Dallime të mëdha të çmimeve të karburanteve në Evropë

Ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e dizelit janë rritur edhe deri në 30 për qind. Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës. Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, kjo rritje nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera shumë më tepër, duke krijuar diferenca të theksuara nga një vend në tjetrin.

Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një shtet në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.

Në disa vende, si Gjermania dhe Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta. Ndërkohë, shtete të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë të paqëndrueshme, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po ndikojnë në mënyrë të ndryshme, duke krijuar dallime të mëdha të çmimeve mes vendeve të BE-së.

Ndryshe, të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, ndërsa çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar në krahasim me një ditë më parë, në nivelin 1.46 euro për litër./Albinfo.ch

Nga sot hyn në fuqi sistemi EES për udhëtime në BE: ja çfarë ndryshon

Prej sot, më 10 prill 2026, ka hyrë në fuqi zbatimi i plotë i sistemit të ri të udhëtimeve EES (Entry/Exit System) në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan albinfo.ch.

Ky sistem do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave me një regjistrim elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së, duke u aplikuar për të gjitha vendet e treta që udhëtojnë në zonën Schengen.

Qytetarët duhet ta kenë parasysh se gjatë hyrjes së parë pas kësaj date, në pikën kufitare do të regjistrohen të dhëna të detyrueshme, përfshirë:

• të dhënat e pasaportës,

• fotografia e fytyrës,

• gjurmët e gishtërinjve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike mund të rezultojë me refuzim të hyrjes në territorin Schengen.

Në fazën fillestare të zbatimit, priten vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, ndaj qytetarëve u rekomandohet të paraqiten më herët për udhëtim.

Po ashtu, pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike, ndërsa nuk kërkohet aplikim paraprak për EES, pasi regjistrimi bëhet automatikisht në momentin e kalimit kufitar.

Sistemi i ri nuk ndryshon rregullat ekzistuese të qëndrimit në zonën Schengen, ku lejohet maksimumi 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore./Albinfo.ch

The Guardian: Vedat Muriqi ngrihet në fenomen të La Ligës

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull të gjatë sulmuesit të Mallorcas dhe Kosovës, Vedat Muriqi, duke e cilësuar atë si një nga emrat më në ngritje të La Ligës, përcjell albinfo.ch.

Muriqi, i lindur në vitin 1994 në Prizren, është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës së tij, sidomos pas golit vendimtar ndaj Real Madridit, që i dha fitoren Mallorcas me rezultat 2:1. Ky moment ka bërë që ai të përfitojë vëmendje të gjerë ndërkombëtare, duke u përshkruar si një “fenomen global”.

Sipas artikullit të gazetarit Sid Lowe, të publikuar në “The Guardian” me titull “Pirati i Mallorcas e lë mënjanë dhimbjen e Kosovës në plejof për të tronditur Real Madridin”, Muriqi po përjeton një periudhë të rëndësishme në karrierën e tij, e cila ka tërhequr interes të madh nga mediat ndërkombëtare.

Sulmuesi kosovar ka shënuar 19 gola në La Liga, duke u kthyer në një nga pikat kyçe të Mallorcas dhe një emër gjithnjë e më i përmendur në futbollin evropian, krahas yjeve si Kylian Mbappé, Erling Haaland dhe Harry Kane.

Pavarësisht arritjeve në klub, Muriqi ka kaluar edhe momente të vështira, përfshirë dështimin e Kosovës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës pas humbjes në plejof ndaj Turqisë, si dhe një penallti të humbur në ndeshjen vendimtare kundër Elches.

Ai ka reflektuar mbi emocionet e tij duke thënë:

“Edhe pse mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar nga jashtë, edhe unë jam njeri.”

Kam vuajtur shumë në javët e fundit”, shtoi ai, dukshëm i dorëzuar, por me një lloj fryme lehtësimi. 

“Papritmas, vjen një gol, një gol fantastik, për të fituar 2:1 me një nga golat e mi. Jam shumë i lumtur për shokët e mi të ekipit dhe për veten time”, shtoi ai.

Sfida e ardhshme e Muriqit tani është të mbajë këmbën në gaz. 

Ndikimi i tij në lojën e Mallorcas është i madh, edhe pse ai ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të ekipit (36). Me tetë ndeshje të mbetura, futbollistët e drejtuar nga trajneri, Martin Demichelis, duhet të sigurojnë mbijetesën e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kjo do të jetë më e lehtë nëse sulmuesi i tyre yll është në formë. 

Për më tepër, me 53 gola, ai është vetëm një gol larg barazimit të rekordit historik (54) të vendosur nga kamerunasi Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit që garon në La Liga. Po ashtu është tetë gola larg barazimit të rekordit të Dani Guiza për gola të shënuar gjatë një edicioni. Guiza kishte shënuar 27 gola në edicionin 2007/2008.

Ky kombinim i performancës sportive dhe karakterit të tij ka bërë që Muriqi të fitojë respekt të gjerë në Spanjë dhe më gjerë në futbollin evropian./Albinfo.ch

Vetaksident fatal në Prevallë, vdes turisti amerikan

Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Bjeshkët e Prevallës, ku një shtetas amerikan ka humbur jetën pas një vetaksidenti me motoçikletë katër-rrotëshe (ATV), transmeton albinfo.ch.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë angazhuar disa njësi policore në koordinim të plotë, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut.

Sipas raportimeve, trupi i pajetë i turistit amerikan, rreth 24-vjeçar, është nxjerrë pas disa orësh nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti.

Në operacionin e nxjerrjes së trupit kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në terrenin e vështirë./Albinfo.ch

 

Përditësim i lajmit

 Viktima e aksidentit në Prevallë është identifikuar si Angel Antonio Romo (24-vjeç), i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motorin dhe është rrokullisur, duke pësuar lëndime fatale, shkruan albinfo.ch. 

Rasti është raportuar rreth orës 17:00, ndërsa në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet policore, ekipet emergjente, zjarrfikësit dhe njësitë hetimore. Sipas mjekëve, i riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet rajonale dhe krim-teknika kanë kryer ekzaminimet dhe dokumentimin e provave. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.

Ishte nisur drejt Evropës, arrestohet një person në Aeroportin e Prishtinës për këtë arsye

Një person është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi rezultonte në “Stop listë” për shkak të një gjobe të papaguar, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Y.A., rreth 32-vjeçar nga Lagjja Marigona, i cili është ndaluar më 8 prill 2026, rreth orës 23:30.

Burime bëjnë të ditur se ai nuk kishte paguar një gjobë prej 500 eurosh, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim që dënimi të zëvendësohej me 25 ditë burgim.

Pas ndalimit në aeroport, i dyshuari është dërguar për vuajtje të dënimit sipas vendimit gjyqësor./Albinfo.ch

 

Prishtina International Airport – Adem
Jashari

Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify me dy albume mbi 15 miliardë dëgjime

Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke u bërë gruaja e parë në histori që ka dy albume me mbi 15 miliardë dëgjime në Spotify, transmeton albinfo.ch.

Albumi i saj debutues, “Dua Lipa” (2017), së fundmi ka kaluar këtë shifër, duke iu bashkuar albumit “Future Nostalgia” (2020), i cili e kishte arritur këtë sukses pak më herët.

Me këtë arritje, ajo lë pas emra të njohur të skenës botërore si Olivia Rodrigo dhe SZA, duke u renditur si artistja e parë femër me më shumë se një projekt që tejkalon këtë prag dëgjimesh në platformën Spotify.

Albumi “Dua Lipa”, i publikuar më 2 qershor 2017, shënoi hyrjen e saj në skenën ndërkombëtare të muzikës pop. Fillimisht me një performancë modeste, ai fitoi shpejt popullaritet gjatë vitit 2018, duke arritur vendin e tretë në UK Albums Chart dhe duke hyrë në top-10 në 13 shtete.

Këngët si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules” u shndërruan në hite globale, me “New Rules” që arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe top-10 në Billboard Hot 100 në SHBA. Më vonë, ribotimi “Complete Edition” e zgjeroi suksesin e albumit me bashkëpunime si “One Kiss” me Calvin Harris dhe “Electricity” me Silk City.

Ky projekt e konsolidoi Dua Lipën si një nga emrat më premtues të pop-it modern, duke i sjellë nominime dhe çmime të rëndësishme, përfshirë Brit Awards dhe Grammy Awards.

Ndërkohë, albumi “Future Nostalgia” u shndërrua në një sukses global, duke kryesuar listat në 15 shtete dhe duke fituar çmimin Grammy për “Best Pop Vocal Album”.

Ky rekord në Spotify konfirmon ndikimin e vazhdueshëm të Dua Lipës në muzikën botërore dhe fuqinë e saj në epokën e streaming-ut./Albinfo.ch

Kultura e Kosovës promovohet në Washington D.C.

Në Washington D.C., në ambientet e “La Maison Française” të Ambasadës së Francës, është mbajtur ngjarja kulturore “La Grande Fête”, ku Kosova u prezantua me krenari përmes kulturës dhe gastronomisë së saj tradicionale, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë aktivitet u konsiderua një mundësi e veçantë për të promovuar trashëgiminë kulturore përkrah vendeve dhe rajoneve frankofone, duke sjellë para publikut një përvojë autentike të shijeve dhe traditave kosovare.

Vizitorët patën rastin të shijojnë specialitete tradicionale si flija, mantia, sheqerpare, si dhe produkte vendore, përfshirë verërat lokale dhe Besa Lager, duke krijuar një përvojë të plotë kulinare nga Kosova.

Organizatorët dhe përfaqësuesit e përfshirë falënderuan Toska Restaurant & Brewery për bashkëpunimin dhe përkushtimin në prezantimin e shijeve autentike, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në një mbrëmje të suksesshme kulturore dhe miqësore.

Ngjarja u përmbyll me mesazhe falënderimi dhe vlerësimi për bashkëpunimin ndërkulturor, duke theksuar rëndësinë e promovimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Shqiptarja fiton çmimin “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjikë

Në qendër të Antwerpenit, biznesi “TE PECA”, i themeluar nga Shpresa Jusufi, po shënon sukses të jashtëzakonshëm duke u vlerësuar me çmimin prestigjioz “Restaurant Guru Award 2026”, transmeton albinfo.ch.

I vendosur në adresën Sint-Jacobsmarkt 62-64, ky lokal i kategorisë broodjeszaak (fast food) u hap rreth një vit më parë. Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë, pasi punimet e shumta në zonë ndikuan drejtpërdrejt në qarkullimin e klientëve dhe zhvillimin e biznesit. Pavarësisht sfidave, Shpresa Jusufi, me këmbëngulje dhe punë të palodhur, arriti ta mbajë gjallë projektin e saj dhe ta zhvillojë me sukses, siç raporton edhe Gazet van Antwerpen.

Sot, “TE PECA” konsiderohet si një “perlë e fshehur” në zemër të qytetit, ku çdo ditë përgatiten sanduiçë të freskët me përbërës cilësorë dhe çmime të përballueshme.

Ajo që e dallon më së shumti këtë vend nuk është vetëm ushqimi, por edhe mikpritja e veçantë. Shpresa kujdeset personalisht që çdo klient të ndihet i mirëpritur dhe si në shtëpinë e tij — një element që ka bërë që studentë, punëtorë dhe turistë ta zgjedhin “TE PECA” si destinacionin e tyre të preferuar për mëngjes apo drekë.

“Në TE PECA duam që çdo klient të largohet i kënaqur dhe me buzëqeshje,” është filozofia që e udhëheq këtë biznes.

Menuja ofron një përzgjedhje të pasur sanduiçësh, nga kombinimet klasike me djathë dhe proshutë, deri te opsionet më të veçanta si brie me mjaltë apo salmon deluxe, duke e bërë këtë vend të përshtatshëm për çdo shije.

Me moton “Provo ndryshimin”, “TE PECA” vazhdon të rritet çdo ditë dhe të fitojë gjithnjë e më shumë zemrat e klientëve në Antwerpen, duke u shndërruar në një nga adresat më të kërkuara të qytetit./Albinfo.ch

Bie çmimi i arit pas rritjeve rekord

Ari, i cili kohët e fundit kishte arritur nivele rekord, po përballet tani me presion dhe luhatshmëri të fortë. Të dhënat e fundit tregojnë se metali i çmuar po shitet mes 4,050 dhe 4,100 euro për ons, ose rreth 130 euro për gram, duke shënuar një rënie të dukshme nga kulmet e arritura kohët e fundit.

Investitorët janë surprizuar, pasi një rritje e shpejtë u pasua nga një korrigjim që fshiu disa nga fitimet brenda pak ditësh. Analistët thonë se kjo luhatshmëri lidhet me kombinimin e disa faktorëve, përfshirë forcimin e dollarit amerikan, rritjen e normave të interesit dhe pasigurinë në tregjet globale.

Megjithatë, interesi për arin mbetet i lartë, sidomos për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe politikave të bankave qendrore. Në periudhën afatgjatë, ari vazhdon të ruajë statusin e tij si një “strehë e sigurt” kundër tronditjeve ekonomike.

Rritet sëmundja e mëlçisë së dhjamosur tek fëmijët: ushqimi i shpejtë dhe përdorimi i gjatë i telefonave rrezikojnë shëndetin

Ekspertët paralajmërojnë se sëmundja e mëlçisë së dhjamosur jo-alkoolike (NAFLD), dikur e përhapur kryesisht tek të rriturit, po shfaqet gjithnjë e më shpesh tek fëmijët dhe adoleshentët. Kjo lidhet ngushtë me zakonet e pashëndetshme ditore, sipas të dhënave nga “ScienceDirect”.

NAFLD shfaqet kur yndyra grumbullohet në qelizat e mëlçisë pa shkaktuar dëmtime nga alkooli. Nëse nuk trajtohet, kjo mund të çojë në inflamacion, fibrozë dhe dëmtime serioze të mëlçisë.

Studiuesit e Spitalit Universitar të Fëmijëve në Ljubljana, Slloveni, raportojnë se rastet e NAFLD tek fëmijët janë rritur dukshëm vitet e fundit, pasqyruese të rritjes së mbipeshës dhe obezitetit tek të rinjtë – dy faktorë kryesorë rreziku.

Shkaqet kryesore që lidhen me rrezikun:

Ushqimi i pasëm: Konsumi i tepërt i ushqimeve të përpunuara, sheqernave dhe pijeve të gazuara favorizon grumbullimin e yndyrës në mëlçi, madje edhe tek fëmijët me peshë normale.

Pesha dhe shpërndarja e yndyrës: Studimet në SHBA tregojnë se fëmijët me më shumë yndyrë abdominale kanë më shumë mundësi për të zhvilluar NAFLD, pavarësisht peshës totale.

Stili i jetës sedentare: Koha e gjatë e kaluar ulur, shpesh para telefonave dhe ekranëve, lidhet me rrezikun për sëmundje metabolike, duke përfshirë NAFLD.

Sëmundja është veçanërisht e rrezikshme sepse shpesh nuk jep simptoma të hershme, duke e bërë të vështirë zbulimin pa kontrolle mjekësore të rregullta. Nëse lëshohet pa trajtim, mund të çojë në diabet tip 2, hipertension dhe dëmtime kronike të mëlçisë.

Këshillat e mjekëve:

Ulni konsumimin e ushqimeve të përpunuara dhe të pijëve të sheqerosura.

Zhvilloni zakone ushqimore të shëndetshme, duke përfshirë fruta, perime dhe proteina të pastra.

Kufizoni kohën para ekranit dhe inkurajoni aktivitet fizik çdo ditë.

Kryeni kontrolle mjekësore të rregullta, sidomos tek fëmijët me predispozita për obezitet ose probleme metabolike.

Ekspertët theksojnë se zakonet e jetesës, jo vetëm dieta, janë thelbësore për parandalimin e sëmundjeve metabolike që prekin mëlçinë dhe sistemin kardiovaskular.

BMW prezanton 7 modele të reja për vitin 2026

Edhe pse BMW nuk arriti të thyente rekordin e saj të shitjeve vitin e kaluar, kompania dërgoi gjithsej 2,169,739 automjete globalisht — vetëm rreth 83,000 më pak se rekordi i vendosur në vitin 2023.

Pavarësisht kësaj, BMW mbeti lider i qartë në segmentin e makinave luksoze, duke kaluar rivalët e saj kryesorë, Mercedes dhe Audi, dhe duket e vendosur për një vit të suksesshëm përpara.

Dyqani online i BMW-së ka zbuluar pa dashje disa nga modelet që do të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë emra të njohur dhe disa surpriza të reja. Disa prej tyre mund të mos jenë të disponueshme deri në vitin 2027, por zbulimi i tyre tashmë ka ngritur pritshmëritë.

Lista e modeleve që pritet të prezantohen ose janë tashmë të njohura përfshin:

BMW i3: Electric 3

BMW iX3

BMW 7 Series

BMW X5

BMW 3 Series

BMW M2

BMW iX4

Ky është një hap tjetër i BMW-së drejt zgjerimit të gamës së saj elektrike dhe të performancës së lartë, duke forcuar pozitën në tregun global të automobilave luksoze.

Si po ndikon lufta në Iran tek industria ushqimore zvicerane

Lufta në Gjirin Persik dhe bllokada e mëvonshme e Straits të Hormuzit nga Irani kanë ndërprerë rrjedhën e mallrave thelbësore dhe kanë rritur çmimet e energjisë. Zvicra, si një qendër për multinacionale të mëdha ushqimore dhe tregtinë globale të mallrave, po ndjen pasojat. Ja katër sektorë të veçantë që janë më të prekshëm nga këto zhvillime:

1. Tregtia e plehrave

Plehrat janë një nga mallrat më të tregtuara në botë, me 169 milionë ton që kaluan kufijtë në 2024. Rreth gjysma e tyre përdoren për rritjen e drithërave si orizi, gruri dhe misri. Megjithatë, tregtia është ndikuar nga kufizimet e eksportit të vendosura nga Kina që nga 2021, sanksionet ndaj eksportuesve kryesorë të potashit si Rusia dhe Bjellorusia, dhe tarifa 10% mbi importet e plehrave të vendosur nga administrata Trump.

Lufta në Lindjen e Mesme e ka përkeqësuar situatën për tregtarët zviceranë. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO), 20%-30% e plehrave globale kalojnë përmes Straits të Hormuzit. Çmimi i ureës u rrit deri në 60% pas fillimit të konfliktit. Gjiri Persik prodhon 25% të squfurit global dhe gjysmën e eksporteve të tij që përdoren për prodhimin e plehrave si DAP.

Florence Schurch, sekretare e përgjithshme e Shoqatës Zvicerane të Tregtisë së Mallrave SUISSENÉGOCE, thotë: “Rreth 35% e ureës dhe 25% e amoniakut botëror vjen nga kjo zonë. Nuk mund të ndryshosh burimet brenda një nate.”

2. Prodhimi i shisheve të qelqit

Prodhimi i qelqit kërkon shumë energji. Lëndët e para – rërë silikate, gëlqere dhe sodë – shkrihen në furra në temperatura rreth 1,500°C, dhe rreth 75% e energjisë së përdorur vjen nga gazi natyror.

Sipas Vetropack, një prodhues zviceran i qelqit, rritja e çmimeve të energjisë mund të çojë në shtrenjtime të pijeve si uji mineral, birra dhe pijet joalkoolike. Nëse situata nuk përmirësohet, çmimet mund të rriten për shkak të kostove më të larta të shisheve të qelqit.

3. Paketimi plastik ushqimor

Sektori i plastikës përdor 4%-6% të furnizimit me naftë dhe gaz në Evropë për prodhimin e materialeve për paketim. Rreth 36% e plastikës përdoret për paketimin e ushqimit dhe pijeve.

Shoqata Zvicerane e Plastikës KUNSTSTOFF.swiss paralajmëron se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme rrit rreziqet për kostot dhe disponueshmërinë e materialeve. Kjo ndikon direkt në paketimin e ushqimeve dhe produktet e lidhura, si qeset plastike, filmat paketues, shishet plastike dhe enët e ushqimit.

4. Shitjet e çokollatës

Global Travel Retail është një nga kanalet më të shpejta për shitjet e çokollatës zvicerane. Lindt & Sprüngli raportoi rritje prej 19.6% në shitjet në duty-free në aeroportet në 2025, por anulimet e fluturimeve drejt aeroportëve kryesorë në Gjirin Persik kanë ndikuar tashmë në shitje.

Po ashtu, kompania Läderach ka mbyllur dyqanin e saj në Bahrein për shkak të situatës së sigurisë dhe po monitoron rritjen e kostove të energjisë dhe bllokadën e furnizimeve.

Florence Schurch vëren se çdo rritje e çmimeve të plehrave ka efekt të drejtpërdrejtë mbi fermerët në vendet më të varfra, duke ulur rendimentin e kulturave dhe duke rritur rrezikun e pasigurisë ushqimore.

Shumë njerëz të sëmurë në Zvicër: Viruset e ftohjes, gripi dhe norovirusi qarkullojnë njëkohësisht

Kudo shikon, njerëzit kolliten dhe teshtijnë, duke krijuar përshtypjen se “të gjithë janë të sëmurë”. Sipas Shoqatës Zvicerane të Farmacistëve (pharmasuisse), kjo nuk është një valë e vetme sëmundjeje, por shfaqja e njëkohshme e disa infeksioneve sezionale.

Aktualisht qarkullojnë:

Viruset e ftohjes

Mbetjet e sezonit të gripit

Norovirusi dhe patogjenë të tjerë gastrointestinalë

Simptomat më të zakonshme: kollë, hundë rrjedhëse, fyt i dhimbshëm, ethe dhe probleme të stomakut. Alergjitë po përkeqësojnë situatën.

Farmacitë raportojnë rritje të kërkesës për ilaçe kundër kollës, ftohjes, dhimbjeve dhe etheve, si dhe për preparate për diarre dhe hidratim.

“Është një fazë intensive por e shpjegueshme sezonale – nuk ka arsye për shqetësim të jashtëzakonshëm,” thonë farmacistët.

Këshilla: Kujdesi personal, pushimi dhe përdorimi i ilaçeve të duhura ndihmojnë në përballimin e simptomave.

Nikotina në duart e të rinjve: Varësia që fillon herët

Një sondazh i Shoqatës së Mushkërive të Zvicrës Qendrore tregon se një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve 10–18 vjeç në Zvicrën gjermanofolëse kanë provuar produkte me nikotinë si vapes, snus dhe çanta nikotine. Nga këta, 44% përdorin rregullisht këto produkte dhe gjysma dëshirojnë të ndalojnë, por kërkojnë mbështetje.

Shoqata ka lançuar projektin pilot “Ndalo Duhanin për të Miturit” për të ndihmuar të rinjtë të thonë “jo” nikotinës dhe të përballojnë stresin pa ndihmën e duhanit. Ekspertët paralajmërojnë se produktet alternative shpesh përmbajnë më shumë nikotinë se cigaret tradicionale, ndërsa fëmijët përjetojnë varësi psikologjike dhe simptoma fizike pa e lidhur me përdorimin e drogës.

Projekti pilot nis dimrin e 2026 dhe synon të zgjerohet në gjithë Zvicrën.

Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Kosova shtet i konsoliduar, Serbia pengon normalizimin

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e 10132-të të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku ka paraqitur qëndrimet e Kosovës për zhvillimet politike, sigurinë dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Në fjalimin e tij, Konjufca theksoi se Kosova vazhdon të jetë “demokraci e qëndrueshme me institucione funksionale”, duke përmendur zgjedhjet e fundit dhe reformat qeveritare si dëshmi të stabilitetit politik dhe institucional në vend.

Kritika ndaj Serbisë dhe raportit të UNMIK-ut

Konjufca akuzoi Serbinë për ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe për ndikim ndaj komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se Beogradi po tenton të minojë institucionet e vendit. Ai vlerësoi se përpjekjet e Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë parandaluar këto ndërhyrje.

Ai gjithashtu kritikoi raportimin e UNMIK, duke thënë se disa pjesë të tij nuk pasqyrojnë realitetin në terren dhe nuk përfshijnë mjaftueshëm, sipas tij, kërcënimet dhe veprimet e Serbisë.

Siguria në veri dhe çështja e armëve

Ministri përmendi se Policia e Kosovës ka sekuestruar qindra armë dhe mijëra fishekë në veri të vendit gjatë tre viteve të fundit, duke theksuar angazhimin e institucioneve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ai përmendi gjithashtu sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023, duke e cilësuar si një nga rastet më serioze të sigurisë në Kosovë dhe duke kërkuar përgjegjësi për autorët.

Thirrje për njohje ndërkombëtare

Konjufca deklaroi se Kosova tashmë është njohur nga 121 shtete anëtare të OKB-së dhe përmendi disa njohje të reja, duke u bërë thirrje vendeve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai theksoi se, sipas tij, stabiliteti afatgjatë në Ballkan varet nga njohja e plotë ndërkombëtare e Kosovës dhe integrimi i saj në organizatat ndërkombëtare.

Kritika ndaj UNMIK-ut dhe EULEX-it

Në fjalim u ngritën edhe kundërshtime ndaj rolit të UNMIK dhe EULEX, ku Konjufca tha se institucionet e krijuara nga Kosova duhet të trajtohen si pjesë e rendit të saj sovran dhe jo si struktura të varura nga OKB-ja.

Thirrje për përfundimin e misionit të UNMIK-ut

Në përmbyllje të fjalimit, Konjufca tha se mandati i UNMIK, sipas tij, ka përfunduar dhe se resurset e OKB-së duhet të orientohen drejt krizave të tjera globale.

Ai shtoi se Kosova është e gatshme të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe se fokus duhet të jetë në anëtarësimin e plotë të vendit në OKB.

Muriqi mes emocioneve të forta: Nuk e mendoja kurrë humbjen ndaj Turqisë

Vedat Muriqi ka ndarë përvojën e tij emocionale në një intervistë për median spanjolle, duke folur hapur për periudhën e fundit të mbushur me ulje dhe ngritje si në klub ashtu edhe me kombëtaren e Kosovës.

Sulmuesi i Real Mallorcas, i cili vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer në La Liga dhe së fundmi vendosi ndeshjen ndaj Real Madridit me gol në minutën e 91-të, tha se javët e fundit kanë qenë shumë të ngarkuara për të nga ana emocionale.

Në intervistën për “La Zona 10”, ai kujtoi disa momente të vështira dhe të rëndësishme: humbjen e penalltisë ndaj Elches, suksesin në gjysmëfinale ndaj Sllovakisë dhe më pas zhgënjimin e madh me eliminimin e Kosovës nga Turqia në rrugën drejt Botërorit. Sipas tij, humbja ndaj turqve ishte e papritur, pasi kishte besuar plotësisht në kualifikim.

Muriqi theksoi se futbolli është i paparashikueshëm dhe se çdo ditë sjell emocione të reja, duke shtuar se është përpjekur të qëndrojë i fokusuar te Mallorca, ku ka arritur kuotën e 19 golave këtë sezon.

Ai tregoi edhe për momentin emocional pas golit vendimtar ndaj Real Madridit, duke pranuar se ishte i mbushur me ndjenja të forta dhe nuk i kishte përmbajtur dot lotët, por theksoi se nuk donte që kjo gjendje të ndikonte negativisht te skuadra.

Sa i përket të ardhmes me përfaqësuesen e Kosovës, Muriqi u shpreh se ende nuk ka marrë një vendim final, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit apo ndalimit pas periudhës së ardhshme.

Gjithashtu, ai foli për ndryshimet te Mallorca nën drejtimin e trajnerit të ri dhe për faktin se ekipi po punon më shumë në aspektin taktik, ndërsa zbuloi edhe interesimin që kishte pasur nga Fenerbahçe në afatin e janarit.

Në fund, sulmuesi kosovar tha se nuk është i fiksuar pas rekordeve individuale, por është i përqendruar të ndihmojë ekipin në një fazë vendimtare të sezonit.

Çmimet e karburantit në Zvicër ende të larta

Pavarësisht rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, çmimet e karburantit në Zvicër nuk kanë pësuar ulje të menjëhershme.

Touring Club Switzerland (TCS) raporton se aktualisht çmimet janë:

Benzina pa plumb 95: 1.82 franga/litër

Benzina pa plumb 98: 1.95 franga/litër

Nafta (diesel): 2.13 franga/litër

Ekspertët e shpjegojnë këtë me efektin e vonesës, pasi tregtarët po shesin ende rezervat e blera me çmime më të larta.

Që nga fundi i shkurtit, çmimet janë rritur ndjeshëm: benzina është shtrenjtuar rreth 10%, ndërsa nafta (diesel) deri në 22%.
Situata ka nxitur rritjen e “turizmit të karburantit”, me shumë shoferë që furnizohen në Itali për shkak të çmimeve më të ulëta, pas uljes së taksave nga qeveria italiane. Kjo po dëmton pikat e karburantit në rajonet kufitare të Zvicrës, veçanërisht në Ticino.

Ndërkohë, mungesat e karburantit në Francë kanë sjellë një rritje të kërkesës në disa zona zvicerane pranë kufirit.
Ekspertët mbeten të kujdesshëm dhe theksojnë se ecuria e çmimeve në javët në vijim do të varet nga stabiliteti i tregut të naftës dhe zhvillimet gjeopolitike.

Qyteti zviceran në mesin e pesë qyteteve me jetëgjatësinë më të lartë

Një raport i marsit 2026 mbi jetëgjatësinë dhe plakjen e shëndetshme zbuloi se Bergeni, në Norvegji, është qyteti ku njerëzit kanë mundësitë më të mira për të arritur moshën 100-vjeçare.

Ndërsa jetëgjatësia po kalon 80 vjet në vendet e zhvilluara, një studim i ri nga World Depopulation, një mjet global i analizës demografike, zbulon qytetet e reja të Zonës Blu, zonat urbane ku banorët kanë gjasat më të larta për të jetuar përtej moshës 100 vjeç, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Bergeni, në Norvegji, është vendi ku keni më shumë gjasa të arrini 100-vjetorin, pasi qyteti ofron ushqim të freskët, ajër të pastër dhe një nga cilësitë më të larta të jetesës në Evropë.

Njerëzit në Canberra kanë një nga jetëgjatësitë më të larta, duke jetuar deri në 84 vjet, pasi shumica e të moshuarve mbi 70 vjeç mbeten fizikisht aktivë, ndërsa më pak se 8% e të rriturve pinë duhan.

Qytetet franceze dominojnë renditjen e jetëgjatësisë, me Nantes, Grenoble dhe gjashtë vende të tjera që renditen në 20 vendet më të shëndetshme për të jetuar.

Studimi analizoi 100 qytete në mbarë botën për të gjetur se ku njerëzit kanë mundësitë më të mira për të jetuar deri në 100 vjeç.

Raporti kombinoi dy matës urbanë, renditjen e cilësisë së jetës dhe kushtet mjedisore, me pesë faktorë kombëtarë të shëndetit: jetëgjatësinë, normat e duhanpirjes, nivelet e obezitetit, standardet e sigurisë ushqimore dhe sa aktivë mbeten njerëzit mbi 70 vjeç.

Qytetet morën më shumë pikë kur ofronin kushte më të shëndetshme dhe standarde më të mira jetese, ndërsa ndodheshin në vende ku njerëzit jetojnë më gjatë.

10 qytetet ku keni më shumë gjasa të jetoni deri në 100 vjeç:

Bergen, Norvegji

Renditja për cilësinë e jetës: vendi i 4-t në botë

Renditja për mjedisin: vendi i 15-të në botë

Jetëgjatësia kombëtare: 83.76 vjet

Pikët për cilësinë dhe sigurinë ushqimore: 60.4

Mungesa e aktivitetit fizik mes të rriturve 70+: 47%

Rezultati i jetëgjatësisë: 88.87

Bergeni është qyteti ku keni më shumë gjasa të jetoni deri në 100 vjeç. Njerëzit aty jetojnë mesatarisht 84 vjet, pasi qyteti renditet i 4-ti në botë për aksesin në kujdesin shëndetësor, shërbimet publike dhe kushtet e përgjithshme të jetesës.

Bergeni është gjithashtu një qytetet me ajrin më të pastër mes qyteteve të mëdha, duke u renditur në vendin e 15-të për cilësinë e ajrit dhe mjedisin natyror. Më pak se 1 në 16 të rritur pinë duhan, një nga normat më të ulëta kudo, gjë që natyrshëm ndihmon në një jetëgjatësi më të lartë.

Canberra, Australi

Canberra renditet e dyta si një tjetër qytet i Zonës Blu. Njerëzit aty kanë një nga jetëgjatësitë më të larta, duke jetuar përtej 84 viteve, pasi shumica e të moshuarve mbi 70 vjeç mbeten fizikisht aktivë, ndërsa më pak se 8% pinë duhan.

Qyteti renditet gjithashtu i dyti në botë për cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturën publike, duke mbetur pas vetëm Grenoble.

Standardet e sigurisë ushqimore janë gjithashtu të larta, me 61 pikë në indeks, çka do të thotë se banorët mund të kenë gjithmonë qasje te prodhimet e freskëta dhe të përgatisin vakte ushqyese gjatë gjithë jetës së tyre.

Nantes, Francë

Nantes zë vendin e tretë në renditjen e jetëgjatësisë. Njerëzit atje jetojnë mesatarisht pothuajse 84 vjet, pasi qyteti renditet i 10-ti në botë për kujdesin shëndetësor dhe shërbimet publike.

Ajo që e veçon Nantesin, dhe Francën në përgjithësi, është cilësia e ushqimit, pasi vendi merr 69 pikë për standardet e sigurisë, rreth 8 pikë më shumë se Norvegjia.

Me 56% të të moshuarve që mbeten fizikisht aktivë dhe obezitetin që prek vetëm 10% të popullsisë, normën më të ulët mes qyteteve të mëdha, Nantes u jep banorëve të tij çdo mundësi për një plakje të shëndetshme.

Grenoble, Francë

Grenoble renditet i katërti, ndërsa mban vendin e parë në botë për cilësinë e jetës. Qyteti alpin ofron kushtet më të mira të jetesës mes 100 qyteteve të studiuara, nga qasja në kujdesin shëndetësor deri te shërbimet publike.

Si rezultat, njerëzit atje jetojnë mesatarisht pothuajse 84 vjet. Një tjetër arsye për jetëgjatësinë e banorëve është ushqimi i freskët, pasi Franca në përgjithësi renditet lart në indeksin e standardeve ushqimore me 69 pikë.

Me obezitetin që prek gjithashtu vetëm 1 në çdo 10 shtetas francezë, banorët e Grenoble kanë shumë mundësi për të arritur 100 vjeç.

Bern, Zvicër

Berna plotëson pesëshen e parë, pasi njerëzit aty jetojnë përtej 84 viteve, një nga jetëgjatësitë më të larta të regjistruara në studim.

Qyteti renditet i 3-ti në botë për cilësinë e kujdesit shëndetësor, ndërsa vetë Zvicra ka vlerësimet më të larta për sigurinë ushqimore me 77 pikë, madje më shumë se Franca.

Mbi 60% e të moshuarve ushtrohen rregullisht, çka ndihmon që obeziteti të mbetet në vetëm 12.5%, ndër normat më të ulëta në Evropë. Dhe edhe pse 1 në 5 të rritur pinë duhan, kushtet e favorshme urbane u japin sërish banorëve të Bernës shanse të larta për të arritur statusin e njëqindvjeçarit.

Një studiues i jetëgjatësisë nga World Depopulation komentoi mbi studimin: “Një gjë që nuk na habiti fare ishte sa dobët u paraqitën qytetet amerikane. San Jose u rendit në vendin e 37-të pavarësisht se ndodhet në Silicon Valley me gjithë atë pasuri. Problemi është konteksti më i gjerë kombëtar. Amerikanët kanë një normë obeziteti 42% dhe një jetëgjatësi shumë më të shkurtër se europianët ose australianët.

Edhe nëse jetoni në qytetin më të shëndetshëm amerikan, sërish jeni pjesë e një kulture ushqimore dhe një sistemi shëndetësor që e bëjnë shumë më të vështirë kalimin përtej moshës 80 dhe 90 vjeç, krahasuar me Evropën.”

5000 nënshkrime ndalojnë ndërtimin e xhamisë shqiptare në Siebnen

Një xhami në mes të fshatit? Shumë njerëz në Siebnen nuk e donin këtë. Tani ata e kanë arritur qëllimin, raporton SRF. Komuniteti Musliman Shqiptar, i cili donte ta shndërronte shtëpinë historike në sheshin kryesor të fshatit në një qendër kulturore islamike, po braktis planet e tij për momentin, transmeton albinfo.ch

5,000 nënshkrime e bënë komunitetin të rishqyrtojë vendimin

“Ne nuk duam të përçajmë popullsinë,” është shprehur kryetari i komunitetit musliman, Sinan Sadriu për programin “Rundschau”. Ai tha gjithashtu se nuk donte të përballej me sharje.

Komuniteti shqiptar tani po kërkon një vend tjetër për xhaminë.

Rezistenca ishte e konsiderueshme: SVP lokale mblodhi rreth 5,000 nënshkrime kundër planeve të komunitetit Mysliman Shqiptar. Një xhami “nuk i përket mesit të fshatit,” shpjegon Rita Rutz, pronare e një dyqani thurjeje përballë shtëpisë që ishte planifikuar të bëhej xhami.

Rezistenca në Siebnen nuk është një rast i izoluar.

Ideja e xhamive në rajon nuk është një rast i izoluar. Kohët e fundit, për shembull, rezistenca ndaj projekteve të tilla u ngrit edhe në periferi të Bernës (Wittigkofen) dhe në St. Gallen. Argumenti i përmendur shpesh është se “kultura e huaj” nuk përshtatet me Zvicrën.

 

Zvicra vendos aeroplanë më të mëdhenj për të tejkaluar grevën në Lufthansa

Linja ajrore zvicerane ka reaguar ndaj grevës së njoftuar të premten në Lufthansa. Ajo planifikon të përdorë avionë më të mëdhenj në fluturimet për në Frankfurt dhe Mynih, në mënyrë që disa pasagjerë të arrijnë në destinacionin e tyre pavarësisht gjithçkaje.

Sindikata UFO po u bën thirrje ekuipazhit të kabinës së linjave ajrore gjermane Lufthtansa dhe CityLine të bëjnë grevë njëditore, si pjesë e një konflikti social që ka vazhduar prej muajsh.

Në qendrat e Mynihut dhe Frankfurtit, të gjitha fluturimet e Lufthansa do të preken nga greva nga e premtja, nga ora 0:01 deri në 220, njoftoi UFO. Kjo lëvizje ankesash ndodh për shkak të negociatave mbi marrëveshjen kolektive në Lufthansa dhe, sipas UFO, refuzimit të kompanisë për të negociuar një marrëveshje kolektive sociale në Cityline. Rreth 800 vende pune janë në rrezik.

Sipas Harry Jaeger, kryenegociatorit të sindikatës, menaxhmenti nuk ka përparuar, “përkundrazi”, në shkëmbimet mbi temat kryesore të “punës së tepërt”, “parashikueshmërisë më të mirë” dhe “zgjatjes së periudhave të njoftimit”. “Negociatat dështuan”, përmbledh sindikata, e cila tregon se shumica dërrmuese e stafit të konsultuar (94%) votuan në favor të kësaj greve.

Kjo thirrje e re për grevë vjen kur festat e Pashkëve kthehen për shumicën e rajoneve gjermane.

Linja ajrore zvicerane, një degë e Lufthansa, reagoi duke njoftuar vendosjen e avionëve me kapacitet më të madh në Frankfurt dhe Mynih, në mënyrë që të ruante disa nga lidhjet.

“Jemi të vetëdijshëm se grevat shkaktojnë shqetësime për shumë udhëtarë. Prandaj, qëllimi ynë është të vëmë në dispozicion kapacitete shtesë në masën e mundësive tona”, shkroi Swiss në përgjigje të Keystone-ATS. Për momentin, kjo ka të bëjë me tetë fluturime midis Cyrihut dhe Frankfurtit dhe midis Cyrihut dhe Mynihut. Fluturime të tjera mund të shtohen, sipas Swiss.

Në këtë fazë, në Gjenevë, dy fluturime me Frankfurtin dhe Mynihun të planifikuara për të premten në mëngjes janë anuluar, tha zëdhënësi i Aeroportit të Gjenevës. Pasagjerëve u kërkohet të kontaktojnë kompaninë për udhëzimet më të mira, përcjell albinfo.ch.

Udhëtarët inkurajohen gjithashtu të kontrollojnë rregullisht statusin e rezervimit të tyre dhe të përditësojnë informacionin e tyre të kontaktit nëse është e nevojshme. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të kontaktohen drejtpërdrejt në rast të anulimit të një fluturimi.

 

Lufthansa ka vuajtur nga disa greva që nga fillimi i vitit.

Më 12 shkurt, gati 800 fluturime u anuluan në kompaninë kryesore Lufthansa, degën Lufthansa CityLine dhe degën e mallrave Lufthansa Cargo, duke prekur rreth 100,000 pasagjerë.

Kjo ditë veprimi kombinoi një grevë pilotësh, në konflikt për daljen në pension të kompanisë së tyre, me një grevë paralajmëruese nga ekuipazhi i kabinës në degën CityLine, e specializuar në fluturime evropiane dhe e kërcënuar me mbyllje.

Një muaj më vonë, një grevë e re pilotësh, këtë herë gjatë dy ditëve, preku pothuajse gjysmën e fluturimeve, sipas grupit.

Anketa: Zvicra kundër shkurtimeve të mëtejshme të fondeve të ndihmës për zhvillim

Popullsia zvicerane është kundër shkurtimeve të mëtejshme të fondeve të ndihmës për zhvillim, sipas një ankete të kryer nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Cyrih.

Shumica e 4,305 personave të anketuar nuk do të mbështesnin shkurtimet as për të ridrejtuar fondet në mbështetjen e Ukrainës.

Rreth 77% e të anketuarve besojnë se shpenzimet publike për bashkëpunimin zhvillimor duhet të mbeten të pandryshuara ose edhe të rriten. Kundër shkurtimeve nuk janë vetëm ata të së majtës politike, por edhe shumica e atyre të së djathtës (58%).

Të anketuarit kërkojnë gjithashtu që vendet e Afrikës Sub-Sahariane të mos penalizohen. Në veçanti, 49% kundërshtojnë uljen e fondeve të alokuara për këtë rajon me qëllim rritjen e ndihmës për Ukrainën. Rreth 32% nuk ​​shprehin një mendim, ndërsa vetëm 19% e mbështesin këtë mundësi.

Kredia 2025-2028 e miratuar nga parlamenti për uljen e varfërisë dhe bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik është pothuajse 1.5 miliardë CHF më pak se sa u kërkua fillimisht nga Këshilli Federal – një ulje prej 18%.

Në total, kredia arrin në 11.1 miliardë CHF. Zvicra ka rezervuar rreth 14% të fondeve për Ukrainën.

Rënie e temperaturëve në Zvicër: Pas 23 gradëve vjen vala e të ftohtit

E enjtja ka shkëlqyer me shumë diell dhe temperatura mbi 20 gradë. Të premten, moti do të tregojë anën e tij të ndryshueshme: Qielli është shpesh shumë i vranët, veçanërisht përgjatë shpatit qendror dhe lindor verior të Alpeve, si dhe në ultësirat lindore bie shi herë pas here.

Nga ana tjetër, mbetet më miqësor në rajonin e Bernës dhe në luginat e brendshme alpine, ku dielli mund të mbizotërojë edhe për më gjatë. Temperaturat fillojnë në mëngjes me 6 deri në 10 gradë dhe rriten në pasdite në rreth 18 gradë.

E shtuna përsëri mbi 20 gradë

E shtuna do të sjellë mot shumë më miqësor: Është kryesisht me diell, edhe nëse fushat individuale të mjegullës mund të qëndrojnë ende në Mittelland në mëngjes. Gjatë pasdites, fushat gjithnjë e më të larta të reve do të vijnë nga perëndimi. Temperaturat po rriten ndjeshëm – nga 4 në 8 gradë në mëngjes në rreth 23 gradë në pasdite, siç parashikon Meteo Switzerland. Në Gjenevë, termometri mund të ngjitet edhe në 24 gradë, raporton 20minuten, transmeton albinfo.ch.

E diel gri

Të dielën, mbulesa e reve do të rritet përsëri. Qielli po ndryshon në re të dendura, ku mund të ketë pjesë edhe më të mëdha me diell, veçanërisht në Alpet qendrore dhe lindore. Gjatë ditës, shiu po bie nga perëndimi. Kufiri i reshjeve të borës bie në rreth 1500 metra. Temperaturat arrijnë një maksimum prej rreth 12 gradësh, në Luginën e Rajnit Churer janë të mundshme deri në 16 gradë.

Rënia e temperaturës nga e hëna

Në fillim të javës së re, moti mbetet i paqëndrueshëm, krahasuar me të shtunën do të ketë madje një rënie të vërtetë të temperaturës: Të hënën pritet të jetë i ndryshueshëm deri në re të dendura me reshje të ndërprera. Kufiri i reshjeve të borës është midis 1000 dhe 1500 metrave, vlerat maksimale janë midis 7 dhe 12 gradëve. Kështu, do të jetë midis 10 dhe 13 gradë më ftohtë se të shtunën.

Zhvillimi mbetet i pasigurt të martën, por ende ka ndryshime të motit me re dhe reshje të herëpashershme. Kufiri i reshjeve të borës mbetet në 1000 deri në 1500 metra, temperaturat arrijnë përsëri rreth 7 deri në 12 gradë.