Kosova

MKRS: Do të bëhet restaurimi dhe konservimi i objektit të Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka reaguar pas djegies së Muzeut të Muzikës në Gjakovë, duke thënë se institucionet përgjegjëse të Trashëgimisë Kulturore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që “Taphanja” në Çarshinë e madhe në Gjakovë – monument i mbrojtur i destinuar rishtazi për Muze të Muzikës, i cili është kapluar nga zjarri ditën e mërkurë të mbrohet nga rreziku i mëtejmë.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se ringritja e kësaj ndërtese tradicionale është realizuar para mbi një dekade me fonde të MKRS-së, si pronë publike e Komunës së Gjakovës, përcjell albinfo.ch.

“Lidhur me gjendjen dhe evitimin e rreziqeve nga kanosjet evidente të kësaj ndërtese me status ‘Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje’, në muajin prill 2023, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (ITK) ka realizuar inspektimin dhe ka dhënë rekomandimet për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse. Në kuadër të buxhetit për investime kapitale, MKRS ka ndarë buxhet për ndërhyrje restauruese në këtë monument”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, sot është mbajtur takim i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vartëse të trashëgimisë kulturore të MKRS-së për të diskutuar ndërmarrjen e hapave për mbrojtje të monumentit.

“Janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: zbatimi i masave emergjente, vlerësimi i dëmeve, procedimi i shpejtë për ndërhyrje dhe implementimi i punëve për konservimin, restaurimin dhe funksionalizimin e ndërtesës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohet me institucionet përgjegjëse të sigurisë që të identifikohet arsyeja e zjarrit dhe të ndërmerren masat ligjore. Në të njëjtën kohë, apelojmë tek qytetarët për respektim vlerësim dhe kujdes të shtuar ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore si pasuri e përbashkët e shoqërisë”, thuhet në komunikatë.