Aksident i rëndë në A3 pranë Urdorfit, disa të plagosur dhe autostrada e bllokuar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën në mëngjes në Autostrada A3, në segmentin mes Urdorf Nord dhe Urdorf Süd, ku një veturë është përplasur me një kamion, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve fillestare, në aksident janë përfshirë disa automjete, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur. Në vendngjarje është angazhuar edhe një helikopter i shpëtimit për transportimin e të lënduarve në spital.

Autoritetet kanë konfirmuar se në aksident është përfshirë të paktën një kamion dhe një veturë, ndërsa ende nuk dihet saktësisht numri i plotë i automjeteve të përfshira.

Për shkak të incidentit, Autostrada A3 në drejtim të Basel është mbyllur për qarkullim, duke shkaktuar kolona të gjata dhe vonesa të konsiderueshme. Autoritetet kanë kërkuar nga shoferët që të shmangin zonën dhe të përdorin rrugë alternative, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar./Albinfo.ch

 

https://x.com/KapoZuerich/status/2043967835534229729/photo/1

 

 

Trumpi thotë se ushtria amerikane ka bllokuar portet iraniane për t’i bërë presion Teheranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se ushtria amerikane ka nisur një bllokadë të porteve iraniane, si pjesë e përpjekjeve për ta detyruar Teheranin të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për më shumë se gjashtë javëc, përcjell albinfo.ch.

Në reagim, Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me masa ndaj të gjitha porteve në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, duke kërcënuar edhe vendet aleate të SHBA-së në rajon.

Sipas gjurmuesit të anijeve MarineTraffic, të paktën dy cisterna që po i afroheshin ngushticës janë kthyer mbrapsht menjëherë pasi bllokada amerikane ka hyrë në fuqi. Ndërkohë, Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare ka raportuar se bllokada po kufizon “tërë vijën bregdetare të Iranit, përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike”.

Në njoftimin e saj për detarët, agjencia theksoi se kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit drejt ose nga vende jo-iraniane nuk raportohej të ishte penguar, por paralajmëroi se anijet mund të hasin “prani ushtarake” në zonë.

Bllokada amerikane dhe kërcënimet iraniane kanë krijuar një përballje të rrezikshme, e cila mund të ketë pasoja serioze për ekonominë globale, duke pasur parasysh se Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më strategjike për furnizimin botëror me naftë.

Situata po rrit shqetësimet se armëpushimi mund të prishet dhe luftimet të rifillojnë, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, nuk arritën marrëveshje gjatë fundjavës së kaluar.

Trump: “Bllokada ka nisur”

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi se bllokada ka filluar dhe deklaroi se SHBA-ja nuk mund të lejojë që Irani të përdorë Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni ndaj botës.

“Nuk mund të lejojmë që një vend të shantazhojë ose të zhvatë botën, sepse kjo është ajo që po bëjnë”, tha Trump.

Ai la të kuptohet se Uashingtoni mbetet i gatshëm për negociata, duke deklaruar se pala iraniane ka kontaktuar.

“Mund t’ju them se pala tjetër na ka kontaktuar. Ata duhet të bëjnë një marrëveshje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një burimi tjetër me njohuri mbi zhvillimet, po zhvillohen diskutime për një raund të dytë negociatash ballë për ballë mes SHBA-së dhe Iranit. Një diplomat nga një prej vendeve ndërmjetësuese ka konfirmuar se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për vazhdimin e bisedimeve./Albinfo.ch

Kurti me lëvdata për filmin “Dua” me premierë botërore në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se filmi i metrazhit të gjatë “Dua” është përzgjedhur në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique” në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë, ku do të ketë edhe premierën e tij botërore, transmeton albinfo.ch.

Filmi “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është përfshirë në një nga seksionet më konkurruese të festivalit, duke shënuar një tjetër moment historik për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kurti ka vlerësuar se Basholli, pas suksesit të madh me filmin “Zgjoi”, po vazhdon të përfaqësojë denjësisht Kosovën në botën e filmit, duke sjellë projekte të fuqishme artistike që po marrin vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kjo përzgjedhje konsiderohet edhe më e rëndësishme pasi është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në “Semaine de la Critique”, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Në reagimin e tij, Kurti ka theksuar edhe mbështetjen institucionale dhe ndërkombëtare që ka marrë filmi, duke përmendur se ai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, si dhe Cineforom.

Filmi “Dua” pritet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të këtij edicioni në Cannes, duke sjellë edhe një herë në fokus potencialin dhe zhvillimin e kinemasë kosovare./Albinfo.ch

Kaos në aeroportet evropiane nga sistemi i ri kufitar, radhë të gjata dhe vonesa për mijëra udhëtarë

Mijëra udhëtarë jashtë Bashkimit Evropian po përballen me radhë të gjata, vonesa të mëdha dhe në disa raste edhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane, si pasojë e zbatimit të sistemit të ri kufitar Entry/Exit System (EES) të Bashkimit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Sistemi i ri parasheh që udhëtarët nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, të regjistrohen përmes të dhënave biometrike gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i BE-së. Kjo përfshin gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës, procedurë që po zgjat kohën e kontrollit në pikat kufitare.

Gjatë fundjavës janë raportuar radhë të gjata dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore evropiane, përfshirë Gjenevën, Lisbonën dhe Maltën, ndërsa probleme janë shënuar edhe në Bruksel dhe në disa aeroporte të Holandës.

Sipas raportimeve, situata ka vazhduar edhe në ditët në vijim, me udhëtarë në aeroportin e Brukselitdhe në Schiphol të Amsterdamit që kanë raportuar pritje deri në dy orë vetëm në kontrollin e pasaportave.

Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar sigurinë dhe për të kontrolluar më saktë hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet e treta, por në ditët e para të implementimit, ai po krijon ngarkesë të konsiderueshme dhe shqetësime për udhëtarët në të gjithë Evropën./Albinfo.ch

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te memoriali Heroinat

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ata u shoqëruan nga dy prej të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Ramadan Nishori, si dhe nga aktivistja për të drejtat e të mbijetuarve Feride Rushiti, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe respekti për sakrificën dhe dinjitetin e viktimave.

14 prilli është shpallur zyrtarisht si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një vendim që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të nxisë ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë plagë të rëndë të luftës.

Gjatë homazheve, Haxhiu theksoi rëndësinë e drejtësisë për të mbijetuarit, duke bërë të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Kemi tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Ajo shtoi se vajzat dhe gratë, djemtë dhe burrat që kanë mbijetuar këtë dhunë, janë dëshmi se institucionet e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë, sidomos në adresimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale.

“Kemi shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Kosovës, sidomos në adresimin e drejtësisë”, theksoi Haxhiu.

Memoriali “Heroinat” në Prishtinë është një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe dinjitetit të të mbijetuarve, duke kujtuar vuajtjet e tyre dhe duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës./Albinfo.ch

Miss Amerika 2025 merr pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Shqiptarja Samantha Shkreli Sarelli, e njohur për sukseset e saj në skenën e bukurisë dhe humanizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar nga Amerika në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur praninë e saj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Mirënjohëse që ndodhem këtu në Tiranë për ditën 1 të Samitit të Diasporës Shqiptare të ftuar nga Kryeministri Edi Rama! Faleminderit shumë për ftesën, jam e nderuar që jam këtu!”, ka shkruar Sarelli.

Samantha Shkreli Sarelli është shpallur Miss Amerika 2025 vitin e kaluar, duke fituar titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, një arritje që e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes në botën e modës dhe bukurisë.

Ajo është gjithashtu e njohur edhe për titullin që mbante në vitin 2020, “Former Miss Connecticut Teen USA”, duke dëshmuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe ambicioz në karrierën e saj.

Me pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës, Samantha Shkreli Sarelli i bashkohet figurave të tjera të suksesshme të diasporës shqiptare, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Samantha Shkreli Sarelli (Facebook)

Blerta Basholli i sfidoi 1050 filma nga 106 vende të botës

Regjisorja kosovare Blerta Basholli ka shënuar një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, pasi filmi i saj më i ri, “Dua”, është përzgjedhur për të pasur premierën botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, transmeton albinfo.ch.

Filmi do të shfaqet në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique”, ku do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Ky sukses merr edhe më shumë peshë duke ditur se për këtë seksion kanë aplikuar gjithsej 1050 filma nga 106 vende të botës, ndërsa përzgjedhja e “Dua” dëshmon për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik të projektit të Bashollit.

Përfshirja në “Semaine de la Critique” konsiderohet një nga arritjet më të rëndësishme për një film të metrazhit të gjatë, pasi ky seksion i Cannes promovon zëra të rinj dhe projekte të veçanta me potencial të madh ndërkombëtar.

Me këtë përzgjedhje, Blerta Basholli konfirmon edhe një herë pozitën e saj si një nga emrat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së skenës botërore të filmit./Albinfo.ch

Edhe Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë

Raporti i ISTAT tregon rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë që nga viti 1990, ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë në nivele historike, përcjell albinfo.ch.

Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83,4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.

Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetëgjatësisë gjatë dekadave të fundit. Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6,5 vite për gratë, duke arritur respektivisht në 81,5 vite për burrat dhe 85,6 vite për gratë në vitin 2024.

Raporti me titull “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të jetëgjatësisë në Itali, duke theksuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë progres. Ndër më të rëndësishmit, sipas ISTAT, mbetet ulja drastike e vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2023, norma e vdekshmërisë foshnjore zbriti në vetëm 2,7 për 1000 lindje, një nga nivelet më të ulëta në botë. Ndërkohë, në shekullin XIX kjo shifër ishte rreth 230 për 1000 lindje, duke reflektuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në standardet e jetesës dhe kujdesin shëndetësor.

Sipas analizës, ky përmirësim është rezultat i një procesi afatgjatë, ku kanë ndikuar faktorë si përmirësimi i kushteve të jetesës, ushqyerja më e mirë, higjiena, përparimet në mjekësi dhe përhapja e vaksinimit.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, i cili garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore dhe ndihmoi në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhen marrë si të mirëqena. Sfidat e reja, si plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor, kërkojnë politika të qëndrueshme për të ruajtur dhe përmirësuar më tej jetëgjatësinë në vend./Albinfo.ch

Futbollisti rikthen mbiemrin shqiptar dhe zgjedh të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e muajit mars, ku bie në sy përfshirja e mbrojtësit të AEK-së, Stavros Pelios, i cili pritet të debutojë me fanellën kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës, përcjell albinfo.ch.

 

Bëhet fjalë për një futbollist 24-vjeçar që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes dhe këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më aktivë të skuadrës së tij. Ai ka zhvilluar 33 ndeshje, duke kontribuar edhe me katër asistime, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, futbollisti kishte marrë më herët shtetësinë greke dhe kishte ndryshuar mbiemrin nga “Pilo” në “Pelios”, megjithatë së fundmi ka vendosur të rikthejë mbiemrin origjinal shqiptar, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt identitetit të tij.

Nën emrin Stavro Pilo, ai tashmë është përfshirë në thirrjet e Kombëtares shqiptare. Lojtari është me origjinë nga fshati Finiq në Delvinë dhe ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, duke mbajtur mbiemrin e lindjes në fanellë.

Ky vendim shihet si një kapitull i ri në karrierën e tij ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë përfaqëson një fitore të rëndësishme, pasi Kombëtarja siguron një mbrojtës modern, dinamik dhe me eksperiencë në kampionatin grek.

Zgjedhja e tij për të rikthyer mbiemrin shqiptar dhe për të veshur fanellën kuqezi konsiderohet një hap domethënës, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë identitar, duke forcuar më tej lidhjen e futbollistëve me origjinën e tyre./Albinfo.ch

Shqipe Sylejmani me lexim letrar në Bernë

Autorja shqiptare Shqipe Sylejmani do të mbajë ndalesën e fundit të turit të saj letrar në qytetin e Bernës, ku do të prezantojë librin e saj të tretë me titull “Stolz und Widerstand” (Krenari dhe Rezistencë), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 prill, duke filluar nga ora 20:00, në ambientet e librarisë së njohur Orell Füssli në Spitalgasse, Bernë.

Sipas njoftimit, romani “Krenari dhe Rezistencë” sjell një rrëfim të ndjerë që shpalos tema të fuqishme si forca e brendshme, dinjiteti njerëzor dhe format e ndryshme të rezistencës, duke prekur emocionalisht lexuesin dhe duke reflektuar realitete të thella jetësore.

Ky takim letrar konsiderohet një mundësi e veçantë për komunitetin shqiptar dhe dashamirët e letërsisë në Zvicër, për të dëgjuar nga afër autoren dhe për të bashkëbiseduar rreth veprës së saj.

Moderimi i mbrëmjes do të bëhet nga Lirija Sejdi, ndërsa biletat mund të sigurohen online ose në arkën e ngjarjes./Albinfo.ch

Instagram profil Shqipe Sylejmani

Hoxha takon në Tiranë deputetin shqiptar në Suedi, Arbër Gashin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Tiranëme deputetin shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës, transmeton albinfo.ch.

Lajmin e bëri të ditur vetë ministri Hoxha përmes një postimi në platformën X, ku shprehu kënaqësinë për takimin me deputetin shqiptar, duke e cilësuar atë si një histori suksesi dhe shembull krenarie për diasporën shqiptare.

“Kënaqësi të takoja sot, në Tiranë, deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës,” shkroi Hoxha.

Ministri e vlerësoi Arbër Gashin, të cilin e përshkroi si “bir i Drenicës”, duke theksuar se rrugëtimi dhe arritjet e tij janë dëshmi se identiteti shqiptar nuk humbet, por përkundrazi forcohet dhe pasurohet edhe jashtë kufijve.

Sipas Hoxhës, shembujt e diasporës shqiptare që janë të mirëintegruar dhe aktivë në jetën politike e institucionale të vendeve ku jetojnë, janë një frymëzim i drejtpërdrejtë për shoqërinë shqiptare.

Ai theksoi se raste të tilla janë të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo në botë, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe për promovimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarisë në arenën ndërkombëtare.

“Rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë shqiptarët,” përfundoi ministri në postimin e tij./Albinfo.ch.

Ligji për arsimin e lartë në Maqedoni: BDI e refuzon, VLEN në pritje

BDI ka njoftuar se nuk do ta mbështesë projektligjin e ri për arsimin e lartë, duke vlerësuar se ai cenon autonominë universitare në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, ligji i jep Ministrit të Arsimit dhe Qeverisë kompetenca të gjera për të ndërhyrë në vendimmarrjen akademike, në menaxhimin financiar dhe në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Nga kjo parti theksohet se propozimi i ri e dobëson demokracinë e brendshme universitare dhe e përqendron vendimmarrjen në pak duar. Ata konsiderojnë se liria akademike duhet të mbrohet dhe universitetet duhet të ruajnë pavarësinë e tyre në punë dhe organizim. Për këtë arsye, BDI e ka quajtur projektligjin të papranueshëm dhe ka bërë të ditur se nuk do ta votojë.

Në anën tjetër, koalicioni VLEN ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar. Ata po presin versionin e fundit të projektligjit për të parë nëse janë marrë parasysh vërejtjet dhe propozimet e tyre.

VLEN thekson se gjatë procesit të konsultimeve ka dhënë sugjerime dhe se tani është në pritje të draftit final. Sipas tyre, çdo reformë në arsim të lartë duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus të gjerë, duke përfshirë edhe komunitetin akademik, për të siguruar cilësi dhe stabilitet afatgjatë.

Hungaria paralajmëron kthesë: Gruevski mund të përballet me deportim

Mandatari i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar se ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, mund të mos qëndrojë më gjatë në vend dhe se ekziston mundësia e deportimit të tij.

Në një konferencë për media, Magyar u pyet për dy ish-ministra polakë të akuzuar për korrupsion, të cilët kanë gjetur strehim në Hungari. Ai theksoi se vendi i tij nuk do të shërbejë si strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht.

“Hungaria nuk do të bëhet vend për të kërkuarit për krime. Kjo vlen jo vetëm për ish-ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Ai është ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe person i kërkuar për krime,” tha Magyar.

Gruevski është në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vjet burg në rastin “Tank”. Ai u largua nga Maqedonia e Veriut dhe mori azil në Hungari, duke pretenduar se ishte i përndjekur politikisht nga qeveria e atëhershme e Zoran Zaevit. Në vitin 2019, Hungaria refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij.

Operacion i madh kundër mashtrimeve online në Tiranë, goditen disa call center-a

Në Tiranë po zhvillohet mbrëmjen e së hënës një operacion i gjerë kundër mashtrimeve në internet, ku janë goditur disa qendra telefonike të dyshuara për mashtrim të qytetarëve europianë.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë aksionit janë bërë disa arrestime dhe janë sekuestruar dhjetëra pajisje elektronike të përdorura për aktivitetin e dyshuar.

Operacioni po shtrihet në disa zona të kryeqytetit dhe ende është në zhvillim. Autoritetet pritet të japin detaje më të plota në vijim.

Kaos në aeroportet evropiane pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri kufitar të BE-së

Sistemi i ri i kontrollit kufitar të Bashkimit Evropian, Entry/Exit System (EES), ka shkaktuar probleme të mëdha në disa aeroporte evropiane, duke sjellë vonesa, radhë të gjata dhe anulime fluturimesh për mijëra udhëtarë nga vendet jashtë BE-së.

Sistemi kërkon regjistrim biometrik për të gjithë pasagjerët që hyjnë ose dalin nga zona Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, ku merren shenjat e gishtërinjve dhe fotografia e fytyrës.

Probleme janë raportuar në aeroporte të ndryshme si Gjeneva, Lisbona dhe Malta, ndërsa situata e vështirë është shënuar edhe në Bruksel dhe Amsterdam. Në disa raste, pritjet në kontrollin e pasaportave kanë zgjatur deri në dy orë.

Në disa aeroporte janë krijuar skena të mbipopulluara, ku familje me fëmijë dhe persona të moshuar kanë pritur me orë të tëra, ndërsa disa sisteme automatike nuk kanë funksionuar siç duhet.

Situata është përkeqësuar edhe në Milano, ku disa pasagjerë kanë raportuar se nga pritjet e gjata disa persona janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat pas orësh në radhë.

Po ashtu, rreth 100 pasagjerë të kompanisë easyJet kanë mbetur në aeroportin e Milanos Linate pasi nuk arritën të kalonin në kohë kontrollin kufitar, duke bërë që fluturimi drejt Mançesterit të nisej pa ta.

Kompania ajrore e ka cilësuar situatën si jashtë kontrollit të saj, ndërsa drejtuesi i Ryanair e ka quajtur zbatimin e sistemit “kaos” dhe “çrregullim”, duke akuzuar Bashkimin Evropian për krijimin e vështirësive për udhëtarët britanikë pas Brexit-it.

EES, që zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave, mbledh të dhëna biometrike për qytetarët jashtë BE-së dhe ka nisur të zbatohet gradualisht nga tetori 2025, me plan për zbatim të plotë në prill 2026.

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të paraqiten më herët në aeroporte, për shkak të pritjeve të gjata që po shkakton sistemi i ri.

Samiti i Diasporës: Begaj nderon figurat shqiptare, Lorik Cana merr “Urdhrin e Skënderbeut”

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua Samiti i katërt i Diasporës, ku Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vlerësoi disa personalitete të shquara të diasporës shqiptare për kontributin e tyre në fusha të ndryshme.

Një nga momentet kryesore të ceremonisë ishte dekorimi i ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana, i cili u nderua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Në fjalën e tij, Cana theksoi se gjithmonë ka synuar të përfaqësojë me krenari shqiptarët dhe se ky vlerësim është një emocion i veçantë jo vetëm për të, por edhe për familjen dhe njerëzit që e kanë frymëzuar gjatë jetës.

Gjatë ceremonisë u vlerësuan edhe figura të tjera të diasporës. Gentian Toshkëzi mori titullin “Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, ndërsa Klarita Gërxhani dhe Shqiponjë Telhaj u dekoruan me “Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik”. Po ashtu, Markus Schuhmann dhe Andres Lindberg u nderuan me “Oficer i Urdhrit të Skënderbeut”.

Fribourgu prezanton plan veprimi për mbështetjen e sektorit të qumështit

Kantoni i Fribourgut ka prezantuar një plan veprimi që synon përmirësimin e kushteve në sektorin e qumështit. Të hënën, autoritetet prezantuan një sërë masash që synojnë sigurimin e një prodhimi të qëndrueshëm nga pikëpamja ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Në Fribourg, ashtu si në pjesën tjetër të Zvicrës, prodhimi i qumështit mund të pësojë një rënie të ndjeshme gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Përballë sfidave aktuale dhe atyre të së ardhmes, në vitin 2023 u realizua një studim mbi të ardhmen e prodhimit të qumështit, në bashkëpunim mes qendrës së kompetencës Grangeneuve dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bernës (HAFL).

Ky proces, i cili kishte për qëllim të kuptonte më mirë pritjet dhe nevojat e prodhuesve dhe aktorëve të tjerë të sektorit në kanton, ndihmoi në identifikimin e prioriteteve dhe shërbeu si bazë për hartimin e planit të veprimit, thuhet në një deklaratë zyrtare të kantonit.

Katër tema kryesore janë në qendër të këtij plani: investimet dhe infrastruktura, burimet natyrore dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, trashëgimia dhe marrja në dorëzim e fermave, si dhe cilësia e jetës së prodhuesve.

Më shumë transparencë dhe koordinim

Plani synon gjithashtu forcimin e komunikimit dhe rritjen e transparencës brenda sektorit, me qëllim përmirësimin e koordinimit ndërmjet aktorëve. Një tjetër objektiv është rritja e atraktivitetit të profesioneve në prodhimin dhe teknologjinë e qumështit.

Disa nga masat dhe shërbimet e përfshira në plan tashmë ekzistojnë në kanton dhe do të forcohen më tej, ndërsa të tjera do të zbatohen për herë të parë. Qendra e kompetencës Grangeneuve do të zhvillojë gjithashtu shërbime të reja për të konsoliduar sektorin dhe për të rritur vlerësimin e profesionit të fermerit të qumështit.

Plani mbetet fleksibël dhe mund të përshtatet në të ardhmen, duke përfshirë masa të reja në përputhje me nevojat e sektorit dhe burimet në dispozicion.

Mbështetje për fermerët

Në një intervistë për edicionin informativ të mesditës, këshilltari shtetëror i Fribourgut përgjegjës për bujqësinë, Didier Castella, theksoi rëndësinë e mbështetjes për fermerët.

“Ne kemi shkollën tonë në Grangeneuve, e cila jo vetëm ofron trajnim, por edhe këshillim. Në këto kohë të vështira, fermerët përballen me shumë pikëpyetje dhe ne po përpiqemi t’i mbështesim,” tha ai.

Ai nënvizoi gjithashtu se shumë vendime merren në nivel federal në Bernë, veçanërisht në lidhje me subvencionet dhe politikat bujqësore.

“Këto çështje nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ndjekur, prandaj duam t’i ndihmojmë fermerët që t’i kuptojnë më mirë dhe të zgjedhin opsionet më të mira për të ardhmen e tyre,” shtoi Castella.

Xhamia e madhe në St. Gallen: Skepticizëm, por edhe shpresë për dialog

Edhe para dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimi, projekti për ndërtimin e një xhamie të madhe në St. Gallen ka nxitur debat dhe shqetësime. Përfaqësues të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) kanë ngritur pikëpyetje, veçanërisht lidhur me financimin e saj.

Një projekt i madh për komunitetin

Komuniteti shqiptaro-islam në St. Gallen planifikon ndërtimin e një xhamie me kapacitet deri në 400 persona në pjesën perëndimore të qytetit. Nëse realizohet, ajo do të jetë ndër xhamitë më të mëdha në Zvicrën gjermanishtfolëse, shkruan mediumi zvicrran srf transmeton albinfo.ch.

Vlera e tokës parashikohet rreth 5 milionë franga zvicerane, ndërsa ndërtimi pritet të kushtojë rreth 10 milionë franga. Kërkesat fillestare janë dorëzuar që në vitin 2024, por në atë kohë projekti u konsiderua i paqartë. Që atëherë, ka pasur pak zhvillime publike lidhur me të.

Pse nevojitet një xhami e re?

Sipas imam Mehas Alija, xhamia aktuale në St. Gallen është shumë e vogël për nevojat e komunitetit.

“Madje detyrohemi të përdorim edhe mensën për faljen e xhumasë,” shprehet ai.

Komuniteti “El-Hidaje”, i themeluar në vitin 1992, përfshin edhe anëtarë të gjeneratës së tretë dhe të katërt që jetojnë në Zvicër.

Dyshime për financimin

Përfaqësuesit kantonalë të SVP-së, të informuar për projektin përmes gazetës “Sonntagsblick”, shprehin shqetësime për krijimin e shoqërive paralele.

Ata kërkojnë sqarime nga qeveria e St. Gallen-it se si do të financohet projekti prej rreth 15 milionë frangash. Frika e tyre lidhet me mundësinë e financimit nga shtete apo organizata të huaja, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e xhamisë.

Reagimi i komunitetit

Komuniteti i hedh poshtë këto pretendime. Sipas tyre, projekti do të financohet përmes kredive bankare, mjeteve vetanake, donacioneve të komunitetit dhe fushatave online.

Në një deklaratë, ata theksojnë: “Pretendimet për financim të huaj duhet të bazohen në fakte. Çdo gjë tjetër është një insinuatë e pabazë dhe jo produktive.”

Sa të besueshme janë këto pretendime?

Sipas Nicole Freudiger, redaktore për çështje fetare në SRF, është e zakonshme që projekte të tilla të mbështeten kryesisht nga vetë komuniteti.

“Ajo është pjesë e traditës islame që financimi për objekte të tilla të vijë nga vetë besimtarët,” shpjegon ajo. Përveç kontributeve financiare, shumë anëtarë ndihmojnë edhe me punë vullnetare.

Megjithatë, ajo shton se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e donacioneve nga jashtë.

Përvoja të mëparshme dhe shembuj të dialogut

Në raste të tjera në Zvicër, projekte të ngjashme janë përballur me kundërshtim të fortë. Në Siebnen, në kantonin Schwyz, komuniteti shqiptar u detyrua të tërhiqej nga planet për ndërtimin e një xhamie për shkak të rezistencës së banorëve.

Nga ana tjetër, Freudiger thekson se projekte të mëdha shpesh synojnë të nxisin dialogun ndërkulturor. Si shembull përmendet xhamia në Wil, e cila organizon vizita për shkolla dhe institucione, duke shërbyer si model bashkëjetese dhe komunikimi.

Shenja pozitive për bashkëpunim

Së fundmi, peshkopi i St. Gallen-it ka vizituar xhaminë ekzistuese gjatë iftarit, ndërsa imami ka ndjekur trajnime të vlerësuara pozitivisht. Këto zhvillime shihen si sinjale inkurajuese për dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në të ardhmen.

Diaspora hap kapitull të ri bashkëpunimi për “Shqipërinë 2030”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në vigjilje të Samitit të Katërt të Diasporës, duke sinjalizuar fillimin e një faze të re bashkëpunimi me diasporën shqiptare.

Gjatë bisedës, Hoxha vlerësoi angazhimin e anëtarëve të Këshillit dhe theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të veçantë, e cila bazohet në një vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit. Ai bëri të ditur se palët janë dakorduar për riorganizimin e këtij mekanizmi, me synim rritjen e koordinimit të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende konkrete vjetore në funksion të prioriteteve kryesore.

Në qendër të diskutimeve ishte nisma “Shqipëria 2030” dhe roli i diasporës si partner i rëndësishëm në promovimin e gjuhës shqipe, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, forcimin e bashkëpunimit me biznesin si dhe përhapjen e vlerave kulturore shqiptare në botë.

Sipas ministrit, përfaqësuesit e diasporës nga fusha dhe vende të ndryshme përbëjnë një potencial të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve me atdheun dhe shndërrimin e këtij potenciali në vlera konkrete për vendin.

“Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore. Në fokus: Shqipëria 2030 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.

Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për të forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë.

Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme. “Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar, Forcohemi”, shkruan ministri Hoxha.

Iniciativë për ngritjen e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë

Një iniciativë qytetare e iniciuar nga Mirishahe Limani Hiler, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Dora d’Istria”, synon krijimin e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë.

E hapur për gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo nismë ka për qëllim krijimin e një hapësire të qëndrueshme për edukim, kulturë dhe integrim, në një kohë kur mungesa e një qendre shqiptare ndihet gjithnjë e më shumë.

Projekti parashikon aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin kulturor dhe edukimin e brezave të rinj, duke forcuar njëkohësisht lidhjet ndërkulturore.

Në këtë kuadër, është lansuar edhe një peticion publik në Change.org për të mobilizuar mbështetje qytetare dhe për të rritur ndërgjegjësimin institucional.

Peticioni:

https://c.org/GLFKKRq2hb

Ju lutemi nënshkruajeni dhe shpërndajeni

Qendër Edukative dhe Kulturore Shqiptare në Gjenevë

Pouvons-nous compter sur votre signature ? ✍️
https://c.org/QQmwtWMZ6D

Për fëmijët tanë 🇦🇱
Kontakt për media:

Mirishahe Limani Hiler

Begaj në Samitin e Diasporës: Diaspora, faktor kyç në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në Samitin e IV të Diasporës, Presidenti Bajram Begaj e vlerësoi diasporën shqiptare si një element thelbësor dhe të pazëvendësueshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit u shpreh se marrëdhënia mes shtetit dhe diasporës për një kohë të gjatë ka qenë e bazuar kryesisht në lidhje emocionale, por sipas tij kjo qasje ka ndryshuar dhe sot ajo po merr një karakter më strategjik dhe më të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, raporton rtsh transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën drejt BE-së dhe se diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm në këtë proces, duke e cilësuar atë si një forcë që ndikon në shtrirjen dhe suksesin e një kombi.

Sipas Begajt, shqiptarët në diasporë janë të pranishëm në fusha të ndryshme si teknologjia, akademia, biznesi, sporti dhe arti, duke u shndërruar në përfaqësues të rëndësishëm të vendit në arenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi se ky potencial duhet të shfrytëzohet më shumë dhe në mënyrë më të organizuar.

Presidenti shtoi se modeli i mëparshëm i marrëdhënies vetëm emocionale ka përfunduar dhe se tani po ndërtohet një qasje e re ku diaspora shihet si partner i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Ai e përshkroi diasporën si një mbështetje të rëndësishme ekonomike për dekada, por theksoi se tashmë duhet kaluar në një fazë ku ajo kontribuon si investitor dhe partner aktiv në zhvillimin e vendit.

Në fjalën e tij, Begaj bëri thirrje që investimet dhe njohuritë e diasporës të kthehen në projekte konkrete zhvillimi në Shqipëri, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendase.

Duke folur për procesin e integrimit, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar edhe në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke përmendur nevojën për më shumë investime në gjuhën shqipe, arsimin dhe qendrat kulturore në diasporë.

Në përfundim, Presidenti deklaroi se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi lidhje më të forta me diasporën, duke e parë atë si pjesë të pandashme të zhvillimit të vendit dhe si urë lidhëse me botën.

Tirana bëhet kryeqendra e diasporës shqiptare, nis Samiti i 4-t me pjesëmarrje të gjerë

Tirana është kthyer në zemrën e shqiptarëve nga e gjithë bota. Me pjesëmarrjen e figurave më të larta të shtetit dhe përfaqësuesve të diasporës, ka nisur Samiti i 4-t i Diasporës, një ngjarje që synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, kjo ngjarje e rëndësishme ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.

Ceremonia e hapjes u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të komuniteteve fetare, ministra, deputetë dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Samiti zhvillon punimet sot më 14 dhe të martën 15 prill ku përfshihen panele të shumta diskutimi mbi tema si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, kultura dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

Gjatë aktivitetit trajtohen çështje si roli i diasporës në biznes dhe zhvillim lokal, integrimi evropian, arsimi dhe gjuha shqipe, kërkimi shkencor, si dhe bashkëpunimi kulturor e politik.

Në kuadër të samitit janë parashikuar edhe aktivitete të ndryshme si takime biznesi, ekspozita, prezantime të produkteve shqiptare, hapësira për startup-e dhe iniciativa që synojnë forcimin e lidhjes mes diasporës dhe Shqipërisë.

Në përgjithësi, Samiti i Diasporës synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojë rolin e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin e vendit.