Të tjera

Ceremonia hapëse e Milano–Cortina 2026, më e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme se ajo e Parisit

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 pritet të jetë më e përmbajtur dhe më pak e kushtueshme se ajo e Lojërave Olimpike të Parisit 2024. Kështu është shprehur historiani dhe eksperti i olimpizmit, Sylvain Bouchet, në një intervistë për emisionin e mëngjesit “La Matinale”.

Lojërat e 25-ta Olimpike Dimërore do të nisin të premten në mbrëmje në Italinë veriore. Ceremonia hapëse do të mbahet në stadiumin “San Siro” në Milano, duke filluar nga ora 20:00. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të muzikës botërore, si Mariah Carey, Laura Pausini dhe tenori Andrea Bocelli.

Ceremonitë hapëse të Lojërave Olimpike janë gjithmonë nën vëmendje të madhe, pasi për vendin organizator ato përfaqësojnë një mundësi për të shfaqur kulturën dhe identitetin e tij në arenën ndërkombëtare. “Janë pamje që transmetohen në të gjithë botën. Ato përgatiten me shumë kujdes dhe, në mënyrë të pashmangshme, kanë edhe një dimension politik,” thekson Sylvain Bouchet, transmeton albinfo.ch.

Sipas historianit, që nga momenti kur ceremonia transmetohet globalisht, çdo detaj – imazhi, toni, ngjyrat – merr një rëndësi të veçantë, pasi reflekton jo vetëm Lojërat, por edhe vendin apo rajonin pritës.

Fokus te moda dhe dizajni italian

Bouchet pret që ceremonia e Milano–Cortina 2026 të vërë theksin te tradita kulturore italiane, veçanërisht te moda dhe dizajni, si dhe te historia e vendit. Ai parashikon gjithashtu një ceremoni më diskrete se ajo e Parisit 2024, e cila u zhvillua përgjatë lumit Senë dhe shkaktoi debate për disa prej skenave të saj.

“Komiteti organizator i Milanos ka paralajmëruar një ceremoni që nuk do të jetë përçarëse dhe që do të kushtojë më pak se ajo e Parisit 2024, e cila ishte një nga më të shtrenjtat në histori, së bashku me Pekinin 2008,” shprehet Bouchet. Sipas tij, ky mesazh tregon se organizatorët synojnë një qasje më njerëzore: “Mjeshtëria do ta kompensojë buxhetin.”

Historiani nënvizon se një ceremoni e suksesshme nuk ka domosdoshmërisht nevojë për një buxhet gjigant. Ai sjell si shembull ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike të Londrës 2012, e cila u dallua për humorin, përfshirë edhe skenën simbolike të hedhjes (fiktive) me parashutë të Mbretëreshës Elizabeth II në stadium.

“Ishte shumë e vështirë të vijoje pas Pekinit 2008, që kishte një buxhet kolosal. Britanikët zgjodhën humorin dhe kjo funksionoi mrekullisht. Ceremonia u bë e paharrueshme dhe tregoi se nuk është e nevojshme të jesh gjithmonë në një garë shpenzimesh,” shton ai.

Miti i stafetës së flakës olimpike

Kulmi i ceremonisë hapëse do të jetë ndezja e flakës olimpike. Në këtë kontekst, Bouchet ndalet edhe te miti i stafetës së flakës, duke theksuar se ajo është më e re nga sa mendohet zakonisht.

“Stafeta e flakës olimpike u shfaq për herë të parë në vitin 1936, në Lojërat e Berlinit, pra gjatë regjimit nazist. Është në thelb një shpikje naziste,” shpjegon historiani. Sipas tij, Komiteti Olimpik ka tentuar me kalimin e kohës ta shkëpusë këtë ritual nga origjina e tij, duke krijuar idenë se ndezja e flakës në Olimp ka ekzistuar që në Antikitet.

Megjithatë, Bouchet thekson fuqinë simbolike të ritualeve olimpike: “Ky është ndoshta i vetmi ritual i përbashkët për gjithë njerëzimin. Është diçka e çmuar, e njohur nga të gjithë, dhe pikërisht kjo thjeshtësi mund të jetë çelësi i suksesit të ceremonive të ardhshme.”