Grupi sindikal shqiptar “Aktivistët” në Unia organizon tubim informativ në Zürich

Grupi sindikal shqiptar në Unia, “Aktivistët”, organizon më 8 maj 2026, nga ora 18:00, një tubim informativ në gjuhën shqipe me temën: “Iniciativa e rrezikshme e SVP-së – ‘Jo Zvicrës 10 milionëshe’”.

Takimi synon të informojë dhe të nxisë diskutim rreth votimit të 14 qershorit 2026, i cili, sipas organizatorëve, lidhet me të ardhmen e Zvicrës, pozitën e të huajve, ekonominë dhe mirëqenien sociale.

Referues do të jetë Florim Kadriu, sekretar sindikal në Unia dhe njohës i mirë i ligjit për të huajt.
Tubimi mbahet në ambientet e Unia-s, në adresën Strassburgstrasse 11, 8004 Zürich.

Pjesëmarrja bëhet me lajmërim paraprak në numrin: 076 284 88 52, te Sheqir Berisha.

Lucerni bëhet kantoni më i favorshëm fiskalisht në Zvicër

Kantoni i Zug, prej kohësh i njohur si një nga destinacionet më tërheqëse për kompanitë e huaja për shkak të taksave të ulëta, nuk është më kantoni më i favorshëm fiskalisht në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Sipas një analize të re të realizuar nga firma konsulente PwC, kantoni i Lucernit ka ulur normën e tatimit mbi fitimin në 11.66% për vitin 2026, duke e kaluar paksa Zug, i cili qëndron në 11.71%.

Në krahasim, kantonet e mëdha si Cyrihu dhe Bern aplikojnë norma dukshëm më të larta, rreth 20%, duke e bërë konkurrencën fiskale ndër kantonet zvicerane edhe më të theksuar.

Ndërkohë, raporti thekson edhe një rritje prej afro 2% të numrit të punëtorëve ndërkufitarë në vitin 2026, duke reflektuar lëvizjet e vazhdueshme të fuqisë punëtore në tregun zviceran.

Antonov në Kosovë: Çfarë dihet për fluturimin e avionit gjigant An-124 në Prishtinë

Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, ka nxitur kureshtje të madhe në Kosovë. Aeroplani, i njohur si një nga më të mëdhenjtë në botë për transport mallrash, përfshirë edhe pajisje ushtarake, u pa duke u ulur në aeroportin që ndodhet rreth 17 kilometra larg Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, arsyeja e këtij fluturimi mbetet ende e panjohur. Fluturimi i avionit me regjistrimin UR-82008 nuk është shfaqur në regjistrat e fluturimeve komerciale online, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka deklaruar se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë mbërritje.

Uljen e avionit e ka dokumentuar edhe fotografi i njohur kosovar Arian Mavriqi, i cili ka publikuar pamje nga momenti i aterrimit. Po ashtu, entuziastë të aviacionit, vendorë dhe të huaj, kanë shpërndarë fotografi e video, duke aluduar se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani.

Sipas tyre, ekziston mundësia që Antonov An-124 të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, por ky mision nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të Radio Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i ka thënë REL-it se, si parim, nuk komenton transportet ushtarake dhe se deklarata e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim për këtë fluturim. Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimet e transportit të kompanisë Antonov.

“…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH përdoren për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, ka deklaruar një zëdhënës i Ministrisë gjermane.

Për çfarë përdoren avionët Antonov?

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, Antonov Airlines është degë e Antonov Company me seli në Kiev të Ukrainës. Kjo ndërmarrje shtetërore operon një flotë të gjerë avionësh transportues, përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, të cilët mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.

Dy prej këtyre avionëve përdoren përmes kompanisë Antonov Logistics SALIS GmbH, e cila ofron shërbime transporti për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht për dërgimin e “mallrave emergjente në situata krize”.

Për shkak të luftës në Ukrainë, kompania ka bërë të ditur se shërbimet e planifikimit të transportit dhe mirëmbajtjes janë zhvendosur përkohësisht në Lajpcig të Gjermanisë.

Fluturime të mëparshme në Kosovë

Kjo nuk është hera e parë që një avion i tillë zbarkon në Kosovë. Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar fotografi të një avioni Antonov kur kishte mbërritur në vitin 2016, ndërsa grupi BBKRspotters kishte publikuar pamje të uljes së tij edhe në janar 2024./Albinfo.ch

Kosova drejt miqësores me Andorrën, ndeshja pritet më 7 qershor në “Fadil Vokrri”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se Andorra mund të jetë njëra prej kundërshtareve të Kosovës në ndeshjet miqësore të muajit qershor, përcjell albinfo.ch.?

Sipas Ademit, Kosova dhe Andorra pritet të përballen në mbrëmjen e 7 qershorit, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Edhe pse në Kosovë në këtë datë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kreu i FFK-së ka theksuar se kjo nuk do të ndikojë në zhvillimin e ndeshjes.

“Nuk e kemi plotësisht të konfirmuar, por jemi në kontakt me zyrtarë të Federatës së Futbollit të Andorrës. Besoj që mund të jetë njëra prej kundërshtareve në ndeshjet miqësore. Nuk ka nevojë të ndryshohet data nëse luajmë më 7 qershor, sepse i kemi të ndara datat e FIFA-s dhe nuk ka nevojë, sepse përfundojnë zgjedhjet kur të fillojë ndeshja”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka bërë të ditur se FFK është në bisedime edhe me 5-6 përfaqësuese të tjera për një tjetër ndeshje miqësore, por nuk ka dhënë detaje për emrat e mundshëm. Sipas tij, gjithçka pritet të finalizohet të premten ose në fillim të javës së ardhshme.

“I kemi 5-6 kombëtare që i kemi përzgjedhur. Janë të interesuara që duan të bëjnë lojë miqësore, por ende nuk e kemi caktuar. Nesër ose më së largu të hënën do të zyrtarizohen”, ka shtuar ai.

Kosova në muajin mars ishte pranë kualifikimit për Botërorin 2026, pasi fitoi gjysmëfinalen e plejofit ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3 në Bratislavë më 26 mars, por u mposht më 31 mars nga Turqia në Prishtinë me rezultat 1:0.

Pas miqësoreve të qershorit, “Dardanët” do të nisin në shtator ciklin e ri të ndeshjeve në Ligën e Kombeve. Kosova, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, është promovuar për herë të parë në Ligën B, ku në grup do të përballet me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.

Ndeshjen e parë Kosova do ta luajë më 24 shtator, në shtëpi ndaj Irlandës./Albinfo.ch

Hapet sërish qarkullimi në Gotthard Pass në Zvicër

Që nga ora 11:00 e së premtes, më 8 maj, qarkullimi i automjeteve është rikthyer në Gotthard Pass në Zvicra, pas mbylljes sezonale dimërore që kishte nisur në nëntor, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Rrugëve, puna për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kalimit malor është përfunduar më herët se sa ishte parashikuar, falë kushteve të favorshme të motit dhe sasisë më të vogël të borës krahasuar me vitin e kaluar.

Rihapja e këtij aksi pritet të ndihmojë në lehtësimin e trafikut në autostradën A2, veçanërisht në periudhat me fluks të lartë gjatë festave të Ascension dhe Pentecost, që bien përkatësisht më 14–17 maj dhe 22–25 maj.

Me hapjen e Gotthard Pass, është rikthyer gjithashtu edhe zgjerimi sezonal i daljeve në Göschenen, me qëllim përmirësimin e rrjedhës së trafikut në këtë segment strategjik të qarkullimit veri–jug./Albinfo.ch

Resorti zviceran St. Moritz më i shtrenjti në botë për prona

Çmimet e pasurive të paluajtshme në Zvicër kanë shënuar rritje të ndjeshme, me disa komunitete alpine që renditen ndër më të shtrenjtat në botë, sipas një indeksi të ri të publikuar nga banka UBS më 7 maj, përcjell albinfo.ch.

Në krye të listës globale qëndron resorti malor St. Moritz në kantonin Graubünden, ku çmimet e banesave arrijnë deri në rreth 52,000 franga zvicerane për metër katror. Kjo e vendos St. Moritz përpara destinacioneve të njohura për çmime të larta si Monaco, i cili renditet në vendin e dytë, si dhe New York City, që zë vendin e tetë.

Edhe brenda vetë Zvicrës, disa destinacione alpine dominojnë listën globale. Gstaad dhe Verbier renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë, duke konfirmuar trendin e rritjes së fortë të çmimeve në zonat turistike të Alpeve.

Ndër qytetet e mëdha zvicerane, Cyrihu renditet në vendin e shtatë, ndërsa Geneva në vendin e njëmbëdhjetë, duke mbetur gjithashtu ndër tregjet më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme në Evropë.

Raporti i UBS thekson se kërkesa e lartë për prona në zonat alpine, e kombinuar me ofertën e kufizuar, vazhdon të jetë faktori kryesor që shtyn çmimet në nivele rekord./Albinfo.ch

VV-ja në koalicion me GUXO-n, Alternativën dhe PShDK-në për zgjedhjet e 7 qershorit

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në koalicion me Partinë GUXO, Partinë Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PShDK), transmeton albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi nga Partia GUXO, e cila ka bërë të ditur se subjektet politike kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike.

“Sot u vulos vazhdimi i një rruge të përbashkët politike: Partia GUXO, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia ALTERNATIVA dhe Partia Shqiptare Demokristiane nënshkruan Marrëveshjen e Koalicionit, si angazhim i qartë përpara qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas GUXO-s, ky koalicion nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim i vendosur politik për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për të vendosur qytetarin në qendër të vendimmarrjes.

Në njoftim theksohet se partnerët e koalicionit hyjnë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet përmes drejtësisë funksionale, institucioneve të qëndrueshme dhe një qeverisjeje që garanton llogaridhënie. Po ashtu, thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare janë detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.

GUXO ka theksuar se koalicioni synon të ofrojë stabilitet dhe qartësi politike, duke e përshkruar atë si një angazhim për një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt jashtë, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara./Albinfo.ch

AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, këto dy subjekte politike kanë dorëzuar konfirmimin për mospjesëmarrje brenda afatit të përcaktuar, i cili ka përfunduar më 7 maj në ora 24:00.

KQZ bëri të ditur se në total nëntë parti politike kanë njoftuar zyrtarisht se nuk do të jenë pjesë e garës zgjedhore, ku përfshihen edhe AKR dhe Nisma, si dy nga subjektet më të njohura politike në vend.

Në listën e partive që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje janë edhe: Partia Demokratike e Unitetit, Balli Kombëtar i Kosovës, Lëvizja Qytetare Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava, Partia e Drejtësisë, Srpski Narodni Pokret dhe Partia Reforma Demokratike.

Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes dhe formimin e koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026, dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Kosovë./Albinfo.ch

Trajnohen telepilotët e dronëve në Kosovë në kuadër të projektit evropian HAPE

Projekti evropian HAPE ka përfshirë një komponent të veçantë për trajnimin e telepilotëve të dronëve në Kosova, me qëllim rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, transmeton albinfo.ch.

Programi është realizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Ambasada e Francës në Kosovë dhe operatorit CIVIPOL, ndërsa kësaj iniciative i është shtuar edhe një cikël i veçantë për trajnimin e instruktorëve.

Gjatë gjashtë javëve të fundit, dy ekspertë francezë nga Akademia e Policisë në Lognes kanë zhvilluar një trajnim intensiv për pjesëmarrësit në Kosovë.

Si rezultat i këtij programi, gjithsej 14 telepilotë janë trajnuar, ndërsa 6 prej tyre janë certifikuar edhe si instruktorë, duke krijuar kështu bazën për trajnime të mëtejshme në vend.

Këto aftësi të reja pritet të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të policisë dhe doganave, veçanërisht në përdorimin e teknologjisë së dronëve për monitorim dhe luftë kundër aktiviteteve të paligjshme.

Sipas organizatorëve, një mision i ri është planifikuar të zhvillohet gjatë kësaj vjeshte, me synim konsolidimin e njohurive të fituara dhe vlerësimin e cilësisë së trajnimit të realizuar deri më tani./Albinfo.ch

22 parti dhe 3 koalicione garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosova

Gjithsej 22 parti politike dhe tri koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor në Kosova, përcjell albinfo.ch.

Afati për regjistrimin e pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe për formimin e koalicioneve në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është mbyllur më 7 maj në orën 24:00. Ky obligim ka vlejtur për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive të regjistruara në Kosovë.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit janë pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa janë formuar edhe tri koalicione të përbëra nga nëntë parti politike. Ndërkohë, nëntë parti kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, së bashku me një sërë partish të komuniteteve joshumicë.

Ndërkohë, sipas KQZ-së, janë njoftuar edhe tri koalicione politike: koalicioni mes Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); koalicioni mes Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar); si dhe koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Në anën tjetër, disa parti politike kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje, ndër të cilat edhe Aleanca Kosova e Re, Nisma Socialdemokrate dhe Partia e Drejtësisë.

Sipas KQZ-së, procesi i njoftimit për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje dhe formimi i koalicioneve është i ndarë nga procesi i aplikimit për certifikimin e subjekteve të reja politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se afati për aplikim për certifikimin e subjekteve të reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

Ndërkohë, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike do të jetë i hapur deri më 12 maj 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa procesi i certifikimit zbatohet vetëm për subjektet e reja politike./Albinfo.ch

Mimoza Kusari-Lila merr pjesë në panelin ndërkombëtar të St. Gallen Symposium 2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit të Kosova, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në panelin përmbyllës të St. Gallen Symposium 2026 që u mbajt në Zvicra. Paneli u zhvillua me temën “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”, transmeton albinfo.ch.

Në këtë diskutim ndërkombëtar, Kusari-Lila ishte pjesë e panelit së bashku me Kelly Craft, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Kęstutis Budrys, ministër i Punëve të Jashtme i Lituania, si dhe Emma Theofelus, ministre e Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë e Namibia. Debati u moderua nga gazetari Michael Brocker.

Sipas Kusari-Lilës, diskutimi është përqendruar në ndryshimet e rendit global, rritjen e multipolaritetit dhe ndikimin e politikave të fuqive të mëdha në një periudhë kur multilateralizmi po përballet me dobësim të vazhdueshëm.

Ajo theksoi gjithashtu se gjatë panelit është diskutuar edhe roli i mekanizmave ndërkombëtarë në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve, si dhe ndikimi i ndryshimeve gjeopolitike në funksionimin e tyre.

Ministrja ka deklaruar se, pavarësisht ngecjeve në procesin e integrimit evropian, qytetarët e Kosovës mbeten ndër popujt më pro-evropianë në Ballkan. Sipas saj, rruga drejt Bashkimi Evropian mbetet alternativa e vetme strategjike për vendin.

Gjatë diskutimit, ajo ngriti shqetësimin për standardet e dyfishta ndaj shteteve të vogla, duke përmendur Kosovën në raport me dialogun me Serbia dhe mungesën e pasojave për aktet terroriste ndaj Kosovës. Sipas saj, praktika të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve ndaj rendit ndërkombëtar dhe institucioneve që duhet ta mbrojnë atë.

Kusari-Lila theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk duhet ta konsiderojë Ballkani Perëndimor si kufi të jashtëm, por si pjesë të natyrshme të projektit evropian.

Në panel janë trajtuar edhe zhvillimet globale të sigurisë, përfshirë tensionet me Irani, ekspozimin e vendeve baltike ndaj kërcënimeve nga Rusia, si dhe sfidat dhe krizat në kontinentin afrikan./Albinfo.ch

Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka adresuar një mesazh për diasporën kosovare para procesit zgjedhor të 7 qershorit, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në votim, por të mos e mbështesin kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë gjatë një emisioni televiziv të Kosovës, Gjini u shpreh se vota e diasporës është e rëndësishme për të ardhmen e vendit, por u kërkoi atyre të ndryshojnë qëndrimin politik.

“Vëllezër e motra të diasporës, votoni se Kosova është edhe e juaja sa është edhe e jona, por mos e votoni Albin Kurtin se jeni duke na marrë në qafë”, deklaroi Gjini.

Ai shtoi se bashkatdhetarët duhet të rishqyrtojnë vendimin e tyre, duke theksuar se, sipas tij, Kurti nuk është politikani më i mirë për Kosovën.

“Ndërroni mendje se nuk është Albin Kurti politikani më i mirë në Kosovë, nuk është më i mençuri, nuk është Albin Kurti ai që e do Kosovën më shumë se askush tjetër e as më shumë se ju”, u shpreh Gjini./Albinfo.ch

Kosova prezantohet me kulturë, film dhe muzikë në Hamburg

Konsullata e Republika e Kosovës në Hamburg hapi dyert për publikun në kuadër të eventit “Nata e Gjatë e Konsullatave”, një nismë e Senatit të qytetit që synon të promovojë shkëmbimin ndërkulturor dhe të forcojë bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme në qytet, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit, për të dytin vit radhazi, institucioni diplomatik mirëpriti një numër të madh vizitorësh, përfshirë përfaqësues të institucioneve vendore dhe të komuniteteve ndërkombëtare. Mes të ftuarve ishte edhe Sekretarja e Shtetit për Çështje Sociale dhe Integrim në Hamburg, Funda Gür, si dhe deputetë të Parlamentit të Hamburgut dhe qytetarë gjermanë të interesuar për kulturën dhe historinë e Kosovës.

Në kuadër të programit të këtij viti, Kosova u prezantua përmes një koncepti që vuri në pah rolin e gruas në ndërtimin dhe zhvillimin e shoqërisë, nga antikiteti deri në ditët e sotme. Ky rrëfim u soll përmes filmit dokumentar dhe elementeve të trashëgimisë historike e kulturore.

Programi përfshiu ekspozitën “Mëmëdhe” të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, shfaqjen e dokumentarit “Gratë e Lirisë” nga regjisori Lum Citaku, si dhe performancën artistike të bendit “Echoes of Origin”, nën udhëheqjen e mezzo-sopranos Flaka Goranci.

Po ashtu, në kuadër të eventit u prezantua edhe këndi “Made in Kosova (MIK)”, ku vizitorët patën mundësi të njihen me produkte vendore dhe të marrin pjesë në degustimin e verërave nga prodhues kosovarë.

Një mirënjohje e veçantë iu shpreh edhe drejtoreshës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e ekspozitës.

Konsullata e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Qytetin e Lirë dhe Hanseatik të Hamburgut, duke synuar thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët./Albinfo.ch

 

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe turmë

Mund të jetë një imazh i turmë

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, pije dhe turmë

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe turmë

Mund të jetë një imazh i harta dhe teksti

Mund të jetë një imazh i televizori

Photo: Jeton Bylykbashi

Shqipëria zhvillon provën e parë në Eurovision me performancë emocionale për këngën “Nan”

Shqipëria ka realizuar provën e parë skenike në Eurovision, duke u prezantuar me një koncept të thellë emocional dhe një regji të ndërtuar mbi temat e mallit, mungesës dhe shpresës, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, një temë prekëse që trajton dhimbjen e ndarjes dhe mallin për figurën e nënës. Alis pritet të ngjitet në skenën e Eurovisionit më 14 maj, ndërsa sot ka mbajtur provën e parë në skenën e festivalit që sivjet zhvillohet në Vjenë.

Performanca nis me artistin të gjunjëzuar në një skenë të errët, përpara se të ngrihet mes reve të tymit, duke vendosur menjëherë një atmosferë dramatike dhe të ngarkuar emocionalisht.

I veshur me një kostum të zi me detaje të ndritshme, Alis shoqërohet nga një narrativë vizuale e fuqishme në ekranet skenike. Në grafikë shfaqet një grup grash, disa prej tyre të veshura me elemente tradicionale shqiptare, që simbolizojnë nënat shqiptare dhe pritjen e tyre të gjatë për rikthimin e bijve.

Rrëfimi vizual ndërthuret edhe me skena ku djemtë shfaqen duke kënduar, duke përcjellë mesazhin se gjendja është e përkohshme dhe se shpresa për një të ardhme më të mirë mbetet e gjallë. Kjo krijon një kontrast të fortë emocional mes largimit dhe optimizmit.

Gjatë interpretimit, teksti i këngës do të shfaqet edhe me titra në gjuhën angleze, një praktikë e përdorur edhe më herët në Eurovision, për të ndihmuar publikun ndërkombëtar të kuptojë mesazhin e këngës.

Ndërkohë, produksioni skenik pritet të sjellë edhe elemente të tjera surprizë, të cilat ende nuk janë zbuluar plotësisht, duke ruajtur misterin për performancat e ardhshme./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/1FqfKLu1kc/?mibextid=wwXIfr

https://www.facebook.com/share/1LUvSjffxh/?mibextid=wwXIfr

Imelda Prifti përfaqëson artin shqiptar në Kanada në ekspozitën “Women’s Voices”

Piktorja shqiptare që jeton dhe vepron në Kanada, Imelda Prifti, vazhdon të jetë aktive në skenën artistike, duke marrë pjesë në ekspozita që promovojnë artin dhe fuqizimin e zërit të grave, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur se pjesëmarrja në ekspozita për të është gjithmonë një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie, por mbi të gjitha një proces i vazhdueshëm vetëvlerësimi dhe kërkimi artistik. Sipas saj, takimi me artistë të ndryshëm dhe shkëmbimi i përvojave e pasuron rrugëtimin krijues dhe i jep artit një dimension më të thellë.

Një nga përvojat më frymëzuese për Imelda Priftin ka qenë pjesëmarrja në ekspozitën “Women’s Voices”, organizuar nga Women’s Art Association of Canada, në kuadër të International Women’s Day. Ekspozita u zhvillua në dy pjesë dhe kishte në fokus fuqizimin dhe shprehjen artistike të grave.

Në këtë event, Imelda Prifti u përfaqësua me veprën e saj “Roses Abstract”, e cila u përzgjodh për ekspozim. Artistja ka treguar se frymëzimi dhe titulli i punimit lidhen me këngën “Days of Wine and Roses”, e cila shërbeu si pikënisje për të krijuar një ndjesi estetike dhe emocionale të veçantë.

Përmes kësaj pikture, ajo synon të përcjellë një atmosferë delikate, mes pranverës dhe bukurisë së trëndafilave, ku ngjyrat dhe ndjesitë bashkohen në harmoni.

Imelda Prifti thekson se arti për të mbetet një udhëtim i pandërprerë drejt vetëzbulimit dhe një mënyrë për të shprehur emocione që shpesh tejkalojnë fjalët./Albinfo.ch

Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka shpallur Shqipe Neziri Velën fituese të çmimit “Europiania e Vitit 2026”, për kontributin e saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe promovimin e qeverisjes së qëndrueshme në sektorin e energjisë në Kosovë dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës së BE-së, Neziri Vela është një profesioniste me mbi 20 vjet përvojë në sektorin e energjisë, qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit. Ajo u vlerësua veçanërisht për rolin e saj si bashkëthemeluese e organizatës “Gratë në Energji dhe Miniera”, përmes së cilës ka kontribuar në mentorimin dhe trajnimin e qindra studenteve dhe profesionisteve të reja.

“Si bashkëthemeluese e organizatës ‘Gratë në Energji dhe Miniera’, ajo ka luajtur rol kyç në ofrimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit për qindra studente dhe profesioniste… duke krijuar një gjeneratë të re lidere në sektorë historikisht të dominuar nga burrat”, thuhet në vlerësimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Zyra e BE-së bëri të ditur se Neziri Vela ishte një nga katër të nominuarit nga publiku i Kosovës, bashkë me Avni Mustafën, drejtor i Roma Versitas Kosova, Dejan Radivojeviqin, drejtor i Forumit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multi-Etnik, si dhe Rozafa Bashën, prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Paneli shqyrtues i nominimeve ishte i përbërë nga anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të prezencës së BE-së në Kosovë./Albinfo.ch

Esra Zhubi doktoron me sukses në Universitetin prestigjioz Semmelweis në Budapest

Dr. Esra Zhubi ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës (PhD) në Universitetin prestigjioz Semmelweis University në Budapest, transmeton albinfo.ch.

Doktorimi i saj është realizuar në fushën e Neurologjisë, duke shënuar një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale.

Mbrojtja e tezës së doktoraturës në Universitetin “Semmelweis”, një nga institucionet më të njohura mjekësore në Evropë, konsiderohet një sukses i veçantë dhe një hap i rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm të karrierës së Dr. Zhubit.

Ky doktorim përfaqëson një kapitull të ri në rrugëtimin e saj profesional, duke dëshmuar përkushtim dhe nivel të lartë akademik në një fushë të rëndësishme të shkencave mjekësore./Albinfo.ch

Esra Zhubi

Çmimi i argjendit rritet me rreth 5%

Çmimi i argjendit në treg ka kaluar sot nivelin prej 81 dollarësh për ons, për herë të parë që nga 17 prilli, duke vazhduar rritjen nga seanca e mëparshme. Kjo rritje erdhi pas një rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës, e cila ka zbutur shqetësimet për inflacionin.

Metali i çmuar është rritur me afro 5 për qind, i mbështetur nga pritjet se ulja e kostove të energjisë mund të zvogëlojë presionin inflacionist dhe t’i japë bankave qendrore më shumë hapësirë për të mos mbajtur politika monetare kaq të shtrënguara për një kohë të gjatë.

Edhe ari ka shënuar rritje, duke u forcuar me 1.1 për qind dhe duke arritur në 4,740 dollarë për ons.

Nga ana tjetër, çmimet e naftës ranë pas raportimeve se SHBA ka dërguar përmes ndërmjetësve pakistanezë një propozim për përfundimin e konfliktit me Iranin dhe mundësinë e rihapjes graduale të Ngushticës së Hormuzit.

Irani pritet të japë përgjigje në ditët në vijim, ndërsa diskutimet më të gjera për programin e tij bërthamor pritet të vazhdojnë më vonë.

Rënia e çmimeve të energjisë ka rritur interesin e investitorëve për metalet e çmuara, pasi pritet që inflacioni të jetë më i ulët dhe normat e interesit të mos rriten më tej.

Argjendi, i cili përdoret si në investime ashtu edhe në industri, është shumë i ndjeshëm ndaj pritjeve për inflacionin, normat e interesit dhe situatën globale të rrezikut, sidomos pas tensioneve SHBA–Iran.

Megjithatë, presidenti i Rezervës Federale të Çikagos, Austan Goolsbee, ka paralajmëruar se inflacioni ende nuk është ulur në objektivin prej 2%, duke theksuar se që nga fillimi i konfliktit ai madje është përshpejtuar, gjë që tregon se rreziqet ekonomike vazhdojnë pavarësisht rënies së fundit të naftës.

Zvicra vendos rregulla për AI në media: më shumë transparencë për përmbajtjet

Industria mediatike zvicerane ka prezantuar kodin e saj të parë të përbashkët të sjelljes për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI). Ky kod përcakton rregulla të qarta për mënyrën se si mediat duhet ta përdorin AI-në dhe synon të rrisë transparencën ndaj publikut.

Sot në mëngjes u bë e ditur se AI tashmë mund të imitojë zëra, të shkruajë artikuj dhe të gjenerojë imazhe. Kjo paraqet sfida të reja për konsumatorët e mediave, të cilët duhet të dinë më mirë kur dhe si përdoret inteligjenca artificiale në përmbajtje, transmeton albinfo.ch.

Në këtë kontekst, të enjten industria mediatike zvicerane prezantoi një kod të përbashkët sjelljeje për AI-në. Ky dokument vendos rregulla për përdorimin e teknologjisë dhe ka për qëllim forcimin e transparencës.

“Besimi është pasuria më e vlefshme e mediave,” thekson Pia Guggenbühl, drejtoreshë e Shoqatës së Botuesve të Mediave Zvicerane. Sipas saj, inteligjenca artificiale ofron shumë mundësi, por besimi i publikut mbetet thelbësor.

Rregulla të përbashkëta për përdorimin e AI

Shumë media, shoqata dhe shtëpi botuese në Zvicër kanë bashkuar forcat për të krijuar rregulla të përbashkëta. Thelbi i kodit është detyrimi për transparencë: mediat duhet të tregojnë qartë kur dhe si përdorin inteligjencën artificiale.

Gjithashtu, duhet të bëhet e qartë kur një përmbajtje është gjeneruar plotësisht nga sisteme AI. Sipas Guggenbühl, punonjësit që përdorin këto sisteme ose përpunojnë rezultatet e tyre trajnohen në mënyrë të plotë.

Mekanizëm raportimi për shkeljet

Nëse konsumatorët vërejnë shkelje të kodit të AI-së, ata do të mund t’i raportojnë ato. Për këtë qëllim, të gjitha mediat duhet të krijojnë njësi të brendshme raportimi.

Gjithashtu, planifikohet krijimi i një zyre të pavarur ombudsmani për raste më serioze ose të pazgjidhura. Megjithatë, kjo zyrë nuk do të ketë kompetencë për të vendosur sanksione, gjë që ngre pyetje mbi efektivitetin e saj.

Pia Guggenbühl thekson se qëllimi i kodit nuk është ndëshkimi, por vetërregullimi. Sipas saj, publikimi i shkeljeve nga ombudsmani do të ketë gjithsesi efekt paralajmërues.

Industria nuk dëshiron të presë

Në hartimin e këtij kodi, industria mediatike është bazuar kryesisht në Konventën Evropiane për inteligjencën artificiale, të cilën edhe Këshilli Federal Zviceran synon ta ratifikojë së shpejti.

“Industria nuk dëshiron të presë, por po ecën përpara,” thotë Guggenbühl. Ajo shton se kodi nuk është një dokument i mbyllur, por mund të ndryshohet dhe përditësohet në të ardhmen, pasi zhvillimi i AI-së është shumë i shpejtë dhe kushtet për media ndryshojnë vazhdimisht.

Kodi përfshin katër parime bazë dhe një detyrim të qartë për etiketimin e përmbajtjes së krijuar nga AI.

Turizmi zviceran pëson rënie në mars pas një fillimi rekord

Sektori hotelier në Zvicër ka shënuar një rënie të numrit të netëve të qëndrimit në mars 2026, pas një fillimi rekord të vitit. Megjithatë, sipas organizatës së turizmit të Zvicrës, perspektiva për vitin mbetet e qëndrueshme, pavarësisht ndikimeve gjeopolitike dhe luhatjeve sezonale.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave (BFS), numri i netëve të qëndrimit ra me 5.2 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, duke zbritur në 3.2 milionë. Vizitorët e huaj shënuan rënie prej 4.8 për qind në 1.6 milionë netë, ndërsa edhe turistët vendas ranë me 5.7 për qind, po ashtu në 1.6 milionë netë qëndrimi.

Pavarësisht kësaj rënieje mujore, rezultatet për tremujorin e parë të vitit tregojnë ende një rritje të lehtë prej 0.1 për qind. Organizata Switzerland Tourism e cilëson këtë zhvillim më shumë si një normalizim të tregut sesa një rënie të vërtetë, duke theksuar se ndikimi nuk lidhet vetëm me konfliktet gjeopolitike, por edhe me faktorë sezonalë si ndryshimi i pushimeve shkollore në kantone të ndryshme.

Zhvillime të ndryshme sipas tregjeve

Situata ndryshoi sipas vendeve të origjinës. Nga tregu kryesor, Gjermania, pati një rritje të lehtë të ardhjeve, por qëndrimet ishin më të shkurtra, duke sjellë një rënie prej mbi 7 për qind në netët e qëndrimit. Ndërkohë, kërkesa nga SHBA-ja, Franca dhe vende të tjera evropiane mbeti kryesisht stabile.

Nga Azia u regjistrua një dobësim i ndjeshëm, veçanërisht nga India, Koreja e Jugut dhe disa vende të Azisë Juglindore. Sipas sektorit të turizmit, një pjesë e kësaj rënie lidhet edhe me ndikimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, për shkak të lidhjeve ajrore përmes hub-eve në atë rajon.

Ndikimi i tregjeve dhe struktura e vizitorëve

Zvicra përfiton nga një përbërje e larmishme e turistëve: rreth 48 për qind janë vizitorë vendas, 29 për qind nga Evropa dhe 23 për qind nga tregjet e largëta. Sipas drejtorit të Switzerland Tourism, Martin Nydegger, kjo diversifikim ndihmon në stabilizimin e sektorit: “Kur një treg bie, të tjerët e kompensojnë.”

Ndikimi më i fortë i konfliktit në Lindjen e Mesme u pa në tregun izraelit, ku numri i netëve të qëndrimit ra me më shumë se gjysmën për shkak të pezullimit të fluturimeve. Në të kundërt, vendet e Gjirit shënuan rritje të fortë – për shembull, Arabia Saudite regjistroi rritje prej rreth 76 për qind, pjesërisht edhe për shkak të efektit të Ramazanit në krahasim me vitin e kaluar.

Sektori luksoz mbetet i fortë

Sipas industrisë, hotelleria luksoze vazhdon të jetë segmenti më i qëndrueshëm. Hotele si The Dolder Grand dhe Bürgenstock Resort raportojnë rezervime stabile dhe në disa raste përfitime nga zhvendosja e udhëtimeve ndërkombëtare drejt destinacioneve më të sigurta në Zvicër.

Perspektiva për vitin 2026

Për sezonin veror, Switzerland Tourism mbetet me një optimizëm të kujdesshëm dhe pret kërkesë të qëndrueshme pavarësisht pasigurive globale. Për gjithë vitin 2026, pritet një rënie e lehtë prej 2 deri në 3 për qind krahasuar me vitin rekord 2025, ndërsa në skenarin më negativ parashikohet një ulje deri në 7 për qind.

Në përgjithësi, industria e turizmit në Zvicër po e konsideron situatën si një fazë stabilizimi pas rritjeve rekord të viteve të fundit, më shumë sesa si një krizë strukturore.

Skandali në klinikën e zemrës në Cyrih, cila është përgjegjësia e drejtorëve të spitaleve?

Një raport i publikuar të martën ka zbuluar shkelje serioze në klinikën e kardiologjisë të Spitalit Universitar të Cyrihut (USZ). Rasti lidhet me ngjarje që kanë ndodhur gjatë kohës kur klinikën e drejtonte ish-drejtori Francesco Maisano, ndaj të cilit rëndojnë akuza serioze.

Pas këtij skandali, shtrohet pyetja nëse përgjegjësia që mbajnë drejtuesit e spitaleve është bërë tepër e madhe dhe e vështirë për t’u menaxhuar në mënyrë të shëndetshme. Kështu e vlerëson Prof. Karl-Olof Lövblad, president i Shoqatës Zvicerane të Mjekëve të Lartë Spitalorë, transmeton albinfo.ch.

“Përgjegjësi shumë e gjerë për drejtorët e klinikave”

Sipas Prof. Lövblad, detyrat e një drejtori klinike janë shumë të gjera:

“Udhëheqësi i klinikës është përgjegjës për mësimdhënien, kërkimin shkencor, shërbimet dhe administratën. Sidomos pjesa administrative është zgjeruar shumë me kalimin e kohës. Kjo do të thotë se drejtuesit kanë përgjegjësi në shumë fusha njëkohësisht. Shpesh ata specializohen me kohë në një drejtim dhe delegojnë detyra.”

Sa ndikim kanë realisht drejtorët?

Sipas tij, këta drejtues kanë hapësirë të konsiderueshme veprimi:

“Ka një liri krijuese të madhe. Nëse e bëjnë mirë punën e tyre, mund t’u japin stafit frymëzim dhe drejtim. Por duhet gjithashtu të jenë në gjendje të delegojnë.”

A është përgjegjësia shumë e madhe?

Lövblad pranon se situata është komplekse:

“Përgjegjësia është rritur ndjeshëm. Mund të jetë e dobishme që ajo të ndahet mes disa personave. Por duhet të kemi kujdes që kjo të mos krijojë konflikte të brendshme pushteti. Përndryshe, thjesht zëvendësojmë një problem me një tjetër.”

A po rekrutohen drejtuesit sipas kritereve të duhura?

Ai thekson se spitalet duhet të zgjedhin profilet që u nevojiten, por edhe të vendosin standarde të qarta:

“Drejtuesit duhet të kenë kompetenca edhe në administrim. Ne gjithmonë kemi rekomanduar që ata të ndjekin kurse menaxhimi.”

Sipas tij, në të kaluarën shumë mjekë janë promovuar shpejt në pozita drejtuese, pa përgatitje të mjaftueshme menaxheriale, gjë që ndonjëherë ka sjellë probleme.

“Aftësitë drejtuese shpesh nënvlerësohen”

Lövblad thekson gjithashtu rëndësinë e aftësive ndërpersonale:

“Po, ato nënvlerësohen nga të gjithë. Nga drejtuesit pritet të jenë liderë, mësimdhënës, studiues, administratorë dhe njëkohësisht shumë të aftë në komunikim. Kjo është një kërkesë shumë e madhe. Disa njerëz i përmbushin këto role, por këta mund edhe të trajnohen – megjithëse kërkon kohë.”

Zvicra mes teknologjisë dhe energjisë: rritja e qendrave të të dhënave ndez debat

Qendrat e të dhënave po zgjerohen me shpejtësi në Zvicër, duke u bërë gjithnjë e më të mëdha, më të shumta dhe më kërkuese për energji. Ky zhvillim po ngre pyetje të rëndësishme për ndikimin e tyre në mjedis, por edhe për përfitimet ekonomike që mund të sjellin, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, Zvicra ka rreth 120 qendra të të dhënave në territorin e saj. Një nga më të rejat, që po ndërtohet në Volketswil (kantoni i Cyrihut), pritet të konsumojë rreth 100 megavat energji në vit — katër herë më shumë se një qytet mesatar zviceran. Që nga viti 2019, konsumi i tyre i energjisë elektrike është rritur me 20%, duke arritur një nivel të krahasueshëm me rreth një të katërtën e prodhimit të centralit bërthamor të Gösgenit.

Sipas një raporti të porositur nga Zyra Federale e Energjisë (OFEN), me rritjen e inteligjencës artificiale gjeneruese, konsumi i këtyre infrastrukturave mund të trefishohet deri në vitin 2030. Nëse ky trend vazhdon, qendrat e të dhënave mund të arrijnë të konsumojnë deri në 15% të energjisë elektrike të vendit.

Efiçenca energjetike dhe debatet politike

Situata ka nxitur debat edhe në nivel politik, sidomos për shkak se operatorët e këtyre qendrave përfitojnë lehtësira tatimore dhe tarifa të reduktuara të energjisë elektrike, si pjesë e politikave për tranzicionin energjetik.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se potenciali për kursim energjie është i madh: më shumë se një e treta e konsumit aktual mund të reduktohet me teknologjitë ekzistuese. Sipas disa analistëve, kjo nënkupton se nuk ka rrezik të menjëhershëm për furnizimin energjetik të vendit.

Profesori i EPFL-së, Rachid Guerraoui, thekson se zhvillimi teknologjik historikisht ka sjellë rritje të efikasitetit dhe ulje të konsumit të burimeve për njësi pune. Sipas tij, Zvicra mund të përfitojë ndjeshëm nga ky sektor, nëse investon në kërkim dhe zgjidhje më efikase energjetike.

Ai madje sugjeron se vendi mund të shndërrohet në një qendër dixhitale evropiane, duke tërhequr dhe menaxhuar të dhëna nga e gjithë bota — ngjashëm me rolin e tij si qendër financiare sot.

Kritika ndaj lehtësive tatimore

Megjithatë, jo të gjithë e shohin pozitivisht këtë zhvillim. Aktivistët mjedisorë dhe disa politikanë kritikojnë faktin që qendrat e të dhënave përfitojnë nga përjashtimi i “tarifës së rrjetit”, një taksë që përdoret për financimin e tranzicionit energjetik.

Sipas kritikëve, këto lehtësira nuk janë të justifikuara, pasi kompanitë që operojnë qendrat e të dhënave kanë kapacitet financiar për të paguar tarifat standarde.

Nga ana tjetër, autoritetet federale e mbrojnë këtë politikë, duke theksuar se përfitimi nga lehtësitë jepet vetëm nëse operatorët angazhohen në masa për efiçencë energjetike. Gjithashtu, Konfederata ka njoftuar se do të monitorojë më nga afër konsumin e këtyre qendrave.