Lajme

Këtë javë BE synon të vendosë kufi për çmimin e gazit

BE-ja po kërkon të eliminojë varësinë e saj nga karburantet fosile të Rusisë

Komisioni Europian do të propozojë këtë javë një kufi “dinamik” për çmimin e gazit natyror në Bashkimin Europian, si dhe disa kufizime të detyrueshme për shkallën në të cilën mund të luhaten çmimet e tregtimit të tij brenda një dite të vetme, sipas një projekt-propozimi.

BE-ja po kërkon të eliminojë varësinë e saj nga karburantet fosile të Rusisë, por Moska në muajt e fundit ka ndërprerë në masa të mëdha furnizimet për bllokun nga tubacionet e saj të gazit, duke sjellë kështu rritje të çmimeve dhe duke çuar në shqetësime për vazhdimësinë e furnizimeve.

Sipas projekt-propozimit të ri, i cili do të duhet të miratohet nga qeveritë e BE-së, Agjencia Europiane për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) do të ngarkohet me detyrën e vendosjes së një standardi për çmimin e gazit natyror të lëngshëm, të cilin BE po e blen në përmasa më të mëdha, deri më datë 23 mars

Komisioni po rekomandon disa ndërhyrje të mundshme në çmimin e Facilitetit Holandez të Transferimit të Titujve (TTF), i cili përdoret gjerësisht në Europë për kontratat e gazit.

Si një mundësi të fundit, organi ekzekutivi i BE-së mund të propozojë edhe vendosjen e një çmimi “dinamik” për tregun, me anë të të cilit mund të kryhen transaksione për gazin natyror në tregun spot TTF, në kushte specifike.

Masat nuk duhet të ndikojnë në sigurinë e furnizimeve. Ato nuk duhet të çojnë në një rritje të konsumit të gazit dhe as të ndikojnë në funksionimin e tregjeve të derivateve të energjisë, thuhet në draft.

Në mënyrë që ai të hyjë në fuqi, qeveritë e BE-së do të duhet të pajtohen me këtë propozim, i cili nuk do të zgjasë për më shumë se tre muaj. Qendrat e tjera të tregtimit të gazit në BE do të lidhen me çmimin e korrigjuar të spotit TTF nëpërmjet një korridori dinamik të çmimeve.

Ky propozim është shumë larg idesë fillestare për një kufi të çmimit të gazit në mbarë BE-në, i cili është mbështetur nga 15 vende anëtare të unionit, por është kundërshtuar nga shtete të tjera si Gjermania, Austria dhe Holanda, të cilat argumentojnë se kufizimi i çmimit mund të sjellë mungesa të gazit dhe mund të mos nxisë kursimin e energjisë.

“Si rezultat i rënies së çmimeve të gazit, ky propozim tregon se vullneti për reforma ambicioze, të tilla si kufiri i çmimit, po zbehet,” tha Georg Zachmann, një ekspert i energjisë në institutin Bruegel.

Liderët e BE-së do të debatojnë lidhur me këto opsione gjatë kësaj jave.

Propozimet do të duhet të marrin miratimin e qeverive të BE-së, të cilat kanë pasur përplasje për më shumë se një muaj, që kur Komisioni propozoi për herë të parë idenë e një kufiri të vetëm çmimi për gazin rus, në fillim të shtatorit.

Draft-propozimi i Komisionit thotë gjithashtu se qendrat e tregtimit në BE duhet që, deri më 31 janar, të vendosin një kufi lidhur me shkallën në të cilën mund të luhaten çmimet e derivateve të energjisë brenda një dite të vetme.

Propozimi përfshin gjithashtu idenë e blerjeve të përbashkëta të gazit, një mekanizëm solidariteti për të shmangur pabarazitë e mëdha në furnizimin e të gjithë bllokut me gaz, si dhe disa masa për të reduktuar kërkesën për gaz./ Reuters