Arrestohet kosovari, ka sulmuar një hebre në Cyrih

Një burrë 40-vjeçar kosovar sulmoi një hebre ortodoks 26-vjeçar me grushte të hënën, rreth orës 20:15 të mbrëmjes. Kalimtarët arritën ta mposhtnin sulmuesin, transmeton albinfo.ch. Ai është i njohur për policinë.

26-vjeçari hebre ortodoks sapo kishte dalë nga një shtëpi në Wiedikon dhe po ecte në trotuar në Manessestrasse kur sulmuesi u shfaq papritur dhe filloi ta godiste me grushte.

Derisa ai po e mbante viktimën e tij, disa kalimtarë ndërhynë dhe e mposhtën 40-vjeçarin. Ata e mbajtën burrin kosovar derisa mbërriti policia. I përmenduri vazhdoi të bënte vërejtje antisemite dhe fyese – edhe pasi kishte mbërritur policia, shkruan sda.ch.

Policia e qytetit arriti ta arrestonte sulmuesin, siç thuhet në një njoftim të saj të publikuar të martën.

Sulmuesi është i njohur për policinë, por jo për vepra të ngjashme penale, deklaroi policia pas hetimit, përcjell albinfo.ch. Sipas policisë, i nuk ka adresë të rregullt banimi në Zvicër dhe i është dorëzuar zyrës së prokurorit publik.

Sipas Federatës së Komuniteteve Hebraike në Zvicër, viktima pësoi gërvishtje në trup dhe qafë dhe është në gjendje shoku. Sulmi nuk ishte një akt i rastësishëm, por ishte drejtuar posaçërisht kundër një personi hebre.

Ky incident është pjesë e një serie sulmesh antisemite që janë rritur ndjeshëm në Zvicër që nga tetori 2023, viti i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Në mars 2024, një i ri me prejardhje tuniziane kishte sulmuar një burrë hebre me thikë në Cyrih.

“Ndihem si idiot”, thotë Lajçak pas zbulimit të mesazheve në dosjen Epstein

Miroslav Lajçak ka dhënë një intervistë për transmetuesin publik Rádio Slovensko pasi emri i tij u shfaq në publikimin e fundit të dosjeve të Jeffrey Epstein të premten, ndërsa të nesërmen dha dorëheqje si këshilltar i kryeministrit Robert Fico, përcjell albinfo.ch.

Në transmetim, ai kryesisht i qëndroi linjës së paraqitur në reagimin e tij të së shtunës.

“Nuk i mbaj mend sinqerisht ato mesazhe,” i tha diplomati sllovak radios, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza.

“Nuk mund t’i konfirmoj, por as t’i mohoj.”

Pasi i lexoi sërish mesazhet, ai shtoi se ishte ndier “si idiot”.

“Por kjo nuk më përjashton nga përgjegjësia,” tha ai.

Lajçak shpjegoi se kishte mbërritur në New York në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe se ishte prezantuar me Epstein nga një diplomat i lartë i huaj.

Sipas tij, Epstein ishte gjerësisht i njohur dhe takonte figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.

Ai tha se nuk shihte arsye për të mos e takuar, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij.

Qyteti i Cyrihut po fillon 134 projekte ndërtimi këtë vit

Qyteti i Cyrihut do të nisë këtë vit 134 kantierë të rinj ndërtimi, të cilëve u shtohen edhe 62 projekte ekzistuese që janë tashmë në zhvillim. Sipas autoriteteve, qytetarët dhe bizneset mund të informohen për të gjitha projektet përmes një platforme online të publikuar nga vetë qyteti, përcjell albinfo.ch.

Kohët e fundit ka pasur kritika të shumta se në Cyrih ka tepër shumë kantierë ndërtimi njëkohësisht. Drejtoria e Ndërtimit të Ulët e Qytetit të Cyrihut (Tiefbauamt) është përpjekur t’u përgjigjet këtyre shqetësimeve, duke theksuar se punimet planifikohen me kujdes për të minimizuar ndikimin te banorët dhe bizneset.

Sipas të dhënave zyrtare, në total bëhet fjalë për rreth 740 projekte ndërtimi të planifikuara ose në zbatim në gjithë territorin e qytetit.

Një nga prioritetet kryesore mbetet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore (Fernwärme), i cili konsiderohet kyç për arritjen e objektivave klimatike të qytetit. Vetëm gjatë vitit 2026 pritet të jenë aktive 31 kantierë për ngrohje qendrore, përfshirë zona si Scheuchzerstrasse dhe Altstetten-Ost. Këto punime koordinohen njëkohësisht me rinovimin e infrastrukturës nëntokësore.

Në kuadër të zbatimit të ligjit për barazinë e personave me aftësi të kufizuara, qyteti planifikon gjithashtu 45 rikonstruksione ose ndërtim të ri të stacioneve të tramvajit dhe autobusëve, për t’i bërë ato plotësisht të aksesueshme. Shembulli më i njohur është stacioni Bahnhofquai, i cili ka sjellë ndryshime në disa linja tramvaji.

Një numër i madh kantierësh pritet edhe për shkak të zgjerimit të rrjetit të rrugëve për biçikleta. Aktualisht janë rreth 100 projekte në fazë planifikimi ose zbatimi.

Të gjitha këto projekte bazohen në strategjinë urbane “Hapësira Urbane dhe Lëvizshmëria 2040”, e cila synon ta mbajë Cyrihun një qytet të jetueshëm. Autoritetet theksojnë se kjo strategji është miratuar edhe nga votuesit.

Plani parashikon prioritet për këmbësorët, biçikletat dhe transportin publik, si dhe krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për të reduktuar nxehtësinë në rrugë. Në këtë kuadër, qyteti planifikon 20 projekte për gjelbërim dhe ulje të temperaturave, përfshirë mbjelljen e pemëve dhe krijimin e sipërfaqeve të çimentuara të shndërruara në zona të gjelbra. /Albinfo.ch

Jehona Kicaj fiton Çmimin letrar të Shtëpisë Buddenbrook 2024/2025

Çmimi i Debutimit (për librin debutues) i Shtëpisë Buddenbrook nderon debutimet letrare të cilat bëjnë që zëra të rinj letrarë të dëgjohen dhe të kenë jehonë shumë kohë pas botimit të tyre. Ky çmim që ndahet nga Lions Club Lübeck-Hanse që nga viti 2003, përkujton një nga debutimet më të famshme në letërsinë botërore, romanin *Buddenbrooks* të shkrimtarit të madh gjerman, Thomas Mann, transmeton albinfo.ch.

Çdo dy vjet, fokusi i çmimit vihet tek autorët që vendosin standarde të reja me romanin e tyre të parë. Që nga viti 2024/25, çmimi është pajisur me 5,000 € dhe është ngulitur fort në jetën letrare të qytetit Lübeck.

Çmimi Debutues 2024/25 i jepet autores tashmë të njohur (me rrënjë shqiptare nga Kosova) Jehona Kicaj për romanin e saj *ë*, një libër i qetë por i fuqishëm për gjuhën, kujtesën dhe humbjen, shkruan luebeck-verliebt.de. Historia ndjek një protagoniste të paidentifikuar, të lindur në Kosovë, e cila ikën në Gjermani me familjen e saj pak para shpërthimit të luftës në vitin 1998.

Vetë titulli jashtëzakonisht i shkurtër është simbolik për temën qendrore të romanit: shkronja *ë* është e heshtur në shqip, megjithatë ndryshon tingullin dhe kuptimin e fjalëve në të cilat përdoret. Kështu, romani flet për mungesën e fjalëve, dhimbjen e pathënë dhe përpjekjen për të gjetur zërin e vet.

Me një gjuhë të saktë, shpesh poetike, Kicaj lidh përvojat personale me kujtesën kolektive, duke e bërë të prekshme çrrënjosjen dhe traumën. Romani lëviz midis qartësisë dokumentare dhe koncizitetit letrar, duke demonstruar fuqishëm se si lufta dhe zhvendosja formësojnë si trupin ashtu edhe mendjen.

Të përkujtojmë: Romani “ë” i Jehona Kicajt ka qenë në zgjedhjen e ngushtë për të fituar çmimin më të madh letrar të Gjermanisë, vitin e kaluar, shkruan albinfo.ch.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve zhvillohet sot, më 3 shkurt 2026, ng ora 19.00 në sallën e audiencës së Bashkisë së Lübeck dhe është e hapur për publikun.

 

Vjosa Osmani kujton përvjetorin e Masakrës së Mitrovicës: Një nga plagët më të rënda të pasluftës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, duke e cilësuar si një nga plagët më të rënda të pasluftës, përcjell albinfo.ch.

Në deklaratën e publikuar nga Zyra e Presidentes në Facebook, thuhet se Osmani ka theksuar se në ato ditë bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1,564 familje me gjithsej 11,364 anëtarë nga shtëpitë e tyre.

Në deklaratën e saj, Osmani tha se ky ishte krim i hapur kundër njerëzimit dhe një përpjekje brutale për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit.

“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, thuhet tutje në deklaratë.

Spitali i Fëmijëve në Cyrih raporton rritje të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve

Spitali Universitar i Fëmijëve në Cyrih ka shënuar gjatë vitit 2025 një rekord shqetësues, me 570 raste të konfirmuara të keqtrajtimit të fëmijëve, numri më i lartë i regjistruar deri më tani, përcjell albinfo.ch.

Forma më e shpeshtë e dhunës ka qenë keqtrajtimi fizik, me 231 raste, duke e bërë atë kategorinë dominuese të abuzimit të raportuar.

Sipas drejtuesit të grupit për mbrojtjen e fëmijëve në këtë spital, gjendja e prindërve ka ndikim të drejtpërdrejtë te fëmijët. “Kur prindërit nuk janë mirë, as fëmijët nuk janë mirë”, ka theksuar ai.

Statistikat tregojnë se pothuajse çdo dy ditë në Spitalin Universitar të Fëmijëve në Cyrih pranohet një fëmijë me keqtrajtime të rënda. Krahasuar me një vit më parë, janë regjistruar 40 raste më shumë, çka përfaqëson një rritje prej 7.5 për qind.

Autoritetet shëndetësore dhe sociale shprehin shqetësim për këtë trend dhe theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, mbështetjes për familjet dhe forcimit të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve. /Albinfo.ch

Bashkimi Evropian shpreh shqetësim për mosmiratimin e Listës Serbe nga KQZ-ja

Bashkimi Evropian ka shprehur “shqetësim serioz” për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe – partinë më të madhe të komunitetit serb – nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Zëdhënësi i BE-së theksoi nevojën për depolitizimin e punës së KQZ-së dhe u bëri thirrje të gjitha partive që të punojnë bashkë në përputhje me Kushtetutën, për të garantuar që kandidatët e zgjedhur të marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

KQZ-ja miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por jo për nëntë kandidatët e Listës Serbe, vendim që u kundërshtua ashpër nga partia dhe nga Beogradi zyrtar. Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje kundër, ndërsa pjesa tjetër abstenuan. Lista Serbe paraqiti më 2 shkurt një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke e përshkruar vendimin si “të paligjshëm dhe diskriminues”, pasi sipas tyre anulonte mbi 42.000 vota.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) monitoron nga afër situatën dhe bëri thirrje për publikim transparent të rezultateve dhe trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve. Edhe Shtetet e Bashkuara kritikuan vendimin e KQZ-së, duke e konsideruar atë në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 51.10% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.19%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%. Nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë i mori Lista Serbe dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të formojë Qeverinë e re, megjithatë do të duhet të krijohet një dialog i ri me opozitën për çështje të tjera madhore, përfshirë pozitën e presidentit dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ekipet zvicerane vizitojnë pacientët e trajtuar jashtë vendit pas tragjedisë në Crans-Montana

Dy Ekipet Zvicerane të Kontaktit (Swiss Contact Teams – SCT), të aktivizuara më 21 janar, kanë vizituar të gjithë pacientët me shtetësi zvicerane ose me vendbanim në Zvicër, të cilët po trajtohen jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Vizitat janë realizuar në klinika të specializuara në Belgjikë, Gjermani, Francë dhe Itali, ku pacientët po marrin trajtim mjekësor pas katastrofës së zjarrit në Crans-Montana.

Sipas autoriteteve, këto vizita kanë treguar se kujdesi mjekësor optimal vazhdon të jetë i garantuar, ndërsa niveli i solidaritetit ndërkombëtar është vlerësuar si shumë i lartë. Zyra Federale për Mbrojtjen e Popullsisë (BABS) thekson se koordinimi i ngushtë me personelin mjekësor dhe familjarët në vendet pritëse është thelbësor për përgatitjen dhe organizimin e trajtimit të mëtejshëm të pacientëve.

Aktualisht, sipas të dhënave të BABS (gjendja më 1 shkurt 2026), 19 pacientë me shtetësi zvicerane dhe gjashtë pacientë me shtetësi të huaj, por me vendbanim në Zvicër, po trajtohen në klinika të specializuara në Belgjikë, Gjermani, Francë dhe Itali.

Ekipe me ekspertë të trajtimit të djegieve

Dy ekipet përbëhen nga ekspertë të specializuar në trajtimin e djegieve. Ata fillimisht kanë vizituar pacientët në Belgjikë dhe Gjermani, për të vazhduar më pas në Francë dhe Itali.

Pas katastrofës së zjarrit në Crans-Montana, Zvicra ka mundur të transferojë pacientë në klinika të specializuara jashtë vendit përmes mekanizmit evropian për emergjenca, Union Civil Protection Mechanism (UCPM), i cili aktivizohet në raste të jashtëzakonshme.

Njoftim i rëndësishëm nga Ambasada e Kosovës në Itali

Së fundmi, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ka informuar qytetarët dhe komunitetin e biznesit se ka hyrë në fuqi Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tij, transmeton albinfo.ch.

Sipas një njoftimi të ambasadës së Kosovës në Itali thuhet se bazuar në këtë marrëveshje nuk tatoheni dy herë për të njëjtat të ardhura (në Kosovë dhe në Itali).

“Tatimi i paguar njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër (sipas rregullave përkatëse), rregulla të qarta për paga, profesione të lira dhe biznese, pensionet tatohen vetëm në shtetin e rezidencës, punësimi afatshkurtër (deri 183 ditë): të ardhurat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës (kur plotësohen kushtet e marrëveshjes), përjashtime për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim/trajnim, norma më të favorshme për dividendë, interesa dhe honorare, më shumë siguri juridike për qytetarët dhe investitorët”

Zvicra e pafuqishme ndaj shkeljeve të shpejtësisë nga vozitësit në tranzit

Autoritetet zvicerane po hasin vështirësi serioze në ndëshkimin e disa shoferëve të huaj tranzit që shkelin kufijtë e shpejtësisë në rrugët e vendit. Sipas raportimeve të mediave zvicerane, shumë drejtues mjetesh nga jashtë vendit, të kapur duke tejkaluar shpejtësinë, nuk paraqiten në gjykatë, duke u dënuar shpeshherë në mungesë, përcjell albinfo.ch.

Një nga zonat më të prekura është autostrada A2, një nga rrugët kryesore tranzite që lidh Zvicrën me jugun e Evropës. Kjo autostradë përdoret gjerësisht nga shoferë të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik, çka rrit edhe numrin e shkeljeve.

Zvicra ka marrëveshje dypalëshe me disa vende fqinje, të cilat mundësojnë ekzekutimin e gjobave ndaj shoferëve që vijnë nga këto shtete. Në këto raste, autoritetet zvicerane mund të sigurojnë pagesën e dënimeve edhe nëse shkelësi largohet nga vendi.

Megjithatë, problemi lind me drejtuesit e mjeteve që vijnë nga shtete që nuk janë pjesë e këtyre marrëveshjeve. Për këta shoferë, Zvicra nuk ka mekanizma ligjorë për të detyruar pagesën e gjobave, duke e bërë zbatimin e ligjit të kufizuar dhe joefektiv në raste të caktuara.

Kjo situatë po ngre shqetësime për sigurinë rrugore dhe barazinë para ligjit, ndërsa autoritetet po kërkojnë zgjidhje për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.

Gjeneva nën tingujt e Ramë Lahajt e Marigona Qerkezit

Tenori me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj, së bashku me sopranon e njohur ndërkombtarisht  Marigona Qerkezi, do të mbajnë një koncert të veçantë në Zvicër, kushtuar për të gjithë adhuruesit e muzikës klasike, në veçanti diasporës shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Dy artistët e njohur do të ngjiten në skenën e Victoria Hall në Gjenevë, duke sjellë një mbrëmje artistike me vlera të larta muzikore për bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

Koncerti do të mbahet më 23 shkurt 2026, duke filluar nga ora 19:30.

Hyrja për publikun do të jetë falas, por organizatorët kanë bërë të ditur se vendet duhet të rezervohen paraprakisht përmes linkut zyrtar, shkruan tutje albinfo.ch.

Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në emailin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë: [email protected]./Albinfo.ch

Fondi Monetar Ndërkombëtar nis misionin vjetor në Kosovë

Përfaqësuesi Rajonal Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa, ka njoftuar se një delegacion i FMN-së do të vizitojë Kosovën nga sot deri më 13 shkurt, për të zhvilluar konsultimet vjetore në kuadër të Nenit IV me Republikën e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, misioni do të udhëhiqet nga David Amaglobeli dhe ka për qëllim të analizojë zhvillimet e fundit makroekonomike në vend, të vlerësojë perspektivën ekonomike dhe rreziqet e mundshme, si dhe të diskutojë politikat ekonomike dhe prioritetet reformuese me autoritetet vendore dhe palët kyçe të interesit.

FMN ka bërë të ditur se në përfundim të vizitës, misioni planifikon të publikojë një komunikatë për media si dhe të mbajë një konferencë, ku do të prezantohen gjetjet dhe vlerësimet kryesore të konsultimeve.

Kosova rrezikon t’i humbas mjetet nga Plani i Rritjes

Kosova rrezikon të humbasë përfitime të rëndësishme financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave dhe krijimin e institucioneve të reja.

Sipas Komisionit Evropian, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë përfituar nga ky plan, ndërsa shtetet e tjera tashmë kanë siguruar miliona euro mbështetje financiare. Komisioni ka paralajmëruar se nëse reformat nuk përmbushen brenda afateve të tolerancës, Kosova mund t’i humbasë këto mjete, përcjell albinfo.ch.

Kriza politike dhe vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore kanë penguar formimin e institucioneve dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026, duke rrezikuar stabilitetin financiar të vendit. Ekspertët paralajmërojnë se pa konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Kosova jo vetëm që mund të humbasë fondet e BE-së, por qytetarët mund të përballen edhe me rrezikun e ndërprerjes së pagave, pensioneve dhe skemave sociale.

Gjykata zvicerane dënon 57-vjeçarin nga Kosova për mashtrime milionëshe

Raportohet se një shtetas 57-vjeçar nga Kosova është dënuar nga Gjykata e Dietikonit, afër Cyrihut, me 3 vjet e gjysmë burgim dhe ndalim hyrjeje në Zvicër për një periudhë trevjeçare, nën dyshimin për organizim të një skeme të gjerë mashtrimi financiar, transmeton albinfo.ch.

Referuar mediave zvicerane, i dënuari, i cili prezantohej si udhëheqës fetar dhe pretendonte se drejtonte mijëra besimtarë, akuzohet se kishte ndërtuar një sistem mashtrimi duke përfshirë anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë të afërt. Prokuroria vlerësoi se nga veprimet e tij është shkaktuar një dëm financiar prej rreth 1.5 milion frangash zvicerane.

Hetimet nisën pas një bastisjeje në një vilë luksoze pranë Cyrihut, për të cilën i akuzuari paguante rreth 24 mijë franga qira në muaj. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, ndërsa zbuluan edhe një rrjet kompanish fiktive që dyshohet se përdoreshin për përfitime të paligjshme.

Sipas prokurorisë, 57-vjeçari paraqitej si sipërmarrës në sektorin e patundshmërive dhe dyshohet se ka mashtruar institucionet financiare dhe shtetin zviceran përmes dokumenteve të falsifikuara, përfshirë përfitimin e mbi gjysmë milioni frangash nga kreditë emergjente gjatë pandemisë COVID-19.

Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për stilin luksoz të jetesës së familjes, e cila, sipas hetimeve, kishte në përdorim rreth 120 automjete, përfshirë vetura të markave luksoze. Po ashtu, autoritetet kanë konstatuar shpenzime të konsiderueshme për targa të veçanta, të cilat në Zvicër konsiderohen simbol prestigji dhe shiten në ankande, transmeton tutje albinfo.ch.

Gjatë procesit gjyqësor që zgjati gjashtë ditë, gjykata vendosi që shumica e anëtarëve të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, të liroheshin nga akuzat ose të dënoheshin me masa minimale. Sipas arsyetimit të gjykatës, struktura familjare ishte e organizuar në mënyrë patriarkale dhe vendimmarrja financiare kontrollohej nga kryefamiljari.

Disa nga fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente pa njohuri për përmbajtjen e tyre, ndërsa për shkak të paraburgimit, dy prej tyre pritet të kompensohen financiarisht nga shteti zviceran.

 

 

Gjatë seancave gjyqësore, i dënuari kërkoi falje dhe deklaroi se kishte përdorur familjarët në biznes për të mos u paraqitur publikisht si pronar. Megjithatë, gjykata vlerësoi se veprimtaria e tij kriminale ishte e vazhdueshme dhe se dënimet e mëparshme nuk kishin ndikuar në ndryshimin e sjelljes së tij. Njëri nga bashkëpunëtorët është dënuar me kusht, ndërsa për tjetrin vendimi pritet të merret në vijim./Albinfo.ch

 

 

 

Për më shumë detaje – Këtu

Java Kulturore Zvicerane vazhdon aktivitetet artistike në Shqipëri

Java Kulturore Zvicerane po vazhdon aktivitetet e saj artistike në Shqipëri, duke ofruar një seri ngjarjesh kulturore që synojnë të nxisin dialogun dhe reflektimin përmes artit bashkëkohor, transmeton albinfo.ch.

Programi i javës së fundit nis më 3 shkurt, në ora 18:00, në Shkodër, me dramën bashkëkohore “Duke Pritur Birin”. Shfaqja trajton tema të ndjeshme si familja, faji dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në jetën e përditshme.

Më 4 shkurt, po në ora 18:00, në Tiranë do të prezantohet shfaqja e vallëzimit dhe teatrit “Gjithçka që Mbajta Ishte një Kujtim”, e cila trajton konceptet e kujtesës, humbjes dhe rezistencës përmes interpretimit artistik.

Ndërkohë, më 5 shkurt, në ora 18:00, gjithashtu në Tiranë, do të mbahet premiera e dokumentarit “Nuse”, e shoqëruar me një koncert live që ndërthur zërat vendas me muzikën elektro-akustike.

Organizatorët bëjnë të ditur se dy javët e aktiviteteve kanë synuar të krijojnë ura komunikimi përmes artit, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke frymëzuar ndryshimin shoqëror. Vendet për pjesëmarrje janë të kufizuara, ndaj qytetarët ftohen të kontrollojnë oraret dhe lokacionet përkatëse. /Albinfo.ch.

 

Sunderlandi i Xhakës triumfon bindshëm ndaj Burnleyt

Sunderlandi i Granit Xhakës ka arritur një fitore të rëndësishme në Premier League të Anglisë, duke mposhtur Burnleyn me rezultat bindës 3:0, transmeton albinfo.ch.

Skuadra e Sunderlandit kaloi në epërsi që në minutën e nëntë, pasi Alex Tuanzebe realizoi autogol. Më pas, epërsia u thellua nga Habib Diarra dhe Chemsdine Taibi, të cilët siguruan fitoren e radhës për ekipin e tyre.

Kjo është fitorja e nëntë për Sunderlandin në këtë edicion të kampionatit, duke e ngjitur skuadrën në pozitën e tetë në tabelë me 36 pikë të grumbulluara.

Megjithatë, Sunderlandi vazhdon të jetë pa kapitenin Granit Xhaka, i cili po mungon për shkak të një lëndimi. /Albinfo.ch

Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih

Avokatja shqiptare Zamira Gashi përfaqëson një nga historitë më të suksesshme të diasporës shqiptare në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

E specializuar në të Drejtën Publike Ekonomike dhe Prokurimin Publik, ajo është e angazhuar në një avokatur prestigjioze në Mynih, ku ushtron profesionin me përkushtim dhe standarde të larta profesionale.

Përveç veprimtarisë së saj si avokate, Zamira Gashi mban edhe titullin e mediatores së certifikuar ekonomike, i akorduar nga Ministria e Drejtësisë e Bavarisë, duke dëshmuar ekspertizë të avancuar në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve dhe në ndërmjetësimin profesional në çështje ekonomike dhe institucionale, transmeton tutje albinfo.ch.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar përvojë të gjerë në këshillimin e korporatave ndërkombëtare dhe institucioneve publike, si dhe ka qenë e angazhuar në procese dhe bashkëpunime profesionale me Gjykatën Administrative të Regensburgut, Prokurorinë dhe institucione të tjera relevante të sistemit juridik gjerman. Kontributi i saj profesional e ka pozicionuar si një zë të besueshëm dhe kompetent në fushën e së drejtës publike dhe ekonomike.

Megjithëse e lindur dhe e arsimuar në Gjermani, Zamira Gashi ruan një lidhje të fortë me Kosovën, duke shprehur vazhdimisht gatishmëri për të kontribuar me njohuritë dhe përvojën e saj në mbështetje të zhvillimit institucional dhe profesional.

Në këtë kuadër, ajo u prit së fundmi në një takim nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, ku u diskutuan aktivitetet e Konsullatës në Bavari dhe Turingi, si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe ndërtimin e një rrjeti profesional të juristëve me prejardhje nga Kosova./Albinfo.ch

Orë letrare në Cyrih për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, komuniteti shqiptar në Zvicër organizon një “Orë Letrare”, e cila do të mbahet të shtunën, më 21 shkurt 2026, duke filluar nga ora 17:00, në ambientet e Bibliotekës Pestalozzi Hardau, në Norastrasse 20, 8005 Cyrih, transmeton albinfo.ch.

Ky aktivitet kulturor do të mbledhë krijues shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë kryesisht në Zvicër, të cilët do të lexojnë poezi nga krijimtaria e tyre, duke sjellë për publikun frymën artistike dhe letrare të diasporës shqiptare. Po ashtu, në këtë orë letrare do të marrin pjesë edhe autore dhe autorë nga të gjitha trevat shqiptare, duke e shndërruar ngjarjen në një hapësirë të përbashkët kulturore dhe identitare.

Përmes fjalës artistike, ngjarja synon të nderojë një nga datat më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, duke forcuar lidhjen mes letërsisë, kujtesës historike dhe përkatësisë kombëtare.

Organizatorët ftojnë të gjithë dashamirësit e librit, poezisë dhe kulturës shqiptare të marrin pjesë në këtë aktivitet festiv. Vlen të theksohet se hyrja është e lirë./Albinfo.ch

 

SHKA “Teuta” në Lozanë në përgatitje për festën e 17 Shkurtit

Shoqëria Kulturore-Artistike “Teuta” në Lozanë po vijon me intensitet përgatitjet për koncertin festiv me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ky aktivitet do të shënohet me një program artistik të pasur, të mbushur me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, transmeton albinfo.ch.

“Teuta” është një nga shoqëritë më aktive dhe më përfaqësuese të kulturës shqiptare në Zvicër, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare në diasporë. Ansambli ka dalë për herë të parë në skenë më 21 prill 2005, dhe që nga ajo kohë ka qenë vazhdimisht i pranishëm në aktivitete kulturore dhe artistike.

Përmes valleve dhe këngëve shqipe, SHKA “Teuta” ka kontribuar në ruajtjen e traditës autentike shqiptare dhe të gjuhës amtare te brezat e rinj. Me paraqitjet e saj të shumta, shoqëria ka arritur të prezantojë artin shqiptar edhe para publikut zviceran, i cili ka treguar interesim të veçantë për kulturën dhe folklorin shqiptar.

Koncerti për Pavarësinë e Kosovës pritet të jetë një moment festiv dhe simbolik, duke bashkuar komunitetin shqiptar në Lozanë dhe duke përcjellë mesazhin e unitetit, krenarisë dhe identitetit kombëtar./Albinfo.ch

Video:

https://www.facebook.com/share/v/1Bf2AJjQ9V/?mibextid=wwXIfr

Hapet në Londër shkolla më e re shqipe “Aleksandër Xhuvani”

Shkolla shqipe “Aleksandër Xhuvani” në Londër ka nisur zyrtarisht aktivitetin e saj më 31 janar, duke u shndërruar në një qendër të re edukimi për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Qëllimi i saj është mësimi dhe përforcimi i gjuhës shqipe, si dhe njohja me kulturën, historinë dhe traditat kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Kjo nismë arsimore ka gjetur përkrahje institucionale nga Qendra e Botimeve për Diasporën, si dhe nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër, të cilat kanë kontribuar edhe me pajisjen e shkollës me libra të gjuhës shqipe.

Organizatorët shprehin mirënjohje të veçantë edhe për individët që mbështetën hapjen e shkollës dhe realizimin e këtij projekti edukativ: Edlira Preci, Mira Brazhda Skura, Desantila Qerimaj Rranxa, Diti L. Gashi, Anita Toci, Ermira Kollarja, Mimoza Mulaku Neziri dhe Aida Haziri.

Shkolla “Aleksandër Xhuvani” fton të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Londër që dëshirojnë të mësojnë ose të përmirësojnë gjuhën shqipe, të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e kësaj iniciative kulturore dhe arsimore.

Për herë të parë, shkolla ka hapur edhe klasë online përmes platformës Zoom, e cila zhvillohet çdo të shtunë nga ora 12:00 deri në 14:00, duke u mundësuar pjesëmarrjen edhe nxënësve që jetojnë jashtë Londrës./Albinfo.ch

Kontakt: 077 4749 0063 – Për informacione shtesë dhe për marrjen e linkut të Zoom-it, komunikoni përmes WhatsApp-it në numrin e lartcekur.

Terapia me tre barna jep rezultate premtuese kundër kancerit të pankreasit në studime eksperimentale

Një zhvillim i rëndësishëm në kërkimet për trajtimin e kancerit të pankreasit vjen nga Spanja, ku shkencëtarët kanë shënuar përparim të ndjeshëm në modelet eksperimentale.

Mariano Barbacid, drejtues i grupit të Onkologjisë Eksperimentale në Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO), bëri të ditur se një studim i kryer te minjtë ka arritur të eliminojë qelizat kancerogjene të formës më të shpeshtë dhe më agresive të kancerit të pankreasit, të njohur si adenokarcinoma duktale pankreatike (PDAC).

Sipas rezultateve, trajtimi ka sjellë jo vetëm zhdukjen afatgjatë të tumorit, por edhe një ulje të ndjeshme të efekteve anësore, duke shënuar një kohëzgjatje të paprecedentë të kontrollit të sëmundjes.

“Për herë të parë kemi arritur një përgjigje të plotë dhe të qëndrueshme, me toksicitet minimal, kundër kancerit të pankreasit në modelet eksperimentale. Këto të dhëna sugjerojnë se terapia e kombinuar mund të ndryshojë rrënjësisht ecurinë e këtij tumori”, u shpreh Barbacid, në një konferencë për shtyp së bashku me bashkautorët e studimit Carmen Guerra, Vasiliki Liaki dhe Sara Barrambana.

Edhe pse nevojiten ende kohë dhe verifikime përpara kalimit në prova klinike te njerëzit, studiuesit theksojnë se adenokarcinoma duktale pankreatike ka pësuar regres të plotë për rreth 200 ditë në modelet shtazore, pa efekte anësore serioze, falë kombinimit të tre barnave.

Terapia e kombinuar me tre barna

Trajtimi eksperimental përfshin tre ilaçe që veprojnë mbi mekanizmat kyç të rritjes së qelizave tumorale: dy prej tyre synojnë proteinat EGFR dhe STAT3, ndërsa i treti vepron kundër onkogjenit KRAS, një faktor qendror në zhvillimin e këtij lloji kanceri, të cilin ekipi spanjoll e studion prej vitesh.

Barnat që bllokojnë KRAS-in, i cili është i mutuar në rreth 90% të rasteve të kancerit të pankreasit, kanë treguar deri më tani efektivitet të kufizuar, pasi tumori krijon rezistencë pas disa muajsh trajtim. Studimi i ri synon pikërisht tejkalimin e kësaj rezistence, duke hapur perspektiva të reja për trajtimin e një prej tumoreve më vdekjeprurëse.

 

Vizita e shatërvanit Trevi në Romë tani me pagesë

Që nga dita e sotme, turistët nuk mund ta vizitojnë më falas Shatërvanin e njohur Trevi në Romë. Sipas raportimeve të mediave italiane, hyrja tashmë kushton dy euro dhe bileta mund të blihet online. Banorët e Romës përjashtohen nga pagesa, por duhet të identifikohen me dokument identiteti.

Hyrja në zonën e shatërvanit, që ndodhet në zemër të kryeqytetit italian, lejohet nga e hëna deri të premten në orarin 11:30–22:00, ndërsa gjatë fundjavës nga ora 09:00 deri në 22:00.

Vendimi për vendosjen e biletave vjen pas një periudhe testuese njëvjeçare, nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2025, kohë gjatë së cilës Shatërvani Trevi u vizitua nga mbi 10 milionë persona, mesatarisht rreth 30 mijë vizitorë në ditë, ndërsa në disa raste numri arriti deri në 70 mijë.

Autoritetet lokale synojnë që përmes kësaj mase të kontrollojnë fluksin e vizitorëve dhe të krijojnë kushte më të mira për përjetimin e këtij monumenti ikonik. Të ardhurat nga biletat do të përdoren për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e shatërvanit, raportojnë mediat.