Kosova

Kurti i përgjigjet pozitivisht kërkesës së emisarëve, pranon “planin e ri”

Kurti i përgjigjet pozitivisht kërkesës së emisarëve, dokordohet që plani i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve me SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se 5 diplomatët perëndimorë ia kanë propozuar “një plan të ri” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, krahas drafit për “zbatimin e nenit 7”, siç e quan Qeveria, e që BE-ja të martën e ka identifikuar si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, përcjell albinfo.ch.

Qeveria ka konfirmuar se kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë kornizë për vazhdimin e diskutimeve, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.

“Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

 

Neni 7 i Marrëveshjes Bazë:

Neni 7

Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Një ditë më parë, pa dhënë hollësi, Bashkimi Evropian konfirmoi se ka bërë “një propozim modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se presin nga palët që për të dhe për çështje të tjera “të veprojnë shpejt”.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd e Prishtinë, e kishin në fokus zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ajo të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme, disa prej të cilave me shkrim, dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano të martën.

“Presim tash hapa të shpejtë nga palët, në mënyrë që të dëshmojnë se janë të përkushtuara për ta vazhduar procesin e normalizimit, duke i përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara pa vonesa dhe pa parakushte”, ka thënë ai. “Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”.