Hapet një shkollë e re shqipe, vatër për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit në diasporë

Në komunën Francavilla al Mare, në rajonin Abruzzo të Italisë, është mbajtur ceremonia e hapjes së shkollës shqipe, një nismë e rëndësishme që synon ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare tek fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë, trandmeton albinfo.ch.

Hapja e kësaj shkolle përbën një hap domethënës për komunitetin shqiptar në këtë zonë, duke krijuar një hapësirë të re ku fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe, të njihen me kulturën dhe traditat shqiptare, si dhe të forcojnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Në një realitet ku brezat e rinj rriten mes dy kulturave, shkolla shqipe shihet si një urë që lidh familjet shqiptare me atdheun, duke ruajtur gjallë identitetin kombëtar dhe duke ndihmuar që gjuha shqipe të mos humbasë në rrjedhën e integrimit.

Organizatorët e kësaj nisme theksuan se shkolla nuk do të jetë vetëm një vend mësimi, por edhe një vatër komunitare, ku do të zhvillohen aktivitete edukative dhe kulturore që do ta mbajnë të gjallë frymën shqiptare në Itali./Albinfo.ch

Nga diaspora në Shqipëri, Evisa Pacolli garon në ‘Miss Universe Albania’

E lindur dhe rritur në Kanada nga dy prindër shqiptarë, Evisa Pacolli, 21 vjeç, do të marrë pjesë në garën për kurorën e bukurisë “Miss Universe Albania”, konkurs nga i cili përzgjidhet edhe përfaqësuesja shqiptare për garat ndërkombëtare të bukurisë, transmeton albinfo.ch.

Pacolli shënon një moment të veçantë për diasporën, pasi është pjesëmarrësja e parë shqiptare nga Kanadaja që konkurron në këtë event prestigjioz.

Me pjesëmarrjen e saj, Evisa synon të përfaqësojë jo vetëm bukurinë shqiptare, por edhe vlerat, kulturën dhe traditat kombëtare, duke e bërë krenare komunitetin shqiptar jashtë vendit.

Aktualisht, ajo jeton dhe punon në Kanada, ku është e angazhuar si menaxhere në një dyqan, ndërsa paralelisht po përgatitet për garën “Miss Universe Albania”, ku do të prezantojë historinë dhe rrugëtimin e saj si pjesë e diasporës shqiptare./Albinfo.ch

 

Shqipëria përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve në Stokholm

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Valleve, në qendër të Stokholmit u organizua një festival i veçantë me pjesëmarrjen e grupeve valltare nga vende të ndryshme të botës, transmeton albinfo.ch.

Shqipëria u përfaqësua në këtë festival nga Albanian Folkgroup “Tradita”, i cili solli një atmosferë të ngrohtë dhe festive nën tingujt e valleve kombëtare shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe duke promovuar kulturën tradicionale shqiptare në Suedi.

Ky grup, së bashku me “Këngë Labe në Stockholm”, do të performojnë gjithashtu më 9 maj, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, në parkun Kungsträdgården në Stokholm. Performanca e tyre është planifikuar të mbahet në ora 17:20.

Ngjarja do të jetë e hapur për publikun nga ora 11:00 deri në 18:00, ndërsa edhe Ambasada do të jetë pjesëmarrëse me tendën e saj kombëtare, duke kontribuar në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare në këtë festë evropiane./Albinfo.ch

Arta Dodaj shpërblehet me Çmimin Vjetor për Shkencë në Kroaci

Prof. dr. Arta Dodaj, nga Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Zarës në Kroaci, është shpallur fituese e Çmimit Vjetor për Shkencë në fushën e shkencave shoqërore, të ndarë nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë e Republikës së Kroacisë për vitin 2024, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet kroate më 20 prill 2026, duke vlerësuar rezultatet dhe kontributin e saj në fushën e kërkimit shkencor.

 

Foto: Slobodna Dalmacija

Sipas gazetës kroate Slobodna Dalmacija, gjatë vitit 2024 prof. dr. Dodaj ka shënuar arritje të rëndësishme akademike, duke publikuar 11 punime shkencore të indeksuara në platformat ndërkombëtare Web of Science dhe Scopus, të vlerësuara me rangimet më të larta.

Ajo konsiderohet një nga studiueset kyçe në Kroaci në hulumtimet mbi ngacmimin dhe maltretimin e grave përmes mesazheve me përmbajtje fyese dhe seksuale, fenomen i njohur në shkencë si seksting (sexting). Mediumi kroat thekson se dr. Dodaj renditet ndër 20 shkencëtaret më produktive në këtë fushë.

Punimet e saj janë të orientuara drejt analizimit të natyrës, shkaqeve dhe pasojave të sekstingut te të rinjtë, si në aspektin e sjelljeve seksuale normative, ashtu edhe në kontekstin e dukurive të rrezikshme që lidhen me këtë fenomen.

Në kuadër të hulumtimeve të saj, janë mbledhur të dhëna nga mbi 8 mijë adoleshentë dhe të rinj nga Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina, duke krijuar një bazë të rëndësishme për kuptimin e trendeve afatgjata dhe ndikimit të sekstingut te brezat e rinj.

Vlerësimi i Prof. dr. Arta Dodaj me këtë çmim konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për komunitetin akademik kroat, por edhe për përfaqësimin e suksesshëm të studiuesve shqiptarë në arenën ndërkombëtare të shkencës./Albinfo.ch

 

Shqipëria shkëlqen në evropianin e fitnessit dhe bodybuilding, 1 medalje ari dhe 1 argjendi

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë në Fitness dhe Bodybuilding ka arritur sukses të rëndësishëm në Kampionatin Evropian 2026, duke fituar një medalje ari dhe një medalje argjendi në garat e zhvilluara nga 29 prill deri më 3 maj në Santa Susana të Spanjës.

Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), delegacioni kuqezi u përfaqësua nga pesë sportistë, të cilët dhanë paraqitje dinjitoze në disa kategori.

Suksesi më i madh erdhi nga Dion Haxhiaj, i cili u shpall kampion evropian duke fituar medaljen e artë në kategorinë “Men’s Physique Junior” (–20 vjeç).

Ndërkohë, Edmond Met’hasani siguroi medaljen e argjendtë në “Men’s Classic Bodybuilding” (–180 cm). Ai gjithashtu u rendit i katërti në “Men’s Games Classic Bodybuilding” dhe i pesti në “Men’s Fit Bodybuilding”.

Edhe Bruno Nuho pati paraqitje të mira, duke u renditur i pesti në “Men’s Classic Bodybuilding” (–171 cm) dhe i gjashti në “Men’s Fit Bodybuilding”.

Sportistët Armando Mancaku dhe Antonio Paloka konkurruan në kategoritë e tyre respektive, por nuk arritën të kualifikohen në finalen me gjashtë më të mirët.

Ky rezultat tregon zhvillimin e vazhdueshëm të sporteve të fitness-it dhe bodybuilding-ut në Shqipëri, si dhe angazhimin e sportistëve në arenën ndërkombëtare.

Kosovë: Më 6 maj nis regjistrimi i votuesve nga jashtë për votim me postë dhe përfaqësi diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 6 maj 2026 fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora, i cili do të zgjasë deri më 17 maj.

Gjatë një periudhe 12-ditore, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të aplikojnë online për t’u regjistruar dhe për të zgjedhur mënyrën e votimit: me postë ose në përfaqësitë diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se secili votues mund të zgjedhë lirisht mënyrën e votimit.

Ai sqaroi se qytetarët mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike, të dërgojnë fletëvotimin me postë në kutitë postare të hapura jashtë vendit, ose ta dërgojnë atë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Sipas KQZ-së, votimi në përfaqësi diplomatike do të zhvillohet më 6 qershor, ndërsa votimi përmes postës do të bëhet nga 25 maji deri më 6 qershor.

Po ashtu, është vendosur që votimi në një përfaqësi diplomatike të organizohet vetëm nëse regjistrohen të paktën 50 votues. Në të kundërtën, votuesit do të kalojnë automatikisht në votim përmes postës dhe do të njoftohen nga KQZ.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se emrat e qytetarëve të regjistruar për votim nga diaspora do të hiqen nga listat e votimit në vendvotimet brenda Kosovës, për të shmangur dyfishimin e votës.

Kolona të gjata në Gotthard për ditën e ngjitjes, SBB shton trena shtesë

Gjatë fundjavës së Ditës së Ngjitjes në Zvicër pritet trafik i rënduar në kalimin e Gotthardit, me kolona që mund të zgjasin nga 2.5 deri në 4 orë, sidomos më 13 dhe 14 maj. Autoritetet paralajmërojnë rritje të madhe të qarkullimit pasi shumë qytetarë udhëtojnë drejt jugut të vendit.

Klubi i Trafikut në Zvicër (TCS) dhe Autoriteti Federal i Rrugëve (ASTRA) paralajmërojnë gjithashtu vonesa dhe bllokime në disa akse kryesore, përfshirë autostradën A2, A13, Axenstrasse, si dhe linjat e transportit me automjete në Vereina, Furka dhe Lötschberg. Shoferëve u rekomandohet të qëndrojnë në autostradë dhe të shmangin rrugët dytësore për të mos rënduar trafikun lokal.

Ndërkohë, për të lehtësuar udhëtimet, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë shtuar kapacitetet me 58 trena shtesë dhe mbi 130,000 vende ekstra në linjat mes Zvicrës gjermanofolëse dhe Ticinos.

Autoritetet presin fluks të shtuar edhe në ditët pas festës, kur qytetarët kthehen nga pushimet.

Shoferët e autobusëve përballen me probleme shëndetësore shkaku i kushteve të punës

Stinë të gjata pune, pak kohë për pushim dhe lodhje e vazhdueshme – profesioni i shoferit të autobusit po lidhet gjithnjë e më shumë me probleme shëndetësore, sipas një studimi të ri.

Një studim i ri tregon se shoferët e autobusëve po përballen gjithnjë e më shpesh me pasoja në shëndet për shkak të kushteve të punës, përfshirë orare të gjata, mungesë rikuperimi dhe lodhje të akumuluar.

Gilbert D’Alessandro, i cili ka 37 vite përvojë si shofer autobusi në kompaninë e transportit publik në Friburg, thotë se e do profesionin e tij dhe nuk do ta ndërronte për asgjë, por pranon se kushtet e punës janë përkeqësuar me kalimin e viteve.

“Sforcimi po rritet vazhdimisht. Është paradoksale: 37 vite më parë kishim automjete të vjetra pa teknologji, por më pak presion. Sot kemi pajisje shumë moderne, por edhe më shumë trafik, skuterë dhe biçikleta në korsitë e autobusëve,” tha ai për transmetuesin publik zviceran RTS.

Ai punon mesatarisht 8 deri në 12 orë në ditë pas timonit – një distancë e ngjashme me udhëtimin nga Friburg deri në Barcelonë. Për të ruajtur një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës private, ai ka ulur orarin nga 100% në 70%. “E nis ditën gjithmonë me buzëqeshje sepse e dua punën time, por në mbrëmje kur kthehem në shtëpi jam shumë i lodhur,” thotë ai.

Presioni financiar dhe lodhja fizike

Ngjashëm përjeton situatën edhe Malika Meyrat, një shofer autobusi në La Chaux-de-Fonds. Pas shtatë vitesh pune, 35-vjeçarja thotë se ndryshimet në trafik kanë ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e saj.

“Kjo shfaqet në dhimbje muskulore, sidomos në qafë, shpatulla dhe pjesën e poshtme të shpinës,” thotë ajo.

Edhe në Zvicrën gjermanishtfolëse, kushtet e punës së shoferëve të transportit publik janë bërë temë debati. Në Winterthur këtë pranverë ishte afër një grevë, ndërsa edhe në qytetin e Zyrihut punonjësit kanë protestuar për kushte më të mira pune.

Sindikatat thonë se, edhe pse kompanitë respektojnë rregulloret ligjore, situata duhet përmirësuar. “Kushtet e punës duhet të përmirësohen dukshëm, sidomos duke reduktuar ditët me orare shumë të gjata,” thotë Pablo Guarino nga sindikata e punonjësve të transportit. “Presioni financiar shpesh transferohet mbi kushtet e punës,” paralajmëron ai.

Një e treta e stafit ndjehet e rraskapitur

Studime në Zvicër tregojnë se shoferët e autobusëve janë të ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore, përfshirë stresin e lartë dhe probleme të tjera fizike e psikologjike. Në rajonin frankofon është nisur projekti Trapheac, i cili ka analizuar kushtet e punës në këtë sektor.

Rezultatet e para tregojnë se rreth një e treta e të anketuarve ndihen të rraskapitur.

Ekspertët propozojnë masa konkrete, si krijimi i dhomave të pushimit për shoferët. “Një hapësirë për pushim dhe ushqim ul në mënyrë të provuar nivelin e stresit,” thotë Irina Guseva-Canu, profesoreshë në Universitetin e Lozanës dhe pjesë e studimit.

Sektori nën presion për shkak të mungesës së stafit

Ngarkesa shëndetësore e shoferëve vjen në një periudhë sfiduese për transportin publik në Zvicër. Deri në vitin 2030, një pjesë e madhe e punonjësve pritet të dalë në pension, sidomos shoferët. Për të përballuar mungesat, kompanitë po mbështeten gjithnjë e më shumë te punësimi pas moshës së pensionit dhe programe të reja trajnimi, por sektori vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

Shumica e zviceranëve mbështesin fluturimet dhe kundërshtojnë taksat e reja

Pothuajse një në tre persona në Zvicër ndihen disi të sikletosur kur rezervojnë një fluturim, por fenomeni i ashtuquajtur “turpi i fluturimit” mbetet i kufizuar. Sipas një studimi të publikuar nga shoqata Aviationsuisse, vetëm 28% e popullsisë preket nga kjo ndjesi.

Studimi, i realizuar nga instituti kërkimor Sotomo dhe i bërë publik të hënën, tregon se shumica e qytetarëve kanë një qëndrim pozitiv ndaj udhëtimeve ajrore. Rreth 61% e të anketuarve shprehen pozitivisht për aviacionin, ndërsa 55% deklarojnë se ndihen krenarë për sektorin ajror zviceran.

Në të njëjtën kohë, shumica e popullsisë kundërshton masa më të rrepta për kufizimin e aviacionit. Afro 80% e të anketuarve janë kundër reduktimit të orarit të funksionimit të aeroporteve, ndërsa 57% i konsiderojnë rregullat aktuale për pushimin gjatë natës si “plotësisht të përshtatshme”. Vetëm një pjesë e vogël kërkon ndryshime në këtë drejtim.

Sa i përket mbrojtjes së klimës, publiku mbështet më shumë zgjidhjet teknologjike, si zhvillimi i avionëve më efikas dhe përdorimi i karburanteve të qëndrueshme. Nga ana tjetër, 71% e të anketuarve besojnë se një taksë mbi biletat ajrore për emetimet e CO₂ është joefektive, madje e padobishme.

Shumica e madhe, rreth 72%, mendojnë se përgjegjësia për mbrojtjen e klimës i takon komunitetit ndërkombëtar. Më pak përgjegjësi u atribuohen linjave ajrore (46%), politikës kombëtare (44%) dhe vetë udhëtarëve (38%).

Qëndrime të ndara për zgjerimin e infrastrukturës

Opinioni publik është më i ndarë kur bëhet fjalë për zgjerimin e infrastrukturës aeroportuale. Rreth 52% e të anketuarve mbështesin zhvillimin e aeroporteve nëse kërkesa për transport të pasagjerëve dhe mallrave vazhdon të rritet.

Anketa është zhvilluar nga 22 janari deri më 5 shkurt dhe përfshiu rreth 3,700 të rritur në pjesën gjermanishtfolëse dhe frëngjishtfolëse të Zvicrës. Rreth një e treta e pjesëmarrësve jetojnë pranë aeroporteve të Cyrihut, Bazelit dhe Gjenevës.

Aviationsuisse e përshkruan veten si “zëri i përdoruesve të transportit ajror në Zvicër”.

Ndërmerren masa në Valais pas shkeljeve të shumta të privatësisë nga kamerat online

Në kantonin Valais të Zvicrës po ndërmerren masa pas zbulimit se shumica e kamerave të internetit në zonat turistike nuk respektojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Një kontroll i autoriteteve kantonale ka treguar se vetëm 3% e 66 kamerave të analizuara janë në përputhje me rregullat, ndërsa pjesa tjetër konsiderohet jo-kompatibile.

Pas ankesave, autoritetet kanë nisur verifikime të gjera dhe kanë kërkuar nga komunat dhe operatorët turistikë rishikimin e përdorimit të kamerave. Në disa raste, si në Verbier, pamjet janë hequr nga interneti pasi u konstatua se personat ishin të identifikueshëm, në kundërshtim me ligjin.

Rregullat kërkojnë që individët të mos jenë të identifikueshëm në asnjë formë, përfshirë fytyrën, veshjen apo sjelljen, si dhe mjegullimin e targave të automjeteve dhe elementeve të tjera identifikuese.

Në disa zona turistike, kamerat janë riorientuar për të fokusuar peizazhet natyrore, duke shmangur hapësirat ku shfaqen njerëz.

Autoritetet kantonale theksojnë se do të vazhdojnë kontrollet dhe se në rast moszbatimi të rekomandimeve, mund të ndërmerren edhe masa të mëtejshme administrative.

Franca rrit shpenzimet për mbrojtjen: 36 miliardë euro shtesë për ushtrinë

Qeveria franceze ka vendosur të rihapë ligjin e programimit ushtarak të hënën, në një moment të tensionuar gjeopolitik të ndikuar nga lufta në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë rreth mbështetjes amerikane për NATO-n.

Sipas planit të ri, Franca synon të shtojë 36 miliardë euro në buxhetin e mbrojtjes, duke e çuar shpenzimin total ushtarak në 436 miliardë euro për katër vitet e ardhshme.

Forcimi i kapaciteteve ushtarake

Autoritetet franceze planifikojnë të përshpejtojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake që konsiderohen kritike, përfshirë:

municione dhe predha,

raketa,

dronë ushtarakë.

Gjithashtu, parashikohen investime në sisteme për bllokimin dhe neutralizimin e dronëve, të cilat do të shërbejnë edhe për mbrojtjen e infrastrukturës civile strategjike, si aeroportet.

Një tjetër masë e rëndësishme është edhe krijimi i një shërbimi ushtarak vullnetar 10-mujor, i paguar, për të rinjtë e moshës 18 dhe 19 vjeç.

Pa rritje të numrit të ushtarëve

Pavarësisht rritjes së buxhetit, qeveria franceze nuk planifikon:

rritjen e numrit të ushtarëve aktivë,

ndërtimin e më shumë avionëve luftarakë,

apo shtimin e fregatave të mëdha ushtarake.

Pra, fokusi kryesor mbetet modernizimi dhe përmirësimi i kapaciteteve ekzistuese, jo zgjerimi i madh i ushtrisë.

Reagime të ndryshme politike

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike në Francë:

E majta shpreh shqetësime për rritjen e madhe të shpenzimeve dhe për mundësinë e krijimit të një gjendjeje të jashtëzakonshme të sigurisë kombëtare, e cila do të lejonte masa të veçanta në rast kërcënimesh serioze.

E djathta, në të kundërt, e konsideron rritjen e buxhetit ende të pamjaftueshme përballë Rusisë dhe pasigurive mbi besueshmërinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara.

Një strategji në zhvillim

Ky ndryshim i ligjit të programimit ushtarak shihet si një përgjigje e shpejtë ndaj situatës aktuale ndërkombëtare. Megjithatë, pritet që politika e mbrojtjes së Francës të rishikohet sërish në të ardhmen, pasi drejtimi i saj mund të ndryshojë me ardhjen e presidentit të ardhshëm.

Kundërshtime ndaj pagës minimale në Vaud përpara votimit të 14 qershorit

Kundërshtarët e dy nismave për vendosjen e një page minimale kantonale kanë nisur fushatën e tyre përpara referendumit të 14 qershorit, duke kërkuar refuzimin e tyre dhe mbështetjen e kundërpropozimit të qeverisë kantonale.

Përfaqësues të biznesit dhe partive të djathta argumentojnë se një pagë minimale e njëtrajtshme dhe e imponuar nga shteti do të dëmtonte sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe do të minonte dialogun social. Ata favorizojnë modelin e bazuar në marrëveshjet kolektive të punës, të cilat, sipas tyre, marrin parasysh specifikat e çdo industrie dhe përfshijnë edhe përfitime shtesë për punëtorët.

Nga ana tjetër, sindikatat dhe partitë e majta mbështesin nismat, duke theksuar se ato synojnë të luftojnë varfërinë dhe të rrisin pagat më të ulëta, veçanërisht për punonjësit në sektorët më të prekshëm.

Kundërpropozimi i Këshillit të Shtetit parashikon gjithashtu një pagë minimale prej 23 frangash në orë, por me përparësi për marrëveshjet kolektive. Ky variant mbështetet edhe nga shumica e djathtë në Këshillin e Madh, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, pesë kantone në Zvicër kanë një pagë minimale, ndërsa debati për raportin mes saj dhe marrëveshjeve kolektive vijon edhe në nivel federal.

Leipzig: Së paku një i vdekur dhe 20 të lënduar nga përplasja e makinës me turmën

Një makinë është përplasur me një turmë njerëzish në qendër të Leipzigut, sipas policisë në landin gjerman të Saksonisë. Të paktën një person ka humbur jetën me këtë rast dhe rreth njëzet të tjerë janë plagosur, transmeton albinfo.ch. Kishte konstatime të ndryshme për numrin e të vdekurve. Varësisht nga burimi, bëhet fjalë herë për një e herë për dy viktima

Nuk është e qartë nëse shoferi ka përplasur qëllimisht makinën me turmën apo ka qenë aksident. Shoferi fillimisht ka ikur nga vendi i ngjarjes, por u kap dhe u arrestua pak kohë më vonë, raporton mdr.de.

Incidenti ndodhi në Grimmaische Strasse, një vend takimi, shëtitore dhe rrugë tregtare e njohur në Leipzig, Gjermania lindore.

Rrjedha e saktë e ngjarjeve mbetet e paqartë. Policia nuk ka publikuar asnjë informacion. Sfondi i incidentit, përfshirë një motiv të mundshëm, është gjithashtu i panjohur.

Nuk është e qartë nëse ishte një akt i qëllimshëm zemërimi, një aksident apo diçka krejtësisht tjetër. Ende nuk janë publikuar deklarata zyrtare.

Sipas policisë, shoferi i automjetit është arrestuar. Ai nuk konsiderohet më kërcënim, thonë ata. Autoritetet kanë korrigjuar shifrat e numrit të të vdekurve, sipas MDR.

Pas incidentit që përfshinte një makinë në qendër të Leipzigut, policia fillimisht raportoi një viktimë, një zëdhënës në qytetin sakson i tha agjencisë së lajmeve AFP. Qyteti dhe departamenti i zjarrfikësve kishin raportuar më parë dy vdekje.

Kryeministrja italiane: Evropa duhet të “forcojë sigurinë tonë” pas grindjes së SHBA-së me Gjermaninë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se Evropa duhet të rrisë “kapacitetin e saj të reagimit”, pasi Shtëpia e Bardhë kërcënoi të zvogëlojë praninë ushtarake amerikane.

“Nuk mund t’ju them se çfarë do të ndodhë. SHBA-të kanë diskutuar për shkëputjen e tyre në Evropë për ca kohë, prandaj mendoj se duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe të rrisim kapacitetin tonë të reagimit. Është një zgjedhje që nuk varet nga unë dhe me të cilën personalisht nuk do të pajtohesha”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, gjatë fundjavës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ushtria amerikane do të tërhiqte 5,000 trupa nga Gjermania, pasi kancelari Friederich Merz, dënoi qasjen e Uashingtonit ndaj negociatave me Iranin, transmeton albinfo.ch.

Vjedhjet e identitetit online rriten ndjeshëm në Zvicër

Në vitin 2023, në Zvicër u regjistruan 478 raste të vjedhjes së identitetit. Dy vjet më vonë, numri ka shkuar në 8102. Raste që kanë pasoja shumë konkrete financiare për viktimat.

Në kantonin e Freiburgut, Léa (emër imagjinar) i është vjedhur identiteti më shumë se një duzinë herë, me fatura për një seri të gjatë blerjesh që nuk janë bërë kurrë: nga një abonim telefonik deri te pushimet jashtë vendit, për një total prej mbi 20,000 frangash. Mënyra e veprimit është gjithmonë e njëjtë: mashtruesit blejnë në emër të tij duke përdorur një adresë të rreme email-i dhe marrin fatura në internet, të cilat nuk paguhen kurrë. Kujtesat e pagesës, nga ana tjetër, përfundojnë rregullisht në kutinë postare të viktimës. Sa herë që gruaja e re paraqiti një ankesë.

“Është e rëndësishme, për çdo rast të ri, të paraqitet një ankesë, sepse kjo i jep informacion shtesë policisë”, shpjegon ai në mikrofonat e RTS. Në rastin e tij, policia kantonale identifikoi dy autorë të dyshuar veçanërisht aktivë në rajon.

Në Gjenevë, Matteo e gjeti veten me fatura dhe njoftime pagese për targa makinash që nuk i kishte kërkuar kurrë. Mashtruesit përdorën një kopje të kartës së tij të identitetit për të lidhur kontrata qiraje për dy Mercedes të dorës së dytë, të rishitura me gjysmën e vlerës së tyre të re, të barabartë me 80,000 franga.

I riu për fat të mirë arriti t’i anulonte kontratat. Seksioni i Qarkullimit Kantonal, megjithatë, vazhdon të kërkojë pagesën e targave të porositura në emrin e tij nga mashtruesit dhe të dorëzuara rregullisht.

“Është shumë frustruese. E zemëron kur di se asgjë nuk mund të bëhet dhe se ata kanë arritur t’ia dalin mbanë,” thotë ai, ndërsa ende i kërkohet të paguajë 378 franga për targa që nuk i ka përdorur kurrë. I riu u ekzekutua së fundmi nga autoritetet kantonale, raporton RSI.

Një avokat i specializuar në teknologjitë e reja, Gabriel Avigdor, thekson se kompanitë “kanë detyrimin të zbatojnë masa organizative dhe teknike për t’u siguruar që nënshkruajnë kontratën e duhur me personin e duhur”. Dhe ai shton: “Popullsia nuk është e përgatitur për këto situata. Nuk je kurrë gati të provosh veten.”

Rëndësia e paraqitjes së një ankese

Rasti i Lexie-t, influencuese dhe shofere kamioni, ilustron një tjetër fytyrë të vjedhjes së identitetit për qëllime kriminale. Imazhi i tij u përdor, me ndihmën e inteligjencës artificiale, për të krijuar qindra profile të rreme, të përdorura për të zhvatur para nga përdoruesit e rrjetit. Disa viktima iu drejtuan drejtpërdrejt asaj, duke e qortuar se kishte humbur mijëra franga.

François Nanchen, i njohur më mirë si eCop François, është një figurë referimi në parandalimin e krimit kibernetik në mediat sociale. Ndihmës inspektor i policisë së Vodes, ai mbështet në mënyrë aktive viktima si Lexie dhe tashmë ka arritur të fshijë llogari të shumta të rreme në TikTok. Mos harroni se qëllimi i uzurpatorëve është të “fitojnë para”, duke përdorur viktimat si mjete të thjeshta.

Për Philippe Allain, komandant i policisë kantonale të Fribourg-ut, lufta është komplekse. “Pas këtyre rasteve ka një sofistikim të lartë”, shpjegon ai. “Ka shumë pengesa midis policisë dhe autorëve. Dhe pastaj është një univers jashtëzakonisht dinamik.”

Ai pranon se vetëm 20% e rasteve të raportuara në fushën e IT-së zgjidhen, por këmbëngul në rëndësinë e paraqitjes së një ankese.

“Kjo u lejon forcave të policisë të kenë një pamje më të qartë të asaj që po ndodh dhe ta kuptojnë më mirë fenomenin”, thotë ai, duke shprehur gjithashtu keqardhje për mungesën e një kuadri ligjor më detyrues për platformat, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat e shitura në rrjetin e errët

Të dhënat personale të vjedhura blihen dhe shiten në rrjetin e errët, një pjesë e internetit që vepron si një treg i zi dixhital, ku, për shembull, gjenden kartat e kreditit ose pasaportat e vjedhura.

Pasaporta zvicerane është ndër të tjera dokumenti më i shtrenjtë: ajo shkëmbehet për shuma midis 5,000 dhe 13,000 frangave, sepse ju lejon të kaloni pothuajse të gjitha kufijtë dhe të hapni linja krediti, shpjegon Lennig Pedron, drejtor i Trust Valley, pranë Lozanës. Llogaritë e LinkedIn janë gjithashtu me vlerë të lartë, ndërsa llogaritë e Facebook janë më pak të kërkuara.

Në këtë ekonomi të fshehtë, identiteti është bërë një monedhë e vërtetë. “Ata nuk vjedhin më portofolin tuaj në xhep, por ekzistencën tuaj dixhitale”, vëren specialisti. Pedron paralajmëron gjithashtu për rreziqet që lidhen me klikimin në lidhje të panjohura dhe hyrjen në rrjetin e errët, një hapësirë ​​e parregulluar dhe potencialisht e rrezikshme.

Kosovë: KEDS-i dënohet me 90 mijë euro për parregullsitë me njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë, përkatësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.

Sipas njoftimit, gjatë muajit prill, ka vazhduar verifikimi i ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë teksa thuhet se komisioni ad hock, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore thuhet se janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.

Vjenë: Festivali nga Prishtina solli para publikut austriak filma të përzgjedhur nga edicionet e kaluara

Në Wolkersdorf, Vjenë, festivali “Art Without Limit International Film Festival” solli para publikut austriak filma të përzgjedhur nga edicionet e kaluara nga Prishtina.
Në këtë ngjarje, para shfaqjes së filmave, para audiencës mbajtën fjalë drejtoresha e festivalit Ganimete Sava ,drejtori artistik Burim Haliti si dhe menaxheri për marrëdhënieve ndërkombëtare Michael Stoeger.
“Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 300 spektatorë, austriakë nga shoqëria civile, organizata të aftësisë së kufizuar, përfaqësues lokalë dhe qytetarë. Ngjarja u nderua me praninë e figurave të njohura të kinemasë botërore, si Veit Heiduschka, producent i filmit Amour nga Michael Haneke, si dhe Peter Macdonald, i njohur për kontributin në projekte si Superman, Rambo III, Harry Potter dhe Cabaret. Të dy kanë qenë gjithashtu anëtarë jurie në edicionet e kaluara të festivalit. Ngjarja u organizua nga KulturWolke, Hans Peter Arzberger dhe Michael Stoeger, së bashku me stafin dhe vullnetarët e mrekullueshëm”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.at.
Ndër filmat e tjerë u shfaq edhe filmi “Sara” i prodhuar nga Art Without Limit teksa para të pranishmëve mbajti një fjalë rasti vet Sara protagoniste e filmit, ndërsa mbrëmja u përmbyll me një performancë në piano nga Unik Ukshini.
Aktiviteti u përkrah edhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku të pranishëm ishin znj. Lindita Rexha, znj. Marigona Vrajolli dhe z. Bekim Shllaku.

Mungesa e vendeve në shtëpi vë në rrezik dhjetëra të mitur në Zvicrën frëngjishtfolëse

Mungesa e vendeve në shtëpitë kujdestare i detyron disa kantone të marrin zgjidhje të papërshtatshme. Në Gjenevë, deri në 20 të mitur në muaj flenë në spital. Në Fribourg, 70 fëmijë në rrezik presin një vend. Dëshmia e Loren në podcastin “Nous autres” ilustron këto dështime të sistemit.

Në moshën 17 vjeç, Loren dhe katër vëllezërit e motrat e saj e gjetën veten në rrugë pasi u shanë nga nëna e tyre. “Mbrojtja e të miturve gjithmonë vinte në dyshim atë që thuhej, madje edhe se ata e merrnin pak si teka adoleshentësh”, thotë ajo në podcastin “Nous autres” nga Pierre Bavaud.

E vendosur në një shtëpi urgjence në Biel, ajo përshkruan kushte të vështira. “Ne jetojmë pak të egër, jemi pak të lënë vetëm me veten”, thotë ajo. Ajo gjithashtu përmend edukatorët që “shkojnë pak përtej kufijve në aspektin e privatësisë sonë”.

Sot, Loren është 24 vjeç dhe shtatë vjet pas fakteve, situata mbetet shqetësuese. Shtëpitë janë të mbushura kudo në Zvicrën frëngjishtfolëse. Në Gjenevë, 10 deri në 20 të mitur në muaj detyrohen të flenë në spital. Një zgjidhje që kushton dy deri në tre herë më shumë se një vend në një shtëpi dhe që nuk është përshtatur për nevojat e këtyre fëmijëve, raporton RTS.

Në Fribourg, ky opsion refuzohet. “Ne zbulojmë se fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje nuk kanë vend në spital. Mund të jetë gjithashtu abuzive, në një farë mënyre”, përshkruan Estelle Papaux, drejtuese e shërbimit të fëmijëve dhe të rinjve të kantonit.

Kantoni i Fribourg aktualisht ka 70 fëmijë që presin për një vend në një shtëpi. “Këta fëmijë janë në rrezik, qoftë në zhvillimin e tyre fizik apo psikologjik”, thotë Estelle Papaux.

Përballë mungesës së vendeve, autoritetet duhet të bëjnë zgjedhje. “Ne i japim përparësi rreziqeve. Aktualisht po marrim rreziqe për 70 fëmijë”, pranon ajo. Mesatarisht, në secilin kanton, 4 deri në 6% e popullsisë së fëmijëve monitorohet nga një autoritet mbrojtës. Vendosja në shtëpi mbetet zgjidhja e fundit dhe ka të bëjë vetëm me një pjesë të vogël të këtyre fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

Për të plotësuar mungesën e vendeve, disa kantone u drejtohen familjeve pritëse. Në Gjenevë, ato po profesionalizohen gradualisht. Vaud zhvilloi një fushatë rekrutimi, por nuk e arriti qëllimin e saj për 50 familje shtesë. Edhe në Fribourg, familjet pritëse po bëhen të rralla, shpesh për arsye financiare.

Shtutgart: Në autobusin nga Kosova doganierët gjejnë 250 kilogramë mish dhe një qenush

Në Aeroportin e Shtutgartit, zyrtarët doganorë kanë sekuestruar më shumë se 250 kilogramë produkte mishi të paimportueshme gjatë një inspektimi të një autobusi me udhëtime të gjata nga Kosova, transmeton albinfo.ch. Siç njoftuan zyrtarët doganorë të hënën, zyrtarët vunë re një erë të fortë që vinte nga disa çanta në hambarin e ngarkesave të dielën në mëngjes, gjë që forcoi dyshimin e tyre për ushqime të ndaluara.

Në total, oficerët konfiskuan 252.8 kilogramë produkte mishi.

Përveç salçiçeve, oficerët doganorë zbuluan 700 cigare të kontrabanduara dhe mallra të tjera që ishin importuar në Bashkimin Evropian pa deklaratë doganore, shkruan ludwigsburg24.com. Këto përfshinin katër dritare alumini me roleta me vlerë 720 €, një kuzhinë me vlerë 400 € dhe një kondicioner me vlerë 640 €.

Procedura për evazion fiskal janë nisur kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një personi që mblidhte mallrat në stacionin e autobusëve me dyshimin për kontrabandë importi. Më tutje, shoferët e autobusëve përballen me një gjobë nga Zyra e Qarkut të Esslingen për importimin e paligjshëm të produkteve të salçiçeve.

Gjatë inspektimit, oficerët sekuestruan gjithashtu një qenush të racës Maltipoo, afërsisht pesë muajsh, me vlerë rreth 2,200 euro.

Kafsha me sa duket nuk kishte vaksinën e kërkuar kundër tërbimit për import dhe ishte vendosur në karantinë në një strehë kafshësh. Edhe në këtë rast, u iniciuan procedura për evazion fiskal me dyshimin për importim komercial.

Vitin e kaluar, zyrtarët doganorë në Aeroportin e Shtutgartit sekuestruan dhe hoqën nga udhëtarët gjithsej afërsisht 4.2 ton produkte ushqimore të paimportueshme.

Burimi dhe fotoja: Zyra Kryesore Doganore e Shtutgartit (Hauptzollamt Stuttgart)

Nënshkruhet dekreti, ​Kosova do të bëhet me konsullatë të re në SHBA

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nxjerrë dekret për themelimin e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në shtetin e Texasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Houston.

Sipas raportimeve, ky mision do të funksionojë në nivel të Konsullatës së Përgjithshme dhe se synon forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në SHBA, si dhe ofrimin e shërbimeve konsullore për diasporën kosovare në Texas, raporton KP, transmeton albinfo.ch.

Vendimi thekson se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës obligohet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti, teksa i njëjti ka hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit, më 4 maj 2026, ndërsa kërkesa nga MJD ishte bërë më 28 prill.

Turnir futbolli humanitar në Zvicër për festën e Kurban Bajramit

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, komuniteti i bashkatdhetarëve në Zvicër organizon një turnir futbolli me karakter humanitar.

Organizatorët bëjnë të ditur se numri i ekipeve është i kufizuar dhe afati i fundit për regjistrim është 17 maji.

Pagesa për pjesëmarrje është 350 franga për ekip, ku përfshihen edhe 7 kupona për secilin lojtar, që mbulojnë ushqim dhe pije gjatë aktivitetit.

E diel, 31 maj

Adresa: Im Grossriet 1 8606, Greifensee

Për informacione shtesë dhe regjistrim, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin +41 76 377 94 05 ose përmes emailit: [email protected]

Ushtria zvicerane merr pjesë në stërvitjen e NATO-s në Greqi

Si pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Zvicra po merr pjesë në stërvitjen shumëkombëshe ‘Tiger Meet’.

Forcat Ajrore Zvicerane përfaqësohen në Araxos (Greqi) nga pesë avionë luftarakë F/A-18.

Nga 4 deri më 15 maj, Zvicra do t’u bashkohet 12 skuadriljeve nga nëntë vende, njoftoi qeveria në një njoftim për shtyp të hënën.

Qëllimi i stërvitjes, e cila do të zhvillohet në skenarë realistë, është të krahasojë dhe përmirësojë aftësitë ushtarake të forcave të ndryshme, shkruan swissinfo. Qëllimi është gjithashtu të përmirësojë “aftësitë mbrojtëse transnacionale dhe të zhvillojë ndërveprimin midis NATO-s dhe vendeve partnere”, transmeton albinfo.ch.

Priten më shumë se 50 avionë luftarakë dhe 1,500 pjesëmarrës.