Gratë mbi 50 vjeç po nënvlerësohen në tregun e punës në Zvicër

Gratë mbi moshën 50-vjeçare vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi serioze në tregun zviceran të punës, pavarësisht përvojës së tyre profesionale dhe mungesës së fuqisë punëtore në shumë sektorë.

Sipas një analize të publikuar në mediat zvicerane, shumë kompani vazhdojnë t’i konsiderojnë gratë e kësaj grupmoshe si më pak fleksibile, më pak të përshtatshme për teknologjitë e reja ose më të kushtueshme për t’u punësuar, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se ky perceptim bie ndesh me realitetin demografik të Zvicrës, ku popullsia po plaket dhe ekonomia ka gjithnjë e më shumë nevojë për punonjës me përvojë.

Sipas studimeve të tregut të punës, gratë mbi 50 vjeç shpesh hasin më shumë vështirësi për të gjetur punë të re pas humbjes së vendit të punës, krahasuar me burrat e së njëjtës moshë. Në shumë raste, ato përballen edhe me paga më të ulëta dhe më pak mundësi avancimi.

Organizatat për barazi gjinore theksojnë se kjo kategori sjell shumë avantazhe në kompani:

përvojë profesionale

stabilitet

aftësi komunikimi dhe menaxhimi

si dhe besnikëri më të madhe ndaj punëdhënësit.

Megjithatë, stereotipet për moshën vazhdojnë të ndikojnë negativisht në proceset e rekrutimit.

Ekspertët kërkojnë që kompanitë zvicerane të fokusohen më shumë tek aftësitë dhe eksperienca sesa tek mosha, sidomos në një kohë kur shumë sektorë po përballen me mungesë punonjësish.

 

 

 

Cilët sektorë preken nga iniciativa kundër emigracionit

Zvicra mund të përballet me mungesë serioze fuqie punëtore në dekadat e ardhshme nëse qytetarët miratojnë iniciativën “No to 10 million” në referendumin e 14 qershorit.

Sipas një studimi të publikuar së fundmi, vendi mund të ketë mungesë deri në 329 mijë punëtorë me orar të plotë deri në vitin 2050 nëse kufizohet emigracioni, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Studimi paralajmëron se problemet do të ndihen shumë më herët, madje në disa kantone që nga viti 2030, për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës aktuale të stafit në tregun e punës.

Sektorët më të rrezikuar janë:

shëndetësia

teknologjia dhe IT

prodhimi industrial

hoteleria dhe gastronomia

kujdesi për të moshuarit.

Në shumë prej këtyre profesioneve, punëtorët nga BE dhe EFTA zënë mes 25% dhe 45% të vendeve të punës.

Iniciativa e promovuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) synon të kufizojë popullsinë e Zvicrës në maksimum 10 milionë banorë deri në vitin 2050 dhe mund të çojë në rikthimin e kuotave për emigracionin.

Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se ekonomia zvicerane varet shumë nga fuqia punëtore e huaj dhe se kufizimet e reja mund të dëmtojnë rëndë tregun e punës dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se emigracioni i lartë po ushtron presion mbi banesat, transportin dhe infrastrukturën publike, sidomos në qytetet e mëdha.

Fshati zviceran Brienz pothuajse nuk po rrëshqet më

Pas vitesh frike nga rrëshqitjet masive të dheut dhe shkëmbinjve, situata në fshatin malor Brienz/Brinzauls është stabilizuar ndjeshëm.

Sipas ekspertëve dhe autoriteteve lokale, lëvizja e masës së madhe shkëmbore mbi fshat është ngadalësuar aq shumë sa që aktualisht fshati “pothuajse nuk po rrëshqet më”, transmeton albinfo.ch.

Fshati në kantonin Graubünden ishte bërë simbol i rrezikut natyror në Zvicër, pasi për vite të tëra banorët janë detyruar të evakuohen disa herë nga frika e një rrëshqitjeje katastrofike. Në vitin 2023, një masë gjigante shkëmbinjsh u shemb pranë fshatit, por për pak metra nuk goditi shtëpitë.

Sipas gjeologëve, stabilizimi i situatës lidhet me dy faktorë kryesorë:

rrëshqitjet dhe shembjet që kanë ndodhur tashmë në zonë

dhe ndërtimi i tunelit kullues që ndihmon në largimin e ujit nga mali, duke ulur presionin mbi shtresat shkëmbore.

Pas më shumë se një viti evakuim, banorët janë lejuar të rikthehen gradualisht në shtëpitë e tyre që nga janari 2026. Autoritetet thonë se rreziku nuk është zhdukur plotësisht, por aktualisht konsiderohet shumë më i ulët se më parë.

Megjithatë, jo të gjithë banorët janë rikthyer. Disa familje kanë zgjedhur zhvendosjen e përhershme, pasi ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe reshjet intensive mund të krijojnë sërish probleme në të ardhmen.

Disa vetura dëmtohen dhe plaçkiten në Chambésy

Policia në kantonin e Gjenevës po heton një seri thyerjesh të veturave të raportuara në zonën e Chambésy, ku disa automjete janë dëmtuar dhe plaçkitur gjatë natës.

Sipas raportimeve të para, hajdutët kanë thyer xhamat e veturave të parkuara dhe kanë marrë sende të ndryshme me vlerë nga brenda automjeteve. Incidentet kanë ndodhur në disa lokacione brenda lagjes, duke shqetësuar banorët e zonës, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që:

të mos lënë sende me vlerë në vetura

të mbyllin automjetet edhe për ndalesa të shkurtra

dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

Policia po analizon kamerat e sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorëve. Deri tani nuk janë raportuar arrestime.

Rastet e vjedhjeve nga veturat janë rritur në disa zona urbane të Zvicrës muajt e fundit, sidomos gjatë natës dhe në parkingje publike.

Botërori 2026 pritet të ketë pak ndikim në ekonominë zvicerane

Edhe pse FIFA ka selinë në Cyrih dhe Botërori 2026 do të jetë më i madhi në histori, ekonomistët nuk presin një “boom” të madh ekonomik për Zvicrën.

Sipas analizave të publikuara nga KOF Institute pranë ETH Zurich dhe BAK Economics, ndikimi ekonomik i Kampionatit Botëror 2026 pritet të jetë relativisht i kufizuar, pavarësisht zgjerimit të turneut në 48 kombëtare dhe 104 ndeshje.

Ekspertët vlerësojnë se eventi mund të rrisë GDP-në zvicerane me vetëm rreth 0.3 deri 0.4 pikë përqindjeje gjatë vitit 2026, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Arsyeja kryesore është se ndikimi ekonomik i FIFA-s nuk është më aq dominant sa dikur, pasi sot zhvillohen shumë më tepër mega-evente sportive ndërkombëtare gjatë vitit, përfshirë garat e UEFA-s, Botërorin e Klubeve dhe kompeticione të tjera globale.

Megjithatë, të ardhurat e FIFA-s pritet të rriten ndjeshëm. Vetëm nga të drejtat televizive, sponsorizimet dhe paketat hospitality parashikohen rreth 1 miliard franga më shumë krahasuar me Botërorin e Katarit 2022.

Kjo ka ndikim pozitiv në statistikat ekonomike të Zvicrës sepse FIFA regjistrohet si organizatë me bazë në Zvicër, dhe të ardhurat e saj hyjnë në llogaritë kombëtare të vendit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se efekti real në tregun e punës dhe ekonominë e përditshme mbetet i kufizuar.

Ekonomistët paralajmërojnë gjithashtu se ngjarje të tilla mund të “shtrembërojnë” përkohësisht statistikat ekonomike zvicerane, prandaj autoritetet publikojnë shpesh edhe tregues të GDP-së “pa efektin e sportit”, për të treguar më qartë zhvillimin real të ekonomisë.

15 vjeçari sulmon me çekiç një kosovar dhe një irakian: Gjykohet për racizëm

I armatosur me çekiç, helmetë dhe uniformë, një 15-vjeçar akuzohet se në oborrin e shkollës ka bërë tentativë vrasjeje të motivuar nga racizmi. Çfarë fshihet pas sulmit brutal?

Një adoleshent do të dalë në gjyq në Gjykatën e Lndit të Augsburgut duke filluar nga e marta për një sulm me çekiç të kryer ndaj dy nxënësve në oborrin e një shkolle, trsnmeton albinfo.ch. I pandehuri dyshohet se i goditi viktimat me çekiç për arsye raciste, duke i plagosur të dy.

Nxënësi atëherë 15-vjeçar akuzohet para gjykatës së të miturve për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë.

Për shkak të moshës së të pandehurit, i gjithë procesi është i mbyllur për publikun sipas Aktit të Gjykatës së të Miturve, . Një vendim mund të merret në qershor, shkruan Agjencia e Lajmeve e Gjermanisë, DPA. Prezumimi i pafajësisë vlen për adoleshentin e akuzuar derisa të arrihet një dënim ligjërisht i detyrueshëm.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte për qëllim të vriste myslimanët.

15-vjeçari dyshohet se hyri në oborrin e shkollës së mesme në Friedberg mëngjesin e 2 tetorit 2025, me qëllim vrasjen e njerëzve me besim islamik dhe origjinë të huaj, përcjell albinfo.ch. Adoleshenti thuhet se kishte veshur një kostum si uniformë dhe një helmetë ushtarake, dhe përveç një çekiçi, dyshohet se mbante edhe dy pistoleta airsoft që mund të mbahen pa leje.

Në oborrin e shkollës, thuhet se ai ka goditur me çekiç një nxënës me prejardhje irakiane dhe një nxënës me prejardhje kosovare në kokë dhe trup, përkatësisht. Nxënësit 14 dhe 13-vjeçarë pësuan lëndime të lehta deri në të mesme. 15-vjeçari, një ish-nxënës i shkollës së mesme, u arrestua nga policia pak më vonë dhe që atëherë ka qenë në paraburgim.

Gjykata për të mitur planifikon disa ditë seancash dëgjimore.

Meqenëse hetimi zbuloi indikacione për ekzistimin e motivit ekstremist, Zyra e Prokurorit Publik të Mynihut mori përsipër çështjen menjëherë pas incidentit. Autoriteti hetues në kryeqytetin e Landit është Zyra Qendrore e Bavarisë për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit.

Fillimisht janë planifikuar njëmbëdhjetë ditë gjyqi deri më 23 qershor. Megjithatë, procedurat mund të përfundojnë pak më herët. Edhe pse vendimi do të jepet me dyer të mbyllura, Gjykata e Landit synon ta njoftojë rezultatin për publikun.

Futbollisti shqiptar ftohet nga Suedia për Kampionatin Botëror

Ish-futbollisti i Kosovës U21, Besfort Zeneli, është ftuar nga Suedia për Kampionatin Botëror të futbollit që fillon më 11 qershor.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024 ai luajti për Kosovën U21, por më pas vendosi të kaloi te Suedia. Te Kosova U21 i kishte gjashtë paraqitje, ndërsa tashmë 22-vjeçari i ka gjashtë ndeshje edhe te Suedia A. Te Suedia A ka debutuar më 22 mars të vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Në Botëror, suedezët janë Grupin F, kurse do të luajnë me Tunizinë, Holandën e Japoninë.

Viktor Gyokeres e Alexander Isak janë yjet e mëdhenj të Suedisë.

Shifrat: Sa shqiptarë u refuzuan për hyrje në BE në vitin 2025

Në vitin 2025, 132 mijë e 600 shtetas të vendeve të treta iu refuzua hyrja në BE, duke përfaqësuar një rritje prej 7.1% krahasuar me vitin 2024.

Numri më i lartë i refuzimeve u regjistrua në Poloni (28 mijë e 960; ose 21.8% e totalit të BE-së), e ndjekur nga Franca (12 mijë e 210; 9.2%), Kroacia (12 mijë e 90; 9.1%) dhe Spanja (10 mijë e 610; 8.0%).

Në vitin 2025, shumica (53.9%) e shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE ishin në kufijtë e jashtëm tokësorë, të ndjekur nga kufijtë ajrorë (43.1%), ndërsa vetëm një pjesë e vogël (3.0%) u regjistrua në kufijtë detarë, raportojnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Numri më i madh i refuzimeve në kufijtë e jashtëm tokësorë u raportua nga Polonia (26 mijë e 355), Kroacia (11mijë e 660) dhe Rumania (9 mijë e 185).

Në kufijtë ajrorë, Franca raportoi numrin më të lartë të refuzimeve (10 mijë e 080), e ndjekur nga Spanja (9 mijë e 980) dhe Gjermania (7 mijë e 465). Italia raportoi numrin më të lartë të refuzimeve në kufijtë detarë të BE-së (1 mijë e 405), e ndjekur nga Franca (1 mijë e 35) dhe Greqia (405).

Në vitin 2025, numri më i madh i shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE u regjistrua për ukrainasit (26 mijë e 975), të ndjekur nga shqiptarët (12 mijë e 430), moldavët (11 mijë e 660), kolumbianët (6 mijë e 565), turqit (5 mijë e 635) dhe serbët (5 mijë e 440), shumica e të cilëve vijnë nga vende që ndajnë kufij tokësorë me BE-në.

Sipas eurostat, arsyeja kryesore për refuzimin e hyrjes ishte “qëllimi dhe kushtet e qëndrimit të pajustifikuara” (30.3%), e ndjekur nga “personi ka qëndruar tashmë 3 muaj brenda një periudhe 6-mujore” (16.9%) dhe “pa vizë ose leje qëndrimi të vlefshme” (15.3%).

Sakaq, 35 mijë e 460 shtetas të vendeve të treta që morën një urdhër për t’u larguar nga një vend i BE-së u kthyen në një vend të tretë, duke përfaqësuar 87.3% të totalit të kthimeve (155 mijë e 110).

Numri më i lartë i shtetasve të vendeve të treta të kthyer në një vend të tretë në BE ishte për shtetasit e Turqisë (13 mijë e 405), të ndjekur nga gjeorgjianët (10 mijë e 475), sirianët (8 mijë e 370), shqiptarët (8 mijë e 20) dhe rusët (5 mijë e 725).

Afër 60 mijë të regjistruar nga diaspora për zgjedhjet e 7 qershorit

Po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se që nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani janë mbi 59 mijë aplikime, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

“Në bazë të të dhënave, nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani (e martë, 12 maj 2026, ora 10:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 59,415 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 49,493, ndërsa 4,944 të tjera janë refuzuar dhe 4,957 janë në pritje për shqyrtim”.

“Nga 49,493 aplikime të aprovuara, 11,782 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,325 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 36,386 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, deklaroi Elezi.

Siç bëri të ditur ai, vendet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar për zgjedhjet e 7 qershorit janë: Gjermania pasuar nga Zvicra, Franca e Suedia.

“Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermani (24,624), Zvicër (11,063), Francë (2,172), Suedi (2,058), Austri (1,508) dhe Mbretëri e Bashkuar (1,337), ShBA (1,115) dhe Itali (1,046)”.

Qeveria e Kosovës ndan mbi 10.8 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

Qeveria e Kosovës në detyrë ka ndarë mbi 10.8 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike, ku është miratuar kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ndarjen e mjeteve buxhetore.

Shuma e miratuar për zgjedhjet është 10,887,186.45 euro, që do të shërbejë për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme për organizimin e procesit zgjedhor.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore, në vlerë prej 10,887,186.45 euro, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 07.06.2026”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e 7 qershorit pritet të shënojnë një proces të rëndësishëm politik, ndërsa KQZ do të vazhdojë përgatitjet teknike dhe administrative për realizimin e tyre.

Kosovë: LDK, Partia e Drejtësisë dhe Balli Kombëtar bashkohen në garën zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në një bashkëpunim zgjedhor me Partinë e Drejtësisë (PD) dhe Ballin Kombëtar, në kuadër të garës së ardhshme zgjedhore, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi publik, ku theksohet se subjektet kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku, me synimin e koordinimit politik dhe rritjes së përfaqësimit në procesin zgjedhor.

Po ashtu, Partia e Drejtësisë ka bërë të ditur se do të japë kontributin maksimal në funksion të suksesit të përbashkët politik dhe shtetëror.

Detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje dhe listave zgjedhore pritet të bëhen publike në ditët në vijim.:Alninfo.ch

Alis nga Eurovisioni: “Një ëndërr që po e jetoj”

Këngëtari Alis, i cili përfaqëson Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026, ka ndarë me ndjekësit një moment të veçantë nga ceremonia hapëse e festivalit, e njohur si “turquoise carpet”, përmes një videoje të publikuar në Instagram, përcjell albinfo.ch.

Në postimin e tij, artisti u shpreh i emocionuar për përvojën, duke e cilësuar si realizim të një ëndrre. “Ëndrrat bëhen realitet. Një moment kaq i pabesueshëm dhe emocionues duke ecur në tapetin bruz të Eurovisionit”, shkroi ai.

Alis shtoi se ky është një moment që dikur e kishte ëndërruar vetëm, ndërsa tani po e përjeton me mirënjohje të madhe. “Përjetësisht mirënjohës për këtë udhëtim, për dashurinë, mbështetjen dhe për të gjithë ata që kanë besuar në mua gjatë gjithë rrugës”, tha ai mes tjerash.

Ceremonia “turquoise carpet” shënon hapjen zyrtare të Eurovisionit, ku artistët e vendeve pjesëmarrëse prezantohen para mediave ndërkombëtare dhe publikut, duke sinjalizuar nisjen simbolike të javës së festivalit.

Ndërkohë, sonte (e martë) nis edicioni i 70-të i Eurovisionit me gjysmëfinalen e parë. Shqipëria do të performojë në gjysmëfinalen e dytë, e cila mbahet të enjten, më 14 maj, ndërsa finalja e madhe zhvillohet të shtunën, më 16 maj./Albinfo.ch

  

Ndërron jetë kardinali zviceran Emil Paul Tscherrig

Kardinali zviceran Emil Paul Tscherrig ka ndërruar jetë më 12 maj 2026 në Romë, në moshën 79-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Giovanni Battista Re, dekani i College of Cardinals, i cili njoftoi se anëtarët e këtij institucioni janë informuar për vdekjen e tij, përcjell albinfo.ch.

Vetëm disa ditë më parë, më 6 maj, kardinali kishte marrë pjesë në ceremoninë e betimit të 28 anëtarëve të rinj të Pontifical Swiss Guard, një nga ngjarjet tradicionale që zhvillohet çdo vit në Vatikan.

Pas vdekjes së tij, numri i kardinalëve me të drejtë vote në botë zbret në 118.

Kardinali Tscherrig, me origjinë nga kantoni Valais, jetonte në Romë që prej vitit 2024, pas tërheqjes nga shërbimi aktiv.

Ai ishte shuguruar meshtar në vitin 1974 dhe katër vjet më vonë, në vitin 1978, iu bashkua shërbimit diplomatik të Holy See. Në vitin 2023 ai u emërua kardinal nga Pope Francis./Albinfo.ch

Zvicra mbetet destinacioni më i preferuar për gjermanët që jetojnë jashtë vendit

Gjithnjë e më shumë shtetas nga Gjermania po zgjedhin të jetojnë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Federal Statistical Office me seli në Wiesbaden, rreth 330 mijë gjermanë jetonin në Zvicër në fillim të vitit 2025.

Kjo shifër e vendos Zvicrën bindshëm në vendin e parë si destinacionin më të preferuar për gjermanët që jetojnë jashtë vendit.

Në vendin e dytë renditet një tjetër shtet gjermanofolës, Austria, ku rreth 240 mijë shtetas gjermanë janë vendosur për të jetuar.

Të dhënat tregojnë se vendet fqinje dhe veçanërisht ato me gjuhë të përbashkët vazhdojnë të jenë më tërheqëset për gjermanët që kërkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. /Albinfo.ch

Policia e Cyrihut nuk publikon gjithmonë kombësinë e të dyshuarve

Policia në Cyrih nuk e publikon në mënyrë të rregullt kombësinë e personave të dyshuar për vepra penale, edhe pse që nga viti 2021 ekziston një detyrim ligjor për ta bërë këtë, përveç rasteve të rralla kur duhet të mbrohet privatësia e individit, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave në fuqi në kantonin e Cyrih, policia duhet të bëjë të ditur edhe shtetësinë e të dyshuarve në komunikimet zyrtare për media. Megjithatë, kjo praktikë nuk zbatohet gjithmonë në mënyrë të njëjtë, gjë që ka nxitur një platformë zvicerane të lajmeve të hetojë arsyet e kësaj mospërputhjeje.

Zëdhënësi i policisë kantonale, Kenneth Jones, shpjegoi se mënyra e publikimit të këtyre të dhënave varet nga natyra e rastit.

“Në rastet penale zakonisht përmendet kombësia e personave të përfshirë. Ndërsa në shkeljet e trafikut kjo bëhet vetëm kur bëhet fjalë për shkelje të rënda ose kur ekziston interes i madh publik, për shembull në rastet e tejkalimit të shpejtësisë,” tha ai.

Kjo qasje selektive ka hapur debat mbi transparencën dhe mënyrën se si autoritetet komunikojnë informacionin lidhur me rastet kriminale në Zvicër./Albinfo.ch

Suedi: Arrestohen tre të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit shqiptar

Vrasja e 20-vjeçarit shqiptar në Suedi ka tronditur familjen dhe opinionin publik. I riu u privua nga jeta me thikë pas një përleshjeje që ndodhi në qendër të qytetit Kristianstad, gjatë fundjavës që lamë pas, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet suedeze kanë arrestuar tashmë tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast tragjik, ndërsa hetimet paraprake po fokusohen në dyshimet për një konflikt të vjetër mes dy familjeve shqiptare, konflikt që sipas raportimeve daton që nga viti 2011.

Viktima është identifikuar si Elion Veseli, me prejardhje nga Mitrovica. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga familjarët lidhur me ceremoninë mortore, ndërsa nuk dihet nëse ai do të varroset në Kosovë apo në Suedi.

Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, konflikti mes dy familjeve kishte nisur gjatë një turneu futbolli për fëmijë në vitin 2011, ku një përplasje mes dy djemve 12-vjeçarë çoi në tensione dhe përleshje mes prindërve. Raportohet se që nga ajo kohë, mosmarrëveshjet kanë vazhduar ndër vite me incidente të herëpashershme.

Mësohet se Elion Veseli ishte vëllai i njërit prej djemve të përfshirë në konfliktin fillestar, ndërsa një nga të arrestuarit dyshohet se i përket familjes tjetër të përfshirë në atë përplasje të hershme.

Raportimet e mediave suedeze përmendin se në përleshjen e janarit 2011 kishin marrë pjesë rreth 30 persona, ndërsa dy burra dhe dy gra ishin hetuar për dhunë fizike, por çështja nuk kishte përfunduar në gjykatë.

Mediumi suedez Bulletin shkruan se hasmëritë mes familjeve shqiptare janë një fenomen i njohur, por sipas tij nuk ka elemente që tregojnë se bëhet fjalë për familje kriminale. Disa prej personave të përfshirë figurojnë në databazën juridike “Verifiera”, kryesisht për vepra të lehta penale. Përjashtim bën rasti i babait të njërit prej djemve, i cili më vonë në vitin 2011 ishte dënuar me tre vite burg pasi në gjendje të dehur kishte goditur një burrë me shishe në kokë, rast që ishte cilësuar si tentim vrasje.

Sipas raportimeve, më 30 dhjetor 2014 dy djemtë u takuan sërish gjatë një ndeshjeje tjetër, ku dyshohet se pati prapë përplasje. Bulletin ka publikuar edhe dëshminë e njërit prej të përfshirëve, ku përshkruhet një incident verbal dhe fizik gjatë lojës, i cili më pas eskaloi me ndërhyrjen e njërit prej prindërve.

Në vazhdimësi, raportohet se babai i njërit prej tyre kishte qenë trajner futbolli, por ishte larguar pas një përleshjeje tjetër gjatë një ndeshjeje në Skåne në vitin 2015.

Ndërkohë, në dhjetor 2023 raportohet se kishte ndodhur një aksident jashtë Kristianstadit, i cili çoi në një përleshje të madhe ku dy persona u dërguan në spital dhe tre persona u arrestuan. Policia atëherë dyshoi se bëhej fjalë për një “përplasje të qëllimshme”, ndërsa në raportime u përmendën sërish dy familjet në konflikt.

Hetimet për vrasjen e Elion Veselit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet suedeze ende nuk kanë bërë të ditur detaje shtesë për motivin përfundimtar dhe akuzat që mund të ngrihen ndaj të dyshuarve./Albinfo.ch 

Delegacion i lartë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut viziton Zvicrën

Një delegacion i nivelit të lartë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka mbërritur në Zvicër për një vizitë pune, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit, Presidenti Gashi dhe delegacioni u takuan me Ambasadorin Christian Frutiger, Ndihmës Drejtor i Përgjithshëm dhe Shef i Divizionit të Bashkëpunimit Tematik, si dhe me Séverine Donnet-Descartes, Shefe e Seksionit për Evropën Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Në takim u diskutua partneriteti i fuqishëm mes Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe vazhdimi i mbështetjes zvicerane në projekte zhvillimore dhe institucionale.

Një nga temat kryesore ishte Programi për Mbështetje Parlamentare (PSP), i cili ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e Institutit Parlamentar, forcimin e kapaciteteve administrative dhe kërkimore, si dhe në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies brenda Parlamentit.

Zvicra u riafirmua si një partner i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut në procesin e reformave dhe në rrugën drejt integrimit evropian./Albinfo.ch

Ekspozita “Shqipëria 1921, Eugène Pittard” zhvendoset në Durrës

Pas një ndalese të suksesshme në Shkodër, ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”vjen tashmë në Durrës, duke i ofruar publikut një përvojë të veçantë historike dhe kulturore përmes fotografive origjinale të realizuara më shumë se një shekull më parë, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita sjell në vëmendje udhëtimet e Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij Hélène Pittard, të cilët gjatë viteve 1921 dhe 1924 udhëtuan nëpër Shqipëri, duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, traditat, njerëzit dhe peizazhet e asaj kohe.

Kjo përmbledhje fotografike ofron një vështrim të rrallë mbi Shqipërinë e fillimshekullit XX, parë nga perspektiva e një akademiku të njohur zviceran, i cili njihet edhe si një mik i madh i Shqipërisë. Fotot e tij paraqiten për herë të parë në materiale të shtypura, si dhe si përvojë digjitale për publikun.

Ekspozita konsiderohet një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë së përbashkët kulturore zvicerano-shqiptare dhe një mundësi për të reflektuar mbi historinë dhe identitetin e vendit nëpërmjet dokumentimit vizual./Albinfo.ch

Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë

Edicioni i ri i Eurovision Song Contest 2026 nis këtë të martë në Vjenë, ku sonte do të mbahet gjysmëfinalja e parë e festivalit të njohur europian të muzikës, përcjell albinfo.ch.

Në skenën e sallës Wiener Stadthalle do të performojnë 15 artistë, të cilët synojnë të sigurojnë një vend në finalen e madhe. Mes tyre është edhe përfaqësuesi i Izraelit, këngëtari Noam Bettan me këngën “Michelle”.

Sipas formatit të garës, 10 më të mirët nga gjysmëfinalja e parë dhe 10 të tjerë nga gjysmëfinalja e dytë – që do të mbahet më 14 maj – do të kalojnë në finale.

Ndërkohë, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë siguruar tashmë një vend në finale si financuesit më të mëdhenj të festivalit, ndërsa Austria është automatikisht në finale si vendi fitues dhe organizator i edicionit të këtij viti.

Festivali këtë vit zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politike. Spanja, Irelanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda kanë njoftuar bojkotin e tyre ndaj festivalit në shenjë proteste për pjesëmarrjen e Izraelit.

Gjatë kësaj jave në Vjenë janë planifikuar edhe disa demonstrata pro-palestineze, ndërsa autoritetet kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë. Në qytet janë angazhuar oficerë policie nga e gjithë Austria, si dhe forca mbështetëse nga Gjermania.

Në garën e këtij viti marrin pjesë 35 vende, ndërsa ndër favoritët për një renditje të lartë përmendet Finlanda me këngën “Liekinheitin”. Po ashtu vëmendje po tërheqin edhe këngëtari grek Akylas, grupi portugez Bandidos do Cante dhe artistja Senhit nga San Marino.

Pas polemikave të vitit të kaluar për manipulim votash, European Broadcasting Union ka ndryshuar rregullat e votimit, duke përgjysmuar numrin maksimal të votave për person në 10, si dhe duke shtuar masa kundër votimit të dyshimtë ose të koordinuar./Albinfo.ch

Britania dhe Franca do të organizojnë samitin e mbrojtjes për Ngushticën e Hormuzit

Britania dhe France do të organizojnë sot një takim me rreth 40 ministra të Mbrojtjes, ku do të diskutohen planet për mbrojtjen e anijeve tregtare në Strait of Hormuz, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, partnerët e koalicionit pritet të paraqesin kontributet ushtarake që mund të ofrojnë për sigurinë në këtë korridor strategjik detar, pasi të ndërpriten armiqësitë në rajon.

Takimi do të bashkëkryesohet nga ministri britanik i Mbrojtjes John Healey dhe homologja e tij franceze Catherine Vautrin.

Megjithatë, iniciativa ka hasur në kritika nga zyrtarë amerikanë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth i ka cilësuar përpjekjet si “budallallëqe”, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka vënë në dyshim kohën e organizimit të takimit, duke thënë se “nuk ka kuptim”.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar tashmë vendosjen e shkatërruesit të saj detar HMS Dragon në rajon, në kuadër të përpjekjeve për të rritur sigurinë në këtë zonë të rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin global me energji./Albinfo.ch

Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik

Kosova ka marrë pjesë për herë të parë si vend partner në konferencën ndërkombëtare Future Industry Minds 2026, e cila po zhvillohet në Cologne të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar është një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Sipas tij, në konferencë marrin pjesë shumë kompani nga Gjermania dhe vende të tjera, si dhe biznese nga Kosova, të cilat kanë mundësi të diskutojnë në panele të ndryshme dhe të krijojnë kontakte të reja bashkëpunimi.

Kurti theksoi se aktiviteti po mbahet në kështjellën Schloss Bensberg, ndërsa përmendi edhe zhvillimet ekonomike në Kosovë, duke thënë se vendi po shënon rritje ekonomike rreth 4 për qind, me rritje të qarkullimit të bizneseve, eksporteve dhe investimeve të huaja.

Gjatë vizitës në Gjermani, ai ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të landit North Rhine-Westphalia, ku është diskutuar edhe roli i mërgatës kosovare në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve. Në këtë kuadër, Kurti vizitoi edhe Düsseldorf, ku u prit nga kryeministri i këtij landi.

Ai shtoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të përqendrohet në investime strategjike në ekonomi, industri dhe infrastrukturë, duke përfshirë sektorë si minierat, gazifikimin e linjitit, hekurudhat, digat dhe zhvillimin e turizmit në Brezovica Ski Resort.

Sipas Kurtit, synimi i qeverisë është zgjerimi i eksporteve dhe tërheqja e investimeve të huaja, duke shfrytëzuar potencialin zhvillimor të sektorëve kyç të ekonomisë së Kosovës./Albinfo.ch

Kosovë: Sot përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

Subjektet politike në Kosovë kanë afat edhe sot për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se afati 11-ditor për dorëzimin e listave përfundon të martën në mesnatë.

“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se dorëzimi i listave duhet të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedura është e njëjtë me atë të përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas KQZ-së, gjithsej 27 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Prej tyre 22 janë parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

KQZ u ka bërë thirrje subjekteve politike që listat e kandidatëve t’i dorëzojnë sa më shpejt, në mënyrë që të sigurohet certifikimi dhe përgatitja në kohë e procesit zgjedhor./Albinfo.ch