Kosova

Parlamenti Evropian sot voton rezolutën për ngjarjet në Veri

Parlamenti Evropian sot pritet të miratojë rezolutë për ngjarjet e Banjskës

Bëhet e ditur se Parlamenti Evropian (PE) do të votojë pro ose kundër rezolutës për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në seancën plenare të së enjtes (19 tetor) në Strasburg të Francës, ku do t’i kërkohet Bashkimit Evropian (BE) vendosja e masave ndëshkuese ndaj Serbisë nëse vërtetohen dyshimet se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në projekt-rezolutën mbi zhvillimet e fundit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, eurodeputetët do t’i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të ngrijë fondet për Serbinë në kuadër të instrumentit të ndihmës së paraanëtarësimit (IPA3), nëse rezultatet e hetimeve vërtetojnë për ta se shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmin terrorist.

Këshillit të BE-së nga ana tjetër do t’i kërkohet të miratojë masa kufizuese kundër aktorëve destabilizues në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe liderëve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar, përfshirë përgjegjësin për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, Millan Radojiçiç, i cili tashmë gjenden në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara (SHBA).

Ekziston po ashtu një konsensus midis grupeve politike që përveç dënimit të sulmit frikacak të paramilitarëve serbë në Veriun e Kosovës do të kërkojnë edhe bashkëpunimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë në hetimin e ngjarjes në Banjë, duke përfshirë ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave përgjegjës në duart e drejtësisë kosovare, pa vonesa të mëtejshme.

Eurodeputetët do të kërkojnë nga Serbia që të përmbahet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm i cili thuhet se cenon rendin kushtetues të Kosovës dhe të parandalojë kontrabandën e armëve përtej kufirit, ndërsa autoriteteve të Kosovës do t’u kërkohet të punojnë në drejtim të tregtisë së hapur për të gjitha mallrat dhe shërbimet civile që vijnë nga Serbia.

PE-ja gjithashtu do të dënojë ashpër ngritjen e gatishmërisë ushtarake të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën. Në këtë aspekt, eurodeputetët do t’i bëjnë thirrje Serbisë që të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën dhe pajisjet, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë.

Rezoluta e PE-së do të apelojë fuqishëm tek të dyja palët të bëjnë gjithçka që të ulin tensionet dhe të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në përkeqësim të situatës në terren, ndërsa do të kërkojë nga Kosova dhe Serbia të përmbushin propozimet e BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veriun e Kosovës dhe të dyja palët të kthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ajo do të përsërisë thirrjen drejtuar të dyja palëve që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Rezoluta e PE-së do të apelojë për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës, ndërsa Kosovës do t’i kërkohet të themelojë Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe (ASM) pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Gjithashtu, në përputhje me Kushtetutuën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) do t’i kërkohet të krijojë një plan për të kontrolluar situatën në Veri me elemente solide që mund të veprojnë si pengesë në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. KFOR-it do t’i kërkohet monitorimi dhe kryerja e mbikëqyrjes së vazhdueshme në Veriun e Kosovës për të siguruar zbulimin e çdo inkursioni paramilitar ose sulmi nga Serbia.

Në mesin e grupeve të ndryshme politike në PE ekziston po ashtu një konsensus se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në muajin qershor duhet të hiqen.

Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së do t’u kërkohet të rinovojë kontaktet e tyre të nivelit të lartë me autoritetet kosovare – Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës.