Kosova

Gërvalla e quajti BE-në “tigër letre”, opozita reagon ashpër

Gjatë fjalimit të saj në Forumin e Dubrovnikut, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla u shpreh se në aspektin e sigurisë, Bashkimi Evropian është “tigër letre” pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një deklaratë e tillë është cilësuar si e papërgjegjshme nga ana e opozitës në Kosovë.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përcjell albinfo.ch.

“Të mjerë dhe të rrezikshme” thotë për gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar distancimin e institucioneve të Kosovës nga deklarata e kryediplomates. “Më e pakta që do të duhej, është një deklaratë e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo që ka thënë Ministrja e Jashtme, nuk është qëndrim zyrtar i Republikës së Kosovës”, është shprehur Muharrem Nitaj, sekretar i AAK-së, përcjell albinfo.ch.