Kosova
Kurti bisedon me Escobarin për raundin e ri të dialogut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me raudin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, përcjell albinfo.ch.
Referuar Zyrës së Kurtit, kryeministri kosovar bisedoi me emisarin amerikan “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, u tha në njoftim.
Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut në nivel të lartë. Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit. Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime. Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.
Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj. Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke, për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje, ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi- pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL
E-Diaspora
-
Shqipëria pjesë e paradës së karnavaleve në Berlin Bëhet e ditur se edhe Shqipëria do të jetë pjesë e paradës së karnavaleve në Berlin,...
-
Prokuroria kërkon 18 vjet burgim për autorin e vrasjes së Shqiponja Isufit
-
Adem Dalipi vendos shallin me shqiponjë në diplomimin e tij në Amerikë
-
Rama takohet me emigrantët shqiptarë në Milano më 26 maj
-
Nesër është dita e fundit e regjistrimit të diasporës
Jeta në Zvicër
-
Alain Berset kaloi një javë pune të frytshme në Shqipëri Berset paraqiti kandidaturën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Zvicra e mbështet...
-
A mund të mbulohen së shpejti syzet dhe lentet e kontaktit nga sigurimi shëndetësor zviceran?
-
Po bëhet presion që Eurovizioni të organizohet në Gjenevë
-
Kompania kosovare që mobiloi resorte botërore
-
Rruga Gotthard Pass mbetet e mbyllur gjatë “Pentecost”