Kosova, Shqipëria dhe Britania bashkohen për ekonominë kreative

Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), në bashkëpunim me British Council, ka organizuar në Prishtinë eventin përmbyllës të projektit rajonal “Bridging Creatives: Partneriteti Kosovë – Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar për Rritje Kreative”, duke vënë në fokus rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e ekonomisë kreative dhe fuqizimin e të rinjve në këtë sektor, përcjell albinfo.ch.

Besa Zogaj Gashi, nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, tha se sektori kreativ në mbarë botën është një nga motorët kryesorë dhe më dinamikë të rritjes ekonomike, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror e kulturor.

“Iniciativa Bridging Creatives ka qenë shumë e rëndësishme dhe e pamë si një mundësi për të aplikuar. Si institut që merremi me politika, viteve të fundit kemi mbështetur edhe komunën e Prishtinës në zhvillimin e strategjisë për art dhe kulturë. Po ashtu, kemi ndihmuar pjesërisht edhe Qeverinë e Kosovës në hartimin e strategjisë për industrinë kreative,” shtoi ajo.

Zogaj Gashi, theksoi se studentët shpesh nuk marrin njohuri praktike për prezantimin profesional dhe zhvillimin e aftësive të biznesit. Ajo njoftoi se interesimi për programin ka qenë i lartë që nga faza e parë.

“Studentët tani nuk marrin njohuri se si të prezantojnë më mirë veten, si të bëjnë një CV, si të zhvillojnë aftësi lidershipi, menaxhim projektesh dhe biznes planifikim, njohuri kyçe për të pasur sukses dhe për të fuqizuar sektorin kreativ. Nga 123 aplikantë, 88 janë gra dhe 35 burra, çka tregon rolin e rëndësishëm të barazisë gjinore në industrinë kreative”, tha ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se projekti ka krijuar lidhje të rëndësishme mes komuniteteve kreative të Kosovës, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Prishtina është një qytet i ri, energjik dhe kreativ. Si komunë, ne jemi të përkushtuar të mbështesim kulturën, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekonomisë kreative”, tha ai.

Drejtoresha e Këshillit Britanik për Ballkanin Perëndimor, Clare Sears, nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e ekonomisë kreative në rajon, duke përmendur projekte të ndryshme që shtrihen nga gaming-u, moda, prodhimi i filmave, animacioni, e deri te artet pamore.

“Ky projekt është jashtëzakonisht praktik, fokusuar te aftësitë reale dhe më pak te teoria. Partneritetet e forta rajonale e bëjnë këtë ndërhyrje një shembull të shkëlqyer për zhvillimin e sektorit kreativ në rajon”, shtoi ajo.

Pezullohet partia e Behgjet Pacollit nga KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve të parapara ligjore, përcjell albinfo.ch.

Vendimi sipas tyre mbështetet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, partia e regjistruar politike mban kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.

Sipas KQZ-së, AKR-ja, e regjistruar në KQZ në vitin 2007, ka qenë e obliguar që deri më 25 shkurt 2026 të mbajë kuvendin zgjedhor të radhës.

Aty kanë treguar se më 4 dhe 24 shkurt, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike  ka njoftuar këtë subjekt politik për obligim ligjor, por pavarësisht këtyre njoftimeve, nuk janë ndërmarrë veprimet për përmbushjen e këtij obligimi ligjor.

Andaj, KQZ thotë se duke u mbështetur në këtë morën vendim për pezullimin e partisë politike, Aleanca Kosova e Re dhe ta obligojë atë, që në një afat shtesë prej 45 ditësh, ta mbajë konventën apo kuvendin e saj.

Sipas KQZ-së në rast të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor as pas këtij afati, KQZ do ta çregjistrojë këtë parti politike nga regjistri i partive politike në Kosovë.

Abdixhiku: Koha është për bashkim, të tejkalohen dallimet dhe hidhërimet e së shkuarës

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkimin e institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë atyre që mbështesin orientimin euroatlantik të vendit, përcjell albinfo.ch.

Në një shkrim të publikuar të enjten në rrjetet sociale, Abdixhiku ka theksuar se të gjithë ata që ndajnë këto vlera kanë një shtëpi të përbashkët politike – Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar nisjen e një procesi të bashkimit politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, që sipas tij duhet të tejkalojë dallimet, ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës.

“Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes bëhen krejtësisht të parëndësishme”, ka shkruar Abdixhiku.

Thirrje për stabilitet politik dhe orientim drejt Perëndimit

Sipas tij, krizat e vazhdueshme politike dhe përplasjet e brendshme po e dëmtojnë vendin dhe po e lodhin shoqërinë.

“Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, ka theksuar ai.

Spekulime për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK

Në statusin e Abdixhikut nuk janë përmendur emra konkretë, megjithatë në zhvillimet e fundit politike janë shtuar zërat për një rikthim të mundshëm të Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto spekulime janë intensifikuar pas dështimit të rizgjedhjes së saj në postin e presidentes së Kosovës.

Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027

Prindërit shqiptarë që jetojnë në Vjena mund të regjistrojnë fëmijët e tyre për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në shkollat publike austriake për vitin shkollor 2026/2027, shkruan albinfo.at.

Ky program zhvillohet në kuadër të mësimit të gjuhës amtare (Erstsprachenunterricht) në sistemin arsimor të Austria dhe synon që fëmijët shqiptarë të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe paralelisht me shkollimin e tyre në gjuhën gjermane.

Afati i regjistrimit për nxënësit është i hapur deri më 31 mars 2026.

Çfarë përfitojnë fëmijët nga ky program?

Përmes këtij programi arsimor, fëmijët kanë mundësinë që:

• të mësojnë dhe të përmirësojnë gjuhën shqipe në të folur dhe në të shkruar

• të njihen më mirë me kulturën dhe traditat shqiptare

• të zhvillojnë aftësi gjuhësore që i ndihmojnë edhe në mësimin e gjuhëve të tjera

Si bëhet regjistrimi?

Prindërit duhet të ndjekin këta hapa:

• të shkarkojnë formularin e regjistrimit (në gjuhën shqipe dhe gjermane)

• të plotësojnë të dhënat e kërkuara

• ta dorëzojnë formularin në shkollën ku mëson fëmija për nënshkrim dhe vulë

• të kontaktojnë mësuesin e gjuhës shqipe për informata shtesë mbi organizimin e mësimit

Formulari i regjistrimit mund të shkarkohet në këtë link:

https://www.sfz-wien.at/images/sfz_img/download/mu/anmeldeformular-mu/Albanisch_Anmeldeformular_Erstsprachenunterricht.pdf

Informata shtesë

Për më shumë informacione rreth organizimit të mësimit dhe shkollave ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe në Vjenë, prindërit mund të kontaktojnë:

• Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” – [email protected]

• Osman Ademi – [email protected]

• Miradije Berishaj – [email protected]

Organizatorët falënderojnë prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në diasporë./Albinfo.at

Rënie e lindjeve në Evropë: BE me vetëm 3,55 milionë foshnja në vitin 2024

Në Bashkimi Evropian gjatë vitit 2024 kanë lindur rreth 3,55 milionë foshnja, që paraqet një rënie prej 3,3 për qind krahasuar me vitin 2023. Sipas të dhënave të Eurostat, norma totale e fertilitetit në BE ka rënë në 1,34 fëmijë për grua, nga 1,38 sa ishte një vit më parë, përcjell albinfo.ch.

Kjo shifër mbetet dukshëm nën nivelin prej 2,1 fëmijë për grua, që konsiderohet i nevojshëm për ripërtëritjen natyrore të popullsisë. Si rezultat, shumë vende evropiane po përballen me sfida serioze demografike dhe me plakjen e popullsisë.

Rënie e vazhdueshme edhe në Maqedoninë e Veriut

Trend i ngjashëm vërehet edhe në Maqedonia e Veriut, ku norma e fertilitetit gjatë dekadës së fundit ka shënuar rënie. Nga 1,52 fëmijë për grua në vitet 2004 dhe 2014, ajo ka rënë në 1,49 në vitin 2023, ndërsa në 1,44 në vitin 2024.

Edhe numri i përgjithshëm i lindjeve në këtë vend ka rënë ndjeshëm ndër vite. Nga 44.095 fëmijë të lindur në vitin 1960, shifra ka zbritur në vetëm 16.061 lindje në vitin 2024, që përbën një rekord minimal historik.

Dallimet mes vendeve të BE-së

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 norma më e ulët e fertilitetit në BE është regjistruar në Malta me 1,01 fëmijë për grua, ndërsa më e larta në Bullgaria me 1,72.

Pas Bullgarisë renditen Franca me 1,61 dhe Sllovenia me 1,52. Në anën tjetër, normat më të ulëta janë regjistruar në Spanja me 1,10 dhe Lituania me 1,11.

Gratë po lindin gjithnjë e më vonë

Të dhënat tregojnë gjithashtu se gratë në Evropë po e shtyjnë gjithnjë e më shumë lindjen e fëmijës së parë. Në vitin 2024 mosha mesatare e nënave në BE kur lindin fëmijën e parë ishte 29,9 vjeç.

Kjo moshë varion nga 26,9 vjeç në Bullgari deri në 31,9 vjeç në Itali. Në Maqedoninë e Veriut, gratë lindin fëmijën e parë mesatarisht në 27,8 vjeç.

Trend i ngjashëm është vërejtur edhe gjatë dy dekadave të fundit: në vitin 2014 mosha mesatare ishte 26,6 vjeç, ndërsa në vitin 2004 rreth 25 vjeç.

Rënie e ndjeshme e lindjeve në gjashtë dekada

Statistikat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024 në BE kanë lindur pothuajse dy herë më pak fëmijë krahasuar me periudhën para gjashtë dekadash.

Norma bruto e natalitetit në BE ka rënë në 7,9 lindje për 1.000 banorë, ndërsa në vitin 2000 ishte 10,5, në vitin 1985 12,8, ndërsa në vitin 1970 arrinte në 16,4 lindje për 1.000 banorë.

Këto të dhëna konfirmojnë se Evropa po përballet me një transformim të thellë demografik, i cili pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë, tregun e punës dhe sistemet sociale në dekadat e ardhshme.

Japin dorëheqje kryetarja, kryesia dhe krejt anëtarësia e partisë GUXO në Deçan

Komplet anëtarësia e partisë GUXO në Deçan, kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt.

Lajmin e ka bërë të ditur Rabije Haklaj, kryetare e degës së Guxo në Deçan.

Ajo ka thënë se refuzimi ndaj presidentes Osmani për kandidate sërish, është arsyeja kryesore.

Postimi i plotë:

DEKLARATË PUBLIKE

Të nderuar qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të Partisë Guxo

Me përgjegjësi të plotë publike dhe morale, ju njoftoj se unë, Rabije Haklaj, si bashkëthemeluese e atëbotë Lista VJOSA, si koordinatore e Partisë Guxo në Deçan dhe më pas si themeluese e udhëheqëse dalë nga një Kuvend i rregullt dhe demokratik i Degës së Partisë Guxo në komunën tinë që nga 5 maji 2023, së bashku me Kryesinë e Degës dhe në unanimitet të plotë me Kryesinë përmes vendimit që u morr në mbledhjen e mbajtur me dt.8 morrem vendim që të japim dorëheqje nga të gjitha strukturat e Partisë Guxo, si dhe dorëheqjen kolektive e të parevokueshme të Degës së Partisë Guxo në Deçan.

Që nga themelimi si “Lista Vjosa”, me 5 nëntor të vitit 2020 nga Presidentja znj. Vjosa Osmani dhe ne bashkëpunëtorët e saj politik, e më pas e çërtifikuar si Partia Guxo, ne u bashkuam me shumë përkushtim rreth këtij projekti politik që në thelb dhe në bazament kishte frymën rugoviane dhe orientimin tonë politik si parti e qendrës së djathtë demokratike dhe pro-perëndimore.

Me vullnet të palëkundur e me përkushtim dhe me kontribut të madh si degë e Partisë Guxo në Deçan punuam me sinqeritet dhe ndershmëri për arritjen e fitoreve tona të përbashkëta si koalicion, por edhe për bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kur në shkurt të vitit 2021, para qytetarëve të Republikës së Kosovës, si koalicion i përbashkët iu drejtuam qytetarëve dhe fituam besimin e tyre me 51.28%, në atë fushatë zgjedhore bashkërishtë kërkuam mbështetjen e qytetarëve me një zotim të qartë:

Znj. Vjosa Osmani që të jetë Presidente** ndërsa z. Albin Kurti Kryeministër.

Po ashtu, para qytetarëve u zotuam se, për të paktën dy mandate, duke qenë se vendi kishte aq shumë nevojë për ndryshime, do të vazhdojmë së bashku me këtë konstelacion politik që dy liderët tanë të mbajnë këto pozicione që nënkuptonte se Presidentja znj. Osmani tani edhe mandatin e dyte e mbi standartin e vendosur po nga ato zgjedhje se, në dy pozitat drejtuese më të larta të Republikës, të kemi figura që gëzojnë mbështetjen më të madhe të të gjithë qytetarëve.

Por, ajo që ndodhi këto ditë, neve si Degë e Partisë Guxo në Deçan, që, jo vetëm na indinjoi, por edhe na zhgënjeu pa masë, ishte një tradhëti e pastër nga partneri i koalicionit, i cili, ndonëse e shihte vullnetin masiv të qytetarëve falë punës së jashtëzakonshme të Presidentes Dr. Vjosa Osmani në përfaqësimin aq dinjitoz të qytetarëve dhe të Republikës sonë, veproi në mënyrë të papranueshme.

Duke marrë parasysh se Presidentja znj. Osmani shprehu vullnetin e saj legjitim dhe të garantuar edhe me Kushtetutë se mund të kandidohet edhe për një mandat si Presidente e Republikës, ajo jo vetëm që hasi në kundërshti dhe zero mbështetje nga partneri i koalicionit, por madje madje u tentua edhe të tallej dhe të denigrohej figura e saj, duke i ofruar fillimisht 30 vota, e më pas në tentim për ta rritur edhe më shumë këtë tallje edhe 33 vota.

I gjithë ky plan për ta futur në garë znj. Osmani, nuk ishte asgjë tjetër vetëm sa për të mundësuar kuorumin kushtetues për zgjedhjen e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Presidentz. Konjufca, dhe jo për ta mbështetur realisht zgjedhjen e saj me votë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, zhgënjimin tonë si degë të Deçanit e thelloi edhe më shumë qëndrimi jo mbështetës i vet Partisë Guxo, parti që dikur vetë Presidentja Osmani, së bashku me ne, e themeloi.

Për më tepër, neve si degë (në aspektin e përgjithshëm) dhe kontribuues që kemi dhënë gjithçka për Partinë Guxo dhe për fitoren e deputetëve tanë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, na u mohua e drejta elementare për t’u informuar se cili do të ishte qëndrimi i Partisë sonë, pra pro apo kundër rizgjedhjes së Presidentes znj. Osmani për një mandat të dytë.

Madje u bë edhe shkelje statutare, konkretisht e Nenit 15, pika 2, që rregullon kompetencat e njërit prej organeve më të larta të partisë – Këshillit të Përgjithshëm, i cili qartë specifikon se:

Këshilli i Përgjithshëm merr qëndrime dhe vendime rreth çështjeve me interes nacional të rëndësisë së veçantë.

Dhe pyetja legjitime për Partinë tonë shtrohët:

Cila çështje tjetër mund të ishte më e rëndësishme për interesin nacional sesa zgjedhja e Presidentit/es së Republikës?

Për neve si Guxo e Deçanit përgjigjja është e qartë: asnjë tjetër.

Prandaj, edhe kjo për neve si degë është e pafalshme që u lamë në errësirë informative, e ku për këto qëndrime refuzuese u informuam vetëm përmes mediave dhe rrjeteve sociale në ditën D, pra më 5 mars, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ne në Partinë Guxo përgjithësisht kemi qenë plotësisht të vetëdijshëm se 7 deputetët e partisë sonë nuk mund ta nominojnë apo ta zgjedhin të vetëm Presidenten znj. Osmani. Por rreshtimi i Partisë sonë si refuzues krah Lëvizjes VETËVENDOSJE! jo vetëm që është i papranueshëm, por për ne është edhe i pafalshëm.

Pikërisht për këtë arsye, kjo situatë çoi në dorëheqjen time të parevokueshme si themeluese dhe Kryetare e Degës së Partisë Guxo në Deçan**, së bashku me Kryesinë dhe anëtarësinë, duke bërë që, që nga sot, më 12 mars 2026, Dega e Partisë Guxo në Komunën e Deçanit të japë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme, si dhe të pushojë çdo funksion dhe mbështetje të mëtejshme për Partinë Guxo.

Përsonalishgë, si një rugoviste e përbetuar dhe si një ithtare e madhe e kësaj filozofie politike e rritur në këtë frymë dhe me bindje të mia veç edhe më të fuqizuara përmes studimeve në Prishtinë dhe Vjenë , që nga dita e parë në këtë parti kam dhënë kontribut të pandërprerë për Partinë Guxo, për fitoret e koalicionit tonë të përbashjët “VV-GUXO” e mbi të gjitha për fitoren e njerëzve të Partisë Guxo, me dije, mund, djersë, përkushtim dhe shpenzim, pa kursyer asgjë dhe pa kërkuar kurrë asgjë në këmbim nga partia.

Prandaj është e dhimbshme deri në palcën e shpirtit që gjithë ai vullnet, ai ideal i thellë dhe ai përkushtim për ta rritur me shumë kujdes, thënë shprehimishtë si një “fëmijë” çdo ditë Partinë Guxo dhe për ta bërë atë një alternativë të fuqishme politike për qytetarët, të përfundojë në këtë mënyrë…!

Pra, të dashur qyetarë,

Puna, përkushtimi dhe angazhimi im profesional, i Kryesisë dhe i anëtarësisë së deritanishme të Partisë Guxo nuk përfundon sot. Përkundrazi.

Sepse, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fuqishën, të pathyeshëm dhe të palëkundur në atë që kemi besuar dhe i kemi takuar që nga dita e parë, pra frymës rugoviane, si rugovistë të guximshëm dhe të vendosur, krah Presidentes znj. Vjosa Osmani, kudo që rrugët tona politike do të na çojnë së bashku.

Dhe krejtë për fund, shfytëzoj rastin që të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të sinqertë për bashkëpunimin e deritanishëm me të gjithë, tanimë ish-bashkëpartiakët, e veçanërisht për ata që e kanë vlerësuar, njohur dhe respektuar kontributin tim dhe kontributin e Degës së Deçanit për Partinë Guxo.

Ju uroj shëndet dhe suksese kudo që jeni dhe kudo që do të jeni në të ardhmen. Dhe, pavarësisht ndarjes së rrugëve tona politike, urojë që kurrë të mos na ndajë puna dhe ideali për qytetarët dhe për Republikën tonë si më të shtrenjtën, mbi të gjitha dhe mbi gjithëçka.

Me respekt,

Rabije Haklaj

Kryetare (deri më sot) e Partisë Guxo

Dega në Deçan

Gjermani: Grevë dyditore e pilotëve të kësaj kompanie paralizon fluturimet

Pilotët e Lufthansa do të hyjnë në grevë dyditore më 12 dhe 13 mars, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në rrjetin e fluturimeve, me përjashtim të linjave nga Lindja e Mesme, transmeton albinfo.ch.

Sindikata e pilotëve, Vereinigung Cockpit, ka bërë thirrje që më shumë se 5,000 pilotë të marrin pjesë në grevë, duke kërkuar një zgjidhje për negociatat e dështuara mbi sistemin e pensioneve për punonjësit e Lufthansa dhe Lufthansa Cargo. Deri më tani, punëdhënësit nuk kanë ofruar ndonjë propozim të ri, duke theksuar tensionin mes palëve.

Autoritetet e aeroportit dhe kompanitë ajrore këshillojnë pasagjerët të kontrollojnë statusin e fluturimeve para udhëtimit dhe të presin vonesa apo anulime të mundshme./Albinfo.ch

Shtatë kompani nga Kosova marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “ProWein” në Gjermani

Shtatë kompani nga Kosovo, të cilat merren me prodhimin e pijeve alkoolike, do të marrin pjesë në panairin ndërkombëtar ProWein, që do të mbahet nga 15 deri më 17 mars në Düsseldorf, shkruan albinfo.ch.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është mbështetur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit përmes KIESA, e cila ka siguruar një hapësirë ekspozuese prej 70 metrash katrorë për prezantimin e produkteve të tyre.

Gjatë këtij panairi, kompanitë nga Kosova do të promovojnë prodhimet e tyre të rakisë dhe verërave të ndryshme, duke pasur njëkohësisht mundësinë të njihen me trendet më të fundit të industrisë së verarisë dhe pijeve alkoolike në Evropë dhe më gjerë.

ProWein konsiderohet një nga panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë në këtë sektor, duke mbledhur çdo vit prodhues, distributorë dhe profesionistë të industrisë nga shumë vende të botës. Pjesëmarrja në këtë ngjarje pritet të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe zgjerimi për kompanitë kosovare në tregjet ndërkombëtare./Albinfo.ch

Platformat gjermane të udhëtimeve korrigjojnë emrin e Prishtinës pas reagimeve

Dy nga platformat e mëdha gjermane të udhëtimeve, Journication dhe Aldi Reisen, kanë korrigjuar përkatësinë e destinacionit të Pristina, duke e ndryshuar nga “Priština” në formën e saktë “Prishtina” ose “Pristina”, shkruan albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, duke theksuar se korrigjimi erdhi si rezultat i reagimeve të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, falënderoi qytetarët për reagimin dhe theksoi rëndësinë e adresimit të pasaktësive të tilla.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që, në rast se hasin institucione apo kompani në Gjermani ku Republika e Kosovës apo qytetet e saj nuk paraqiten në mënyrë korrekte, të njoftojnë ambasadën përmes emailit zyrtar, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen.

Sipas ambasadorit Ajeti, bashkëpunimi i qytetarëve dhe institucioneve mbetet thelbësor për të siguruar përfaqësim korrekt të Kosovës në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Ganimet Shala, e vetmja shqiptare që kandidon për deputete në Slloveni

Ganimet Shala, shqiptarja e vetme kandidate në zgjedhjet që do të mbahen më 22 mars 2026, ka shpallur kandidaturën e saj për deputete në National Assembly of Slovenia, shkruan albinfo.ch.

“Jam e vetmja shqiptare kandidate në Slloveni dhe kandidoj në një nga zonat e Lubjanës,” ka thënë Ganimet Shala për platformën Albinfo.ch.

 

 

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ajo thekson se vendimi për t’u përfshirë në politikë vjen nga përvoja e jetës së përditshme dhe nga bisedat me njerëzit që përballen me sfida të ndryshme sociale dhe ekonomike.

 

 

“Nuk premtoj zgjidhje të lehta. Premtoj ndershmëri, guxim, punë dhe zë që do të flasë qartë, vendosmërisht dhe në favor të popullit në Parlament. Unë jam një prej jush. E njoh jetën jashtë qarqeve politike”, ka thënë ajo.

 

 

Shala thekson se kandidimi i saj nuk është motivuar nga politika si qëllim në vetvete, por nga dëshira për të përfaqësuar qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet që lidhen me të ardhmen e të rinjve, sigurinë sociale dhe mirëqenien e familjeve.

“Nuk po hyj në politikë me fjalë të bukura, por me një angazhim të qartë: të punojmë, të këmbëngulim dhe të arrijmë rezultate konkrete”, thekson ajo, duke ftuar qytetarët që ta mbështesin në këtë rrugë politike.

Në mesazhin e saj publik, kandidatja nga Ljubljana apelon për më pak premtime dhe më shumë veprime konkrete, duke theksuar se ndryshimi mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët të qytetarëve.

“Për njerëzit. Për të ardhmen. Për të gjithë ne!”, përfundon mesazhin e saj Ganimet Shala./Albinfo.ch.

Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës

Arbëreshët e Kalabrisë sjellin traditën shqiptare në një mbrëmje kulturore në Gjenevë

Një mbrëmje e veçantë kushtuar kulturës arbëreshe u mbajt më 7 mars 2026 në Geneva, në sallën e Universitetit të Kulturave në Gjenevë, ku shqiptarë nga treva të ndryshme u mblodhën për të përjetuar një takim kulturor me arbëreshët e Calabria, transmeton albinfo.ch.

Programi u hap me Himnin e Flamurit Kombëtar, i interpretuar nga sopranoja Fjolla Hiseni, duke krijuar një moment solemn dhe emocional për të pranishmit. Aktiviteti u moderua nga drejtoresha e institucionit, Albana Krasniqi Malaj, e cila theksoi se kjo mbrëmje ishte një takim me historinë dhe identitetin shqiptar.

Në pjesën e parë të programit u zhvillua një diskutim mbi rëndësinë e gjuhës amtare dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit në diasporë. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Ermal Dredha, ambasador i Shqipërisë në Bernë, si dhe Fjolla Haziri, zëvendëskonsulle e Kosovës në Gjenevë, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.

Në diskutim kontribuan gjithashtu Leonard Ferati dhe Ilir Kurti, të cilët folën për rëndësinë e gjuhës amtare në edukimin dhe integrimin e brezave të rinj në diasporë.

Pjesa e dytë e mbrëmjes u përqendrua në programin artistik arbëresh. Profesori Michele Greco prezantoi historinë e emigrimit të arbëreshëve dhe ruajtjen e gjuhës shqipe ndër shekuj, duke theksuar se edhe sot në Kalabri ekzistojnë rreth 35 fshatra ku flitet arbërishtja.

Në skenë performuan grupet artistike “Ocarina” nga Gjeneva, “Gjaku i Arbërit” nga Frasnita dhe “Këngëtarët e Motit” nga Ungra dhe Fërma në Itali, duke sjellë këngë dhe valle tradicionale arbëreshe.

Mbrëmja përfundoi me interpretimin e këngëve shqiptare, ku publiku u bashkua spontanisht me artistët, duke krijuar një atmosferë emocionale që dëshmoi se gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë dhe të ruhen edhe larg atdheut./Albinfo.ch

Deputetët britanikë refuzojnë ndalimin e mediave sociale për të rinjtë nën 16 vjeç

Në një votim të fundit, deputetët britanikë hodhën poshtë amendamentin që synonte ndalimin e përdorimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç, me 307 vota kundër dhe 173 pro. Amendamenti ishte pjesë e Projektligjit për Mirëqenien e Fëmijëve dhe Shkollat, i cili fillimisht kishte marrë mbështetje nga Dhoma e Lordëve. Thirrjet për këtë masë ishin rritur, përfshirë mbështetjen e aktorit të njohur Hugh Grant, i cili kërkonte mbrojtje më të madhe për fëmijët nga përmbajtja e dëmshme në internet.

Propozuesit e kufizimit, duke u bazuar në shembullin australian, argumentuan se prindërit shpesh ndodhen përballë përmbajtjes që mund të jetë e rrezikshme për fëmijët. Por disa deputetë paralajmëruan se një ndalim i rreptë mund t’i shtyjë adoleshentët drejt faqeve të parregulluara në internet. Megjithatë, mund të vendoset një ndalim i ngjashëm në të ardhmen, pasi Dhoma e Komunave miratoi një iniciativë që i jep Sekretarit të Shtetit kompetenca shtesë për këtë çështje.

Ish-ministri konservator John Nash e përshkroi rezultatin si “thellësisht zhgënjyes” dhe njoftoi se do të kërkojë një rivotim për amendamentin. Ndërkohë, qeveria ka nisur konsultime për masa të reja të mundshme, përfshirë vendosjen e një moshe minimale për përdorimin e mediave sociale dhe kufizimin e veçorive që mund të krijojnë varësi, si luajtja automatike e përmbajtjes.

Projektligji do të shqyrtohet sërish në Dhoma e Lordëve dhe do të bëhet ligj vetëm kur të miratohet në të dyja dhomat e Parlamentit Britanik.

Komisioni Europian paralajmëron tre shtete anëtare për moszbatimin e ligjit të ri të sanksioneve

Komisioni Europian ka nisur procedura zyrtare kundër Belgjikës, Bullgarisë dhe Sllovenisë, për shkak të vonesave në përafrimin e ligjeve kombëtare me rregulloret e reja të BE-së, të cilat parashikojnë ndjekje penale për shkeljen e sanksioneve evropiane.

Sipas njoftimit të Komisionit, këto vende duhet të adaptojnë në sistemin e tyre ligjor Direktivën e miratuar në 2024, që e bën të paligjshme evazionin dhe shkeljen e masave kufizuese të Bashkimit Evropian. “Komisioni kërkon që Belgjika, Bullgaria dhe Sllovenia të zbatojnë Direktivën për kriminalizimin e shkeljes së sanksioneve të BE-së,” thuhet në deklaratën zyrtare të Brukselit.

Derisa këto vende nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme se kanë marrë masat e nevojshme kombëtare, Komisioni ka nisur fazën e parë të procedurës së paralajmërimit, e cila mund të përfundojë me veprime ligjore nëse nuk ka përputhje me rregullat. Belgjika, Bullgaria dhe Sllovenia kanë dy muaj për t’u përgjigjur dhe për të informuar Brukselin mbi hapat e ndërmarrë. Nëse nuk veprojnë, Komisioni mund ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, e cila mund të vendosë gjoba.

Çështja e sanksioneve ka shtuar tensionet politike në BE. Së fundmi, Hungaria bllokoi miratimin e paketës së 20-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe një propozim kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pas pezullimit të një pjese të infrastrukturës së tubacionit Druzhba nga Kievi.

Kryeministri Viktor Orban e cilësoi këtë si shkelje të marrëveshjes së asociimit me BE-në. Komisioni gjithashtu konfirmoi pezullimin përkohës të furnizimeve me naftë për Ukrainën nga Hungaria dhe Sllovakia, duke e komplikuar më tej situatën energjetike dhe politike në rajon.

Gjykata austriake sekuestron një avion të Ryanair për një borxh prej 890 eurosh

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Austri, ku një gjykatë vendosi të sekuestrojë një avion të kompanisë Ryanair për shkak të një borxhi prej 890 eurosh ndaj një pasagjereje. Lajmi është raportuar nga televizioni publik austriak ORF dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave për mënyrën e veçantë të zbatimit të vendimit.

Rasti filloi në korrik 2024, kur një grua planifikoi të udhëtonte me dy shoqërues drejt Palma de Mallorca. Fluturimi i saj u vonua më shumë se 13 orë, dhe pas pritjes së gjatë në aeroport, ajo vendosi të blejë një biletë të re për të arritur në destinacion me shpenzime personale.

Si pasojë e vonesës, pasagjerja kërkoi rimbursimin e kostove shtesë, që përfshinin biletën e re dhe shpenzime të tjera udhëtimi, në total 890 euro. Pavarësisht përpjekjeve për të marrë pagesën nga Ryanair, kompania nuk e pagoi shumën e detyruar.

Avokati i saj çoi çështjen në gjykatë, dhe vendimi i dhënë lejonte që nëse kompania nuk paguante, mund të sekuestrohej një nga avionët e saj për të garantuar pagesën.

Në aeroportin e Linzit, kur përmbaruesi shkoi për të zbatuar vendimin, ai kërkoi fillimisht pagesë të menjëhershme nga piloti. Por duke qenë se Ryanair nuk pranon para në dorë, pagesa nuk mund të bëhej. Për këtë arsye, përmbaruesi vendosi të sekuestrojë avionin, duke vendosur një etiketë që tregon se ai është i konfiskuar. Avokati i pasagjeres tha se nëse kompania nuk paguan brenda afatit të caktuar, avioni mund të shitet në ankand për të shlyer borxhin.

Ngjarja ka shkaktuar diskutime të shumta në Austri dhe Evropë, duke treguar se edhe një kompani e madhe ajrore mund të përballet me masa ligjore serioze nëse nuk respekton vendimet gjyqësore dhe të drejtat e pasagjerëve.

IEA lirojnë 400 milionë fuçi rezervash strategjike për të ulur çmimet e naftës

Shtetet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) kanë vendosur të lirojnë 400 milionë fuçi rezervash strategjike të naftës për të përballuar rritjen e çmimeve, pas mbylljes së Straits of Hormuz për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Vendimi, i marrë njëzëri nga 32 vendet anëtare, përfshin edhe shtetet e G7 (SHBA, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Japonia dhe Kanadaja), si dhe Australinë dhe Meksikën. Kjo përfaqëson lirimin më të madh të rezervave në historinë e IEA-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se ky vendim është një “sinjal i qartë për uljen e çmimeve globale” dhe synon të stabilizojë tregun e naftës, duke shmangur masa kufizuese të eksporteve.

Ekspertët vlerësojnë se kjo është një zgjidhje e përkohshme që mund të furnizojë tregun për tre deri në gjashtë muaj, por nuk zgjidh problemet strukturore të furnizimit.
Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm pas tensioneve të fundit, ndërsa vendimi i IEA-së synon të qetësojë tregjet dhe të parandalojë panikun global.

UBS kërkon të shmangë paditë e reja lidhur me llogaritë naziste

UBS ka kërkuar nga një gjykatës amerikan të sqarojë kufijtë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të vitit 1999 për asetet e paaktive të hebrenjve. Qëllimi i bankës është të sigurohet që nuk do të ketë padi të reja, edhe në rast se zbulohen llogari të reja.

Kjo është një çështje që vazhdon të ndjekë UBS: bashkëpunimi i bankave zvicerane me Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shkurt të kaluar, një komitet i Senatit amerikan njoftoi se kishte zbuluar pothuajse 900 llogari të reja të lidhura me nazistët në Credit Suisse.

UBS, e cila tani zotëron ish-konkurrenten e saj, po përpiqet të mbrohet nga çdo kërkesë e re lidhur me këto llogari të sapo zbuluara. Banka ka kërkuar që gjykatësi të konfirmojë se marrëveshja e vitit 1999 mbulon si transaksionet e kaluara ashtu edhe ato të ardhshme dhe përfshin llogaritë naziste në bankat zvicerane, jo vetëm fondet e paaktive të hebrenjve viktimë të Holokaustit. Një seancë u mbajt të martën në Nju Jork.

Kërkesa e UBS

Sipas marrëveshjes së vitit 1999, bankat zvicerane kishin rënë dakord të paguanin 1.25 miliardë dollarë për viktimat e Holokaustit. Por kjo ishte shumë para se të rifillonte hetimi mbi lidhjet e Credit Suisse me nazistët në 2020, gjatë të cilit u zbuluan këto 900 llogari.

UBS thotë se është e gatshme të vazhdojë hetimin, i cili tashmë po i kushton “qindra miliona” në tarifa ligjore dhe shpenzime për ekspertë. Por banka do të veprojë vetëm nëse ka siguri që nuk do të ketë padi të reja dhe nëse Qendra Simon Wiesenthal, organizatë që mbron të drejtat e hebrenjve dhe mbështeti marrëveshjen e vitit 1999, nuk paraqet padi të reja ose nuk nxit “kontroversën publike.”

Gjatë seancës, Qendra Simon Wiesenthal u shpreh kundër këtyre kërkesave. Marrëdhëniet mes UBS dhe kësaj organizate kurrë nuk kanë qenë të ngrohta; në shkurt, qendra akuzoi bankën se po përpiqej të fshehë të vërtetën.

Kompromisi i refuzuar

Avokati i organizatës gjatë seancës tha se UBS nuk po respekton lirinë e shprehjes, dhe veprimet e saj janë të ngjashme me një përpjekje për të imponuar një kufizim të paligjshëm mbi Simon Wiesenthal, duke shtuar se kërkesat e bankës ishin “po aq të gjera sa Grand Canyon.” Ai theksoi gjithashtu se, në këtë fazë, nuk kishte padi të depozituar, dhe prandaj nuk kërkohej sqarim i mëtejshëm.

Gjykatësi nuk dha një vendim. Edward Korman, i njohur mirë me çështjen pasi mbikëqyri marrëveshjen e famshme të vitit 1999, propozoi një kompromis: UBS të pranonte të publikojë dokumentet që aktualisht refuzon t’i ndajë, të cilat duket se janë të rëndësishme për hetimin në vazhdim, në këmbim të një angazhimi për të mos nisur padi të reja. Kjo propozim nuk u pranua, dhe gjykatësi do të duhet të vendosë mbi kërkesën e UBS, pa caktuar një datë të saktë.

Tragjedia në Chiètres: Të gjitha viktimat e zjarrit në autobus janë identifikuar

Autoritetet kanë njoftuar se të gjitha viktimat e zjarrit tragjik në një autobus postar në Chiètres janë identifikuar. Ngjarja ndodhi të martën pasdite dhe la pas 6 të vdekur dhe 5 të plagosur.

Mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar, një burrë zviceran 65-vjeçar nga kantoni i Bernës. Viktimat e tjera përfshijnë shoferin e autobusit, një burrë 63-vjeçar me origjinë portugeze, dy gra (25 dhe 39 vjeç) dhe dy burra (16 dhe 29 vjeç), të gjithë banorë të rajonit.

Pesë të plagosurit janë identifikuar gjithashtu, përfshirë dy të shtruar në spital: një grua 56-vjeçare dhe një burrë 34-vjeçar. Autoritetet kanë hapur një linjë ndihme për familjet, viktimat dhe dëshmitarët: 0800 261 700.

Hetimet për motivet e incidentit dhe rrethanat e tij vazhdojnë, ndërsa komuniteti mbetet i tronditur nga ngjarja.

Siguria nga zjarri dhe ndërtimi i qëndrueshëm në qendër të webinarit të parë të AES

Në ligjëratën e tij në webinarin e Albanian Engineering of Switzerland, Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta trajtoi sfidat e ndërtesave moderne, përdorimin e drurit në struktura të larta dhe teknologjitë bashkëkohore të analizës së zjarrit.

Siguria nga zjarri në ndërtesat moderne dhe sfidat e ndërtimit të qëndrueshëm ishin në qendër të webinarit të parë të organizuar nga Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES), një aktivitet që mblodhi profesionistë shqiptarë të inxhinierisë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Ligjërata kryesore u mbajt nga Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta, ndërsa diskutimi u moderua nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha.

Ky aktivitet shënoi hapjen e ciklit të webinareve profesionale që AES ka planifikuar gjatë vitit 2026, një nismë që synon të krijojë një platformë të strukturuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional mes inxhinierëve shqiptarë të diasporës. Përmes këtyre takimeve synohet ndarja e përvojave profesionale, diskutimi i zhvillimeve më të fundit në fushat teknike dhe forcimi i rrjetëzimit profesional mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari u zhvillua në platformën Microsoft Teams dhe mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, duke dëshmuar interesimin e madh për temat që lidhen me arkitekturën bashkëkohore, ndërtimin e qëndrueshëm dhe sigurinë teknike në ndërtesa. Pas prezantimit kryesor, aktiviteti vijoi me një diskutim të zgjeruar profesional, ku pjesëmarrësit parashtruan pyetje dhe ndanë përvoja nga projekte të ndryshme ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Florent Lushta trajtoi sfidat që lidhen me projektimin e ndërtesave moderne në një kontekst ku urbanizimi i përshpejtuar dhe ndryshimet klimatike po kërkojnë qasje të reja në arkitekturë dhe inxhinieri. Ai u ndal fillimisht te ndikimi që kanë zgjidhjet ekologjike në përmirësimin e klimës urbane, duke theksuar rolin e gjelbërimit urban dhe të materialeve natyrore në reduktimin e temperaturave në qytete.

Sipas analizave dhe ekspertizave të ndryshme, ndërhyrje të tilla mund të ulin temperaturën urbane deri në tetë gradë Celsius, duke zbutur ndjeshëm fenomenin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane”, një problem gjithnjë e më i pranishëm në qytetet moderne.

Në këtë kontekst u theksua edhe një paradoks energjetik që po vërehet në Evropën Perëndimore: gjatë verës shpenzohet më shumë energji për ftohjen e ndërtesave sesa gjatë dimrit për ngrohjen e tyre. Ky realitet e bën edhe më kompleks projektimin e ndërtesave të reja, veçanërisht në rajonet alpine si Zvicra, ku standardet e ndërtimit dhe kërkesat për efikasitet energjetik janë ndër më të lartat në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua përdorimit të drurit në ndërtim, një material që në dekadat e fundit po rikthehet në qendër të arkitekturës bashkëkohore si alternativë e qëndrueshme ndaj materialeve tradicionale. Në shumë projekte moderne, druri përdoret jo vetëm në fasada, por edhe si element strukturor në shtylla, dysheme dhe struktura mbajtëse.

Gjatë webinarit u përmendën edhe projekte të realizuara në Zvicër ku ndërtesa mbi 30 metra të larta janë ndërtuar kryesisht me konstrukcione druri, ndërsa pjesët e poshtme të strukturës realizohen me beton për të garantuar stabilitet shtesë. Kjo qasje hibride, që ndërthur materiale të ndryshme ndërtimore, konsiderohet një nga drejtimet më të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore.

Megjithatë, përdorimi i drurit në ndërtesa të larta paraqet sfida të veçanta për inxhinierinë e sigurisë nga zjarri. Rreziku nuk lidhet vetëm me djegien e materialit, por edhe me dobësimin e elementeve mbajtëse të strukturës në rast të temperaturave të larta. Për këtë arsye projekte të tilla kërkojnë koncepte të integruara të sigurisë nga zjarri, ku ndërthuren dimensionimi strukturor, sistemet aktive të mbrojtjes dhe planifikimi i kujdesshëm i rrugëve të evakuimit.

Në prezantim u shpjeguan gjithashtu fazat kryesore të zhvillimit të zjarrit nga këndvështrimi i inxhinierisë së zjarrit: faza e ndezjes, faza e përhapjes dhe fazat e avancuara të zhvillimit të flakës dhe të tymit. Nëse ndërhyrja realizohet në fazën e hershme, zjarri mund të kontrollohet përmes sistemeve automatike të shuarjes ose ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.

Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, elementet strukturore dimensionohen në mënyrë që të garantojnë një rezistencë ndaj zjarrit prej të paktën 60 minutash, duke siguruar kohën e nevojshme për evakuimin e njerëzve dhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar gjatë webinarit ishte përdorimi i metodave moderne të analizës së zjarrit. Inxhinieria bashkëkohore përdor simulime të avancuara kompjuterike për të analizuar zhvillimin e zjarrit dhe përhapjen e tymit në ndërtesa. Një nga metodat më të përdorura është Computational Fluid Dynamics (CFD), e cila mundëson modelimin tredimensional të rrjedhës së ajrit, përhapjes së tymit dhe ndryshimeve të temperaturës në hapësira të ndryshme.

Këto analiza përdoren jo vetëm në ndërtesa, por edhe në tunele, industri mekanike dhe sisteme komplekse transporti. Në këtë kontekst u përmend edhe bashkëpunimi me institucionet infrastrukturore si SBB, ku simulime të tilla përdoren për të analizuar përhapjen e zjarrit dhe të tymit në infrastrukturë hekurudhore dhe në sisteme transporti me kompleksitet të lartë teknik.

Gjatë diskutimit u përmend edhe rasti i zjarrit katastrofal në Crans-Montana, i cili kishte nxitur reflektim të gjerë në komunitetin profesional. Sipas analizave të përmendura gjatë webinarit, një nga problemet kryesore kishte qenë fakti se daljet e emergjencës nuk kishin qenë të planifikuara dhe të funksionalizuara sipas standardeve të kërkuara, ndërsa disa prej tyre kishin qenë të mbyllura ose të bllokuara, duke vështirësuar evakuimin e personave në ndërtesë. Ky rast u përdor si shembull për të theksuar rëndësinë e projektimit korrekt të rrugëve të evakuimit dhe respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri.

Pas prezantimit pasoi një diskutim i gjerë profesional i moderuar nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi praktikat bashkëkohore të projektimit dhe mbi rolin gjithnjë e më të madh që kanë analizat numerike dhe simulimet kompjuterike në inxhinierinë moderne të sigurisë nga zjarri.

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland është një organizatë jofitimprurëse që synon të bashkojë dhe të bashkërendojë aftësitë dhe përvojën profesionale të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë. Përmes aktiviteteve të saj, ajo promovon profesionistët shqiptarë në fushat inxhinierike dhe shkencore dhe kontribuon në rritjen e vizibilitetit të komunitetit shqiptar në hapësirën profesionale.

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë. Sipas organizatorëve, këto aktivitete synojnë të krijojnë një platformë të përbashkët ku profesionistët shqiptarë mund të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushat përkatëse dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari i dytë i këtij cikli pritet të mbahet më 17 qershor 2026. Të gjitha informacionet lidhur me Webinaret dhe programin i gjeni në linkun në vijim:

https://www.linkedin.com/company/albaninan-engineering-of-switzerland?originalSubdomain=ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Henniez: Uji mineral i ndotur nga pesticidet

Pas një skandali të zbuluar nga RTS, kompania Henniez nuk mund të përdorë më filtrat e karbonit aktiv për të hequr gjurmët e pesticideve nga uji i saj mineral. Dokumentet tregojnë se disa burime janë kaq të ndotura sa uji nga to duhet të hidhet dhe përzierja e ujit të mbetur rregullohet për të përmbushur kufijtë ligjorë.

Filtrimi i fshehtë i ujit “natyral” me karbon aktiv u zbuluar në 2024 dhe rezultoi i paligjshëm, pasi uji mineral duhet të jetë natyralisht i pastër. Megjithatë, kompania pohon se uji gjithmonë ka qenë i sigurt për konsum.

Për të shmangur pasoja reputacionale, Henniez ka rregulluar përzierjen e ujit nga burime të ndryshme për të qëndruar brenda limiteve ligjore për pesticide, duke hequr filtrat e karbonit.

Tri spitale të Zvicrës në listën e 20 spitaleve më të mira në botë

Një spital nga Zvicra gjendet në 10 vendet e para të listës se spitaleve më të mira në botë. Geneva University Hospitals (HUG) është në mesin e spitaleve më të mira, ndërsa në vendin e 20-të renditet Lausanne University Hospital në Lozanë.

Më shumë se 2500 spitale në 32 vende janë analizuar nga revista Newsweek dhe portali statistikor Statista në një krahasim ndërkombëtar të fundit, raporton Albinfo.ch.

Nga kjo analizë, 250 spitalet më të mira në botë janë vlerësuar dhe renditur.

Ndërkohë edhe spitale të tjera zvicerane janë renditur shumë lart. University Hospital Basel gjendet në vendin e 23-të të listës.

Vlerësimi është bazuar në katër burime kryesore të të dhënave: rekomandimet e ekspertëve mjekësorë nga 32 vende, treguesit e cilësisë së spitaleve, të dhënat publike për kënaqësinë e pacientëve, si dhe PROMs (Patient-Reported Outcome Measures), që matin gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas trajtimit./Albinfo.ch/

Volkswagen do të shkurtojë deri në 50 mijë vende pune në Gjermani deri në vitin 2030

Gjiganti i industrisë automobilistike Volkswagen ka njoftuar se planifikon të shkurtojë deri në 50 mijë vende pune në Gjermani deri në vitin 2030, në përpjekje për të ulur kostot dhe për t’u përballur me konkurrencën në rritje në tregun global.

Njoftimi vjen pasi kompania raportoi një rënie të fortë të fitimit neto për vitin 2025, i cili ra me rreth 44%, duke arritur në 6.9 miliardë euro – niveli më i ulët që nga kriza e “Dieselgate” në vitin 2016.

Sipas një deklarate të kompanisë, përveç 35 mijë vendeve të punës që tashmë janë paralajmëruar për t’u shkurtuar në fund të vitit 2024 brenda markës Volkswagen, reduktimet do të prekin edhe markat luksoze Audi dhe Porsche, si dhe degën e softuerit Cariad. Kjo u konfirmua nga drejtori ekzekutiv i grupit, Oliver Blume, në një letër drejtuar aksionarëve.

Synohen kursime prej 6 miliardë eurosh në vit

Me masat e reduktimit të stafit që tashmë kanë nisur, Volkswagen thotë se ka kursyer rreth 1 miliard euro gjatë vitit 2025 dhe synon të arrijë më shumë se 6 miliardë euro kursime vjetore deri në vitin 2030.

Kompania është përballur me kosto shtesë prej rreth 9 miliardë eurosh, ndër të cilat:

5 miliardë euro lidhen me ndryshimin e strategjisë elektrike të Porsche,

3 miliardë euro me tarifat doganore të vendosura nga SHBA,

dhe 1 miliard euro me procesin e ristrukturimit të brendshëm në Volkswagen.

Si pasojë, fitimi operativ ra me gati 53%, duke zbritur në 8.9 miliardë euro, ose 2.8% të shitjeve, krahasuar me 5.9% një vit më parë.

Të ardhurat mbeten pothuajse të pandryshuara

Të ardhurat totale të grupit mbetën pothuajse të pandryshuara në 322 miliardë euro, ndërsa kompania dorëzoi rreth 9 milionë automjete gjatë vitit 2025, një rënie e lehtë prej 0.2% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë:

Evropa dhe Amerika e Jugut shënuan rritje të shitjeve nga 5% deri në 10%,

Amerika e Veriut u godit nga tarifat doganore të vendosura nga administrata e Donald Trump, me një rënie prej 12%,

ndërsa në Kinë, për shkak të konkurrencës së fortë nga prodhuesit lokalë, shitjet ranë me 6%.

Presion edhe në vitin 2026

Për vitin 2026, grupi me seli në Wolfsburg pret që përfitueshmëria të mbetet nën presion për shkak të:

rritjes së kostove të lëndëve të para,

konkurrencës së fortë globale,

dhe tensioneve gjeopolitike.

Megjithatë, kompania synon të rrisë marzhin operativ në mes 4% dhe 5.5%.

Në tregun kinez – dikur tregu kryesor i Volkswagen – kompania shpreson të rikuperojë terren përmes “fushatës më të madhe të produkteve në historinë e saj”, duke lançuar modele të reja të dizajnuara posaçërisht për tregun lokal.

Rriten primet e sigurimit të veturave në Zvicër

Primat e sigurimit të veturave në Zvicër janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, duke prekur rreth 45% të pronarëve të automjeteve, sipas një sondazhi të realizuar nga platforma krahasuese Comparis me rreth një mijë të anketuar.

Sipas sondazhit, shumica e shoferëve paguajnë mes 500 dhe 1.599 franga zvicerane për sigurimin e veturës. Ndër ata që kanë raportuar rritje të çmimit, rreth një e treta kanë paguar mbi 100 franga më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në disa raste rritja arrin deri në 200 franga.

Analiza tregon se rritja e primeve nuk lidhet domosdoshmërisht me aksidente apo dëme, pasi 80% e të anketuarve deklaruan se nuk kanë pasur asnjë kërkesë për dëmshpërblim gjatë vitit të kaluar.

Pavarësisht kostove më të larta, vetëm 6% e shoferëve kanë ndryshuar kompaninë e sigurimit, ndërsa një pjesë e madhe vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin sigurues për shumë vite. Sipas Comparis, ndryshimi i siguruesit mund të sjellë kursime prej të paktën 200 frangash për disa klientë.