Dhoma e Biznesit bën bashkë investitorët shqiptarë nga Diaspora

Dhoma e Biznesit të Diasporës ka organizuar me sukses Forumin Ekonomik në kuadër të Samitit të Diasporës 2026, duke sjellë në Tiranë biznese të rëndësishme shqiptare në botë dhe kompani të fuqishme ndërkombëtare që janë të interesuara për tregun shqiptar.

Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Ardian lekaj dha mesazhe të rëndësishme për mbështetjen e investimeve të diasporës dhe rëndësinë që ato mund të japin për ekonominë shqiptare.

Nga ana tjetër, ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj premtoi mbështetje për këto biznese, duke sjellë si shembull fondet e programit Start Up, prej të cilave përfitojnë dhe shqiptarët e diasporës, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në një sallë të mbushur plot me biznese të diasporës, sipërmarrës vendas, kompani të huaj dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare u fol për projekte dhe sektorë konkretë, ku mund të investohet dhe diaspora të japë një kontribut real.

Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 2.2 milionë qytetarë. Me organizimin e Dhomës Ekonomike të Diasporës, me në epiqendër fabulën “Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarët e suksesshëm nëpër botë u mblodhën në Tiranë, duke garantuar se lidhja me Shqipërinë do të vijojë edhe më e fortë.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e investimeve nga shqiptarë të diasporës, veçanërisht në pesë vitet e fundit, kanë shkuar në projekte në sektorë, si argotizmi, turizmi, bujqësia dhe shërbimet financiare.

Përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga diaspora shtrihen në disa drejtime, te kapitali, dija, eksperienca, investimet e huaja, turizmi dhe mbi të gjitha te paratë që sjellin për familjet në vendlindje. Për të kuptuar madhësinë e remitancave, mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë vitit të shkuar ato arritën në 1.1 miliardë euro. Sot roli i diasporës bëhet edhe më jetik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bizneset e diasporës mund të japin një kontribut të madh në transformimin e biznesit shqiptar për të qenë gati për tregjet evropiane.

Takimi Hoxha-Konjufca: Koordinim të ngushtë Shqipëri-Kosovë në çdo çështje të interesit kombëtar

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha është takuar me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Samitit të IV-t të Diasporës.

Ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare. Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm — një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë”, u shpreh Hoxha.

“Në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri – Kosovë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria. Theks të veçantë i dhamë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.

Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike.

Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt.

Ne nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet. Prandaj, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal”, theksoi Hoxha.

 

Zjarr në Tiranë, 7 të asfiksuar, të moshuarit ndihmohen të dalin nga flakët

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të marte në Tiranë, përballë spitalit “Nënë Tereza”.

Flakët përpinë të gjithë pallatin duke e djegur brenda pak minutash, ndërsa banorët nxituan të evakuoheshin. Në pamjet e siguruara nga gazetari i Top Channel Bledar Korreshi, shiheshin banorët, mes tyre të moshuar që dilnin nga ndërtesa, transmeton albinfo.ch.

Në vendin e ngjarjes ndodhen disa forca zjarrëfikëse, por mbeten ende të paqarta rrethanat sesi ra zjarri që dogji gjithë fasadën e jashtme të banesës. Deri në këto momente janë asfiksuar nga flakët 7 persona, mes tyre dy zjarrfikës.

Ndërkohë raportohet për dëme të konsiderueshme materiale. Në ndihmë të zjarrfikësve janë edhe 2 helikopterë Cougar. Në vendin e ngjarjes ndodhet i ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

youtube.com/watch?v=oxIfsnCjZ4g&source_ve_path=MjM4NTE&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F

Gjeneva vendos “frena” për Airbnb: Masa të reja për të mbrojtur banesat

Autoritetet në Gjenevë po planifikojnë të forcojnë kontrollin mbi qiratë afatshkurtra përmes platformave si Airbnb, në një përpjekje për të adresuar mungesën e banesave në qytet.

Masat e reja synojnë të kufizojnë përdorimin e apartamenteve për qëllime turistike, pasi rritja e këtij lloji të qirave konsiderohet si një faktor që po redukton ofertën për banorët lokalë, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva tashmë ka ndër rregulloret më të rrepta në Zvicër për qiratë afatshkurtra, përfshirë kufizime në numrin e ditëve që një pronë mund të jepet me qira pa leje të veçantë.

Ekspertët theksojnë se presioni mbi tregun e banesave është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke shtyrë autoritetet lokale të ndërmarrin hapa më të ashpër për të mbrojtur hapësirën e banimit për rezidentët. Në shumë qytete zvicerane dhe evropiane, Airbnb është bërë një çështje e debatit publik për shkak të ndikimit në çmimet e qirave dhe disponueshmërinë e banesave.

Me këto masa, Gjeneva synon të vendosë një ekuilibër mes turizmit dhe nevojës për strehim, duke garantuar që banesat të mos përdoren kryesisht për qëllime komerciale në dëm të banorëve lokalë.

Pse qeveria zvicerane nuk po ndërhyn për çmimet e larta të karburantit?

Çmimet e benzinës dhe naftës janë rritur ndjeshëm javët e fundit, kryesisht për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare dhe rritjes së çmimit të naftës në tregjet globale. Në disa raste, rritja ka qenë mbi 10% për benzinën dhe deri në 20–25% për naftën, duke reflektuar tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet në furnizim, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, ndryshe nga vendet si Gjermania apo Austria që kanë ndërhyrë me ulje taksash apo masa lehtësuese, autoritetet zvicerane nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë. Arsyeja kryesore lidhet me filozofinë ekonomike të vendit, e cila favorizon tregun e lirë dhe shmang ndërhyrjet direkte në çmime.

Ekspertët theksojnë se në Zvicër çmimet e karburantit ndikohen më shumë nga faktorët globalë sesa nga politika e brendshme, prandaj ndërhyrjet e qeverisë do të kishin efekt të kufizuar. Për më tepër, sistemi tatimor dhe struktura e tregut bëjnë që çmimet të jenë relativisht më stabile krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Një tjetër arsye është se inflacioni në Zvicër mbetet relativisht i ulët, edhe pse është rritur së fundmi për shkak të energjisë dhe karburanteve. Autoritetet nuk shohin nevojë për masa urgjente, pasi ndikimi në ekonominë e përgjithshme konsiderohet i moderuar

Ndërkohë, qytetarët përballen me kosto më të larta në pompë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çmimet mund të mbeten të larta edhe për një periudhë, për shkak të pasigurive në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Në këtë kontekst, qasja e Zvicrës mbetet e kujdesshme: më pak ndërhyrje direkte dhe më shumë besim në stabilitetin e tregut, ndonëse kjo nënkupton që konsumatorët duhet të përballen vetë me rritjen e çmimeve në afat të shkurtër.

Evropa rrezikon mungesë të karburantit për avionë në të ardhmen e afërt

Sipas raportimeve, rritja e kërkesës për fluturime, së bashku me kufizimet në prodhim dhe tranzicionin drejt karburanteve më të qëndrueshme, po krijojnë presion mbi furnizimin me karburant për avionë (jet fuel).

Një faktor kyç është kalimi gradual drejt karburanteve të qëndrueshme të aviacionit (SAF), të cilat synojnë reduktimin e emetimeve të karbonit. Megjithatë, prodhimi i këtyre karburanteve mbetet ende i kufizuar dhe nuk arrin të përmbushë kërkesën në rritje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në rritje të çmimeve të biletave dhe në kufizime të mundshme të fluturimeve, sidomos gjatë sezonit të ngarkuar të verës.

Në të njëjtën kohë, infrastruktura aktuale e furnizimit dhe rafinimit në Evropë po përballet me sfida, përfshirë mbylljen e disa rafinerive dhe ndryshimet në zinxhirët globalë të furnizimit.

Industria e aviacionit po kërkon masa urgjente për të siguruar stabilitet në furnizim, ndërsa autoritetet evropiane po përpiqen të balancojnë objektivat klimatike me nevojat ekonomike dhe të transportit.

Nëse nuk gjenden zgjidhje afatshkurtra, ekspertët paralajmërojnë se Evropa mund të përballet me një periudhë të pasigurt për udhëtimet ajrore dhe industrinë e fluturimeve.

Vritet një shqiptar në Suedi

Një 20-vjeçar shqiptar është vrarë pas disa të shtënave me armë zjarri në Helsingborg të Suedisë.

Sipas mediave suedeze, alarmi u mor pak para mesnatës dhe zona u rrethua nga forcat policore.

Policia kreu një hetim gjatë natës, por ende nuk ka të dyshuar për atentatin ndaj të riut shqiptar.

Ndërkohë bëhet me dije se është plagosur edhe një e re që e shoqëronte të riun shqiptar. Sipas autoriteteve vajza është rreth të 25-ave.

Sakaq, dyshohet se i riu shqiptar ishte pjesë e një rrjeti trafikimi droge në Helsinborg dhe në rajonin Skane, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Gazetari në Suedi, Ervin Dushi bën me dije se viktima është shtetasi M.Ll, 20 vjeç, emigrant nga Fieri, i cili ndodhej prej vitesh në Suedi së bashku me familjen e tij.

Deputeti shqiptar i Parlamentit suedez: Kontributi i diasporës nga fjala në vepra

Gjatë Samitit të Diasporës, në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?”, Arbër Gashi, deputet në Parlamentin Suedez, deklaroi se angazhimi i diasporës shqiptare duhet të kalojë nga fjalët në vepra konkrete.

Ai theksoi se, për herë të parë, shqiptarët në Suedi kanë mundësinë të kontribuojnë aktivisht në politikën e vendit, duke sjellë rezultate konkrete për forcimin e lidhjeve midis Suedisë, Shqipërisë dhe Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Gashi përmendi takimet e tij të para si deputet me ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Suedi, të cilat, sipas tij, kanë çuar në veprime të koordinuara dhe jo vetëm deklarata.

Ai gjithashtu foli për organizimin e festës së 28 Nëntorit në Parlamentin Suedez dhe ceremoninë e Ditës së Çlirimit të Kosovës në Stokholm, si shenja të angazhimit të diasporës për të ruajtur lidhjet me atdheun.

Prioritet sipas Gashit, është ngritja e mocioneve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes Suedisë dhe Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai apeloi që diaspora shqiptare të angazhohet më shumë në politikën e vendit ku jeton, duke kontribuar aktivisht në partitë politike dhe administratën lokale.

Në lidhje me përfshirjen e diasporës në politikën e vendeve ku jetojnë, Gashi theksoi se është e rëndësishme që të inkurajohen më shumë shqiptarët që të angazhohen në politikën e vendeve ku jetojnë dhe të jenë ambasadorë të vërtetë të kulturës dhe interesave të shqiptarëve.

“Në Suedi, për fat të mirë, nuk jam vetëm. Ne kemi dy deputetë shqiptarë në parlamentin suedez, dhe gjithashtu shqiptarët janë të përfaqësuar në nivele të larta në politikën lokale dhe komunale”, tha deputeti shqiptar Arbër Gashi në parlamentin suedez.

Ali Ahmeti: Gjuha shqipe është e garantuar me ligj

Në Samitin e Diasporës, Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka adresuar atë që ai e cilëson si një “rrezik real” për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, pas protestës së studentëve të drejtësisë atje për të bërë në gjuhën shqipe provimin e magjistraturës.

Duke u rikthyer në zanafillën e Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti kujton se statusi zyrtar i shqipes nuk është thjesht një akt ligjor i brendshëm, por një garanci ndërkombëtare e vulosur nga SHBA, BE dhe NATO, transmeton albinfo.ch.

Ai u bëri thirrje faktorëve politikë dhe garantëve ndërkombëtarë që të ndalojnë çdo tentativë për “gërryerjen” e kësaj arritjeje historike, duke theksuar se stabiliteti dhe e ardhmja e shtetit fqinj janë të lidhura pazgjidhshmërisht me bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta të shqiptarëve.

Ali Ahmeti: Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që mendoj që duhet t’i dalim zot. Gjuha shqipe në Maqedoni të nënshkruar dhe të garantuar nga SHBA, me përfaqësues të dërguarin e George Bush, presidentin e asaj kohe është nënshkrues dhe garantues, po ashtu edhe BE, po ashtu edhe NATO e përfaqësuar nga Robertson, ndaj dhe ne kemi hedhur firmën në marrëveshjen ushtarake, me presidentin Traikovski si UÇK, kemi pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe kemi punuar bashkërisht me BE, SHBA dhe NATO-n. Suksesi i kësaj marrëveshje, që nga simbolet kombëtare, arsimi në gjuhën shqipe dhe e folura shqip në administratë dhe përfundimi i ligjit të gjuhës shqipe që është konform me marrëveshjen e Ohrit, gjuhën të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së atëhershme, është gjithashtu zyrtare. Çdo koment tjetër, për përmirësimin e ligjin apo për ndryshimin e tij është vetëm për ta gërryer marrëveshjen e Ohrit dhe karakterin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare. Përgjegjësinë e kemi të përbashkët, Uashington, Bruksel, NATO, forcat politike shqiptare dhe ato maqedonase. Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë, bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara.

Thirrjet telefonike të padëshiruara nga kompanitë e sigurimeve vazhdojnë në Zvicër, pavarësisht ndalimit

Pavarësisht se që nga 1 shtatori 2024 në Zvicër është në fuqi ndalimi i thirrjeve telefonike të pakërkuara nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore, kjo praktikë vazhdon të raportohet nga qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Autoriteti zviceran i mbikëqyrjes së tregut financiar FINMA, i cili është përgjegjës për rregullimin e veprimtarisë së siguruesve shëndetësorë, ka bërë të ditur se shkeljet nuk janë ndalur plotësisht.

“Vazhdojmë të marrim rregullisht raportime për shkelje të kësaj rregulloreje,” deklaroi zëdhënësja e FINMA-s, Ursula Keel.

Sipas autoriteteve, një nga arsyet e mosrespektimit të ndalimit mund të jetë fakti se deri më tani nuk janë vendosur gjoba ndaj shkelësve, gjë që mund të ketë ndikuar në vazhdimin e kësaj praktike./Albinfo.ch

Aplikacion i ri mund të thjeshtojë pagesat në transportin publik në Zvicër

Një aplikacion i ri mund të thjeshtojë ndjeshëm pagesat në transportin publik në Zvicër, duke eliminuar nevojën për bileta tradicionale apo skanime manuale, përcjell albinfo.ch.

I quajtur “Bibo”, sistemi automatik i tarifimit përdor teknologjinë Bluetooth për të zbuluar automatikisht kur një pasagjer është në autobus, tren apo tramvaj, dhe më pas llogarit çmimin e udhëtimit në fund të tij.

Sipas grupit të industrisë SwissPass Alliance, projekti pilot për këtë aplikacion të ri do të nisë në fund të muajit prill dhe do të përfshijë rreth 3,000 pjesëmarrës.

Qëllimi i testimit është të vlerësohet saktësia e regjistrimit të udhëtimeve dhe llogaritjes së tarifave, si dhe të mblidhen mendimet e përdoruesve lidhur me funksionimin e sistemit të ri.

Konjufca i kërkon Shqipërisë ta bashkëorganizojnë me Kosovën Samitin e Diasporës

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në Samitin e IV-të të Diasporës që po mbahet në Tiranë, ka deklaruar se bashkimi kombëtar është një proces shumëdimensional, i cili duhet të nisë nga bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të diasporës, shkruan albinfo.ch.

Konjufca vlerësoi organizimin e samitit dhe kontributin e deritanishëm, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në nismat dhe projektet që lidhen me diasporën shqiptare.

Ai u shpreh se diaspora është një faktor kyç për forcimin e identitetit kombëtar dhe për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare.

“Bashkimi është i shumë dimensioneve, por ta fillojmë nga ky samit së pari. Është bërë një punë e mirë, por herë tjetër kur ta bashkëorganizojmë këtë samit. Ky samit na bashkon të gjithëve. Duhet të identifikojmë se cilat janë projektet që forcojnë identitetin tonë”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij, prioritet duhet t’u jepet shteteve ku diaspora shqiptare është më e përqendruar, duke përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqinë, Italinë, Gjermaninë dhe Zvicrën si vendet kryesore ku duhet të fokusohen investimet dhe projektet e përbashkëta.

“Në SHBA kemi një mërgatë, në Greqi dhe Itali, dhe Gjermani e Zvicër janë vendimtare për mërgatën tonë dhe këtu duhet të jenë të fokusuara edhe investimet e qeverisë për të bërë projekte të përbashkëta, projekte ku të rinjtë lidhen me gjuhën dhe identitetin shqiptar”, theksoi ai.

Konjufca shtoi se një nga arritjet më të rëndësishme do të ishte bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë për dërgimin e një numri më të madh mësimdhënësish në këto shtete, me mbështetje financiare nga të dyja republikat, në mënyrë që të ruhet dhe forcohet mësimi i gjuhës shqipe në zonat ku mërgata është më e përqendruar.

“Arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku Kosova dhe Shqipëria të mund të arrinin në këto shtete të dërgonin një numër të madh të mësimdhënësve që mbulohen financiarisht nga republikat tona dhe mirëmbajnë shkollën shqipe ku është e përqendruar më së shumti mërgata jonë”, përfundoi Konjufca./Albinfo.ch

Komisioni miraton pjesëmarrjen e FSK-së në mision ndërkombëtar në Gaza

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, me misione humanitare dhe të sigurisë, përcjell albinfo.ch.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka vlerësuar këtë vendim si dëshmi të pjekurisë institucionale të Kosovës dhe të profesionalizmit të FSK-së. Sipas saj, pjesëmarrja në misione ndërkombëtare tregon besimin që është ndërtuar në kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe gatishmërinë e FSK-së për të marrë përgjegjësi jashtë kufijve shtetërorë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, theksoi se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në misione paqeruajtëse së bashku me aleatët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë mbështetjen ligjore, financiare dhe logjistike për forcat e saj të sigurisë.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm pozitiv për Kosovën dhe për FSK-në, duke kërkuar që pjesëtarëve të saj në mision t’u sigurohet mbështetje e plotë në aspektin e pajisjeve dhe logjistikës.

Pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt angazhimit më të madh të Kosovës në operacione ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë./Albinfo.ch

Të huajt rezidentë po shndërrojnë zonat e Cyrihut në lagje luksoze

Disa nga zonat përreth Liqeni i Cyrihut po përjetojnë një transformim të shpejtë, duke u kthyer në lagje gjithnjë e më luksoze të dominuara nga blerës të huaj rezidentë, përcjell albinfo.ch.

E ashtuquajtura “Gold Coast”, e vendosur në bregun lindor të Cyrih, ka qenë prej vitesh një destinacion i preferuar për të pasurit e huaj. Megjithatë, tani ajo po përballet me konkurrencë të fortë nga “Platinum Coast”, e cila shtrihet në anën perëndimore të liqenit.

Ndërsa më parë konsiderohej më pak e zhvilluar, “Platinum Coast” ka arritur ta tejkalojë “Gold Coast” në tregun e pasurive të paluajtshme. Në komunat si Kilchberg dhe Horgen, çmimet për metër katror kanë arritur deri në 35,000 franga, ndërsa në “Gold Coast” ato qëndrojnë rreth 30,000 franga.

Sipas të dhënave, kjo zonë e re luksoze po tërheq gjithnjë e më shumë ekspatë, të cilët në disa pjesë tashmë janë më të shumtë në numër se banorët vendas zviceranë./Albinfo.ch

22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Në Tiranë ka nisur Samiti i IV-të i Diasporës, i cili po zhvillohet nga data 13 deri më 15 prill, nën logon “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, shkruan albinfo.at.

Samiti ka bërë bashkë institucione shtetërore, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë këtyre ditëve janë paraparë të zhvillohen gjithsej 18 panele diskutimi, të cilat do të trajtojnë tema të rëndësishme si bashkëpunimi ekonomik, investimet e diasporës, turizmi, arsimi, inovacioni, digjitalizimi, si dhe ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor.

Në ceremoninë e hapjes që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi disa personalitete të diasporës shqiptare për kontributin e tyre.

Pjesë e këtij samiti janë edhe 22 afaristë të suksesshëm shqiptarë nga Austria, të udhëhequr nga kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj.

Në delegacionin nga Austria bëjnë pjesë edhe emra të njohur të komunitetit të biznesit si Hamdi Krasniqi, Arben Myftari, Avdi Rugova, Ardit Zendeli, Shiqeri Emrllahu, si dhe shumë afaristë të tjerë që po përfaqësojnë potencialin ekonomik të diasporës shqiptare në Austri.

Pjesëmarrja e tyre në Samitin e Diasporës shihet si një mundësi e rëndësishme për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri dhe rajon./Albinfo.at

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Turqi, plagosen 16 persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Turqi, ku të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar brenda një shkolle fillore në qytetin e Şanlıurfa, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave turke, një person i ri është futur në ambientet e shkollës dhe ka hapur zjarr me armë zjarri, duke shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës. I dyshuari raportohet të jetë rreth 17–18 vjeç, ndërsa nga të shtënat janë plagosur rreth 16 persona.

Të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve për trajtim mjekësor. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet speciale të policisë turke si dhe ekipet e ambulancës, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë për të lënduarit.

Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë momente paniku, ku nxënësit shihen duke vrapuar jashtë objektit të shkollës për t’u larguar nga rreziku.

Sipas raportimeve fillestare, i dyshuari pas kryerjes së sulmit dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ferit Hoxha: Marrëdhënia me diasporën tani është një “rrugë me dy kahje”

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi nga Samiti i Diasporës, që po mbahet në Tiranë, se diaspora ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ai theksoi se marrëdhënia me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim, por tani është një “rrugë me dy kahje”.

Ai theksoi se përgjegjësia është e jona nëse gjuha shqipe dobësohet, ndërkohë që më përpara ajo ka arritur t’i rezistojë shekujve, transmeton albinfo.ch.

Këtu ai përmendi edhe protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, teksa tha se ata kërkuan një të drejtë legjitime për gjuhën amtare.

“Nëse gjuha jonë i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e të lidhur, atëherë përgjegjësia është vetëm jona. Kjo është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve të RMV për të ushtruar të drejtën e tyre në gjuhën amtare.

Këtë duhet të keni parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët e organizatorët. Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje dhe shumë mbështetje konkrete. Forca jonë ka qenë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën, të ndërtojmë ura me të tjerët por pa shembur themelet tona dhe gjuhën shqipe, ta çojmë në vendin që meriton në familjen e madhe evropiane. Suksesi juaj nuk është vetëm personal por kombëtar. Edhe nga larg, ju keni qene gjithmonë afër”, tha ai.

Fjala e plotë e Ministrit në Samitin e Diasporës:

Sot nuk mblidhemi thjesht për një takim të radhës.

Si çdo herë kur bëhemi bashkë, përfaqësues të një kombi të shtrirë në rajon dhe një shoqërie që jeton në shumë vende, sot në këtë sallë të madhe e të mbushur plot rreh një zemër e madhe.

Një zemër që e bën këtë qytet – sot e përditë – më shumë se kryeqytetin e Shqipërisë: e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne.

Samiti i IV-të i Diasporës vjen në një moment kyç, siç e theksoi dhe Presidenti dje.

Ndërsa bota përreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes. Këtë mund të them me bindje dhe për Kosovën.

Dhe shqiptaria, kudo që ndodhet, është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë.

Ky realitet na kujton një të vërtetë thelbësore: diaspora nuk është thjesht “jashtë”.

Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë.

Jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.

Për shumë vite, marrëdhënia jonë me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim. Sot e dimë: është një rrugë me dy kahje.

Historia jonë e përbashkët na ka mësuar se largësia nuk e dobëson lidhjen. Përkundrazi, e forcon atë.

Por kjo lidhje kërkon kujdes, kërkon vëmendje dhe, mbi të gjitha, kërkon dëgjim.

Kemi shumë për të thënë për kulturën, identitetin, inovacionin, turizmin, zhvillimin lokal, talentet dhe të rinjtë, për shërbimet në linjë, përfshirë shërbimin tonë konsullor. Nuk do të ndalem këtu sepse për të gjitha këto e shumë të tjera do të diskutojmë ne detaje gjatë këtyre ditëve.

Por në këto minuta hyrëse, më lejoni të them dy fjalë mbi një aspekt të veçantë e themelor: gjuha shqipe.

Sepse ajo është ADN-ja jonë.

Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi — është kujtesë, identitet, është vazhdimësi.

Pa gjuhën, do të na mbetej vetëm trupi; dhe një trup pa shpirt varfërohet e tkurret.

Prandaj, përpjekjet për gjuhën – në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë – janë përpjekje për të qenë vetvetja.

Gabimi më i madh do të ishte të ngatërronim të përkohshmen me të përhershmen.

Të sakrifikonim thelbin me lehtësinë e momentit.

Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot – kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë – atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.

Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.

Këtë duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën tonë çdo fundjavë, në çdo klasë, në çdo aktivitet.

Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë më shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jemi të angazhuar me gjithë ekipin në Ministrinë e Jashtme.

Forca jonë ka qenë gjithmonë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën.

Të hapemi ndaj botës, pa humbur veten.

Të ndërtojmë ura me të tjerët, pa shembur themelet tona.

Dhe ne kemi marrë angazhimin që gjuhën shqipe, pjesë e familjes së madhe indo-evropiane, ta çojnë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Por çdo ditë e më shumë, ajo është edhe histori suksesi.

Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë por me shumë kurajë, tek profesionistët e sotëm që udhëheqin në shkencë, teknologji, biznes e kulturë — ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale.

Suksesi juaj nuk është vetëm personal — është edhe kombëtar. Sepse çdo arritje e juaja është një dritare më shumë për Shqipërinë në botë.

Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje.

Dhe kjo medalje ka një emër: shqiptaria në zhvillim dhe forcim.

Edhe nga larg, ju keni qenë gjithmonë afër.

Në kohë të vështira, keni qenë mbështetje.

Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë.

Ky samit nuk është një ceremoni.

Është një hapësirë pune. Një laborator idesh.

Një pikë takimi në mënyrë që vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.

Përgjatë këtyre ditëve, do të diskutojmë për sfida dhe mundësi konkrete: për mundësi e oportunitete, projekte e aktivitete, për shkëmbim dijesh dhe për ruajtjen e identitetit.

Do të dëgjojmë edhe kritikat, por edhe propozime e rekomandime.

Nuk do të kemi monolog – sepse duam dialog.

Nuk do të flasim për ju – sepse duam te flasim me ju.

Nuk do të jeni dëgjues apo spektatorë — sepse ju duam aktorë;

Jo me ndjenjën e fajit por me peshën e përgjegjësisë dhe energjinë e mundësisë;

Pikërisht për këtë kemi ndërtuar plot 19 panele bashkëbisedimi, si asnjëherë më parë, me tematika shumë të larmishme, si dhe plot aktivitete anësore specifike që prekin drejtpërdrejt jetën tuaj dhe ndikojnë në të ardhmen tonë të përbashkët.

Sepse kemi shumë për të thënë e për të ndarë, por dhe më shumë për të bërë.

Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe ambicioz njëkohësisht: të mësojmë nga njëri-tjetri, të ndërtojmë ura më të forta dhe të krijojmë mekanizma konkretë që e bëjnë këtë lidhje të qëndrueshme, funksionale, efektive.

Sepse Atdheu është kudo ku ka shqiptarë.

Sepse, siç e kemi thënë, përmes rrënjëve lartësohemi dhe përmes dijes forcohemi.

Faleminderit të gjithëve që jeni këtu — si pjesëmarrës, moderatorë, panelistë, kontribuues dhe bashkudhëtare në këtë rrugëtim.

Një gjë është e qartë: e ardhmja e sigurtë dhe e begatë ndërtohet më mirë dhe më shpejt së bashku.

Më këto fjalë, më lejoni tani të ftoj Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama — njeriun që e ideoi dhe i dha jetë samitit dhe partneritetit me diasporën.

Afrim Gashi ngrit shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i është bashkuar Samitit të IV të Diasporës.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se është shumë rëndësishme që shteti të krijojë kushte të mira që qytetarët të jetojnë dinjitetshëm.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve, duke nënvizuar se duhen marrë masa për të parandaluar ikjen e të rinjve, transmeton albinfo.ch.

“Arsyet që kanë sjellë deri te mërgimi kanë qenë të ndryshme dhe pa i kuptuar mirë arsyet nuk mund të arrijmë të konkluzioni se si mund ta bëjmë rilidhjen dhe rikthimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Atdheut. Shpërngulja në Shqipëri nis në vitet ’90 për arsye ekonomike, në Kosovë për arsye politike dhe në Maqedoninë e Veriut për arsye ekonomike dhe politike. Kjo gjakderdhje demografike që po na ndodh gjatë viteve të fundit, duhet të marrë një zgjidhje. Pra duhet të ndërtojmë politika që ndalojnë largimin e të rinjve”, tha ai.

Gjithashtu Gashi bëri edhe një apel për politikën, që të bashkëpunojnë për të krijuar më shumë mundësi ekonomike, dhe të punojnë për një të ardhme të sigurt për qytetarët.

“Shqipëria ofron mundësi për të investuar”

Samiti i Diasporës filloi punimet treditore në Tiranë, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare, institucioneve shtetërore dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës.

Në kuadër të tij, Forumi Ekonomik, i bashkëorganizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, synon krijimin e urave konkrete të bashkëpunimit dhe nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri.

Anëtari i kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës, Erjon Begaj, në një prononcim për mediat, theksoi rolin thelbësor që luan Dhoma në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Shqipëria sot në disa sektorë ofron oportunitete në energji, turizëm, ndërtim dhe teknologji. Ka zhvilluar kapacitete dhe tërheq investitorë të huaj. Edhe nga ana e kapitalit human ka zhvillim të lartë, ashtu edhe për shkak të kostos dhe sistemit fiskal që avantazhon. Ajo që kërkohet nga qeveria është stabiliteti. Kjo është gjëja kryesore që kërkon investitori, një stabilitet më i qëndrueshëm i Shqipërisë. Hyrja e Shqipërisë në BE, në strukturat e Bashkimit Evropian, do të rriste stabilitetin dhe seriozitetin dhe do të nxiste më shumë investitorë të huaj apo të diasporës të vijnë të investojnë në Shqipëri”, shprehet Begaj.

Ky objektiv, sipas tij, duhet të realizohet përtej bindjeve politike që kemi, sepse këtu flitet për Shqipërinë, për interesin e Shqipërisë dhe për brezat e ardhshëm, jo për bindje politike apo parti.

Dhoma e Biznesit të Diasporës është bashkëorganizatore e Forumit Ekonomik, një nga shtyllat kryesore të samitit, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Investoni në Shqipëri”

Gjatë Samitit të IV të Diasporës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, u ndal te roli i investimeve në zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rëndësinë e veçantë që kanë investimet që vijnë nga diaspora shqiptare.

Ajo u shpreh se investimet kanë qenë në rritje dhe kanë nxitur më tej zhvillimin ekonomik, ndërsa theksoi se ky trend ka edhe më shumë vlerë kur vjen nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe zgjedhin të investojnë në Shqipëri, duke sjellë njëkohësisht edhe eksperiencën e tyre të fituar në vende të tjera.

Ibrahimaj vuri në dukje se ekonomia shqiptare është në rritje, me rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë, ndërsa sektorë kyç si turizmi dhe energjia po zhvillohen me ritme të qëndrueshme. Sipas saj, Shqipëria po përmirësohet edhe në ofrimin e shërbimeve publike dhe renditet ndër vendet më të avancuara në këtë drejtim në Evropë.

“Investimet janë ato që kanë ardhur në rritje dhe kanë nxitur akoma më shumë investime dhe do nxisin më shumë zhvillim ekonomik. Investimet kanë gjithmonë më shumë vlerë nëse janë nga diaspora, nëse janë nga shqiptarë që duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, të vijnë dhe të japin eksperiencën e tyre që kanë marrë jashtë. Vetëm duke pasur një plan pune të dedikuar bashkërisht, në Samitin e V do të kemi më shumë rezultate konkrete. Sot mund të jetë një ditë e shënuar drejt zhvillimit të një marrëdhënieje më të fortë. Shqipëria është në rritje, ekonomia është në rritje, punësimi në rritje, papunësia është në rënie.

Ato sektorët të cilët ne kemi etiketuar si sektorë kyç janë duke u zhvilluar. Tani është momenti që Shqipëria të ketë zhvillim më të gjerë në turizëm. Një sektor tjetër shumë i rëndësishëm është energjia. Energjia është një sektor i cili gjithmonë e më shumë ka tërhequr vëmendjen. Jemi ndër vendet më të avancuar në Evropë për shërbimet publike. Të 8-ët në Evropë për shërbimet publike. Shqipëria evropiane mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet rritjes së investimeve dhe eksporteve dhe padyshim rritjes së produktivitetit”, u shpreh ajo.

Peleshi: Diaspora, burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, foli në Samitin e Diasporës për rolin që kanë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Ai u ndal te fakti se diaspora sot është e pranishme dhe aktive në shoqëritë ku jeton, duke u bërë pjesë e jetës ekonomike, kulturore dhe politike në shumë vende.

Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit nuk janë vetëm mbështetje financiare për familjet e tyre, por edhe një burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.

Ai përmendi edhe ndikimin e remitancave dhe kontributin në fusha si arsimi, kultura dhe jeta publike, transmeton albinfo.ch.

Peleshi foli edhe për praninë e shqiptarëve në nivele të larta në vende si Evropa, Kanadaja dhe SHBA, duke i cilësuar si pjesë e elitave në fusha të ndryshme.

Në fund, ai u ndal te nevoja që institucionet dhe shoqëria të bashkëpunojnë më shumë për të përfituar nga ky potencial dhe për ta lidhur më fort diasporën me zhvillimin e vendit.

youtube.com/watch?v=6EgCgeY7cqc&source_ve_path=MjM4NTE&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.oranews.tv%2F

Rama në Samitin e Diasporës: Shqipëria nuk kërkon më ndihmë, por partneritet nga diaspora

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar sot shqiptarëve nga mbarë bota gjatë punimeve të Samiti i Katërt i Diasporës, i mbajtur në Tiranë, duke theksuar se Shqipëria nuk është më një vend që kërkon mbështetje financiare nga diaspora, por një vend që e fton atë të marrë pjesë aktive në zhvillimin dhe transformimin e saj, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria sot është një “kantier i madh transformimesh”, që synon realizimin e ëndrrës për anëtarësim në Bashkimi Europian deri në vitin 2030. Ai pranoi se, ashtu si çdo kantier, edhe ky proces shoqërohet me vështirësi dhe sfida.

“Ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, por një deklaratë e përbashkët qëllimesh. Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare, por e fton atë të marrë pjesë në investime, në inovacion, në jetën akademike dhe në ndërtimin e së ardhmes së vendit”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se transformimi i Shqipërisë është i dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme, duke kujtuar se dikur vendi ishte kritikuar nga Bashkimi Europian si një shtet ku mbizotëronte pandëshkueshmëria.

Sipas tij, sot situata ka ndryshuar ndjeshëm, duke shtuar se pandëshkueshmëria është tashmë një fenomen i së kaluarës dhe se askush nuk është mbi ligjin. Rama theksoi gjithashtu se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është bërë më i pavarur se kurrë më parë, duke garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët.

Në përfundim, ai theksoi se rruga drejt integrimit europian kërkon punë të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë me diasporën, duke e cilësuar atë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe akademik të vendit. /Albinfo.ch