Kosova

Senatorët amerikanë i kërkojnë Kurtit themelimin e Asociacionit gjatë këtij viti

Koha ka shumë rëndësi, ka thënë në Prishtinë senatori amerikan, Chris Murphy, kur ka folur për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të ndodhë këtë vit, për ta mundësuar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Senatori Murphy e ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por ka kërkuar të mos humbet kohë sa i përket Asociacionit.

Senatori ka shprehur gatishmëri që t’i ndihmojnë Kosovës edhe në këtë çështje, përcjell Albinfo.ch.

“Patëm një bisedë shumë të mirë të sinqertë për dialogun. Na vjen shumë mirë për marrëveshjen që e keni arritur me Serbinë. E dimë që këto kanë të bëjnë me disa zgjidhje të vështira për të dy palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Mendojmë se është e kuptueshme që të lejohet që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por koha ka shumë me rëndësi, është viti kur duhet të kryhet kjo dhe që të mundësohet arritja e normalizimit, e cila do të çojë te njohja e ndërsjellë. Prandaj na vjen mirë që dëgjuam për planet tua për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe jemi të gatshëm që t’ju ndihmojnë edhe në këtë ndërmarrje”, tha Murphy.

Ndërkaq kyeministri Albin Kurti tha se pret zbatimin e marrëveshjes pa kushtëzime.

“Biseduam edhe për raportet me Serbinë dhe rezultatet e dialogut, me theks te marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit, ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj na duhet zbatim i tërësishëm i shpejtë dhe pa kushtëzime”, tha Kurti./Albinfo.ch