Kosova

Detaje nga vrasja e shtetases argjentinase nga shqiptari me shtetësi zvicerane

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar për rrethanat në të cilat shtetasja argjentinase u vra nga i dashuri i saj shqiptar E.D., me pasaportë zvicerane.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N  me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në  Fushë Kosovë,  pas një mosmarrëveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor  e njëjta  kishte  ndërruar jetë  në  Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, përcjell albinfo.ch.

Të dyshuarit gjykata i ka caktuar masën e sigurisë, paraburgim për një muaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “vrasjes”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njofton gjykata, përcjell albinfo.ch.

Vendimin gjykata e arsyeton me faktin se ekziston rreziku që E.D., të largohet nga shteti marrë parasysh që posedon pasaportën zvicerane.

“Ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale,  andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.