Lojërat Olimpike në Itali do të sjellin trafik në Graubünden

Bëhet e ditur se në shkurt, mijëra spektatorë të Lojërave Olimpike Dimërore do të udhëtojnë nëpërmjet Graubünden drejt Italisë veriore, veçanërisht në vendin e ngjarjeve në Livigno, përcjell albinfo.ch.

Një koncept për menaxhimin e trafikut është duke u zhvilluar aktualisht.

Policia kantonale e Graubünden, Zyra e Graubünden për Energjinë dhe Transportin dhe Zyra e Inxhinierisë Civile e Graubünden kanë punuar prej muajsh mbi një koncept për të shmangur bllokimet e trafikut gjatë kësaj periudhe, e cila përkon edhe me pushimet dimërore.

Megjithatë, autoritetet kantonale duan që italianët të paguajnë për këtë punë shtesë.

“Nuk mund të jetë që ne të paguajmë dhe ata të përfitojnë,” thanë zyrtarët e Graubünden.

Cyrih: Promovohet biografia e Skënderbeut nga Oliver Jens Schmitt

Të shtunën më 25 tetor nga ora 14:00, me organizim të shtëpisë botuese Dora d`Istria do të promovohet në Zürich biografia e Skënderbeut, shkruar nga historiani zviceran dhe profesori i Universitetit të Vjenës, Oliver Jens Schmitt.

Në promovim do të marrë pjesë edhe Oliver Jens Schmitt, i cili do të mbajë një ligjëratë mbi rëndësinë e Skënderbeut si figurë e rëndësishme jo vetëm e historisë shqiptare.

Biografia e shkruar nga Oliver Jens Schmitt, është vlerësuar gjerësisht në qarqet akademike jo vetëm perëndimore si një nga trajtesat më të thelluara dhe më të balancuara për heroin kombëtar shqiptar, një figurë që për shekuj ka frymëzuar historinë, letërsinë dhe kulturën europiane.

Libri mund të porositet paraprakisht në këtë faqe: https://www.dorabooks.com/ dhe mund të blihet në ditën e promovimit.

Promovimi mbahet në këtë lokacion: SOHO, Hardstrasse 260, Zürich.

KQZ publikon shpenzimet e partive për tremujorin korrik – shtator 2025)

Së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (korrik – shtator 2025) të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje për këta muaj ka harxhuar më së shumti të holla nga të gjitha partitë e mëdha politike në vend. Për korrik, gusht dhe shtator, ky subjekt politik shpenzoi 663 mijë e 459 euro e 47 cent. Nga këto të holla, për paga VV-ja shpenzoi 238 mijë e 528 euro e 26 cent, për mallra dhe shërbime anëtarët e VV-së harxhuan 420 mijë e 182 euro e 88 cent. Kurse, për shërbime të telekomunikimit ishin 7 mijë e 862 euro e 93 cent, për shpenzimet për shërbime janë 1,478 euro e 60 cent.

Theksohet se VV-ja i shpenzoi 8 mijë e 124 euro e 77 cent për mobilje dhe pajisje me vlerë të vogël deri në 1 mijë euro, si dhe 1,498 euro për mobilje dhe pajisje ndërmjet 1 mijë dhe 5 mijë euro. Blerjet e tjera të mallrave dhe shërbimeve ishin 140 mijë e 769 euro, për lëndë djegëse 31 mijë e 72 euro e 56 cent. Për qiratë u shpenzuan 84 mijë e 957 euro e 94 cent, për shpenzimet e marketingut VV harxhoi 110 mijë e 78 euro e 51 cent, shpenzimet e përfaqësimit kapin vlerën e 5,530 euro e 42 cent, si dhe për shpenzime komunale shkuan 4,784 euro e 33 cent.

Për muajt korrik, gusht dhe shtator, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 188 mijë e 533 euro e 72 cent. Nga këto del se 91 mijë e 847 euro e 2 cent u shpenzuan për paga, 1,154 euro e 60 cent u shpenzuan për shërbimet e telekomunikimit. Ndërsa në rubrikën shpenzimet për shërbime, LDK-ja i pati 15,258 euro e 99 cent. Për blerjet tjera të mallrave dhe shërbimeve, LDK harxhoi 35 mijë e 833 euro e 90 cent, për lëndë djegëse 1,611 euro e 27 cent.

E dyta për shpenzime pas LVV-së vjen Partia Demokratike e Kosovës me 220 mijë e 660 euro e 77 cent. Sipas dokumentit të KQZ-së, PDK-ja ka harxhuar 106 mijë e 339 euro e 51 cent në paga, në mallra dhe shërbime 61 mijë e 555 euro e 50 cent, në shërbime të telekomunikimit 39 euro e 98 cent, në shpenzimet për shërbime 1,740 euro e 25 cent.

Ndërkaq, në mobilje dhe pajisje me vlerë të vogël deri në 1 mijë euro, PDK-ja shpenzoi 2,118 euro, në blerjet tjera të mallrave dhe shërbimeve u harxhuan 2,336 euro e 82 cent, në mirëmbajtje dhe riparime të tjera shkuan 305 euro, në qiratë 18 mijë e 838 euro e 6 cent; në shpenzimet e marketingut 32 mijë e 770 euro e 5 cent, në shpenzimet e përfaqësimit 2,717 euro e 34 cent, në shpenzimet komunale 2 mijë e 81 euro e 36 cent, ndërsa për shpenzime të ndryshme shkuan 50 mijë e 684 euro e 40 cent.

Kurse në llogaritë përllogaritëse për avancë, LDK raportoi se ka harxhuar 68 euro e 87 cent, në shërbimet për sigurim dhe regjistrim figurojnë 704 euro e 53 cent, në mirëmbajtje dhe riparime, 1 mijë e 49 euro, për qiratë, 14 mijë e 88 euro e 50 cent, për shpenzimet e marketingut u shpenzuan 25 mijë e 908 euro, për shpenzimet komunale ishin 569 euro e 79 cent, si dhe për shpenzime kapitale 438 euro e 28 cent.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës del se për tre muaj ka harxhuar 40 mijë e 765 euro e 16 cent. Sipas dokumentit të KQZ-së, AAK-ja ka shpenzuar 6,869 euro e 8 cent në paga; në shërbimet e telekomunikimit janë shpenzuar 494 euro e 73 cent; në mirëmbajtje dhe riparime të tjera u shpenzuan 590 euro e 50 cent; në shpenzimet komunale 1,378 euro e 32 cent; si dhe në shpenzime pa kategori, 31 mijë e 432 euro e 53 cent.

Berna dhe Brukseli zgjerojnë shkëmbimin e informacionit tatimor

Zvicra dhe Bashkimi Evropian po zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në shkëmbimin e informacionit tatimor, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të përfshijë shkëmbimin e të dhënave mbi paratë elektronike, si dhe forcimin e ndihmës për zbatimin e ligjit në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Të dyja palët nënshkruan një protokoll ndryshues të marrëveshjes mbi shkëmbimin automatik të informacionit (AEOI) në çështjet tatimore në Bruksel.

Komisioni Evropian e përshkroi këtë si një “hap të rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit tatimor dhe evazionit tatimor”.

Shoqata “Parandalo”, takim me temën “Shëndeti mendor dhe migrimi – I”

Shoqata “Parandalo” njofton se  nesër  më 23 tetor 2025, nga ora 18:30 deri në 20:00,  do të mbahet  takimi i radhës në Mittenza Saal, Hauptstrasse 4, 4132 Muttenz.
Tema e këtij takimi do të jetë “Shëndeti mendor dhe migrimi – I (Psyche und Migration – I)”, me Dr. med. Xhida Lumin, psikoterapiste për fëmijë, të rinj dhe familje, dhe Drita Ibrahimin, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës Parandalo për Basel.

Ky aktivitet, i mbështetur nga Basel Landschaft, KIP dhe Café International, do të trajtojë ndikimet emocionale të migrimit, sfidat e përshtatjes dhe mënyrat për të ruajtur ekuilibrin mendor në jetën e migruesve.

Shoqata Parandalo pret me kënaqësi pjesëmarrjen e anëtarëve dhe miqve të saj në këtë takim të radhës, që synon të forcojë dialogun, mirëkuptimin dhe kujdesin për shëndetin mendor në familjet tona.

 

Kosova e pranon se Belgjika ka shprehur interesim për shfrytëzimin e burgjeve të saj

Belgjika ka shprehur interes për të marrë në shfrytëzim institucionet korrektuese të Kosovës, sipas Korrektueseve të Kosovës (SHKK). Ky interes vjen pas marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën për përdorimin e Burgut të Gjilanit për të burgosur danezë. Megjithatë, SHKK-ja nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Belgjika dhe nuk ka kompetencë për marrëveshje ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Në fillim të tetorit, dy zyrtarë belgë vizituan Kosovën, duke shtuar dyshimet për një marrëveshje të mundshme për burgjet. Por kjo çështje u diskutua vetëm shkurtimisht dhe pa ndonjë diskutim të thelluar nga pala kosovare.

Organizatave për të drejtat e njeriut në Kosovë i kanë shprehur shqetësime për rreziqet dhe shkeljet e mundshme që mund të sjellë një marrëveshje e tillë.

Kosova ka treguar gatishmëri për të strehuar të burgosur të huaj, emigrantë dhe azilkërkues të refuzuar, përfshirë marrëveshjen e fundit për të strehuar 50 migrantë nga SHBA-ja.

Zvicra pret mbështetje të madhe në Prishtinë për ndeshjen ndaj Kosovës, caktohet çmimi

Zvicra pritet të ketë përkrahjen e një numri të konsiderueshëm tifozësh në ndeshjen kundër Kosovës, që do të zhvillohet më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kjo sfidë, e vlefshme për xhiron e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, mund të jetë vendimtare për pozicionimin përfundimtar në grup, veçanërisht për vendin e parë, përcjell albinfo.ch.

Federata e Futbollit e Zvicrës ka njoftuar se biletat për sektorin e dedikuar tifozëve zviceranë do të jenë në shitje për vetëm 10 euro. Një person do të mund të blejë deri në katër bileta. Shitja ende nuk ka nisur dhe do të bëhet përmes një linku që do t’i ofrohet Federatës Zvicerane nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Ndërkohë, FFK ende nuk ka hapur zyrtarisht shitjen e biletave për tifozët kosovarë. Për shkak të rëndësisë së ndeshjes dhe interesimit të madh, pritet që biletat të shiten brenda pak orësh sapo të dalin në dispozicion. /Albinfo.ch

Rreth 15 milionë euro i kushtuan buxhetit të shtetit dy palë zgjedhje

Bëhet e ditur se brenda nëntë muajve vendi ynë kaloi në dy procese zgjedhore, zgjedhjet parlamentare të 9 shkurti si dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit balotazhi i të cilave mbahet më 9 nëntor, teksa gjasat janë të mëdha që në dhjetor të këtij vit të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në rast se nuk formohet qeveria e re, përcjell albinfo.ch.

Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin e shtetit derisa bëjnë të ditur se vetëm për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale u shpenzuan miliona euro.

“Vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit kushtuan rreth 9 milionë euro buxhetit të shtetit. Po ashtu zgjedhjet lokale të 12 tetorit mbi 6 milionë euro. Pra vetëm brenda këtij viti në një periudhë të shkurtër kohore janë shpenzuar rreth 15 milionë euro. Tendenca për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin”. Rreth 9 milionë euro shtesë do t’i kushtonin buxhetit këto zgjedhje”, tha Vullnet Bukaqku nga Instituti Demokratik.

E zgjedhjet e shpeshta duket se janë bërë të mundimshme për qytetarët të cilët thonë se të njëjtat janë të dëmshme për vendin dhe rrjedhimisht po rendojnë jetesën e tyre.

“Normal që e dëmton shumë vendin. Është në dëm të qytetarëve zgjedhjet na kanë ardhur të hunda, zgjedhje zgjedhje…..”, tha një qytetar.

“Po dëmtohet shumë buxheti. S’kemi nevojë për zgjedhje tjera. duhet me i investu diku tjetër këto të holla”
Ka edhe qytetarët të cilët ndonëse i shohin të dëmshme zgjedhjet e shpeshta, thonë se ato duhet të mbahen sa herë që vendi përballet me krizë institucionale.”

“Këto e dëmtojnë shumë ekonominë por kur nuk shkohet tutje duhet me u mbajt”

Mbajta e shpeshtë e zgjedhjeve brenda një viti dëmton ekonominë e vendit dhe jo vetëm, vlerëson njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri.

Pesë kinezë hynë ilegalisht në Kosovë

Raportohet se një i dyshuar i mitur, shtetas i Serbisë, është arrestuar në fshatin Seqishtë të Hani i Elezit, pasi po shoqëronte pesë shtetas kinezë, të cilët dyshohet se kishin kaluar në mënyrë ilegale kufirin nga Serbia në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Siç thotë policia, kjo lëvizje e të kapurve, vijoi për t’u drejtuar më pas në Maqedoninë e Veriut.

Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa migrantët janë depërtuar në Serbi.

”Është arrestuar i dyshuari i mitur -shtetas i Serbisë, pasi i njëjti nga njësitet policore është ndaluar derisa ishte duke përcjellë pesë shtetas kinez në drejtim të RMV-së, të cilët dyshohet se kishin kaluar kundërligjshëm kufirin nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës, për të vazhduar në drejtim të RMV-së. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 24-orë, ndërsa 5 shtetasit kinezë janë kthyer-depërtuar në Serbi”.

Kosova e para në rajon që shqyrton strehimin e emigrantëve të refuzuar nga Britania

Kosova është bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë për të ndërtuar qendra për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar për gazetën britanike The Times se Kosova dëshiron të ndihmojë Britaninë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për sigurinë kombëtare përballë kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

“E shohim këtë si një detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, tha Kurti.

Bisedimet mes zyrtarëve kosovarë dhe britanikë janë në zhvillim, ndërsa temën pritet ta diskutojnë edhe në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Londër këtë të mërkurë.

Ndryshe nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina e kanë refuzuar propozimin britanik. Kryeministri Edi Rama deklaroi sërish se një marrëveshje e tillë “nuk do të ndodhë kurrë në Shqipëri”, ndërsa udhëheqësit e Malit të Zi dhe Bosnjës e konsideruan ofertën të papërshtatshme për vendet e tyre.

Mbretëria e Bashkuar po kërkon partnerë rajonalë si pjesë e strategjisë për të frenuar emigracionin e paligjshëm përmes Kanalit të La Manshit, ku këtë vit janë regjistruar mbi 37 mijë kalime – një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar.

Sot pritet të rikthehen aktivitetet zgjedhore në Maqedoni të Veriut

Mësohet se kandidatët e partive dhe koalicioneve tjera të cilët kanë kaluar në rrethin e dytë, akoma nuk janë kthyer në aktivitetet zgjedhore në Maqedoni të Veriut, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve nga shtabet zgjedhore, aktivitetet pritet t’i fillojnë nga dita e mërkurë duke u kthyer në terren me qytetarët dhe takimet më të mëdha për prezantimin e platformave të tyre, shkruan Alsat.m.

Fushata zgjedhore në rrethin e dytë vazhdon deri më 31 tetor,

më 1 nëntor fillon heshtja zgjedhore, votimi zhvillohet më 2 nëntor.

Parlamenti Evropian miraton rregulla të reja për patentat e shoferëve

Parlamenti Evropian ka miratuar reformën për unifikimin e rregullave të patentave të shoferëve në të gjithë Bashkimin Evropian. Qëllimi është rritja e sigurisë rrugore dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda BE-së, përcjell albinfo.ch.

Masat kryesore përfshijnë:

Njohje të ndërsjellë të pezullimeve: Nëse një person humbet patentën në një shtet anëtar, ndalimi do të vlejë edhe në të gjitha vendet e tjera të BE-së.

Sistem i përbashkët informacioni: Shkeljet rrugore do të regjistrohen në një bazë të dhënash të përbashkët dhe do të shkëmbehen automatikisht mes shteteve.

Patentë digjitale: Qytetarët do të mund ta mbajnë patentën në format digjital përmes një aplikacioni të certifikuar evropian. Testimi pritet të nisë në vitin 2026.

Drejtim që nga mosha 17 vjeç: Të rinjtë do të mund të drejtojnë automjete të shoqëruar nga një i rritur me përvojë.

Trajnim për sigurinë e përdoruesve të pambrojtur: Përfshin edukim të posaçëm për mbrojtjen e këmbësorëve, çiklistëve dhe fëmijëve.

Mosha e tretë: Nuk do të ketë kontroll shëndetësor të detyrueshëm për shoferët e moshuar; vendimi do të mbetet në kompetencë të shteteve anëtare.

Afatet: Zbatimi i plotë i reformës do të zgjasë disa vite, pasi kërkon harmonizimin e ligjeve kombëtare. Megjithatë, Komisioni Evropian synon nisjen e testimeve për patentën digjitale që në vitin 2026. /Albinfo.ch

Sot në Londër mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Kurti përfaqëson Kosovën

Mësohet se kryeqyteti britanik është sot nikoqir i Samitit të Procesit të Berlinit, një platformë ndërkombëtare që mbledh qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me partnerë të tjerë evropianë, përcjell albinfo.ch.

Procesi i Berlinit ka për synim të forcojë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë integrimin evropian të rajonit.

Në këtë samit, Kosovën e përfaqëson kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili pritet të marrë pjesë në diskutimet kryesore që lidhen me ekonominë, infrastrukturën dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian.

Samiti vjen në një kohë kur shtetet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida të reja ekonomike dhe politike, ndërsa BE-ja po rishikon qasjen ndaj zgjerimit në rajon.

Rita Ora paralajmëron album të ri dhe turne botëror në vitin 2026

Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe famë botërore, Rita Ora, ka konfirmuar se po përgatitet për publikimin e albumit të saj të katërt në studio, si dhe për një turne ndërkombëtar që do të nisë në vitin 2026, pas disa vitesh pauzë nga skena live, përcjell albinfo.ch. 

Në një intervistë për një radio në Melbourne, artistja e njohur për hitet “Anywhere” dhe “For You” u shpreh se është plotësisht e përqendruar në projektin e ri muzikor.

“Me siguri do të ketë një album. Jam shumë e fokusuar në këtë projekt dhe do të nis një turne – nuk kam bërë një turne albumi që nga viti 2018,” tha ajo.

Rita shtoi se periudha e fundit ka qenë e mbushur me projekte në film dhe televizion, por tani dëshiron të rikthehet fuqishëm në muzikë:

“Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam punuar në film dhe TV, pra në një drejtim tjetër. Në vitin e ri do të përqendrohem më shumë në veten time – për ta pastruar gjithçka dhe për të udhëhequr me qëllim.”

Turneu i ardhshëm do të përfshijë edhe Australinë dhe Zelandën e Re, dy vende që Rita i konsideron “shtëpi të dytë” pas martesës së saj me regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi, në vitin 2022.

“Jam 100 për qind e sigurt që do të jem në turne në Australi, pastaj në Zelandë të Re, dhe më pas do të kthehem sërish – është si shtëpia ime e dytë,” u shpreh ajo.

Përveç albumit të ri dhe turneut, këngëtarja ka zbuluar se po përgatit edhe një dokumentar ekskluziv me pamje “nga prapaskena”, që përfshin tetë vite materiale filmike të mbledhura përgjatë karrierës së saj.

“Kam filmuar veten për tetë vitet e fundit dhe një ditë do të duhet ta përdor gjithë atë material,” tha ajo me entuziazëm, duke shtuar me humor: “Më ka ndodhur që të përmbyten dhomat e zhveshjes, që veshja të mos më arrijë me kohë. Ka pasur raste kur nuk kam pasur as grimere dhe jam fshehur pas syzeve të diellit.”

Me këtë rikthim të shumëpritur, Rita Ora pritet të sjellë një tjetër valë suksesi ndërkombëtar, duke dëshmuar sërish aftësinë e saj për të bashkuar elegancën, energjinë dhe autenticitetin artistik në një projekt të vetëm.

Arkitektja Dua Ramaxhiku diplomon në Berlin me temën “Kalaja e Mitrovicës”

Një sukses i ri nga Mitrovica vjen këtë herë nga fusha e arkitekturës. Dua Ramaxhiku, arkitekte e re dhe premtuese, ka përfunduar studimet e saj në Berlin, duke diplomuar me temën “Kështjella e Mitrovicës – Reagimet Arkitekturore ndaj Ngjarjeve Historike”, transmeton albinfo.ch.

Në punimin e saj, Dua ka trajtuar mënyrën se si ngjarjet historike ndikojnë në formësimin urban dhe arkitektonik të qytetit, duke marrë si rast studimi simbolin më të vjetër të Mitrovicës – Kalanë. Ky hulumtim i kombinuar me qasjen bashkëkohore e vendos punën e saj në një nivel të lartë akademik dhe profesional.

Dua Ramaxhiku është vajza e Dr. Ridvan dhe Dr. Qefsere Ramaxhikut, një familje me traditë në arsim e shkencë. Po ashtu, kujtojmë se motra e saj, Eda Ramaxhiku, diplomoi si mjeke në fillim të këtij viti, duke e bërë këtë familje një shembull të përkushtimit dhe suksesit në arsim. /Albinfo.ch

Tedi Papavrami vjen në Kosovë për të hapur festivalin “ReMusica 2025”

Nga 27 deri më 31 tetor 2025, qytetet Prishtina dhe Prizreni do të shndërrohen në qendra të muzikës bashkëkohore, me mbajtjen e edicionit të 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “ReMusica”, shkruan albinfo.ch.

Këtë vit, festivali zhvillohet nën temën “Contrasts”, duke sjellë një udhëtim përmes kontrasteve mes traditës dhe modernitetit në muzikë. Programi synon të eksplorojë mënyrën se si botët e ndryshme artistike mund të ndërthuren në një dialog të gjallë dhe frymëzues.

Në pesë ditë festivali, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 18 koncerte dhe të dëgjojë mbi 160 artistë nga Kosova dhe vendet e tjera të Evropës. Përveç performancave të artistëve të njohur ndërkombëtarë, edicioni i sivjetshëm sjell edhe aktivitete që e pasurojnë dimensionin edukativ dhe komunitar të festivalit:

ReMusica Junior – program i veçantë për fëmijët dhe të rinjtë,

ReNew Platforma – prezantim i artistëve të rinj në zhvillim,

Pocket Concerts – koncerte intime në hapësira alternative të qytetit.

Koncerti hapës do të mbahet më 27 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, në orën 19:00, ku do të performojnë violinisti Tedi Papavrami dhe pianistja Maki Okada, së bashku me ReVocal Ensemble nën dirigjimin e Rafet Rudit.

Virtuozi i njohur i violinës, Tedi Papavrami, do të sjellë mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij muzikore në skenën e Prishtinës, si pjesë e koncertit hapës të festivalit “ReMusica 2025”. Me një karrierë ndërkombëtare që shtrihet në disa dekada dhe bashkëpunime me orkestrat më të njohura të Evropës, Papavrami pritet të ofrojë një përjetim të rrallë artistik për publikun kosovar, duke hapur kështu një prej edicioneve më të pasura të festivalit të muzikës bashkëkohore në vend. /Albinfo.ch

Kreshnik Dreshaj nga Peja diplomon në Amerikë

Kapiten, Kreshnik Dreshaj ka diplomuar në Kursin e Karrierës së Kapitenëve në Inxhinieri Ushtarake, në Fort Leonard Wood, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Kështu u bë e ditur nga një postim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes një postimi në Facebook.

Sipas këtij njoftimi, trajnimi kishte për fokus përgatitjen e liderëve të rinj për planifikim, udhëheqje e drejtim të operacioneve të inxhinierisë ushtarake.

“FSK po ngrit kapacitetet profesionale me ndihmën e partnerëve dhe me standardat me të larta të vendeve të NATO-s”.

Europoli shkatërron rrjetin ndërkombëtar “SIMCartel”, përgjegjës për miliona mashtrime online

Në një operacion të gjerë ndërkombëtar, i koordinuar nga Europoli dhe Eurojusti, autoritetet e Letonisë, Austrisë, Estonisë dhe Finlandës kanë zbuluar dhe shkatërruar një rrjet të sofistikuar të krimit kibernetik të njohur me emrin “SIMCartel”.

Ky grup përdorte pajisje SIM-box dhe dhjetëra mijëra karta SIM për të krijuar mbi 49 milionë llogari të rreme në platforma të ndryshme digjitale, me qëllim kryerjen e mashtrimeve masive.

Operacioni, që kulmoi më 10 tetor 2025, rezultoi me arrestimin e shtatë personave, sekuestrimin e 1,200 pajisjeve SIM-box, 40 mijë karta SIM aktive, pesë serverëve, katër automjeteve luksoze dhe mbi 700 mijë euro, përfshirë kriptovaluta. Dy faqe interneti të lidhura me veprimtarinë kriminale janë gjithashtu mbyllur.

Hetimet kanë zbuluar se rrjeti “SIMCartel” është i përfshirë në më shumë se 3,200 raste mashtrimi kibernetik, kryesisht në Austri dhe Letoni, me një dëm ekonomik që tejkalon 5.8 milionë dollarë.

Anëtarët e grupit dyshohet se kanë zhvilluar skema të tilla si phishing, smishing, mashtrime investimesh dhe faqe të rreme bankash apo institucionesh publike për të mashtruar qytetarët.

Ky operacion konsiderohet një prej goditjeve më të rëndësishme të vitit ndaj rrjeteve ndërkombëtare të krimit digjital në Evropë.

 

Të pasurit e Francës po ikin drejt parajsave fiskale më të qëndrueshme, përfshirë Zvicrën

Përballë paqëndrueshmërisë politike, fondet po largohen nga Franca për t’u investuar në Zvicër, paralajmëron Financial Times.

Sipas raportit të këtij mediumi, sipërmarrësit dhe familjet e pasura në Francë po bëhen gjithnjë e më nervoze, duke çuar në një lëvizje të kapitalit drejt destinacioneve të konsideruara më të qëndrueshme, si Zvicra dhe Luksemburgu.

Kjo “hemorragji” kapitali nisi në qershor të vitit 2024, kur presidenti Emmanuel Macron shpërndau Asamblenë Kombëtare. Që atëherë, ky fenomen është intensifikuar, i nxitur nga pasiguria e vazhdueshme politike dhe ndërrimi i shpeshtë i kryeministrave dhe qeverive.

Një tjetër arsye shqetësimi për të pasurit është edhe pasiguria rreth buxhetit, i cili ende nuk është miratuar dhe mund të sjellë burime të reja të ardhurash për shtetin përfshirë rritjen e tatimeve për shtresat më të pasura, transmeton albinfo.ch.

Sipas Financial Times, investimet në sigurime jete në Luksemburg janë rritur me 60% në krahasim me një vit më parë, duke arritur një nivel rekord.

Interesi i të pasurve për Gjenevën

Për Zvicrën, ende nuk ka të dhëna zyrtare, por François Savary, themelues i kompanisë së pavarur të menaxhimit të pasurisë Genvil në Gjenevë, konfirmoi këto lëvizje në edicionin informativ të RTS:

“Po i vërejmë këto zhvillime si tek klientët që kanë marrë tashmë vendimin për t’u vendosur në Zvicër, ashtu edhe tek ata që po informohen për mundësitë dhe mënyrat për ta bërë këtë gjatë muajve të ardhshëm.”

Përveç Zvicrës dhe Luksemburgut, paqëndrueshmëria në Francë po i shkon për shtati edhe vendeve të tjera.

“Ka mjaft vende që mund të përfitojnë. Disa investitorë po drejtohen drejt Italisë, ku kushtet konsiderohen të favorshme. Të tjerë janë të interesuar për Dubain, një qendër gjithashtu shumë tërheqëse. Pra, kjo ndodh si brenda Evropës, ashtu edhe jashtë saj, jo vetëm në Zvicër,” shtoi Savary.

Vjedhje armësh dhe municionesh në kantonin Vaud

Dy dyqane armësh në kantonin Vaud janë sulmuar nga hajdutët në ditët e fundit. Një tentativë për vjedhje më 10 tetor në Mont-sur-Lausanne dështoi, ndërsa një tjetër më 18 tetor në Renens u realizua, ku u vodhën armë dhe municion.

Hajdutët e vjedhjes në Renens janë ende në kërkim. Ndërkohë, në rastin e Mont-sur-Lausanne, në pranga ranë nëntë të dyshuar, njoftoi policia kantonale e Vaud të martën.

Policia zbuloi automjetin e dyshuar gjatë një patrullimi në zonën industriale të Mont-sur-Lausanne. Kur panë forcat e rendit, disa persona u përpoqën të largoheshin, por u arrestuan. Të dyshuarit, të moshës 19–22 vjeç, janë një nga Vaud dhe tetë nga Franca. Për këtë tentativë vjedhjeje, ata përdorën automjete të vjedhura në Zvicër.

Rritja e vjedhjeve në dyqanet e armëve në Zvicër

Policia Federale (Fedpol) vëren se në muajt e fundit, pjesa frankofone e Zvicrës po preket gjithnjë e më shumë nga vjedhjet në dyqanet e armëve, ndërkohë që më parë këto raste prekeshin më shumë Zvicrën lindore. Fedpol e shpjegon këtë rritje kryesisht me dendësinë e lartë të dyqaneve të armëve në vend.

Robin Udry, armëmbajtës në Savièse dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Pro Tell (shoqatë për të drejtën e mbajtjes së armëve), vlerësoi punën e policisë kantonale: “Përveç një rasti në Renens, këto forca policore kanë arritur të arrestojnë të gjithë personat që kanë kryer krime kundër dyqaneve të armëve.”

Udry shtoi se nuk ka frikë të sulmohet: “Kam një biznes të thjeshtë, nuk kam ekspozitë armësh, edhe pse jam mjaft i njohur në këtë industri. Dhe zgjedh vetë klientët që vijnë tek unë; i takoj vetëm me takim.”

Rrjetet sociale si kanal rekrutimi

Policia kantonale e Vaud njoftoi se hetimet tregojnë se “sponsorët rekrutojnë njerëz në rrjetet sociale për të kryer krime të ndryshme për pagesë.”

Këto vjedhje nuk janë të izoluara: raste të ngjashme janë regjistruar në Sion, Yverdon dhe Evionnaz në pjesën frankofone të Zvicrës, ndërsa në kantonin e Cyrihut dy persona u arrestuan pasi përpoqën të grabisnin një dyqan armësh në Pfungen. Në Valais, dy të dyshuar u arrestuan pas një vjedhjeje të armëve në Bas-Valais.

Frangu zviceran forcohet: Euro bie në nivel historik

Frangu zviceran vazhdon të forcohet, ndërsa euro ra sot në nivelin më të ulët historik ndaj saj, duke arritur vetëm 0,9210 franga. Ky zhvillim rrit koston e produkteve zvicerane për eksport dhe ka pasoja direkte për ekonominë vendase, transmeton albinfo.ch.

Shumë investitorë po kërkojnë siguri për shkak të pasigurisë globale, duke u drejtuar drejt frangut, i cili konsiderohet një monedhë e sigurt. Euro arriti të rikuperohej pak gjatë mëngjesit, duke u stabilizuar në 0,9230 franga në orët e para të pasdites.

Forcimi i frangut ka efekte të dyfishta: eksportet zvicerane bëhen më të shtrenjta, duke dobësuar konkurrueshmërinë e kompanive në sektorë si makineri, ora dhe farmaceutikë, ndërsa importet bëhen më të lira, gjë që mund të ndihmojë në frenimin e rritjes së çmimeve për konsumatorët.

Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) po ndjek me kujdes situatën. Një forcim tepër i madh i frangut mund të ngadalësojë ekonominë. Në rast të vazhdimit të presionit, banka mund të ndërhyjë me blerje valute ose të rregullojë normën bazë të interesit, por mundësitë janë të kufizuara, pasi politika monetare e bankave të tjera qendrore po përshtatet ngushtësisht me të.

Ekspertët paralajmërojnë se forca e frangut është një sfidë për eksportuesit, por një përfitim për konsumatorët dhe stabilitetin e ekonomisë në përgjithësi.

 

“Pension aktiv” në Gjermani, metoda më e re për përfitimet e pensionistëve

“Pension aktiv” quhet modeli i fundit që ka miratuar qeveria gjermane.

Falë këtij modeli, mund të fitosh para shtesë pa paguar taksa, pas daljes në pension. Kjo ofertë është menduar për ata që duan të vazhdojnë të punojnë, pas arritjes së moshës së rregullt të pensionit. Struktura pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

“Pensioni aktiv” ofron lehtësime tatimore, kur punëdhënësi dhe personi në moshën e pensionit bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit. Në projektligj shkruhet se lehtësimi tatimor “zbatohet pavarësisht nëse tatimpaguesi e merr pensionin apo e shtyn marrjen e tij”, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Pensionistët mund të marrin deri në 2000 euro shtesë në muaj, që nuk taksohen kur vazhdojnë punën. Pra, nëse një pensionist fiton 2.500 euro bruto në muaj nga puna e tij, duhet të paguajë taksa vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër përjashtohet nga tatimi. Me fjalë të tjera, personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri 24.000 euro në vit, të cilat nuk do të taksohen.

Nga ky model përfitojnë të gjitha ata që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit, pasi bien dakord, si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi. Pensioni aktiv nuk i jep një personi pretendimin ligjor për punësim të mëtejshëm, thjesht i ofron lehtësi tatimore.

Ministria gjermane e Financave pret që të ketë rreth 168.000 aplikues të rinj në vit, që mund ta pranojnë ofertën. Kjo është e barabartë me rreth një në katër përfitues. Në aspektin fiskal, qeveria është e interesuar në përhapjen e modelit, pasi në këtë rast do të paguanin kontribute sociale si punëdhënësi, ashtu edhe punonjësi.

Nga “pensioni aktiv” nuk përfitojnë të vetëpunësuarit, nëpunësit civilë, si dhe ata që kryejnë ato që quhen “mini-punë”, pra pozicione ku fitojnë më e shumta 556 Euro në muaj dhe maksimalisht 70 ditë në vit. Gjithashtu, nga kjo strukturë përjashtohen edhe fermerët.

Me anë të kësaj mase, qeveria gjermane synon të zbusë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Gjermania ndodhet para një sfide të madhe demografike, pasi 4.8 milionë punonjës dalin në pension deri në vitin 2035.