Zvicër: Të gjithë jemi pa para në janar

Janari po ushtron presion financiar mbi shumë prej nesh.

Sipas një sondazhi të ri përfaqësues nga Comparis, më shumë se një e treta e popullsisë shpenzon më pak para në fillim të vitit, e goditur nga ajo që njihet si “rënia e janarit”.

Problemi nuk janë blerjet e Krishtlindjeve, por faturat e mëdha si taksat, sigurimet dhe abonimet e transportit.

Të rinjtë dhe familjet janë më të prekura, veçanërisht ata me të ardhura më të ulëta, transmeton albinfo.ch.

Comparis këshillon familjet me mjete të mjaftueshme të përdorin zbritjet e janarit për të paguar shpenzimet vjetore paraprakisht.

Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Në Kosovë, nga sonte në mesnatë, fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Njëkohësisht, nis edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale.

Sipas tij, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Këto masa të autoriteteve kosovare, megjithatë, po hasin në kritika nga komuniteti serb – sektori civil dhe përfaqësuesit politikë.

Si do të ndikojë Ligji për komunikacionin te komuniteti serb?

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

Si do të ndikojë Ligji për të huajt te komuniteti serb?

Ligji për të huajt mund t’i prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Megjithatë, Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.

“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.

Në manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.

Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

Reagimet e sektorit civil dhe të politikanëve

Të dhëna të sakta zyrtare se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente kosovare, nuk ka, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti, kryesisht në katër komunat e veriut, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.

Megjithatë, një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2024, me titullin “Analiza e trendëve dhe qëndrimeve të komunitetit serb”, nxori në pah se mbi 93% e 503 të anketuarve kanë dokumente kosovare.

Grupi i organizatave serbe joqeveritare ka theksuar më herët se ekzistojnë mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të marrin dokumente kosovare, pasi “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, si dhe i pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për një kohë të gjatë”.

Autoritetet kosovare, në periudhën nga nëntori 2024 deri në prill 2025, u mundësuan serbëve në Kosovë ta marrin shtetësinë “më vonë”, duke pasur parasysh se disa nuk mund t’i merrnin dokumentet kosovare për shkak se posedonin vetëm dëshmi të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat Prishtina nuk i njeh.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – njoftoi më 14 janar se ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, duke theksuar se ka hasur në mirëkuptim, por se nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të saj.

“Edhe gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi qenë në kontakt intensiv me përfaqësues ndërkombëtarë dhe kemi përcjellë shqetësimet e qytetarëve tanë, veçanërisht sa u përket pasojave të mundshme nga zbatimi eventual i këtyre vendimeve të dëmshme”, thuhet në reagim.

Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë sërish zbatimin e këtyre “rregullave”, me qëllim që të gjendet një model i përshtatshëm.

Edhe politikanë të tjerë serbë reaguan ashpër ndaj këtyre masave.

Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, deklaroi më 13 janar për transmetuesin publik kosovar se masat duhet të shtyhen përsëri, pasi “nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur”.

Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” e Ivan Vuçkoviqit dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” e Marko Jakshiqit, iu drejtuan më 15 janar me një letër të hapur Qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, me arsyetimin se këto masa do t’i prekin mijëra familje.

Këta përfaqësues politikë të serbëve në nivel lokal kërkuan, mes tjerash, shtyrjen e zbatimit të ligjeve të kontestuara, nisjen e dialogut me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, si dhe gjetjen e modaliteteve të përshtatshme dhe të zbatueshme që, siç thanë, do t’u sigurojnë qytetarëve një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit kërkoi që zgjidhja të gjendet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si “hapa të rinj përshkallëzues”.

Kjo zyrë paralajmëroi se, nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, “Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore – adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme”./REL

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën përfundimtare, në shkurt nisin deklaratat përmbyllëse

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt 2026  do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit zyrtar të DHSK-së, seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30 dhe mund të ndiqen përmes transmetimit në faqen zyrtare të gjykatës me 45 minuta vonesë, në tri gjuhët zyrtare: shqip, serbisht dhe anglisht, si dhe nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë.

Sipas njoftimit, për shkak të interesimit të madh, pjesëmarrja fizike në seanca kërkon regjistrim paraprak.

“Për të përcjellë seancat nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë, regjistrimi paraprak është i domosdoshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas rendit të ditës, deklaratat përmbyllëse do të nisin me Prokurorinë më 9 shkurt, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve do të paraqesë qëndrimet e saj në ditët pasuese. Më 18 shkurt janë paraparë përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit, transmeton albinfo.ch.

KMSHZ: Imami i akuzuar nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër

Pas lajmit të publikuar në mediat zvicerane për një imam të identifikuar prej tyre si “imam kosovar”, të cilin e ngarkojnë akuza të rënda penale, ka reaguar Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, duke përgënjeshtuar lajmin në fjalë.

Në vazhdim, albinfo.ch publikon tekstin integral të reagimit të KMSHZ:

Në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi në disa media për nisjen e një procesi gjyqësor në Zvicër ndaj një personi të cilësuar si “imam shqiptar”, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ndjen obligim moral dhe institucional të sqarojë opinionin publik.

Dëshirojmë të theksojmë qartë se personi në fjalë nuk është imam i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, nuk mban asnjë funksion fetar në strukturat tona dhe nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër. Çdo lidhje e tij me institucionet tona fetare është e pavërtetë dhe e pasaktë.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe thekson se parimet tona fetare dhe institucionale janë të bazuara në ndershmëri, përgjegjësi morale dhe respektim të plotë të ligjit.

Ftojmë mediat që në raportimet e tyre të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime apo dëmtohet padrejtësisht imazhi i komunitetit musliman shqiptar, i cili prej dekadash kontribuon pozitivisht në shoqërinë zvicerane.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër

15.01.2026, Cyrih

BE: Masat ndaj Kosovës pritet të hiqen brenda disa javësh

Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në Bruksel, përcjell albinfo.ch.

Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, njoftoi se, përfshirë pjesën e masave që tashmë janë hequr, Kosova do të përfitojë mbi 400 milionë euro. Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.

“Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne në javët e ardhshme do të kemi hequr të gjitha masat financiare. Ky është gjithashtu plani që ka përmendur Presidentja jonë dhe që po zbatojmë në praktikë,” tha Koopman.

Ai bëri këto komente gjatë një seance të Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, duke diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, situata e Kosovës në kuadër të këtij plani është relativisht e qartë: mjetet financiare do të lirohen sapo marrëveshjet përkatëse të ratifikohen – një hap që më parë ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

“Tani shpresojmë që ky proces të përfundojë së shpejti. Pas zgjedhjeve të dhjetorit, presim formimin e shpejtë të qeverisë, që do të mundësojë finalizimin e dokumentacionit të nevojshëm për të mbrojtur buxhetin e BE-së dhe interesat e taksapaguesve evropianë. Më pas, mund të ecim shpejt, duke kapur ritmin me vendet e tjera të rajonit,” shtoi Koopman.

Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet e autoriteteve kosovare, duke thënë se shumë nga reformat janë përgatitur dhe mund të zbatohen shpejt. Megjithatë, përparimi i plotë do të jetë i mundur vetëm pas ratifikimit në Kuvend.

Gjeneva, Lozana, Cyrihu, Bazeli dhe Berna zyrtarisht financojnë trenat e natës

Pesë qytetet më të mëdha të Zvicrës kanë vendosur zyrtarisht të marrin në dorë financimin e linjave ndërkombëtare të trenave të natës, pasi Parlamenti refuzoi të subvencionojë linjën Basel–Malmö, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet lokale të Gjenevës, Lozanës, Cyrihut, Bazelit dhe Bernës kanë bashkuar përpjekjet për të siguruar fonde për lidhjet hekurudhore të natës, por edhe për linjat ndërkombëtare ditore që nuk mbështeten nga Qeveria federale.

Sipas këshilltarit komunal të Lozanës, Louis Dana, qëllimi i kësaj nisme është gjetja e zgjidhjeve alternative të financimit për të ruajtur dhe zgjeruar transportin hekurudhor ndërkombëtar, veçanërisht atë të natës.

Mbi 225 mijë vende të lira pune në Zvicër

Zvicra po përballet me një numër të lartë të vendeve të lira të punës, pavarësisht pritjeve për një rritje të lehtë të papunësisë në vitin 2026, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave të publikuara nga kompania e shërbimeve të personelit X28, aktualisht në mbarë vendin janë të shpallura 225.358 vende të lira pune.

Kërkesa më e madhe për punëtorë vërehet në kantonet e Cyrihut dhe Bernës, të cilat kryesojnë listën me 46.657 dhe 29.697   vende të lira respektivisht.

Sa i përket sektorëve, shëndetësia mbetet fusha me mungesën më të madhe të fuqisë punëtore, ku kërkohen rreth 22.500 profesionistë./Albinfo.ch

Zvicër: Nga sot nuk lejohet përdorimi i power bankëve gjatë fluturimit

Nga sot, 15 janar, kompania ajrore SWISS, së bashku me Edelweiss, ka vendosur rregulla të reja për transportin dhe përdorimin e power bankëve gjatë fluturimeve, me qëllim rritjen e sigurisë në bord, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja:

Power bankët nuk lejohen të përdoren apo të karikohen gjatë fluturimit

Çdo pasagjer mund të mbajë maksimumi dy power bankë

Ndalohet karikimi i tyre përmes furnizimit elektrik të avionit

Power bankët nuk duhet të vendosen në raftet mbi sedilje, por të mbahen pranë pasagjerit, në xhepin e sediljes ose në bagazhin e dorës poshtë sediljes përpara

Si më parë, këto pajisje mbeten të ndaluara në bagazhin e regjistruar.

Kompania SWISS njofton se masa është ndërmarrë për arsye sigurie, ndërsa pasagjerët mund të gjejnë më shumë detaje në faqen zyrtare të kompanisë./Albinfo.ch

Del para gjyqit në Zvicër Imami shqiptar

Në Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces i gjerë gjyqësor ndaj një imami dhe biznesmeni kosovar 57-vjeçar nga kantoni Aargau, i dyshuar për një sërë veprash të rënda ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Referuar mediave zvicerane, aktakuza përbëhet nga mbi 200 faqe dhe përfshin gjithsej 20 pika, përfshirë mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Prokuroria vlerëson se dëmi financiar i shkaktuar arrin në disa milionë franga zvicerane.

I akuzuari kryesor nuk u paraqit në seancën gjyqësore, duke pretenduar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe është i paaftë për t’u marrë në pyetje. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar një ekzaminim mjekësor zyrtar.

Tetë persona të përfshirë në çështje

Në këtë rast janë të pandehur gjithsej tetë persona: imami 57-vjeçar, ish-bashkëshortja e tij 51-vjeçare, vajza 27-vjeçare, tre djemtë e tij të moshës 27 dhe 35 vjeç, si dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas mediave zvicerane, i akuzuari në rrjetin social Facebook paraqitet si një imam i përkushtuar për rreth 4.500 ndjekësit e tij, ndërsa Prokuroria Publike e cilëson atë si “kriminel ekonomik”.

Dyshime për keqpërdorim të kompanive dhe lejeve të qëndrimit

Prokuroria pretendon se përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë siguruar kredi bankare, të cilat janë përdorur për shpenzime personale, ndërsa disa kompani janë futur qëllimisht në falimentim.

Po ashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për anëtarë të familjes, me qëllim sigurimin e lejeve të qëndrimit në Zvicër.

Kërkesa e prokurorisë

Prokuroria ka kërkuar për të akuzuarin kryesor një dënim prej 7.5 vitesh burg, si dhe dëbim nga Zvicra për një periudhë 15-vjeçare. Për të pandehurit e tjerë janë paraparë dënime më të lehta.

Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet në fund të muajit janar./Albinfo.ch

Walker shpallet “Qytetar i Përjetshëm i Shtimes”

Kuvendi i Komunës së Shtimes, në mbledhjen përkujtimore të mbajtur sot për nder të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, i ka dhënë Ambasadorit William Walker titullin nderues “Qytetar i Përjetshëm i Shtimes”, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit të komunës, ky titull u dha për kontributin e jashtëzakonshëm të Walker në zbardhjen e të vërtetës mbi masakrën e 15 janarit 1999 dhe për lidhjen e tij të pandarë dhe të thellë me qytetin e Shtimes dhe banorët e tij.

Gjatë ceremonisë, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahman Jakupi, theksoi se ky nderim është akt mirënjohjeje institucional dhe një shenjë e respektit të përhershëm ndaj rolit të Ambasadorit Walker në faktorizimin e krimeve të kryera në Reçak dhe në informimin e opinionit ndërkombëtar.

“Ambasadori Walker është pjesë e historisë sonë dhe e së vërtetës sonë. Sot, Komuna e Shtimes ia hap përjetësisht dyert dhe zemrën si qytetar i këtyre njerëzve, si dëshmitar i së vërtetës dhe si mik i pandarë i Reçakut”, u shpreh Jakupi.

Titulli “Qytetar i Përjetshëm i Shtimes” përfaqëson nderimin më të lartë ceremonial që jepet nga niveli komunal dhe i dedikohet personaliteteve me ndikim historik, moral dhe njerëzor ndaj komunitetit.

Liderët politikë bëjnë homazhe në Reçak

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, së bashku me ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, bënë homazhe në Reçak, në 27-vjetorin e Masakrës, përcjell albinfo.ch.

Osmani theksoi se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmi e qëllimit të Serbisë për zhdukjen e popullit shqiptar dhe se mohimi i saj përbën një krim të dyfishtë. “Dhimbja mbetet e freskët për familjet dhe gjithë popullin e Kosovës, pasi ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera”, shtoi ajo.

Kurti u zotua se do të vazhdojë kërkimin e drejtësisë për krimet e luftës: “Jemi këtu për të shprehur dhimbjen tonë dhe për t’u angazhuar që kriminelët të përgjigjen për mizoritë e para 27 vjetëve”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kujtoi rolin e Masakrës së Reçakut në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe falënderoi William Walker për kontributin e tij. Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se kërkimi i drejtësisë mbetet obligim shtetëror e moral: “Pa drejtësi për viktimat, paqja nuk mund të jetë e plotë”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përkujtoi viktimat dhe përmendi se krerët e UÇK-së po gjykohen në Hagë, jo ata që kryen krimet serbe. Ai vlerësoi sakrificën e brezave që luftuan për liri.

Masakrën e kujtoi edhe OSBE-ja në një postim në Facebook, duke e quajtur këtë ngjarje rikujtim të detyrës kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe siguruar drejtësi për të gjithë.

“Kurrë mos harro. Sot kujtojmë 45 jetët e humbura dhe u shprehim ngushëllimet tona familjeve të tyre”, thuhet në postim./Albinfo.ch 

Inteligjenca artificiale po ndikon edhe në blerje

Përhapja më e gjerë e IA po detyron një sërë sektorësh të kalojnë në një tranzicion të shpejtë, dhe blerjet nuk bëjnë përjashtim.

Një e katërta e konsumatorëve përdorën mjete blerjeje me inteligjencë artificiale gjeneruese në vitin 2025 dhe edhe 31% të tjerë planifikojnë t’i adoptojnë ato në të ardhmen.

Kjo sipas një raporti të ri nga kompania e transformimit të biznesit Capgemini, i bazuar në përgjigje të konsumatorëve në nivel global dhe intervista me drejtues të sektorit të shitjes me pakicë, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

“Markat duhet të shkojnë përtej optimizimit për kërkimin dhe të kalojnë te optimizimi për përzgjedhjen”, tha Dreen Yang, zëvendëspresidente ekzekutive dhe drejtuese globale për produktet e konsumit dhe shitjen me pakicë në Capgemini. “Suksesi varet gjithnjë e më shumë i përzgjedhjes nga algoritmet, jo vetëm nga gjetja nga konsumatorët.”

Në praktikë, blerësit mund ta përdorin IA në mënyra të ndryshme, qoftë duke bërë blerje drejtpërdrejt përmes një chatbot-i, duke përdorur algoritme për këshilla, ose duke lejuar një asistent virtual të shpenzojë para në emër të tyre.

Vitin e kaluar, për shembull, OpenAI njoftoi se do t’u lejonte përdoruesve në SHBA të blinin produkte nga Etsy, Shopify dhe Walmart përmes ChatGPT.

Kompani të tjera, si Amazon, janë treguar më hezituese, duke bllokuar crawler-at e OpenAI dhe duke kufizuar kështu aksesin në listat e produkteve të saj.

Duke u përqendruar në ambiciet e veta për IA, Amazon shpreson të ruajë kontrollin mbi tregun e reklamimit në tregtinë elektronike.

Sipas Capgemini, 63% e konsumatorëve të anketuar duan që inteligjenca artificiale gjeneruese të ofrojë përmbajtje blerjeje hiper-të personalizuar, megjithëse shqetësimet rreth kësaj teknologjie mbeten.

Për shembull, 71% e të anketuarve thanë se ishin të shqetësuar për mënyrën se si IA gjeneruese përdor informacionin e tyre.

Dëshira për ndihmë njerëzore mbetet gjithashtu e fortë, me 66% të të anketuarve që vlerësojnë mbështetjen njerëzore në momentin e blerjes.

Kjo do të thotë se markat duhet të ofrojnë “një përzierje të balancuar mes komoditetit dixhital dhe mbështetjes njerëzore”, tha Capgemini.

Në veçanti, chatbot-ët e ndihmës në faqet e kompanive, të menduar për të ofruar mbështetje të menjëhershme 24/7, rezultuan relativisht jopopullorë, duke kënaqur vetëm 57% të të anketuarve.

T’u bësh përshtypje robotëve

Sipas raportit, shitësit me pakicë duhet të përshtaten me epokën e re të blerjeve ose rrezikojnë të mbeten pas.

Për të përmirësuar shikueshmërinë dhe rekomandimin nga botët e IA, kompanitë duhet të ofrojnë të dhëna të lexueshme nga makinat, të përditësuara vazhdimisht dhe të pasuruara me atribute të produkteve. Kjo i mundëson teknologjisë të interpretojë, shfaqë dhe rekomandojë produkte në kohë reale.

Mjetet e IA kanë më shumë gjasa të rekomandojnë kompani që ofrojnë kontekst të detajuar rreth produkteve të tyre, pasi për botët është më e lehtë të kuptojnë se për kë është një artikull dhe pse është i përshtatshëm.

Burime të palëve të treta, si vlerësimet dhe komentet, kanë gjithashtu rëndësi, tha Capgemini, pasi ato ndikojnë në mënyrën se si modelet e mëdha gjuhësore përshkruajnë produktet ose markën.

Duke parë përpara, popullariteti i vazhdueshëm i blerjeve përmes chatbot-ëve varet, megjithatë, nga një sërë faktorësh. Një pyetje kyçe lidhet me oreksin e kompanive të IA për reklama.

Nëse asistentët e blerjeve mbushen me reklama, është e mundur që besimi i konsumatorëve te rekomandimet e tyre të bjerë.

Të përfshihesh në tranzicion

Kur bëhet fjalë për ofertat e veta të IA, është e rëndësishme që kompanitë ta përshtatin teknologjinë me preferencat e konsumatorëve, tha Capgemini.

Me fjalë të tjera, markat që dallohen janë ato që ofrojnë përvoja të larmishme blerjeje përmes një ndërfaqeje të vetme.

Disa përdorues pëlqejnë të eksplorojnë vetë, ndërsa të tjerë preferojnë rekomandime hap pas hapi, të dyja mund të përmbushen duke përdorur mjete IA.

Transparenca dhe kontrolli mbi këtë teknologji janë gjithashtu thelbësore, thuhet në raport. Shumica e blerësve duan të vendosin kufij të rreptë për asistentët dixhitalë, si kufij shpenzimesh, dhe 63% duan të miratojnë ose refuzojnë blerjet e nisura nga IA.

Një tjetër 67% duan që markat të etiketojnë reklamat dhe përmbajtjen e gjeneruar nga IA, duke nënvizuar dëshirën për kontroll njerëzor në çdo hap.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë sqaron se kush ka të drejtë të udhëtojë

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të vijojnë të udhëtojnë në drejtim të SHBA-ve dhe cilat kategori janë të ndaluara.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, shqiptarët që disponojnë vizë amerikane lejohet të udhëtojnë drejt SHBA-ve vetëm nëse kanë për qëllim  turizmin, pushimet, blerjet, takime biznesi apo vizite te miqtë e të afërmit, transmeton albinfo.ch.

Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt SHBA-ve me qëllim lindjen e fëmijës, studimi për një diplomë apo me qëllim pune.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku mes tyre përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova.

“Është përgjegjësia juaj ta përdorni vizën tuaj në mënyrë korrekte”, deklaron ambasada e SHBA-ve në reagimin e saj në rrjetet sociale.

Disa aktivitete që LEJOHEN me vizë vizitori B1/B2:

✅ Turizëm

✅ Pushime

✅ Blerje

✅ Vizitë me miq ose të afërm

✅ Takime me bashkëpunëtorë biznesi

✅ Pjesëmarrje në një konventë ose konferencë

Aktivitete që NUK LEJOHEN me një vizë vizitori B1/B2:

❌ Turizëm lindjeje (udhëtim me qëllim kryesor lindjen në Shtetet e Bashkuara për të marrë shtetësinë amerikane për fëmijën)

❌ Punë që rezulton në pagesë nga një punëdhënës ose biznes amerikan

❌ Studimi për një diplomë ose kredite akademike

❌ Performanca të paguara

 

Irani mbyll hapësirën ajrore për fluturime komerciale për orë të tëra

Irani mbylli për disa orë hapësirën e tij ajrore për fluturimet komerciale herët të enjten, pa dhënë shpjegime zyrtare, në kohën kur tensionet me Shtetet e Bashkuara mbeten të larta, përcjell albinfo.ch.

Sipas udhëzimeve për pilotët, mbyllja zgjati më shumë se katër orë, duke detyruar linjat ajrore ndërkombëtare të devijojnë fluturimet në veri dhe jug të Iranit, i cili është një korridor kyç Lindje–Perëndim. Faqja SafeAirspace bëri të ditur se shumica e transportuesve po shmangin hapësirën ajrore iraniane për shkak të rrezikut të shtuar të sigurisë.

Raportet e mediave tregojnë se mbyllja u hoq më vonë dhe disa fluturime vendase rifilluan pas orës 7:00 sipas kohës lokale.

Ngjarja vjen pas këshillimeve për evakuim të personelit amerikan nga baza ushtarake në Katar dhe pas urdhrit të ambasadës së SHBA-së në Kuvajt për kufizimin e lëvizjeve drejt bazave ushtarake.

Tensionet janë rritur edhe pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se nuk e ka përjashtuar veprimin ushtarak kundër Iranit, ndonëse theksoi se planet për ekzekutime janë ndalur.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi bëri thirrje për ulje të retorikës dhe rikthim në diplomaci, duke theksuar se ajo mbetet një alternativë më e mirë sesa lufta.

Kosovari hero në Zvicër, shpëton të moshuarit nga zjarri në shtëpinë e pleqve

Një ndërhyrje e shpejtë dhe e guximshme e një kosovari ka parandaluar një tragjedi të mundshme në një shtëpi pleqsh në Pfäffikon (SZ), transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Ibrahim Selimi 41 vjeçar duke përdorur një zorrë uji kopshti, arriti të shuajë zjarrin para se flakët të përhapeshin më tej.

Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 15:30 në Qendrën e Kujdesit “Roswitha”. Selimi, i cili po punonte në zonë së bashku me bashkëshorten e tij Fatlindën 38 vjeçare, vuri re flakë në një ballkon të objektit. Pa hezitim, ai reagoi menjëherë.

Fillimisht u përpoq ta shuante zjarrin me borë, por pa sukses. Më pas, i kujtohet se në automjet kishte një zorrë uji që përdoret për ujitjen e kopshtit të cilën e përdori për të shuar flakët.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij njoftoi policinë dhe paralajmëroi stafin e shtëpisë së pleqve dhe banorët për rrezikun.

Referuar Policisë Kantonale të Schwyz-it, zjarri u shua para mbërritjes së zjarrfikësve. Dy gra, të moshës 45 dhe 61 vjeç, u dërguan në spital për kontroll mjekësor për shkak të ekspozimit ndaj tymit. Fatmirësisht, nuk raportohet për pasoja serioze, transmeton tutje albinfo.ch.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, i cili dyshohet se është shkaktuar nga një cigare e ndezur. Drejtuesi i shtëpisë së pleqve falënderoi çiftin Selimi për reagimin e shpejtë dhe veprimin e matur, duke theksuar se falë tyre u shmang më e keqja.

Vetë Ibrahim Selimi nuk e quan veten hero,

“Bëra vetëm atë që ishte e nevojshme”, tha ai për Blick. /Albinfo.ch

Video – https://www.blick.ch/schweiz/zentralschweiz/das-altersheim-in-pfaeffikon-sz-brennt-ibrahim-selimi-41-greift-zum-gartenschlauch-ich-musste-rasch-handeln-um-die-senioren-zu-retten-id21598340.html?utm_campaign=blick-page-post&fbclid=IwZnRzaAPVpepleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZAo2NjI4NTY4Mzc5AAEeOdaHbG1Cx9Hh6d8z7ZZxMUe1Y4jb6H3suTpZ3no-de8__z2SpoiU6yvnkAA_aem_5uagLeGB4rgXHbGbosZ3LA

Katër skitarë në garë për dy vende olimpike në “Milano Cortina 2026”

Katër skitarë të Kosovës – Drin Kokaj, Klos Vokshi, Kiana Kryeziu dhe Lirika Deva – kanë përmbushur pesë kriteret e nevojshme për paraqitje në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, që do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, vetëm dy prej tyre do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje madhore, pasi vendi ynë ka të drejtë pjesëmarrjeje me një skitar dhe një skitare.

Garuesit kosovarë po i zhvillojnë në ditët në vijim garat e fundit kualifikuese, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS) do të njoftojë të hënën Federatën Skitare të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për pikët përfundimtare. Përzgjedhja finale do të bëhet nga Federata Skitare e Kosovës.

Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, ka bërë të ditur se aktualisht në avantazh janë Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, por se gara mbetet e hapur.

“Janë katër garues që po luftojnë për dy vende. Kiana, Lirika, Klosi dhe Drini janë në gara tash e dy muaj. Këto ditë i kanë edhe garat e fundit, ndërsa më 18 janar FIS-i mbyll ciklin olimpik. Të gjithë e kanë arritur normën olimpike, por aktualisht Drini dhe Kiana janë në avantazh, ndonëse diferencat janë të vogla”, ka thënë Kelmendi për koha.net.

Kosova deri më tani nuk ka arritur medalje në Lojërat Olimpike Dimërore, ndërsa në Lojërat Olimpike Verore ka fituar pesë medalje, tri prej tyre të arta, të gjitha nga sporti i xhudos.

Sipas Kelmendit, një renditje rreth vendit të 40-të do të konsiderohej sukses, duke marrë parasysh mungesën e infrastrukturës.

“Garuesit kanë marrë pjesë në kampe që nga vera dhe kanë shënuar progres. Financimi nuk ka munguar, por infrastruktura mbetet problemi kryesor. Megjithatë presim paraqitje dinjitoze në Lojërat Olimpike./Albinfo.ch

Fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Nga sonte në mesnatë, në Kosovë nis zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt. Sipas këtyre dispozitave, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj, përveç rasteve të autorizuara, ndërsa personat pa dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve, përcjell albinfo.ch. 

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Këto masa pritet të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të Serbisë mbi bazën e autorizimit ose nuk kanë poseduar dokumente kosovare.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre ligjeve ishte planifikuar të niste më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e kishte shtyrë afatin deri më 15 janar 2026, për të zhvilluar një fushatë informuese.

Zbatimi i Ligjit për komunikacionin

Sipas Policisë së Kosovës, drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin, megjithëse kjo praktikë ishte toleruar deri tani për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Elshani tha se nga 15 janari ligji do të zbatohet në terren, duke sqaruar se përjashtime do të bëhen vetëm në raste emergjente.

“Nëse dikush është duke shkuar në spital, nuk do t’i konfiskohet menjëherë automjeti. Por, nëse i njëjti person ndalohet sërish në ditët në vijim, mund të gjobitet deri në 200 euro”, tha ai.

Ligji për të huajt dhe dokumentet personale

Sa i përket Ligjit për të huajt, Elshani theksoi se ai nuk do të zbatohet në mënyrë të menjëhershme ndaj atyre që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente kosovare për arsye të ndryshme.

“Nuk do të ketë dëbime, as ndarje të familjeve. Zbatimi strikt do të vlejë për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë apo studime”, u shpreh ai, duke shtuar se procesi do të jetë gradual.

Në manualin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve, sqarohet se lejet e qëndrimit – të përkohshme apo të përhershme – lëshohen nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim.

Reagime dhe kritika

Masat kanë nxitur reagime të ashpra nga përfaqësues të komunitetit serb, organizata joqeveritare dhe subjekte politike. Lista Serbe ka kërkuar shtyrjen e sërishme të zbatimit të ligjeve, duke paralajmëruar pasoja për qytetarët serbë në Kosovë.

Edhe politikanë të tjerë serbë kanë kërkuar pezullim të masave, duke theksuar se komuniteti nuk është i përgatitur për zbatimin e tyre. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka cilësuar këto vendime si “hapa përshkallëzues”, duke kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e Quint-it.

Sipas një raporti të OJQ-së “Aktiv” nga viti 2024, mbi 93 për qind e serbëve të anketuar në Kosovë posedojnë dokumente kosovare, megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë në disa komuna në veri. /REL

27 vjet nga masakra e Reçakut, përgjegjësit ende nuk janë dënuar

Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit, përcjell albinfo.ch.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë. Viktimat u vranë në rrethana që tronditën thellë opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra e Reçakut u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Pas vizitës në vendin e krimit dhe pamjes së trupave të pajetë të civilëve, ai ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi ndjeshëm në ndërgjegjësimin e bashkësisë ndërkombëtare për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare drejt përfundimit të saj.

Në kuadër të përvjetorit, sot homazhe do të bëjnë krerët e shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Homazhe do të bëjë gjithashtu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Po ashtu, ora e parë mësimore në shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Masakrës së Reçakut, në nderim të viktimave dhe për të mos harruar krimin që shënoi historinë e vendit.

Trajnerja shqiptare në krye të kampionit suedez Hacken

Trajnerja shqiptare Elena Sadiku ka marrë drejtimin e BK Häcken, kampionit në fuqi të futbollit të femrave në Suedi, shkruan albinfo.ch.

32-vjeçarja erdhi në Hacken pas largimit nga Celtic i Skocisë, ku kishte fituar titullin kampion dhe kishte kualifikuar ekipin në Ligën e Kampionëve.

Sadiku e pranon se ndien presionin që vjen me drejtimin e një skuadre kampione, por thekson ambicien për fitore dhe përmirësim të ekipit.

Pas largimeve të disa lojtareve, ajo po punon për rindërtimin e grupit dhe menaxhimin e sfidës në mënyrë profesionale.

Häckeni ka zhvilluar tashmë seancën e parë stërvitore me Sadikun, e cila tregon motivim dhe energji të lartë për të udhëhequr ekipin drejt suksesit edhe këtë sezon./Albinfo.ch

Dy pedagoge shqiptare pranohen si bashkëudhëheqëse doktorature në Austri

Dy pedagoge të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (UNISHK), Prof. As. Dr. Albana Boriçi dhe Prof. As. Dr. Bresena Kopliku, janë pranuar zyrtarisht si bashkëudhëheqëse të studimeve të doktoratës në Austri, shkruan albinfo.ch.

Kjo arritje përbën një hap të rëndësishëm për stafin akademik dhe për procesin e ndërkombëtarizimit të universitetit.

Bashkëpunimi akademik me institucionet e arsimit të lartë në Austri hap perspektiva të reja për kërkimin shkencor, shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e cilësisë së studimeve të ciklit të tretë, në dobi të pedagogëve dhe doktorantëve të UNISHK.

Vlen të theksohet se, falë ndërmjetësimit të znj. Edona Bilali, ish-deputete dhe aktualisht Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, një vit më parë u hapën dy programe doktorale në bashkëpunim me palën austriake, ku roli i saj ka qenë kyç në ndërtimin dhe forcimin e këtij partneriteti akademik ndërkombëtar.

Aktualisht, ky bashkëpunim ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke forcuar më tej pozicionin e Universitetit të Shkodrës në hapësirën akademike evropiane.

Universiteti i Shkodrës u uron suksese dy profesoreshave të nderuara, të cilat, së bashku me Zv. Rektoren Prof. Dr. Blerta Dragusha, po angazhohen për ta bërë këtë bashkëpunim sa më konkret dhe të prekshëm për doktorantët dhe stafin akademik të UNISHK./Albinfo.ch

U rritën në Deçan, sot njëri i shërben ligjit në SHBA e tjetri në Kosovë

Riza Lekaj dhe Adrian Përgjegjaj, të lindur në Lumbardhë të Deçanit, janë rritur bashkë si vëllezër të pandarë, duke ndarë fëmijërinë, vlerat dhe ëndrrat, shkruan albinfo.ch.

Sot, rrugët e tyre profesionale janë ndarë fizikisht, por mbeten të bashkuara në misionin e përbashkët: shërbimin ndaj ligjit dhe shoqërisë.

 

 

Adrian Përgjegjaj jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është në shërbim të drejtësisë, duke mbrojtur ligjin dhe duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar në institucionet amerikane.

 

 

Në anën tjetër, Riza Lekaj ka zgjedhur të shërbejë në Kosovë, ku me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke kontribuar çdo ditë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe pse ndodhen në dy kontinente të ndryshme, të dy vijnë nga qyteti i Deçanit dhe mbeten shembull i mirë. /Albinfo.ch