Shqipëria

Gjermania i dhuron Shqipërisë automjete e pajisje të sofistikuara

Qeveria gjermane i dhuroi Policisë së Shtetit automjete e pajisje të sofistikuara me vlerë 200 mijë euro, në kuadër të forcimit të kapaciteteve për luftën kundër paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në veçanti.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzan Schutz, nënshkruan protokollin e dhurimit të tyre, në prani të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Task Forcës Speciale Qendrore u theksua edhe njëherë bashkëpunimi mjaft i mirë që ekziston mes dy vendeve në fushën e shkëmbimeve policore. Këto mjete do të përdoren kryesisht nga Policia Kriminale dhe Task Forca Speciale, e cila është ngritur për të luftuar grupet kriminale në Shqipëri ose jashtë vendit.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se “pata mundësinë të pres Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, me të cilën takohem në harkun e pak javëve, për herë të dytë në mjediset e Policisë së Shtetit. Sot jemi tek Task Forca Speciale ku sapo nënshkruam një protokoll për marrjen e një ndihme të konsiderueshme, e cila i adresohet Task Forcës “Forca e Ligjit”, pra i adresohet luftës kundër krimit të organizuar. Ndërkohë që para pak javësh ne patëm mundësinë që të mirëpresim një paketë tjetër të rëndësishme ndihme që i adresohej kufirit”.

Ministri falënderoi “ambasadoren, Policinë gjermane, Qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme, një mbështetje, e cila i adresohet forcimit të parametrave të luftës kundër krimit të organizuar, i cili është parakusht i rëndësishëm për të përshpejtuar ecjen e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave me BE-në”, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch. 

Nga ana e saj, Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, tha se “kemi pasur mundësinë për të dhënë një ndihmë me vlerë të përgjithshme prej 200 mijë eurosh, e cila tregon dhe një herë në mënyrë simbolike bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston midis vendeve tona, e cila në të ardhme do të konsolidohet dhe më tej”.