Uncategorized

Kuqezinjtë stërviten në Barcelonë, duan 3 përballë Andorrës

Kombëtarja shqiptare fillon kampanjën e kualifikimeve për Botërorin me ndeshjen ndaj Andorrës më 25 mars

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në qendrën sportive të klubit të Espanjolit në Barcelonë.

Përfaqësuesja kuqezi ndodhet në ditën e dytë të grumbullimit në Spanjë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Andorrës, që luhet më 25 mars në transfertë, përcjell albinfo.ch.

Trajneri Edoardo Reja ka pasur në seancën e sotme të gjithë lojtarët e thirrur për tre ndeshjet e para në dispozicion, teksa të hënën në mbrëmje u bashkuan me grupin edhe Etrit Berisha, Federik Veseli dhe Mario Mitaj.

Kombëtarja zhvilloi një seancë me intensitet të plotë me stafin teknik që kishte mundësi të krijonte një ide të qartë për gjendjen e të gjithë lojtarëve. Gjithçka deri më tani ka shkuar mirë dhe nuk ka asnjë lojtar me probleme dëmtimi.

Kjo është edhe stërvitja e fundit në Barcelonë, pasi mëngjesin e së mërkurës delegacioni shqiptar do të udhëtojë drejt Andorrës, ku po nesër do të zhvillojë edhe seancën zyrtare stërvitore të fundit para premierës së Botërorit 2022.

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare të futbollit, Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasula kanë dalë sot në një konferencë zyrtare për shtyp, përpara ndeshjes që ekipi ynë do të zhvillojë ndaj Andorrës këtë të enjte në transfertë.

Mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve në këtë konferencë, u shpreh se duhet që ta nisin këtë fushatë eliminatoresh me këmbën e mbarë. Gjithashtu, ai foli edhe për lojtarin më të ri kuqezi që i është bashkuar Kombëtares, Nedim Bajrami, për ndeshjet që do të zhvillojnë në pak ditë si dhe për skemën e përdorur nga trajneri e ndeshjen ndaj ekipit të Andorrës.

“Bajrami? Kam folur me të sepse kemi luajtur edhe kundër tij dhe është një lojtar vërtetë shumë i mirë. Është në një skuadër që ka shumë mundësi të ecë përpara sepse Empoli kërkon që t’i japë sa më shumë mundësi lojtarëve të rinj që të tregojnë veten dhe më pas të kenë mundësi të kalojnë në një skuadër më të fortë. Ai i ka kualitetet dhe i kam thënë që nuk do ketë presion sepse është një qytet i vogël dhe i qetë. Thjesht duhet të tregojë vlerat e veta siç po bën dhe besoj se do gjejë një skuadër të mire”, u shpreh Hysaj.

“Ndeshja kundër Andorrës? Është më mirë kur e njeh një kundërshtar si Andorra, që e dimë të gjithë që poshtë emrit mendojmë se është e lehtë, por në të vërtetë ata janë lojtarë që dinë të luajnë futboll. E dimë të gjithë se futbolli mund të ketë të papritura dhe duhet të jemi ne 100% të përqëndruar që ta bëjmë ndeshjen e lehtë. Në qoftë se do jemi të përqëndruar 100%, ndeshja do jetë më e lehtë, por nëse ne mendojmë se Andorra është një ekip i lehtë, gabojmë dhe mund të kemi pasoja siç patëm në ndeshjet e kaluara ku dolëm barazim me Andorrën”.

Ndërsa mesfushori i talentuar shqiptar që luan në Gjermani, Klaus Gjasula u shpreh se fokusi i skuadrës është në ndeshjen e parë ndaj Andorrës, si dhe theksoi se fryma në grup është mjaft e mirë. Pavarësisht se nuk është në gjendjen e tij më optimale, Gjasula tha se do të japë maksimumin për ekipin.

Ndeshja ndaj Andorrës – Besoj që ne me paraqitjet e fundit kemi treguar që i kemi të gjitha mundesitë për të fituar këtë ndeshje dhe të hymë më këmbë të mbarë në kualifikim. Do kishte qenë ndryshe të luanim ndeshjen e parë me Anglinë pasi është pak më e vështirë, por si tha dhe Elsi nëse jemi të përqëndruar dhe gati nga ana mendore, besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje dhe të hymë në kualifikim.