punëtorëve.

Kosova pranon emigrantë të dëbuar nga SHBA, pa lidhje me vendin

Kosova ka nisur të strehojë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk kanë origjinë kosovare. Këtë e bëri të ditur të enjten në mbrëmje kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, autoritetet kosovare i janë përgjigjur pozitivisht një kërkese të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, duke pranuar fillimisht 50 persona të larguar nga SHBA-ja.

Në një deklaratë për mediat e Kosovës, Kurti tha se bëhet fjalë për persona që autoritetet amerikane nuk kanë dashur t’i mbajnë më në territorin e tyre. Ai shtoi se deri tani në Kosovë kanë mbërritur vetëm një ose dy emigrantë.

Kurti nuk dha informacione mbi shtetet e origjinës së tyre, ndërsa institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur detaje për statusin ligjor, mënyrën e akomodimit apo kohëzgjatjen e qëndrimit të këtyre personave në vend.

Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare

Me rastin e 10 Dhjetorit Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Shoqata “Parandalo”, në partneritet me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, organizoi një aktivitet solemn kushtuar promovimit të drejtësisë sociale, mbrojtjes nga diskriminimi dhe ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë te personat me aftësi të kufizuara dhe ata me prejardhje migrimi.

Aktiviteti u zhvillua në një sallë të përplotë, duke mbledhur një numër të madh pjesëmarrësish dhe duke reflektuar interesimin dhe vëmendjen e shtuar të komunitetit për çështjet e barazisë, qasshmërisë dhe të drejtave të njeriut, si dëshmi e ndjeshmërisë dhe angazhimit qytetar në rritje ndaj këtyre temave thelbësore.

Në kuadër të aktivitetit u rikujtua rëndësia historike e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si reagim ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky dokument themelor, i përbërë nga 30 nene, përcakton të drejtat dhe liritë bazë që i takojnë çdo njeriu, pa dallim gjinie, prejardhjeje, feje, statusi shoqëror apo aftësie të kufizuar, duke mbetur referencë universale e dinjitetit njerëzor.

Foto: Daut Luboja 

Programi vijoi me fjalimet institucionale. Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, theksoi se respektimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut nuk përbën vetëm një vlerë morale, por një detyrim ligjor dhe institucional. Ai nënvizoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton zbatimin e drejtpërdrejtë të instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kanë përparësi ndaj legjislacionit vendor. Si shembull të angazhimit konkret institucional, Berisha përmendi inaugurimin e ashensorit për personat me aftësi të kufizuara në Konsullatë, duke e cilësuar atë si simbol të qasshmërisë, barazisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

Në vijim, fjalën e mori Islam Alijaj, deputet në Parlamentin Federal të Konfederatës së Zvicrës, i cili theksoi se të drejtat e njeriut përbëjnë një arritje themelore që garanton bashkëjetesë në barazi dhe respekt të ndërsjellë. Ai nënvizoi rolin historik të Zvicrës si shtyllë e rëndësishme e arkitekturës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përmendur Gjenevën si seli të OKB-së dhe lidhjen e veçantë të këtij angazhimi me Kosovën. Duke folur si deputeti i parë me rrënjë kosovare në Parlamentin Federal të Zvicrës, Alijaj theksoi rëndësinë e përfaqësimit dhe barazisë, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara, si dëshmi se ata janë të barabartë dhe të vlefshëm në shoqëri. Ai vlerësoi angazhimin e Valdete Hotit në këtë drejtim dhe e cilësoi si hap të rëndësishëm inaugurimin e qasjes së plotë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, duke theksuar se ky veprim konkret pasqyron përkushtimin për barazi dhe të drejta të barabarta, si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.

Në fjalën e saj të zgjeruar, Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës “Parandalo”, theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e personave me aftësi të kufizuara nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër deklarativ, por duhet të përkthehet në politika konkrete, masa të zbatueshme dhe ndryshime reale në përditshmëri. Ajo vuri në dukje se, edhe pse Zvicra ka një kornizë të avancuar ligjore dhe infrastrukturë të zhvilluar për qasshmëri, në praktikë vazhdojnë të ekzistojnë barriera serioze, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara me prejardhje migrimi, të cilët përballen me diskriminim të shumëfishtë.

Sipas Hotit, këto grupe shpesh mbeten të padëgjuara edhe nga struktura dhe organizata që në parim angazhohen për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, duke mos i përfshirë si zë aktiv në proceset vendimmarrëse. Ajo theksoi se barazia reale kërkon vullnet të qartë politik, reforma strukturore dhe angazhim të koordinuar të gjithë shoqërisë, nga institucionet shtetërore te sektori shëndetësor, social dhe ekonomik, me arsimin si bazë themelore të çdo ndryshimi afatgjatë. Në përmbyllje të fjalës së saj, Hoti rikujtoi edhe përgjegjësinë individuale qytetare, duke cituar thënien e njohur të John F. Kennedy-t: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë shteti për ty, por pyet veten se çfarë mund të bësh ti për shtetin.”

Një dimension thelbësor të demokracisë zvicerane solli në vëmendje Orhan Spahiu, Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, jurist dhe anëtar i Shoqatës “Parandalo”. Ai theksoi se komuniteti shqiptar në Zvicër përbën një numër të konsiderueshëm qytetarësh me të drejtë vote, por se kjo e drejtë shpesh mbetet e pashfrytëzuar. Duke iu referuar Preambulës së Kushtetutës Federale të Zvicrës, Spahiu nënvizoi se vetëm ata që e përdorin lirinë e tyre janë realisht të lirë dhe se forca e një populli matet me mirëqenien e anëtarëve më të dobët. Ai ndau përvojën e tij profesionale, duke folur për shkeljet e përditshme të të drejtave të njeriut në fushën e migracionit, pabarazinë gjinore, dhunën në familje dhe mungesën e qasjes për personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se mosdalja në votim përkthehet në mungesë zëri dhe ndikimi. Sipas tij, përdorimi i së drejtës së votës është detyrim moral dhe shoqëror, veçanërisht në një sistem të demokracisë së drejtpërdrejtë si ai zviceran.

Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe ndarja e mirënjohjeve, si shprehje e vlerësimit për kontributin konkret në avancimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjes shoqërore. Nga Shoqata “Parandalo”, mirënjohjet u ndanë nga themeluesi i saj, z. Xhemal Selimi, për individë dhe institucione që kanë dëshmuar angazhim të vazhdueshëm dhe mbështetje të qëndrueshme ndaj misionit të shoqatës.

Mirënjohje iu ndanë Islam Alijajt; Ekrem dhe Shqiponje Hasanit (Spitex Melina’s Medical Care GmbH); Xheneta Zuzaku dhe Yllka Zuzaku-Mustafa (Spitex Diversity); Guxim Ramizit; si dhe Burim Ajrulit, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë a-ritex. Mirënjohje u ndanë edhe nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kontributit qytetar.

Aktiviteti u përmbyll me një koktej rasti. Programi u moderua nga Ramadan Morina, ndërsa mbrëmja u pasurua me interpretimin artistik të Flutra Bytyqit, duke i dhënë ngjarjes një dimension reflektues dhe solemn.

Ngjarja në Cyrih përcolli një mesazh të qartë: të drejtat e njeriut nuk mjaftojnë të njihen dhe të sanksionohen në dokumente, por duhet të jetohen dhe të mbrohen përmes veprimit konkret, pjesëmarrjes aktive qytetare dhe përgjegjësisë kolektive, në mënyrë që barazia, qasshmëria dhe dinjiteti të jenë reale për të gjithë.

Autor i fotografive: Daut Luboja

 

Refki Gollopeni: Arti si kujtesë, përgjegjësi dhe dialog me botën

Refki Gollopeni është artist pamor dhe pedagog i angazhuar prej dekadash në krijimtarinë artistike dhe edukimin kulturor. Praktika e tij përfshin pikturën, ilustrimin, heraldikën, mozaikët dhe skulpturën, me ekspozita të shumta në Kosovë dhe jashtë saj. Paralelisht me veprimtarinë krijuese, ai ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në edukimin artistik dhe në zhvillimin e platformave kulturore, përfshirë drejtimin artistik të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit “Festari”.

albinfo.ch: Nëse do të ishit i detyruar të përkufizonit me një fjali fillesën dhe drejtimin e rrugëtimit tuaj artistik, cili do të ishte vizioni përbashkues që e ka orientuar atë prej dekadash?
Refki Gollopeni: Dashuria për jetën, familjen, atdheun, natyrën dhe të bukurën janë pikënisje e rrugëtimit tim krijues dhe artistik.

albinfo.ch: Formimi juaj krijues shtrihet në një hark të gjerë kohor dhe gjeografik. Si ka ndikuar kjo ndërthurje e përvojave në ndërtimin e një identiteti artistik që mbetet njëkohësisht lokal në rrënjë dhe ndërkombëtar në shtrirje?
Refki Gollopeni: Autoktonizmi është gurthemel i identitetit personal, duke filluar nga fëmijëria deri te pjekuria profesionale ku jam tani. Çdo gjë që më rrethon, ngjarjet historike, identiteti kombëtar, fenomenet shoqërore dhe të natyrës, aktivitetet artistike dhe kulturore krijuan një bazament të fortë për të kaluar edhe në nivelin ndërkombëtar. Ky rrugëtim filloi nga dëshira dhe pasioni për t’u bërë artist që në shkollë fillore, u thellua në shkollën e mesme të artit “Odhise Paskali” në Pejë, më pas në studimet universitare dhe të magjistraturës në Universitetin e Prishtinës. E gjithë kjo ndikoi në pjekurinë time artistike dhe u reflektua në ekspozitat e shumta brenda dhe jashtë vendit.

albinfo.ch: Në praktikën tuaj shfaqet një gamë e gjerë mediumesh – nga ilustrimi te heraldika, nga mozaiku te skulptura. Cila është logjika e brendshme që i mban të bashkuara këto forma shprehjeje brenda një filozofie të vetme estetike?
Refki Gollopeni: Mediumet e ndryshme të shprehjes artistike më përmbushin si artist. Secili ka specifikat e veta dhe kërkon përkushtim të veçantë, ku shkrihet mendimi filozofik me idenë dhe paraqitjen estetike. Kam realizuar shumë ilustrime për libra për fëmijë dhe të rritur, ndërsa heraldika është një fushë shumë specifike që kërkon respektim rigoroz të rregullave grafike, thjeshtësi, kuptim të plotë dhe lexueshmëri. Kam dizajnuar dhe realizuar stema për institucione shtetërore dhe kompani private; për shembull, në stemën e Bashkisë Mirditë janë përfshirë mbi dy mijë vjet histori në një zgjidhje të vetme grafike. Sa u përket mediumeve artistike, shpirti im fle te piktura, aty jam më i lirë të shprehem emocionalisht.

albinfo.ch: Gjatë karrierës suaj keni ushtruar një rol të rëndësishëm në edukimin artistik. Si e përkufizoni përgjegjësinë pedagogjike në formësimin e brezit të ri të krijuesve?
Refki Gollopeni: Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1991 fillova punën si pedagog, në një kohë represioni dhe përjashtimi nga institucionet arsimore, çka solli organizimin e arsimit paralel dhe një rezistencë kulturore ku arti shërbeu si mbrojtje e identitetit kombëtar. Lufta për lirinë e Kosovës më gjeti të angazhuar drejtpërdrejt deri në plagosje. Pas luftës, me fokus te shërimi shpirtëror i fëmijëve dhe të rinjve, u angazhova në programe psikosociale dhe terapi arti, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe universitete amerikane, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në art, teknologji dhe inovacion.

albinfo.ch: Si e vlerësoni rolin e institucioneve kulturore të Kosovës në ndërtimin e një infrastrukture të qëndrueshme për artin bashkëkohor?
Refki Gollopeni: Kam qenë i përfshirë në themelimin e disa institucioneve kulturore, veçanërisht në Therandë. Pas luftës janë hedhur hapa të rëndësishëm, si krijimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Prishtinë dhe hapja e galerive private, por mbetet nevoja për qendra kulturore të Kosovës në kryeqendrat botërore, në funksion të artit dhe diplomacisë kulturore. Potenciali krijues ekziston dhe kërkon mbështetje të qëndrueshme institucionale.

albinfo.ch: Si e përcaktoni standardin profesional kur një artist bëhet kurator?
Refki Gollopeni: Çdo ekspozitë udhëhiqet nga një koncept i qartë kuratorial, mbi të cilin ndërtohen edhe standardet e përzgjedhjes. Kuratori kujdeset për koherencën dhe harmoninë vizuale të tërësisë. Në këtë kuadër, isha i nderuar për besimin e Shoqatës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në kurimin e ekspozitës “Nëntori i parë” në Konsulatën e Republikës së Kosovës në Cyrih.

albinfo.ch: Si e shihni marrëdhënien midis artit dhe përgjegjësisë ndaj historisë së një komuniteti?
Refki Gollopeni: Arti është mbamendje e një epoke dhe kujtesë e një kombi. Një pjesë e veprave të mia pasqyrojnë ngjarje historike që janë transformuar në simbolikë, ngjyrë dhe emocion, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike për ruajtjen e identitetit.

albinfo.ch: A e shihni konkursin si verifikim profesional apo si dialog estetik me botën?
Refki Gollopeni: Të dyja. Verifikimi nga juritë ndërkombëtare dëshmon pjekurinë profesionale, ndërsa dialogu estetik hap dyer të reja për pranimin e ideve. Kam marrë disa çmime dhe vlerësime ndërkombëtare që e kanë forcuar këtë dialog.

albinfo.ch: Si e konceptoni balancën midis lirisë krijuese dhe integritetit të veprës në epokën digjitale?
Refki Gollopeni: Teknologjia ndihmon realizimin e idesë, por ideja dhe emocioni burojnë nga shpirti. Në pikturë, ndjeshmëria humane ruan integritetin e veprës dhe e dallon atë nga prodhimi mekanik.

albinfo.ch: Cilat janë sfidat kryesore për artistët e rinj përballë teknologjive digjitale?
Refki Gollopeni: Artistët duhet të ecin me kohën, por të shmangin plagjiaturën dhe shkëputjen nga natyra. Mbamendja fizike dhe ajo shpirtërore duhet të ruhen krahas asaj digjitale.

albinfo.ch: Cila ka qenë ekspozita juaj e fundit?
Refki Gollopeni: Ekspozita ime e fundit personale ishte në Paris, në galerien La Ville A des Arts, me titull “Peizazh përtej asaj që shihet”. Aktualisht jam duke punuar ciklin “Fryma e fundit”, kushtuar kauzës së lirisë.

albinfo.ch: Çfarë roli luan diaspora shqiptare në qarkullimin e artit dhe ideve?
Refki Gollopeni: Diaspora shqiptare është ADN-ja e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kombëtar.

albinfo.ch: Si e shihni raportin krijues mes jush dhe djalit tuaj, Avni Gallopeni?
Refki Gollopeni: Avniu është dhurata më e bukur e jetës sime. E shoh si vazhdimësi estetike dhe njëkohësisht transformim të natyrshëm të traditës krijuese.

albinfo.ch: Cila vepër e juaja përfaqëson më mirë thelbin e krijimtarisë suaj?
Refki Gollopeni: Secila vepër është pjesë e qenies sime, por veçoj performancën “Kujtesa” në Pennsylvania State University dhe veprën “Liria e shpirtit të shenjtë” në Muzeun e Artit Modern në Napoli.

albinfo.ch: Dhe së fundi, nëse do ta përshkruanit veten me një fjalë të vetme?
Refki Gollopeni: REGO

Në këtë intervistë për albinfo.ch, Refki Gollopeni ndan reflektime të thelluara mbi rrugëtimin e tij krijues, artin si kujtesë dhe përgjegjësi, si dhe dialogun e vazhdueshëm që arti zhvillon me botën bashkëkohore.

“Kujtesa”,  Teknika Akrilik në pëlhurë    

        

“Kalorësit e pavarësisë”, Teknika Akrilik në pëlhurë                     

Posteri promovues i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Peisazh, Verë e kuqe dhe Akrilik në pëlhurë         

“Besa e Konstantinit”,  Teknika: Akrilik në pëlhurë  

Performansë:  Pikturim para audiencës në  Koloninë e artit në Sarandë- Shqipëri   

Më shumë informacione për punën e artistit gjeni në: Refki Gollopeni – Homepage

Intervistoi Luljeta Ademi

 

Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër

Në përfundim të çdo viti është një traditë e bukur që të bëhen rekapitullime, bilance për të përmbledhur arritjet e shënuara gjatë atij viti. Ndërsa arritjet të shumtën lidhen me individë të suksesshëm, që kanë bërë dallimin në vitin përkatës, të shumtën janë ata, pra personat konkretë që zgjidhen Personalitete të Vitit. Këtë traditë po e kultivon tashmë prej disa vitesh edhe platforma mediale, Albinfo.ch.

Dhe, duke qenë platforma më e madhe dhe e besueshme e mërgatës shqiptare (jo vetëm) të Zvicrës, Albinfo.ch ka një “kompetencë” të caktuar që ta bëjë këtë përzgjedhje. Për këtë flet fundja fakti se pothuajse të gjithë personalitetet kanë kaluar nëpër Albinfo.ch ose janë afirmuar edhe me ndihmën e saj.

Për vitin 2025, në mesin e shumë bashkatdhetarëve tanë që shënuan arritje në profesionin ose në fushëveprimin e tyre, redaksia jonë ka dalluar këta individë duke i “kurorëzuar” si Personalitete të Vitit.

Elina Duni, artistja që ndërthur xhazin me muzikën tradicionale të vendit të saj

Janë të rralla ato figura që arrijnë të harmonizojnë mjeshtërisht traditën, modernitetin dhe identitetin kulturor ashtu sikurse Elina Duni. Fitimi i çmimit Swiss Jazz Award 2025 e kurorëzon një rrugëtim të jashtëzakonshëm artistik, duke e vendosur atë në qendër të skenës zvicerane dhe evropiane të xhazit.

E lindur në Tiranë në vitin 1981, pas rënies së regjimit komunist, ajo, në moshën 10 vjeçare u zhvendos me nënën e saj në Gjenevë, ku pasi studioi pianon klasike, u  orientua drejt xhazit, gjuhës muzikore që do të bëhej boshti i identitetit të saj profesional.

Juria e Swiss Jazz Award e përshkroi Elina Dunin si një artiste “me talent të jashtëzakonshëm dhe me aftësinë për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, që ndërthur me delikatesë xhazin me muzikën tradicionale të vendlindjes së saj”. Më tej, juria theksonte se ajo “ka ditur të rinovojë gjuhën e xhazit dhe të frymëzojë një brez të tërë muzikantësh të rinj” – një vlerësim që i shtohet çmimit të saj të mëparshëm Swiss Music Prize 2017 dhe shumë vlerësimeve evropiane.

Në këtë kthesë të rëndësishme të karrierës, Elina Duni mbetet një artiste që e përdor muzikën si urë mes gjuhëve, historive, emocioneve dhe kulturave. Ajo vetë e përkufizon këtë mision artistik me thellësi.

Lorik Cana, imazhi që bashkon të gjithë shqiptarët

Lorik Cana njihet më së miri si një ikonë që e ktheu futbollin në një ngjarje familjare, sportisti që mbushte stadiumet përtej kapaciteteve, ai që e çoi Shqipërinë drejt UEFA Euro 2016 dhe lojtari që krijoi një ndjenjë të rrallë bashkimi kombëtar, ku të gjitha trojet shqiptare përfaqësoheshin në një skuadër, nën të njëjtën fanellë

Ai lindi në Prishtinë por karriera e tij nisi pikërisht këtu në Zvicër, në Lozanë, në klubin “Dardania” të udhëhequr nga i ati. Cana u rrit mes fanellave, fushës dhe disiplinës. Kulmi i rrugëtimit ishte padyshim pozita e kapitenit të Kombëtares. Përveç golave dhe depërtimit në skenën botërore, ai na dhuroi një krenari pothuajse mitike.

Sot, Lorik Cana përfaqëson një imazh me të cilin shqiptarët identifikohen anembanë botës.

Para se ta përfundonte karrierën aktive ai kishte vendosur të jepte një kontribut për shoqërinë dhe vendin. Dhe kështu filloi puna e fondacionit “Lorik Cana 5”, një fondacion që gërsheton botën e sportit me atë të kulturës.

Përmes aktiviteteve të fondacionit, Loriku mbetet po aq i pranishëm në media sa dikur, por sot vëmendja e tij ka marrë një drejtim tjetër.  Ndër projektet e fundit të fondacionit “Lorik Cana 5” është edhe një dokumentar i realizuar në bashkëpunim me regjisorin italian Alessandro Ferrantelli, me titull “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”. Ky dokumentar është shfaqur tashmë në New York, Firence dhe Cyrih, duke i dhënë kështu Lorikut jo vetëm një lidhje më të thellë me atdheun dhe shqiptarët e tij.

Fehmi Mahalla, trajner i kampionëve

Fehmi Mahalla është pjesë e historisë së karatesë zvicerane, me rezultate që pak sportistë në Evropë mund t’i arrijnë: Kampion i Evropës për seniorë, kategorisë së rëndë – Tenerife, 2005; Kampion i Lojërave Frankofone (2005–2007); Fitues 3 herë i turneut më prestigjioz botëror, Open d’Paris, në kategorinë e rëndë dhe absolute; 14 herë Kampion Shtetëror i Zvicrës; Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës për afro 20 vite

Ai luftoi për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet në arenën ndërkombëtare. Në këtë cilësi, Mahalla jo vetëm shënoi rezultate të jashtëzakonshme, por mbeti edhe shembull i dinjitetit dhe profesionalizmit në diasporë.

Pas karrierës si sportist elitar, Mahalla u bë trajner i kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri, duke u kthyer në arkitekt të sukseseve ndërkombëtare të dhjetëra sportistëve.

Ndërsa në rolin e trajnerit të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka kontribuar në ngritjen e këtyre dy ekipeve në nivele historike. Me Shqipërinë ka arritur dy medalje të argjendta evropiane, ndërsa me Kosovën rezultatin e jashtëzakonshëm të vendit të tretë në Evropë dhe Botë.

Merita Pinta, një grua e fortë në krye të 100 bashkëpunëtorëve

Merita Pinta është tashmë një emër i përveçëm në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe jo vetëm kaq. Ajo, duke themeluar dhe drejtuar një kompani (Prima Pflege) me dy shtëpi për të moshuar, ku punëson rreth 100 persona, është një punëdhënëse e respektuar në rrethin ku jeton, e më gjerë.

Për këto dhe merita të tjera, platforma mediale e ka zgjedhur atë Personalitet të Vitit 2025 për fushën e shëndetësisë.

Krahas drejtimit të dy shtëpive për të moshuar që e bën prej afër 10 vitesh, ajo ka marrë së fundi edhe një vendim të rëndësishëm: Të hapë një repart të veçantë përkujdesjeje për të moshuarit shqiptarë.

“Vendimi për të hapur këtë repart erdhi si pasojë e një realiteti që e kam përjetuar nga afër gjatë viteve të punës sime. Shumë të moshuar nga komuniteti ynë në Zvicër, edhe pse marrin kujdesin e duhur profesional, shpesh përballen me një izolim emocional për shkak të barrierave gjuhësore, ndryshimeve kulturore dhe traditave të tyre. Ata kanë nevojë për një komunikim të ngrohtë, për njerëz që i kuptojnë dhe një mjedis ku gjuha, ushqimi, muzika, besimet dhe zakonet janë pjesë natyrale e jetës së përditshme”, thotë ajo, veç tjerash.

Dr. Përparim Limani, në krye të Klinikës së Kirurgjisë në Kantonsspital Aarau

Vargut të profesionistëve mjekësorë që po arrijnë majat e mjekësisë në Zvicër i është shtuar edhe Dr. Përparim Limani.

Nga 1 dhjetori 2025, PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani merr drejtimin e Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau, një prej qendrave më të rëndësishme kirurgjikale në Zvicër. Emërimi i tij përveç që paraqet një hap profesional, është edhe një moment që shënon edhe një standard të ri të pranisë shqiptare në mjekësinë zvicerane.

Me dy doktorata një në mjekësi dhe një në shkencat natyrore, me një karrierë të formuar në Spitalin Universitar të Cyrihut, në laboratorin HPB nën drejtimin e Prof. Pierre-Alain Clavien dhe me një fellowship në MD Anderson Cancer Center në Houston, Dr. Limani vjen në këtë rol me një bagazh të jashtëzakonshëm kërkimi dhe eksperience klinike. Ai ka publikuar studime në Nature Communications, Annals of Surgery, Clinical Cancer Research, dhe ka trajtuar pacientë në programet më të avancuara onkologjike dhe robotike të Zvicrës.

Musa Kamenica, një ish refugjat, kryeparlamentar i Lozanës

Musa Kamenica është prej kohësh një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Lozanës, Vaudit dhe gjithë Zvicrës. Prej disa muajsh ai është zgjedhur në potin e kryetarit të Parlamentit të qytetit të Lozanës, njërit ndër 4 qytetet më të mëdha të Zvicrës, duke shënuar një arritje të madhe në politikën e vendit ku jeton.

Në vitin 1995, si 18 vjeçar së bashku me familjen ka migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Ka magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës.

Në vitin 2016 është zgjedhur për herë të parë asamblist në asamblenë (parlamentin) e qytetit të Lozanës. Këtë vit ai ka arritur të zgjidhet kryetar i kësaj asambleje ose Këshilli Bashkiak, që është posti më i lartë në pushtetin legjislativ të qytetit.

Më është dashur shumë punë, përkushtim dhe sakrificë për të arritur nivelin e bashkëpunëtorëve të mi, si në parti ashtu edhe në asamble. Nuk është e njëjtë të mbërrish në Zvicër në moshën 18-vjeçare, pa një rrjet të gjerë shoqëror, pa e njohur mjaftueshëm kontekstin lokal politik e shoqëror, ndërkohë që kolegët e  mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, duke pasur familje të integruara prej kohësh në sistemin institucional dhe politik të qytetit. Për këtë arsye, rruga për të arritur në pozitën që mbaj sot ka kërkuar dyfish më shumë përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet.

Adrian Bajrami, kthehet nga Benfika në Luzern dhe luan për Nati-n

Historia e Adrian Bajramit është rrëfimi i një brezi të ri futbollistësh që rriten mes dy kulturave dhe dinë ta ndërtojnë identitetin e tyre pa mohuar asgjë por duke zgjedhur vetë se ku duan të shkëlqejnë.

Ai e thekson shpesh: “Jam lindur dhe rritur në Zvicër, por jam dhe do të jem gjithmonë krenar që jam shqiptar”.

Në familjen Bajrami me prejardhje nga Struga e Maqedonisë, shqipja nuk është detyrim, por dashuri. Ky mjedis e formoi Adrianin si njeri, duke i dhënë një bosht të fortë vlerash: respekt për punën, sakrificën dhe mirënjohjen për familjen.

Karriera e tij nisi në Langenthal, më pas te Young Boys, ku kaloi vetëm një vit. Pikërisht aty u hap rruga drejt njërës prej akademive më të famshme në botë: SL Benfica, në Lisbonë të Portugalisë.

Në verën e vitit 2024, Bajrami vendosi të kthehej në Zvicër. Ai e përshkruan këtë hap si kthim në shtëpi, jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe ai emocional: “Ndihem shumë mirë të jem prapë pranë familjes që më ka munguar shumë kohë”. Adriani kishte luajtur për Zvicrën U18, më pas vendosi të përfaqësonte Shqipërinë në grupmosha dhe zhvilloi tri miqësore me Kombëtaren A.

Në vitin 2025, ai mori një vendim të vështirë: të rikthehej te Zvicra. Pas shpalljes së listës për eliminatoret e Botërorit, trajneri Murat Yakin e ftoi për herë të parë në Kombëtaren zvicerane.

FOTO: Genti Mersinaj

Lexoni po ashtu:

Magazina albinfo.ch sjell personalitetet shqiptare të Zvicrës për vitin 2025

Lexoni po ashtu:

AlbGala 2025: Mbrëmja ku u afirmua ekselenca shqiptare në Zvicër

 

 

 

 

 

 

 

Banorët e evakuuar të Brienzit mund të rikthehen të shtunën

Të shtunave dhe të dielave, hyrja është e mundur nga ora 9:00 deri në orën 17:00 nëpërmjet një pike kontrolli, siç thuhet në buletinin informativ të bashkisë të premten.

Ka gjithashtu plane për të lejuar hyrjen të mërkurën, të shtunën dhe të dielën gjatë muajve të dimrit, nëse situata e lejon, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Një perimetër sigurie është shënuar në zonën në veri të fshatit. Nuk mund të hyhet në asnjë rrethanë. Ekziston rreziku i rënies së blloqeve dhe copëtimit të gurëve.

Pjesa e poshtme e grumbullit të rrënojave të krijuar nga prishja në fund të nëntorit është ndalur. Në pjesën e sipërme, shpejtësitë janë ende në rënie.

Se si do të vazhdojnë gjërat për banorët e Brienz/Brinzauls në planin afatgjatë është e paqartë. Kushtet në mal do të rivlerësohen deri në fund të janarit. Më pas do të jetë e mundur të thuhet nëse do të jetë e mundur të hiqet evakuimi.

Ndërkohë, kantoni Graubünden ka premtuar ndihmë të mëtejshme. Të martën, parlamenti kantonal miratoi një kredi prej 50 milionë CHF (63 milionë dollarë) për zhvendosjen parandaluese të fshatit Brienz/Brinzauls, i cili kërcënohet nga masat shkëmbore.

Kjo do të kompensojë ata banorë që duan të largohen përgjithmonë.

Qeveria zvicerane thotë se të burgosurit e huaj duhet të marrin sigurim shëndetësor

Të premten, qeveria miratoi një projekt-amendament përkatës në Aktin Federal të Sigurimeve Shëndetësore. Tani është radha e parlamentit, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Nga të gjithë të burgosurit në Zvicër, një e treta – rreth 2,300 persona – nuk ishin të mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor në vitin 2023, tha qeveria. Sipas Kushtetutës Federale dhe traktateve ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat themelore dhe të njeriut, Zvicra ka përgjegjësinë të sigurojë shëndetin e të burgosurve, pavarësisht nga vendi i tyre i banimit. Kujdesi mjekësor duhet të jetë ekuivalent me trajtimin e njerëzve në liri.

Shpenzimet e kujdesit shëndetësor të shkaktuara nga këta njerëz deri më tani janë përballuar nga kantonet dhe janë financuar nga të ardhurat tatimore të kantoneve, u tha më tej. Shpenzimet kantonale janë përballuar nga institucione të ndryshme gjyqësore dhe penale, autoritetet shëndetësore ose autoritetet komunale të mirëqenies sociale. Deri më tani, financimi nuk ka qenë i standardizuar.

Në të ardhmen, qeveria shkroi se primi duhet të përballohet nga vetë personat e interesuar. Kantonet mund ta ulin primin dhe të kufizojnë zgjedhjen e siguruesit ose modelit të sigurimit. Sipas qeverisë, ndryshimi në Aktin Federal të Sigurimeve Shëndetësore do t’i bëjë kostot për kantonet më të parashikueshme. Në parim, të burgosurit nuk duhet të kenë të drejtë të zgjedhin mjekun e tyre.

Apartamenti më i shtrenjtë në Cyrih, kushton 24,000 CHF në muaj

Apartamenti më i shtrenjtë me qira në Cyrih sapo ka dalë në treg – një apartament i sapo rinovuar në majë të ndërtesës historike Bellevue.

Do të kushtojë 24,000 CHF në muaj, transmeton albinfo.ch.

Rezidenca në katin e pestë shtrihet në 267 metra katrorë, me një tarracë pothuajse sa madhësia e një apartamenti tipik me dy dhoma dhe pamje panoramike.

Çmime të tilla mbeten të jashtëzakonshme, madje edhe në Cyrih, ku prona të tjera luksoze kanë luftuar për të gjetur qiramarrës me më pak se gjysmën e kësaj tarife.

I bie mbi kokë paleta me tjegulla: Vdes në kantier nxënësi 15 vjeçar

Të enjten, një aksident në vendin e punës ndodhi në një kantier ndërtimi në Bex, Kantoni Vaud. Një nxënës 15-vjeçar humbi jetën pasi mbi të ra një paletë me tjegulla çatie, transmeton albinfo.ch.

Një djalë 15-vjeçar zviceran nga rajoni, nxënës në zanatin e ndërtimtarisë, u plagos për vdekje nga një kamion ndërsa shkarkonte një paletë me tjegulla çatie. Paleta u rrëzua mbi të për arsye që janë ende të paqarta. Pavarësisht reagimit të shpejtë të shërbimeve të emergjencës, viktima vdiq në vendngjarje.

Zyra e prokurorit publik ka hapur një hetim për incidentin.

Drejtori menaxhues i kompanisë shprehu tronditjen e tij duke folur për gazetën 20 Minutes. Ende në shok të premten në mëngjes, ai deklaroi se ishte “një incident teknik që askush nuk mund ta kishte parashikuar”.

Një dëshmitar, një ish-punëtor ndërtimi, vuri në dyshim respektimin e rregullave të sigurisë nga kompania e logjistikës në një intervistë me 20 Minutes, transmeton albinfo.ch.

“Ky i ri nuk duhej të kishte qenë kurrë vetëm në kamion dhe direkt nën ngarkesë,” deklaroi ai. Ai gjithashtu përmendi një automjet të mirëmbajtur keq dhe pohoi se “krahu i vinçit që shtrihej në tokë ishte i ndryshkur”.

(Foto: 20 minutes)

Zvicra do të blejë më pak avionë luftarakë F-35 sesa ishte planifikuar

Këshilli Federal do të blejë më pak avionë luftarakë F-35 sesa ishte planifikuar fillimisht. Ky vendim u mor në mbledhjen e tij të premten.

Plani fillestar ishte të bliheshin 36 avionë luftarakë. Elektorati miratoi një total prej 6 miliardë frangash zvicerane për këtë qëllim, transmeton albinfo.ch. Që nga vera e kaluar, ka qenë e qartë se SHBA-të po kërkojnë më shumë para për dërgesën, duke përmendur inflacionin dhe çmimet më të larta të lëndëve të para si justifikim.

Prandaj, Këshilli Federal tani synon të porosisë më pak avionë luftarakë në mënyrë që kostot të mos kalojnë 6 miliardë franga. Numri i saktë nuk dihet ende.

Në afat të mesëm, Këshilli Federal synon të zgjerojë më tej mbrojtjen ajrore. Një raport i vitit 2017 shërben si bazë për këtë.

Përfundimet e atij raporti “mbeten kryesisht të vlefshme”, njoftoi Këshilli Federal të premten, transmeton albinfo.ch. Sipas raportit në fjalë, Zvicra do të ketë nevojë për 55 deri në 70 avionë luftarakë modernë në të ardhmen – afërsisht dyfishi i atyre që do të blihen tani me blerjen e F-35.

Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton tani situatën, pavarësisht nga lloji i avionit, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm, raporton srf.ch. Ky shqyrtim do të marrë në konsideratë urgjencën e situatës së sigurisë dhe pjekurinë e teknologjive të reja.

Bazuar në këtë vlerësim, do të merret një vendim nëse sistemet ekzistuese do të përmirësohen apo do të sigurohen të reja.

Nemo rikthen trofeun e Eurovisionit

Eurovision po përballet me një krizë që po thellohet pasi këngëtari zviceran Nemo, fituesi i vitit 2024, njoftoi se do ta kthejë trofeun e tij në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në konkursin e vitit të ardhshëm.

Nemo, fituesi i parë jo-binar, argumenton se vlerat thelbësore të eventit janë të papajtueshme me lejimin e Izraelit për të konkurruar ndërsa lufta në Gaza vazhdon.

Vendimi i tij vjen pas bojkoteve nga Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda, pasi Unioni Evropian i Transmetimeve me seli në Gjenevë refuzoi të pezullonte Izraelin, transmeton albinfo.ch.

Me vetëm 34 vende të konfirmuara aktualisht, disa transmetues ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë.