Rekord pjesëmarrjeje në Festivalin e Mundjes Zvicerane në Mollis

Festivali i Lojërave Zvicerane të Mundjes dhe Alpeve (ESAF) përfundoi të dielën me një rekord historik pjesëmarrjeje. Rreth 56,500 spektatorë ndoqën ndeshjet në arenën më të madhe të përkohshme në botë, ndërsa 200,000 vizitorë frekuentuan zonën gjatë fundjavës, përcjell albinfo.ch.

Fituesi i këtij edicioni dhe “mbreti” i mundjes u shpall Armon Orlik, 30-vjeçar nga Graubünden.

Ngjarja u shënua nga një aksident tragjik, ku të premten në mbrëmje humbi jetën një tifoz 33-vjeçar. Sidoqoftë, Policia e Kantonit Glarus raportoi një situatë të përgjithshme të qetë, me rreth 80 ndërhyrje, kryesisht për raste dehjeje dhe vjedhje të vogla.

Për përballimin e fluksit të madh, kompanitë hekurudhore SBB dhe Südostbahn operuan 500 trena specialë me kapacitet prej 170,000 vendesh. Megjithëse trenat u mbipopulluan, trafiku hekurudhor vazhdoi pa probleme madhore.

Organizatorët dhe autoritetet lokale e cilësuan festivalin një sukses logjistik dhe sportiv, duke theksuar rëndësinë e tij kulturore për Zvicrën.

Zhegrova: Është si një ëndërr për mua, do të jap më të mirën për Juvën

Edon Zhegrova ka folur për herë të parë si lojtar i gjigantit italian, Juventus, përcjell albinfo.ch.

Ai dje zyrtarisht iu bashkua Juventuesit nga Lille për shifrën rreth 20 milionë euro.

Zhegrova duke folur për faqen zyrtare të torinezëve, është shprehur shumë i lumtur që do të vesh fanellën e ‘Zonjës së Vjetër’.

“Të jem i sinqertë, është si një ëndërr për mua. Është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time. Jam shumë krenar dhe ndihem i nderuar që barti këtë fanellë”, ka thënë Zhegrova.

Ai ka premtuar se do të jep më të mirën për Juventusin.

“Do ta mbaj këtë fanellë me shumë krenari dhe do ta jap më të mirën për skuadrën”, ka theksuar Zhegrova.

Pse u anulua seanca ndaj Haxhiut, Lekajt, Kadajt e Baftiut për gazin lotsjellës

Sot, me kërkesë të ish-deputetes Besa Baftiu, është anuluar seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin në të cili bashkë me ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, përcjell albinfo.ch.

Kështu kanë konfirmuar nga zyra e gjykatësit Bujar Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetët Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë i pati liruar të katërtit më 2021, por Apeli riktheu çështjen në rigjykim.

Referuar aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Sot ditë zie në Shqipëri për vdekjen e Dhimitër Anagnostit

Bëhet e ditur se Qeveria e Shqipërisë ka shpallur 2 shtatorin, ditë zie kombëtare në nderim të Dhimitër Anagnostit, një prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur 2 shtatorin, ditë zie kombëtare në nderim të Dhimitër Anagnostit, një prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës shqiptare.

Referuar  njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë ditës në të gjithë vendin flamujt do të ulen në gjysmështizë. Ndërkohë institucionet kanë organizuar homazhe për ta nderuar kontributin e Anagnostit.

Anagnosti vdiq të hënën në moshën 89-vjeçare. Ai konsiderohet një prej ikonave të filmit.

Anagnosti u diplomua në Moskë më 1960 dhe që në fillim të karrierës u dallua me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, i vlerësuar me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave të Kinemasë në Holandë.

Gjatë katër dekadave krijimtarie ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke hyrë në historinë e artit shqiptar me vepra të pavdekshme.

“Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, janë disa prej veprave të tij. Shumë prej tyre u shfaqën në festivale ndërkombëtare dhe u vlerësuan me çmime. Për artin e tij të rrallë Anagnosti u nderua me titullin “Artist i Popullit” dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar. Përveç kinemasë, ai dha kontribut edhe në politikë si deputet dhe ministër i Kulturës në fillim të viteve ‘90. Ishte gjithashtu ideator i fondacionit “Fan Noli” dhe autor i dramës “Nata e trokitjeve në xham”.

Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren Roza Anagnosti, duke krijuar një nga çiftet më të dashura të skenës shqiptare. Emri dhe filmat e tij do të mbeten përjetësisht pjesë e identitetit kulturor shqiptar.

Avdullahu dhe Hoxha krenarë që përfaqësojnë Kosovën

Kombëtarja e Kosovës ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Botëror, që do të zhvillohen këtë muaj. Dardanët do të përballen me Zvicrën më 5 shtator dhe më 8 shtator do të presin Suedinë në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Dy prurjet e reja të Kosovës, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, shprehen krenarinë për të përfaqësuar vendin e tyre. Në një video të publikuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, të dy theksuan përkushtimin dhe emocionet e tyre.

“Unë jam Leon Avdullahu, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Zemra më ka thënë të përfaqësoj vendin tim, Kosovën. Për vendin tim, zemrën në fushë e lë. Forca Kosova!”, deklaroi Avdullahu.

Ndërsa Hoxha shtoi: “Unë jam Veldin Hoxha, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Është nder të përfaqësoj vendin tim Kosovën. Forca Kosova!”

Përfshirja e dy lojtarëve të rinj thekson strategjinë e Kombëtares për të integruar talentet e reja dhe për të forcuar skuadrën për sfidat ndërkombëtare që vijnë. /Albinfo.ch

Kriza politike në Kosovë, 200 ditë pas zgjedhjeve pa qeveri të re

Tashmë mbi 200 ditë që prej se Kosova i mbajti zgjedhjet e fundit parlamentare. Por Kosova nga bllokada në bllokadë vazhdon të ngelë pa institucione të reja, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se bllokada e parë u shkaktua te numërimi i votave dhe problemet teknike.

Kujtojmë se më 27 mars u certifikuan rezultatet e më 15 prill deputetët e rinj u mblodhën për konstituim. Por konstituimi nuk ndodhi. E jo vetëm atë ditë, por u deshën edhe mbi 60 përpjekje të tjera e dy vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Fillimisht dështoi pasi nuk kaloi raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. E deputetëve iu verifikuan mandatet më 19 prill, në përpjekjen e tretë për konstituim. Deputetët e miratuan raportin, por nuk e mbështetën propozimin e Vetëvendosjes për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Ky emër dështoi edhe në seancat pasuese, deri kur Vetëvendosje kaloi në propozimin që votimi të bëhet në procedurë të fshehtë. Përderisa opozitarët e kundërshtonin votimin e komisionit, u deshën muaj të tërë dhe çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Më 26 qershor, kjo gjykatë vendosi që seanca duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Megjithatë, vendimi u interpretua ndryshe nga palët dhe Vetëvendosje vazhdoi me propozimin për komision për votim të fshehtë.

E lënda shkoi sërish në Kushtetuese. Më 8 gusht, kjo gjykatë nuk i dha të drejtë Vetëvendosjes në asnjërën prej dy pikave kontestuese me partitë opozitare. Votimi u vendos që duhet të jetë i hapur dhe se një kandidat ka të drejtë të propozohet vetëm tri herë.

Më 26 gusht, Dimal Basha i Vetëvendosjes u bë kryeparlamentar duke kaluar kështu pikën e tretë të rendit të ditës të seancës konstituive.

Sa u mendua që ngërçi me Kuvend po kalohet, erdhi bllokada tjetër. Bllokada u shkaktua te votimi për nënkryetarin nga komuniteti serb.

Fillimisht deputetët miratuan propozimet e tri partive shqiptare për nënkryetarë. E ndaras u propozua që të votoheshin dy emrat e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve. Ai i pari i komuniteteve joshumicë joserbe mori mbështetjen, por jo edhe propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Ai dështoi tre herë në votim. Kryetari Basha u shpreh se vendimi i Kushtetueses thotë që as për nënkryetarët një emër nuk mund të votohet mbi tre herë. Kështu ai i kërkoi emra të tjerë Listës Serbe, por që ajo nuk ofroi. E si pasojë, Basha çoi Kuvendin në votimin përmes shortit për nënkryetarin serb. Nga 10 deputetët, përfshirë Nenad Rashiqin që s’është i kësaj partie, askush s’i mori 61 votat e kërkuara. Pa nënkryetar serb, më 30 gusht, Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin. Madje ai ftoi edhe mbledhjen e kryesisë për të hënën 1 shtatorit. Por mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur nga kryetari Dimal Basha, nuk është mbajtur, pasi nuk kanë marrë pjesë nënkryetarët e Kuvendit nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike. Në takim kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe komuniteteve joserbe.

Se si do të vazhdohet tutje ende nuk është sqaruar. Nëse Kuvendi konsiderohet i konstituuar tani procedura shkon për formimin e Qeverisë. Megjithatë, nga Presidenca kanë bërë të ditur të hënën se ekipi ligjor po bën analizë lidhur me procesin e konstituimit.

E partitë opozitare po vazhdojnë ta akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës.

Ish-gjyqtarët e Kushtetueses ndërkaq janë të ndarë në qëndrime. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nuk mund të ketë konstituim pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, e ndryshe u shpreh ish-gjyqtarja Gjyljeta Mushkolaj.

Ngjyrat dhe traditat shqiptare në zemër të Ostermundigen me “Bashkimin”

Në festën tradicionale të qytetit të Ostermundigen, Mundigefescht, Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” është gjithmonë e pranishme, duke qëndruar pranë bashkëatdhetarëve tanë dhe duke kontribuar në ngjarjen e bukur të komunitetit, transmeton albinfo.ch.

Me pjesëmarrjen e saj, shoqata sjell ngjyrat dhe traditat shqiptare në zemër të komunitetit shqiptar dhe zviceran, duke promovuar kulturën dhe identitetin tonë. Kryetari i komunës, Thomas Iten, përgëzoi prezencën e Shoqatës në këtë ditë të veçantë.

Pjesëmarrja e anëtarëve të shoqatës në Mundigefescht është simbol i bashkëpunimit, integrimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, duke e ndarë atë me miqtë nga kultura të tjera.

Shoqata “Bashkimi” mbetet gjithmonë pranë shqiptarëve në Zvicër dhe njëkohësisht një urë lidhëse mes komuniteteve, duke përforcuar moton e saj:

“Bashkëatdhetarë Shqiptarë që Kontribuojnë në Motivimin dhe Integrimin e Shqiptarëve.”/Kryesia e Shoqatës Kulturore Shqiptare Bashkimi, Bernë.

 

Kosova publikon listën e futbollistëve për sfidat ndaj Zvicrës dhe Suedisë

Federata e Futbollit të Kosovës ka shpallur listën e futbollistëve të ftuar për dy përballjet e rëndësishme të muajit të ardhshëm, kundër Zvicrës dhe Suedisë, transmeton albinfo.ch.

Përzgjedhësi ka mbajtur në skuadër emrat kryesorë të kombëtares, ndërsa ka përfshirë edhe disa debutues që pritet të sjellin freski dhe energji të re.

Në portë janë ftuar Arijanet Muric, Amir Saipi dhe Visar Bekaj. Mbrojtjen do ta udhëheqë kapiteni Amir Rrahmani, i mbështetur nga Mergim Vojvoda, Florent Hadergjonaj, Leart Paqarada e të tjerë.

Në mesfushë e sulm pritet të shkëlqejnë emra si Valon Berisha, Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Vedat Muriqi, ndërsa mes risive janë Leon Avdullahu, Veldin Hodza e Baton Zabergja.

Kosova fillimisht do të përballet me Zvicrën në Basel, në një sfidë të veçantë për nga emocionet dhe rivaliteti, e më pas do të udhëtojë drejt Suedisë, ku synon të vazhdojë rrugëtimin me rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/1BGFNEjVaf/?mibextid=wwXIfr

Bashkëpunim dhe unitet mes asociacioneve shqiptare në Zvicër

Më datë 30 gusht 2025, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Zvicër, Sekretari i Parë, z. Valon Gashi, priti në takim Kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (LSHPMBZ), përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit u diskutua puna tre mujore e Kryesisë së re, projektet për periudhën 2025–2026, si dhe përfshirja zyrtare e Shoqatës “Bushtrani” nga Presheva në këtë Lidhje. Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesit e Shoqatës, z. Alit Aziri dhe z. Abdullah Esati, dhe nga Kryetari i LSHPMBZ, z. Tefik Selmani.

Në takim morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë, z. Ardian Asllani, z. Fadil Selmani, z. Adnan Imeri dhe z. Besnik Avdiji, ndërsa përfaqësuesit e Asociacionit Qytetarë Bujanoci në Zvicër, z. Memet Qazimi dhe z. Lulzim Abazi, shprehën gatishmërinë për të intensifikuar kontributin e tyre. Sekretari i Parë, z. Gashi, vlerësoi angazhimin e shoqatave dhe theksoi se Ambasada do të vazhdojë të mbështesë nismat që forcojnë unitetin dhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. /Albinfo.ch

Bedri Ramadani dhe Egzon Mehmeti, ekspertët shqiptarë të kardiokirurgjisë në Gjermani

Dy mjekë shqiptarë, Bedri Ramadani dhe Egzon Mehmeti, po bëjnë emër në Gjermani për profesionalizmin e tyre në fushën e kirurgjisë. Të dy punojnë në spitalin gjerman dhe janë të njohur për shkollimin e lartë dhe përvojën e gjerë në ndërhyrjet kirurgjikale, transmeton albinfo.ch.

Një foto e realizuar së bashku tregon ata nën mantilat e gjelberta të mjekësisë në ambientet e spitalit ku ushtrojnë profesionin e tyre, duke reflektuar përkushtimin e tyre ndaj pacientëve.

Kardiokirurgu Bedri Ramadani ka mbi 25 vite përvojë dhe ka kryer me sukses mijëra ndërhyrje në zemër, përfshirë qindra transplantime. Ai ushtron profesionin e tij në Universitätsklinikum Düsseldorf, një klinikë e njohur për sukseset e saj në kardiokirurgji. Ramadani është doktor në Gjermani dhe ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera specializimet e larta për mjekësi.

Të dy kirurgët janë ndër specialistët e rrallë në fushën e ndërhyrjeve minimalinvazive të valvulave të zemrës, duke përfshirë rekonstruksionin e valvulës mitrale, disektionet e aortës, transplantimet e zemrës, trajtimin e endokarditit infekcioz, si dhe ndërhyrje të kombinuara komplekse.

Kontributi i tyre tregon se profesionistët shqiptarë po lënë gjurmë të rëndësishme në mjekësinë ndërkombëtare, duke sjellë eksperiencën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të pacientëve në Gjermani. /Albinfo.ch

Motoçiklisti britanik i dehur tejkaloi 47 automjete në tunelin Gotthard të Zvicrës

Mbikëqyrja me video nga policia e Ticinos tregoi se burri rrezikoi seriozisht shoferët e tjerë kur kaloi me shpejtësi pranë një totali prej 47 automjetesh – duke përfshirë dy kamionë dhe 45 makina.

Manovra të tilla janë të ndaluara në tunelin me dy korsi, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ai u ndalua nga policia e Urit kur doli nga portali verior i tunelit.

Burri u akuzua për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe iu ndalua të drejtonte në Zvicër.

Britanikët që sillen keq (në rrugët zvicerane)

Policia zvicerane mund të jetë mësuar tashmë me kapjen e britanikëve që tejkalojnë shpejtësinë.

Ky person i veçantë është i fundit në një linjë në rritje të qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar që kanë udhëtuar në rrugët zvicerane pa respektuar rregullat.

Deri në qershor të vitit 2025, një shofer britanik u arrestua në Uri kur u regjistrua duke udhëtuar me një shpejtësi prej 161 km/orë, duke tejkaluar limitin e shpejtësisë së lejuar prej 80 km/orë – me fjalë të tjera, ai drejtoi me dyfishin e shpejtësisë së lejuar.

Por ai nuk ishte as i pari.

Gjatë verës së vitit 2024, policia kantonale e Cyrihut ndaloi katër shtetas të Mbretërisë së Bashkuar që po e tejkalonin shpejtësinë në një autostradë zvicerane me makinat e tyre sportive.

Ata thuhet se po drejtonin me mbi 200 km/orë – 80 km/orë mbi limitin e shpejtësisë së lejuar.

Dhe kjo nuk është e gjitha.

Vetëm një muaj më vonë, në korrik 2024, policia në Graubünden përgjoi dy britanikë të tjerë që po ngisnin me shpejtësi – gjithashtu me makina sportive – përmes Qafës Flüela.

Ata kaluan me shpejtësi nëpër kthesat e ngushta në qafën malore, ku kufiri i shpejtësisë është 80 km/orë, me 153 km/orë.

Çfarë u ndodh këtyre shkelësve të shpejtësisë kur kapen?

Përveç sekuestrimit të automjeteve të tyre dhe ndalimit të qarkullimit në rrugët zvicerane, fati i tyre është në duart e një gjykatësi në kantonin ku janë kapur.

Megjithatë, shoferët që kapen duke tejkaluar shpejtësinë “seriozisht” në Zvicër – pavarësisht nga kombësia e tyre – zakonisht dënohen me një gjobë prej të paktën disa qindra frangash (dhe në shumë raste edhe më shumë), përveç tarifave gjyqësore.

Gjoba mund të shndërrohet edhe në dënim me burg nëse shkelësit nuk munden ose zgjedhin të mos paguajnë.

Pra, shkelësit britanikë të shpejtësisë ka të ngjarë të kenë paguar gjoba të rënda, plus ndoshta koston e tërheqjes së automjeteve të tyre nga Zvicra, përpara se vendi të shkëputej nga Brexit.

Ndoshta kjo është një kohë e mirë për një kujtesë të përgjithshme në lidhje me gjobat për tejkalim shpejtësie.

Varet se ku jeni kapur dhe sa shpejt keni drejtuar.

Nëse tejkaloni shpejtësinë e lejuar deri në 5 km/orë, gjoba juaj do të jetë 20 franga në autostradë dhe 40 franga nëse shkelja ka ndodhur në rrugë kryesore ose dytësore.

Gjoba për drejtim midis 6 dhe 10 km/orë mbi kufirin ligjor është 60 franga në autostradë, 100 në rrugët kryesore dhe 120 franga në zonat e banuara.

Nëse drejtoni me shpejtësi 11 deri në 15 km/orë mbi shpejtësinë maksimale do t’ju kushtojë 120 franga në autostradë, 160 në rrugën kryesore dhe 250 në zonat e banuara.

Për shkelje të rënda të shpejtësisë mbi 25 km/orë, do të vendosen gjoba shtesë.

Për shembull, patenta juaj e drejtimit mund të pezullohet për një periudhë nga një deri në tre muaj, varësisht nga shpejtësia dhe vendndodhja.

Për më tepër, nëse e tejkaloni shpejtësinë e lejuar me 25 km/orë në zonat e banuara, 30 km/orë në rrugët kryesore ose me 35 km/orë në autostradë, shkelja juaj do të regjistrohet në regjistrin e dënimeve penale dhe do të mbetet atje, për të gjithë, për një periudhë të caktuar kohore.

Nuk do të dukej mirë nëse jeni duke kërkuar një punë ose një apartament, pasi punëdhënësit dhe pronarët kërkojnë rregullisht të shohin një kopje të dosjes suaj penale.

Gjithashtu, nëse shkaktoni një aksident ndërsa ngisni shpejtësi ose nëse ngisni në gjendje të dehur, dënimet do të jenë më të rënda.

A janë rregullat e njëjta për shoferët e huaj?

Tani, mund të mendoni se shpejtësia në një makinë jo-zvicerane do t’ju ofrojë imunitet nga pagesa e një gjobe. Por nëse e besoni këtë, gaboheni.

Nëse jeni kapur në Zvicër, por jetoni në Bashkimin Evropian, prisni që gjoba juaj zvicerane të mbërrijë me postë përfundimisht.

Kjo ndodh sepse Zvicra dhe BE ndajnë detajet e shoferëve që kapen duke kryer shkelje të rregullave të trafikut në territoret e tyre përkatëse.

Këto të dhëna ndahen nëpërmjet Sistemit Evropian të Informacionit për Makinat dhe Lejet e Drejtimit (Eucaris), i cili mban të dhëna për të gjithë pronarët e automjeteve në Evropë.

Më e rëndësishme për britanikët që tejkalojnë shpejtësinë: të jetuarit jashtë BE-së nuk i mbron ata nga pasojat. Procesi i rikuperimit të gjobave është pak më ndryshe, por nuk jeni plotësisht të sigurt.

Kafenetë duhet të ofrojnë verë të Gjenevës

Restorantet dhe kafenetë në Gjenevë do të duhet të ofrojnë të paktën një verë të prodhuar në kanton.

Këshilli i Madh vendosi javën e kaluar për masën dhe do të ofrojë një subvencion prej një milion frangash për të mbështetur institucionet që blejnë pije të prodhuara në vend.

Ata do të jenë në gjendje të kërkojnë mbrapsht 200 CHF për çdo 1000 CHF të shpenzuara, transmeton albinfo.ch.

Partia Socialiste ka paraqitur gjithashtu një mocion që çdo organ publik ose shtetëror duhet të shërbejë vetëm pije lokale në eventet e tyre.

Zhegrova prezantohet në Juventus: Është si një ëndërr për mua

Futbollist i Kosovës, Edon Zhegrova është lojtar i Juventusit.

Skuadra italiane e ka zyrtarizuar të hënën mbrëma transferimin e Zhegrovës nga klubi francez, Lille.

Zhegrova me Juven ka firmosur për pesë vjet, deri në vitin 2030. Është ky hap shumë i madh në karrierën e sulmuesit të krahut. Është po ashtu prej lëvizjeve më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë lojtarët e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Zhegrova transferohet në Serie A në moshën 26-vjeçare, ndërsa shpresohet se do të jetë i suksesshëm në njërën prej top-ligave evropiane.

Zhegrova ka nisur karrierën në Kosovë, ndërsa më pas është zhvilluar edhe te Standard Liege dhe Sint-Triuden në Belgjikë.

Në nivelin e të rriturve nisi te Genku, po ashtu në Belgjikë. Më pas luajti te Baseli në Zvicër, kurse prej vitit 2022 ishte te Lille. Tani do të luajë për gjigantin italian, Juventus.

“Pas tri vjet e gjysmë, 107 ndeshje dhe 26 golave në të gjitha garat, Edon Zhegrova largohet nga Lille për Juventusin. Dy klubet dhe lojtari janë pajtuar për të transferuar sulmuesin e Kosovës”, ka shkruar Lille.

Edon Zhegrova ka folur shkurt në paraqitjen e tij të parë si lojtar i Juventusit.

“Të jem i sinqertë, është si një ëndërr për mua. Është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time. Jam shumë krenar dhe ndihem i nderuar që barti këtë fanellë. Do ta mbaj këtë fanellë me shumë krenari dhe do ta jap më të mirën për skuadrën”, ka thënë Zhegrova për faqen e klubit.

Qeveria zvicerane vendos të mos i taksojë firmat e teknologjisë

Në përpjekjen e saj për të bindur Administratën Trump që të ulë tarifën prej 39% që i është vendosur Zvicrës, qeveria është ofruar të mos aplikojë një taksë dixhitale mbi gjigantët e teknologjisë me seli në SHBA.

Ky veprim ka zemëruar disa në parlament, pasi shumë anëtarë besojnë se kjo është detyrë e tyre, transmeton albinfo.ch.

Në përgjithësi, partitë e krahut të djathtë pajtohen me qeverinë dhe besojnë se Zvicra duhet të lehtësojë tensionet me SHBA-në – por ata të majtë theksojnë se kompanitë e teknologjisë gjenerojnë 600 miliardë dollarë për Shtetet e Bashkuara.

Lëvizjet për t’i taksuar ato dihet se e zemërojnë Donald Trump – megjithëse disa vende evropiane e bëjnë tashmë, një taksë prej 3% në Francë mbledh rreth 700 milionë euro.

Por disa nga partitë e majta besojnë se Zvicra nuk duhet të frikësohet.

Ilaçe të reja për humbje peshe mund të vijnë nga Zvicra

Një brez i ri i injeksioneve për humbje peshe mund të dalë së shpejti në treg, falë punës që po bëhet në Cyrih.

Duke punuar në Fakultetin Vetsuisse, Thomas Lutz studion diabetin te macet – e vetmja kafshë përveç njerëzve që zhvillon diabet të tipit 2, transmeton albinfo.ch.

Ai ka identifikuar një hormon, amilinën, te macet mbipeshë dhe tani injeksionet për humbje peshe po zhvillohen bazuar në të.

Shpresohet që ilaçet e reja do të tolerohen më mirë, do të kenë më pak gjasa të shkaktojnë të përziera, nuk do të ndikojnë aq shumë në masën muskulore dhe nuk do ta shtypin shumë oreksin – por përkundrazi do ta bëjnë pacientin të ndihet i ngopur më shpejt.

Ilaçet e reja mund të dalin në treg që vitin e ardhshëm.

Arti, “një britmë e heshtur kundër harresës” së të zhdukurve me dhunë

Ndër aktivitetet që u zhvilluan për shënimin e Ditës së të Zhdukurve me Dhunë, më 30 dhe 31 gusht në Gjenevë nuk mund të mungonte edhe përjetësimi i këtij fenomeni të dhimbshëm përmes fuqisë së artit. Një ekspozitë me punime arti, si piktura, grafika, fotografi dhe vizatime që në fokus kishin pikërisht këtë temë, u hap të dielën në ambientet e shtëpisë së arteve “Grütli” të Gjenevës.

Autorët: Gani Jakupi (roman grafik), Hazir Reka (fotografi), Rusllan Pikhota (karikaturë, vizatim), Vanesa Lika (pikturë), Nysret Shabani (pikturë) dhe Ramë Dardania (instalacion, pikturë) kanë sjellë në vëmendjen e publikut, secili me mjetet e veta shprehëse, emocionet e dhimbjes për të zhdukurit, shkruan albinfo.ch. Kjo plagë e rëndë që vazhdon të mundojë shumë shoqëri dhe shtete, në mesin e të cilëve edhe Kosovën dhe shqiptarët, është kapur nga aspekte dhe ndjeshmëri të ndryshme, që kishin një gjë të përbashkët: ruajtjen e kujtesës historike për dhunën, përmes artit.

Në hapjen e ekspozitës është paraqitur me një fjalë rasti kryetari i komunës Vernier, Mathias Buschbeck, i cili ka përshëndetur iniciativën për shënimin e Ditës së të Zhdukurve përmes aktiviteteve të ndryshme, në mesin e të cilave edhe përmes ekspozitës me krijime arti.

Në emrin e institucioneve kosovare ka përshëndetur edhe zëvendës ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Zonja Shukrije Ramadani. Ajo, në fjalimin e saj emocional, veç tjerash ka thënë: “1,584 qytetarë ende të zhdukur, 26 vite pritje të kotë për drejtësi dhe të vërtetën. Çdo rast është një jetë e ndalur dhunshëm dhe një familje që ende sot jeton me boshllëkun e humbjes.

Sot, me respekt të veçantë falënderojmë organizatorët dhe mbi të gjitha familjarët e të zhdukurve, të cilët erdhën nga Kosova për të ndarë dhimbjen e tyre me botën. Zëri i tyre është kujtesë e përhershme se pa zbardhjen e fatit të më të dashurve, paqja nuk mund të jetë e plotë”.

Nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe organizatorët e aktivitetit, Mirishahe Limani Hiler dhe Nazmi Jakurti, të cilët kanë falënderuar artistët për punën e tyre me përkushtim në shërbim të ruajtjes së kujtesës për viktimat e luftës. “Çdo vepër bëhet një akt kujtese, një britmë e heshtur kundër harresës, një mënyrë për t`i sjellë në jetë ata që dhuna i zhduku”, ka thënë zonja Limani Hiler.
Në vazhdim, artisti i njohur Gani Jakupi ka bërë një prezantim spontan dhe mbresëlënës të kolegut të tij, artistit të shquar të fotografisë dokumentare, Hazir Reka. Jakupi, veç tjerash ka kujtuar meritat e këtij të fundit për përjetësimin në kornizat e fotos të shumë momenteve me rëndësi historike që i ka bërë Hazir Reka në rreth dyzet vite të angazhimit të tij të jashtëzakonshëm në dokumentimin fotografik të jetës në Kosovë, në kapërcyellin mes dy shekujve. Ai ka theksuar faktin se shumë nga momentet që Reka i ka “ndalur” në fokusin e kamerës së tij dhe që më vonë kanë mafrë status kulti, do të kishin mbetur të panjohura, pa guximin artistik dhe jetësor të fotografit, Hazir Reka.

Një karrige me rroba (personi të zhdukur) mbi të, këpucë fëmije përpara si dhe qirinj të ndezur përreth saj, ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen e publikut të pranishëm në sallë. Fjala ishte për instalacionin e punuar nga Ramë Dardania, artist nga Gjeneva, i cili është prezantuar edhe me disa punime të tjera. Veç kësaj ai është paraqitur edhe me një lojë të shkurtër skenike, me temë të zhdukurit gjegjësisht me pyetjen e përsëritur “Ku janë”, që ishte moto edhe e njërit nga punimet e tij artistike.

Me mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët mbi temën e të zhdukurve me dhunë, ka përfunduar aktiviteti dyditësh i organizuar nga shoqata “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë, kushtuar 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

Një raport nga tryeza e përmendur, sponsori medial i aktivitetit, albinfo.ch, do ta publikojë nesër.

Lexoni po ashtu:

Viktimat e luftës nga Kosova nderohen në “Kopshtin e të Zhdukurve” në Meyrin

Lexoni po ashtu:

Të zhdukurit me dhunë u përkujtuan me një “Marsh për drejtësi”, në Gjenevë

 

Dardanët fillojnë përgatitjet ndaj Zvicrës, stërvitja e parë për Leon Avdullahun me Kosovën

Kosova ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për Kupën e Botës 2026, kundër Zvicrës më 5 shtator në Bazel dhe kundër Suedisë, më 8 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Seanca e parë stërvitore u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij.

Në dispozicion për këtë seancë ishin 15 futbollistë, derisa pjesa tjetër e lojtarëve, të cilët patën ndeshje gjatë ditës së djeshme me klubet e tyre, u kufizuan në rigjenerim në hotel, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Pjesë e stërvitjes ishin edhe Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, dy prurjet e reja te Kosova.

Pas stërvitjes përshtypjet e tij për stërvitjen e parë në fanellën e Kosovës i dha Veldin Hoxha.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Do të jap maksimumin tim dhe dua ta ndihmoj ekipin të përmirësohet dhe të fitojë ndeshjet e ardhshme. Përshtypjet e para janë shumë të mira. Hapi i parë që kam bërë ka qenë shumë pozitiv. Jam vërtet i lumtur që jam këtu dhe do të doja të vazhdoja të jem këtu edhe në të ardhmen. Kemi një grup shumë të vështirë. Janë ekipe shumë të forta, por unë besoj se kemi një mundësi dhe do të përgatitemi shumë mirë për këto ndeshje. Do të japim gjithçka dhe do të mundohemi të fitojmë e të jemi në krye të tabelës. Dua që tifozët të na mbështesin. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje më parë dhe e di si na mbështesin, prandaj shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdojnë të jenë pranë nesh”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Ermal Krasniqi theksoi se i kanë pritur ngrohtësisht dy ardhjet e reja në ekip, si dhe shprehu optimizmin e tij që në dy ndeshjet e para do të paraqesin ndeshje të mira.

“Është e vërtetë se na presin dy ndeshje mjaft të vështira, por sot e filluam me stërvitjen e parë dhe shkoi shumë mirë. Kemi stërvitur në dy grupe, pasi një pjesë e lojtarëve kanë qenë në rigjenerim për shkak se kanë luajtur mbrëmë. Pjesa tjetër që stërvitëm ishte më shumë taktike dhe besoj që do të japim maksimumin në vazhdim dhe të nxjerrim rezultate pozitive në këto dy ndeshje. Leoni dhe Veldini janë dy lojtarë me shumë kualitet dhe ata e treguan këtë sot. Jemi të lumtur që janë këtu dhe çdo futbollist e mirëpresim mirë dhe e ndihmojmë të ambientohet sa më lehtë me grupin. Ndeshja në Bazel si në shtëpi? Normalisht presim shumë tifozë që do të na përkrahin. Shpresoj ta kemi prapë stadiumin me më shumë tifozë tanë dhe t’i gëzojmë me rezultat pozitiv”, tha Krasniqi.

Dardanët do të vazhdojnë përgatitjet nesër me stërvitjen e radhës, e cila është paraparë të mbahet në orën 11:00, po ashtu në Hajvali.

Uji shumë i ftohtë për të notuar në liqenin e Gjenevës

Noti i djeshëm në Liqenin e Gjenevës – i cili pritej të tërhiqte mbi një mijë notarë – u anulua për shkak të një rënieje të papritur të temperaturës së ujit.

Eventi “Lake Crossing” cilësohet si “sportiv dhe miqësor” dhe notarët fillojnë në Genève Plage dhe notojnë deri në Bains des Paquis – një distancë prej gati 2 km.

Por temperatura e ujit ka rënë në 15 gradë e gjysmë – konsiderohet e rrezikshme nën 18 gradë.

Organizatorët shpresojnë që eventi të mund të riplanifikohet për javën e ardhshme, transmeton albinfo.ch.

Asani dhe Berisha, optimistë për duelin ndaj Letonisë

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin në Malaga, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e muajit shtator, miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe sfidën kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Letonisë.

Kuqezinjtë do të zhvillojnë pasditen e sotme seancën e parë stërvitore, ndërkohë që Jasir Asani dhe Medon Berisha kanë folur për fshf.org nga vendi i grumbullimit, transmeton albinfo.ch.

Jasir Asani e vlerësoi atmosferën pozitive dhe theksoi se janë të fokusuar te ndeshja me Letoninë për të marrë tre pikë. “Atmosfera dihet që është shumë e mirë, sot është dita e parë e stërvitjes. Atmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë jemi në maksimumin tonë. Do përgatitemi për Letoninë. Kemi një ndeshje miqësore dhe duhet të përgatitemi të vijmë në formën më të mirë dhe me datë 9 patjetër që duhet të marrim tre pikët në shtëpi.

Të gjithë lojtarët janë të fokusuar te ndeshja me Letoninë, të gjithë do japin maksimumin që t’ia dalim sepse 3 pikëshi në shtëpi mund të ndryshojë edhe tabelën.

Tifozët janë mbështetja jonë e madhe dhe mendoj se do të vijnë plot dhe do e mbushin stadiumin për të na dhënë ne përkrahje të madhe. Ne do japim nga nxehja maksimumin sepse ne duhen ato 3 pikë. Besoj se bashkë me tifozët do ia arrijmë” – përfundoi Jasir Asan për fshf.org.

Mesfushori Medon Berisha foli për atmosferën në skuadër, ndërsa nënvizoi se miqësorja ndaj Gjibraltarit vlen për të parë gjendjen e ekipit. “Atmosfera është shumë e mirë, po presim skuadrën të grumbullohet për t’u stërvitur sot dhe të përgatisim këto dy ndeshje. Ndaj Gjibraltarit do e marrim si një test serioz për të parë se ku jemi” – tha Berisha, ndërsa foli edhe për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë që do të luhet më 9 shtator në “Air Albania” në ora 20:45.

“Letonia është ekip shumë i organizuar dhe kompakt dhe duhet të ruajmë tranzicionin negativ të atyre. Kënaqësi të luajmë në “Air Albania” dhe i mirëpresim të gjithë tifozët të na mbështesin”, përfundoi Medon Berisha.

youtube.com/watch?v=Sc75v0ivquM&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ffshf.org%2F&source_ve_path=MjM4NTE

Drejtori sportiv te Zvicra: “Zgjidhja më e mirë” për Avdullahun

Zvicra do të përballet me Kosovën të premten në fillim të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës FIFA 2026 në Amerikën e Veriut.

Kjo do të thotë që Zvicra do të përballet me të njëjtën skuadër që Leon Avdullahu zgjodhi së fundmi. Një vendim që Pierluigi Tami e quan “zgjidhja më e mirë”, shkruan Sport.ch, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa drejtori i ekipit kombëtar ndoshta nuk e kishte menduar kaq qartë, ai shpjegoi në konferencën për shtyp para ndeshjes se duheshin përmbushur tre kritere. Së pari, ka të bëjë me cilësinë – a është lojtari mjaftueshëm i mirë? Së dyti, statistikat e lojtarit janë thelbësore – a dëshiron lojtari të luajë për Zvicrën? Dhe së treti, kërkohet durim – ndoshta faktori që e shtyu Avdullahun të transferohej.

Megjithatë, 63-vjeçari i vuri gjërat në perspektivë, duke theksuar se Zvicra nuk ka humbur shumë lojtarë vitet e fundit. Maksimumi tre prej tyre mund të jenë bërë potencialisht të rëndësishëm për ekipin kombëtar të të rriturve në një moment të caktuar. “Ne gjithmonë mund të analizojmë, por çdo rast është i ndryshëm. Në fund të fundit, nuk mund të bëjmë premtime të rreme.”

“Zvicra ka marrë pjesë në çdo Kupë Bote në të kaluarën e afërt. Lojtarët duhet të pyesin veten nëse duan të luajnë në Kampionatin Evropian apo Botëror, apo vetëm në ndeshje kualifikuese”, deklaroi Tami.

Një tjetër kandidat i mundshëm për t’u larguar është Albian Hajdari, i cili ende pret ndeshjen e tij të parë zyrtare me ekipin kombëtar.

Megjithatë, Tami dukej i pashqetësuar: Dera është e hapur. “Ai mund të transferohet ende sipas rregullave, por unë nuk jam i shqetësuar”.

Përurohet Memoriali “Pema e Jetëve” në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur

“Pema e Jetëve” – një memorial në nder të rreth 1,600 personave ende të pagjetur nga konflikti në Kosovë, u përurua në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Ky memorial është një vend për reflektim, njohje, dialog dhe kujtesë të përbashkët që shërben si një simbol i fuqishëm solidariteti me familjet që ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Zvicra vazhdon të qëndrojë në solidaritet dhe është i nderuar që ka kontribuar në këtë iniciativë kuptimplote nga artistët Dea Gjinovci nga Zvicra dhe Kosova dhe Armand de Benoist de Gentissart nga Franca dhe Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë, njofton Ambasada e Zvicrës në Kosovë, transmeton albinfo.ch.