Kosova

KQZ: Jemi të gatshëm për zgjedhjet e reja në veriun e Kosovës

 

Raportohet se ende pa u bërë dy muaj nga procesi i 23 prillit, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore, përcjell albinfo.ch.

Nëse kjo do të ndodhë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se KQZ-ja është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.

I pyetur për mundësinë që në këto zgjedhje eventuale, Misioni i OSBE-së në Kosovë të marrë rol ndihmues për KQZ-së, Elezi ka thënë se ky institucion nuk i komenton zhvillimet politike, ndërsa i pyetur se a është ndihmuar KQZ-ja në organizimin e zgjedhjeve të fundit, ai ka dhënë këtë përgjigje:

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i komenton zhvillimet politike. KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion, i cili përmbush detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, tha Elezi.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, në zgjedhjet e mëhershme ka lehtësuar dhe ndihmuar KQZ-në, në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për situatën në veri dhe zgjedhjet atje. Davenport tha se OSBE do të ndihmojë Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Me Miroslav Lajçak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fortë për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore. OSBE do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Twitter.