Shqiptari nga Kosova, Nue Oroshi është zgjedhur deputet në Asamblenë Komunale të Kielit

Nue Oroshi, historian dhe publicist, në nëntor të vitit të kaluar ka fituar kandidaturën brenda partisë së CDU-së për deputet në Asamblenë e Kielit. Në zgjedhjet e 26 maj, CDU ka dalur partia e dytë në këtë qytet por me një ngritje te përqindjes. “Fitorja ka ardhur si rezultat i mbështetjes së komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në këtë pjesë të Gjermanisë”, tha Oroshi për “PrizrenPress”.

Oroshi në prill të vitit të kaluar, pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e këshilltarit Komunal në Asamblenë e Prizrenit. Ai ishte i pakënaqur për mënyrën e shpërndarjes financiare për përkrahjen e komuniteteve si dhe për ndryshimin e logos të Lidhjes së Prizrenit, e cila është edhe identifikim i këtij qyteti historik.

Pas dorëheqjes së tij nga detyra e Këshilltarit Komunal të Prizrenit, Oroshi mori rrugën për ta fituar kandidaturën përbrenda partisë CDU për deputet në Asamblenë Komunale të Kielit të Gjermanisë. Ai ishte kandidat për deputet në zonën zgjedhore 10 në Metenhof, nga gjithsej 25 zona sa i ka qyteti i Kielit.

Oroshi tha se kjo fitore është e mbarë komunitetit shqiptar. “Kjo fitore nuk është vetëm e imja personale, por është sukses i mbarë komunitetit shqiptar, që jeton e punon në Republikën e Shlesvig Holshtajnit, ngase ata e kanë kuptuar se pa angazhim sukseset nuk vijnë vetvetiu. Unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të inkuadrohen edhe në jetën politike dhe ta afirmojmë kulturën tonë të çmuar, sepse kemi kapacitete dhe aftësi intelektuale”, tha Oroshi.

Sipas tij, mërgimtarët shqiptarë nga 26 maj për herë të parë do ta kenë një deputet në Asamblenë e Qytetit te Kielit të Gjermanisë. “Me zgjedhjen time deputet i Kielit, shqiptarët do ta kenë adresën direkte të paraqitjes së problemeve të ndryshme, të përditshmërisë, por edhe avansimin politik si komunitet”, tha Oroshi.

Ai premtoi se përveç me problemet e mërgatës do të punojë edhe në fuqizimin e politikës së Gjermanisë me atë të Kosovës. “Kam mundësi që përveç problemeve të mërgatës të ndimojmë dhe fuqizojmë politikisht edhe kontaktet me komunat e ndryshme në Kosovë, si në aspektin e ngritjes politike, por edhe sjelljen e investitorëve nga Gjermania në Kosovë”, premton Oroshi.

Oroshi tha se personalisht do të shërbejë si urë lidhëse në mes politikës gjermane dhe asaj shqiptare.”Unë do të punoj që në të ardhmen të kemi më shumë bashkëpunime të ndërsjella në mes qyteteve gjermane si dhe qyteteve shqiptare në përgjithësi, e sidomos do të mundohem që t’i koordinoj politikat lokale që në të ardhmen shumë politikanë lokalë të kenë kontakte me kolegët e tyre në Gjermani dhe ta mësojnë sistemin e qeverisjes gjermane”, shkruan Prizrenpress.

Berberi shqiptar, në Kanë me Paris Hilton

Ludovik Tunaj është  një stilist shqiptaro-zviceran flokësh i njohur nga Rohr-i i kantonit Argau. Por më i njohur Ludoviku është bërë pasi në facebook dhe pastaj edhe në medie tjera, janë shpërndarë fotografitë e tij nga Festivali i Filmit në Kanë. Në to ai shihet në takime mjaft të afërta me yje filmi dhe vip-a të tjerë.

Fotografitë e tij me trashëgimtaren e milionëve, Paris Hlton kanë bërë bujë më të madhe në medie. Aty duket Tunaj bashkë me milioneren e njohur, duke mbajtur një kek me pamjen e flamurit shqiptar .

Ndërkaq, në facebook-un e tij, berberi shqiptar nga Zvicra ka sjellë rrëfime për atë se si ka vallëzuar me Paris Hilton dhe se si për këtë ka xhelozuar i dashuri i saj, River Viiperi 21 vjeçar. Por, Ludoviku i ka thënë Viiperit se nuk duhej të brengosej pasi që ai në të vërtetë me Paris Hilton kishte vetëm shoqëri dhe asgjë më shumë, etj. etj.

Shqiptari i pashëm dhe shumë komunikativ, Ludovik Tunaj, në Festivalin e Kanës ishte me misionin për të reklamuar firmën e njohur të stolive Chopard.

Gjatë këtyre ditëve ai ka bërë rreth 200 fotografi në qilimin e kuq të festivalit, me persoalitete të njohura, të filmit shoubiznesit etj.

Lavdija, shqiptarja që “ka në duar” këmbët e Lewandowskit & CO

Shputat e këmbëve te shumica e njerëzve nuk paraqesin diçka veçanërisht të rëndësishme. Por ka një numër njerëzish të cilët pikërisht me këmbët e tyre fitojnë shumë para. Për shembull yjet nga Borussia Dortmund (BVB) si Robert Lewandowski dhe Kevin Grosskreutz. Dhe pasi që këmbët e futbollistëve ngarkohen shumë dhe shumëçka varet nga funksionaliteti i tyre për to nevojitet kujdes i veçantë. Eh, pikërisht këtu “hyn në lojë” Lavdije Murati, gruaja pedikyriste që përkujdeset për këmbët e yjeve të BVB.

Të jemi të qartë: As Lavdija nuk mund të na thotë se a do të ikë Lewandowski nga BVB dhe nëse po, ku do të shkojë. Sepse edhe sikur ai fare do t`i tregonte asaj, pedikyristja simpatike, normalisht se nuk do ta dekonspironte. Ajo, natyrisht, nuk nxjerr jashtë asgjë në lidhje me çështjet e brendshme të lojtarëve “të saj”.

Vetëm kaq: “Ata janë që të gjithë vërtetë të mirë, shumë të mirë”, thotë shqiptarja nga Kosova, e cila jeton prej dhjetë vitesh në Gjermani ndërsa para kësaj, për gjashtë vite ka ushtruar profesionin e saj në Spanjë. “Kozmetika, pedikyrizmi dhe makijazhi”, i përshkruan ajo fushat e punë së saj.

Prej tri vitesh kosovarja, krahas klientëve “normalë” përkujdeset edhe për çunat e BVB. Prindërit e Lavdijes jetojnë prej një kohe shumë të gjatë në Gjermani, kështu që edhe ajo e kishte oarë normale të “aterronte”  në Dortmund. Por si lindi kontakti me BVB? “Një lojtar i BVB ishte atëbotë klient në studion e kozmetikës ku punoja unë. Ai më tha se në BVB po kërkonin dikë të këtij profesioni” kujton Murati. Pastaj ajo njohu Klaus Kraft-in, shefin e shërbimit mjekësor.

Nga tetori i vitit të kaluar, 37 vjeçja atraktive mban edhe një lokal në Lünen. “Unë kam një lokal edhe në Dortmund, ndërsa në qendrën e trajnimit të BVB-së  është edhe një ambient i rezervuar për mua”. Por a është ajo tifoze e BVB-së? “Klubi është i mrekullueshëm. Por në fakt unë nuk kam fare ide për futbollin. Kur vijnë lojtarë të rinj unë shpesh nuk i identifikoj dot edhe pse ata janë tashmë të njohur”, thotë ajo. Ndoshta këtu dhe është fshehtësia e saj: Lavdija i lë lojtarët në qetësi, nuk i bezdis ata me kërkesa për autografe. “E gjithë puna që bëj është profesioni im i ëndrrave. Puna me BVB më jep kënaqësi. Për mua lojtarët janë njerëz krejtësisht normalë dhe të mirë”, thotë ajo.

 

Një doktor shqiptar i shkencave kompjuterike në Suedi

Ilir Jusufi tashmë ka titullin doktor shkence (Ph.D.) i shkencave kompjuterike që nga 7 qershori, 2013.

Ai prezantoi temën e tij të titulluar “Rrjetet Multidimensionale – Teknikat e Visualizimit dhe Ndërveprimit” (Angl. “Multivariate Networks – Visualization and Interaction Techniques”) para një komisioni të profesorëve internacional.

Oponent ishte Prof. Dr. Jessie Kenedy nga Edinburgh Napier University në Skotlandë. Në përbërje të komisionit ishin dy profesor nga Suedia, Prof. Dr. Marcelo Milrad nga Linaeus University dhe Prof. Dr. Mikael Jern nga Linköping University si dhe Prof. Dr. Hans Hagen nga Techniche Universität Kaiserslautern në Gjermani. Mbrojtja u moderua nga Prof. Dr. Arianit Kurti nga Linnaeus University.

Ai kreu studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Studimet master dhe të doktoraturës i vazhdoi në Växjö të Suedisë, përkatësisht në Linaeus University ku edhe kishte punuar si asistent në disa lëndë në fakultetin e shkencave kompjuterike si dhe kishte marrë pjesë në mentorimin e disa temave të studentëve.

Gjatë studimeve në Suedi, Dr. Jusufi kishte publikuar dhjetëra artikuj në gazeta dhe konferenca të ndryshme shkencore internacionale si dhe kishte marrë pjesë në seminare dhe vizita shkencore në vende te ndryshme: SHBA, Gjermani, Angli, Austri, Spanjë dhe Suedi.

Dr. Jusufi, përpos tjerash gjithashtu ka fituar edhe shpërblimin e punimit më të mirë në konferencën për Analizë Vizuale të të dhënave (VDA’12) ne Burlingame te SHBA-ve.

Aktivitetet e mëtutjeshme shkencore, të dr. Jusufit  do të vazhdojnë në UC Davis në Kaliforni të SHBA-ve ku do të punojë si hulumtues post-doktoral për visualizimin e punës së super kompjuterëve.

Dr. Jusufi është me origjinë nga fshati Raincë, një fshat i komunës së Preshevës. Ai momentalisht jeton dhe punon me familje në Suedi, nga ku do të vazhdojë karrierën shkencore dhe akademike në SHBA.

20.06.2013

Më shumë mikpritës sesa drejtor

Si tetëvjeçar erdhi nga Kosova në Zvicër dhe ndoçi shkollën për herë të parë këtu. Njëzetë vite më vonë, në qershor 2012, ai u bë drejtor i hotelit superior  me katër yje „Waldhotel Davos“. Bardhyl Coli është një ndër drejtorët më të rinj të hoteleve luksoze zvicerane, edhe pse edhe në hotele të tjera të nivelit të lartë gjithnjë e më shumë ligjin po e merr në dorë gjenerata e re. Marketingu thjeshtohet duke pasur parasysh faktin se hoteli – atëherë ishte një sanatorim mushkërish – ishte shkas për lindjen e romanit „Bregu magjik“ të Thomas Mann-it. Por, me magji s’ka të bëjë fare karriera vetëtimë e drejtorit të ri të hotelit e as rangimi i ngritur i ndërmarrjes. Coli i zellshëm nuk dëshiron ta theksojë posaçërisht as  të kaluarën e tij të vështirë si fëmijë i një familjeje me prejardhje shqiptare e as  rrugën e rrëpirtë të ngritjes së tij profesionale. Por vlerën e arritjes së tij të jashtëzakonshme për marketingun dhe mediet ai i njeh mirë.

Me qëllim të qartë parasysh

Bardhyl Coli është i vetëdijshëm se ambicja dhe gatishmëria për rezultate e sollën në krye të hotelit rrëzë malit në Davos. „Dhe fati ishte natyrisht aty“, shton ai. Pronarin gjerman të hotelit ai arriti ta bindë me pasionin për profesionet e tij, të cilat ai i kupton pakompromis si shërbime. 29 – vjeçari filloi karrierën e tij në vitin 2000 me mësimin e zanatit të shërbimit hotelier. Tri vite shërbeu në këtë zanat dhe njëkohësisht u aftësua më tej për shërbyes verërash. Pastaj absolvoi edhe mësimin e zanatit të dytë si kuzhinier. Nga bodrumi i verërave dhe kuzhina kaloi në recepcionin e një hoteli  « wellnes » («  i të niderit mirë ») para se më 2008 ta marrë diplomën e hotelierit në Shkollën e Profilizuar për Hoteleri Belovierpark në Cyrih. Më pastaj ndodhi një transfer jashtë vendit në hotelin « Berlin Mitte » të zinxhirit hotelier NH. Këtu Coli punoi si zëvendësdrejtor dhe ishte përgjegjës për 120 të punësuar.

Në hotelin e vogël „Waldhotel“ me 46 dhoma ai varësisht nga sezoni udhëheq me 35 deri 50 të punësuar. Këtu ka shansin që ta zbatojë filozofinë e tij, thotë drejtori i hotelit. Sharmi i një   „boutique- hoteli“ të mundëson që mysafirët, ndryshe nga një hotel i madh, t’i shërbesh individualisht. Ai mbështetet në moton e „befasimit të klientit“, me çka synon që hotelin e tij ta lartësojë në krahasim me konkurrencën. Ndoshta për këtë arsye në vizitkartën e tij nuk shkruan „drejtor“, por „mikpritës“. Kjo s’ka të bëjë me servilizëm, thotë Coli. Me këtë ai dëshiron shumë më tepër të sinjalizojë se mysafiri merret seriozisht parasysh me të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij. Vërtet të befasuar janë shumëkush, kur në një hotel luksoz ju qëndron përballë një shefi kaq të ri.(…)

Nga personeli hotelieri i ri, i vendosur dhe dinamik kërkon shumë. Secili në domenin e vetë të përgjegjësisë duhet të tregohet si mikpritës. Qëllimi është „të ofrohet shërbim personal dhe komoditet i shkallës më të lartë“. Kështu dhe në fjalë të ngjashme shkruan edhe në  fletëpalosjet me vizionin e hotelit, parimete tij bazë dhe parimet e mënyrës së udhëheqjes së tij, të cilat mund t’i marrë në xhep edhe secili mysafir i hotelit.  Që Coli dhe ekipi i tij që në vitin e parë patën sukses me këtë kredo nuk flet vetëm numri i shtuar i mysafirëve. Në rangimin e 100 hoteleve më mikpritës të Zvicrës, hoteli „Waldhotel“ renditet i 9-ti në kategorinë e tij. (…)

„waldhotel“ nuk dëshiron të mbetet i veçantë vetëm përmes të kaluarës së tij me sanatoriumin apo të Thomas Mann-it, por në radhë të parë përmes mikpritjes së tij.

Përkthimi nga NZZ: Nexhmedin Gerguri

27.06.2013

Osman Sadiku, deputeti më i ri shqiptar në nivel kantonal

Komuniteti shqiptar i Zvicrës, nga 26 qershori ka edhe deputetin e katërt shqiptar në nivel të parlamenteve kanonale. Osman Sadiku, nga partia Socialdemokrate ka dhënë të mërkurën betimin solemn në Parlamentin e Kantonit të Glarusit, ku ai deri në fund të mandatit do të ketë vendin e deputetit (këshilltarit).

Para tij, në Zvicër veprojnë tre deputetë në kantone të ndryshme. Fjala është për Zari Xhaferin, në kantonin e Zug-ut, Ylfete Fanaj, kantoni i Lucernit dhe shqiptaro-zvicerani Etrit Hassler në Kantonin St. Gallen. Të tretë përfaqësojnë Partinë Socialdemokrate. Ndërsa në përgjithësi, deputeti i parë shqiptare në nivel kantonal ka qenë zgjedhur në vitin 2006 Osman Osmani, në Kantonin e Schaffhausenit.

Osmani, specialist i migracionit, me banim prej 18 vitesh në Zvicër. Nga Kosova, komuna e Kamenicës, ai ka ardhur si inxhinier i elektroteknikës. Ndërsa në Zvicër ka punuar për rreth 14 vite në Kryqin e Kuq, në Glarus. Këtu ai ka akumuluar përvojë të çmueshme në fushë të punës me të huaj dhe me njerëz në nevojë. Kjo dhe angazhimi i tij në aktivitetet shoqërore, e ka sjellë atë natyrshëm në kontakt me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës.

Në ditët e ardshme albinfo.ch do ¨të publikojë një intervistë me deputetin e ri, Osman Sadikun.

28.06.2013

Elhaida Dani, me album të ri

Këngëtarja me origjinë nga Shkodra për adhuruesit ka sjellë këngën “Baciami e Basta”, e shkruar posaçërisht për të nga Francesco Silvestre, i grupit „Moda“.

Me këtë këngëtar dhe autor Elhaida u ngjit në skenën e emisionit “The Voice of Italy”, me një duet të magjishëm.

Pas sukseseve në Shqipëri, ku ajo ka marrë çmimin Artistja e re më e mirë në edicionin e 9-të të “Top Fest”, dhënë nga fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” dhe e çmimit të madh po në këtë edicion, karriera e Elhaidës mori hov në Itali pas fitores së saj në spektaklin e talenteve ‘The Voice Of Italy’.

 

Shqiptarja përfaqëson Belgjikën në Miss Asia Pacific

Shqiptarja që mban titullin Miss Benelux, Adelina Berisha është përzgjedhur Miss Asia Pacific World Belgium dhe ajo do të përfaqësojë Belgjikën në këtë kompeticion të bukurosheve.

Adelina është 18 vjeçare dhe është kandidatja më e re për këtë spektakël të madh. Stafi menaxhues i Adelinës është i bindur se Miss Benelux do ta bëjë më të mirën nga ana e saj.

Miss Asia Pacific World është një garë e një rëndësie të veçantë, ku Adelina mund të ndërtojë një karrierë shumë të mirë, shkruan agjencia Ina.

Adelina gjithashtu në fund të muajit gusht do të qëndrojë në Itali, ku do të marrë pjesë në konkursin e modelimit “The Look Of the Year”, e më pas në muajin tetor do të niset për në Kore.

06.07.2013

Arbër Bullakaj – Menaxher, politikan dhe Idealist

I veshur me kostum, Arbër Bullakaj është ulur dhe pret në kafene. Ai posa ka vizituar disa klientë të firmës së tij të konsultimeve. Në fytyrën e tij bie në sy një dinamizëm i përzier me seriozitet. I riu 27 vjeçar e flet në mënyrë të përsosur dialektin (schweizerdeutsch). Por, ngjyra e mbyllur e lëkurës, flokët dhe sytë e zinj, të bëjnë të konstatosh shpejtë se ai nuk është zviceran nga lindja.

Arbër Bullakaj është i lindur në Kosovë dhe ka ardhur me familjen në Zvicër kur ka pasur tetë vjet. Sot ai gjendet në Parlamentin e qytetit të Wilit dhe synon të bëjë disa ndryshime.

Në këtë parlament, anëtari i SP-së, Arbër Bullakaj është zvicerani i parë me prejardhje të huaj, që ka mundur ta realizojë një sukses të tillë politik. Dhe kjo ka ngjallur reaksione të bujshme në Wil. Sipas njërës palë,  fjala ishte për një rimëkëmbje dhe freskim. Ndërsa për palën tjetër ishte e paimagjinueshme që një ulëse në parlament do t`i takonte një njeriu të lindur në Kosovë.

“Brenda Parlamentit të Qytetit kam marrë shumë reagime pozitive”, thotë Arbër Bullakaj. Gjatë fushatës zgjedhore ai u kishte premtuar zgjedhësve te tij se do të avokonte për integrimin e të huajve dhe për promovimin e të rinjve. Dhe, tash Arbri ua lë veprave vendin e fjalëve.

Ai është bashkëthemelues i shoqatës “Fair Wil”. Synim i organizatës është reduktimi i paragjykimeve dhe vendosja e kontakteve ndërkulturore.

“Por ne synojmë po ashtu që të bëhemi pikë kontakti për çdo preokupim të mundshëm të emigrantëve. Në radhë të parë për plotësimin e formularëve”, thotë Arbër Bullakaj, i cili është dhe bashkëkryetar i shoqatës. Me veprime të tilla, bëhet shumë më tepër se sa një ofrim i thjeshtë shërbimi. Ky është një gjest aktiv për t`i mirëpritur njerëzit  dhe për t`ua krijuar atyre ndjenjën e të qenit në shtëpi të tyre.

Klishenë se pjesa më e madhe e të huajve nuk kanë interesim për tu përfshirë dhe për tu integruar e kundërshton Arbri: “Unë njoh këtu shumë të huaj ashtu si dhe shumë zviceranë. Të gjithë këta munden të jetojnë bashkë me njëri tjetrin dhe jo vetëm krahas njëri tjetrit.

Në një lagje të qytetit Wil, përbërja e të huajve është e lartë ndërkohë që në tjetrin mbizotërojnë të rinjtë zviceranë. Kjo bën pastaj që të mos ketë këmbim multikulturor. “Në raste e tilla është me rëndësi ngritja e urave. Para të gjithëve te rinjtë duhet ta kenë shansin që të mësohen me jetën në një përzierje kulturash të vendeve të ndryshme”.

Por, Bullakaj mbetet realist. Integrimi “nuk mund të bëhet duke detyruar dikë me `çekiç druri` por duhet të arrihet me takt, butësi dhe angazhim”. Te vetë ai, integrimi ka qenë një proces krejtësisht i natyrshëm. Familja e tij mendjehapur i ka lehtësuar atij shumë punë.

“Duhet të jesh i hapur dhe kureshtar për të njohur kultura të reja”.

Arbër Bullakaj është menaxher, politikan dhe idealist. “Është me rëndësi të integrohesh. Por pa e mohuar me ketë rast identitetin tënd”, thotë ai.

Rilinda dhe Donjeta, kandidatet shqiptare për Parlamentin e Austrisë

Në zgjedhjet parlamentare në Austri, më 29 shtator konkurrojnë mbi 2000 kandidatë nga 14 parti gjithsej. Ky numër është me i madh se në zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me faktin se partitë në radhët e veta kanë emëruar kandidatë edhe nga emigracioni.

Përderisa gjenerata e parë e emigracionit pati vështirësi me nostrifikimin, integrimin dhe adaptimin, gjenerata e dytë edhe pse në numër jo të mjaftueshëm. po arrin gradualisht të marrë përgjegjësi në drejtimin e jetës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme kemi një numër të kandidateve që vijnë nga viset shqiptare si: Donjeta Krasniqi nga (SPÖ) dhe Rilinda Rexhepi nga (ÖVP)

Donjeta Krasniqi e cila kandidon për Partinë Socialiste të Austrisë (SPÖ) është 24 vjeçare, studente e Fakultetit Juridik në Linz, ka emigruar si dy vjeçare me prindërit e saj nga komuna e Pejës. Ajo gjendet në listën Federale të SPÖ-s në numrin 29, kurse në listën e Landit të Austrisë së Epërme me numrin 11. Është kandidatja me e re në moshë dhe brenda partisë së saj Donjeta e gjen veten në krahun e majtë.

Rilinda Rexhepi kandidon për Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ka përfunduar shkollën e lartë ekonomike, është drejtoreshë e kompanisë REX. Rilinda ka emigruar si 8 vjeçare nga komuna e Prizrenit. Ajo gjendet në listën e ÖVP-s me numrin 32. Si drejtoreshë, Rilinda është konservative dhe i përket krahut të djathtë.

Fushatë e përbashkët e kandidatëve në Steyr dhe Kirchdorf

Pas fushatave që kandidatet kanë pasur në Linz, shoqata “Mërgimi” nga Steyri me kryetarin e saj Miftar Zagragja dhe shoqata “Albafol” nga Kirchdorfi me kryetarin Ymer Aliu organizuan tubime me bashkatdhetarë nga këto anë për të ndihmuar fushatën zgjedhore të kandidateve.

Shoqatat thanë se do të angazhohen maksimalisht për të ofruar mbështetjen e kandidateve dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre që të votojnë për kandidatet shqiptare, duke besuar që ato do të angazhohen seriozisht për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë.

Në emër të shoqatës Miftar Zagragja tha se ”ne do të mobilizojmë anëtarësinë për të ju votuar, por njëkohësisht ne kemi edhe kërkesat tona. Kërkojmë nga ju që, nëse hyni në Parlament të angazhoheni në riformulimin e ligjit për aplikimin e vizave për të martuarit dhe fejuarit nga Kosova. Jemi i vetmi shtet në Evropë që jemi të kufizuar me moshën 21 vjeçare për të marrë vizën”.

Ndërsa Zoti Aliu nga shoqata ”Albafol” duke iu drejtuar dy kandidateve tha se ”është i lumtur dhe krenar që më në fund edhe nga komuniteti ynë dalin kandidatë seriozë për Parlamentin Austriak. Shpresoj shumë që programet e juaja dhe puna e juaj, të na ndihmojnë në ruajtjen e identitetit. Ne do të bëjmë të pamundurën që të sensibilizojmë anëtarësinë tonë për të ju votuar juve. Kërkesa e jonë është ndalja e diskriminimit në shkolla dhe punë, duke ju afruar mundësi të barabarta secilit nga ne”.

Publicisti Ramiz Selimi ju tha kandidateve se ”për komunitetin tonë nuk është aspak me rëndësi se për cilën parti ju garoni. Për ne është me rëndësi dhe jetike të na tregoni hapur se, a e keni mbështetjen dhe hapësirën e nevojshme nga partia, të merreni seriozisht me problemet dhe hallet tona? Neve nuk na duhen kandidatë vetëm sa për sy e faqe. Ne kemi nevojë të jashtëzakonshme në angazhimin e juaj të pa rezervë në rritjen e numrit të atyre që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, nga 6% tani në 50% në vitin e parë, e pse jo pas dy viteve në 80%. Elektorati i juaj është komuniteti shqiptar, ju duhet t`i kontaktoni ata, ti bindni për programet dhe qëllimet e juaja sepse vetëm ata mund të ju dërgojnë në parlament, e jo programi i Partisë.

Ftoj të gjithë komunitetin shqiptar në Austri të shfrytëzojë drejtën e votës, duke votuar motrat tona. Ne në Austri të Epërme jemi një numër i mjaftueshëm shqiptarësh për të ju mundësuar atyre hyrjen në parlament”.

Programi i Donjeta Krasniqi

Pastaj kandidatet shpalosen programin e tyre, duke filluar me Donjeten, e cila tha se, do të angazhohet për azilkërkuesit, që, pas kërkesës për azil dhe pritjes gjashtëmujore tu lejohet e drejta e punës. Ajo e kujton periudhën trevjeçare të babait të saj si të papunë dhe vështirësitë e shumta që atë kohë hasën. Nuk është  njerëzore dhe në dinjitetin e njeriut që t`i pamundësohet dikujt të drejtojë vetë jetën dhe fatin e vet tha ajo, çdo azilkërkues pa marrë parasysh se nga vjen duhet të punojë dhe të financojë vet jetën e vet.

Përvojat e saj në arsim gjatë shkollimit të saj nuk janë më të mirat, ka raste kur është ndier e diskriminuar, ajo dëshiron që këto dukuri t`i minimizojë në shoqërinë austriake. Donjeta tha: “Si e re dhe emigrante kam përjetuar se si sistemi shkollor ka provuar të më nxjerrë jashtë binarëve të tij. Sistemi ynë shkollor provon që t`i ndajë fëmijët si egjrën nga gruri dhe kjo është gabim. Për këtë arsye kam konstatuar se mund të ndryshoj diçka vetëm nëse luftoj vetë kundër saj”.

Si çështje tjetër të cilën do ta ngrehte në parlamentin e vendit, në rast se do të zgjidhej, ajo thotë se do t`i ndihmonte familjet që kanë studentë, duke ju dhuruar atyre ndihma familjare deri në moshën e 26 vjeçare. Kjo ndihmë ka qenë praktikuar më parë por ndërkohë është hequr. Siguria sociale është temë jetike për studentët, thotë ajo.

Programi i Rilinda Rexhepit

Rilinda Rexhepi tha se nuk do ta lexojë programin e Partisë Popullore (ÖVP) siç bëri kundër kandidatja, por do të përqendrohet në prioritetet e saj për komunitetin shqiptar.

“Duke e parë rrezikun potencial të asimilimit, unë prioritet numër 1, kam vendosur arsimin plotësues të gjuhës shqipe. Pse? Pasi që vetë vij nga një familje si shumica e familjeve tjera kosovare, gjatë shkollimit tim kamë arritur ti identifikoj problemet që unë hasa. Shumë fjalë që flisnim në familje nuk gjendeshin në fjalor, ato fjalë që nuk i kuptoja gjermanisht nuk mund t`i përktheja në formë korrekte për shkak të mungesës së gjuhës letrare. Është jetike për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre, që së pari ta mësojnë gjuhën shqipe mirë, pastaj nuk do të kenë pengesa në mësimin e gjuhës gjermane dhe shkollimin e dëshiruar. Do të bëj të pamundurën që mësimin shqip ta bëjmë obligues në Austri. Unë, nëse zgjidhem deputete, do të angazhoj një ekip në terren, duke kontaktuar të gjitha familjet shqiptare që kanë fëmijë, për t`i bindur ato për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe.

Pika e dytë në programin tim është integrimi i shëndoshë dhe pa rrezik asimilimi në shoqërinë austriake. Kur them integrimi mendoj në kyçjen dhe marrjen pjesë të komunitetit tonë në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga subvencionet e deri te vendimmarrja. Këtu nuk është punuar sa duhet deri me sot, nga ata që kanë pasur përgjegjësinë e integrimit, me anashkalimin e komunitetit tonë. Me ardhjen time në Parlament këto gjëra do të ndryshojnë, sepse ne meritojmë shumë më shumë, se kaq.

Prioritet i tretë është kontaktimi i trurit nga komuniteti ynë në Austri, për t`i inkurajuar ata në bërje të biznesit. Unë do të jem në shërbim të tyre, kam informacione se një numër i bashkatdhetarëve është mirë i kualifikuar, por ata janë të detyruar të bëjnë punë tjera, në mungesë të informacionit. Unë do të jem krahu i fortë i tyre, që ata të guxojnë të formojnë kompani, pse jo pas një kohe të bëjnë edhe partneritet me kompanitë nga vendlindja”.

Dy kandidatet kërkuan njëzëri daljen e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin e tyre.

Votuesit duhet të kenë parasysh se nëse votojnë për Donjetën, duhet të votojnë Partinë SPÖ dhe poshtë shënohet emri i Donjeta Krasniqi, kurse ata që duan Rilindën votojnë Partinë ÖVP dhe poshtë shkruajnë emrin Rilinda Rexhepi.

Ramiz Selimi

 

16.09.2013

Shqiptari hap klubin më të bukur në Zvicër

Një sound-sistem të markës Void për më tepër se 300 mijë franga. Një pamje mbi gjithë qytetin e Winterthur-it, i dyti për nga madhësia në kantonin e Cyrihut, dhe me mobilim të dizajnerit anglez Paul Smith, në katin e 7 të pallatit „Claudia House of Sound“, më 28 shtator me një eveniment të madh hapet klubi i nivelit të lartë „The View“, me menaxher shqiptarin Dardan Hajdaj.

Kështu e përshkruan hapjen e klubit më të bukur të Zvicrës gazeta me tirazhin me të madh në këtë vend, 20min. „Rregullimi i klubit në fakt është shumë eksplicit- mirëpo ky nuk është klub vetëm për shtresën elite, por për tërë regjionin“, thotë  Dardan Hajdaj, që me përkrahjen e Royal Döner, ka investuar mbi 1 milionë franga në këtë klub.

Ai nuk do të kursejë as në shfaqjen e programit; „Ne do të angazhojmë edhe DJ të vendit dhe ndërkombëtarë në klubin që ofron plot 250 vende për të rriturit e moshës mbi 21 vjet.

I kontaktuar përmes telefonit nga albinfo.ch, 24 vjeçari nga Peja, Dardan Hajdaj, tregon me një shqipe të rrjedhshme se është i diplomuar në gastronimi dhe ky është profesioni që e ka për zemër. Ndërsa në Zvicër thotë se ka ardhur si fëmijë fare i vogël.

B.D.

Hobi në fotografi e bën yll shqiptarin

28-vjeçari me origjinë nga Kumanova e Maqedonisë bën fotografi qe 10 vjet në Zvicër. Por, në shtator ai ka arritur kulmin në karrierë duke qenë mysafir i Fadil Berishës, fotografit të njohur të konkursit të bukurisë Miss Universe dhe Miss SHBA.

“Fadil Berishën e kam shoqëruar për 1 javë në New York në çdo klik të aparatit të tij. Kam mësuar shumë nga ai, sidomos rreth planifikimit profesional për fotografi (shooting). Nga afër e kam parë se si shkojnë punët atje në New York, ku është edhe bota e artit të fotografisë”, tha në një prononcim për albinfo.ch fotografi Admir Saiti, pas kthimin nga New Yorku.

Admiri në New York ka realizuar disa fotografi profesionale në shoqërim me Fadil Berishën.

Fotografi nga Zvicra kishte bërë fotografi me Misin e Kosovën, Diana Avdiu, pastaj me Myriam Schöpf, modelen e njohur nga firmat e njohura, si Emmi Trumpf.

Ai është kthyer me përshtypje të mira nga Nju-Jorku. “Atje në New York shumë njerëz shprehnin dëshirën për të ndihmuar. Ne e kemi edhe Cyrihun që është njëri nga qytetet e mëdha, po si New Yorku ende nuk kam përjetuar”, thotë Saiti.

Fotografi shqiptar ishte impresionuar atje me njërin prej spektakleve të modës të disenjatores së njohur të modës Sherri Hill në Trump Tower. Admir Saiti është fotograf shumë i njohur dhe i kërkuar në Zvicër.

“Suksesi më i madh imi janë edhe 4 seritë e fotografive të realizuara për “Swarovski” dhe njëra prej tyre është zgjedhur për katalog”, tha Admiri.

Admiri ka realizuar foto të bukura dhe artistike, por njëkohësisht ka punuar dhe punon edhe me modele të njohura.

Dalëngadalë nga hobi fotografimi po i bëhet profesion kumanovarit në Zvicër. Ai është shumë aktiv në fushën e modës, spektakleve të bukurisë dhe reklamave. “Do ta perfeksionoj punën time me fotografi që një ditë hobin ta shndërroj në profesion”, tha Admiri, i cili është menaxher i shitjes në një firmë zvicerane të distribuimit.

27.09.2013

Albana Shabani, rrëmben kurorën e më të bukurës në Schwarzwald

Më e bukura vajzë e Schwarzwaldit vjen nga lokaliteti Triberg. Ajo quhet Albana Shabani, është 17 vjeçe, ka gjuhë amtare shqipen dhe po mëson tashmë gjuhën e pestë. Albana është zgejdhur pak ditë më parë nga një juri 13 anëtarëshe në Bad Peterstal-Griesbach Mis Schwarzwald, duke mbetur edhe vetë e befasuar me zgjedhjen.

Me flokët e saj të zeza dhe me buzëqeshjen rrezatuese ajo ka bërë për vete jurinë duke bërë që Albana të fitonte me një dieferencë të madhe pikësh në krahasim me kandidatet tjera. Me këtë fitore ajo është kualifikuar për të bërë garë për kurorën e më të bukurës në landin Baden Württemberg dhe për atë të Gjermanisë Jugore.

Në parakalim Albana ka dalë e shoqëruar nga motra e saj më e madh. Ndërsa e ëma, nuk kishte mundur të ishte e pranishme por flet me entuziazëm për të pas suksesit të së bijës.

Për bartësen e re të kurorës Miss Schwarzwald, familja ka rëndësi shumë të madhe . “Ajo më mbështet shumë dhe sikur të mos e kisha këtë mbështetje unë nuk mund ta bëja këtë”, thotë Albana e cila është një ndër pesë fëmijët e familjes Shabani.

Misi i ri i Schwarzwaldit është duke ndjekur mësimet në gjimnazin ekonomik në Furtwangen dhe qysh si e vogël kishte ëndërruar të fitonte në një garë për mis.

Si nxënëse e rregullt që është, ajo menjëherë pas garës ka vazhduar për në shkollë, ku suksesi i saj nuk ka mbetur pa u vënë re. Edhe drejtori i gjimnazit ia ka uruar titullin dhe është zotuar se në garën e ardhshme do të jetë pranë saj për ta përkrahur. Albana në asnjë mënyrë nuk mendon të braktisë shkollën për shkak të angazhimit si mis Schwarzwald, shkruan südkurier.de. në vitin 2015 ajo do të bëjë abiturën dhe pastaj të fillojë studimet. Aktualisht është duke mësuar gjuhën e pestë, spanjishten. Ajo e zotëron gjuhën e prindërve, shqipen dhe veç saj edhe gjermanishten, anglishten dhe frëngjishten.

Më 8 janar të vitit 2014 Albana Shabani do të marrë pjesë në garën për Mis Gjermania Jugore që do të mbahet po ashtu në Bad Peterstal-Griesbach.

28.09.2013

Shqiptari që solli në Gjermani 400 mjekë nga Ballkani

Kërkesa për mjekë në Gjermani është shumë e madhe. Sidomos në vendet rurale dhe në periferi ka mungesë të madhe mjekësh. Këtë gjendje e kanë identifikuar agjencitë për rekrutimin e mjekëve nga jashtë, të cilat po bëjnë biznese të mira në këtë drejtim. Në veçanti në Evropën e lindjes dhe atë të juglindjes.

Qerim Shkreli, i diplomuar në shkencat e sportit, nga viti 2010 udhëheq një agjenci për ndërmjetësim personeli. Shkreli i doktoruar në Heidelberg, ka ndërruar ndërkohë profesionin e tij dhe ndihmon mjekët, dentistët, inxhinierët, fizioterapeutët, farmakologët, infermierët etj. që të nisin një fillim të ri në vendin e ri, në Gjermani. Dhe interesimi është i madh.

Ai thotë se vetëm në aktivitetin e parë informativ të zhvilluar në Tiranë kanë qenë të pranishëm 650 mjekë. Sot, ai përkujdeset për 1200 persona të kësaj kategorie, thotë Shkreli për gazetën Frankenpost. Ata vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia. Ai i ka ndërmjetësuar deri më tash rreth 400 mjekë në spitale të ndryshme në gjithë Gjermaninë, gjysmën e të cilëve në Bavari.

Thotë se mban kontakte me 30 deri 40 klinika.

Nuk kanë qenë arsyet financiare ato që e kanë shtyrë shqiptarin nga Kosova të hapte agjenturën. Gjatë pushimeve në Shqipëri atij po i rrëfente një mjeke shqiptare me sy që i shkëlqenin nga gëzimi se si ka paguar “vetëm 25 mijë euro” mitë për të zënë një vend pune që ia mundëson specializimin.

“Ajo shprehej e lumtur pasi që, ndryshe, për një gjë të tillë mund të paguante deri në 50 mijë euro”. Diçka e patolerueshme, thotë Shkreli. Nga ai moment ai mori vendimin të ndihmonte mjekët e rinj.

Klientët e tij tashmë marrin një paketë të plotë shërbimesh. Agjencia merr përsipër kryerjen e të gjitha procedurave për pranim në punë, si për lejen profesionale, njohjen e diplomës në mjekësi dhe për lejen e qëndrimit.

Shkreli kujdeset në radhë të parë edhe për strehimin e klientëve të tij dhe për kurset e gjuhës. Ai thotë: “Ata që vijnë përmes meje, janë të aftësuar në njohjen e gjermanishtes, njohin rregullat, ligjet dhe kulturën si dhe janë të gatshëm për të punuar ne mjekësi”. Mësimi i gjermanishtes për të është në maje të prioriteteve.

Shefi i agjencisë ka plane edhe më të mëdha për të ardhmen. Dëshiron të ngrejë një institut gjuhësor, në Stadt Hof, thotë Shkreli. Është duke kërkuar objekte të përshtatshme, zbulon ai. Ato objekte duhet të kenë vend për mbajtjen njëkohësisht të së paku dhjetë kurseve. Këtu klientët e tij do të përmirësonin gjermanishten e tyre në mënyrë të specifikuar.

Dhe ky nuk do të ishte instituti i parë i tij gjuhësor. Në Kosovë dhe në Shqipëri Shkreli tashmë drejton disa akademi të tilla, në të cilat mjekët dhe personeli tjetër mjekësor, pastaj kujdestarët e pleqve dhe inxhinierët, marrin të ashtuquajturën Certifikatë B për gjuhën gjermane. Kusht minimal ky për të gjetur veten në Gjermani.

30.09.2013

Jakup Isufi, kryetar i ri i “Groupe suisses-étrangers”

Jakup Isufi, i lindur më 26 nëntor 1982, i natyralizuar me origjinë shqiptare, është bërë kryetar i ri i shoqatës së quajtur “Grupi zviceran dhe të huaj” në Moudon dhe rajon. I sapozgjedhur, emërimi i tij do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryetari aktual, Claude Vauthey, mbetët në radhët e kryesisë me mbikëqyrjen e sekretarisë së shoqatës, ndërsa Carmen Vouilloz vazhdon të kryjë detyrën e saj me titullin e zëvendëskryetares.

Pa dyshim se ky ndryshim do të sjellë energji të reja për grupin, në një kohë kur ekzistenca e shoqatave të tilla është esenciale, me që këto të fundit të paktën mundësojnë idenë e “të jetuarit së bashku”.

Linku për shoqatën “Groupe suisses-étrangers” në Moudon dhe rrethinë:  www.suetmo.ch / CV – 24 octobre 2013

 

Disa fjalë për Jakup Isufin

Jakup Isufi ka lindur më 26 nëntor 1982 në Kumanovë të Maqedonisë. Ai është punëtor i tregtisë në Romandie Energie Commerce SA. Tashmë kryetari i shoqatës “Groupe suisses-étrengers” në Moudon që nga viti 2004 ishte kryetar i Shoqatës Shqiptare në Moudon dhe rrethinë. I natyralizuar që nga muaji mars 2005, Jakup Isufi jeton në Moudon dhe mund të kontaktohet në këtë numër telefoni: 079 7776337.

29.10.2013

Nazim Rexhepi

Për Asamblenë Komunale të Lagnaus Rexhepi ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet edhe këtë herë. Politikani me prejardhje nga Kosova në një intervistë që i ka dhënë albinfo.ch tha se do të vazhdojë të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës. Rexhepi thotë se do të kandidohet edhe për zgjedhjet kantonale që do të mbahen në mars të 2014 në Bernë.

Albinfo.ch: Kur keni nisur të merreni aktivisht me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?

Nazim Rexhepi: Që në bankat shkollore, në Kosovë, më ka interesuar politika, ngase, siç thuhet: Edhe nëse nuk merresh me politikë, ajo merret me ty! Pas ardhjes në Zvicër më 1989 e kam parë se në një shoqëri demokratike vërtet ia vlen të jesh aktiv në politikë, aty ku merren vendimet e rëndësishme për qytetarët, e në rastin tonë edhe për emigrantët. Natyrisht, më është dashur të pres disa vjet, derisa e mora nënshtetësinë zvicerane.

Albinfo.ch: Përse jeni lidhur pikërisht me Partinë Socialdemokrate (SP)? Cili është profili dhe cila është fuqia e kësaj partie në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Partia Socialdemokrate e Zvicrës, por edhe partitë e tjera të majta, janë më të hapura ndaj të huajve dhe më të angazhuara në temat, si migrimi dhe integrimi i të huajve në shoqërinë zvicerane. Kjo parti udhëheq Komunën e Langnau-t tash e njëzet vjet (Kryetari i Komunës, z. Bernhard Antener, socialdemokrat, është tash e njëzet vjet në pushtet. Ai njëherësh është edhe kryetar i Parlamentit kantonal të Bernës).

Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë të angazhuar në këtë parti në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Për fat të keq, në Langnau nuk është asnjë shqiptar i angazhuar në politikë, përpos meje. Megjithatë, rreth zgjedhjeve angazhohen dhe, ata që kanë të drejtë vote, më votojnë mua.

Albinfo.ch: Prej vitesh jeni këshilltar i Komunës Langnau am Emental. Çfarë mund të veçoni nga angazhimi juaj politik që ka favorizuar qytetarët me origjinë të huaj dhe për shqiptarët në veçanti?

Nazim Rexhepi: Prej vitit 1993 jam fillimisht simpatizues, e që nga viti 2004 anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Më 03 nëntor 2013 me 715 vota të qytetarëve të Langnau-t u zgjodha për herë të tretë (2006 – 2009; 2010 – 2013 dhe 2013 -2017) anëtar i Asamblesë Komunale të Langnau-t. Në këto vite jam angazhuar jashtëzakonisht shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre emigrantët e komunës suaj ?

Nazim Rexhepi: Përveç shqetësimeve të përgjithshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, emigrantët i kanë edhe shqetësimet specifike, si shkalla më e lartë e papunësisë, vështirësitë në pranimin nëpër shkolla adekuate, ngritja e imazhit të tyre, etj. Ndonëse e them me krenari që vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë shqiptarë të punësuar në vende të mira pune, madje edhe në Komunë.

Albinfo.ch:  Na thoni sa janë aktivë shqiptarët si komunitet i huaj dhe sa janë të integruar në komunën tuaj? Cili është imazhi i shqiptarëve në këtë regjiion?

Nazim Rexhepi: Shqiptarët në komunën tonë nuk janë aktivë në politikë. Por, kemi sportistë të dalluar, si: Florent Hadergjonaj në futboll (Young Boys Bern), Alban Rexha në hokej mbi akull (luan për HC Langnau, në ligën kombëtare të Zvicrës), etj.

Albinfo.ch:  Në Langnau nga 10 mijë banorë, 10% janë të huaj. Të huajt me viza C a  kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje? Dhe a jeni angazhuar që kjo kërkesë e tyre të merret në shqyrtim në parlamentin e komunës suaj?

Nazim Rexhepi: Çështja e të drejtës së votimit për të huajt është një problem nacional në Zvicër. Në disa kantone tashmë aplikohet kjo e drejtë, ndërkaq Kantoni i Bernës, për fat të keq, ende nuk ia ka dalë t’i bindë qytetarët e vet që t’ua mundësojnë edhe bashkëqytetarëve të tyre emigrantë pjesëmarrjen në vendimmarrje demokratike.

Albinfo.ch:  A e sheh Nazim Rexhepi të ardhmen e vet si politikan profesionist?  A keni ambicie për zgjedhje në instanca më të larta?

Nazim Rexhepi:  Natyrisht, secili që merret me politikë ka ambicie të shkojë sa më lart. Në mars 2014 mbahen zgjedhjet për në Parlamentin kantonal të Bern-it. Unë jam një nga kandidatët nga regjioni Emmental.

Nazim Rexhepi është me origjinë nga Malisheva e Gjilanit. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

 

Sevdail Tahiri

11.11.2013

Luanda Krasniqi, nënkampione në disiplinën e shitjes

Rreth dy javë më parë në Salzburg, Austri, janë mbajtur garat e njëmbëdhjeta me radhë për shitësin-en më të mirë të ri, ku kanë marrë pjesë kandidatë nga Austria, Zvicra, Gjermania dhe Tiroli i Jugut (Itali).

Në garën e ngushtë për titullin “Junior Sales Champion” ka hyrë edhe shqiptarja 18 vjeçare nga Walliseleni i Cyrihut, Luanda Krasniqi, e cila në fund ka dalë e dyta. Vendin e parë e ka zënë shitësja nga Tiroli i Jugut, Isabella Auer ndërsa të tretin Tamara Ali, nga Austria. E katërta në renditje ka qenë zvicerania Romy Heierli.

Luanda, një vajzë simpatike dhe e zgjuar, ka bërë përvojat e saj të para edhe si modele. Ndërsa si punë të rregullt ajo ka shitjen e pajisjeve elektronike në Melectronik, që është sektor i koncernit të madh tregtar të Zvicrës, Migros. Ajo, siç shkruajnë mediet austriake dhe zvicerane ka qenë veçanërisht bindëse në bashkëbisedimin me klientët testues, me kërkesa të mëdha dhe me njohje të thellë të produkteve.

Luanda, sipas jurisë, ka treguar me këtë rast njohuri të shkëlqyera profesionale, ndjeshmëri të lartë, fleksibilitet dhe fuqi bindëse. Ajo ka bërë këshillimin e klientëve testues edhe në gjuhën angleze, duke “e shitur” një kamerë digjitale.

Juria po ashtu ka vlerësuar edhe prezantimin e produktit, teknikën e argumentimit dhe paraqitjen e kandidateve.

Përveç certifikatave, fitueset do të shpërblehen edhe me çmime në të holla dhe në sende.

Mjeku shqiptar i shpëton jetën gjermanit të moshuar

Heinz Peter i mbushen sytë me lot duke i dhënë dorën dr. Halil Krasniqit për tu përshëndetur. “Ju falemnderit zoti doktor për të gjitha që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj keni bërë për mua”.  Ai vetëm tash e ka me të vërtetë të qartë se në repartin e kirurgjisë të spitalit St.-Willehad në Wilhelmshaven i është shpëtuar jeta.

Kjo është dhurata më e mirë për Krishtlindje që mund ta imagjinonte ai në këtë moshë.

Ndodh shpeshherë që mjekët gjermanë dhe të tjerë u shpëtojnë jetën shqiptarëve. Në rastin tonë ka qenë një mjek shqiptar që ka bërë ndërhyrjen e suksesshme kirurgjike e cila është kurorëzuar me shpëtimin e jetës së një gjermani të moshuar.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar Heinz Peter 73 vjeçar ishte sjellë në spital me autoambulancë. Më parë kishte shkuar te mjeku i shtëpisë për shkak të një dhimbjeje të vazhdueshme të shpinës dhe ndjenjës së njëfarë shtypjeje në bark. Mjeku i kishte bërë kontrollimin me ultrazë.

“Menjëherë në spital” kishte qenë udhëzimi i tij urgjent dhe shpëtimtar. Sepse “dy orë më vonë mund të bëhej vonë”, konstaton më vonë Krasniqi. Aorta abdominale (arteria e barkut)  te ky pacient kishte pësuar një zgjerim prej njëmbëdhjetë centimetrash. “Diçka e tillë është shumë e rrallë”, thotë mjeku. Ai deri më tash kurrë nuk kishte operuar ndonjë me madhësi të tillë.

Vlera normale e kësaj arterie te meshkujt e moshës së Heinz Peterit është 2.5 centimetra. Te pesë nga 100 meshkuj mbi moshën 65 vjeçare paraqiten  zgjerime të tilla të cilat duhet të mbikëqyren. Kur ato arrijnë gjerësinë prej pesë centimetrash, duhet të operohen menjëherë, shkruan wzm.online de.
Rreziku kryesor te rastet me zgjerim të aortës abdominale qëndron te pëlcitja e tij e befasishme me rastin e dëmtimit të murit të aortës. Kjo shkakton gjakderdhje të brendshme te pacienti.

/albinfo.ch/

Shkencëtarja shqiptare, prorektore në Universitetin e Darmstadt-it

Mira Mezini është emër i njohur në fushën e teknologjisë infomatike në Gjermani. Një vit më parë ajo ka fituar si femra e parë çmimin ERC, më të lartin që ndahet në Evropë pë arritje shkencore.
Mezini, e lindur dhe shkolluar në Shqipëri, ka bërë specializime të shumta dhe qëndrime studimi, në SHBA dhe në Gjermani. Këtu ajo punon si profesoreshë e rregullt në Universitetin Teknik të Darmstadtit. Së fundi ajo është zgjedhur  vicepresidente (prorektore) e këtij universiteti. Këtë detyrë Prof. Mezini e ka filluar nga 1 janari 2014.

Në sektorin e saj bëjnë pjesë transferi i teknologjisë dhe i dijes si dhe angazhimi për “Alumni” (absolventët e universitetit). Mandati i saj zgjat tri vite. Ajo, së bashku me presidentin dhe kancelarin dhe dy vicepresidentë tjerë është pjesë e presidiumit të Universitetit Teknik të Darmstadtit.
Në një prezantim të bërë në faqen e universitetit në fjalë, Mira Mezini shpalos planet e saj për mandatin e sapofilluar. “Planifikoj forcimin e përpjekjeve për rezultate të avancuara në fushën e hulumtimit dhe të inovacionit, ku ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar”.
Ajo ka shtuar se në mesin e objektivave të saj bën pjesë edhe intensifikimi i partneritetit të Universitetit Teknik me ekonominë dhe me shkencën dhe afrimi më i madh me organizata tjera hulumtuese jashtuniversitare..Menaxhimi i patenteve dhe komercializimi i të arriturave në fushë të softuerit janë pikat tjera ku Mezini e sheh veten të angazhuar gjatë tri viteve në vijim.
Mira Mezini, profesoreshë e Informatikës në Universitetin e Darmstadtit, Gjermani, ka fituar në vitin 2012 çmimin ERC Advanced Grant me shumën prej 2.3 milionë euro që e ndan Këshilli për Promovim të Hulumtimeve Shkencore (European Research Council – ERC).

Dardani zbulon “këpucën që prodhon rrymë”

Dardan Ramadani dhe Tobias Franz, të dy nxënës të gjimnazit Traben-Trarbach, kanë bërë një inovacion interesant teknik. Ata janë vlerësuar shumë lartë në konkursin nacional të Gjermanisë për rininë novatore „Jugend forscht – Schüler experimentieren” (Rinia hulumton – Nxënësit eksperimentojnë” që është mbajtur në Trier.

Me këtë rast dy nxënësit e talentuar janë shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat edhe me çmimin special të fondit federal të Gjermanisë për ambientin. Zbulimi i dy të rinjve konsiston në një shuall këpuce përmes të cilit bartësi i tij prodhon energji elektrike duke ecur.

Energjia e prodhuar kështu, depozitohet në bateri dhe sipas nevojës, me të mund të mbushet bateria e ndonjë aparati, (zakonisht telefonit mobil). Në këtë mënyrë, personi që ecë, nuk do të ishte më i varur nga bateria ose ndonjë burim tjetër energjie dhe kështu do të ketë në dispozicion energji të mjaftueshme për të shfrytëzuar aparatin e tij, shkruan eifel.de. Emërtimi që i kanë bërë këtij zbulimi është “Prodhimi i rrymës duke ecur”.
Inovacioni i bërë nga Dardani dhe shoku i tij do të jetë i përdorshëm si në kohën e lirë ashtu dhe për raste emergjente kur nevojitet një telefon mobil por bateria e tij është e zbrazur.

E veçanta tjetër e këtij zbulimi është se dy të rinjtë për ta realizuar atë kanë përdorur vetëm materiale që gjenden kudo dhe nuk kanë shfrytëzuar energji elektrike. Sepse, “ata duan që energjinë ta prodhojnë dhe jo ta shfrytëzojnë”, ka thënë mësuesi i tyre që i ka udhëzuar gjatë punës.

Për Dardanin kjo nuk është hera e parë që merr një çmim. Para një viti ai kishte zënë vendin e parë në garat regjionale në biologji, me çka e ishte kualifikuar për garat në nivel të landit.

“Medalja e shpëtimit” për Artonin, shpëton nga vdekja një nënë të re

I riu me rrënjë nga Kosova, Arton Bytyqi nga qyteti Dortmund, është nderuar me medaljen për shpëtim, që e ndan landi Nordrhein Westfallen i Gjermanisë. Ai, në muajin maj të vitit 2012 ka shpëtuar një grua nga vdekja në ujët e ftohtë të liqenit Bodensee, duke rrezikuar me këtë rast edhe jetën e vet.

Duke qëndruar në një kateteri në afërsi të liqenit, ai kishte parë se si një grua e re që po mbante një karrocë fëmijësh, papritur kishte rënë në liqe, nga lartësia rreth dy metra e gjysmë e bregut. Pa hezituar aspak, Artoni hidhet në ujë pas saj dhe ia del ta nxjerrë nga uji, duke shpëtuar kështu jetën e një nëne  të re. Me atë rast edhe ai mund të pësonte, pasi që temperatura e ujit ishte e ulët, rreth 12 gradë celsius.

Dy të rinj tjerë nga Dortmundi, Janina Menneke dhe Wilhelm Hellmann kanë marrë mirënjohje për shpëtimin e një të moshuari, i cili kishte mbetur i ngujuar në makinë gjatë një stuhie, shkruan radio912.de.

Medaljen dhe mirënjohjet atyre ua ka ndarë kryebashkiaku  Dortmundit, Ullrich Sierau.

Eno Peçi, balerini i suksesshëm i Operas së Vjenës

Peçi ka mbi 15 vjet që punon në Operën e Vjenës dhe është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e shumëpritur në gjithë botën me rastin e  vitit të ri.

Një profil të balerinit të famshëm ka sjell VoA.

Dihet mes artistëve, por edhe nga publiku artdashës se është tejet e vështirë të pranohesh nga Opera e Vjenës, dhe ndoshta edhe më e vështirë të zgjidhesh për të interpretuar në koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Fizarmonike të Vjenës, qoftë si muzikant, qoftë si balerin. Kjo arritje nuk ka qenë e lehtë për të riun nga Shqipëria, Eno Peçi. që tashmë është bërë sensasion ndërkombëtar.

Duke ndjekur Enon në skenë nuk mund të mos vihet re një interpretim tepër kompleks. Është vetë roli, ajo çfarë duhet transmetuar tek shikuesi, sinkronizimi i lëvizjeve personale me muzikën, sinkronizimi i lëvizjeve me balerinën ose me grup balerinësh, është vetë linja e saktë e lëvizjes, është figura që krijon vetëm, si çift, ose si grup. Dhe për realizimin e gjithë kësaj koreografie duhen orë të gjata pune dhe një përgatitje fizike intensive.

Në kërcimin e Enos vihet re një fenomen i rrallë. Ngrirja në kohë e figurës së krijuar, qoftë edhe për një sekondë,  në momentet e shkëputjes nga  dyshemeja e skenës. Sa më shumë që i sheh këto fotografi, as më e kapshme bëhet vështirësia e realizimit të figurës dhe perfeksionimi i saj.

“Shpagat” është e vështirë në tokë, jo më në ajër. Arrihet me këmbëngulje dhe me përgatitje fizike të vazhdueshme, thotë Eno, pa lënë aspak në harresë edhe rolin e fotografit që kap momentin.

Eno luan në çdo rol, nga tragjiket tek komiket, këta të fundit tejet të sofistikuar dhe aspak më të lehtë për t’u interpretuar. Ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për rolet.

“Më pëlqen të bëj çdo rol, çdo karakter, si të keq si princ. Çdo rol është i mirë për një balerin, sepse vlen për eksperiencë, mbledh më shumë eksperienca. Është mirë të ndryshosh role, të mos bësh vetëm princin, ose vetëm komike, ose vetëm të këqija. Është më interesante për një balerin”.

Gjatë katër viteve të fundit Eno është marrë me koreografi dhe është pritur shumë mirë si nga kolegët e tij balerinë, ashtu edhe nga kritika dhe publiku.

/VoA/