Paralajmërohet shtrenjtim i ujit në Kosovë

Drejtori i Departamentit të Tarifave në Kosovë, Refik Ramaj, ka paralajmëruar rritje deri 39 për qind për amvisëritë dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Sipas tij, rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.

“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, ka deklaruar ai për KP, transmeton albinfo.ch.

Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.

Donald Trumpi në Davos javën e ardhshme

Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) javën e ardhshme, nga 19 deri më 23 janar, në Davos, Zvicër. Pjesëmarrja e tij u konfirmua të martën nga organizatorët e eventit, duke vënë kështu përfundimisht një pikë mbi thashethemet që kishin qarkulluar për javë të tëra, përcjell albinfo.ch.

Axhenda e Trumpit ende nuk është bërë publike, por sipas disa raporteve të medias, ai pritet të mbërrijë të mërkurën më 21 janar. “Jemi të kënaqur që e mirëpresim përsëri Presidentin Trump,” deklaroi Borge Brende, presidenti i WEF. Ai shtoi se Trump do të shoqërohet nga “delegacioni më i madh” i parë ndonjëherë në Davos. Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio pritet gjithashtu të marrë pjesë në forum.

Sipas organizatorëve, situata në Venezuelë pritet të diskutohet me krerët e shteteve të Amerikës Latine, të cilët gjithashtu do të udhëtojnë për në Graubünden. Vitin e kaluar, Trump foli vetëm nëpërmjet videokonferencës. Ky do të jetë vizita e tij e tretë në WEF gjatë presidencës së tij, pasi kishte marrë pjesë më parë në vitet 2018 dhe 2020.

Borge Brende konfirmoi gjithashtu praninë e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Fokus kryesor i këtij viti do të jetë Ukraina, ndërsa lufta në vendi po i afrohet vitit të katërt. Në total, priten 3,000 pjesëmarrës nga 130 vende, përfshirë 64 krerë shtetesh, gjashtë udhëheqës të G7 dhe qindra përfaqësues të biznesit.

Forumi i këtij viti do të trajtojë edhe tema të tjera globale, përfshirë Iranin, Gazën dhe situatën në Venezuelë, ndërsa prania e përfaqësuesve nga Afrika do të jetë veçanërisht e madhe. Programi i WEF-it është strukturuar në pesë fusha të ndërlidhura, duke përfshirë sigurinë, diplomacinë dhe ndihmën humanitare.

Ndikimi në transport dhe fluturime

Gjatë Forumit në Graubünden, priten rreth një mijë lëvizje shtesë avionësh në aeroportin Zyrih-Kloten, siç ka ndodhur edhe në vitet e kaluara. Operatorët e aeroportit paralajmërojnë se ngritjet dhe uljet individuale mund të ndodhin pas orës 23:30, gjatë ndalimit të fluturimeve të natës, i cili zgjat deri në orën 6 të mëngjesit. Shumë pjesëmarrës planifikojnë udhëtimet e tyre në minutën e fundit, duke e bërë këtë një vit me lëvizje intensive në transportin ajror./Albinfo.ch

Ignazio Cassis, hapi zyrtarisht kryesinë e Zvicrës në OSBE

Ministri zviceran i Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, ka hapur zyrtarisht kryesinë e Zvicrës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), transmeton albinfo.ch.

Duke folur para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, i cili përfshin 57 shtete pjesëmarrëse, Këshilltari Federal Cassis prezantoi prioritetet e Zvicrës gjatë këtij mandati. Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë arritja e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, promovimi i dialogut gjithëpërfshirës dhe forcimi i kapaciteteve të OSBE-së për të vepruar në mënyrë më efektive.

“Ne duhet të përmbushim pritshmëritë e themeluesve të OSBE-së. Ato janë sot të njëjta si para 50 vjetësh: paqe dhe siguri”, deklaroi Ignazio Cassis, Kryetar i Radhës i OSBE-së për vitin 2026.

Zvicra, e njohur për rolin e saj neutral dhe angazhimin në diplomacinë multilaterale, synon që përmes këtij mandati të kontribuojë në uljen e tensioneve, ndërtimin e besimit dhe forcimin e stabilitetit në kontinentin evropian dhe më gjerë./Albinfo.ch

Turqia kap 17 të kërkuar në një operacion ndërkombëtar, përfshirë një në Kosovë

Autoritetet turke kanë njoftuar arrestimin e 17 personave të kërkuar ndërkombëtarisht gjatë një operacioni të koordinuar të zhvilluar në 11 vende, përfshirë edhe Kosovën, përcjell albinfo.ch

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Interpolin dhe Europolin.

Sipas Yerlikayas, njëri nga të arrestuarit, me inicialet M.U., i cili ishte në kërkim me njoftim të kuq për vepra penale që përfshijnë abuzim seksual me fëmijë dhe rrëmbim, u arrestua në Kosovë.

Operacioni ndërkombëtar u zhvillua njëkohësisht në disa shtete, përfshirë Gjermaninë (6 persona të arrestuar), Irakun (2), si dhe Azerbajxhanin, Bosnjë e Hercegovinën, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Italinë, Kirgizistanin, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Ministri Yerlikaya theksoi se ky aksion dëshmon përkushtimin e Turqisë për të luftuar krimin e organizuar, kontrabandën e migrantëve dhe veprat e rënda penale në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka përkujtohen nga krerët e shtetit

Në përvjetorin e përjetësimit të veprimtarëve të shquar shqiptarë, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, krerët më të lartë të shtetit kanë bërë homazhe pranë lapidarit të tyre dhe të nënës Ajshe, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosën kurora lulesh dhe u përkulën me nderim para veprës dhe sakrificës së këtyre figurave të rëndësishme të rezistencës shqiptare.

Me këtë rast, krerët e shtetit vlerësuan lart kontributin e jashtëzakonshëm të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, duke theksuar se veprimtaria dhe heroizmi i tyre mbeten themel i përpjekjeve për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar.

Atentati ndaj tyre ndodhi më 17 janar, 44 vjet më parë, në Untergruppenbach të Gjermanisë. Sipas autoriteteve gjermane, ndaj veprimtarëve u qëllua 12 herë me armë zjarri. Raportimet e kohës bëjnë të ditur se Jusuf Gërvalla mbeti i vetëdijshëm deri në momentet e fundit të jetës dhe përmendi UDB-në si përgjegjëse për atentatin.

Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka konsiderohen ndër figurat më të shquara të historisë së rezistencës shqiptare, ndërsa sakrifica e tyre vazhdon të shërbejë si simbol i përkushtimit dhe i luftës për liri dhe pavarësi të kombit shqiptar.

Raçi në radar të Barcelonës, mbrojtësi kosovar shkëlqen te Hajduk Split

Mbrojtësi kosovar Ron Raçi po bën hapa të rëndësishëm në karrierën e tij te Hajduku i Splitit, derisa emri i tij tashmë është përmendur si interesim i mundshëm i Barcelonës, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka raportuar të premten profili në rrjetin social “X”, Football Transfer News, duke bërë të ditur se Raçi ndodhet në radar të klubit katalunas.

Ndërkohë, edhe mediat kroate kanë përcjellë këtë lajm. E përditshmja sportive “Sportske Novosti” ka cituar raportimin e Football Transfer News, duke theksuar se kjo informatë duhet marrë me rezervë.

Megjithatë, sipas mediave kroate, zhvillimi i shpejtë i Raçit te Hajduku ka bërë që ai të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane, përfshirë edhe Barcelonën, e cila aktualisht po përcjell disa mbrojtës të qendrës.

Raçi është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe paraqitjet e tij të fundit në kampionatin kroat kanë ngritur ndjeshëm vlerën e tij në tregun e transferimeve./Albinfo.ch. 

Vazhdon rinumërimi i votave në Kosovë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi është shprehur se nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më sot  janë rinumëruar 316 nga 914 vendvotime.

“ Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 316 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (43/235). Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë pjesës tjetër të ditës, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë process”, tha ai.

Ai njëherësh bëri me dije se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është shtuar numri i tavolinave për rinumërim, nga 20 në 26 sosh.

Sot në Gjenevë: Debat mbi të drejtën e votës së të huajve

Në një kontekst debatesh mbi pjesëmarrjen politike në Gjenevë, një tryezë e rrumbullakët do të mbledhë ekspertë dhe aktorë të shoqërisë civile dhe politike rreth çështjes së të drejtës së votës së të huajve.

Një debat publik, kushtuar të drejtës së votës së banorëve të huaj, do të mbahet të shtunën, më 17 janar 2026, nga ora 17:00 deri në 19:00, në La Cité des Vents, në Le Lignon (Vernier).

Ky takim zhvillohet në një klimë të shënuar nga diskutime mbi proceset zgjedhore dhe pjesëmarrjen qytetare. Organizatorët rikujtojnë se raste të izoluara nuk mund të vënë në pikëpyetje të drejta demokratike të fituara prej kohësh dhe synojnë ta rikthejnë debatin në një perspektivë juridike, sociopolitike dhe qytetare.

Tryeza e rrumbullakët do të mbledhë disa folës nga qarqet akademike, politike dhe juridike, ndër ta:
• Sandro Cattacin, sociolog
• Lisa Mazzone, eksperte e politikave publike
• Matteo Gianni, politolog
• Charles Poncet, jurist

Pritja dhe fjala përshëndetëse, në emër të autoriteteve komunale të Vernier-it, do të mbahen nga Mathias Buschbeck, këshilltar administrativ.

Debati do të moderohet nga Jérémy Seydoux, gazetar.

Ngjarja organizohet nga Mirishahe Limani Hiler.

Vendi: La Cité des Vents, rue de la Coupe Gordon-Bennett 3, 1219 Le Lignon – Vernier
Hyrja: e lirë
Kontakt: +41 79 607 46 74

Kosova me “Shtëpinë e Kosovës” në Davos 2026, në fokus talenti, demokracia dhe investimet

Kosova do të prezantohet për herë të dytë radhazi me “Shtëpinë e Kosovës” në Forumin Ekonomik Botëror “Davos 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale ekonomike dhe politike. Këtë vit, prezantimi i Kosovës vjen me sloganin “Shtëpia e Kosovës, shtëpi e talentit”, duke theksuar potencialin njerëzor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, shkruan albinfo.ch.

Në këtë forum prestigjioz, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të zhvillojë një sërë takimesh me liderë politikë botërorë, investitorë të huaj, si dhe përfaqësues të diasporës. Sipas agjendës zyrtare të “House of Kosova”, Kurti do të marrë pjesë edhe në një panel ndërkombëtar ku do të diskutohet roli i demokracisë dhe sigurisë në një rend të ri global.

Programi i “Shtëpisë së Kosovës” në Davos përfshin panele të nivelit të lartë, aktivitete kulturore dhe ngjarje rrjetëzimi, të cilat adresojnë disa nga temat më aktuale globale. Në fokus do të jenë zhvillimet teknologjike, sfidat energjetike dhe mundësitë për investime të huaja në Kosovë.

 

Foto Fiona Murtaj

 

Ndër panelet e parashikuara janë diskutime mbi temën “Fitimi i garës së inteligjencës artificiale përmes specializimit”, si dhe paneli “Siguria energjetike dhe rrugët e tranzicionit”, i cili trajton sfidat dhe perspektivat e tranzicionit drejt energjisë së qëndrueshme. Po ashtu, do të ketë panele që fokusohen në ndërtimtarinë e qëndrueshme dhe në përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorë të ndryshëm.

Përveç diskutimeve tematike, janë planifikuar edhe takime ndërmjet liderëve politikë, shoqatave të bizneseve, afaristëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të diasporës, me qëllim prezantimin e potencialit të Kosovës për investime të huaja, shkruan tutje albinfo.ch.

Ngjarjet do të pasurohen edhe me mbrëmje kulturore, të cilat do të ndërthurin dialogun, traditën dhe kuzhinën shqiptare, duke promovuar identitetin kulturor të Kosovës në një skenë globale.

Kosova është ndër 25 shtetet e botës që kanë shtëpinë e tyre për prezantim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku marrin pjesë liderë politikë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe kompani gjigante nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë globale./Albinfo.ch

 

Foto Fiona Murtaj

Lorisi renditet i pari në botë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës

Një arritje e jashtëzakonshme vjen nga Cërriku, duke e vendosur këtë qytet në hartën e ekselencës akademike shqiptare. Nxënësi Loris Qosja është renditur i pari në botë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës për klasat e nënta, ndërkohë që ka siguruar edhe vendin e tretë në Olimpiadën e Kimisë, duke shënuar një sukses të rrallë në arenën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Lorisi është nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në olimpiadën “Neo Science Olympiad”, e organizuar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kompeticion prestigjioz, ai u shpall fitues i vendit të parë në Matematikë dhe i vendit të tretë në Kimi, duke konkurruar me nxënës nga dhjetëra vende të botës.

Suksesi i tij ka ngjallur reagime të shumta pozitive edhe në nivel institucional. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar publikisht Loris Qosjen, duke vlerësuar talentin, pasionin dhe punën e tij të palodhur, si edhe përkushtimin e mësueses Flutura. Sipas kryeministrit, këto dy medalje janë një arsye krenarie jo vetëm për familjen dhe shkollën e Lorisit, por për të gjithë nxënësit shqiptarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Ndërkohë, në të gjithë vendin vijojnë olimpiadat në fusha të ndryshme si matematika, fizika, kimia, biologjia dhe disiplina të tjera shkencore, ku vazhdimisht dalin në pah talente të rinj që dëshmojnë potencialin e lartë të arsimit shqiptar. Rasti i Loris Qosjes shërben si shembull frymëzues për brezat e rinj dhe si dëshmi se puna dhe përkushtimi mund të çojnë në rezultate të jashtëzakonshme edhe në skenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

 

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "CODING OLYMPY Y ስ00 CAEINL"

SEEstage lartëson shfaqjen “Hotel Grand” nga Kosova në mesin e më të mirave të vitit 2025

Shfaqja teatrore “Hotel Grand”, e realizuar në Prishtinë, është përzgjedhur nga platforma rajonale SEEstage si një nga shfaqjet më të mira teatrore të vitit 2025 në Evropën Juglindore, duke e pozicionuar Kosovën në mesin e skenave më të vlerësuara teatrore të rajonit, shkruan albinfo.ch.

Me autorë dhe interpretë Rebeka Qena dhe Armend Smajli, shfaqja është vënë në skenë në Barabar Center, ku ka tërhequr vëmendje për qasjen e saj artistike dhe ngarkesën e fortë emocionale. “Hotel Grand” trajton në mënyrë të thellë marrëdhëniet njerëzore, kujtesën kolektive dhe pasojat e luftës, duke i shndërruar këto tema në një rrëfim skenik të fuqishëm dhe reflektues.

Vlerësimi nga SEEstage, një platformë e njohur për kritikë teatrore dhe gazetari kulturore në Evropën Juglindore, është dëshmi e cilësisë artistike, guximit krijues dhe potencialit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor kosovar. Ky përzgjedhje e rëndësishme forcon praninë e krijimtarisë nga Kosova në hapësirat kulturore ndërkombëtare dhe rrit interesimin për produksionet vendore, shkruan tutje albinfo.ch.

Realizimi i shfaqjes është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila ka përshëndetur këtë sukses dhe ka theksuar rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës si ura lidhëse mes Kosovës dhe botës. MKRS ka riafirmuar angazhimin për të vazhduar mbështetjen e projekteve kulturore që afirmojnë identitetin artistik të Kosovës përtej kufijve të saj.

Ky sukses i shfaqjes “Hotel Grand” konfirmon se skena teatrore kosovare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje dhe respekt në arenën ndërkombëtare, duke hapur rrugë të reja për bashkëpunime dhe prezantime në skena prestigjioze evropiane./Albinfo.ch

24-vjeçari shqiptar tentoi të hapë derën e avionit gjatë një fluturimi për në Amerikë

Raportohet se një shtetas shqiptar 24-vjeçar, Mario Nikprelaj, është dënuar me 18 muaj burgim nga autoritetet amerikane, pasi u deklarua fajtor për një incident të rëndë që ndodhi në një fluturim të Delta Airlines, njoftoi Zyra e Prokurorit të Distriktit të Iowa-s, transmeton albinfo.ch.

Vendimi vjen vetëm shtatë muaj pas ngjarjes, gjatë së cilës Nikprelaj tentoi të hapte me forcë derën e avionit gjatë fluturimit, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Tragjedia u shmang vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit të fluturimit dhe disa pasagjerëve.

Incidenti ndodhi në një fluturim të operuar nga SkyWest Airlines për Delta, i cili ishte nisur nga Nebraska drejt Detroitit në korrik të vitit të kaluar. Sipas prokurorëve, i riu, i lindur në Michigan, filloi të shfaqte sjellje problematike që në fazat e hershme të fluturimit.

Ai bëri deklarata shqetësuese dhe të papërshtatshme ndaj pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, refuzoi të vendoste rripin e sigurimit dhe e hiqte atë vazhdimisht, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga stjuardesat. Gjatë ngritjes së avionit, ai u ngrit disa herë nga vendi i tij, duke shkelur rregullat bazë të sigurisë.

Situata u përshkallëzua kur 24-vjeçari ofendoi një asistente fluturimi, e shtyu atë fizikisht dhe më pas e kërcënoi me vdekje, pasi iu tha se sjellja e tij do të raportohej tek autoritetet.

Pas një periudhe qetësie të shkurtër, pasagjerët shtypën butonat e emergjencës, pasi panë Nikprelajn duke ndërhyrë në derën e daljes së emergjencës. Si pasojë, ekuipazhi ndërhyri sërish, ndërsa pasagjeri reagoi me ofendime dhe kërcënime verbale.

Avioni u detyrua të kryente një ulje emergjente në Iowa. Sipas prokurorëve, gjatë uljes, 24-vjeçari u ngrit sërish, hoqi këmishën dhe filloi të ecte në mënyrë agresive nëpër korridorin e avionit. Anëtarët e ekuipazhit u detyruan të kërkonin ndihmën e pasagjerëve për ta neutralizuar, pasi ai sulmoi tre persona dhe tentoi t’i godiste.

Pas uljes, Nikprelaj u arrestua dhe gjatë kontrollit autoritetet i gjetën një shishe me 41 pilula, të dyshuara si qetësues. Ai u akuzua për sjellje të çrregullt, sulm, posedim të barnave me recetë, shkelje të pullave tatimore dhe ngacmim.

Dosja kriminale e të riut përfshin edhe dënime të mëparshme për sulm ndaj një oficeri policie, dhunë në familje si dhe vepra penale të lidhura me drogën, thanë autoritetet amerikane./Albinfo.ch

27 kompani kosovare prezantojnë industrinë e drurit në Zvicër

Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), kompanitë kosovare do të marrin pjesë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare në Zvicër dhe Turqi gjatë muajit janar 2026, shkruan albinfo.ch.

Në kuadër të panairit “Swissbau 2026”, që do të mbahet në Bazël të Zvicrës nga 20 deri më 23 janar 2026, 27 kompani nga Kosova do të prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre, me fokus të veçantë në industrinë e drurit.

Ky panair konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha në sektorin e ndërtimit dhe përpunimit të drurit në Evropë, duke ofruar mundësi të mëdha për lidhje biznesore dhe zgjerim të tregjeve eksportuese.

Ndërkohë, 9 kompani nga Kosova do të marrin pjesë në panairin “IF Wedding Fashion Izmir Fair”, i cili do të mbahet në Izmir të Turqisë nga 20 deri më 22 janar 2026.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, kompanitë kosovare synojnë të promovojnë industrinë e tekstilit dhe modës, duke prezantuar cilësinë dhe kreativitetin e produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare, shkruan tutje albinfo.ch.

Pjesëmarrja në këto panaire ndërkombëtare synon të rrisë dukshmërinë e produkteve “Made in Kosovo”, të forcojë bashkëpunimin me partnerë të huaj dhe të kontribuojë në rritjen e potencialit eksportues dhe zhvillimin ekonomik të vendit.//Albinfo.ch

Ukrainasi me ndihma sociale nget Porsche: Gjobitet me 67,000 franga

Kushdo që ka ikur nga Ukraina si refugjat në Zvicër duhet të përmbushë kritere të rrepta për të marrë ndihmë sociale. Për shembull, një makinë konsiderohet pjesë e pasurisë së personit përkatës, transmeton albinfo.ch. Një 40-vjeçar ka mbërritur në kantonin Vaud në verën e vitit 2022 dhe ka marrë ndihmë sociale.

Por tani ai duhet të paguajë 67,000 franga zvicerane, siç raporton “24 Heures”.

Ukrainasi ende zotëronte një Porsche me një vlerë prej rreth 37,000 frangash zvicerane. Përveç kësaj, ky përfitues i ndihmës sociale kishte bërë disa udhëtime në Austri, Francë, Itali, Gjermani, Portugali, Belgjikë dhe Luksemburg.

Sipas gazetës, gjatë këtyre udhëtimeve janë bërë shpenzime të konsiderueshme. Paratë, kryesisht në euro, janë depozituar gjithashtu në llogari të ndryshme.

40-vjeçari tha se kishte rezervuar fluturimet për miqtë e tij. Ai gjithashtu pretendon se miqtë e tij i kishin kërkuar të bënte pagesat që lidhen me udhëtimin.

Gjykata nuk u tregua e butë. Burri ukrainas duhet të paguajë 67,336.20 franga zvicerane, përcjell albinfo.ch. Sipas gjyqtarëve, ai nuk mundi të provonte nevojën e tij. “Apeluesi qartësisht ka mjetet e nevojshme për të financuar jetën e tij.”

Gjashtë kantone kërkojnë nga federata 24 miliardë franga për hekurudhat

Kantonet Basel-Landschaft, Basel-Stadt, Gjenevë, Ticino, Vaud dhe Valis i kanë paraqitur një rezolutë të përbashkët Këshillit Federal në lidhje me zgjerimin e hekurudhave.

Në këtë rezolutë, ato theksojnë rëndësinë e hekurudhës për trafikun e udhëtarëve, furnizimin dhe lidhjet ndërkombëtare të Zvicrës, transmeton albinfo.ch. Në të njëjtën kohë, kantonet në fjalë paralajmërojnë për rritjen e mbingarkesës në rrjetin hekurudhor në rajonet e tyre.

Ato argumentojnë se veprimi është veçanërisht urgjent sepse gjashtë kantonet në fjalë ndodhen në rrugët kryesore të transportit dhe janë shumë të ndërlidhura me hapësirat përtej kufijve, shkruan srf.ch.

Kantonet po kërkojnë 24 miliardë franga zvicerane nga qeveria federale për zgjerimin e hekurudhave, duke përfshirë zhvillimin e linjave hekurudhore lindje-perëndim dhe veri-jug.

Këto kantone ndalojnë fishekzjarrët

Pas kantoneve të Valisit, Gjenevës dhe Vaudit, edhe kantone të tjera synojnë të ndalojnë fishekzjarrët në hapësirat publike të mbyllura pas katastrofës së zjarrit në Crans-Montana.

Qeveria e kantonit të Jurës ka njoftuar qëllimin e saj për të ndryshuar rregulloret e saj në lidhje me restorantet dhe eventet në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch.

Ajo gjithashtu propozoi një diskutim në tryezë të rrumbullakët për të nxjerrë mësime nga katastrofa e zjarrit, raporton srf.ch.

Kantoni i Ticinos gjithashtu planifikon të miratojë një ligj përkatës në javët e ardhshme, siç tha këshilltari qeveritar Claudio Zali për mediat.

Ligji në fjalë do të përfshijë gjithashtu inspektime më të shpeshta dhe dënime më të ashpra për shkeljet e rregulloreve të sigurisë nga zjarri.

Migrosi raporton një rënie prej 1.9 për qind në shitje

Rrjeti më i madh i shitjes me pakicë në Zvicër, Migrosi ka gjeneruar shitje prej 31.9 miliardë frangash zvicerane në vitin 2025. Kjo përfaqëson një rënie prej 1.9 përqind krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi Migros të premten, transmeton albinfo.ch.

Shitja e disa dyqaneve të specializuara ka ndikuar në rezultatet aktuale të Migrosit. Që nga viti 2024, Migrosi ka shitur, ndër të tjera, shitoret e specializuara për shitje të prodhimeve të veçanta si Micasa, SportX dhe Hotelplan, njofton srf.ch.

Sidoqoftë, duke përjashtuar këto njësi biznesi të shitura, shitjet në fakt janë rritur me pak më shumë se një për qind, sipas njoftimit të bërë nga Migrosi.

Shitësi me pakicë online Galaxus, që bën pjesë në rrjetin e Migrosit, në veçanti, ka shënuar një rritje të fortë vitin e kaluar.

Migrosi ka festuar vitin e kaluar njëqindvjetorin e themelimit të tij.

Katër ministra federalë do të marrin pjesë në WEF

Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin do të hapë zyrtarisht Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të martën e ardhshme, më 19 janar. Përveç presidentit Parmelin, tre anëtarë të tjerë të Këshillit Federal do të udhëtojnë në Luginën Landwasser, Kantoni Grubünden.

Kjo u njoftua nga Kancelaria Federale të premten, trasmeton albinfo.ch.

Përveç Parmelinit, në Davos pritet të jenë edhe Ministrja e Financave Karin Keller-Sutter, Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis dhe Ministri i Mbrojtjes Martin Pfister, shkruan srf.ch.

Këshilltarët Federalë do të takohen me homologët e tyre të huaj në WEF.

Sipas Kancelarit Federal, janë planifikuar të paktën 40 takime dypalëshe. WEF zhvillohet nga 19 deri më 23 janar.

Dy dronë serbë kanë shkelur hapësirën ajrore të Kosovës

Serbia po vazhdon me përpjekjet e saj destabilizuese në Kosovë. Më 12 janar të këtij viti, dy dronë të cilët vinin nga ana serbe, shkelën hapësirën ajrore të Kosovës pranë fshatit Muqivërcë të Kamenicës, duke përçuar kështu edhe një mesazh të heshtur provokimi.

Mjetet ajrore pa pilot ishin në vëzhgim të forcave policore të Kosovës. Njoftimi i Policisë për këtë veprim ishte i menjëhershëm në drejtim të forcave të KFOR-it, raporton rtklive.com.

Këta të fundit thonë se kontaktuan autoritetet serbe nga të cilat kërkuan sqarime. Në një përgjigje për RTK-në, KFOR-i tha se vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën dhe të kontribuojnë në një mjedis të sigurt.

“KFOR është njoftuar për këtë zhvillim të pretenduar më 12 janar 2026. Policia e Kosovës i ka komunikuar KFOR-it se kishte vëzhguar dy mjete ajrore pa pilot që vinin nga ana serbe e vijës kufitare pranë fshatit Kamenicë.

Pas kësaj, KFOR kontaktoi Forcat e Armatosura të Serbisë përmes procedurave të mirëpërcaktuara. Këto përfshinë një komunikim telefonik dhe një notë zyrtare me shkrim, ku kërkohej një përgjigje e detajuar lidhur me këtë çështje. Përgjigjja e menjëhershme e Forcave të Armatosura të Serbisë përmes telefonit ishte se ato nuk kishin kryer asnjë aktivitet në atë lokacion, në atë kohë të caktuar”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas njohësve të sigurisë ky është provokim nga Serbia e cila duhet t’u kërkojë vigjilencë institucioneve të sigurisë pasi Serbia qëllimisht i përdorë këta dron për interesat e tyre ushtarake.

Nuk është rasti i parë që Serbia provokon Kosovën përmes lëshimit të dronëve në drejtim të vijave kufitare me vendin tonë. Një shkelje e hapësirës ajrore të Kosovës nga shteti serb përmes dronëve e kishte konfirmuar në shtator të vitit të kaluar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Lirim me kusht prej 200,000 frangash për operatorët e barit në Crans Montana

Në rastin e zjarrit me pasoja katastrofike në Crans-Montana, zyra e prokurorit publik të Valisit kërkon një lirim me kusht, me doponim prej 200,000 frangash zvicerane për secilin nga pronarët e barit, çifti Moretti.

Gjykata përgjegjëse për masat shtrënguese tani duhet të vendosë për këtë çështje dhe të përcaktojë shumën përfundimtare të lirimit me kusht, transmeton albinfo.ch.

Avokatët e çiftit e konfirmuan kërkesën për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA të premten pasdite.

Mbrojtja shpreson për një vendim të shpejtë nga gjykata.

Pronari i barit është aktualisht në paraburgim. Gruaja e tij, e cila menaxhon barin, mbetet e lirë.

Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër nga muaji shkurt

Rregullat e reja për dhurimin e gjakut dhe testimi vjetor i sistemit kombëtar të alarmit janë ndër ndryshimet dhe ngjarjet kryesore që do të ndodhin në Zvicër në shkurt të vitit 2026.

1 shkurt: Vinjetë e re makine

Në këtë ditë, periudha e mospasjes së vinjetës së vitit 2026 (qoftë në letër apo në versionin dixhital) po mbaron.

Nëse kapeni duke ngarë makinën pa të në një autostradë zvicerane, mund të gjobiteni me 200 franga.

Etiketa prej 40 frangash, e cila mund të blihet në stacionet e benzinës, zyrat postare, pikat kufitare ose në internet, është e detyrueshme për të gjitha automjetet që ngasin në autostradat zvicerane, pavarësisht nëse jeni banor, turist apo thjesht po kaloni nëpër vend.

1 shkurt: Kriteret për dhurimin e gjakut do të lehtësohen

Nga kjo ditë, individët që më parë ishin të përjashtuar nga dhurimi i gjakut në Zvicër, mund ta bëjnë këtë.

Përfshin njerëzit që kanë marrë një transfuzion, kanë qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar për një kohë të gjatë ose kanë kryer procedura të caktuara mjekësore.

Një periudhë pritjeje katërmujore zbatohet pas çdo transfuzioni, pavarësisht nga vendi ku është kryer.

Njerëzit që kanë banuar në Mbretërinë e Bashkuar për periudha të gjata në vitet 1980 dhe 1990 do të jenë në gjendje të dhurojnë përsëri gjak – më parë ata nuk mund ta bënin këtë, pasi vendi i tyre u godit nga “sëmundja e lopës së çmendur” e cila mund të infektonte njerëzit që konsumonin mish viçi nga gjedhi i prekur.

Megjithatë, disa kufizime ende zbatohen: për shembull, për njerëzit që iu nënshtruan neurokirurgjisë, zbatohet një periudhë pritjeje njëvjeçare, me kusht që procedura të kryhej në Zvicër.

Gjithashtu, njerëzit që morën një implant dentar në Zvicër pas vitit 1993 të bërë nga inde ose qeliza me origjinë njerëzore ose shtazore ose derivate të tyre, mund të dhurojnë përsëri gjak. Në varësi të kompleksitetit të procedurës, zbatohet një periudhë pritjeje prej të paktën dy javësh.

4 shkurt: Sistemi kombëtar i alarmit do të testohet

5,000 sirenat fikse dhe 2,200 sirenat mobile në Zvicër do të testohen më 5 shkurt, siç bëhen çdo vit të mërkurën e parë të shkurtit.

Testi do të kryhet midis orës 13:30 dhe 16:00.

Do të testohen edhe kanalet e komunikimit në aplikacionin Alertswiss, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Sinjali – një sirenë e lëkundur e qëndrueshme që zgjat një minutë – synon të njoftojë popullsinë për një emergjencë ose fatkeqësi të afërt.

Sirena e dytë, e përdorur për të paralajmëruar njerëzit që jetojnë pranë digave për rrezikun e afërt që lidhet me ujin, është një seri prej 12 shpërthimesh prej 20 sekondash secila në intervale dhjetësekondash.

20 shkurt: Nga errësira…dritë!

Në këtë ditë, drita e ditës përshpejtohet deri në tre minuta në ditë, sipas Almanac, një kalendar vjetor shumë i dobishëm që përmban të dhëna astronomike dhe tabela baticash, ndër të tjera informacione.

“Më 20, gjatësia e ditës është 10 orë e 53 minuta, dhe më 21, është 10 orë e 56 minuta”, thuhet në të. Para kësaj date, orët e ditës po rriten afërsisht me rreth dy minuta.

Kjo do të thotë që mëngjeset e hershme të errëta dhe mbrëmjet e hershme të errëta janë duke u zhdukur.
Ky fenomen zgjat deri në fund të prillit deri në fillim të majit, kur sasia e dritës shtesë të ditës ngadalësohet në rreth 2 minuta më shumë në ditë. Deri më 20 qershor (solstici i verës), ajo rritet me një minutë në ditë.

23 shkurt: Fasnacht i Bazelit

Karnavali më i madh dhe më i famshëm i Zvicrës do të fillojë – fjalë për fjalë me një zhurmë – në orën 4 të mëngjesit më 23 shkurt, për dy ditë e netë gëzimi.

Gjatë gjithë muajit: Pushime skijimi

Si çdo vit, shkurti është një muaj tradicional i “skijimit familjar” në pjesën më të madhe të Zvicrës, kur fëmijët marrin deri në dy javë pushim nga shkolla në mënyrë që familjet të mund të shkojnë në vendpushimet malore.

Në disa kantone si Cyrihu dhe Aargau, datat e pushimeve mund të ndryshojnë nga një komunë në tjetrën brenda kantonit.

Dimrat e ngrohtë kërcënojnë vendpushimet e skive në Zvicër

Vendpushimet e skive në kantonin jugor zviceran të Ticinos po vuajnë shumë nga mungesa e borës. Zvicra Jugore nuk ka parë kaq pak borë për një kohë të gjatë.

Vendpushimet ku legjendat e skive si Doris De Agostini dhe Lara Gut-Berahmi dikur mësuan të skijonin tani po luftojnë për mbijetesë. Disa vendpushime të Ticinos kanë aplikuar tashmë për punë me kohë të shkurtër për punonjësit e tyre, siç është Carì në luginën e Leventinës.

Vendpushimi i skive, i vendosur në një lartësi midis 1,650 dhe 2,300 metrave, ishte ende i gjelbër në fillim të janarit.

Zyrtarët thonë se aktualisht po shqyrtojnë nëse puna me kohë të shkurtër duhet të aplikohet për punonjësit. Situata nuk është shumë më mirë më tej në luginë në Airolo. Vendpushimi i skive ndodhet afërsisht në të njëjtën lartësi si Carì.

Edhe në Airolo, nuk pati reshje të mjaftueshme për mbulim të mjaftueshëm të borës. Prandaj, vetëm një pjesë e pistave janë përgatitur dhe janë të hapura. Vendpushimi i skive Airolo ka paraqitur tashmë një kërkesë në kanton për kompensim të punës me kohë të shkurtër për 40 punonjësit e tij, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sezoni gjithashtu pati një fillim të keq gjatë festave të Krishtlindjeve në dy resortet e tjera të skive të Ticino-s në Luginën Blenio dhe në Bosco/Gurin.

“Gjatë festave të Krishtlindjeve, mesatarisht patëm rreth 250 mysafirë. Njëherë patëm 320. Kjo është shumë pak,” tha Giovanni Frapolli, pronar i objekteve sportive dimërore Bosco/Gurin, për transmetuesin publik zviceran RSI. “Por ky është realiteti me të cilin po përballemi me këtë klimë të çuditshme.”

Ngrohja e klimës po ndihet shumë më ashpër në resortet e skive në jug sesa në veri të Qafës Gotthard. A janë ditët e numëruara të resorteve të skive të Ticino-s? Ata nuk kanë ndërmend të dorëzohen kaq lehtë.

Sisteme të reja për prodhimin e borës u instaluan së fundmi në Luginën Blenio, dhe një termocentral diellor dhe një rezervuar janë planifikuar gjithashtu në Bosco/Gurin për të prodhuar më shumë dhe më lirë borë artificiale. Kjo duhet të lejojë që sezoni të fillojë më herët – ashtu si në Luginën Blenio.

Pavarësisht një fillimi të dobët, Denis Vanbianchi, drejtori i resortit të skive, i tha Tele Ticino se është mjaft i kënaqur. Edhe pse duhej të prodhonin borë të shtrenjtë me topa bore, të paktën ishin në gjendje t’u ofronin mysafirëve diçka. Vendpushimet e skive marrin gjithashtu mbështetje nga kantoni italishtfolës. Shumica e vendpushimeve të Ticinos nuk mund të mbijetonin pa subvencione. Prandaj, parlamenti kantonal miratoi së fundmi një kredi të re prej gati 6 milionë frangash CHF për katër dimrat e ardhshëm.